Mbledhja e 33 e Parlamentit të parë shqiptar i kushtohet plojës e masakrave jugosllave në shpinë të popullsisë shqiptare të Kosovës. Spikasin në diskutimet rreth kësaj çështjeje makabre ata të deputetëve kosovarë H. Prishtina, Hoxhë Kadriu, R. Mitrovica. Ky i fundit sjell para sallës së kuvendit një artikull të gazetës “Epoka” të Beogradit, “Të arratisunit”, mjaft kritik kundrejt veprimeve të qeverisë jugosllave dhe të ushtrisë sërbe. Flasin Luigj Gurakuqi, Haxhi Banka, Stavro Vinjau, Z. Koja, Irfan Ohri, A. Këlcyra e M. Kruja. Po sjell këtu paragrafin e fundit të fjalës së tij:
“ Prandaj bashkohem me shokët e mij me dërgue nji Komisjon parlamentar në Parlamentet e botës së qytetnueme, abolla qi këto tue intervenue te Qeveritë e tyne, t’obtenojnë, të premit e ktyne masakrave qi po bâhen me popull shqiptar të Kosovës.
Për kët qëllim kam bâ gati edhe nji urdhën të ditës, të cilin Parlamenti në qoftë se shef t’arsyem e pranon.
Këndohet letra për urdhën të ditës. Pranohet e vehet n’urdhën të ditës.”
Pason një fjalë e zjarrtë dhe e dhimbëshme e poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës, që përfundon me këtë shprehje:
“Prandej me gjithë zemër, me gjithë shpirt, bashkohemi me fjalët e oratorvet të tjerë, qi Parlamenti shqiptar të zgjedhi nji delegacion të vetin e të dërgojë atje ku e lypë puna, për mbrojtje, si po thonë gjanë, si po thonë tagrat, por jetën e vllazënvet t’onë kosovarë, qi jugosllavi po i mbytë, po i vret, po i grinë, për arsye qi kta edhe në gryk të vorrit dishmohen se janë shqiptarë. Duartrokitje.”
Mbledhja e 34-të, më 18 korrik 1921 filloi me leximin e Urdhërit të Ditës, të hartuar nga Mustafa Kruja, i cili menjëherë mbas leximit mori fjalën për të saktësuar më mirë mendimin e tij, të cilin e përfundoi me këto fjalë:
“Më duket se nuk asht nevoja me bisedue mbi dërgimin a mos dërgimin e nji komisioni mbasi edhe në princip e kemi pranue, vetëm po shtoj se sikur e zhdrivilloi pardje Patër Fishta aq bukur, shqiptarët e Kosovës e të Çamëris janë lidhun me Atëdhen e lirë, e kur këto të priten e të vriten e nuk shofin as nji lëvizje nga ana e Atëdheut të lirë, do mos do do të dëshprohen. Pra kisha me thanë, sikur asnji dobi materiale mos të kishte ky komision, vetëm për me i dhanë nji sodisfaksion moral ktyne vllaznvet t’onë, nuk do të bjershim kurgjë me dërgue tre vet prej Parlamentit t’onë, tue i dhanë të drejtë m’u interesue ndër Parlamentet e botës, ndër gazetarë, shoqnina me randsì e me përdorue çdo vegël qi do t’a shofin se ban efekt.”
Mbas tij morën fjalën deputetët S. Koleka, Bahri Omari, Ramiz Daci, Ali Koprencka, Stavro Vinjau, Luigj Gurakuqi, e përfundo seancën z. Vinjau, me këto fjalë sarkastike në drejtim të përkrahësve të Urdhërit të Ditës së Krujës:
“Nji Komision i posaçëm që po dërgojmë ne për parlamentet e botës, a do të na sjellë atë dobi që ne presim? A por mos duem të dërgojmë një Komision për (voyage) tani në kohën e banjavet dhe të dëfrimevet?”
Në mbledhjen e 34-të të bisedimeve parlamentare, mbas bisedave të R. Mitrovicës, L. Gurakuqit, A.Këlcyrës e R. Dacit e mori fjalën deputeti kosovar Avni Gjilani, që kritikoi hapur disa kolegë, kundërshtarë të Urdhërit të Ditës së Krujës:
“Duket se ndër ne ka nji smundje sociale. Thonë se zemrohen të huejt, dhe nuk lipset të flasim. Italia kërkon Vlonën, Greqija Gjinokastrën, Sërbia veç masakrave qi po ban tej 1913-ës ka xanë dhe vende ktej kti kufinit, dhe âsht tue na turbullue gjendjen e mbrendshme. Përpara gjith këtyne u dashka të pushojmë nga frika se mos të zemrohen të huejt.
