VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Përurohet busti i Havzi Nelës në Kukës

By | June 12, 2018
2 Comments
  • author avatar
    Fritz Radovani 2 weeks ago Reply

    HAVZI NELA asht MA I MADHI HERO I POPULLIY SHQIPTAR MBAS VITIT 1944, kur Shqipnia u pushtue nga tradhtaret sllavokomuniste qe nuk marrin pjese ne vendosjen e bustit Tij.
    Emni i Tij i ndricuem nga Veprat Letrare, shkelqen bash si rrezja e diellit qe i ka ra Sot
    Portretit te Tij Madhshtor! Lavdi te perjetshme Vepres se Tij te Pavdekshme!
    Nderim per Poetin … Po, edhe per skulptorin e vepres, me shume respekt.

  • author avatar
    Shkambi i Bjeshkve 2 weeks ago Reply

    Veprën letrare e ngrit me mendjen dhe lapsin, qi ishin armët e shpirtit! Akt serjoz asht të ringrish në art veprën e H. Nelës nga kushdo qi ta ket ba!
    Shum keq asht qi as nji lider ,,djatthtë,, si i thonë nga Shkodra asnji mik për shllin nuk u gjend për të marr pjesë me popullin e Kuksit në ket rilindje të Veprës së Nelës!
    Fjalët e bukra i ka Kadareja, por duhet të vinte aty, sepse asht unikal në Europ e në botë Varja e nji shkrimtari, por kur nuk ka pranë lider komunistash, ambasador amerikan qi përkrahin tash 27 vjet regjimin e qeverive të majta në Shqypni nuk ka pse vjen…….!
    Falemnerës për ata qi mujtën me e gdhendën në art portretin e tij pas 27 vjet ,,çlirim,, nga diktatura komuniste!
    Kjoft emni dhe vepra e Havzi Nelës nji shembull frymzimi për brezin e ri dhe të ardhshëm në formimin shqyptar!

Komentet

Fiton Zvicra kundër Serbisë me rezultatin 2 me 1 – golat Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri

Fiton Zvicra ndaj Serbisë me rezultatin 2 me 1 – golat Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri!

Në pjesën e parë Serbia shënoi në minutën e 5′.

Në pjesën e dytë Zvicra kishte epërsi, loja u bë në portën e Serbisë me dy gola nga Xhaka dhe Shaqiri.

Shqiptarët urojnë për fitoren !

Të dy lojtarët pasi shenuan, përshëndetën me simbolin e shqiponjës!

 

 

Hopp Schwiiz! Fitore Zvicrës ! Të gjithë shqiptarët mbarë i urojnë Zvicrës fitore në ndeshjen Zvicër – Serbi

Të gjithë shqiptarët mbarë i urojnë Zvicrës fitore në ndeshjen Zvicër – Serbi.

Në skuadrën kombëtare të Konfederatës Helvetike luajnë katër lojtarë shqiptarë. Ata janë:

Valon Berami,

Xherdan Shaqiri,

Granit Xhafa

Blerim Xhemajli.

Hopp Schwiiz !

Cilësia e jetesës së shqiptarëve – 62% e popullsisë s’blejnë dot rroba të reja

Tingëllon e çuditshme, por pjesa më e madhe e familjeve shqiptare nuk arrijnë që të përballojnë blerjen e veshjeve të reja.

Pyetjes nëse anëtarët e familjes mund të përballojnë të blejnë rroba të reja në vend të të përdorurave, 62% e shqiptareve në Anketën e Cilësisë së Jetës, të realizuar nga Komisioni Europian, janë përgjigjur se nuk munden. Kjo përqindje është dukshëm më e larta në Europë, ku në renditje pas nesh është Maqedonia, me 42% të totalit, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën pyetje është 15% (shih grafikun).

Anketa e Cilësisë së Jetës, që është kryer me vendet e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor ka matur këto tregues duke iu referuar tre variablave, si gjinia, mosha dhe niveli i të ardhurave.

Sa torturuese mund të jetë për një grua që të mos ketë mundësi që blejë një veshje të re. Në anketën e Cilësisë së Jetës 2016, në klasifikimin sipas gjinisë, 66% e grave në Shqipëria janë përgjigjur se nuk mund të blejnë dot një veshje të re.  Përqindja është shumë më e lartë krahasuar me vendet e rajonit. Pas grave shqiptare, renditen ato maqedonas, ku 43% e tyre janë përgjigjur se nuk mund të blejnë dot veshje të reja.

E njëjta situatë është edhe për burrat, edhe pse në përqindje më të ulët, ku 59% e të anketuarve thanë se nuk mund të përballojnë dot një veshje të re.

Për sa  i përket klasifikimit sipas moshës, të rinjtë janë ata që janë përgjigjur se mund të përballojnë që të blejnë rroba të reja.  Për grupmoshën 18-24 vjeç, 39% e të anketuarve janë shprehur se nuk mund të përballojnë që të blejnë rroba të reja. Grupmosha me përqindjen më të lartë është 35-49 vjeç, ku sipas rezultateve të anketës rezulton se 73% e tyre nuk mund të përballojnë. Kjo përqindje është më e larta në Europë. Vendi i dytë që raporton përqindje të lartë për mospërballimin të veshjeve të reja është Maqedonia. Megjithatë krahasuar për të njëjtën grupmoshë diferenca është shumë e madhe. Vetëm 40% (më pak se gjysma) janë shprehur se nuk mund të përballojnë dot veshje të reja.

