VOAL

VOAL

BE po përcjell nga afër zhvillimet rreth rastit Blakaj

August 22, 2018

Komentet

Kuvendi ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, projektligji për buxhetin shqyrtohet të hënën

Radio Evropa e Lirë

Kuvendi i Kosovës i ka ratifikuar të premten marrëveshjet e vendit me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, në vlerë të rreth 1 miliard eurove.

Deputetët nuk kanë arritur pajtueshmëri për projektligjin për buxhetin, andaj pas konsultimeve mes shefave të grupeve parlamentare, seanca është shtyrë për të hënën në orën 10:00.

Sipas projektbuxhetit, që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, buxheti i përgjithshëm i shtetit për vitin 2026 është rreth 4 miliardë euro.

Nga shuma totale prej 3,955,595,904 miliardësh, 998 milionë euro janë ndarë për investime kapitale, ndërsa pjesa më e madhe e buxhetit, apo mbi 1.3 miliard euro, parashihet të shpenzohen për subvencione dhe transfere.

Mbi 980 milionë euro janë ndarë për pagat dhe shtesat e mbi 91 mijë punonjësve të sektorit publik. Mallrat dhe shërbimet do të kushtojnë 509 milion euro, kurse shpenzimet komunale mbi 35 milionë euro.

Partitë shqiptare në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e kanë kritikuar votimin e projektligjit për buxhetin, duke thënë se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta lexuar gjithë dokumentin.

Sipas tyre, për disa ministri as nuk është planifikuar buxhet.

Opozita ka kërkuar tri ditë shtesë për ta shqyrtuar projektligjin, si dhe e kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të jetë prezent në sallë për të diskutuar.

Deputetët opozitarë e kanë arsyetuar mosvotimin e tyre, duke thënë se një ditë më parë e kanë mbështetur propozimin e Qeverisë për zgjatjen buxhetore për muajin mars nga buxheti i vitit të kaluar.

Kjo zgjatje ka qenë e domosdoshme që të mos ketë ndërprerje në pagat e punëtore të sektorit publik dhe pagesave të tjera.

Ministri Murati e ka pranuar se disa ministri të reja nuk kanë buxhet, mirëpo e ka përmendur urgjencën e miratimit të projektligjit të ri dhe është zotuar se do të ketë ndryshime e rishikime të buxhetit gjatë javëve e muajve në vazhdim.

Marrëveshjet ndërkombëtare

Në nisje të seancës, deputetët janë pajtuar për një shmangie nga procedurat që parashihen nga Kuvendi për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për shkak të rëndësisë së miratimit të tyre sa më parë që është e mundur.

Marrëveshja e miratuar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian kap vlerën e 882 milionë eurove.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grant dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.

Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.

Plani synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë ato për anëtarësim.

Qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.

Burimet financiare janë planifikuar për të mbështetur një sërë reformash socio-ekonomike dhe themelore, duke përfshirë reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së sipas Planit të Rritjes përfshijnë mbështetjen dhe respektimin e vazhdueshëm për mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumë-partiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, si dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pakicave.

Kuvendi i ka ratifikuar të dyja marrëveshjet e nevojshme për t’i siguruar fondet: atë që e mundëson paketën e planit dhe planin e reformave dhe tjetra për marrëveshjen e kredisë.

Kosova i ka ratifikuar edhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore. Afati i fundit për miratimin e një pjese të fondeve ka qenë pikërisht e premtja e 13 shkurtit.

Tri marrëveshjet parashohin programe në sfera të ndryshme:

  • njëra në vlerë të 90.3 milionë eurove është për financim të politikave zhvillimore, efektivitet fiskal, konkurrueshmëri dhe rritje të gjelbër,
  • dy tjerat, secila në vlerë në 18.6 milionë eurove parashohin forcimin e sistemit të shëndetësisë dhe edukimin në fëmijërinë e hershme, si dhe kujdesin për kapitalin njerëzor të Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se marrëveshjet me Bankën Botërore janë ndër më të favorshmet për vendin, pasi kanë normë interesi 0 për qind.

Për këto marrëveshje, dhe rrezikun e humbjes së këtyre fondeve, është folur gjithë vitin e kaluar, meqë Kosova ka qenë pa institucione funksionale për t’i çuar ato përpara.

Qeveria e re, në krye me kryeministrin Albin Kurtin, i ka fituar votat e nevojshme më 11 shkurt, pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.

Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për ish-krerët e UÇK: Haga të mbajë një proces gjyqësor të drejtë e të paanshëm!

