Në të njëjtën mbledhje, mbas largimit të qeverisë së votbesuar, kryeministri shtroi një tjetër problem nga ana e qeverisë:
“Z. Kryeministri: Mâ të shumtët nga Z.Z. deputetët e dijnë ngjarjen e Piqerasit. Prej këtyne shkaktarëve tre u zunë, dhe u varën, dhe njëri shpëtoi; ky dhe 2-3 të tjerë qi janë t’arratisun, bajnë dame në at Prefekturë. Këta i mbajnë dhe disa, por mbasi ligja qi kemi në veprim nuk mjafton, kërkoj aprovimin e Parlamentit për shpalljen e gjygjit ushtarak, sikur se ishte dhe mâ parë, ba bërë shtet rrethimi, qi të shpëtojë vendi nga mundimet nji orë mâ parë.”
Diskutoi shpejt edhe deputeti Mustafa Kruja:
“Z. M. Kruja: Pik së pari due të studjoj çashtjen në themel. Në letrën e Ministrisë qi kërkon autorizimin e Parlamentit për shpalljen e gjygjit ushtarak, pa shtet rrethimi, për arsye qi disa njerëz po kërkojnë të marrin shpjegimet e vjetra qi datojnë prej kohës së okupacionit grek, të cilët janë dënuar, dhe nuk po shtihen në dorë. Në asnji ligjë të botës nuk ka ngrehje të gjygjit ushtarak, pa çpallur shtet rrethimit. Vetëm dijmë në kohën e dispotizmës të Turqisë, ngriheshin për shkaqe të jashtzakonshme gjygje ushtarake, pa u çpallur shtet rrethimi. Në Vendet konstitucionale pa shtet rrethimit nuk mund të ngrehet gjygji ushtarak.
Tani të shohim a âsht koha dhe rasa për me e proklamue. Damet politike të këtij akti do t’ishin mâ të mëdha se proçedura do të vinte mbas ligjës së zakonshme. Dihet si anmiqtë t’onë e sidomos ai shtet i huaj, qi interesohet në Shqipní të poshtme, pretendon se atje ka nji element të fortë, qi dishron bashkimin me tê, dhe mund të bajë ç’do sakrificë për atë bashkim. Mandej nji shtet rrethimi ka m’u interpretue jo si duem na, me e proklamue për me shtyp ata njerëz, por ka me ju dhanë shpirt politik, d. m. th. se na kemi frikë prej nji kryengritje, dhe për çashtje individuale. Se ban se në kohën qi bisedohen kufijt dhe çashtja e fatit t’onë në Konferencën e Paqës do të thuhet qi kjo bahet për me shtypë vullnetin e popullit të atjeshëm, qi Greku pretendon bashkimin me tê.”
Seancën e mbylli N/kryetari i parlamentit me këtë gjykim:
“Z. Nënkryetari: Ç’farë shkaku mundet me pasë për me anullue ligjet civile? Çë shkaqe janë ato qi mund të shkaktojnë formimin e gjykatoreve të jashtzakonshme? Më duket se masat e sypërpërmenduna s’kanë vend, se ngjarjet nuk kanë fytyrë kryengritje, sa me provokue formimin e gjykatoreve qi bahet fjalë? Z. S. Vinjau thotë se këto gjykatore mund të shërbejnë ndjekjen e t’arratisunvet. Unë tham se gjykatoret gjykojnë dhe nuk ndjekin. Jam kundra gjykatoreve ushtarake pa shtet rrethimi, se, si thotë Z. Mustafa Kruja kët s’e ka pranue kërkush. Sa për gjykatoret e jashtzakonshme jam kundra, duke mos ditë me i nda detyrat prej atyne të zakonshmeve.
Mbledhja e 40-të: e hënë, më i gusht 1921
Z. Kryetari: Bisedim mbi zgjanimin e Statutit të Lushnjës……
Z. B. Fevzi: Dua të pyes, pjesa organike a do të mbetet si bazë e këtij Statutit kur ky do të formohet plotësisht?……
Z. M. Kruja: Pyetjes së z. B. Fevziut, qi pjesa organike e Statutit a do të mbesin si bazë për statutin definitiv i përgjigjem se po. Statutet janë fytyrat e ndodhinave historike, e zakonevet qi janë formue për të gjatë të kohës në nji vend.