Edhe për moshat mbi 50 vjeç,  pamundësia për t’u veshur me veshje të reja është e lartë. Rreth 68% e të pyeturve thanë se nuk mund të blejnë rroba të reja (jo të përdorura). Megjithatë në ndryshim me grupmoshat më të reja. Për këtë grupmoshë ulet diferenca midis vendeve të Europës Lindore, si Rumania, apo Bullgaria.

Në klasifikimin e tretë, ku ndarja bëhet sipas nivelit të të ardhurave, përqindjen më të lartë të individëve që kanë thënë se nuk mund blejnë dot rroba të reja e ka grupi i parë (të ardhurat më të ulëta). 85% e tyre janë shprehur se nuk mund të blejnë dot rroba përveç se të përdorurat. Për individët me të ardhura të ulët, përqindja është e lartë edhe në Bullgari, ku 74% thanë se nuk e përballojnë dot që blejnë rroba të reja.

Tek individët që grupohen në nivelin e dytë të të ardhurave, 72% nuk mund të blejnë, pasur nga Rumania me 65%. Ata që klasifikohen në grupin e tretë, më shumë se gjysma (53%) janë shprehur se nuk blejnë dot rroba të reja.

Edhe për të pasurit (që janë pjesë e grupit të katërt) përqindja edhe pse më e ulët se për dy grupet e tjera, është më e larta në të gjithë Europën.

 Pse kaq e vështirë për vesh-mbathur në Shqipëri?

Duket se arsyeja kryesore për përqindjen aq të lartë në mo përballimin e blerjeve të rrobave të reja janë çmimet shumë të shtrenjta.  Eurostat publikoi indeksin e nivelit të çmimeve. Sipas të dhënave të Eurostat, çmimet e veshjeve në Shqipëri janë sa 97% e mesatares europiane për këtë kategori (thuajse në të njëjtin nivel me Bashkimin Europian). Ndërkohë që po sipas të dhënave të Eurostat, niveli i të ardhurave për frymë në Shqipëri është sa 29% e mesatares europiane (më të ulëtat në rajon).

…kështu që lulëzon “gabi”

Me të ardhura të ulëta dhe me çmime të shtrenjta për rrobat e reja, biznesi i “gabit” ka lulëzuar në Shqipëri. Në 2017-n referuar të dhënave të INSTAT importi i veshjeve të përdorura arriti në 24 milionë euro, me një rritje me bazë vjetore prej 11%. Që prej vitit 2012, importet e veshjeve të përdorura janë rritur me ritme dy shifrore. Kjo është e dukshme dhe në numrin e lartë të dyqaneve që janë hapur në kryeqytet, që u shtuan dhe më shumë pas mbylljes së tregjeve masive. Tirana, si asnjë kryeqytet tjetër në Europë, ofron alternativa pa fund të varianteve moderne të “Gabit”, sidomos në lagjet rrotull qendrës.

Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.

Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.

Monitor

Fjala e fortë e Romir Zallës: Kuksianët të vunë flakën, kujdes me artistët!

Fatmira Nikolli – Ende pas shtatë ditësh nuk ka një përgjigje nga qeveria për projektligjin për çështjen e teatrit. Në të shtatën ditë, artistët dolën dje sërish në shesh të vendosur të mos tërhiqen. Në radhë të parë dje shihje Alfred Trebickën, Vasjan Lamin, Mehdi Malkën, Gent Zenelajn, Romir Zallën, Anila Bishën, Sokol Angjelin dhe si çdo ditë Robert Budinën, Adriana Tolkën. Në fillim u lexua një status i Ardian Vehbiut, që thoshte se do jetë skena, që do e vendosë fatin e vet. “Në rastin e një diktature që gëzon pushtet të plotë, qejfmbetjen e çon deri në vrasje. Artistët u mësojnë masave, se realiteti nuk është ai që duket. Ndaj më thoni pse i duhet pushtetit e diktaturës teatri, të mençurit e intelektualët. Çdo qeverie i duhen dembelë. Ndaj për këdo dashamirës teatri e për ata që s’kanë shkelur kurrë në teatër, në këtë tempull ruhet gjuha shqipe në më të mirën e saj. Historia ka treguar se e keqja nuk ndryshon”, tha Tolka. Më pas, aktori Kastriot Shehi, i cili recitoi dy monologë, njëri prej të cilëve me titull “Liria e të varfërve”, që tregon se si ata e morën urinë e tyre dhe e futën në shishe dhe shkuan ta shisnin.

Monologu u mbyll me një kryetar bashkie, që u fal të varfërve lirinë si dhe nga një karamele. Mandej, gazetarja Elsa Demo kujtoi se e ka filluar gazetarinë kur ai që është kryeministër shkatërroi shumëçka, duke përmendur se kinema “Republika” nuk është më, as kinema “17 Nëntori”. Më pas, fjalën e mori Romir Zalla, që në krye të herës tha se “nuk kemi ç’a themi më, se i kemi thënë të gjitha. Qëndresa jonë duhet të jetë, të vijmë e të rrimë këtu me javë e me muaj, sepse kjo është përtej nesh”. Ai shtoi “se vij përditë këtu”. “Kanë ardhur edhe turistë italianë. Ishin një çift dhe pyetën pse mblidhen këta njerëz. Kur u thanë që janë mbledhur se duan të shembin teatrin, gruaja bëri kryqin e iku. Jemi në kufijtë e absurdit. Njerëz që mblidhen e thonë ‘mos na e shembni teatrin’ – ju qofshi”, tha Zalla. Kujtoi se si asnjëherë tjetër, atë ditë para 5 muajsh kur u mblodhën të gjithë aktorët, ai ndjeu emocione. “Sot unë nuk mbaj mend ç’kam thënë kur diskutonim për ligjin në një sallë ku ishim më shumë se 100 veta. Ndoshta jemi më pak se atëherë, por i kuptoj të gjithë. Jam me ata që nuk flasin e qëndrojnë në hije – i kuptoj edhe ata. E di se çfarë hallesh kanë”, tha Zalla.