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota një rezolutë. përmes së cilës ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

R E Z O L U T A

Duke rikonfirmuar përkushtimin e plotë të Kuvendit për respektimin e rendit kushtetues, përfshirë Amendamentin Nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar;

Duke rikujtuar qëllimin e këtij amendamenti dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për të adresuar dhe demantuar akuzat e pabazuara që burojnë nga Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës [Dokumenti 12462] i 7 janarit 2011, të cilat as pas një dekade hetimesh ndërkombëtare nuk kanë përbërë bazë për t’u përfshirë në aktakuzat e ngritura kundër udhëheqësve dhe luftëtarëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;

Duke shprehur besimin e plotë në vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesë sublime e historisë sonë të lavdishme, mbi të cilën qëndron Republika jonë dhe duke nderuar sakrificat e burrave dhe grave të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e saj, siç nënvizohet edhe në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës;

Duke theksuar përkushtimin tonë të plotë për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të saktësuara në Kushtetutën e Republikës sonë dhe në aktet e standardet ndërkombëtare;

Duke theksuar përkushtimin tonë të plotë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe me instrumente ndërkombëtare, si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

Duke e vlerësuar të domosdoshme që të ritheksohen detyrimet që rëndojnë mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ashtu si edhe mbi çdo institucion tjetër të Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e standardeve dhe parimeve kushtetuese e ndërkombëtare për administrimin e duhur të drejtësisë;

Kuvendi i Republikës së Kosovës

KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, që përmban standardet më të mira ndërkombëtare, lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.
KËRKON nga shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë që ta respektojnë marrëveshjen me Republikën e Kosovës, që gjykata të operojë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, e cila në brendi i ka të gjitha standardet më të mira ndërkombëtare. Shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të marrrin përgjegjësi, nëse shkelen këto të drejta.
INKURAJON të gjitha shtetet demokratike të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Haradinaj njofton për largimin nga udhëheqja e AAK-së

Radio Evropa e Lirë

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi se nuk do të kandidojë për udhëheqjen e partisë në zgjedhjet e brendshme partiake.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, Haradinaj tha se zgjedhjet partiake do të mbahen nga 20 shkurti deri më 6 qershor.

“Nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës”, tha Haradinaj, duke treguar se janë disa arsye për këtë vendim.

E para, tha ai, është koha e gjatë në udhëheqje, përkatësisht nga maji i vitit 2000, kur u themelua partia, por edhe rezultati jo i mirë i partisë në dy palë zgjedhjet e fudit më 9 shkurt dhe 28 dhjetor 2025.

AAK në zgjedhjet e fundit arriti të siguronte gjashtë vende në Parlamentin e Kosovës.

Haradinaj njoftoi se deri tani, kandidaturën për kreun e ri të AAK-së e ka shpallur Ardian Gjini, por tha se mund të ketë kandidatura të tjera.

I pyetur nëse do të jetë kandidat për president, Haradinaj tha se nuk është.

Ndërkaq, për qëndrimin e partisë lidhur me votimin e Vjosa Osmanit për një mandat të dytë si presidente, Haradinaj tha se AAK-ja ende nuk ka vendosur për këtë çështje.

Haradinaj është zgjedhur deputet i legjislaturës së dhjetë që u konsititua një ditë më parë. Ndërkaq, në zgjedhjet e dhjetorit ai ishte kandidat i AAK-së për kryeministër.

Në të kaluarën, Haradinaj ka shërbyer dy herë si kryeministër i Kosovës.

 

Buxheti i Kosovës 2026 prej 4 miliardë euro dërgohet në Kuvend, parashikohet edhe paga e 13

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë ka proceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026.

 

Në mbledhjen e parë, Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se vlera totale e buxhetit arrin 4 miliardë euro. Janë dhënë shpjegime edhe për pagën e 13-të.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë ka proceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vlera e buxhetit është 4 miliardë euro.

“Sot po e riprocedojmë në Kuvend edhe projektligjin për buxhetin e viti 2026 të cilin e patëm miratuar në mbledhjen e 31 tetorit të vitit të kaluar. Është buxhet në vlerë prej 4 miliardë eurosh, ku për komunat e Kosovës parashihen 867 milionë euro”.

Ai ka thënë se ky buxhet e përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti dhe e cila sipas tij, do të paguhet sapo të hyjë në fuqi buxheti.

Kurti ka thënë se buxheti përmban edhe vlerën që mundëson rritjen e shtesës për 15 vjetët e para të përvojës së punës.

Ai ka theksuar se paga e 13 për punëtorët e sektorit publik, do të paguhet sapo të hyjë në fuqi Ligji për Buxhetin.

