VOAL

VOAL

Përfaqësuesi i konservatorëve britanikë: Pse duhet qeveri teknike (intervistë)

April 17, 2017

Komentet

Intervista- Joseph: Humbja e Orbanit, dritare e re për Kosovën, goditje e rëndë për Vuçiçin

Valona Tela

Humbja e Viktor Orbanit në zgjedhjet në Hungari krijon një dritare të re mundësie për Kosovën, vlerëson Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve.

Ai e përshkruan largimin e liderit hungarez pas 16 vjetësh në pushtet si një “goditje” për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se ai ka qenë një faktor kyç që i ka dhënë Beogradit hapësirë manovrimi brenda BE-së.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta shfrytëzojë këtë “dobësim të Vuçiqit”, të tregojë përgjegjësi shtetërore dhe ta pozicionojë Kosovën si faktor stabiliteti, duke i lënë pas qasjet përçarëse.

“Ashtu siç administrata Trump nuk është e interesuar për lojërat e Vuçiqit, ajo nuk është e interesuar as për ato të Kurtit. Pezullimi i Dialogut Strategjik shtatorin e kaluar ishte dëshmi për këtë”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.

Joseph flet edhe për përplasjet mes SHBA-së dhe Evropës dhe ndikimin e tyre të mundshëm në Kosovë, në kohën kur në BE po shtohen thirrjet për më shumë autonomi në fushën e mbrojtjes.

Megjithatë, sipas ekspertit amerikan, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar – si boshti kryesor i NATO-s dhe garantuesi kryesor i sigurisë në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Në disa deklarata së voni keni thënë se politika perëndimore në Ballkan shpesh është e paqartë dhe jokonsistente. Në Evropë po shtohen diskutimet për uljen e varësisë nga Shtetet e Bashkuara në çështjet e mbrojtjes. Si i vlerësoni pasojat e këtij trendi për sigurinë e Kosovës?

Edward P. Joseph: Tensionet e paprecedenta në marrëdhëniet transatlantike dhe në NATO, që burojnë nga lufta në Iran dhe çështje të tjera të diskutueshme, kanë ndikim në të gjithë Evropën, përfshirë Ballkanin.

Për momentin, jam shpresëplotë se nuk do të ketë ndryshime në qëndrimin e SHBA-së ndaj [misionit të NATO-s në Kosovë] KFOR. Anëtarë të njohur të Kongresit nga të dyja partitë, Republikane dhe Demokrate, i kanë shkruar sekretarit të Shtetit [Marco] Rubio, duke i kërkuar që të mos ketë ndryshime në praninë e SHBA-së në KFOR.

Megjithatë, divergjenca mes Evropës dhe SHBA-së vazhdon dhe, pavarësisht kësaj, Evropa ende ka nevojë për SHBA-në për sigurinë e përgjithshme. Uashingtoni mbetet boshti kryesor i NATO-s, ndërsa NATO-ja mbetet boshti i sigurisë në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Ju shpesh keni theksuar rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm të SHBA-së në Ballkan. Nëse Evropa merr një rol më autonom në fushën e mbrojtjes, a prisni ndonjë ndryshim në angazhimin e Uashingtonit në Kosovë?

Edward P. Joseph: Unë, si shumë të tjerë, besoj se çdo tërheqje apo ulje e pranisë së SHBA-së në KFOR-i, është krejtësisht e parakohshme.

Po, është e rëndësishme që Evropa të ndërtojë më shumë kapacitete për sigurinë e saj dhe Evropa po e bën këtë. Megjithatë, Evropa nuk gëzon besueshmërinë e SHBA-së dhe besueshmëria është përbërësi kyç për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan.

Rritja e vazhdueshme e armatimit në Serbi – përfshirë blerjen e raketave supersonike kineze – është një shqetësim serioz. Çfarë kërcënimi synojnë të luftojnë këto raketa?

Alarmet e vazhdueshme dhe të ekzagjeruara në Beograd për Deklaratën e Përbashkët të Sigurisë mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës janë gjithashtu shqetësuese, pasi Beogradi duket se po e përdor atë si pretekst për t’u armatosur dhe për të krijuar artificialisht një ndjenjë rreziku brenda vendit.

Radio Evropa e Lirë: Keni paralajmëruar më herët për paqartësitë në politikën e Perëndimit ndaj Serbisë. Debatet aktuale për “autonominë strategjike” të BE-së, a mund – pa dashje – t’i krijojnë Serbisë ose Rusisë mundësi për të testuar sa i bashkuar është Perëndimi në rajon?

Edward P. Joseph: Jo, nuk shoh asnjë lidhje mes autonomisë strategjike evropiane dhe politikës perëndimore ndaj Serbisë. Përkundrazi, shoh një ashpërsim të vonuar të qëndrimit të BE-së ndaj Serbisë.

[Komisionarja për Zgjerim e BE-së] Marta Kos ka kritikuar Beogradin për ligjet në gjyqësor. Po ashtu, po diskutohet seriozisht mundësia e pezullimit të një pjese të konsiderueshme të fondeve të BE-së.

Në të njëjtën kohë, administrata Trump nuk duket e interesuar për lojërat e Vuçiqit.

Uashingtoni e ka befasuar Beogradin me qëndrimin e fortë për nxjerrjen e rusëve nga [Industria e Naftës] NIS. Shpresohet që zgjedhjet në Hungari ta përshpejtojnë shitjen e NIS-it te [kompania hungareze] MOL.

Rusia dhe mbështetësit e saj kryesorë në Serbi nuk mund të jenë të lumtur që [kryeministri në largim i Hungarisë] Viktor Orban nuk do të jetë më ai që mbikëqyr MOL-in dhe kontrollin mbi NIS-in.

Humbja e partisë Fidesz të Orbanit në zgjedhjet në Hungari vetëm sa mund ta inkurajojë BE-në që, më në fund, të mbajë përgjegjës Beogradin dhe presidentin Vuçiq për reformat, për shtypjen e brendshme dhe për politikat destabilizuese ndaj fqinjëve të Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Në kontekstin e dialogut të ngecur midis Kosovës dhe Serbisë, a mund ta përmirësojë një qëndrim më i fortë mbrojtës i BE-së ndikimin e saj politik? Apo mungesa e unitetit të brendshëm të BE-së mbetet pengesë kryesore…

Edward P. Joseph: Kjo e dyta – ndarjet e brendshme në BE lidhur me Kosovën – është pengesa e vërtetë për ndikimin politik të BE-së në Ballkan.

Në fakt, siç kam shkruar dhe deklaruar edhe më herët, katër vendet e NATO-s që nuk e njohin Kosovën – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – e mbajnë të ngrirë këtë ngërç dhe e mbajnë rajonin të bllokuar.

Këto katër vende anëtare të NATO-s ia dorëzojnë në të vërtetë ndikimin Serbisë, duke i dhënë në mënyrë efektive Beogradit një lloj vetoje mbi lëvizjet e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së.

Nuk ka nevojë të merret në konsideratë ndonjë forcim ushtarak nga Evropa, kur Evropa është ende e ndarë politikisht për shkak të Kosovës. Në SAIS, kam publikuar dy punime për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Së pari, Ukraina mund ta njohë Kosovën – gjë që do të nxiste njohjen nga Greqia, e më pas nga Rumania dhe Sllovakia. Spanja, pastaj, do ta ndiqte natyrshëm këtë rrugë.

Së dyti, SHBA-ja mund të ofrojë një rrugë për anëtarësimin e Serbisë dhe Kosovës në NATO. Kjo do të ishte menjëherë transformuese për gjithë rajonin.

Por, për ta arritur këtë, Evropa duhet fillimisht të tejkalojë krizën aktuale në marrëdhëniet me administratën Trump.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë mjedis në ndryshim, cili duhet të jetë prioriteti kryesor strategjik i Kosovës?

Edward P. Joseph: Prioriteti strategjik i Kosovës duhet të jetë pikërisht shfrytëzimi i vështirësive të Vuçiqit për t’u shfaqur si një shtyllë stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkan. Pas takimeve të tij në Paris dhe Londër, tani është momenti për kryeministrin Albin Kurti që ta stabilizojë situatën në Kosovë.

Kurti duhet të tregojë përgjegjësi shtetërore dhe të bashkëpunojë me opozitën për një zgjidhje kompromisi për presidentin.

Kurti, gjithashtu, duhet të ndërmarrë hapa të veçantë për të treguar përkushtimin e tij të fortë ndaj komuniteteve joshumicë.