Ai theksoi se teatri po prishet përditë prej 20 e kusur vjetësh, që kur ndajnë në të vjetër e të rinj, të aftë e të paaftë, me rrogë e pa rrogë, të brendshëm e të jashtëm, në ata që ikin jashtë e bëjnë sukses, e në ata që vijnë nga jashtë që të bëjnë sukses këtu. “Prishja e kësaj godine është akti i fundit të kësaj prishjeje. Ata që janë në opozitë ishin arrogantë, e këta që janë tani në pushtet janë ende më shumë arrogantë. Por dua t’i them atij që tregohet arrogant se: t’i tregohesh arrogant me kuksianët e të vënë flakën, ti tregohesh arrogant me minatorët, por ata të vijnë në zyrë. Kujdes, ti po bëhesh arrogant me artistët, kujdes!”.

Zalla kujtoi se atëherë kur i thamë asaj zonjës ç’po bëni me atë ligj, ajo zonja na tha “nuk dini çfarë kërkoni” – ajo zonja nuk flet më sot.

“Na tha ‘ç’plasje keni’, ndërkohë plasja po i vjen nga gozhda poshtë karriges që të rrëzon nga karrigia. Këtu pas nesh duan të vënë 7 shishe uiski shumë të shtrenjta. Dy nga 7 kullat që ndërtohen janë shitur që tani. Janë dhënë zyrat me qira. Pronarët e sarajeve thonë nuk lëshojmë. Na kanë piketuar ne artistëve nja 20 vetëve do na japin nga 100 mijë euro e nga një apartament. Nuk po flas se kur të m’i japin, do i dhuroj për teatrin”.

Një numër në rritje emigrantësh dhe refugjatësh hyjnë në Shqipëri (video)

Një numër në rritje emigrantësh nga Lindja e Mesme dhe Azia po kërkojnë azil në Shqipëri, një fenomen i padukshëm deri tani në këtë vend që njihet më shumë për emigrimin masiv. Gjatë viteve 2015 dhe 2016, qindra mijëra emigrantë që u larguan nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika arritën në Evropë duke përdorur rrugën ballkanike. Rruga u mbyll në mars 2016, por njerëzit, që kërkojnë mënyra të tjera, ende arrijnë të hyjnë në Bashkimin Evropian përmes Ballkanit, edhe pse në numër të vogël.

Autoritetet shqiptare thonë se muajt e fundit ka patur përpjekje në rritje të refugjatëve dhe emigrantëve për të përdorur territorin e Shqipërisë si rrugë kalimi drejt vendeve të Bashkimit Europian. Policia kufitare ka forcuar kontrollet, për të frenuar një valë të mundëshme refugjatësh.

Disa nga të ardhurit thonë se destinacioni i tyre përfundimtar është Gjermania.

“Shqipëria është një vend tranziti për mua dhe për të tjerët, por nuk është si Serbia apo Maqedonia, të cilat i kanë mbyllur kufijtë. Shqipëria është e vetmja zgjidhje për refugjatët që kalojnë tranzit,” thotë Guwan Belei, refugjat sirian.

Ai thotë se erdhi nga Turqia, shkoi në Greqi dhe nga Greqia hyri në Shqipëri. “Nga Shqipëria, – thotë ai, – me dëshirën e Zotit, dua ta përfundoj rrugën time në Gjermani”.

“U larguam nga Siria, duke kaluar male dhe lumenj dhe shkuam në Turqi. Pastaj, me gomone shkuam në Greqi, përshkuam fusha me baltë, ecëm mes shiut dhe arritëm në Greqi. Prej andej erdhëm këtu duke kaluar nëpër male,” thotë refugjatja nga Siria, Berivian Alus.

Ajo thotë se arsyeja që u largua ishte se Turqia bombardoi Afrinin dhe se e kishin nxjerrë jashtë vendit kontrabandistët. Sipas saj, nga Siria në Turqi i kishte kushtuar 1.500 euro ndërsa nga Turqia në Greqi 3.500 euro.

Të mërkurën policia në kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi, ndaloi gjashtë shtetas pakistanezë që po përpiqeshin të kalonin kufirin për në Mal të Zi.

Sipas policisë, çdo 24 orë në territorin e Shqipërisë ndalohen mesatarisht 10 shtetas të huaj.

 

BE-ja në kërkim të zgjidhjes për rrjedhën e refugjatëve

Liderët në “mini-samit” do të paralajmërojnë vendet anëtare që të mos marrin masa “të njëanshme dhe të pakoordinuara me BE-në” për çështjen e emigracionit

BRUKSEL – Drafti i deklaratës përfundimatre të “mini samitit” që do të zhvillojë presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean Claude Juncker mbi çështjen e azilkërkuesve, tregon shqetësimin e Bashkimit Evropian për rrjedhën e refugjatëve.