“Ky buxhet e përmban edhe pagën e 13 për punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti, pagë e cila do të paguhet sapo të hyjë në fuqi Ligji i buxhetit”.

Shtesat për fëmijë, Kurti deklaroi se do të shkojnë në 90 euro, për çka tha se me këtë rritje Kosova do i lë prapa edhe disa vende të Bashkimit Evropian.

Po ashtu, ai premtoi edhe rritje të shtesave për nënat lehona.

“Shtesat për fëmijë janë sot 30-45 euro për fëmijë, ndërkaq mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë ato. Pra nga zero sa i gjetëm në 45, dhe mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për familjet me tre e më shumë fëmijë… Edhe shtesat për nënat e reja lehohnat do t’i rrisim nga 500 euro në muaj për gjashtë muaj”.

Përgjatë mandatit të kaluar, Kurti tha se si Qeveri kanë shtuar punësimin, me fokus rininë dhe gratë. Ai bëri me dije se do të krijohet platforma “Superpuna” edhe për gratë.

“Kemi shtuar punësimin nga 350 mijë të punësuar në 430 mijë të punësuar, me fokus te rinia dhe gratë si dhe kemi arritur që të ardhurat e familjes të ngriten, duke rritur pagën minimale, pensionet, shtesat për fëmijë, por edhe pagat në sektorin publik, të cilat gjatë këtij mandati që po e përmbyllim tash kanë shënuar rritje mesatare prej 47%”.

Ndërkohë ministri i financave Hekuran Murati ka thënë se në vlerën prej 4 miliardë euoshe, të hyra buxhetore janë 3.64 miliardë euro. Pjesa tjetër ka thënë se financohet nga huamarrjet dhe metodat e tjera të deficitit.

Murati ka thënë se për shkak të ndryshimit të dikastereve do të nevojitet një rishikim, por se për shkak të urgjencës ai to të procedohet në Kuvend dhe pastaj do të rishikohet.

Ministri i Financave ka shpjeguar se paga e 13-të, të cilën edhe e kishin premtuar do ta marrin punëtorët e sektorit publik të cilët kanë marrë 12 paga, ndërsa ata që sapo kanë filluar do të mund të përfitojnë nga kjo vetëm pasi të arrijnë tek paga e 12-të.

“Kjo parashihet që paga e 13-të vjen për ata që i kanë marrë 12 paga. Me fjalë të tjera, nëse dikush ka filluar rishtazi do ta marrë pagën e 1-të në vitin e ardhshëm. Kështu që kjo është e paraparë që paga e 13-të paguhet për punëtorët që marrin pagë nga buxheti i shtetit, por që kanë punuar së paku 12 muaj, para se të paguhet paga e 13-të”.

Kabineti i ri qeveritar në mbledhjen e parë pas zgjedhjes, ka miratuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore).

Kjo marrëveshje prek vlerën e 90.3 milionë eurove, ndërsa siç tregoi ministri i Financave, Hekuran Murati, periudha e kthimit është 12 vjet.

“Periudha e kthimit është 12 vjet, norma e interesin zero për qind. Konsideruar rëndësinë e marrëveshjes dhe kushtet e mira financiare ju ftoj ta miratojmë për ta proceduar në Kuvend për ratifikim”./Monitor.al

Vendosja e doganës së Kosovës në Durrës- Rriten me 25% volumet e mallrave drejt Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare theksoi se vendosja e Zyrave të Doganës së Kosovës pranë Doganave të Shqipërisë në Portin e Durrësit dhe Porto Romano ka rritur me 25% volumet e tregtisë nga portet e Shqipërisë drejt Kosovës.

Në takimin e parë zyrtar si Drejtor i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, priti Drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, duke konfirmuar partneritetin efikas mes dy doganave.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare theksoi se vendosja e Zyrave të Doganës së Kosovës pranë Doganave të Shqipërisë në Portin e Durrësit dhe Porto Romano ka rritur me 25% volumet e tregtisë nga portet e Shqipërisë drejt Kosovës.

Prania e Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit u vlerësua nga të dy palët si një vlerë e shtuar strategjike, e cila ka kontribuar drejtpërdrejt në lehtësimin e procedurave doganore, rritjen e efikasitetit operacional dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset dhe operatorët ekonomikë në të dy anët e kufirit.