Nji embrion i parë i Statutit shqiptar u formua në Kongresin e Lushnjës që sot po merret prej nesh për bazë të pjesës organike mâ të madhe, Statutit shqiptar. Si kur se na sot po marrim për bazë atë Statutin e Lushnjës, ashtu edhe nji asamble tjetër, ka me marrë atë pjesë organike që kemi me caktue na sot.
Prandaj i përgjigjem z-nis së tij se do e mos kjo pjesë, do të vijë për bazë edhe të Statutit që do të formohet definitivisht.
Z. Kryetari: Po vemë në votë plotësimin e Statutit të Lushnjës për me caktue marrëdhëniet ndërmjet të K. Naltë, të qeverisë e të parlamentit.
Pranohet të formohet nji komisjon.
Bëhen pesë minuta pushim.
Mbas pesë minutash mbledhja mbëdhtillet prapë.
Z. L. Gurakuqi: Pas akordit që bamë me shoqi shoqin, vendosëm të formohet komisjoni prej këtyne 12 vetave :
Z.Z. Emzot Fan Noli, Dom Mjeda, Koço Tasi, Stavro Vinjau, Ali Këlcyra, Ibrahim Xhindi, Mehdi Frashëri, Shefqet Dajiu, Kadri Hoxha, Milto Tutulani, Mustafa Kruja, dhe L. Gurakuqi. Pranohet
Mbledhja e 50-të i kushtohet kryesisht përcaktimit të taksave mbi bereqetin në Shqipëri, veçanërisht atyre të doganave në skelat. Mbas diskutimeve të ndryshme ngarkohet Mustafa Kruja me formulimin e ligjit përkatës.
Mbledhja e 50-të, e hënë, 19 shtator 1921
Z. Kryeministri: Këndon telegramin ardhur prej Emzot Fan Nolit i cili âsht ky:
“S’kam ba kurrë deklarasion për shka i përket Sazanit. Përgënjeshtrova kategorikisht nëpër gazetat dhe azhanset.” (Duartrokitje)
Z. M. Kruja: Ku âsht pa qi në skelat e nji Shteti të merret nji taksë e ndryshme! Nuk duhet qi krahinat e Shqipnis të duken si shtet më vehte, skelat e Sarandës, të Shkodrës e të Himarës të paguejnë 18% e të tjerat 25%. Përpara damit politik e moral kisha me pranue paksimin e taksës në të gjitha skelet e Shkodrës, Sarandës e Himarës të rriten pak sasia e caktueme edhe për skelet e tjera t’ulet, kështu qi mund të gjindet nji cak për të gjitha skelet njisoj.
Z. M. Kruja: Formulon artikullin kësi soj: Kjo ligjë ka fuqi prapavepruese për të gjith’ato sasi qi do të gjinden ndër tregëtarë të pa shitun, në qoftë se vërtetohet me regjistrat e doganës qi kanë hymë prej së jashtmit, dhe shton qi n’art. 2 të thuhet, Qeverija autorizohet. Pranohet. Mbas kësaj ligje formulohet kësi soj:
Ligjën mbi taksat e miellit, kallamboqit e të lashtës qi hyjnë në Shqipni nga jashtë.
Art. 1) Mielli dhe të gjithë drithnat e të lashtat si gruri, elbi, okëra, e fara e linit qi hyjnë në Shqipni nga jashtë, do të paguajnë 45% taksë doganore nga çmimi i tyne përveç kallamboqit, i cili do të paguajë taksën 25%, për të gjitha skelat e Shqipërisë.
Art. 2) Qeverija autorizohet qi kur të shohë nevojë t’a shesi taksën e përmendun në nenin 1.
Art. 3) Kjo ligjë ka fuqi prapavepruese për të gjitha ato sasi qi të gjinden nëpër tregëtarë pa u shitun, në qoftë se vërtetohet me regjistrin e doganës qi kanë hymë prej së jashtmi.
PRANOHET
Mbledhja e 53 – të E hënë, më 26 shtatuer 1921
Z. Kryetari: Bisedim mbi pyetjen e Z. M. të P. të Mbrendshme, mbi burgimin e Emin Matraxhiut.
Z. M. i P. të Mbrendëshme: Gjyqi politik tue marrë para sysh artikullin q’asht botue në gazetën “Shkumbini”, mbas padis q’i bani prokuroria, artikullin e përmendur e konsideroi si nji delikt kriminal dhe vendosi burgimin e Emin Matraxhiut. Burgimi u bâ mbas padijes së Prokurorisë e Ministri i P. të Mbrëndshme nuk ka hak të trazohet për burgimin e z. Emin Matraxhiut sado qi më njanën anë ka nji të drejtë, se vendimet e gjykatores politike do të vërtetohen nga ana e kësaj Ministrije e z. proponuesi thotë qi ligja e gjyqit politik nuk mund të aplikohet mërmbi deliktin qi bân z. Emin Matraxhiu me këtë artikull. Kjo âsht nji çashtje kompetence për me gjykue a e ka bâ këtë delikt E. Matraxhiu apo jo, e a mund t’aplikohet ligja e gjyqit politik mbi të drejtë me gjykue.