Ai duhet t’i vizitojë serbët dhe të deklarojë angazhimin e tij të plotë, se shërbimet shëndetësore dhe shërbimet e tjera do të vazhdojnë pa ndërprerje, derisa institucionet dikur serbe të integrohen në Republikën e Kosovës.

Ndërsa Vuçiq përballet me një vëmendje gjithnjë e më të madhe nga BE-ja – ku ai nuk e gëzon më mbrojtjen e Viktor Orbanit – Kurti mund ta shfrytëzojë këtë situatë.

Tani është momenti për të vendosur interesat e Kosovës në plan të parë dhe për të treguar kapacitete shtetërore si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: A ka qenë Orbani deri më tani një nga faktorët kryesorë që i ka dhënë Serbisë hapësirë për manovra brenda BE-së?

Edward P. Joseph: Po, Orban ka qenë faktor kyç – por jo i vetmi – që i ka dhënë Vuçiqit hapësirë manovrimi brenda BE-së.

Së pari, humbja e madhe zgjedhore e Orbanit është një tjetër goditje për Vuçiqin. Ndikimi në Beograd është shumë më i madh sesa arrestimi i Nicolas Maduros në janar, që gjithashtu erdhi si surprizë për presidentin serb. Këtë herë, ndikimi ndihet edhe në Uashington dhe në Moskë, duke goditur gjithë agjendën populiste-autoritare dhe proruse.

Së dyti, humbja e Orbanit është një shtysë për opozitën në Serbi në një vit zgjedhor. Krahasimi është i dukshëm për të gjithë: ‘nëse hungarezët mund ta largojnë Orbanin, atëherë serbët mund ta largojnë Vuçiqin dhe SNS-në’.

Së treti, kjo humbje rrit vetëbesimin e BE-së, pikërisht në momentin kur Vuçiq po përballet me një vëzhgim gjithnjë e më të madh. Komisioni i Venecias pritet të japë opinion për ligjet kontroverse për gjyqësorin, ndërsa Parlamenti Evropian pritet të publikojë një raport që ka gjasa ta trajtojë presionin e Beogradit ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe opozitës.

Shkurt, humbja e Orbanit i heq Beogradit mbrojtësin e tij kryesor brenda BE-së, ndërsa njëkohësisht dobëson aleatët e Vuçiqit në Uashington dhe Moskë.

Dhe, siç është parë, administrata Trump nuk i ka ofruar Vuçiqit mbështetje të fortë siç i ka dhënë Orbanit.

Budapesti mori një zgjatje njëvjeçare për importin e naftës dhe gazit rus, ndërsa Beogradi u përball me sanksione ndaj NIS-it, që çuan në mbylljen e rafinerisë në Pançevë. Kjo do të thotë se tani ka edhe më pak arsye që Uashingtoni ta mbështesë Vuçiqin.

Radio Evropa e Lirë: Thatë pak më herët se tani është momenti për Kurtin që t’i vërë interesat e Kosovës në plan të parë dhe të tregojë aftësi shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Duke pasur parasysh që Kosova mbetet vendi më i prapambetur në integrimin në BE… çfarë përfitimesh konkrete mund të presë realisht në këmbim?

Edward P. Joseph: Zgjedhjet në Hungari krijojnë një mundësi të rëndësishme për Kurtin, nëse ai di ta shfrytëzojë atë.

Me Aleksandar Vuçiqin të dobësuar dhe Serbinë që hyn në një periudhë të tensionuar zgjedhore, nën një vëzhgim gjithnjë e më të madh nga BE-ja, Kosova mund të shfaqet si një burim stabiliteti.

Për ta arritur këtë, kryeministri Kurti duhet të heqë dorë nga populizmi i tij përçarës. Ai duhet të ndërtojë konsensus për një president të ri, duke shmangur zgjedhjet e përsëritura që janë të panevojshme dhe shpërqendruese.

Në këmbim, Kosova mund të presë mbështetje të re në Bruksel, në kryeqytetet e BE-së dhe në Uashington.

Ashtu siç administrata Trump nuk është e interesuar për lojërat e Vuçiqit, ajo nuk është e interesuar as për ato të Kurtit. Pezullimi i Dialogut Strategjik shtatorin e kaluar ishte dëshmi për këtë.

Kurti ka mundësinë të ndryshojë perceptimin – një perceptim që e dëmton Kosovën – se ai është një nxitës problematik. Në vend të kësaj, ai mund të tregojë se ai dhe Kosova janë partnerë të vlefshëm për BE-në, NATO-n dhe SHBA-në.

“PS po shkon drejt fundit, po e gërryen korrupsioni”, ish-ministri sulmon Ramën: Partia e kryetarit, jo e anëtarëve! Qeveri tranzitore (Intervista)

VALENTINA MADANI/ Ish-ministri socialist, Arben Malaj, ka një qasje kritike dhe njëkohësisht alternative ndaj zhvillimeve politike aktuale në vend, me fokus të veçantë te situata brenda PSsë dhe ambicia e tij për të kandiduar në Bashkinë e Vlorës.

 

Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, me tone të forta, Malaj ngre alarmin për një parti që, sipas tij, ka humbur identitetin demokratik, është zhytur në korrupsion dhe është kthyer në një strukturë të centralizuar, ku mendimi ndryshe nuk ekziston më. Duke vënë në shënjestër drejtimin e Edi Ramës, Malaj flet për “kapje të shtetit”, manipulim të votës dhe një klimë frike që, sipas tij, po mban në këmbë pushtetin. Nga çështja “Balluku”, tek apatia qytetare dhe mungesa e protestave, ai flet për një panoramë të errët të realitetit politik, ndaj sipas tij, një qeveri tranzitore, por jo e partive politike mund të kthejë besimin e shqiptarëve te vota e lirë. Paralelisht, ai paraqet kandidimin e tij si një akt mirënjohjeje dhe përgjegjësie ndaj Vlorës, duke premtuar një stil drejtimi më të hapur, më njerëzor dhe më të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Z.Malaj, si e shihni klimën aktuale brenda Partisë Socialiste?

PS ka sfida shumë të mëdha, së pari për të kaluar nga një parti e kryetarit, në një parti të anëtarëve të saj. Pa e fituar këtë sfidë të brendshme, PS-ja do të venitet në misionin e saj si një forcë politike demokratike dhe qeveritë e saj do të jenë përherë e më të prekura nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, siç po ndodh aktualisht.

A ka sot PS-ja hapësirë për mendim ndryshe apo dominon një model i centralizuar vendimmarrjeje?

Fatkeqësisht jo. Mendimi ndryshe dhe liria e mendimit të lirë janë shkelur rëndë që ditën e parë që Edi Rama mori drejtimin e një prej partive më demokratike në vend, duke hequr kështu edhe një model referues pozitiv dhe inspirues, për të cilin ka nevojë ambienti shoqëror dhe politik shqiptar. Vdekja klinike e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe u bë me ndryshimet kushtetuese në 2008, ku u vërtetua edhe vëllazëria siameze e Ramës me Berishësn.

PS shkon në zgjedhjet e ardhshme lokale me një faturë të madhe mbi supe, atë të korrupsionit qeveritar. Sipas jush, sa do ta dëmtojë atë në zgjedhje?

Po, shembulli konkret është Vlora, ku pjesëmarrja në votime si për zgjedhjet parlamentare, edhe për bashkinë është e paimagjinueshme dhe e papranueshme, përveç faktit se sa shumë është rritur zhgënjimi dhe mosbesimi tek ‘Rilindja’.

Si e shpjegoni mbështetjen e vazhdueshme që PS-ja i jep Belinda Ballukut, pavarësisht se është marrë e pandehur nga SPAK dhe ka akuza të forta për afera korruptive?

Vlerësoj se edhe vetë znj.Balluku nuk duhet të pranojë të keqtrajtohet nga Rama në emër të besnikërisë. Patjetër, gëzon prezumimin e pafajësisë, por ka raste në politikë që politikanët i bëjnë një shërbim vendit duke bërë një ose dy hapa pas. Pa pranuar fajësinë pa vendim gjyqi, por duke investuar për kredibilitetin publik edhe pa mandat publik si ministre apo deputete, edhe përgjegjësi për të mos vonuar apo bllokuar perspektivën evropiane të vendit të saj.

A rrezikon kjo situatë besueshmërinë e PS-së në sytë e qytetarëve?