Në eksport, volumi i mallrave të eksportuara drejt Kosovës gjatë vitit 2025 u rrit me 6%, duke arritur mbi 1 milion e 21 mijë ton dhe ka zënë një peshë specifike prej 26.345% ndaj peshës totale të eksporteve tona drejt të gjitha vendeve. Kryesisht drejt Kosovës gjatë vitit 2025 janë eksportuar çimento, stuko xhami, stuko transplantimi, çimento me rezinë, përbërje stukuese dhe mastikë të tjera; mbushje që përdoren në piktura; preparate jo refraktare sipërfaqësore për fasada, mure të brendshme, dysheme, tavane të brendshme apo të ngjashme me to, etj.

Në fjalën e tij, z. Beja theksoi se proceset e dixhitalizimit të shërbimeve doganore mbeten një prioritet strategjik për Administratën Doganore Shqiptare, pasi kontribuojnë në rritjen e transparencës, thjeshtimin e procedurave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj bizneseve. Ai nënvizoi se shkëmbimi elektronik i të dhënave dhe zhvillimi i sistemeve të përbashkëta dixhitale do të vijojnë të jenë në fokus, në funksion të përshpejtimit të proceseve, forcimit të kontrollit dhe luftës kundër paligjshmërisë.

Drejtori i Doganës së Kosovës vlerësoi se hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit përbën një arritje të jashtëzakonshme për ekonominë e Kosovës, pasi mundëson përpunim më të shpejtë të mallrave, kursen kohë dhe ul ndjeshëm kostot për bizneset, duke rritur konkurrueshmërinë e tyre dhe duke krijuar lehtësi konkrete për operatorët ekonomikë kosovarë.

Në këtë kuadër, u theksua se procedurat e përshpejtuara dhe funksionimi i pikës unike “One Stop Shop” në Morinë kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e volumit tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe në rritjen e fluksit të pasagjerëve, duke reflektuar drejtpërdrejt në lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve. Lehtësitë procedurale dhe ulja e kostove janë ndjerë konkretisht nga bizneset dhe tregtarët, çka ka sjellë reduktim të kohës së pritjes, ulje të kostove financiare dhe rritje të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve./Monitor.al

Mbledhja përuruese e Qeverisë së re të Kosovës

 

 

Prishtinë, 12 shkurt 2026

 

Qeveria e re e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen përuruese dhe njëherësh mbledhjen e parë, në të cilën ka:

 

–           Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Qëllimi i kësaj marrëveshje është krijimi i bazës së nevojshme ligjore, që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian, në vlerë prej 882.6 milionë euro, që ofrohen brenda këtij instrumenti për reforma dhe rritje;

 

–           Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “ Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore);

 

–           Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja ka për qëllim përshpejtimin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, integrimit ekonomik rajonal, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në, duke plotësuar fondet e instrumentit të para anëtarësimit (IPA);

 

–           Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë. Kjo marrëveshje është mbështetje ndaj sektorit shëndetësor në Kosovë si pjesë edhe e programit qeverisës. Ka vlerën 18.6 milionë euro, dhe kushtet janë të ngjashme sikurse ajo për edukimin në fëmijërinë e hershme;

 

–           Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “ Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës. Ministria e Financave bashkë me Bankën Botërore, ka nënshkruar marrëveshjen e kredisë për projektin Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesin për Kapitalin Njerëzor në Kosovë;

 

–           Miratuar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, në vlerë prej rreth 4 miliardë euro;

 

–           Miratuar kërkesën ndaj Kuvendit, që përmes një vendimi të autorizojë zgjatjen e zbatimit të Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal, edhe për muajin mars 2026./Zyra e Kryeministrit

Osmani anulon shkuarjen në Munih, Kurti sinjalizon gatishmërinë për diskutime për presidentin

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Munih, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Si arsye për anulimin e vizitës janë përmendur angazhimet institucionale dhe prioritetet që lidhen me zhvillime brenda vendit.

Konferenca e Sigurisë në Munih i mban punimet këtë vit më 13-15 shkurt në qytetin gjerman. Ajo konsiderohet konferencë me nam, për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve shtetërorë të niveleve më të larta.

Paraprakisht ishte raportuar se përveç Osmanit, në këtë konferencë do të merrnin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Në nivel botëror, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio bashkë me një delegacion të nivelit të lartë.

Vendimi i marrë nga Osmani vjen një ditë pasi Kosova është bërë me Qeveri të re në krye me Albin Kurtin.

Qeveria është zgjedhur më 11 shkurt, në të njëjtën ditë që është konstituuar Kuvendi i Kosovës.

Kryeministër, Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri

Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.