Me draft deklaratën përfundimtare të takimit që do të mbahet të dielën në Bruksel me liderët e 10 vendeve anëtare të BE-së, synohet zgjerimi i masave që do të merren në çështjen e pengimit të “migrimit ilegal në Evropë” dhe kufizimin e lëvizshmërisë së refugjatëve brenda Unionit.

Në takimin ku pritet të marrin pjesë liderë nga Gjermania, Franca, Italia, Greqia, Spanja, Malta, Bullgaria, Belgjika dhe Holanda, nuk parashikohet pjesëmarrja e liderëve të Polonisë, Hungarisë dhe Çekisë, vende që kritikojnë politikat e BE-së për refugjatët.

Paralajmërimet për “koordinim” 

Liderët në “mini-samit” do të paralajmërojnë vendet anëtare që të mos marrin masa “të njëanshme dhe të pakoordinuara me BE-në” për çështjen e migracionit.

Në takim gjtihashtu për të ulur migrimin ilegal do të diskutohet edhe çështja për formimin e një force policore kufitare të përbërë nga 10 mijë pjesëtarë deri në vitin 2020.

Do të diskutohet për rritjen e shpenzimeve që do të bëhen me qëllim për t’i bërë më të sigurtë kufijtë e jashtëm të BE-së si dhe hapat për bashkëpunim më efektiv “në zvogëlimin e numrit të refugjatëve të ardhur në BE” nga vendet si Algjeria, Egjipti, Libia, Maroku, Nigeria dhe Tunizia.

Kontrolle të rrepta në stacionet e autobusëve dhe trenave

Në takimin që do të zhvillohet të dielën liderët pritet të marrin vendim për aktivitete më të gjera për “mbrojtjen dhe pranimin e kapaciteteve të refugjatëve jashtë BE-së”.

Në draftin e raportit përfundimtar është përfshirë rritja e kontrolleve në stacionet e autobusëve dhe të trenave si dhe aeroporteve me qëllim që të luftohet me lëvizjen e azilkërkuesve të pranuar nga vendet anëtare të BE-së në një vend të dytë të Unionit.

Sipas draft deklaratës, një takim tjetër do të mbahet në vjeshtë 2018, që do të jetë vazhdim i samitit. Austria, e cila do të marrë presidencën e radhës së BE-së, njoftoi se më 20 shtator do të mbajë një samit mbi “çështjen e refugjatëve” që mbulon të gjitha vendet e Unionit.

E njëjta çështje do të trajtohet në terma të gjera në Samitin e Liderëve të BE-së që do të mbahet më 28-29 qershor. Në samit thuhet se liderët e BE-së do të mbështesin ndërtimin e kampeve për refugjatët jashtë territorit të Unionit. aa

(Video) Ndiqeni live Maks Velo: ‘Teatri nuk duhet shembur’: Ja 4 problemet që ekzistojnë aty

Një intervistë shterruese e Maks Velos që ia vlen ta shohim të gjithë:

Maks Velo: “Shteti ka institucione, ka kryeministri, ka parlament, ka opera, ka teatër”. Ju lutem ndiqeni intervistën e tij me gazetaren Eni Vasili :

 

“Dy duar për një kokë”, aktori shpreh hapur frikën për Teatrin: Rama në shtator i vë ruspën (Video)

TIRANE- Debati më i fortë i këtyre ditëve është ai i ekzistencës apo jo të Teatrit Kombëtar në një kohë që ekziston një projekt/ligj që i jep të drejtën ndërtimit të një teatri të ri me PPP.

Për të komentuar këtë situatë aktori i njohur Neritan Liçaj në një intervistë për “BalkanWeb” me gazetarin Erjon Skëndaj ka folur hapur për qëndrimet e të gjithë artistëve, dhe pse sipas tij, duket sikur disa janë pro dhe disa janë kundër prishjes së teatrit ekzistues.

Liçaj thotë se artistët kanë zgjedhur këtë formë pasi janë të sigurt se qeveria ua ka me hile. Madje Liçaj shpreh frikën e madhe se qeveria do ndërhyjë për t’i vënë ruspën teatrit, do sjellë aty buldozerë për ta shëmbur në shtator. Ai shton se ky është problem ekzistence dhe përdor një shprehje popullore: Dy duar për një kokë janë, e prandaj s’do të lejojnë që teatrit t’i preket asnjë centimetër.