Patjetër. Rama fiton jo nga sukseset ekonomike, por nga sukseset e jashtëzakonshme të ndikimit abuziv dhe patronazhistëve në kërcënimin dhe vjedhjen e votave. Populli shqiptar ka një shprehje shumë domethënëse për mbretërit lakuriq: “Nuk mbulohet dot dielli me shoshë”. Diellin verbues të korrupsionit, kapjes së shtetit dhe babëzisë nuk e mbulon dot asnjë shoshë oborrtare.

Cila është zgjidhja sipas jush, sa imediat është rotacioni politik në Shqipëri?

Fillimisht duhet një qeveri tranzitore, por jo e partive politike. Kjo rikthen besimin se vota nuk do të vidhet, krijohet shpresë dhe angazhimi i kërkuar politik i shumicës së shqiptarëve dhe vlonjatëve.

Pse shqiptarët nuk ngrihen kundër qeverisë, pavarësisht abuzimit të qeveritarëve me taksat e tyre?

Këtë e qartëson një profesor i Yale University, i cili thekson se: “Kur votuesit humbasin besimin se vota e tyre sjell ndryshim, autokratët vijnë në pushtet pa tanke”. Ndaj thelbi i fushatës sime në Vlorë është të rritim pjesëmarrjen. Nuk ka qeveri, sado hajdute dhe e kriminalizuar të jetë që mund të mbytë vullnetin e qartë të disa qindra mijëra votuesve. Fitoren time e synoj në rritjen e ndërgjegjësimit të votuesve vlonjatë. Masivizimi i tyre në votime mbyt në mënyrë demokratike çdo skemë hajdute të votave.

Në këtë mjedis politik, ju keni shpallur kandidaturën për garën e kryebashkiakut të ri të Vlorës. Sa reale është ambicia juaj në këtë rast dhe çfarë ju motivon konkretisht?

E plotë, e qartë, e panegociueshme për të bërë hap pas. Mirënjohje e thellë e përditshme dhe e përhershme si edhe deri sot për Vlorën dhe vlonjatët, që më kanë inspiruar, mbështetur dhe promovuar në rrugëtimin e vështirë njerëzor, publik, akademik dhe politik.

Pse ky vendim si kandidat i pavarur, ndërkohë që angazhimi juaj politik ka qenë prej vitesh në PS?

Kur një derë u mbyll më 2013-ën, patjetër portat/horizonti i pakufizueshëm i Vlorës e lehtësojnë këtë angazhim të përkushtuar. U jam mirënjohës gjithë socialistëve, por në asnjë rast nuk do të konkurroja, për asnjë post publik, me logon e lyrosur të rilindasve të babëzitur. Kjo është një vijë e kuqe që nuk do ta shkel kurrë. Po e ripërsëris: kurrë nuk do të jem kandidat i ‘Rilindjes’ së babëzitur, të korruptuar dhe të kapur nga interesa të pista jo vetëm personale.

A keni pasur bisedime me PS që të merrnit mbështetjen e saj për ambicien tuaj?

Jo, sepse nuk është më PS-ja.

Çfarë doni të thoni se nuk është më PS-ja?

‘Rilindja’ në thelbin e saj aktual nuk ruan më asnjë vlerë të PS-së si parti demokratike e fjalës e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe.

Cilat kanë qenë reagimet pas deklaratës suaj për garën e Vlorës?

Shumë pozitive. Po ju them vetëm një fakt: në momentin që e bëra prezent këtë ambicie pozitive, detyruese dhe mirënjohëse ndaj Vlorës, e kanë parë këtë postim rreth 178 mijë veta. Kam mesazhe shumë inkurajuese dhe të sinqerta nga personalitete dhe të rinj të diasporës. Ndjej respekt kur kaloj rrugëve të Vlorës. Unë jam bashkërritur me Vlorën dhe vlonjatët e kjo më krijon premisë pozitive për këtë konkurrim.

Çfarë keni konkretizuar deri tani lidhur me garën për Vlorën?

Nuk dua kurrë t’i lodh vlonjatët me një vit fushatë para nisjes së saj zyrtare, siç bën Rama. Fushata ime do të jetë derë më derë, mirënjohëse, pozitive, paqësuese dhe bashkëpunuese. Larg sulmeve dhe akuzave shpifëse. Fushata zyrtare do të jetë vetëm brenda afatit njëmujor që përcakton Kodi Zgjedhor, por puna ime për të njohur problematikën, zgjidhjet për problemet e pazgjidhura prej dekadash ka filluar. Një grup ekspertësh, pa asnjë preferencë specifike politike, kanë filluar të angazhohen për prioritetet dhe sfidat konkrete të Vlorës.

Cilat janë avantazhet tuaja në këtë garë?

E para, është dhënia fund modelit të arrogancës së qeverisjes. E dyta, një model zhvillimi jo duke betonizuar Vlorën, por me vizionin afatgjatë të ‘Vlora2’, duke e mbajtur edhe të gjelbëruar Vlorën aktuale dhe jo kulla në çdo cep të saj. Duhet të orientohemi drejtë te modeli ‘Milano1’ dhe ‘Milano2’. E treta, dhe më thelbësore, do t’i shërbej Vlorës me integritet të lartë dhe të patregtueshëm. Këtë të fundit e vërteton me një fakt. Edhe se unë kisha një familje të madhe me nëntë fëmijë, edhe pse kam mbajtur pozicione të larta politike dhe qeverisëse, asnjë prej vëllezërve dhe motrave të mia, ndryshe nga kolegët e babëzitur, nuk ka përfituar asnjë qindarkë fonde nga buxheti i shtetit. Me të njëjtin integritet do të konkurroj dhe do t’i shërbej Vlorës. Do të konkurroj dhe do të përfundoj çdo mandat publik dhe politik duke jetuar në të njëjtën shtëpi modeste në Vlorë.

Çfarë mungon sot në drejtimin e Bashkisë së Vlorës?

Rama i ka keqtrajtuar të zgjedhurit e popullit të Vlorës duke i nënvleftësuar dhe deri duke i poshtëruar edhe publikisht. Rama e ka reduktuar funksionin e kryetarëve të bashkive deri në nivelin e drejtorëve të ndërmarrjeve komunale të paraviteve ‘90. Administrata publike e bashkisë keqtrajtohet, sikur detyrimi i saj të jetë vetëm të bëhen patronazhistë sybesnikë të palodhur për vjedhje të votave. Shumë prej tyre përzgjidhen nga sistemi i “patronazhistëve” pa minimumin e ndjesisë dhe përgjegjësisë ndaj Vlorës. Mos harroni shkarkimin me urdhër të Ramës të 24 administratorëve të bashkisë.

Cili do të jenë vizioni juaj për Vlorën?

Premtoj dhe garantoj se do të zhduk modelin makiavelist të drejtimit të Vlorës në bashki, institucione, agjenci dhe ndërmarrje publike. Rama qeveris me filozofinë makiveliste: “Më mirë të më kenë frikë sesa të më duan”. Në çdo angazhim timin publik, akademik dhe politik, mbi 40 vite udhëhiqem gjithnjë nga filozofia: “Më mirë të më duan sesa të më kenë frikë”.

Do ta reduktoj ndjeshëm arrogancën e frikës në çdo aspekt që shfaqet. (i) Tatimet, taksat dhe çdo institucion tjetër në varësi të bashkisë nuk do të paraqitet më për asnjë kontroll fizik në asnjë biznes. Analiza kundër informalitetit dhe mospagimit të taksave do të bëhet me analizë risku nga zyra. Edhe ballafaqimi do të bëhet në zyrat e taksave dhe bashkisë. (ii) Policia Bashkiake nuk do të ketë më makina dhe qëndrime fodulle nga xhamat e makinave, por do të operojë me këmbë ose biçikleta, duke i dhënë respekt maksimal çdo vlonjati dhe çdo turisti. (iii) Asnjë kontroll i zhurmshëm nëpër restorante dhe hotele gjatë sezonit ku tremben klientët, ky do të jetë një kujtim i hidhur nga e kaluara. (iv) Ndërmarrjet e bashkisë me humbje do të ristrukturohen rrënjësisht, duke vlerësuar çdo specialist dhe punëtor, por duke bërë ndërhyrjet e nevojshme që këto ndërmarrje të mos grabisin asnjë qindarkë të tatimpaguesve. (v) Praktika e turpshme e heqjes së aksesit në ujë apo bllokimi i ashensorëve në fillim të sezonit do të ndalohet menjëherë. Çdo vlonjat vendas dhe i ardhur, çdo turist vendas apo i huaj nuk do të përballet më me këtë arrogancë imponuese, prerjen e ujit dhe bllokimin e ashensorëve. Administratorët, nëse tolerojnë këto dy shkelje të dinjitetit njerëzor, rrezikojnë të humbasin vendin e punës. (v) Patronazhistët e ndërmarrjeve publike, duke filluar nga ujësjellësi, të rritur ndjeshëm në numër vetëm për të imponuar apo vjedhur votat, do të përballen me ligjin dhe shkeljen e Kodit të Etikës së çdo punonjësi të bashkisë dhe ndërmarrjeve publike e institucioneve të saj. Çdo projekt, përfshi këtu edhe Sazanin, i cili në qoftë se ka marrë të gjitha lejet sipas legjislacionit shqiptar për të investuar në Vlorë, nuk mund të pengohet. Kjo, sepse kostot janë shumë të rënda për tatimpaguesit shqiptarë. Çdo projekt i miratuar do të ndihmohet edhe nga Bashkia Vlorë, që të bëhen sa më parë funksionalë, të krijojnë vende pune dhe të ardhura. Mos harroni, rasti i pallatit “Basha”: i hedhur në erë me dinamit po u kushton shqiptareve 15 milionë euro, ndërsa rasti “Bechetti” rreth 150 milionë euro.