Këtë delikt a do t’a shofi gjyqi politik a po nji gjykatore tjetër nuk e ka as Ministri as Parlamenti.
Z. M. Kruja: Dihet se baza e konstitucionit e çdo Shteti janë liritë politike qi duhet të ketë nji nënshtetas i atij vendi. Liritë politike nuk janë në çdo vend njisoj, po sikur se e dini kanë edhe nji ndryshim dhe pas konditavet shoqnore të vendit. Në nji Shtet janë të ngushta, në nji vend janë të gjëra. Në nji Shtet si Shqipnija qi âsht në Shtet-formim nuk jemi të mëndjes se liritë politike të kenë nji kufi të gjërë, kështu qi edhe liritë e shtypit duhet të kenë nji kufi mjaft të ngushtë, por me gjithë këto nji kufi me ligje…..
Që kjo gjykatore nuk ka pasë kompetencë me vue dorë për burgimin e Z. Emin Matraxhiut âsht në shesh, pse ajo gjykatore âsht bazue, ngreh e themelue përmbi një ligjë qi âsht për faje politike; po jo të gjitha fajet politike janë në kompetencë t’asaj gjykatore. Fajet qi janë në kompetencë t’asaj gjykatore, janë caktue në ligjën e posaçme, e cila numëron vetëm propagandat kundra mbretënis, flamurit, indipendencës, e shkronjave shqip. Artikulli qi ka shkrue gazeta “Shkumbini” nuk përpiqet aspak me ato propaganda q’i cakton ligja e posaçme e gjyqit politik. Artikullit po i jepet nji frymë kantonizme, e cila le qi âsht kundër ligjit për faje politike mbi të cilin kjo gjykatore asht themelue e mbas së cilës vepron, por nuk ka asnji frazë ose nji fjalë qi ka të përpjekun me mendime kantonizmi. Po n’është se ka nji të përpjekun të tillë nuk âsht gjykatorja politike qi t’a dënojë por janë gjykatoret ordinare. Kodi penal përpara kësi fajesh ka nji kapitull mjaft të gjërë e në qoftë se ky bân nji faj qi shkakton dënimin e tij mund të gjykohet mbas ligjit penal. Në ligjën qi kam në dorë nuk shof asnji paragraf qi flet mbi nji të tillë faj. Mbasi vendimet e gjykatores janë të preme i hup e drejta të pandehunit, pse atëherë gjykimi i tij âsht vetëm në dorë të Ministrisë të P. Brendëshme e cila do t’a vërtetojë e mbasi gjykatorja politike nuk ka nji gjykatore ma të naltë mbi vedi qi mund të ndryshojë vendimin e saj, nuk ka fare të drejtë Z. Ministri të na thotë se nuk mund të trazohet për këtë çashtje, mbasi âsht ai vetë përgjegjës tue qenë se kjo gjykatë mvaret drejt për drejt prej Ministrís të P. të mbrendshme. Prandaj Z. Ministër lipset t’a shqyrtojë këtë gjykatore, mbasi ai âsht përgjegjës apo të marrë përgjegjësinë mbi vete, e jo të na thotë se nuk mund të trazohet……
Këndohen dy proponime, njani i deputetve të Korçës mbi goditjen e rrugës Durrës- Elbasan-Korçë, për të lidhur këtë të fundit me det, mbasi kufijtë e grekut janë të mbylluna dhe ky vend vuan ekonomikisht. Vendoset t’i referohet K. të P. Botore, dhe i dyti i z. L. Gurakuqi, M. Kruja, S. Vinjau, dhe I. Xhindi mbi trasferimin e gjygjeve politikë në gjykatoret civile. I referohet K. të Administratës dhe të Drejtësisë.”
