Unaza prej betoni nuk ishte më e gjerë se tre-katër këmbë njeriu, që mbath këpucët numër dyzetetre. Diametri i unazës rrethore të pirgut nuk të linte të bëje as një hap, as hapin e parë. Hapi i dytë të fundoste në hon! Rrethuar me këtë unazë, pirgu vazhdonte ngritjen, ndoshta edhe për nja tetë metra të tjera, deri në majën e mprehtë. Perimetri i kësaj unaze vrastare mbështjellke një trung betoni prej dy metrash e, ndoshta tetëdhjetë centimetrash. Nuk kishte deriçkë, as të mbyllur, as të hapur! Kurrfarë deriçke për rikthim shkallëve tatëpjetës tij, të lartë, të thellë në rrafshin e ngritjes së këtij pirgu të tmerrshëm.
Për ngjitjen deri në atë lartësi, ndoshta mbi tetëdhjetë metra a ku ta dija, pa shkallët vertikale, nuk do të kisha hipur vullnetshëm.
– Si u ngjita pa shkallë, të cilat doemos duhej t`i kishte kjo lartësi?!
– Kush më solli këtu dhe, me ç`forcë?!
Pyetjet trishtuese nuk kishin përgjigje. Tash ndodhi si ndodhi, jam ku jam! Në kujtesën time të tendosur nuk kishte kurrfarë shkallësh?!
-Por, si të mos kishte shkallë për ngjitje atje, në atë maje pirgu?! – Heshtte veta e dytë.
-Ndoshta nëpërmjet kësaj arkitekture përjetësohej tirania? – E shfaqi një hamendje të përgjithësuar e pa bindshmëri dytëshori.
Një pirgu të tillë nuk i dukej as ndonjë vrimë për ta futur shtizën për flamur, për t`ia dëshmuar lartësinë simbolit, atij simboli të merituar ose të pamerituar për atë lartësi…
Nuk ia kapte arsyeja as për çfarë motivi duhej të hipte tek ajo unazë me diametër aq të ngushtë?! Nuk ishte shtyrë as nga ndonjë motiv i fortë i vetëvrasjes; as t`iu ngjitej madje atyre shkallareve lakadredhas, që sprovonin marramendjen. Nuk dukej të kishte drita. Ngjyrën e kishte hiri, prej betoni të hirtë.
– Kujtesa nuk më kishte dhënë dëshmi të mjaftueshme historike për ngritjen e këtij pirgu. – I tha dytëshorit.
– Shkaqet e ngritjes së pirgjeve të këtillë, gjithnjë nismat i kanë nga pellgjet e gjakut, të gjakut që ishte derdhur për qëllime të dikujt prej dikujt… – Dytëshori sikur deshi të përmbushte syprinën e heshtjes gojë-hapur për përpirje.
Qëllimi i ngritjes të pirgut ishte shenjë e dukshme për përtrollitje të ngadhënjimtarëve. Ngadhënjimtarët praninë e tyre të përhershme ose të përkohshme e çimentonin me gurë-gdhendje a me beton. Përderisa nuk i dija shkaset e ngjitjes time të tmerrshme në këtë lartësi mbidetare; nuk kisha si ta kuptoja ndryshe, përpos si aventurë e dorës së fshehtë, pasojat e së cilës nuk mund të jenë të tjera, pos sosh, të fatalitetit! Vijoni, për ta shmangur gjëmën, derisa kishte ende energji, ndonëse i shtangur, ndiqte ecejaket e përsiatjeve: ndoshta arkitekti i kësaj ngrehine pingule ka shfaqur forcën e përfaqësimit afatgjatë të sedrës ngadhënjimtare? Mbase hamendja nuk ishte krejt e kotë dhe pa këmbë në tokë?
-I kujt mund të ishte ky pirg: i tiranisë a i liridashësve?
-I kujtdo qoftë! – Pohoi preras Vijoni dhe dëftoi mllefin:
– Shihe se si mua ma solli zezonën!
– Ah! Çfarë vrasje më paska kurdisur, pa dhimbjen e të dashurve, edhe pa mirënjohje të askujt! Një shuarje e pakuptimtë.
