VOAL

VOAL

Përurohet Dhoma Përkujtimore e anëtarëve të Komisionit të Alfabetit Shqip

November 22, 2016
blank

Komentet

blank

Biden: G7 do të ndalojë importet e arit rus

VOA

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë e tjera të Grupit G7 do të shpallin një ndalim të importeve të arit nga Rusia, një hap që udhëheqësit shpresojnë se do ta izolojë më tej ekonomikisht Rusinë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Një njoftim zyrtar pritet të martën në kuadër të takimit vjetor ttë grupit të shtatë vendeve më të industrializuara.

Presidenti Biden dhe aleatët e tij të G7, fillojnë të dielën takimin e nivelit të lartë për të diskutura strategjitë për të siguruar furnizimet me energji dhe për të trajtuar inflacionin, në përpjekje për të parandaluar që pasojat e agresionit rus në Ukrainë të dëmtojnë koalicionin global që punon për të ndëshkuar Moskën.

Disa orë përpara hapjes së takimit, Rusia kreu sulmet me raketa kundër kryeqytetit ukrainas, sulmet e para të të tilla nga Rusia në tre javë.

Zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Biden thanë se ari është eksporti i dytë më i madh i Moskës pas energjisë dhe se ndalimi i importeve do ta bënte më të vështirë për Rusinë pjesëmarrjen në tregjet botërore.

blank

Emigracioni ul fuqinë punëtore në Shqipëri, 221 mijë krahë pune ikën në 5 vitet e fundit

Në Shqipëri ka nisur të ndjehet mungesa e fuqisë punëtore, sidomos në sektorin e bujqësisë për shkak të emigracionit dhe rënies së numrit të lindjeve.

Punët e bujqësisë tani janë në pikun e tyre, por në ara shihen gjithnjë e më pak njerëz që punojnë. Këtë vit bujqësia në Shqipëri po përballet me mungesën e fuqisë punëtore si dhe me çmimin e lartë të naftës dhe imputeve të nevojshme bujqësore.

‘Punëtorët po ikin të gjithë jashtë. Ne nuk kemi punëtorë për të korrurat, nuk kemi punëtorë për punët në fabrikë. Çmimi i punëtorëve rritet përditë, fuqi punëtorë nuk ka dhe rritja e çmimit të naftës ndikon tek fermerët, ndikon edhe tek eksportuesit pasi, nga 2500 dollar që ka kushtu me dërgu 20 ton në Amerikë, ka shku në 15 mijë dollar. Prandej ne nuk dimë se si ta përcaktojmë çmimin’, thotë Dedë Sterkaj nga kompania LNL.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Shtetëror të Statistikave, INSTAT, nga viti 2016 deri në fund të vitit 2021 nga Shqipëria kanë emigruar rreth 221 mijë e 48 persona me një mesatare vjetore prej 38 mijë e 841 persona. Vetëm vitin e kaluar nga Shqipëria emigruan 42 mijë e 48 persona, pjesa më e madhe të rinj të moshës 18 deri në 40 vjeç, duke ndikuar ndjeshëm në tkurrjen e fuqisë punëtore edhe në bujqësi.

‘Jemi një grup pensionistësh që e mbajmë bujqësinë. Edhe bujqësia, po t’i vemë një metaforë, bujqësia është pensioniste. Nuk ka të rinj më (që merren me bujqësi)’, thotë fermeri Prekë Game.

Por, mungesën e fuqisë punëtore po ndikon edhe sektorë të tjerë si turizmi, ndërtimi, industria fasone si dhe biznesi i vogël. Në dyert e shumë prej bizneseve të vogla, tani lexohen shënime me kërkesën për punëtorë. Mjeshtri i punimit të drurit, Zija Karini, tashmë punon i vetëm në zdrukthëtarinë e tij. Zotërues i 13 teknikave të punimit të drurit, mjeshtri Karini thotë se deri para disa viteve, në punishte vinin mjaft të rinj, të interesuar për të marrë zanatin, po kohët ndryshuan me shpejtësi, një pjesë kanë emigruar dhe të tjerë mendojnë të emigrojnë.

Zvogëlimi nga viti në vit i fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit, por edhe rënies së numrit të lindjeve, pritet të ndikojnë në ritmet e ekonomisë shqiptare gjatë viteve në vazhdim. Kjo ka shtyrë tani disa biznese të fillojnë të kërkojnë dhe punësojnë punëtorë të huaj./ VOA

blank

Presidenti Biden në Mynih, mbahet sot samiti i G7

Presidenti amerikan Joe Biden mbërritu në Mynih, Gjermani, mbrëmë vonë për të marrë pjesë në samitin e G7, i cili mbahet nga 26 deri më 28 qershor në Slos Elmau, Bavaria e Epërme.