Kjo seancë e Bisedimeve Parlamentare ka një rëndësi të posaçme, sepse bën fjalë për një çështje tejet të rëndësishme, siç është lirija e shtypit, koncepti për të, vartësia ndaj ligjeve, të cilët përcaktojnë ecurinë e saj. Po të vërehet me hollësi periudha së cilës i referohet biseda e që është agimi i demokracisë shqiptare, e qëndrimeve jo shumë të qarta të vetë organizmit vendim-marrës, që luhatet ndërmjet mendimeve të shprehura nga Mustafa Kruja, në mbrojtje të drejtorit të gazetës “Shkumbini” dhe ministrit të brëndshëm që miraton arrestimin e gazetarit me propozimin e prokurorit të gjykatores politike. I pari thekson me letra në dorë se “Artikulli që ka shkruar gazeta “Shkumbini “ nuk përpiqet aspak me ato propaganda q’i cakton ligja e posaçme e gjyqit politik”. Ky opinion përkrahet nga pak deputetë si Sh. Dajiu, L. Koja, H. Kadriu e ndonjë tjetër, por bie ndesh me qëndrimin e qeverisë, në personin e ministrit të brëndshëm dhe të shumicës së sallës që nuk është e ndjeshme për fatin e gazetarit, i cili rrezikon të dënohet nga një gjykatë politike të varur nga Ministria e P. të Mbrendëshme.
Me këmbënguljen e deputetit Kruja, kolegët e tij më të ndjeshëm ndaj lirisë së shtypit dhe profesionit të gazetarit, bënë që të merrej parasysh propozimi i Z.Z. Luigj Gurakuqi, M. Kruja, S. Vinjau dhe I. Xhindi mbi “trasferimin e gjyqeve politikë në gjykatoret civile”
Mbledhja e 59-të, e hënë, 10 tetuer 1921.
Z. Kryetari: Bisedim mbi projektin e rrugave.
Këndohet art. 4 i projektit simbas formularit të bashkangjitun në proçes-verbalin e mbledhjes së 56-ë dhe pranohet.
Z. Q. Kokoshi: Unë kujtoj se kjo taksë do të jetë vetëm për nështetasit; pyes a âsht rregull e përgjithshme? N’asht se po atëherë t’a vemë edhe neve, ndryshe të mos biem në kundërshtim me rregullat e gjithë botës.
Z. Kryetari: Të gjithë paguajnë.
Z. K. Tasi: Po të huajtë qi kanë nji pasuni këtu?
Z. Kryetari: Pagon pasuria e tyne.
Z. K. Tasi: Proponoj qi të viret në mënyrë negative për të gjithë botën, dhe t’ekskludohen vetëm ambasadorët, konsullët, agjentët diplomatikë dhe jo njeri tjetër.
Z. M. Kruja: Të vehet qi ata qi rrinë mâ tepër se nji mot në Shqipni të paguajnë.
Z. K. Tasi : Mund të jetë nji i cili banon këtu, po qi sjell para nga jashtë, ky pse të paguajë?
Z. M. Kruja: Të huajve të mos u shitet gjë e pa tundëshme këtu në Shqipni.
Z. Kryetari: Kur të bisedohet Art. të cilit i përket kjo çashtje atëherë mund t’i shtohet.
Z. Koço Tasi: Të bâhet me nji formë negative se mund të ketë dhe kategori të tjera, të cilat ndofta tash s’na bien ndër ment dhe qi duhen ekskluduar.
Z: L. Gurakuqi: Po nji pansioner qi do të rrojë në Shqipni, a do të paguajë?
Z. K. Tasi: T’ekskludohet dhe ky.
Z. I. Xhindi: A nuk bredh edhe ky mbi këto rrugë? Pse pra t’ekskludohet, âsht e drejtë qi të paguajë si të tjerët.
Z. S. Vinjau: Janë shumë Shqiptarë rentie, dhe qi kanë pasunit e tyne jashtë dhe këta s’kanë asnji punë, këta a do të paguajnë?
Z. K. Tasi: Natyrisht po të themi nënështetas të gjithë Shqiptarët i zê. Fjala âsht për të huejtë të cilët duam t’i ekskludojmë.
Z. M. Kruja: Ata të huaj qi banojnë mâ tepër se nji mot këtu në Shqipni dhe rrojnë me t’ardhurat e vendit, të mos ekskludohen.
Pas disa diskusioneve u pranua proponimii z.z. L. Gurakuqi dhe M. Kruja dhe art. 5 u formulua ksisoj dhe u pranua:
Art.5) Të gjithë nënështetasit shqiptarë ashtu dhe ç’do nënështetas i huaj qi ka nji burim t’ardhunash a fitimit që prej nji vjet e sipër në Shqipni, janë të detyruem me pagesat e punimet e poshtëshenjueme…..