Njëherësh me ju, edhe Erion Braçe ka shprehur ambicien për Bashkinë e Tiranës. Si e shihni mundësinë e tij…?

Personalisht e kam mbështetur historikisht lirinë e mendimit të lirë, lirinë e mendimit ndryshe dhe sidomos angazhimin e tyre në sfidat e PS-së, të cenuara rëndë nga modeli i babëzisë së ‘Rilindjes’. Erionin e kam mbështetur publikisht kur kandidoi dhe fitoi ndjeshëm në zgjedhjet parlamentare. Erioni i ka lënë të hapura mundësitë të jetë kandidat në emër të PS-së, por ka theksuar se nëse PS nuk e kandidon, ai do të konkurrojë edhe i pavarur. Mundësitë apo pamundësitë për këtë ambicie mund t’i qartësojë vetëm Erioni, sikurse po bëj unë sot, duke rikonfirmuar se do të kandidoj si kandidati i pavarur në Vlorë.

A është ai një kandidat që bashkon apo përçan brenda PS?

Çdo garë që ka qëllime pozitive, asnjëherë nuk përçan, përveç tremb një pjesë të lidershipit të PS-së, që mund të bëjnë gjithçka për ta penguar.

Kush mendoni se ka më shumë gjasa të jetë kandidati zyrtar i PS-së për Tiranën?

Ndjesë, nuk mund të bëj analiza të brendshme kur kam shumë vite që jam më shumë se shumë larg nga prapaskenat dhe poshtërsitë e brendshme të një pjese të lidershipit të ‘Rilindjes’.

/Gazeta Panorama 

Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë sheh rreziqe në rritje, ndërsa afati i Trumpit për Iranin afrohet (Intervista)

Alex Raufoglu

Me një ultimatum që skadon më 7 prill në orën 20:00, sipas kohës lindore, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi Iranin se infrastruktura e tij mund të goditet brenda pak orësh, nëse ai nuk i përmbush kërkesat e tij, sidomos për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Teherani i refuzoi propozimet për një armëpushim afatshkurtër, duke kërkuar përfundim të përhershëm të armiqësive dhe garanci kundër sulmeve të ardhshme.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me ish-drejtorin për Iranin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Nate Swanson, aktualisht bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, rreth krizës në rritje dhe perspektivave për diplomaci.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i SHBA‑së ka dhënë një ultimatum të ashpër, duke paralajmëruar se infrastruktura e Iranit mund të përballet me sulme të mëdha brenda pak orësh, nëse kërkesat kryesore nuk plotësohen. Nga përvoja juaj, sa realist është një shkatërrim aq i shpejtë dhe në shkallë të gjerë i sistemeve të decentralizuara të Iranit? Dhe, a është ky më shumë një sinjal strategjik sesa një kapacitet i vërtetë operacional?

Nate Swanson: Vlerësimi im është se kjo po bëhet kryesisht për arsye psikologjike – për të nxjerrë koncesione nga Irani dhe për të nxitur një formë marrëveshjeje. Nuk mund ta them përfundimisht nëse SHBA-ja mund t’i godasë të gjitha ato objektiva në një afat aq të shkurtër kohor, por infrastruktura e Iranit është shumë e decentralizuar.

Ekzistojnë dhjetëra sisteme të ndara energjie, nyje transporti dhe rrjete të tjera kritike. Ideja e neutralizimit të çdo ure ose nyje kyç brenda pak orësh, duket e pabesueshme.

Kjo i përshtatet një modeli më të gjerë: kërcënim me pasoja maksimale për të fituar avantazh.

Deri tani, politika e presionit maksimal nuk e ka ndryshuar në thelb vendimmarrjen iraniane dhe nuk e ka detyruar Teheranin për t’u dorëzuar.

Edhe një përshkallëzim i tillë nuk duket se do të ndryshojë llogaritjen e tyre, por, në fund, ky është një vendim që i takon udhëheqjes iraniane.

Radio Evropa e Lirë: Po dëgjojmë edhe për përpjekjet diplomatike. Pakistani ka nxjerrë një kornizë me dy nivele – të ashtuquajturën “Marrëveshje e Islamabadit” – duke propozuar një armëpushim 45-ditor, të ndjekur nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Nga perspektiva juaj, cilat janë vijat e kuqe kryesore të Iranit dhe a ka ndonjë rrugë të mesme?

Nate Swanson: Irani po kërkon garanci se kjo luftë nuk do të rifillojë brenda pak muajsh. Ata duan siguri se armëpushimi është i përhershëm – jo i përkohshëm. Kjo është arsyeja pse ata po refuzojnë gjuhën afatshkurtër dhe po insistojnë në kushte të tjera.

Komponenti i dytë është ekonomik. Irani po përpiqet të përfitojë nga kontrolli i tij mbi Ngushticën e Hormuzit. Ata i referohen kësaj si dëmshpërblim, por në praktikë mund të marrë forma të ndryshme. Në thelb, krijon një mekanizëm zyrtar për të pasur vazhdimisht përfitime ekonomike, të lidhura me këtë rrugë ujore.

Ajo që ka ndryshuar në ditët e fundit, është se Irani duket gjithnjë e më i sigurt – ndoshta edhe tepër – për atë që mund të arrijë.

Kërkesat e tij janë zgjeruar, duke përfshirë edhe çështje më të gjera rajonale, siç është konflikti në Liban – çështje që më parë nuk kanë qenë kyç në pozicionin e tij.

Kjo i rrit ndjeshëm pengesat për një marrëveshje afatshkurtër dhe e bën edhe më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje brenda afatit.

Radio Evropa e Lirë: Brenda Iranit ka pasur ndryshime në lidership. A ka mbështetje për një fraksion më pragmatik që po shfaqet, apo po e forcojnë kontrollin grupet radikale të vijës së ashpër?

Nate Swanson: Sistemi është jashtëzakonisht i errët. Edhe për ata që e ndjekin nga afër Iranin, është shumë e vështirë të përcaktojnë se kush po merr në të vërtetë vendime.

Megjithatë, mbështetësit e vijës së ashpër janë qartazi të inkurajuar.

Disa figura kanë fituar ndikim në zhvillimet e fundit, dhe trajektorja e përgjithshme tregon një pjesëmarrje më të fortë të vijës së ashpër në vendimmarrje.

Nëse kjo përbën një konsolidim të plotë të pushtetit, është ende e paqartë – është thjesht shumë herët për ta thënë. Këto lloje tranzicionesh zakonisht zhvillohen me kalimin e kohës.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti Trump tha se iranianët mund të jenë të gatshëm t’i durojnë humbjet e infrastrukturës në këmbim të lirisë. A është ky vlerësimi juaj?

Nate Swanson: Shoqëria iraniane nuk është monolitike. Sigurisht që ka njerëz që duan që regjimi të shembet, dhe ka të tjerë që e mbështesin fuqishëm atë. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë bie diku në mes dhe është përqendruar kryesisht në mbijetesën e përditshme.

Pritjet e mia për mobilizim masiv janë të ulëta. Ndërsa disa segmente mund ta mbështesin presionin e vazhdueshëm, shumë të tjera, thjesht, duan që konflikti të përfundojë. Është shumë e vështirë të përgjithësohet, dhe nuk do të supozoja një përgjigje të unifikuar nga popullsia.