Biden u prit nga kryeministri i shtetit Marcus Zeder. Më herët gjatë ditës në Bavari ka mbërritur mikpritësi i samitit, kancelari Olaf Scholz , i cili sot, të dielën, do të ketë një takim privat me presidentin amerikan para fillimit zyrtar të samitit.

Biden dhe aleatët synojnë të paraqesin një front të bashkuar në mbështetje të Ukrainës ndërsa konflikti hyn në muajin e katërt. /abcnews.al

blank

Albin Kurti për Washington Post: Mbrojtja e Kosovës nga Rusia është e rëndësishme për vetë Amerikën

Në një intervistë të Albin Kurti, për gazetarin e Washington Post, Jason Rezaian, dhënë sa ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e publikuar vetëm rishtazi, kryeministri i Kosovës ka deklaruar se aleanca SHBA-Kosovë duhet të forcohet patjetër dhe kjo, jo vetëm për nevojën e Kosovës.

Siç e ka artikuluar Kurti në bisedë me Rezaian, qëllimi i Rusisë në destabilizimin e Kosovës, nuk ka të bëjë vetëm me sulm direkt ndaj shtetit të ri, por edhe me shpërfaqjen e një dështimi të intervenimit të NATO-s dhe investimit amerikan.

“Putini dëshiron ta kthejë Kosovën në një vend të dështuar. Pasi Putin konsideron se intervenimet në Afganistan dhe Irak kanë dështuar, vetëm Kosova ka mbetur si rast suksesi. Ai dëshiron ta konsiderojë Kosovën si një sukses të përkohshëm. Prandaj, mbrojtja e Kosovës është shumë e rëndësishme”, deklaron Kurti për Washtington Post.

Në zgjerim të tezës së tij për qëllimet finale të Rusisë, Kurti i shpjegon Rezaian-it se “janë dy pole në botë: ShBA-të dhe Rusia”.

Prandaj, “sulmi i Putinit në Ukrainë është tentim për t’u ulur me Biden për një lloj konference Jalta 2. Këtë përshtypje kam. Le ta ndajmë botën, sepse po nuk e bëmë do vazhdojmë të luftojmë. Kështu e do ai, besoj unë”.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për dialogun me Serbinë në kontekstin e çështjeve të sigurisë.

“S’mund ta njoh një Serbi që s’më njeh mua. Prandaj është e nevojshme një njohje e dyanshme, dhe ne jemi gati të përfshihemi në këtë lloj dialogu”.

Kurti ka ndarë me Rezaian, që dikur ishte edhe korrespodent i The Post në Tehran, edhe një episod me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë negocimit në procesin dialogues në Bruksel.

“Vuçiç më tha, ‘ndryshe nga Kosova, Serbia është shembull se si duhet të trajtohen minoritetet. Unë i thash pastaj ‘atëherë le ta shohim se si i trajton minoritetet Serbia dhe e replikojmë modelin ne Kosovë’. Pastaj u bë nervoz shumë, pasi i thash unë ‘le ta bëjmë këtë reciprocitet”.

Sa i përket Rusisë dhe faktit që ajo përbën një kërcënim për Kosovën, këtë ia ka thënë Rezaian-it edhe Reuf Bajroviç, nga Instituti kërkimor për Politika të Jashtme dhe ish ministër i energjisë në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Absolutisht që Rusia është kërcënim. Bën gjithçka që mundet për ta dëmtuar Kosovën”, thotë ai.

“Rusia është stopuar pak për shkak të përpjekjeve heroike të Ukrainës për ta mbrojtur veten… Derisa Ukraina duron, s’do kemi nevojë të shqetësohemi në të ardhmen e afërt, por kërcënimi mbetet”, deklaron ai.

Jason Rezaian shkruan se sidomos pas fillimit të luftës nga Rusia në Ukrainë, të gjitha vendet evropiane i kanë rikonsideruar aleancat e tyre strategjike dhe raportet ushtarake me shtetet tjera. Për Kosovën, thotë ai, agresioni i Putin-it forcon bindjen se duhet një forcim i raporteve me SHBA-të dhe aleatët perëndimorë.

Si do të dukej ky forcim i aleancave në hapa konkret?