Z. M. Kruja: Në ligjet tona duhet të ketë kthjellësi të plotë, se zbatuesit nuk janë aqë të saktë dhe të ditur, dhe pakë elastikë, po të jetë nji ligjë, u ep të drejtë të bajnë ç’të duan dhe të bahen abyze. Si e dimë të gjithë, fuqinë, në Këshillën Administrative e ka kryetari, prandaj lypset me do e mos të caktojmë neve ç’do gjë dhe fare çkoqitur, për t’i mbyllur udhën së ligës. Z. Vinjau tha për taksë progresive, po këtu në këtë ligjë s’e shoh të zbatueshme dhe lipset t’a caktojmë.
Z. A. Këlcyra: Këtë lIgjë e ka bâ Mehdi Beu, i cili më tha qi për të bindur popullin qi kemi qëllime shumë të mira pranuem taksën progresive dhe partija jonë.
Z. K. Tasi: Ligja s’ka gjë të tillë, duket se Mehdi Beu e kishte ndërmënd dhe harroi t’a verë.
Z. Sh. Daji: Deri sot kemi paguar të gjithë nji lloj.
Z. Kryetari: Po lodhi kot se s’e kini kënduar më poshtë ku shpjegohet çashtj’ e taksës progresive.
Zana: S’âsht progresive, por proporcionale.
Z. M. Kruja: Taksa mbas ligjës âsht progresive, në duhet t’a bajmë dy herë progresive, atëhere ndryshon…..
Z. A. Këlcyra: Si thashë edhe më parë këtu mungon kriteri, unë proponoj të caktohen shumat tue marrë për bazë qi ata qi kanë t’ardhuna qi nga 50 napoleona dhe gjer më 101 të jenë të detyruar të paguajnë 6 ditë pune dhe kështu tue ikun nga shuma 101 duke shtuar edhe 200 d. m. th. ai qi ka 301 napoleona t’ardhuna të pagojë 7 ditë, edhe tue shtuar gjitnji shumën çdo 200 napoleonave nji ditë mâ tepër.
Z. M. Kruja: Kjo ka nji të metë të madhe edhe bëhet nji padrejtësi e cila lipset t‘na heqi vrejtjen gjithë Parlamentit. Nuk është e udhës qi nji njeri qi ka 200 napoleona t’ardhuna, dhe 10 shpirt për të ushqyer të paguajë barabar me atë qi ka 200 napoleona t’ardhuna po qi ka 3 shpirt për të ushqyer. Prandaj proponoj qi taksa të merret mbi shumën qi do të mbetet mbasi të zbritet prej shumës së përgjithëshme sasija qi do të caktohet për ushqimin e përgjithshëm t’atyre frymëve të fëmijës qi s’janë të zot të fitimit. Në rrëzohet kjo shumë atëhere pranohet……
Z. S. Vinjau: Në kemi, në mos kemi shpëtojnë dhe ata dhe neve, se unë qi s’kam hiç jap kafshitën dhe ay qi ka jep nga të tepërtat. Ky âsht qëllimi i taksës progresive. Juve e kini në programin t’uaj dhe duhet t’a provoni, neve qi jemi popullorë s’e kemi në programin t’onë dhe po e përkrahim. Po marrim me pahir atê qi s’ka bukë se ay qi ka me të tepër s’do të pagojë.
Z.M. Kruja: E pranojmë, e pranojmë.
Z. A. Këlcyra: Nuk ka dëm të madh klasa e fundit, sa për ata qi kanë dalë nga 101 – 300 napoleona t’ardhuna, pse do të japin dhe pesë napoleona më shumë në mot nuk e ndjejnë fare. Pas kësaj ata qi kanë nga 1000 dhe nga 2000 as e mejtojnë as u rëndon. Me gjithë këtë n’u marrtë para sysh proponimi Z. M. Krujës, nuk kam kundërshtim për ç’i përket kategoris së fundit vetëm.
Z. Koço Tasi: Kjo është kundra votës, Z. Kruja thotë qi të taksojmë shumën e fitimit neto, kjo mënyrë do të bëhet sebep qi taksën t’a sjellim më poshtë se nga gjysma e asaj qi kërkojmë.