Keni qenë shumë i fortë me një status të fundit në rrjetet sociale për një fitil që do iu plase bombën në dorë qeverisë? Çfarë do të thotë kjo?
Neritan Liçaj: Statusi ka kuptim figurativ, pikërisht për këtë mënyrën se si po qeveriset me shumë arrogancë, me shumë terror, në një kohë që ndjeshmëria për teatrin është shumë e madhe. Kjo qeveri në 5 vite ka vrarë shpresën e shqiptarëve, nuk mban më ujë pilafi. Teatri është aq i ndjeshëm sa do ngrihet një valë e madhe protestash ndaj kësaj qeverie që nuk pyet, nuk dëgjon.
Ju jeni pyetur?
Neritan Liçaj: Ne jemi injoruar edhe ministrja nuk shkon në komision. Është një ministre që po të marrësh përkthimin e parë të fjalës ministre, do të thotë me shërbye. Ajo nuk vjen të marrë vesh cilat janë nevojat tona jo më…
Ju vetë për cilin teatër jeni, teatri siç është, teatër të ri me kulla apo për teatër të ri por pa kulla?
Neritan Liçaj: Unë jam për këtë: Asnjë centimetër i atij territori nuk duhet të preket dhe nuk do preket dhe këtë ata e dinë fare mirë. Ne e dimë teorinë që nuk ka lekë. Del kryeministri dhe thotë nuk ka lekë? Jo zotëri, ai është teatri i gjithë shqiptarëve. Po tregoj shembullin e Maqedonisë që ndërtuan një teatër të ri fiks si ai që u rrëzua nga tërmeti, pa PPP dhe pa CCC vetëm për të treguar se kanë identitet kombëtar, në fakt nuk kanë. Si ka mundësi që ne të mos kemi një teatër dinjitoz?
Po ka shumë artistë që thonë të mbetet siç është?
Neritan Liçaj: Ata që thonë të mbetet siç është e thonë për faktin se nuk kanë besim, qeveria shqiptare funksionon si një entitet mafioz dhe ata kanë frikë se i vë buldozierin, i vë rruspën dhe e prish fare. Bibliotekën e larguan që aty, po të them që ne jemi kështjella e fundit ai po shpartallon artin.
Keni frikë?
Neritan Liçaj: Pse nuk e bën ai? E bën, neve na ka humbur besimi. Më thuaj një gjë që kanë thënë dhe e kanë mbajtur, i bëjnë çdo gjë me hile. Pastaj i bëjmë artistëve kontrata 1 vjeçare që të kenë frikë për bukën e gojës që pastaj ta çojmë teatrin tek Turbina dhe ju bëjmë presion se do ju heqim bukën e gojës.
Edhe me qeveritë e shkuara ju keni pasur probleme?
Neritan Liçaj: Tani kemi kaluar në probleme ekzistenciale. Unë nuk kam asnjë lloj dyshimi se kryeministri shqiptar do të shfarosë artin dhe kulturën shqiptare. Do të na zhdukë fare, të na nxjerrë në rrugë.
Po kush do bëjë teatër?
Neritan Liçaj: Unë nuk kam asnjë garanci se kjo qeveri në shtator nuk i fut buldozerin teatrit dhe na lë të gjithëve pa punë.
Si ishte takimi me kryebashkiakun?
Neritan Liçaj: Unë nuk e kam problemin me zotin Veliaj, ai qeveris Tiranën. Unë dua të di çfarë do bëjë qeveria? Nuk është teatri i Tiranës, kjo është non sens pse nuk ia delegon kryetarit të Bashkisë së Durrësit se e njetja gjë është. Ç’punë ka ai me teatrin kryebashkiaku? Teatri varet direkt nga qeveria, i bie të jemi teatër shtetëror, jo kombëtar. Teatri duhet të qeverisej nga Parlamenti apo nga Presidenti, pozicion dypalësh. Se kuptoj vërtet pse duhet të përzihet qeveria me këtë
A jeni të hapur për një takim të dytë?
Neritan Liçaj: Që kur ka filluar kjo betejë ne jemi shprehur eja të ulemi, të shihemi në sy dhe të gjejmë më të mirën për ne. Këtu gabon Rama, sheh interesin e tij politik. Do detyrohet të shohë interesat tona, sepse ai nuk mund të luajë me ekzistencën tonë. Në momentin që luan me ekzistencën time e ke çuar në personale, këtu je në barrikadë. Në kuptimin metaforik të fjalës jemi armiq. Do të vras, se po s’të vrava më vrave dhe unë e di këtë jam djalë ushtaraku. Dy duar për një kokë thotë populli dhe e thotë shumë bukur. Në momentin që ai do të luajë me ekzistencën time dhe të fëmijëve të mi unë aty nuk fal. Jo edi Ramën por askënd Si unë janë të gjithë artistët dhe pwr këtë të jetë i bindur.
Shpresojmë që kryeministri të mos e marrë si kërcënim…
Neritan Liçaj: Nuk është kërcënim, këtu e ka çuar ai situatën. Nuk ka dëgjuar, nuk ka pranuar të flasë, nuk ka pranuar të lëshojë pe. Ministrja dhe kryebashkiaku erdhën dhe u ulën, ky është një sinjal i mirë, bujrum të dialogojmë më tej. Është Teatët Kombëtar, duhet të kuptojmë rëndësinë e madhe që ai ka. Ne duam të shkojmë në Europë se jemi një vend europian, por të shkojmë me një qytetari tonën dhe këtë e bëjnë kultura e arti. Bëj reforma, por të bësh reforma nuk do të thotë të shkatërrosh, sidomos me një popull të lodhur e rraskapitur prej shekujsh. Nuk qeveriset me arrogancë. Rama nuk duhet të komandojë, por të bisedojë e ndihmojë. Shqiptarët janë të lodhur. Vuajnë shqiptarët, ikin, vriten për një gërvishtje makine. Do shpërthejë njëherë gjithë ky tension. Nuk qeveriset me tension se do të të largojnë nga puna.