“Një prezencë e përhershme ushtarake amerikane në Kosovë. Anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shtim i njohjeve të pavarësisë që nënkupton edhe shtim të legjitimitetit të Kosovës si shtet”, përfundon Rezaian.

blank

Dita e 122 e luftës, Kievi raporton rreth “34700 ushtarë rusë të vrarë”. Moska asnjë konfirmim

Teksa Ukraina gjendet në ditën e 122 të luftës, përpos raportimit të dëmeve që shkakton Rusia në vendin e tyre nuk kanë munguar as bilancet për ushtarët rusë të vrarë apo dëmet në pajisjet luftarake etj.

Sipas Kievit, më shumë se 34,700 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit. Ushtria ukrainase njofton gjithashtu se ka rrëzuar 217 luftëtarë, 184 helikopterë dhe 626 dronë dhe se ka shkatërruar 1511 tanke, 764 copë artileri, 3645 automjete të blinduara për transportin e trupave dhe 14 anije të forcave armike.

Duke qenë se këto janë vlerësime të njëanshme, është e vështirë të vlerësohet besueshmëria e tyre e plotë. Gjithashtu nuk është e mundur të verifikohet kjo përmes kanaleve zyrtare ruse, pasi Moska nuk publikon statistika zyrtare për viktimat e saj.

Përkundrazi, që në fillim të konfliktit ai ruan konfidencialitetin maksimal në këtë drejtim, duke u kufizuar në komunikime sporadike, shkruan Corriere della Sera. Në mars, sipas forcave të armatosura të Moskës, ushtarët rusë të vrarë në territorin ukrainas ishin 1351, një numër shumë i ulët, i konsideruar menjëherë i pabesueshëm nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

(BalkanWeb)

blank

Barometri i Ballkanit- Shqiptarët më pesimistët për të ardhmen, 42% duan të emigrojnë

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), publikoi sot rezultatet e Barometrit të Ballkanit 2022, nëpërmjet një ankete me rreth 6000 qytetarë në Bosnjë, Serbi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Rezultaet treguan se kënaqësia për jetesën aktuale mbetet e njëjtë (41%, e njëjtë si në vitin 2020), po pritshmëritë e rajonit për të ardhmen janë dyfishuar (50% krahasuar me 28% në 2020), përveç Shqipërisë.

Pas Kosovës, Shqipëria kishte përqindjen më të lartë të personave të anketuar që kërkon të emigronin me 42% të totalit.

Rezultatet treguan, Shqipëria ka arritur të rivendosë disi perspektivën e saj pozitive (46% nga 20% në 2020), megjithëse pritshmëritë e popullsisë së saj për të ardhmen janë tkurrur ndjeshëm gjatë viteve (46% nga 56% në 2014). Ndërkohë, 42% e të anketuarve nga Maqedonia e Veriut ndajnë një ndjenjë pozitive për të ardhmen (nga 28% në 2020). Bosnja dhe Hercegovina, nga ana tjetër, përfaqëson ekonominë më pak të sigurt, pavarësisht nga një rritje prej 12 pikësh (41% nga 29% në 2020).

Megjithëse pandemia e COVID-19 zbuloi pasojat e saj socio-ekonomike në 2019 dhe 2020 kanë ndikuar negativisht popullsinë e Ballkanit Perëndimor për këndvështrimin e situatës ekonomike, një pikëpamje më optimiste vihet re nga popullata në vitin 2021.

Kosova  është vendi ku gjendet popullsia më optimiste për të ardhmen (63%, nga 61% në 2020). Mali i Zi dhe Serbia mbeten në tre ekonomitë e para me një perspektivë mbizotëruese pozitive, me 56% dhe 55% të popullsisë së tyre përkatëse që ndjehen optimiste.

Ndërsa numri i të anketuarve që jetojnë në kushte më të këqija se popullsia mesatare u rrit, shqetësimet për rritjen e pabarazisë midis shoqërisë u rritën njëkohësisht. 82% i rajonit besonte se hendeku midis të varfërve dhe të pasurve po rritet vazhdimisht ndërsa 12% nuk ndajnë të njëjtat shqetësime.

7% refuzuan të përgjigjen. Shqipëria kishte përqindjen më të lartë e të anketuarve të shqetësuar mbi hendekun e pasurisë me 88 % e të anketuarve që pohonin së është rritur.