Thirrja për kryengritje në mjedisin aktual është jashtëzakonisht e rrezikshme. Protestat janë shtypur brutalisht dhe nuk ka pasur dezertime domethënëse nga aparati i sigurisë. Inkurajimi i njerëzve për të dalë në rrugë, mund të vërë jetë në rrezik – pa prodhuar rezultate të prekshme.

Në planin afatgjatë, fokusi duhet të jetë te ndikimi në vendimmarrjen e udhëheqjes së Iranit. Kushdo që qeveris Iranin, duhet të kuptojë se zgjedhjet e tyre do të përcaktojnë nëse vendi stabilizohet dhe lulëzon, apo mbetet i izoluar dhe në konflikt.

Radio Evropa e Lirë: A është bërë kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit pikë qendrore e negociatave?

Nate Swanson: Po. Irani tani, në mënyrë efektive, ka një shtyllë të katërt në strategjinë e tij të sigurisë: kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.

Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ndikon drejtpërdrejt në tregtinë globale dhe interesat e SHBA-së. Në disa mënyra, është bërë edhe më e rëndësishme se elementet tjera, siç janë forcat ndërmjetëse, të cilat shihen gjithnjë e më shumë si detyrime.

Ky është një ndryshim i madh dhe i jep Iranit një burim të ri, shumë të fuqishëm ndikimi.

Radio Evropa e Lirë: Nëse konflikti vazhdon për një periudhë të gjatë, çfarë do të nënkuptojë kjo për unitetin e vendeve të orientuara kundër Iranit? Nëse situata zgjat, a prisni që aleatët e SHBA-së të mbeten të bashkuar, apo mund të fillojnë të ndjekin marrëveshje të veçanta me Teheranin?

Nate Swanson: Ekziston një rrezik real divergjence. Si partnerët evropianë, ashtu edhe ata të Gjirit tashmë po i rivlerësojnë pozicionet e tyre dhe po rikalibrojnë marrëdhëniet e tyre si me SHBA-në, ashtu edhe me Iranin.

Në afat të shkurtër, uniteti kryesisht mbetet. Por, sa më gjatë të vazhdojë konflikti, aq më i madh është presioni mbi këto vende për të ndjekur interesat e tyre, duke përfshirë mundësinë e marrëveshjeve të ndara me Teheranin.

Ne tashmë po shohim ndryshime delikate – si në Evropë ashtu edhe midis shteteve të Gjirit – dhe këto dallime ka të ngjarë të bëhen më të theksuara me kalimin e kohës, nëse konflikti vazhdon.

Intervista është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.
Përgatiti: Valona Tela

Intervista- Mick Ryan: Çfarë po mëson Xi i Kinës nga lufta në Iran?

Reid Standish

Lufta në Iran po i jep Pekinit mundësi për të parë në kohë reale se si Shtetet e Bashkuara zhvillojnë luftë moderne.

Kjo luftë ka treguar shtrirjen e fuqisë ushtarake amerikane, por ka ngritur edhe pyetje rreth aftësisë së Uashingtonit për të menaxhuar kriza të shumta njëkohësisht.

Për Pekinin, ky kombinim mund të ndikojë në mënyrën se si ai e vlerëson rrezikun apo kohën në ndonjë përballje të ardhshme me Shtetet e Bashkuara, apo me Tajvanin.

Për të kuptuar më mirë se çfarë po mëson Kina nga Irani, Radio Evropa e Lirë bisedoi me gjeneralin në pension nga Australia, Mick Ryan.

Radio Evropa e Lirë: Cili është mësimi kryesor që presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka nxjerrë deri më tani nga lufta në Iran?

Mick Ryan: Ka shumë mësime, por më i rëndësishmi që Xi ndoshta ka nxjerrë, është se ushtria amerikane mbetet një organizatë shumë e fuqishme.

Ajo mund të përdorë forcë të jashtëzakonshme dhe të kryejë operacione të qëndrueshme dhe të sakta – të paktën nga ajri dhe nga deti – për një periudhë kohore.

Kjo do të jetë shumë e rëndësishme për të dhe për Ushtrinë Çlirimtare Popullore (PLA), nëse ndonjëherë vendosin të ndërmarrin ndonjë bllokadë ose pushtim të Tajvanit.

Radio Evropa e Lirë: Lufta po ndodh brenda një konteksti më të gjerë, prandaj, nëse po flasim për mësimet që Xi mund t’i nxjerrë nga lufta në Iran, si duhet të kuptohet roli i fuqisë ushtarake amerikane në këtë pamje më të gjerë?

Mick Ryan: Pavarësisht aftësisë shumë të madhe të ushtrisë amerikane, ajo po përdoret nga një administratë që mund të bëjë vetëm një luftë në të njëjtën kohë.

Fokusi i administratës duket se lejon vetëm këtë, ndërsa shumë nga mekanizmat normalë të mbështetjes për vendimmarrje, që zakonisht kalojnë përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare, janë hequr.

Vendimet duket se po merren më shumë sipas impulseve, dhe, siç e kemi parë nga ndryshimet e shumta të objektivave strategjike në këtë luftë, kemi të bëjmë me një administratë që nuk e ka problem të nisë një operacion të tillë, pa e pasur domosdoshmërisht të qartë se çfarë dëshiron të arrijë nga një konflikt me përmasa të mëdha.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të aplikohet kjo në një situatë të tillë si Tajvani? Si mund të ndikojë në përgatitjet e tij, ose në veprimet që do të ndërmerren në vitet e ardhshme?

Mick Ryan: Mendoj se kjo u tregon kinezëve se, nëse kanë një strategji më të mirë, kanë edhe një shans më të madh për sukses. Të jesh i aftë në operacione ushtarake, është e rëndësishme. Nëse nuk mund të fitosh beteja, nuk mund të fitosh luftëra.

Por strategjia është edhe më e rëndësishme. Dhe, të kesh supozimet e duhura strategjike dhe mekanizmat e duhur për vendimmarrje… është diçka që kinezët mund të mendojnë se e bëjnë më mirë se Shtetet e Bashkuara.

Një diferencë në strategji gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të një lufte mund të jetë një avantazh real.

Radio Evropa e Lirë: Folët për njëfarë impulsiviteti që vjen nga Uashingtoni. Për Pekinin, mendoj se kjo mund të ketë dy drejtime, apo jo?

Mick Ryan: Po, absolutisht. Qartazi, është një shpatë me dy tehe.

Siç do ta kuptonin amerikanët… gjenerali Stonewall Jackson ishte një shembull i shkëlqyer i një udhëheqësi të paparashikueshëm nga Lufta Civile e SHBA-së.

Ai ishte i njohur për paparashikueshmërinë që i shkaktonte dëm armikut, por që, herë pas here, dëmtonte edhe forcat e veta. Mendoj se presidenti amerikan, Donald Trump, është në të njëjtin stil.

Ai është jashtëzakonisht i paparashikueshëm, dhe kinezët ndihen të shqetësuar nga kjo paparashikueshmëri. Trump është shumë ndryshe nga çdo paraardhës i tij, dhe kinezët nuk mund të parashikojnë realisht se si do të reagojë ndaj ndonjë ngjarjeje, sepse ai, thjesht, vepron në mënyrë të paparashikueshme.

Kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, do ta shtyjë Xinë dhe Ushtrinë Çlirimtare Popullore të tregojnë kujdes, për shkak të pasigurisë së thellë ndaj vendimmarrjes së Trumpit.

Radio Evropa e Lirë: Po flasim tani për luftën në Iran, por një luftë tjetër që po zhvillohet tash e disa vite, është ajo në Ukrainë. Çfarë mësimesh kanë nxjerrë kinezët nga Ukraina dhe si mund të kombinohen ato me mësimet nga Irani?

Mick Ryan: Kinezët kanë qenë shumë të mirë në studimin e luftërave të popujve të tjerë – që nga Lufta e Ishujve Falkland në vitin 1983 [midis Britanisë dhe Argjentinës] dhe gjatë gjithë 43 vjetëve pasues.

Ata kanë nxjerrë mësime politike rreth asaj se si funksionon NATO-ja si aleancë dhe si i merr vendimet. Ata kanë nxjerrë gjithashtu mësime rreth asaj se si mund t’i ndajnë aleatët e NATO-s nga Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se kanë nxjerrë mësime edhe rreth fushatës globale të dezinformimit dhe kryerjes së luftës së informacionit.