Keni pasur kërcënime deri tani?
Neritan Liçaj: Unë jo drejtëpërdrejtë, por përderisa jam me kontratë 1-vjeçare, nuk besoj të arrijë deri në atë arrogancë, sepse unë punoj dhe punoj mirë. Por një lloj mënyre është. Të të vijë nga institucioni i TK me urdhër të kryeministrisë a e ke paguar UKT-në, është jonormale.
Ka ndodhur?
Neritan Liçaj: Kryeministria çon në institucionin ku punoj unë për të na lajmëruar ne që s’ke paguar faturën e ujit. S’ka logjikë. Dhe nëse s’e paguan është shkelje administrative, dhe kjo është jashtë çdo lloj ligji, se unë me Teatrin Kombëtar kam kontratë si aktor, jo për fatura. Ky është një absurd që nuk di ku ta gjesh.
Drejtori juaj (Hervin Çuli) është treguar pak i ashpër me një nga artistët e njohur z. Mirush Kabashi dhe nuk ofendoi njeri, por reagimi që erdhi ishte shumë i ashpër, ju çfarë mendoni?
Neritan Liçaj: Ka një problem të madh. Nuk vlerësohet artisti me rrogë. Që aty fillo handikapi. Ti ke aktorë që kanë lënë jetën për artin, nuk i thua dot Ndriçim Xhepës për rrogën se ai veç role kryesore në filma i ka mbi 50, çfarë do i thuash atij. Është vlerë kombëtare, dhe jo vlerë që matet me një rrogë. Është qesharake. Nuk matet me para puna e artistit. Artisti bën histori, filmat që bën Mirush Kabashi do mbeten edhe pas 100 vitesh. Të Ndrenikës, Xhepës, Bujar Lakos, janë vlera kombëtare, janë histori.
A po kthehet në politike kjo ngjarje? E dëmton kauzën tuaj?
Neritan Liçaj: Është kthyer tashmë. Është shumë relative, nuk mund t’i thuash një force politike mos ndërhy ti se fundja është edhe çështje kombëtare. Nuk i thua dot një X partie mos hajde të na mbështetësh. Unë i bëra thirrje deputetëve të PS, si do votoni: si patriotë apo si partiakë? Është në ndërgjegjen tuaj, sfidë e juaj personale. Flas për pjesën që kanë integritet moral. Jam i bindur që pjesa më e madhe e strukturave të PS janë pro nesh. Sepse ne na duan. Artistët japin kënaqësi. Në atë Teatër, ai Roland Trebicka ka bërë atë Jovan Bregun që të gjithë shqiptarët e dinë. Artistët kanë ngjallur emocion. Kjo është diçka kombëtare.
Keni marrë përgjigje nga deputetët e PS?
Neritan Liçaj: Ne përgjigjen do e marrim me votë. Qëndrimin e tyre aty do e tregojnë. Por nuk mendoj se do shkojë puna deri aty. Unë e respektoj qeverinë time por kur e kritikoj e bëj për mirë. Ky projektligj është i papranueshëm. Të ndërtojmë ca strategji të mira për artistët, pastaj flasim për të tjerat. Bëjmë njëherë ligjet pastaj funksionojnë gjërat. Shtëpia nuk ndërtohet pa themele. Shteti me ligje ndërtohet.
A do e bëni qeverinë të dëgjojë zërin tuaj kështu të përçarë siç jeni sepse ne kemi parë dhe artistë që deklarojnë pro prishjes së Teatrit?
Neritan Liçaj: Qeveria nxjerr gjithmonë gjëra, se ka votat dhe ka dhe milionat e bizneseve mbrapa dhe është një mal shumë i madh, një mur i madh që t’i biesh me kokë. Se qeveria të nxjerr dhe arkitektë e ekspertë që të thonë se ajo godinë duhet shembur. Më vjen keq për ata zotërinj se janë të pabesueshëm, kur janë të lidhur me shtetin. Se gënjejnë, se të sjell BE ekspertë të huaj të paanshëm, do i hedhi poshtë. Deklarata e zotërisë së zjarrfikëses ishte qesharake, tha që Teatri duhet shembur se nuk ka zjarrfikëse. Po mirë çfarë të bëjmë të shembim Piramidat e Egjiptit se nuk kanë wireless? Pastaj është puna juaj, vije pra. Mos gënje, e kuptoj që je rrogtar nga shteti, por fundja je burrë.
Ekspertët thonë se godina mund të vetëshembet…
Neritan Liçaj: Të sjellim një grup ekspertësh të pavarur se unë nuk kam pikën e besueshmërisë. Kjo histori ka që kur ishte Ram ministër Kulture. Ta dimë dhe ne vërtetë nga ekspertët e huaj. Por jo të vijnë njerëz të qeverisë. Atëherë tërhiqem. Dhe të bëhet teatri nga qeveria shqiptare, jo të vijë kryeministri të thotë: “S’kam lekë”. Jo mor zotëri s’më intereson, paguhesh nga taksapaguesit shqiptarë. Ke marrë votat, t’i gjesh lekët, siç i gjen për gjëra të tjera.
Nëse ndodh ajo që keni frikë, merret vendimi dhe vijnë fadromat…
Neritan Liçaj: Problemi është ai që thashë, puna është të mos shkojmë deri aty. Po vajti aty, dy duar për një kokë janë. Jo se do marrim armët jo, do ngujohemi aty brenda. Çfarë do na bëjnë? Do na vrasin? Kush i lë? Çfarë kujton se do vijë polici të më prekë mua me dorë? Jo mor jo se më duan, të jeni të bindur. Me Teatrin Kombëtar, e di shumë mirë kryeministri Rama se e ka provuar, sa do i fuqishëm, i pushtetshëm, para të ketë, ai e di mirë që Teatri Kombëtar, është një emër shumë i madh. Ndaj e them, është fitil i madh, uroj të mos e ndezi atë fitil se do i plasi atij bomba në dorë, në kuptimin figurativ. I ngujohemi aty dhe s’ka çfarë të na bëjë fare. Prandaj mos e çojë atë projektligj sepse dhe ai e di që është i turpshëm dhe i papranueshëm. Të bisedojmë e t’i zgjidhim gjërat në interesin tonë, jo të qeverisë, edhe këtë duhet ta ketë të qartë. Rama është vendimtari kryesor, Rama ka fituar 100 pikë kur dëgjoi popullin për armët kimike. Ky kryeministër duhet. Kështu duhet të reagojë edhe kësaj radhe, kam bindjen që ai do të tërhiqet. Nuk është puna kush uli kokën e kush u tërhoq, nuk është muhabet lacash, është muhabet njerëzish, mes artistësh, Rama e Kumbaro janë artistë e familje artistësh. Jam i bindur që dashuria e tyre për artin të marrin vendimin e duhur.
Me çfarë po merreni aktualisht?
Neritan Liçaj: Është një iniciativë bashkëpunimi mes disa teatrove, Teatrit Kombëtar dhe të rretheve, një tip projekt pilot “Vetëvrasësit” që rezultoi diçka e mirë. Në vazhdim të kësaj, është një tjetër bashkëpunim dhe shfaqja tjetër është “Peng” e cila finalizohet në shtator.