Pjesëmarrësit që janë të pakënaqur me mënyrën se si gjërat po zhvillohen në ekonomitë e tyre po rriten në numër.  25% e të anketuarve ishin të lumtur, ndërsa 49% ishin të lumtur me ekonominë por me një ndjesi negative. Numri i të anketuarve të pakënaqur me gjendjen e tyre financiare është rritur gjithashtu (36%).

Zhvillimi ekonomik dhe papunësia mbeten dy pengesat kryesore në ekonominë e rajonit. Situata aktuale ekonomike konsiderohet sfida më e madhe nga 47% e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, papunësia është më e dëmshme për ekonominë, për 39% të të anketuarve.

Korrupsioni renditet i treti me 27%, ndërsa pesha e atyre që e shohin emigracionin si një trend negativ është në rritje (18%, nga 13% në 2020).

Sa i përket mobilitetit në tregun e punës, ka një rritje të moderuar të përqindjes së të anketuarve të cilët po mendonin të linin ekonomitë e tyre përkatëse për mundësi më të mira jashtë vendit (39%, nga 37% në 2020), ndërsa mbi gjysma (54%) nuk po mendojnë të punojnë jashtë vendit në të ardhmen e afërt. Kosova ka përqindjen më të madhe të atyre që mendojnë të largohen (59%), she Shqipëria në vend të dytë më 42%./Monitor/

blank

“Vuçiç u zemërua”, Albin Kurti zbulon bisedën me Presidentin serb: I thashë që t’i trajtojmë reciprokisht minoritetet

Kryeministri i Kosovës në një bisedë me publicistin e Washington Post, Jason Rezaian, ka folur për situatën në Ballkanin Perëndimor, dialogun, një moment zemërimi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe situatën me minoritetet në Kosovë e Serbi.

Në këtë bisedë, kryeministri i vendit, ka thënë se është duke bërë përpjekje për de-përshkallëzimin e situatës me Serbinë, por sipas tij, ato përpjekje s’kanë pasur rezultat.

Ai tha se në qendër të tensionit është mosgatishmëria e vazhdueshme e Serbisë për ta njohur Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur.

“Nuk mund ta njoh Serbinë që nuk më njeh mua. Pra duhet njohje reciproke dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në këtë dialog”, është shprehur Kurti në bashkëbisedimin me Rezaian, transmeton Klankosova.tv.

Kreu i qeverisë kosovare ka ndarë një moment, që sipas tij, presidenti serb është zemëruar nga fjalët e tij.

“Në deklaratë e paqes dhe mossulmimit e propozuar nga Kosova në vitin 2021 u refuzua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, bashkë me një plan për të mbrojtur reciprokisht të drejtat e pakicave brenda vendeve tona. Në vend të kësaj, autoritetet serbe filluan t’i heqin shqiptarët në Serbinë jugore nga listat e votuesve”.

“Presidenti Vuçiç tha se, ndryshe nga Kosova, Serbia është shembull se si duhet të trajtohen minoritetet”, tha Kurti. Ai shtoi, disi në mënyrë sarkastike: “Unë thashë, ‘Atëherë le të shohim se si i trajton Serbia minoritetet dhe unë mund ta përsëris modelin në Kosovë.” Dhe pastaj ai u zemërua shumë, sepse thashë, ‘Ta bëjmë këtë gjë reciprokisht’”, i ka thënë Kurti gjatë bisedës publicistit Rezaian. bw

blank

Vendimi i Këshillit Europian për Ukrainën, reagon Zelensky: Unik dhe historik

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ai përgëzon vendimin e Këshillit Evropian për t’i dhënë Ukrainës statusin e kandidatit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Duke cituar postimin në Twitter të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që shpalli vendimin, Zelensky tha se ky është “një moment unik dhe historik” në marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba gjithashtu shkroi në Twitter se “Ukraina do të mbizotërojë. Evropa do të mbizotërojë.”

Tweet-i i tij, i shoqëruar nga një video e shkurtër me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, thoshte: “Sot shënon fillimin e një rrugëtimi të gjatë që do të ecim së bashku. Populli ukrainas i përket familjes evropiane. E ardhmja e Ukrainës është me BE-në. Ne qëndrojmë së bashku për paqen.” bw