Ndër prioritetet kryesore të Qeverisë në ditët e para është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që ka Kosova me BE-në dhe Bankën Botërore. Të gjitha së bashku kapin vlerën e rreth 1 miliard eurove.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar në mbledhjen e mbajtur në paraditen e së enjtes se pas votimit të buxhetit të shtetit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, atëherë fokusi kthehet te çështja e pozitës së presidentit.

“Sa të përfundohen këto [marrëveshjet], jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet e tjera politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka thënë hapur se synon edhe një mandat në krye të shtetit.

Ende nuk dihet nëse emri i saj do të propozohet në Kuvend dhe nëse do t’i ketë vojtat e nevojshme.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë.

Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në fund të dhjetorit, presidentja Osmani ka thënë se nëse nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti.

Kurti prezanton para deputetëve kabinetin e ri qeveritar, Konjufca ministër i Jashtëm, Gërvalla e Drejtësisë! Prioritetet: Investim 1 mld euro në mbrojtje

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kabinetin e ri qeveritar të kryesuar nga Albin Kurti. Në kabinetin e ri, Glauk Konjufca është Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Fikrim Damka Zëvendëskryeministër për çështje të pakicave dhe bashkëpunim.

 

Kabineti përfshin gjithsej 21 ministri, mes të cilave Financat (Hekuran Murati), Mbrojtja (Ejup Maqedonci), Shëndetësia (Arben Vitia), Arsimi (Hajrulla Çeku), dhe Kulturë e Turizëm (Saranda Bogujevci).

Gjatë ekspozesë së tij para deputetëve, Kurti prezantoi prioritetet kryesore të qeverisë së re. Ai premtoi një investim prej 1 miliard eurosh në mbrojtje, përfshirë rekrutimin e ushtarëve të rinj, zhvillimin e industrisë ushtarake dhe prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Kosova”.

Qeveria e re synon gjithashtu investime të mëdha në energji të ripërtërishme, përmirësim të arsimit, rritje të mbështetjes për punësimin e grave, kujdes ndaj gjyshërve, dhe rritje të pagës minimale. Në shëndetësi, çdo qytetar do të ketë mjek familjar dhe një kontroll vjetor, ndërsa buxheti për barnat esenciale do të arrijë 100 milionë euro.

Kurti bëri një bilanc të mandatit të kaluar, duke theksuar përparimin në ekonomi, forcimin e bizneseve, rritjen e mirëqenies sociale dhe stabilitetin institucional. Ai gjithashtu foli për procesin në Hagë ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, duke e cilësuar si një përpjekje që bie ndesh me të vërtetën historike.

Presidentja Vjosa Osmani caktoi Albin Kurtin si mandatar për formimin e qeverisë, ndërsa deputetët e Kuvendit votuan kabinetin e ri, duke shënuar fillimin e një mandati të ri qeverisës në Kosovë.

Kabineti i prezantuar qeveritar:
Kryeministër Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri

Albulena Haxhiu zgjidhet Kryetare e Kuvendit të Kosovës

Albuena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, u zgjodh kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Tashmë deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 10-të kanë votuar pro kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Pas votimit, kryetare e Kuvendit të Kosovës është zgjedhur Albulena Haxhiu.

Ajo ka arritur që të merr vota 66 pro nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kundër kanë votuar LDK-ja dhe PDK-ja dhe pakiva serbe ndërsa AAK-ja ka abstenuar.

Kujtojmë se Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare në Kosovë nga LVV-ja.

Pas zgjedhjes së Haxhiut në krye të Kuvendit të Kosovës sipas rendit të ditës rradha është për të votuar në pako nënkryetarët e Kuvendit.

Mbrojtja: Shpallja e Thaçit fajtor do të përbënte “padrejtësi historike dhe ligjore”

Mimoza Sadiku

• Sot po zhvillohet dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Prokuroria, e cila tashmë i ka thënë të gjitha, ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar, ndërsa ekipi për mbrojtjen e viktimave ka bërë thirrje që në vendim të dëgjohet zëri i tyre.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

15:47

Prosper kritikon Prokurorinë lidhur me dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes

Pas Tavakolit, fjalën e mori mbrojtësi tjetër i Thaçit, Pierre-Richard Prosper. Ai kritikoi ZPS-në për mënyrën se si i ka trajtuar dëshmitë e shtatë dëshmitarëve ndërkombëtarë të mbrojtjes.

Prokuroria, tha ai, pretendoi se shtatë dëshmitarët nuk kishin njohuri të thella për UÇK-në, nuk kishin lexuar rregulloret e as komunikatat e saj dhe nuk ia njihnin strukturën.

“Këto komente tregojnë arrogancë, mungesë respekti që ka qenë e pranishme qysh në fillim të këtij procesi”, tha Prosper.