Lëshoi një thirrje, jo po klithmë, si shigjetë e ndezur, të cilën e përpiu ajri:
-He-e-e-e-e-e-j-j, he-he-he-he-e-e-e-e-e-j-j, o-o-o-o-o-o, a-a-a dë-ë-ë-ë-gjo-o-o-o-n ku-u-u-ush-sh, mo-o-o-o-re-e-e-e, he-e-e-e-e-e-e-j-j!
Kjo klithmë, kjo këlthitje gati-gati sa nuk e shkëputi nga shtylla dhe unaza e ngushtë e pirgut. Pas dënesesh dhe derdhjes së asaj energjie, gjithnjë i puthitur për betonin e vrazhdë të pirgut, oscilimet e baraspeshimit rikthyen trurin dhe trupin në gjendjen pa luhatje marramendjeje vetëm për një çast. Por, mbeti peng me mornica dridhjesh në shpirt e trup. Marramendja i ngjante një lavjerrësi që pritej të këputej, ëh!
-Kujt t`i thërras për të më shpëtuar nga zgripi i kësaj gjëme?!
-I thërras dytëshorit, njënjëshëm i trishtuar. Më dridhet zemra, më dridhet trupi, më dridhen këmbët të mbledhura galuc, pa shtrirë me orë të tëra, panumërueshëm…
-I thash jetës: nuk paska çmim për ty moj shtrigë e ëmbël!
I mbështetur ngjitur me pirgun, me kofshët e mavijosura mbi betonin e ftohtë, këmbët i dilnin tej qarkut të unazës, sodiste çastin e fundit të rrëshqitjes fatale, me një këlthitje, që do të mbetej pas si hije e një fute e dyfishuar e natës!
E përshkuan mornicat e rrëqethjeve dhe djersë të ftohta!
I vetëtoi edhe një rrethanë e tipave që kryejnë vetëvrasje:
-Vetëvrasësit nuk qenkëshin të ligj si thuhej.
-Në njëfarë mënyre ata janë heronj të llojit të vet! – I doli pohimi dytëshorit si tumire parësorit.
Konstatimi: se lartësia paska rreziqet më reale të jetë-vrasjes, Vijonit i doli të jetë i saktë.
***
Sillej rrethit të ankthit mbi unazën e ngushtë tre-katër këmbë njeriu mesatar, prore me njërën dorë farkueshëm trungut të betonit. Kurrë më tepër se tash nuk iu kishte dashur përqendrimi maksimal, mbajtja e baraspeshës në diametrin prej afro tri metrash. Puthitje e domosdoshme përreth shtyllës së pirgut enigmatik. Ec e përballoje lëvizjen rrotullore e matur me centimetra! Patjetër pa asnjë shkarje centimetrash! Çdo tejkalim centimetrash të perimetrit gjeometrik, i jep të shtyrën rënies, plandosje dhe shkapërderdhje të gjymtyrëve!
– Oha-a-a!
– Deri kur do ta kem esëll vëmendjen e përqendrimit?
– Cili mizorë më solli në këtë lartësi të tmerrit e të zgripit?!
Nga çasti në çast shtrëngimi priste lakimin e trupit tij në të majtë a në të djathtë. Veçse një gjendje e epuar dhe, shkëputej nga ajo unazë, që i ishte vënë këtij pirgu të çuditshëm me perimetër rrethor, pa kurrfarë rrethoje mbrojtëse. Kjo farë unaze sikur të ishte bërë për jetë-vrasjet fatale; për të dëshpëruarit, që kanë prerë mendjen të hidhen nga lartësia e sigurt, për t`i dhënë fund trupit tyre, pasi më përpara u ishte helmuar mendja. Për ata, që gjithçka që quhej jetë ishte absurde, e pakapshme, e pashije, torturuese dhe, nuk ia vlente të shpenzohej më tej durimi për kurrfarë sakrificash!
– Zot o Zot! – Po ia shfaqte trishtimin vetës së dytë, e cila matej me çaste, përderisa fiziologjia numëronte orët e një fundi të pritur, dytëshorit kohëzgjatja i bëhej javore, mujore, vjetore e shekullore!