blank

Presidentja Vjosa Osmani: Populli i Kosovës mbetet i izoluar në zemër të Evropës

Fjalimi i plotë në takimin e liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor:
Shkëlqesi,
Të nderuar kolegë,
Kontinenti ynë është në një gjendje të jashtëzakonshme, kështu që nuk do të humbas shumë kohë për të arritur te pika kryesore. Ukraina është nën rrethim, me vlerat, liritë dhe mënyrën e saj të jetesës nën sulm. Ky është një sulm edhe ndaj nesh.
Dhe nëse dikush mendon se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Evropë është i mundur pa Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, më duhet t’u them, si dikush që e ka përjetuar anën më të errët të luftës dhe shkatërrimit, se kjo nuk është e mundur.
Nuk kam ardhur këtu për deklarata boshe politike, por me qëllimet më të mira për të folur për pasojat për të gjithë kontinentin tonë poqese integrimi i Ballkanit Perëndimor do të vonohej më tej.
Lufta në Ukrainë shënon më shumë se një pikë kthese për kontinentin tonë. Ajo ka ripërcaktuar të ardhmen tonë. Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu.
Ka shumë dimensione të asaj që po ndodh në Ukrainë që ndryshojnë nga rasti i Kosovës, por në fund të fundit, mendoj se janë dy gjëra që vërtet nxjerrin në pah ngjashmëritë e përvojave tona. Së pari dhe më kryesorja është vuajtja e jashtëzakonshme njerëzore, përballë një lufte brutale gjenocidale kundër një populli liridashës. Dhe e dyta është mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare. Uniteti juaj sot më kujton vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të ardhur në shpëtimin tonë në vitin 1999.
Populli i Kosovës e di se si është të luftosh edhe kur fitorja mund të duket e pamundur, ndaj për këtë arsye ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës sot, si ndër vendet e para që u bashkuan me sanksione kundër Rusisë dhe ofruam mbështetjen tonë për refugjatët.
Ka një rrugë për në Moskë dhe një rrugë për në Bruksel – këto rrugë nuk kryqëzohen dhe janë më larg se kurrë. Nga ky këndvështrim, satelitët rusë në rajonin tonë nuk duhet të tolerohen e aq më pak të akomodohen.
23- vjet pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, Kosova është një demokraci dinamike dhe që kur institucionet tona të reja morën detyrën pranverën e kaluar, ne kemi forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike.
Të nderuar kolegë,
Politika fillon dhe mbaron tek njerëzit. Prandaj edhe jam e vendosur që jo vetëm ta përfaqësoj më së miri zërin e qytetarëve të mi këtu sot, por edhe të siguroj që ne ta përmirësojmë jetën e tyre për më mirë.
Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën.
Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni.
Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë.
Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit.
Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj.
Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por vlerat në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, jo vetëm rezultojnë të jenë politikisht të paqëndrueshme dhe të pambrojtura, por edhe vetë këto vlera rrezikojnë të zhvleftësohen.
Mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj akterëve dhe kërcënimeve malinje.
Besoj se të gjithë që janë ulur këtu e mbajnë mend qartë dhe pajtohen se anëtarësimi i Kroacisë dhe Sllovenisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë.
Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë.
Pavendosmëria e Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë do të krijonte mundësi për Rusinë, diçka që asnjë lider i arsyeshëm në këtë sallë nuk duhet ta dëshironte. Kjo pavendosmëri gjithashtu do të çonte në zhgënjimin e qytetarëve, gjë që do t’i lejonte Rusisë të përforcojë narrativën e saj.
Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj. Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike. Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë.
Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda!
Ju faleminderit!
blank

Presidentja e PE-së: Sot është ditë historike, duhet t’i liberalizohen vizat Kosovës

 

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e ka cilësuar si historike ditën e sotme kur po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Duke folur në emër të eurodeputetëve, Metsola tha se liberalizimi i vizave për Kosovën dhe hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të ndodhin, raporton Gazeta Express.

“Sot është një ditë historike për dy arsye; sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Europian. Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Europën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duhet përnjëmend të flasim për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Këto janë pikat që do të fliten brenda samitit, sepse kjo është dita kur ne duhet të shikojmë drejt Ballkanit Perëndimor si vende që janë fqinj tonë dhe vende që duhet ta gjejnë veten në Bashkimin Europian, i cili është shtëpia e tyre”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Ajo tha se zgjerimi duhet parë edhe në hijen e luftës që po zhvillohet në Ukrainë dhe që BE-ja të për të vendosur siguri gjeopolitike.

blank

‘7 korrik të gjithë në shesh’- Këlliçi: Thirrje Veri Jug, të shpëtojmë Shqipërinë nga rrëzimi…

Deputeti i PD-së Belind Këlliçi ka reaguar pas njoftimit të protestës kombëtare në 7 korrik e cila do të zhvillohet në Tiranë.