“600 mijë refugjatë në Shqipëri”, Majko lëshon alarmin: Situatë shpërthyese, duhen bërë mirë llogaritë

Ministri i Shtetit per Diasporen, Pandeli Majko ka reaguar ne profilin e tij ne FB me nje shkrim te gjate mbi lajmet qe qarkullojne per nje kamp refugjatesh qe mund te ngrihet ne Shqiperi per te pritur refugjatet nga Siria.

“Lajmet se në Shqipëri do të hapen kampe për 600 mijë refugjatë sirianë janë përtej cdo gadishmërie e imagjinate për një prej kombeve më të vjetër të Europës sic janë shqiptarët. Mediat mund të japin lajme por jo të nxisin panik në një popull që është një shembull në atë cfarë ofron për të huajt”, shkruan nder te tjera Majko.

 

POSTIMI I PLOTE

600 MIJE…PYETJE

Lajmet se në Shqipëri do të hapen kampe për 600 mijë refugjatë sirianë janë përtej cdo gadishmërie e imagjinate për një prej kombeve më të vjetër të Europës sic janë shqiptarët.

Mediat mund të japin lajme por jo të nxisin panik në një popull që është një shembull në atë cfarë ofron për të huajt.

Në se dikush, nuk di të merret me diktatorin e Sirisë, padyshim që nuk kupton se ky individ dhe aleatët e tij, Rusia dhe Irani, po përdorin refugjatët sirianë si “bombë njerëzore”. Qëllimi është për të shkatërruar strukturën europiane si ngrehinën kryesore ndërkombëtare e cila mbart vlerat që ata nuk i kanë. Eshtë një krim cinik dhe antinjerëzor që si teknologji ka filluar me Luftën e Jugosllavisë. Arma synon panikun. Qëllimi është që të ngjalli pasionin e ADN-së për “ruajtjen e territorit” i cili nuk është njerëzor. Krijimi i “antinjeriut” vjen si ftesë nga kjo aleancë e pashpallur lindore e cila po troket në Europën me politikanë që masin cdo gjë me vota…

Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Kështu shkruhet në rregullat e lashta të trajtimit të të huajve që trokasin në derën e shtëpisë së shqiptarit.
Shqiptarët janë populli më miqësor me të huajt dhe që i mbron ata me vullnet e pa kërkesë nga të tjerët.

Askush, dhe për asnjë arsye nuk mund të fyejë kombin shqiptar duke luajtur me këtë ndjenjë kaq pozitive karshi të huajve.
Shqipëria është një rast i rrallë në një botë refuzuese për të huajt. Cdo familje shqiptare ka migrantë jashtë vendit, në Perëndim, dhe kjo është një arsye më shumë për të qenë dashamirës me ata që janë larguar nga vendi i tyre për arsye të mbijetesës.

Si njohës modest i krizave të tilla humanitare e vlerësoj të pavend përhapjen e lajmeve të tilla të cilat mund të shkaktojnë panik në vendin më miqësor me të huajt sic është Shqipëria. Ajo nuk është një “epruvetë” ku interesat politike dhe paaftësitë menaxhuese të të tjerëve të gjejnë justifikim me “eksperimente” të tilla.

Grumbullimimet e refugjatëve në sasi sfiduese për vendasit do të krijojë situatë shpërthyese për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë.
Shqipëria ka gatishmëri për të huajt por askush nuk mund të bëjë “humor” nisur nga nevojat e saj. Në se ka ndonjë politikan europian i cili diskuton “ftesën” për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane.
Jam i bindur, që Brukseli nuk mund ti kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vet sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë.

Të huajt që të vinë në derën e shtëpisë për ndihmë, janë miq! Ata që ti sjellin… janë miq të refuzuar të dikujt tjetër. Ky është përkthimi që shqiptarët do ti bëjnë një ftese për kampe refugjatësh në Shqipëri.

Shqipëria do të ishte e gatëshme të ndajë peshën e cdo krize me familjen e vet europiane por shqiptarët nuk janë njerëz naivë. Ata dyshimin e tyre do ta fillonin me pyetje të thjeshta… “Pse dicka që nuk është e mirë për Europën është e mirë për Shqipërinë?” Dhe më ironikja vjen më pas “Në se na kërkoni dicka që nuk e bëni vet, a na bën kjo më europianë apo e kundërta?”… Janë 600 mijë pyetje për një të vërtetë. Natyrisht!