Këto tri fuqi nuk mund të bashkohen mbasi kanë interesa reciproke në Shqipëri, dhe ne nga kjo mund të përfitonim. Neve, në vend qi të flasim heshtim. Partia popullore interesohet për çështjen e Kosovës dhe i falemi nderit për kët interesim, po kryetari i saj, Emzot Fan Noli në Romë ka thënë se ne nuk interesohemi mâ tepër se për kufijtë e 1913-ës. Këto fjalë na helmojnë, dhe na bëjnë shum dam, pse si duket inteligjenca e Shqipnisë âsht mâ pak shqiptare se populli.”
Ndërmjet shumë diskutimeve në mbështetje apo në kundërshtim të “Urdhërit të Ditës”, në mbledhjen e 34-të spikat fjala e poetit Ndre Mjeda, nga e cila po citoj pak rradhë:
“E unë nuk mund të mbësheh pikllimin e zemrës kah shof se as gjama e shëmtueshme e foshnjeve, as rrkaja e gjakut të vllazënve t’onë, as flaka shkrumbuese, qi përpini shpija e katunde nuk na nxiti me pranue vendimin e përkryem me nji urti të posaçme prej të ndriçmit deputet të Bunjajt, Mustafa Krujës, e qi pardje na u duk i pranuem. E pra âsht fati i nji krahinës, qi kurdoherë i a zbardhi faqen atdheut t’onë, me pushkë në dorë në lamë të luftës e me urtì e dije të jashtzakonshme….”
Për përfundimin e këtyre bisedimeve vetë Mustafa Kruja, në një lëtër të drejtuar historianit Stavro Skëndi, i cili i ishte drejtuar për të marrë prej tij të vërtetën e tij mbi ngjarjet historike shqiptare të viteve njëzetë e “Sistemin e partivet shqiptare”, e ka përshkruar në këtë mënyrë “incidentin” e parlamentit shqiptar të verës së vitit 1921:
“ Mirpo aty në korrik ase gusht të 21-së në parlament ngjau një punë me rëndsí që i dha fund asnjansisë s’onë. Sërbt kishin nisur në Kosovë një valë salvimesh (persekutimesh) të pamëshrirshme. Na u proponuam të dý partivet që të dërgohej nëpër kryeqytetet e Evropës një misjon tre krerësh kosovarë të mërguar qymoti në Shqipërin’e lirë për të protestuar me memoranda e mundsisht me anën e shtypit kundra asaj vepre të panjerzishme të Beligradit. Të dý partitë na dhanë fjalën se do të votojshin me gzim një resolutë të këtilë. Edhe qeverija e kishte pëlqyer inicjativën t’onë e na kishte premtuar mjetet financore. Erdhi dit’e bisedimit e e vëndimit në parlament. Folën 16 oratorë, sa s’kishte ngjarë ndonjë herë kaqë retorikë entusjaste për të qarë robrín’e Kosovës. Po kur numrohen votat, në vênd t’unanimitetit që pritshim na, në favor të rezolutës, çë shohim? Rezoluta ësht rrëzuar. Përparimtarët zakonisht s’çajshin shumë kokën për t’i frekuentuar mbledhjet, kështu kishte ndodhur edhe atë ditë; popullorët ishin pothua të gjithë aty. Edhe që të gjithë, me një disiplinë shëmbullore sikur mos t’ishte për faqe të zezë të tyre, kishin votuar kundra!
Duallmë nga salla t’indinjuar dhe vamë te Bajram Curri që po na priste me plot shpresë që t’i shpinim lajmin e mirë: Gurakuqi, Fishta dhe un. Kur i dhamë lajmin e keq, sikur t’a kishim vrarë. Me gjithë që analfabet i gjori, foli këtë fjalë historike: “Po më vjen mâ keq për Shqipninë e për burrat që paska se për Kosovarët qi po grihen”, tha. Pastaj na pyeti se kush kishte votuar pro e kush kundra. I u përgjegjëm se votimi ishte bërë me skeda të fshehta e nuk mund t’a dishim me siguri, por se na dukej që popullorët kishin votuar kundra, mbasi qênë ata që e kërkuan votimin të fshehur. U mejtua pak, pastaj na u kthye: “Or burra, or miq, a po m’a jepni një besë? Deri sot i kam dashë fort popullorët e aspak përparimtarët; por sod, qe besa, paska ardhë dita me ua shtrî dorën përparimtarvet: a m’a jepni besën se po bashkoheni me ta, në nji parti?”