Z. A. Gjilani: Mbasi t’ardhunat nuk dihen proponoj qi ditët e punimit të ndahen me katër kategori, ose 4-8-12-15, dhe bota të klasifikohen tue marrë për bazë pasunin e tyne.
Z. I. Ohri: Sistemi i Z. Kruja nuk asht i keq, veç se ka ca ngatërrime, po punimi ësht’i trupit dhe jo i pasunisë. Proponoj qi ata qi kanë nga 50 – 100 napoleona t’ardhuna në mot të mos kenë të drejtë të paguajnë, po të detyrohen të punojnë, ata qi kanë nga 100 e deri në 200 napoleona të punojnë 6 ditë e të paguajnë edhe 6 ditë të tjera, po pas t’ardhunat e tyre të thjeshta. Ata qi kanë nga 200 e sipër t’u shtohen edhe ditët gradualisht me t’ardhunat dhe taksën t’a paguajnë mbi t’ardhunat brute.
Z. M. Tutulani: Me gjith q’âsht progresive realizohet jo në taksën për rrugat, por në taksën mbi ranten, por nga dëshira për me bâ nji copë të parë për ndryshimin e sistemit taksuer të soçëm, jam antar qi taksa progresive të zbatohet edhe në këtë ligjë, por 50 napoleona, klasi i parë më duket i vogël e jam i mendimit qi të naltësohet deri më 101 napoleona. Ashtu edhe klasa e fundit mos të mbetet për sasin 1500 e lart, por nji sasi shum mâ të madhe dhjetmij e përpjetë.
Z. Kryetari: Më duket se po humbasim shumë kohë për mënyrën e caktimit të taksës dhe për më shpejt proponoj qi të zgjedhim nji komision, t’i ngarkojmë çashtjen t’a studjojë, të caktojë mënyrën dhe shumat dhe t’na paraqiti nji raport.
Z. S. Vinjau: Unë marr në consideratjon mendimin e Z. Kruja dhe pranoj qi të varfërvet t’u zbritet shuma qi kanë nevojë për të rrojtur e të taksohet kusuri. Taksa progresive nuk âsht për atë qi s’ka, por për atë qi ka me të tepërt.
Z. M. Këllëçi: Mendimet e njëri tjetrit piqen, unë proponoj q’ai qi ka 50 – 201 napoleona t’ardhuna t’i zbriten nga kjo shumë sa ka nevojë për të rrojtur dhe t’i taksohet kusuri. Nga 200 e lart taksat të merren mbi të përgjithëshmet.
Z. M. Kruja: Un i bashkoj mendimet, them të marrin për bazë proponimin e Z. I. Ohri, i cili thotë qi ç’do Shqipëtar ka detyrë të punojë 6 ditë do e mos dhe si të duan le t’a bâjnë, si të pranohet kjo për ata qi kanë 200 napoleona të ardhuna, andej e sipër të jetë i detyruar të paguajë nji taksë pas kriterit t’ardhunavet qi kanë. Mbas disa diskutimeve neni 6 formulohet kësi soj dhe pranohet.
Banketarët, tregëtarët, zanatqarët, nëpunësit e Shtetit edhe të privateve, pronarët e tokave qi quhen çifliqe ose të godinave me qira, mjekësit, avokatët, edhe të gjith’ata qi ushtrojnë nji profesion të lirë janë të detyruem të paguajnë në mot qi nga 6 ditë dhe gjer më 12. Shumën e ditëve q’u përkasin secilit mbas fitimit ose mbas t’ardhunavet, tue llogaritun fitimin e ose t’ardhunat e çdo dite, kështu qi:
Ata qi kanë t’ardhuna ose fitimin gjer më 100 napoleona në mot, janë të detyruem të punojnë ose të paguajnë 6 ditë në mot;
Prej 101 deri më 300 napoleona 7 ditë;
Prej 301 – 600 8 ditë;
Prej 601 e deri më 1000 napoleona 9 ditë;
Prej 1001 – 1500, 10 ditë;
Prej 1501 e deri më 2000, 11 ditë, dhe prej 2001 e nalt 12 ditë, sa t’i takojë ditës mbas fitimit ose t’ardhunavet. Pranohet.
Z. H. Mushketa: proponoj të caktohet dhe për deputetët.
Z. S. Vinjau: Ka të drejtë.
Z. R. Topia: Mbasi ka dhe shumë gra pasanike pa burra proponoj q’ato zonja qi s’kanë burra, po qi kanë t’ardhuna lart nga 100 napoleona në mot të paguajnë dhe ato.
Pranohet