‘Thirrje Jug Veri për t’u ngritur në protestë kombëtare! Të shpëtojmë Shqipërinë nga rrëzimi përfundimtar!’, shkruan Këlliçi në Facebook.

Postimi i plotë i Belind Këlliçit:

Thirrje Jug Veri për t’u ngritur në protestë kombëtare!

Të shpëtojmë Shqipërinë nga rrëzimi përfundimtar!

 

Në shesh! Të gjithë në shesh! 🇦🇱

syri.net

blank

VOA- Zbehen shpresat e Tiranës e Shkupit për nisjen e bisedimeve me BE-në, në Bullgari bie qeveria

Bullgari, kryeministri Kiril Petkov në parlament

Armand Mero

Rrëzimi i qeverisë së kryeministrit bullgar Kiril Petkov, të mërkurën në mbrëmje, duket se rrëzoi dhe shpresat e vakëta të zgjuara gjatë ditës së sotme, për zhbllokimin e mundshëm të nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian mes Brukselit dhe Tiranës e Shkupit. Opozita bullgare u deklarua në mbështetje të heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut duke i kërkuar qeverisë që të thërriste parlamentin për të marrë një vendim sipas propozimit francez, i cili i ofron garanci Sofjes për trajtimin në vijim të problemeve dypalëshe me Shkupin.

Vendimi i opozitës bullgare u përshëndet si një hap historik nga Komisionari për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili u shpreh se priste që qeveria t’i bëjë propozimin e nevojshëm parlamentit.

Kryeministri Kiril Petkov i qëndroi megjithatë linjës së zgjedhur, sipas së cilës çështja duhet të kalojë më parë në Komisionin e Jashtëm të parlamentit bullgar, më pas në parlament e së fundmi në qeveri. Komisioni i jashtëm u mblodh pasdite, por pas më shumë se një orë diskutimesh, mbledhja u ndërpre, duke u shtyrë “për arsye teknike”.

Kreu i opozitës, ish kryeministri Boyko Borissov, përsëriti përmes një statusi në Twitter pasdite se mbështet propozimin francez për çështjen e Maqedonisë së Veriut dhe se partia e tij, GERB “do ta mbështesë këtë vendim nëse votohet. Të gjithë ata që janë të përfshirë, duhet të shohin pamjen e madhe – duke mbrojtur ekonominë dhe sigurinë tonë përmes zgjerimit. Uniteti ka rëndësi. Një BE e fortë ka rëndësi. Ky ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë”, shkroi ai, pak orë para votimit në parlament të votëbesimit të qeverisë, pasi një prej partive anëtare të koalicionit u largua prej saj.

Kryeministri Petkov, nuk arriti të sigurojë mbështetje. Ishin 123 deputetë nga 240 që e përbëjnë parlamentin, të cilët votuan për rrëzimin e qeverisë. Kriza e hapur politike, nuk lë thuajse fare shpresa për një kthesë të Bullgarisë lidhur me veton ndaj Shkupit, nesër në mbledhjen e Këshillit evropian në Bruksel. Vetëm nëse parlamenti e trajton nesër jashtë rendit të ditës këtë çështje, pas kërkesës së opozitës.

Një ditë më parë udhëheqësit e tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, vunë në dyshim praninë e tyre në takimin e nesërm me drejtuesit e vendeve të Bashkimit Europian në shenjë zhgënjimi ndaj zvarritjes së procesit të integrimit. Tirana dhe Shkupi po presin prej kohësh nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim, të bllokuara nga vetoja e Bullgarisë, për shkak të disa pretendimeve të saj ndaj Shkupit.

Sinjalet e shpresës që u ndezën pas deklaratës së ish kryeministrit Borissov, u pritën me tone të përmbajtura nga kryeministri shqiptar Edi Rama. “Është shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka marrë peng dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Evropës”, shkroi zoti Rama në Twitter, duke konfirmuar kështu pjesëmarrjen nesër në takimin në Bruksel. Një takim në të cilin ai thotë se “nuk do të ketë shumë për të dëgjuar rreth nesh, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne e mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për marrjen tonë peng nga Bullgaria që shkatërron atë”.

Shqipëria është peng i dyfishtë i situatës mes Sofjes dhe Shkupit, duke qenë se vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me të, është trajtuar i lidhur me vendimin për Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Rama ka bërë të ditur se nëse nuk do të ketë një vendim pozitiv edhe këtë herë, ai do të kërkojë që rrugëtimi i Shqipërisë të ndahet nga ai i fqinjit të saj ballkanik.


Send this to a friend