SONTE PO MË KRUHET FYTYRA…
Thonë kur të kruhet fytyra – kuakët në kënetë
Më përgojojnë me vetëtima, saç, mashë dhe perusti
Grindem me këmishën time, jam si ai bubi i qetë
Nëma o të vret, nëmëtari shitohet gjëkundi në vërri
Çudi! Sonte po më kruhet fytyra, oh, kjo kromë
S’po ndalet, fytyrën po e kruaj me gunën e leshtë
I zgjidhi shtatë nyje me drapër nisur në plaskomë
Me kosën e babait stivoi zëkosat lartë në kreshtë
Sonte po më kruhet fytyra ia mbatha në lum’
“Gabime kemi bërë, mik, kur fjalës besë i kemi zënë”
Fajet i ka përrocka pse s’pruri më tepër kum, as –
Fatin e gjyvendeve mesnatës kurrë se kam ngrënë
Sonte po më kruhet fytyra, nga sharje e rëndë
Se sharja syqenëz më fal hire… ka një burrëri
I patynzoni të shanë: në motër, grua dhe në nënë
Atëherë si ta ndajë davanë me horrin shpirtzi
Sonte po më kruhet fytyra, larg nëndë konaqe
– As grimën e mallkimeve se nxjerr, o njerëz të mirë
Me dorë në zemër po ju them, jo për sy e faqe, se –
Turma pa tru nderin s’ma lëndon në këtë mënyrë
E premte, 4 prill 2014,
Në Vendlindje
KËNGA PËR DATËLINDJEN TIME
– 5 prill 1948
Fjalët s’më duhen egjërisht, më duhet flatrim
Kohë e artë Diellit t’i thotë sa ka vajtë sahati
Stinëve lulja që flet, gjuha memece kërkon fjalën
Kush jeton mjerisht vallë mundet qiellin ta prek
Kam besuar në ëndërra dhe në një grusht si dje
Dhe dy net isha i dashururar në natë, sepse –
Derisa kredhesha n’ujin e jugut, veriu e gdhelte
Në arën time metaforën larg krimbave të verdhë
Duke ëndërruar unë nëpër festa ia futja gjumë
Sa larg zbutej rrufeja – malli digjej në xhamin
E dritareve blu; zjarrin e ndeza më 5 prill, e –
Im at e vente plisin në prag të derës, thërriste:
– Eja, ore velet se edhe historia mësohet kopile
– Unë, edhe sot dua anash të hesht stërnishtave
Dhe megjithate, sipas mëshirës së gjeografisë së vonë
Ugari në arën time s’pranon toponim tjetër të panjohur
Në sfondin mbarëqiellor jam ritmi i këngës
Dhe në çdo gjë jam dashuruar në jakën e rimave
Derisa yjët me duart e mia prijnë vallen e ndritur
Me lutjet e para gjunjem para ujit të bekuar. Amen!
E shtunë, 5 prill 2014,
Në Vendlindje
I THANË…
I thanë je darkë e gabuar sofrës së pashtruar
Dhe ai në zemër e skaliste agimin e truallësuar
I thanë do të varim në skeptrin e diellit, shtegtar –
Ai me dashuri i mbëltonte lulet reve të qiellit
I thanë do të zëmë me karrem peshk në thellësi
Ai me muzën hyjnore shëndriste në poezi
I thanë do të rroposim ujëvareve të Niagarës
Ai e bënte buzëqeshje edhe tymin e cigarës
I thanë s’do t’i lidhish nyjet e shkëputura
Ai nga bryma e kokës i niste me mijëra flutura
I thanë do të harrojmë si mullirin e plakur
Ai në kreshtë dilte pjalm – diell i përflakur
I thanë krushqit me nusen t’i kem ngrirë
Ai – tha – Antartikun e urrejtjes ua kam shkrirë
I thanë si Feniksin të shndërrojmë në hi
Ai hazërxhevap kaherë jeni pa anoreksi
I thanë t’i ndajmë pa i ndier rruazat e gjakut
Ai më prushërojnë vargjet flakës së blertë t’oxhakut
I thanë do të fundosim amforë në fund të detit
Ai jam unazë – indi i tylit moral i rrëmetit
Anamoravë,
E diele, 6 prill 2015
PËRSIATJA E FJALËS
Kush, të shiton kush më shumë se fjala fyese
Dhe të pavërtetën s’mund ta ndreqin 12 fise
Kur mugullon arsyeja në shpirt çiltërt breron
Vrerin ndër zemra e vërteta – pranveron
Fjalës pranverë kush si gëzohet – mëkon plagë –
O, njerëz me tru!, pas vetes mos leni vrragë
Ave! Gjërat e vogëla përherë mbuloi me fjalë
Hapësirës së tokës veni melhem mbi plagë!