Pastaj janë edhe ato të dukshmet rreth luftës me dronë. Në paradën e fundit të madhe ushtarake, vitin e kaluar, të gjitha automjetet e blinduara që kishte shfaqur Ushtria Çlirimtare Popullore, kishin dronë mbi to.

Ata i kanë marrë këto mësime nga Ukraina dhe i kanë përforcuar nga mësimet e marra nga lufta aktuale në Iran.

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të ishit Xi sot dhe do ta shikonit atë që po ndodh në Iran, si do të ndiheshit për gjithë situatën? Ka një krizë globale energjetike dhe një pjesë e saj ndikon edhe në ekonominë tuaj… Si mendoni se ndihet Pekini për Shtetet e Bashkuara, përtej aspektit strikt ushtarak?

Mick Ryan: Nëse do të isha Xi, ndoshta do të mendoja se ideja e tij se Perëndimi po humbet fuqinë, është e drejtë. Po shihet shpërbërja e aleancave amerikane dhe rritja e mosbesimit midis aleatëve të SHBA-së dhe administratës Trump. Për Xinë, kjo e konfirmon parashikimin e tij afatgjatë për ngritjen e Kinës.

Nëse kjo është e saktë apo jo, mbetet të shihet, por mendoj se nga këndvështrimi i tij – dhe është e rëndësishme të theksohet se ai jeton në një “dhomë jehonash”, siç bëjnë shumë diktatorë – kjo është ndoshta ajo që ai sheh.

Nuk mendoj se kjo do të thotë se ai do të donte instiktivisht ta pushtonte Tajvanin javën tjetër, por mendoj se ai do të kërkonte mundësi të tilla.

Një administratë Trump, e cila i ka dëmtuar rezervat e saj të municioneve ushtarake për shkak të kësaj lufte dhe mund të jetë e shpërqendruar nga një fushatë e ashpër zgjedhore në Kongres nga tetori deri në nëntor, mund të shërbejë që kinezët të shohin një mundësi që mund të jetë tepër e mirë për t’u humbur.

Radio Evropa e Lirë: Ne kemi qenë të fokusuar te Kina dhe planet e saj për Tajvanin, por ka shumë opsione se çfarë mund të ndodhë: nga vendosja e një qeverie lokale besnike, te bllokada e ishullit, deri te skenari më ekstrem – pushtimi i plotë ushtarak. Nëse do të ishit një planifikues kinez dhe do t’i vlerësonit të gjitha këto opsione, a duket ndonjëri prej tyre më i mundshëm ose më i suksesshëm, duke parë edhe atë që po ndodh në Iran?

Mick Ryan: Të gjithë duhet ta kuptojmë rezultatin që ata synojnë: Xi beson se Tajvani duhet të bëhet pjesë e Republikës Popullore të Kinës. Mënyrat dhe mjetet e veprimit, siç e thatë edhe ju, nuk janë të sigurta. Ka shumë opsione të ndryshme, por mendoj se dy rrugë do t’u duken veçanërisht tërheqëse.

Njëra do të ishte një marrëveshje e madhe midis Trumpit dhe Xisë, përmes së cilës Trump do ta linte Tajvanin pas dore ose të paktën do të tregonte se nuk do ta mbronte atë.

Tjetra do të ishte mundësia për një sulm të shpejtë ushtarak nga Kina ndaj Tajvanit, për ta dobësuar dhe potencialisht për ta pushtuar.

Këto janë ndoshta dy opsionet kryesore për të cilat po planifikojnë, por ka edhe shumë variante të tjera që strategët kinezë i kanë menduar për dekada të tëra.

Intervista është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.
Përgatiti: Valona Tela

Intervista: Ish-gjenerali amerikan: Dislokimi i forcave në Lindjen e Mesme, mesazh për Iranin

Gjenerali në pension i ushtrisë amerikane, Joseph Votel. Fotografi nga arkivi.

 

Alex Raufoglu

Irani po përdor vonesën taktike si një strategji në bisedime për t’i dhënë fund sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite që kanë shkatërruar kapacitetet ushtarake të Teheranit në mes të grumbullimit të forcave amerikane në Lindjen e Mesme, gjenerali në pension i ushtrisë amerikane, Joseph Votel – i cili udhëhoqi Komandën Qendrore të SHBA-së nga viti 2016 deri më 2019 – tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të dhënë më 30 mars.

Votel foli për rreziqet e përshkallëzimit të konfliktit dhe paralajmëroi se pa një marrëveshje politike për ta parandaluar Iranin që të bllokojë Ngushticën e Hormuzit, një prani e zgjatur ushtarake ndërkombëtare mund të kërkohet për ta mbajtur të hapur këtë rrugë kyç për transitin e naftës dhe gazit.

Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara janë në pauzën 10-ditore të urdhëruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, pasi ai kërcënoi me sulme ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, duke lejuar më shumë kohë për bisedime. Në të njëjtën kohë, Irani ka lejuar kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit. A shihni ndonjë sinjal që Teherani dëshiron të arrihet një marrëveshje apo po vepron në përputhje në interesin e tij?

Joseph Votel: Ne e dimë që Irani ka një histori të përpjekjeve për t’i zgjatur, zgjatur e zgjatur negociatat dhe për të zvarritur gjërat. Prandaj, sigurisht mendoj se kjo është një taktikë që ata e kanë përdorur, prandaj nga njëra anë duhet ta marrim këtë në konsideratë.

Së dyti, sa i përket vetë negociatave, nuk e di se sa larg kemi arritur. Mendoj se ne po përdorim palë të treta aktualisht për të na ndihmuar me negociatat tona. E di që pakistanezët janë angazhuar dhe po tentojnë të na ndihmojnë në këtë çështje. Pra, duhet pak kohë që të arrihet të një diskutim i mirëfilltë.

Mund të jetë kombinim i të dyjave: iranianët po tentojnë të na zvarrisin, por po ashtu ka një pranim nga ana e administratës se duhet pak kohë për t’i organizuar këto bisedime – bisedime kuptimplota – në mënyrë që ne të mund të lëvizim drejt përfundimit të luftës.

Radio Evropa e Lirë: Në të njëjtën kohë, SHBA-ja po rrit praninë ushtarake në rajon. A sugjeron ky grumbullim diçka përtej taktikave negociuese?

Joseph Votel: Duhet të pranohet, para së gjithash, se pjesë e qëllimit të dislokimeve është mesazhi për iranianët.

Kjo po ashtu është për t’u siguruar që ne mund të ofrojmë maksimumin e opsioneve për udhëheqësit tanë ushtarakë dhe udhëheqësit tanë civilë, në mënyrë që, nëse presidenti vendos diçka, ai veçse ka një sërë forcash nga të cilat komandantët ushtarakë mund të hartojnë plane veprime dhe qasje që ai mund t’i miratojë.

Këto dy gjëra – aspekti i mesazhit dhe ofrimi i fleksibilitetit – janë shumë, shumë të rëndësishme. Dhe, mendoj se kjo është ndoshta gjëja më e rëndësishme që këto forca po bëjnë aktualisht. Sigurisht, ata mund të bëjnë gjëra të tjera, sikurse të shkojnë në ishullin Harg ose të ndërmarrin veprime të tjera. Por, ky mesazh dhe aftësia për t’u ofruar shumë opsione udhëheqësve tanë janë dy nga gjërat kryesore që po bëjmë ne tani.

Radio Evropa e Lirë: Administrata ka thënë se dëshiron të sigurojë që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur. Nga këndvështrimi ushtarak, çfarë do të përfshinte kjo në praktikë? A do të bindte domosdoshmërish përgjegjësia mbi forcat amerikane apo Izraeli do të luante një rol të drejtpërdrejtë në një operacion të tillë? Si do të mund të dukeshin këto operacione tokësore?

Joseph Votel: Nuk e di nëse izraelitët kanë forca të pozicionuara për këtë. Sigurisht, që SHBA-ja po tenton ta bëjë këtë.

Një nga gjërat për të cilat është folur është ndërhyrja dhe sigurimi i ishullit Harg. Dhe, mendoj se qëllimi i një veprimi të tillë do të ishte që të sigurohej infrastruktura e naftës dhe garantimit që ajo të jetë në duart e SHBA-së. Kjo gjë mund të shërbejë si mjet presioni për regjimin iranian.

Si do të dukej kjo në praktikë? Do të nënkuptonte marrjen e një prej këtyre njësive që janë dislokuar – qofshin marinsat apo forcat e ushtrisë – dhe vendosjen e tyre në ishull, furnizimin dhe mbrojtjen e tyre, si dhe sigurimin që ata të mund të qëndrojnë atje, teksa ne vazhdojmë të zhvillojmë operacione të tjera.