“Duhet të kujtojmë rëndësinë e dëshmitarëve. Duhet të respektoni rolin që kanë pasur, shtetet që përfaqësojnë”, shtoi Prosper, duke theksuar se ata nuk dolën para gjykatores si persona privatë, por në kohën e luftës kishin pasur role të rëndësishme dhe përfaqësonin SHBA-në, NATO-n e OKB-në.

15:34

Tavakoli flet për thirrjet e Thaçit për tolerancë në verën e vitit 1999

Pas pushimit, avokatja Nina Tavakoli foli kundër pretendimeve të Prokurorisë se Thaçi ishte në dijeni dhe nuk kishte vepruar për të ndëshkuar apo parandaluar krimet e kryera në verën e vitit 1999.

Tavakoli tha se përgjegjës për ndjekjen e këtyre krimeve atëbotë ishte UNMIK-u dhe Thaçi krejt çfarë mund të bënte, si kryeministër i Qeverisë së përkohshme, ishte të fliste për to dhe ai ka folur.

Tavakoli tha se Thaçi ka bërë thirrje për tolerancë, ka kërkuar që serbët të mos largohen nga Kosova dhe kjo e ka ekspozuar, pretendoi ajo, ndaj rreziqeve personale dhe politike.

Ajo tha se ZPS-ja është bazuar kryesisht në një dëshmitar ndërkombëtar, që sipas Tavakolit, ishte i ri në mision ndërkombëtar dhe nuk e kuptonte pse pavarësisht deklaratave, dhuna nuk ndaloi. Ai doli në përfundimin që Thaçi e ka orkestruar këtë dhunë”.

“Ne mendojmë se pse vazhdojë dhuna në verën e 99-tës, pavarësisht thirrjeve për tolerancë nga Thaçi, ishte pikërisht se Thaçi nuk e kishte pushtetin ndaj këtyre kryesve”, tha Tavakoli.

Nina Tavakoli gjatë seancës së 11 shkurtit në Hagë.

Nina Tavakoli gjatë seancës së 11 shkurtit në Hagë.

15:16

Rinis seanca

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka rinisur seanca ku mbrojtja e Thaçit po mban fjalën përmbyllëse.

14:05

Mbrojtja kundërshton pretendimin se Thaçi synonte marrjen nën kontroll të Kosovës

Avokatja Tavakoli tha se Thaçi në cilësinë e kryeministrit në Qeverinë e përkoshme nuk kishte pushtet të vërtet.

“Ai nuk mundte të nënshkruante asnjë angazhim domethënës për kosovarët në rolin e tij si kryeministër”, tha ajo, duke kujtuar dëshminë e ish-diplomatit britanik, John Stewart Duncan se Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen për çarmatosje e UÇK-së si kryeministër i Qeverisë së përkohshme.

“Kryeministër ishte një titull, nuk ishte shtysë përmes së cilës Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale [term që ZPS-ja përdor në aktakuzë për t’iu referuar të akuzuarve dhe disa ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së] mund të jetësohej”, tha ajo.

Tavakoli tha se fillimisht, në ditët e para të UNMIK-ut, Thaçi kishte konkurruar me këtë institucion për pushtet, por më pas e pranoi autoritetin e kësaj administrate dhe bashkëpunoi me të.

Ajo ngriti pyetjen se si Thaçi synonte të merrte nën kontroll Kosovën, kur ai ishte pajtuar për çarmatosjen e UÇK-së, pranoi të bashkëpunonte me UNMIK-un, kishte pranuar humbjen në zgjedhje pasluftës deri më 2007, kur i fitoi ato.

Rashiq kërkon nga Lista Serbe të deklarohet për integrimin e institucioneve serbe, Bislimi paralajmëron javë kyç

Radio Evropa e Lirë

Partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit i ka bërë thirrje Listës Serbe që të deklarohet dhe të tregojë se çfarë është pajtuar konkretisht lidhur me integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore në Kosovë, të cilat funksionojnë në sistemin e Serbisë, si dhe kush ka zhvilluar negociatat dhe në emër të kujt.

“Nëse nuk ka marrëveshje, atëherë është jashtëzakonisht e papërgjegjshme, madje edhe mashtruese, të paraqitesh si mbrojtës politik i popullit serb, ndërkohë që nuk ofrohet asnjë zgjidhje konkrete”, thuhet në reagim, ku vlerësohet se heshtja e Listës Serbe “nuk është e rastësishme”.

“Kjo sjellje e tillë e thellon pasigurinë, frikën dhe ndjenjën e braktisjes institucionale”, thuhet në reagimin e partisë së Rashiqit.