Në Muçivërcë,
E entje, 10 prill 2014
HARRIMET E PAHARRUARA
S’mund të harrohen të nesërmet e thesarta
Vaporëve të përmbytur deteve valësh tjera
Harrimet e paharruara rëndisur me fjalë t’arta
As në mllef të padukshëm ose nga të fryjë era
Toka e shkëmbinjtë nga mëria shpesh lëkunden
Gjasat s’janë të vogëla – rritën të mëdha, e –
Andrrallat e botës në një djep nuk përkunden
Kyrie eleison![*] Barkës së Noes harrimet shfaqen beriha
Mister gjykatë e rreptë harrimet tona si harron
As rrjedhës së pëshpëritjeve në lumin pa vá
Na rritet luleloti, një gozhdë e dehur shuguron
Tërsëllimë bie rrufeja për një gjëmë ndahet dava
Futemi në harrim, dalim nga harrimi njerëzit druhen
Zbraztësinë e zbukurojnë – engjujt e perëndisë, mos –
Ta rrotullojmë madërgonën e ferrit në kryq ruhen
Nga ata të ligjët, poetët i japin shenjtëri poezisë
E shtunë, 19 prill 2014
KOHË TJETËR
Kohë tjetër ardhsh më e gjelbërt se bari
Mos mbiftë harrimi ku i shkriftë pret ugari
Ugari i vjeshtës gjithmonë ndjell behar, dhe –
Të korrat e dashurisë tevona futen në hambar
Kohë tjetër tejpërtej vjen – qumësht zogu –
Ime ëmë përgatiste melhem me lule shtogu
Kohë tjetër me pergamenë besoj do shkruhet
Unë kënaqem me pak – vargu im nuk druhet
Para luftërave, pas paqes s’do pres kohë tjetër
Fytyrëpërgjakur mos më shiko vëngër, ti mik i vjetër (!)
Fajtor është merhumi, mbrojtja – thot – jo dorasi
Kohë tjetër çdo gjë s’tregon, armë më nuk plasi
Anamoravë,
E premte, 18 prill 2014
NDESHTRASHA
E hëna me hënën ndezin strallin orgji
Dhe thanë le të presim të dehur zbaticë
Flakë e përhime le të ngulitet në spicë
E drejta e Zotit si sillet rrota se di, e –
Din ustallarët brendë unazës së ferrit
Trillojmë gjysmëhije shpikin një tjetër mënyrë
Në moh gjëmon shkëmbi nëpër çdo gjymtyrë
Funeral sëpata mbi trungun e mnerit, zbret –
Qerpikëve mallkimi, zbret i zjarrmosur
Nëpër mëri ç’po balsamohen vitet e gjata, tej –
Ditën godet nëmëtimi – murtajë shtrëngata
Kacatorret e gjakur lëngim kanë lënguar, dihet –
Ndeshtrasha memece – shushunjë vjen
E ndërsejnë shqeria plagën tonë nën plis
Në palcën e eshtrave i brymosur ndoj’ pis
Nën rrashtë ka mbetur dhe na kërkon ujem
Në Vendlindje,
E premte, 2 maj 2014
PSE FRIKËSOHI
– S’jam Pan, as sakrament –
Pse frikësohi nga unë – jetëshkurtër – o
Paçka se më shikoni egër e vëngër si lubi
E gjeta origjinën tuaj ore bijë bushtër
Si qenzagarë i shërbeni sllavit me besnikëri
Unë s’frikësohem nga ju në rrugë e korije
Në krojet e cemta keni derdhur helm, endur –
Pak kuptoni se jeni të ngratë, shenjëzie, që –
Do ju plandosin vargjet e mia me shqelm
Unë s’frikësohem nga ju s’më zë trishtim
Ju kurrë s’harroni zakon – jeni bolshevik! –
Arkëmorti juaj është që ju bren mjerim, ofshe –
Zgjatni thonjtë zgjatni, thonjtë leshterik
Unë s’frikësohem nga potirët tuaj, ligësitë
Skëterrash me spermë hijenash jeni ngjizur
Ndër epruveta i keni qelbosur profecitë, pa skenë –
Dhe çmendurisë suaj ngriheni brevë të nekrofilur.
Në Shkup,
E mërkurë, 24 shtator 2014
[*] Zot ki mëshirë!
Komentet