Çfarë do të bënte kjo është që do të na jepte kontrollin e lokacionit kryesor të eksportit të naftës nga i cili varen iranianët. Një gjë e tillë do të mund t’i detyronte ata që të vepronin. Sigurisht, kjo mund të shkaktojë një reagim nga iranianët – që me gjasë do të përgjigjeshin – kështu që do të duhej të ishim të përgatitur për një gjë të tillë. Por, mendoj se kështu mund të duket një pjesë e këtyre skenarëve.

Radio Evropa e Lirë: Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka sugjeruar se kjo mund të arrihet pa trupa tokësore. A pajtoheni me një gjë të tillë?

Joseph Votel: Trupat tokësore luajnë një rol të rëndësishëm në këtë, çfarëdo vendimin që marrim. Ato do të jenë thelbësore, nëse jo për marrjen e këtij ishulli, atëherë si një forcë e reagimit të shpejtë e gatshme për t’iu përgjigjur zhvillimeve që ndodhin.

Ne më parë kemi bërë shoqërim [të anijeve] përmes Ngushticës së Hormuzit edhe pa trupa, në vitet ’80. Atëbotë nuk përballeshim me kërcënime të njëjta. Irani nuk kishte aftësitë e njëjta.

Pra, natyra e kërcënimeve që Irani paraqet sot bën që të kërkohen disa trupa.

Sa i përket asaj se si duket kjo dhe si do të përfundojë, mendoj se ka tre objektiva të gjera. Së pari, një regjim që është efektivisht “i dobësuar”, që nuk ka kapacitetet që kishte më parë dhe nuk mund të kërcënojë fqinjët e tij.

Së dyti, kapacitetet e tij ushtrak duhet të zvogëlohen deri në një pikë ku nuk mund të përdoren në mënyrë efektive jashtë kufijve të Iranit. Këtu përfshihen raketat, dronët, marina iraniane, marina e Gardës Revolucionare Islamike dhe aftësia për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit apo për t’u varur nga bashkëpunëtorët rajonalë.

Dhe së treti, duhet të sigurohemi që ata të mos kenë asnjë mënyrë për të ndjekur posedimin e një arme bërthamore. Kjo përfshin jo vetëm shkatërrimin e infrastrukturës, por edhe vendosjen nën kontroll të përgjegjshëm të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë që ata kanë prodhuar.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë vizitës së zhvilluar së fundi në Evropë, Rubio diskutoi me aleatët e G7-ës për nevojën e mundësisë së patrullimeve ndërkombëtare në Ngushticën e Hormuzit për një periudhë të gjatë kohore. Edhe nëse ndërpriten luftimet aktive, a do të thotë kjo se SHBA-ja dhe partnerët e saj duhet të presin një prani të zgjatur ushtarake në rajon?

Joseph Votel: Mendoj se kjo është e saktë. Nëse e hapim Ngushticën e Hormuzit dhe nuk kemi ndonjë lloj marrëveshjeje politike për luftën, atëherë ne do ta bëjmë këtë për një kohë të gjatë dhe duhet të jemi të përgatitur për këtë gjë.

Prandaj partnerët e koalicionit dhe partnerët ndërkombëtarë do të jenë thelbësorë: për ta mbajtur këtë gjendje në terma afatgjatë. Pa një marrëveshje politike, do të na duhet ta mbajmë këtë aq gjatë sa të jetë e mundur.

Radio Evropa e Lirë: Po udhëheqja e Iranit? Po dëgjojmë diskutime në Uashington lidhur me bashkëbisedues të mundshëm brenda udhëheqjes aktuale të Iranit, përfshirë kryetarin e Parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf. A sugjeron kjo që SHBA-ja po përgatitet të angazhohet me elementë në regjimin ekzistues në vend se të kërkojë zëvendësimin e tij?

Joseph Votel: Ajo që duket e mundshme, dhe çfarë Qeveria e SHBA-së po fillon ta kuptojë, është se do të ketë një formë të regjimit që mbetet në fuqi.

Shpresa jonë është që të ketë një udhëheqës që tregon një nivel pragmatizmi me të cilin mund të punojmë për ta çuar këtë situatë në një drejtim më pozitiv dhe për të ndaluar luftën.

Ajo që më shqetëson është se udhëheqja e Gardës Revolucionare Islamike duket se ka ndikim shumë të madh, gjë që do të thotë se ende ka figura të linjës së ashpër të lidhur me Qeverinë. Kjo mund ta bëjë procesin më të vështirë.

Po ashtu është e rëndësishme të pranojmë se nuk ka ndonjë forcë opozitare të dukshme gati për të marrë pushtetin. Regjimi është regjim, dhe ne do të duhet të merremi me të ndërsa ecim përpara.

Radio Evropa e Lirë: Si ndikojnë grupet e mbështetura nga Irani, sikurse janë rebelët Huthi?

Joseph Votel: Rebelët Huthi mund të jenë problem. Ata kanë kapacitete të shumta dhe përderisa kishte në fuqi një armëpushim, ata duket se kanë ndërmarrë masa që do t’u mundësojnë të shkaktojnë probleme të mëdha.

Ata janë shqetësim i madh. Grupet e milicive shiite në vende sikurse Iraku po ashtu mund të paraqesin problem, por me ta mund të merren forcat e shteteve ku gjendet këto grupe, me pak ndihmë të SHBA-së.

Rebelët Huthi janë më problematikë pasi kanë më shumë kapacitete sesa shumica e milicive të tjera shiite.

Radio Evropa e Lirë: Ka raportime që Moska jo vetëm që po i jep informacione të inteligjencës Iranit – përfshirë informacione për sulme të mundshme – por, po ashtu po ndan teknologjinë për dronët dhe taktika të fushëbetejës që i ka përmirësuar gjatë luftës në Ukrainë. Sa e rëndësishme është ky lloj i mbështetjes dhe si po e formëson si trajektoren po ashtu edhe kompleksitetin e konfliktit?

Joseph Votel: Është një problem i madh, dhe sigurisht diçka me të cilën SHBA-ja duhet të merret me rusët. Nëse ata po sigurojnë informacion për caqe ose kapacitete që po zgjatin këtë konflikt, kjo duhet të ndalet.

Kjo nuk do të bëhet domosdoshmërisht ushtarakisht. Do të duhet të bëhet nëpërmjet diplomacisë. Ne duhet të ushtrojmë presion mbi rusët që të ndalojnë, sepse kjo mund të zgjasë konfliktin dhe ta bëjë edhe më të vështirë për ne të arrijmë atë që kemi nisur tashmë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Intervista- Fred Fleitz: SHBA-ja mund të godasë infrastrukturën energjetike të Iranit nëse dështojnë bisedimet

Fred Fleitz gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë. 25 mars 2026.

 

Amra Zejneli Loxha

Fred Fleitz, nënkryetar i Qendrës për Siguri Amerikane në Institutin America First Policy, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se është “optimist i kujdesshëm” për mundësinë e bisedimeve SHBA-Iran për përfundimin e luftës, por shtoi se Uashingtoni po e forcon praninë e tij ushtarake për ta shtyrë Teheranin drejt një marrëveshjeje.

Fleitz, ish-shef i stafit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, tha se Shtetet e Bashkuara duket se po kërkojnë zyrtarë iranianë që janë të gatshëm t’i japin fund konfliktit, ndërsa po përpiqen t’i anashkalojnë linjat e ashpra të Gardës Revolucionare Islamike, ndoshta përmes kryetarit të Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, dhe ndërmjetësve rajonalë.

Fleitz tha se reagimi i parë publik i Iranit ndaj planit të raportuar amerikan me 15 pika nuk duhet interpretuar tej mase, duke e përshkruar atë si shenjë të përçarjeve brenda udhëheqjes iraniane. Ai shtoi se, nëse diplomacia dështon dhe Irani vazhdon të kërcënojë kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, presidenti amerikan, Donald Trump, mund ta përshkallëzojë situatën duke goditur infrastrukturën energjetike të Iranit.

Raportohet se Uashingtoni i ka dërguar Iranit një propozim me 15 pika, i cili përfshin armëpushim, mbajtjen e hapur të Ngushticës së Hormuzit, çmontimin e programit bërthamor iranian, ndërprerjen e mbështetjes për grupet përfaqësuese dhe heqjen e sanksioneve ndaj Iranit.