– Çfarë të bëja?!
– Kujt t`i këlthas?!
Hapësira përreth pirgut ishte e zbrazët, nuk shushurinte asgjë. Si dukej, ky pirg i mallkuar i paskësh dëbuar zogjtë, sorrat e zeza, shqiponjat mbretëresha të bjeshkëve. Po të ishte joshës ky farë pirgu, do të ngrehnin çerdhet shqiponjat ose lejlekët.
– Pirg i mallkuar!
– Pirg i ngritur mbi gjakun e trupave të pafajshëm, mbi shtatzëna e foshnje, akëcilat nuk kishin arritur ta perceptonin as dritën e kësaj bote, mbi të cilën mbijnë dhe rriten mizoritë!
Epitetin i mallkuar e shqiptoi të përsëritur kaq pashmangshëm. Jehona e reflektimit nuk arriti më larg se sa tek vetvetja:
Mbase dhe unë mund t`i përkas këtij epiteti, kush e di? Ndonjë dhimbje e shkaktuar ndokujt, do të më ketë mallkuar?
E pra, le ta vuaj, porse jo kaq pamëshirshëm, kaq mizorisht!
Secilën herë iu shmangej shikimeve poshtë pirgut, por pamjet nuk kishin si të lidhen veçse për strumbullarin e ftohtë të pirgut prej betoni ngjyrë hiri. Çdo shikim poshtë këmbëve dirigjonte ekuilibrin, dhe: sillej, sillej, sillej, sillej, sillej, sillej ngadalë, ngadalë dëshpërueshëm me maturinë e ndëshkueshme centimetrave të perimetrit… Pothuajse, edhe mendja, edhe ndjenjat ishin ngjeshur në vorbullën rrotulluese të kokës, e cila po merrte trajtën e ngjizjes së akullit: përpara, prapa, rrotull, gjithnjë në sfond ishte e priste rënia fatale!
Amplitudat e ndjenjave shkrinin dhe ngrinin akujt e zemrës.
– Cilit fat i ngjaj? – Ishte fillikat pos me dytëshorin dhe asnjë frymë tjetër e gjallë kundruall asaj lartësie.
– Mos po i ngjaja Sizifit?
– Sizifi sado që shtynte në pjerrtësi shkëmbi barrën e gurit, shumëfish më të rëndë në përpjesëtim me fizikun e tij, së paku kishte truall ku i nguliste këmbët.
– Ç`mu dashka tash Sizifi i mitologjisë?
– Ndoshta edhe unë qenkam vazhdimësia mitologjike e ndëshkuar prej perëndive të sotme? – U zhyt në amplitudën e përsiatjeve të sikletshme:
– Unë kam sedër të prekshme, e cila po shkërmoqet, unë nuk dua të jem i padukshëm, unë e ndjejë njerëzoren, por, mua askush nuk më sheh, nuk më ndjejnë, askujt nuk i duhem, nuk më zgjatet një dorë shpëtimtari?! Ë-ë-ë-ë… Askush nuk e peshon dhimbjen dhe dashurinë time; askush, askush, askush nuk më fut në kronikën e kujtesës së bardhë!
***
Rrotullimi i radhës përreth strumbullarit të ftohtë, pa derë për dalje, pa shkallë për zbritje!… Kushti i zbritjes ishte përveç fluturimit ose aso fluturimi që shpie në shkërmoqje! Fiziologjia e damarëve të tendosur tëhollohej, ngurtësohej lëvizja e rruazave të kuqe e të bardha e përroskave të gjakut. Vija e hedhjes së urinës luhaste me tërheqje, me pikat ngjitur sipër njëra-tjetrës, krejtësisht i mbështetur, hidhte atë fije të lëngshme të kripur, sikurse një pè i hollë ujëvare hapësirës së poshtme. Mandej, ç`t`i bënte jashtëqitjes, që do ta kishte kundërmuese deri në tharje, ose shkelje mbi të gjatë rrotullimit të domosdoshëm? Aj-me!