Kishim shtêngur, shikuam njëri tjetrin e Fishta as nuk priti më, zgjati dorën e i tha: “Qe besa un për vedi po, or Bajram Beg!” Atëherë po ashtu bëmë edhe na dy të tjerët. Mblodhëm grupin po atë natë dhe vendosëm e u bëmë Përparimtarë edhe na, gjithë grupi.”
Është interesante seanca e mbledhjes së 31-të e 12 korrikut, e cila ka në rend të ditës disa tema që lidhen me njëra tjetrën, nëpërmjet shtjellimit të tyre. Problematikat gjejnë zgjidhje, megjithë ndonjë mendim të kundërt, me qetësi e pa grindje, duke vënë në funksion të tyre njerëzit kompetentë, një praktikë e lëvdueshme edhe në ditët tona.
Mbledhja e 32-tw paraqet një interes të veçantë, sepse është ajo që i jep votbesimin qeverisë së re të kryesuar nga atdhetari z. Psndeli Evangjeli, e cila është frut i një ideje tw Mustafa Krujës, të shtjelluar me Qazim Koculin dhe Avni Rustemin e të përqafuar prej tyre në bashkëpunim me Bajram Currin, për të cilën flitet edhe në letrën e sipër cituar drejtuar prof. Stavro Skëndit.
“Z. Qazim Kokoshi: Në emër të Partisë Popullore deklaroj qi programi i paraqitun nga ana e Qeverís âsht shumë mirë. Shpresoj se burrat qi e bënë do t’a realizojnë, dhe mbi këtë në emër të Partisë jap votë besimin.
Z. Kristo Dako: Dhe unë në emër të Partisë Përparimtare, duke përkrahur programin prap Qeverís i jap votbesimin.
Z. Luigj Gurakuqi: Tue marrë parasysh gjendjen e Shqipnís si të mbrendshme ashtu të jashtme, kemi qenë e jemi të mendimit qi Shteti i ynë ka nevojë në këtë kohë kritike për nji Qeverí të fortë. Po qeverí e fortë âsht vetëm ajo qi mund të mbështetet në nji shumicë të madhe të Parlamentit. Prandej qysh ditën e parë që nisi të përmendet kriza ministeriale kemi shfaqur idenë qi të bahej nji kabinet koalicioni prej elementëve ma të zotët e mâ të butët të dy partivet të mëdha, ashtu qi të mund të përmblidhte në vete cilsít e aftësis e të homogjenìs. Për sa kemi mundun veprës s’onë i kemi dhanë këtë drejtim e besojmë se jo drejt për së drejti a tërthoras i a kemi arrijtun qëllimit.
Sa për programin qi na shfaqi Shkëlqesa e Tij, z. Kryeministri, më duket tepër i shkurtë, i metë dhe sidomos i errët, kështu qi për t’a shqyrtuem e për t’a biseduem ashtu si lypsej, do të kishim nevojë të kërkojshim mjaft shpjegime e shkoqitje mbi shumë pika të tij e sidomos mbi financat.
Me gjithë këtë koha e vështirë në të cilën ndodhemi, na bân të besojmë se kabineti ka nevojë të ketë duart e lira qi të futet sa mâ parë në veprim e të ketë besimin e Parlamentit. Përpara rrezikut të Atdheut duhet të heshtin edhe mâ të voglat kundërshtime, duhet të pushojnë kritikat. Bashkë me disa shokë të mij pra po deklaroj se jemi gati t’i japim kabinetit votë besimi, me shpresë se, me plotësimin e zbatimin e mirë të programit, ka për të na i mbushë dëshirat.
Mbasi po kam fjalën në gojë, nuk dua të kapërcej këtë rasë pa kujtuem me nderim qi i përket nji fytyret tô shkëlqyeshme qi për të parën herë, po merr pjesë në nji kabinet shqiptar, due me thanë Z Pandei Evangjelin, veteranin tonë, apostullin e lashtë t’ides kombtare…..
Z. Nënkryetari: Kabineti nji zanash pranohet, dhe ju dha votë besimi me nji votë
kundra.
Siç shihet votbesimi u deklarua nga përfaqësuesit e tri partive që perbënin parlamentin e parë të Shqipërisë së pavarur, Z.Z. Qazim Kokoshi për partinë Popullore, Kristo Dako për partinë Përparmtare dhe Luigj Gurakuqi për grupin e Shkodrës, në të cilin bënte pjesë edhe Mustafa Kruja. Fjalët e tij rrezatojnë edhe pikpamjen e këtij të fundit.