Aferat e Orban dhe “One Albania”
“Bloomberg” ka zbuluar se si 4iG mori një kontratë 4.3 mld dollarë pak para se Orban të rrëzohet. Nga ana tjetër, qeveria e re e Peter Magyar paralajmëron hetime dhe auditime për 4iG, grupin hungarez që kontrollon “One Albania”…
Një investigim i publikuar nga Bloomberg ka hedhur dritë mbi një nga marrëveshjet më të mëdha dhe më të diskutueshme të epokës së Viktor Orban në Hungari, duke vënë në qendër të vëmendjes kompaninë 4iG, grupin që zotëron edhe “One Albania”.
Sipas Bloomberg, qeveria e Orban kishte firmosur në fshehtësi një kontratë gjigande prej 1.3 trilionë forintësh, ose rreth 4.3 miliardë dollarë, me 4iG vetëm pak javë para humbjes së pushtetit.
Marrëveshja, e cila raportohet se shtrihet deri në vitin 2035, lidhet me modernizimin dixhital të komandës ushtarake hungareze dhe konsiderohet një nga prokurimet më të mëdha publike në historinë e vendit.
Skandali ka marrë përmasa politike pas ardhjes në pushtet të kryeministrit të ri Peter Magyar, i cili ka paralajmëruar rishikim të kontratave të firmosura gjatë 16 viteve të qeverisjes së Orbanit, auditim të financave publike dhe deklasifikim të marrëveshjeve sekrete.
Në qendër të kësaj furtune ndodhet pikërisht 4iG, kompania që gjatë viteve të fundit u kthye në një nga perandoritë më të fuqishme ekonomike të Hungarisë, me shtrirje në telekomunikacion, mbrojtje dhe infrastrukturë dixhitale.
Por zhvillimet në Budapest mund të kenë pasoja direkte edhe në Shqipëri.
4iG është kompania mëmë e “One Albania”, një nga operatorët kryesorë të tregut celular shqiptar. Të dhënat financiare tregojnë se kompania shqiptare ka një varësi të konsiderueshme nga financimi i grupit hungarez.
Sipas bilancit të vitit 2024, “One Albania” rezulton të ketë rreth 9.1 miliardë lekë, ose mbi 96 milionë euro hua të marra nga grupi mëmë 4iG.
Kjo do të thotë se çdo goditje financiare apo politike ndaj 4iG në Hungari mund të krijojë efekte zinxhir edhe mbi aktivitetin e grupit në Shqipëri.
Rreziku për 4iG lidhet jo vetëm me kontratën e zbuluar nga Bloomberg, por edhe me mënyrën se si kompania u zgjerua gjatë viteve të Orbanit.
Vitin e kaluar, Komisioni Europian lançoi një paketë qindra miliardë eurosh për mbështetjen e industrisë europiane të mbrojtjes. Hungaria aplikoi për rreth 16 miliardë euro financime.
Por paralelisht me këtë proces, një pjesë e rëndësishme e industrisë hungareze të mbrojtjes kaloi nën kontrollin e 4iG përmes procedurave që sipas mediave hungareze tashmë po përmenden si objekt hetimesh për korrupsion.
Sipas raportimeve në Hungari, pikërisht 4iG pritej të ishte një nga përfituesit kryesorë të këtyre fondeve.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, aksioneri kryesor i 4iG, biznesmeni Gellért Jászai, zhvilloi takime në Tiranë dhe Podgoricë për zgjerimin e investimeve të grupit në Ballkan.
Në Shqipëri ai u takua me kryeministrin Edi Rama, ndërsa sipas deklarimeve të vetë kompanisë në fokus ishin zgjerimi i “One Albania”, investimet në “Data Center”-a dhe projekti strategjik “2EAGLE”, kablli nëndetar që synon të lidhë Egjiptin me Shqipërinë dhe më pas me Europën.
Lëvizjet e 4iG në Ballkan po interpretohen si përpjekje për të zhvendosur influencën dhe asetet strategjike jashtë Hungarisë, në një moment kur qeveria e re e Peter Magyar ka paralajmëruar goditje ndaj modelit ekonomik të ngritur gjatë epokës së Orbanit.
Nëse auditimet dhe hetimet në Hungari prekin kontratat dhe financat e 4iG, pasojat mund të ndihen edhe në Shqipëri, përmes ndikimit që grupi hungarez ka mbi “One Albania” dhe sektorin strategjik të telekomunikacionit. /Pamfleti