Ndryshe, Rashiq në zgjedhjet e fundit, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka fituar një mandat deputeti në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Lista Serbe ka siguruar nëntë mandate. Ai ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, pasi Lista Serbe i braktisi institucionet në vitin 2022, ndërsa pritet që të jetë pjesë edhe e Qeverisë së re që do të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, më 10 shkurt ka deklaruar se pesë deri në gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe, duke theksuar se të gjithë duhet të jenë konstruktivë lidhur me këtë çështje.

Bislimi, në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës në gjuhën serbe, RTK2, tha se ekzekutivi kosovar i ka ftuar kryetarët aktualë të komunave me shumicë serbe në një takim të premten, ndërsa deri më tani pjesëmarrjen e ka konfirmuar vetëm njëri.

“Do të ishte mirë që kryetarët e komunave në këtë fazë të tregojnë sa më shumë përgjegjësi, sepse mirëqenia e qytetarëve të tyre varet në masë të madhe nga qasja që do të kenë në javët e ardhshme”, është shprehur Bislimi.

Dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku, Graçanica, Shtërpca, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Novobërda – udhëhiqen nga kryetarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar kësaj partie me pyetjen nëse kryetarët e komunave me shumicë serbe do t’i përgjigjen ftesës së Qeverisë së Kosovë për takim lidhur me integrimin e shëndetësisë dhe arsimit.

Ndërkohë, më 10 shkurt, rektori Nebojsha Arsiq ka deklaruar se Universitetit në Mitrovicë të Veriut – i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë – i është dorëzuar një shkresë nga Universiteti i Prishtinës, sipas së cilës Fakulteti i Shkencave Teknike po e shfrytëzon objektin në mënyrë të paligjshme dhe se brenda 30 ditësh duhet ta lirojë atë ose të fillojë rregullimin e përdorimit.

Arsiq ka thënë për portalin Kossev se Fakulteti i Shkencave Teknike nuk funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe se nuk ka mundësi t’i përgjigjet këtij kërkese në mënyrë institucionale, por se lidhur me hapat e mëtejmë po “pres udhëzime”.

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar rektorateve të universiteteve në Mitrovicë të Veriut dhe në Prishtinë me kërkesë që të ofrojnë më shumë detaje lidhur me këto pretendime, por nga këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

Njoftimi për fillimin e integrimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore përkon me fillimin e zbatimit të fazës së parë të aplikimit të plotë të Ligjit për të huajt, e cila do të zgjasë deri më 15 mars dhe parasheh një periudhë informimi.

Zbatimi i plotë i këtij ligji mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve serbe shëndetësore dhe arsimore, pasi të gjithë ata që nuk kanë dokumente kosovare duhet të posedojnë leje pune ose licencë për punë, për të cilën kërkesa parashtrohet në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.

Po ashtu, punonjësit e Universitetit në Mitrovicë të Veriut që vijnë nga Serbia ose nga vende të tjera të rajonit do të duhej të kenë leje të përkohshme qëndrimi dhe të përmbushin kushte të tjera të përcaktuara me ligj, varësisht nga qëllimi i qëndrimit.

Në praktikë, marrja e lejes së punës ose për shkollim mund të jetë problematike, pasi Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, të cilat i konsideron paralele dhe ilegale.

Bislimi ka theksuar se problemi nuk qëndron te zbatimi i ligjit, por se institucionet serbe duhet të “legalizohen” brenda sistemit juridik të Kosovës.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke vlerësuar se institucionet serbe të arsimit dhe shëndetësisë janë “vetë thelbi” i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar që ta formojë gjatë negociatave në Bruksel.

“Beogradi mbetet i hapur për bisedime dhe pret angazhim të shtuar të Bashkimit Evropian dhe të Brukselit në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme që do të respektonin marrëveshjet ekzistuese dhe të drejtat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, tha Zyra për Kosovën.

Palët u pajtuan për Asociacionin më 2013 dhe ai përmendet edhe në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë pranuar në vitin 2023. Sipas një draft-statuti që hartoi Bashkimi Evropian, Asociacioni do të duhej ta rregullonte edhe çështjen e të hyrave, përkatësisht financimin nga buxheti i Serbisë.

Specialja liron Shalën, Smakën dhe Fazliun

Radio Evropa e Lirë

Dhomat e Specializuara njoftuan se kanë liruar Haxhi Shalën, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, nën kushte të caktuara.