Mendja assesi nuk e kapërcente gojën e frikshme prej përpirësi të honit e të shpresës së vdekur! Shpresës i kishte mbetur veçse fija e hollë e kapjes për kashte, ndërsa të korrat e kallinjve ishin larg, larg… Në trup ende kishte kripëra, që i vrujonin si pikla të ftohta kallnori. Me gjithë mynxyrat kishte një përparësi: i kruhej shpina dhe mund ta fërkonte në vrazhdësinë e pirgut.
Përsiatja për trishtimin i shfaqej në mori variantesh. Përmbyllja e trishtimit priste çastin e vet… I fjaf-fjuan reflekse, që depërtuan sikurse rrezet Rëngën ngujimin e rrethimit prej rojeve të trishtë të armatosur me bajoneta!
– Përse është mjeshtëruar kështu ky pirg? Si të mos kenë paraparë shkallë për hipje dhe zbritje?
Zëri i mekur i vetës, zëri në bashkëdyzim, shqiptoi qasjen e vet mendore, që ruante ende esëlltin:
– Si shihet mjeshtrit nuk paskan paraparë shkallë për pirgun, që askush të mos kishte mundësi të ngjitej dhe, akëcili, që disi mund të hipte në atë lartësi, të mos e përdhoste me të dhjerë një krenari të paprekshme.
– Nuk përjashtohen dhe qëllime të tjera… – Vijoi Vijoni:
– Kryemjeshtri i pirgut i paska shkuar për shtati diktatorit.
– Doemos. – Tha veta nën ethe trazimi.
Dytëshorit i kishin shteruar këshillimet, nuk pleqëronte me urtësinë e dikurshme, ishte kapluar nga gjendja pezull e qenies ku vegjetonte urtësia e tij. Ajo urtësi tashmë e priste dorëzimin.
– Ja: pikërisht këtu vinte në shprehje admirimi dhe përparësia e shpezëve për dhuntinë e fluturimit; krahët e tyre fluturues ishin mrekullia, të cilën evolucioni nuk ua dhuroi njerëzve. Përsosja evolucionare nuk ishte bujare me njerëzit. Kësaj përsiatje ekzistenciale i doli pyetja e çdo-çasti, më e rëndomta e njeriut:
– Pse?
Krye-vetës që e mbante në vatrën e ngrohtë, këshilltarit dytëshor, kishte filluar t`i fikej edhe zjarri i rëndomtë, qoftë edhe për motet e acarta. Ngaqë shkallës së lartë të tendosjes, temperatura nga dyzet gradë, menjëherë i zbriste tek zero gradë celsius! Zjarr akull!
Pseja e sapo shtruar ishte fshirë nga harresa, ajo vjedharake e kujtesës. Psesë ia kishte fshirë fare çdo udhë-marrje tjetër harresa. Mozaikut të përfytyrimeve i vinin ngjyrat e stinëve, kopshtet, aroma e galdimit të prillit, kraharori i gufuar, vithet rrumbullake, duart e buta, buzët qershi të rreshkura të vashës pa kozmetikë… Pastaj, kundërmimi ndotës i jashtëqitjes përdhosi atë fanitje të veçueshme të idilit të jetës. Hija e tokës përshkallëzonte trusninë, mandej agmia mbi qepalla lotonte vesën.
Sërishmi përfytyrimi fragmentar i përsiatjes i parashikoi mbarimin e pozitës pezull.
– Nata tjetër makthit do t`ia sjellë fundin e lumtur!…
– Si, si, si?! – Spontanisht i dolën pyetjet njëra pas tjetrës dytëshorit.
– Shtrëngimi, puthitjet reumatike për pirgun mizorë, do t`i kushtëzojë muskujt t`i jepen dorëzimit, më tej gjumi do ta përzë vetëdijen dhe, do ta përmbyllë aktin e fundit të kësaj zezone përmes rrotullimit nga njëri krah në tjetrin dhe: ho-o-o-o-pa-a-a-a-a-a-a!…
– Atëbotë, nuk do të mbetemi të varur në këtë ferr?!
– Assesi. Do të pushojmë në botën e amshuar!
– A ka gjasa të na ndjekin tiranët edhe atje?…