Opozita kërkon që dialogun me Serbinë ta udhëheqë Kuvendi i Kosovës

Në tryezën e radhës së partive politike, e cila është thirrur nga Partia Social-Demokrate (PSD), është propozuar që procesin e dialogut me Serbinë ta udhëheqë Kuvendi i Kosovës.

Ky qëndrim i partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Social-Demokrate është në harmoni me kundwrshtimin e tyre ndaj rolit udhëheqës të presidentit Hashim Thaçi në fazën finale të bisedimeve me Serbinë.

Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së, ka theksuar se dialogu është një proces i rëndësishëm dhe se për këtë proces duhet të këtë dakordim të subjekteve politike.

“Ne do të tentojmë që të mbajmë takime bilaterale me subjektet politike dhe të shohim se cilat janë qëndrimet dhe a mund të kemi një tekst që së paku të dakordohemi për procesin, e që kjo do të hapte rrugën pastaj që të prezantohet një platformë shtetërore për negociatat”, ka thënë Ahmeti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë ftesë publike subjekteve politike për përfshirje në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kamp refugjatësh në Shqipëri? Media gjermane: Qeveria nuk është kundër, ja ç’thotë zv.ministri

Ndërkohë që kryeministri Rama i cilësoi fantazi gjithë sa u thanë për mundësinë e ngritjes së një kampi refugjatësh në Shqipëri, media gjermane ZDF në një reportazh të bërë sot shkruan se  qeveria shqiptare nuk është kundër.

“Më shumë refugjatë në Ballkanin Perëndimor”, ky ka qenë titulli i reportazh gjerman dhe kanë zhvilluar një intervistë me zv.ministrin e Brendshëm, Julian Hodaj.

“Në të ashtuquajturën rrugë Ballkanike Perëndimore nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera në Austri, numri i refugjatëve po rritet përsëri”, është kjo një pjesë nga reportazhi i ZDF.

 

Gazetarja gjatë përshkrimit të situatës thotë: “Sipas qeverise austriake në Shqipëri mund të krijohet qendër refugjatesh për gjithë BE. Edhe qeveria shqiptare duket se nuk është kundër. Ajo shpreson për mbështetje financiare dhe anëtarësim në BE”.

Në intervistën e tij Hodaj deklaroi se  Shqipëria ka kapacitete të mëdha për të mbajtur emigrantë, por nuk u shpreh qartë nëse do të ketë kampe.

“Shqipëria ka kapacitete të mbajë deri në 600 mijë refugjatë. E ka treguar këtë edhe në të kaluarën gjatë luftës së Kosovës”, ka thënë Julian Hodaj.

Ja çfarë ka thënë dhe kryeministri Bullgar disa javë më parë në Shqipëri.

“Në Shqipëri do të bëhet një qendër koordinimi për luftëtarët që kthehen nga ISIS në territorin e Ballkanit”, u shpreh Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, në konferencën e përbashkët për shtyp me Ramën disa javë më parë.

Reportazhi i ZDF: https://www.zdf.de/nachrichten/heute-19-uhr/mehr-fluechtlinge-am-westbalkan-100.html

Denoncim i Berishës: Rama gati të pranojë 600 mijë sirianë, ish-terroristë të ISIS. Në këmbim kërkon…

Ish-kryeministri Berisha shkruan sot se ndryshe nga sa eshte deklaruar, Rama eshte gati te prese  600 mije refugjate siriane, ish terroriste te ISIS ne kembim te hapjes se negociatave.

Berisha poston ne faqen e tij ne FB deklaraten e dhene nga zv.ministri i Brendshem Hodaj dhene per rrjetit televiziv me te madh gjerman ZDF.

Postimi i Berishes

Rama ofrohet te pranoje 600 mije refugjate siriane, ish terroriste te ISIS ne kembim te hapjes se negociatave!

Te dashur miq, Edi Rama me zedhenesin e tij Hodaj, deklaron sipas rrjetit televiziv me te madh gjerman ZDF, se Shqiperia ka kapacitete te plota per nje kamp prej 600 mije refugjatesh siriane ne Shqiperi. Rama perdor si argument pranimin nga Shqiperia te vellezerve nga Kosova gjate luftes per çlirimin e saj!

Shikoni videon dhe lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. sb

“Dr . Sapo e dha ZDF ja
Per Aufnahme Zentren per azilantet jan bo gati fringo te reja dhe Po funksonojne.
Zv ministri hodaj thote qe kan kapacitet dhe experience per deri ne 600.000 azilante nga siria etj”

SHBA do të krijojë forcën hapësinore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, urdhëroi ushtrinë amerikane të krijojë një degë të gjashtë të forcave të saj të armatosura: një forcë hapësinore.

Trump tha se ajo do të mbështesë sigurinë kombëtare dhe ekonominë me krijimin e vendeve të reja të punës.

“Nuk është e mjaftueshme që të kemi vetëm prani amerikane në hapësirë. Duhet të kemi dominim amerikan në hapësirë”, tha Trump.

Ai po ashtu premtoi se SHBA “do t’i rikthejë amerikanët në Hënë” dhe se do t’i dërgojë njerëzit në Mars.

“Unë po e drejtoj Departamentin e Mbrojtjes dhe Pentagonin që menjëherë të nisin procesin e nevojshëm për të krijuar një forcë hapësinore, si dega e gjashtë e forcave të armatosura”, tha Trump.