Përmes njoftimeve të ndara, Dhomat e Specializuara thanë se ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, u lirua pasi kryetarja e Dhomave, Ekaterina Trendafilova modifikoi dënimin e tij.

“Këto kushte do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur të nga tre vjetët e dënimit të Shalës”, u tha në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, që njihen edhe si Gjykata Speciale, ku u shtua se Shala u kthye në Kosovë më 10 shkurt.

Familjarë të tij kanë publikuar fotografi në rrjetet sociale, ku shfaqet Shala në Kosovë.

Modifikimi i vendimit vjen pasi në dhjetor të vitit të kaluar, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kishte hedhur poshtë kërkesën e Shalës për ulje të dënimit.

Sipas njoftimit të 10 shkurtit, Trendafilova tha se Shala ka treguar disa shenja të rehabilitimit dhe i kishte dërguar një letër, “në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij”.

“Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor”, tha Gjykata Speciale.

Sipas ligjeve, kur një person vuan dy të tretat e dënimit ai ka të drejtë të kërkojë t’i ulet apo modifikohet vendimi “por vetëm nëse plotëson kriteret” për një gjë të tillë, tha Specialja.

Shala është dënuar me tre vjet burgim shkurtin e vitit 2025, pasi paraprakisht pranoi fajësinë për pengim të drejtësisë.

Shala kishte qëndruar në burgun në Hagë që nga 11 dhjetori i vitit 2023. Ai u dënua së bashku me dy të tjerë, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, ndaj të cilëve prokurorët e Gjykatës Speciale kishin aktakuzë për pengim të drejtësisë.

Bahtijari dhe Januzi u dënuan me nga dy vjet burgim.

Që të tre kishin arritur marrëveshje me prokurorët për pranimin e fajësisë.

Çfarë thuhej në aktakuzën për Shalën, Januzin e Bahtijarin?

Në aktakuzën e konfirmuar për tre të akuzuarit më 10 korrik të vitit 2023, thuhej se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023 Haxhi Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, kontaktuan një dëshmitar.

Më saktësisht, sipas aktakuzës, Ismet Bahtijari i bëri një vizitë dëshmitarit në shtëpinë e tij më 5 prill ndërsa Sabit Jonuzi bëri një vizitë më 12 prill.

Në aktakuzë po ashtu u tha se dëshmitarit iu kërkua tërheqja e dëshmisë dhe iu ofruan benefite në këmbim.

Vepra në grup, sipas Prokurorisë së Specializuar, u krye nën direktivën e Haxhi Shalës.

Lirimi i Smakës dhe Fazliut

Ndërkaq, në njoftimin e ndarë për Smakajn dhe Fazliun, Gjykata Speciale tha se ata u liruan me kusht. Ata akuzohen për pengim të drejtësisë dhe bëjnë pjesë në një aktakuzë të përbashkët me Hashim Thaçin, Hajredin Kuçin dhe Isni Kilaj.

“Në vendimet e tij të 3 shkurtit 2026, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Smakajt dhe Fazliut në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale. Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ende ekzistonte njëfarë rreziku që, në qoftë se lirohen, si Smakaj ashtu edhe Fazliumund të pengojnë ecurinë e procesit, ai arriti në përfundimin se e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe”, u tha në njoftim.

Gjykata tha se një arsye e lirimit të tyre është se nëse do llogaritej koha e kaluar në paraburgim e të dyve, atëherë kjo kohë tejkalon “dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit në qoftë se do të shpalleshin fajtorë”.

Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet”, u tha në njoftim.

Specialja tha se nuk ka rrezik që Fazliu dhe Smakaj të arratisen, pasi kanë ofruar dorëzani dhe do të humbnin këtë shumë financiare nëse do të arratiseshin.

Sipas Gjykatës, si dorëzani Smakaj ka ofruar 50.000 euro, prej të cilave 20.000 do të ofrohen nga familja e tij dhe për pjesën tjetër, gjykata e ka redaktuar në njoftimin e saj.

Ndërkaq, Fazliu ka ofruar 40.000 euro si garanci financiare si parakusht për lirimin e tij.

Megjithatë, të dy mbeten të akuzuar për pengim të drejtësisë – gjykimi ndaj të cilëve do të nisë më vonë gjatë shkurtit – dhe lirimi është bërë nën një sërë kushtesh.

Për çfarë akuzohen Thaçi, Kilaj, Smakaj Fazliu dhe Kuçi?

Aktakuza e re kundër Thaçit dhe katër personave të tjerë, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut – u konfirmua më 29 nëntor, ndërsa u bë publike më 7 dhjetor.

Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-eprorëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.


Send this to a friend