Mediat iraniane raportuan se Teherani ka paraqitur kushtet e veta për t’i dhënë fund luftës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Fleitz, duket se ka një momentum të kufizuar drejt negociatave mes SHBA-së dhe Iranit. A jeni optimist se këto bisedime mund të çojnë diku?

Fred Fleitz: Po, jam optimist i kujdesshëm. Dhe, duhet të shtoj se prirja apo preferenca e parë e presidentit Trump është përdorimi i diplomacisë përpara forcës ushtarake. Mendoj se ai po kërkon një mënyrë për të gjetur udhëheqës iranianë të përgjegjshëm, që do të donin të ndalonin dhunën, luftën dhe bombardimet.

Dhe mendoj se ajo që po përpiqemi të bëjmë është të anashkalojmë radikalët e Gardës Revolucionare dhe ndoshta edhe radikalët pranë udhëheqësit suprem. Në fakt, unë nuk e di nëse udhëheqësi suprem po e drejton ende vendin. Prandaj besoj se, sipas raportimeve, kemi punuar me kryetarin e Parlamentit iranian për të parë nëse mund të arrihet një zgjidhje e negociuar për t’i dhënë fund luftës dhe për të siguruar Ngushticën e Hormuzit.

Radio Evropa e Lirë: Kur presidenti Trump thotë se SHBA-ja po flet me “njerëzit e duhur” në Iran, kë ka saktësisht parasysh? A është fjala për kryeparlamentarin Mohammad Bagher Ghalibaf?

Fred Fleitz: Kam dëgjuar raportime se mund të jetë ai. Mund të ketë edhe njerëz të tjerë. Problemi është se kjo qeveri është e fragmentuar. Ka elemente të qeverisë që janë fanatikë, si Garda Revolucionare, të cilët mund të përpiqen të vrasin zyrtarë që duan të negociojnë për paqe. Kjo mund të jetë arsyeja pse presidenti ka hezituar të thotë saktësisht me kë po merret SHBA-ja.

Radio Evropa e Lirë: Nëse ende nuk ka një palë të qartë publike nga Irani, sa mund të jetë realisht e sigurt Uashingtoni se po flet me njerëz që mund të sjellin një marrëveshje?

Fred Fleitz: Unë nuk jam në qeveri, por mendoj se Departamenti ynë i Shtetit ka mjaft burime. Ne po punojmë gjithashtu me Turqinë, Pakistanin, Egjiptin dhe shtete të tjera që kanë lidhje në Iran. Kështu që nuk mund t’ju them se si e dimë këtë, por besoj se Qeveria amerikane është realisht në kontakt me njerëz që mund të flasin në emër të Qeverisë iraniane.

Radio Evropa e Lirë: Ka raportime se Uashingtoni i ka dërguar Iranit një propozim me 15 pika, që përfshin armëpushim, mbajtjen e hapur të Ngushticës së Hormuzit, çmontimin e programit bërthamor iranian, dhe heqjen e sanksioneve ndaj Iranit. Si i shihni gjasat që ky plan të çojë në paqe?

Fred Fleitz: Ai përmbledh objektivat që SHBA-ja do të donte të çonin drejt stabilitetit në rajon. Dhe, përfshin gjëra që regjimi iranian ka refuzuar t’i pranojë. Ka refuzuar të negociojë në mirëbesim. Dëshiron të vazhdojë pasurimin e uraniumit. Nuk do të heqë dorë nga programi raketor. Tani e dimë se ka një program gjigant raketor që mund të godasë Evropën Perëndimore, ndoshta Parisin dhe Londrën. Këto janë kërcënime të papranueshme për sigurinë globale. Dhe, nëse do të ketë një zgjidhje të negociuar, ato duhet të adresohen.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë disa nga çështjet më të debatueshme dhe, në anën tjetër, cilat mund të jenë pikat më të lehta për t’u zgjidhur?

Fred Fleitz: Mendoj se çështja më e debatueshme është gjetja e një mënyre për të siguruar shpejt Ngushticën e Hormuzit. Shpresoj që Irani të pajtohet shpejt të heqë dorë nga ndjekja e pasurimit të uraniumit dhe të dorëzojë kontejnerët e fshehur me uranium heksafluorid, të pasuruar pothuajse në nivel që mund të përdoret për prodhimin e një arme bërthamore. Mendoj se sfida më e madhe është ta bindësh regjimin iranian të pranojë çfarëdo gjëje. Besoj se ende jemi në procesin e bindjes së tyre që të pranojnë realisht të negociojnë. Mendoj se kemi bërë njëfarë përparimi me disa kontakte fillestare, por na duhet që një përfaqësues iranian të ulet me SHBA-në, ose me një ndërmjetës, dhe të fillojë të bisedojë.

Radio Evropa e Lirë: Deri në ç’masë mendoni se mungesa e besimit mund të jetë problem, duke pasur parasysh se në bisedimet e mëparshme ato u ndërprenë nga sulmet amerikane?

Fred Fleitz: Irani po e bën këtë akuzë, se nuk i beson SHBA-së, sepse ishte i angazhuar në bisedime me SHBA-në qershorin e kaluar dhe pastaj në janar. Dhe, në mes të bisedimeve, kinse SHBA-ja – ose SHBA-ja apo Izraeli – filluan ta sulmonin Iranin.

Kjo nuk është krejtësisht e saktë. Iranianët po refuzonin të negocionin në mirëbesim dhe po përballeshin me ultimatume nga SHBA-ja. Ata e dinin këtë. Menduan se mund t’i zvarrisnin bisedimet pafundësisht. Kur u përpoqën ta bënin këtë, filluan operacionet ushtarake. Dhe, mendoj se Qeveria iraniane është e shqetësuar tani, çfarëdo që ka mbetur prej saj, sepse trupat amerikane janë rrugës. Mendoj se kjo e forcon pozicionin e Amerikës. Por, besoj se nëse fillojmë të negociojmë në mirëbesim dhe Irani bën të njëjtën gjë, mund të ketë një marrëveshje të mirë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse SHBA-ja po lëviz drejt diplomacisë, pse po e forcon njëkohësisht praninë e saj ushtarake në rajon me dislokime shtesë trupash?

Fred Fleitz: Besoj se presidenti Trump dëshiron ta provojë diplomacinë, por nuk e di nëse ajo do të funksionojë. Dhe, besoj se duke dërguar më shumë trupa në rajon, ai po e forcon pozicionin e vet dhe po ushtron më shumë presion mbi zyrtarët iranianë për të bërë një marrëveshje.

Radio Evropa e Lirë: Tani po dalin deklaratat e para nga Irani për planin prej 15 pikash. Sipas raportimeve, Irani po kërkon garanci konkrete për të parandaluar përsëritjen e luftës. Ai e ka shqyrtuar propozimin dhe, sipas raportimeve, e konsideron të tepruar. Irani thotë se operacionet e tij mbrojtëse do të vazhdojnë derisa të plotësohen kushtet e tij. Irani kërkon përcaktim të qartë dhe pagesë të garantuar për dëmet e luftës. Kushti i parë për fundin e luftës është “ndalimi i sulmeve dhe atentateve”. Si i vlerësoni këto?

Fred Fleitz: Nuk e di sa e vërtetë është kjo. Po ashtu kam dëgjuar iranianët të pretendojnë se nuk ka pasur negociata, se nuk kanë qenë në kontakt me SHBA-në. Shumë nga ato që po dëgjojmë pasqyrojnë përçarjen brenda Qeverisë iraniane dhe njerëzit që nuk duan kurrfarë negociatash. Do të shohim çfarë do të ndodhë kur të ketë bisedime mes SHBA-së dhe një përfaqësues iranian, ose mes një përfaqësuesi iranian dhe një ndërmjetësi që negocion në emër të Shteteve të Bashkuara. Prandaj nuk do t’i jepja shumë peshë kësaj. Dhe, nuk do të ketë reparacione. Irani është përgjegjës për këtë konflikt.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nëse këto bisedime dështojnë, si e shihni zhvillimin e situatës?

Fred Fleitz: Besoj se, nëse këto bisedime dështojnë dhe Irani vazhdon të kërcënojë kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, presidenti Trump mund ta zbatojë kërcënimin e tij për ta shkatërruar infrastrukturën energjetike të Iranit. Mendoj se udhëheqësit iranianë duan ta parandalojnë këtë.

Radio Evropa e Lirë: Qershorin e kaluar, kur biseduam, thatë se ishit i shqetësuar për atë se kush mund ta drejtonte Iranin nëse udhëheqësi suprem do të binte, dhe se kjo ishte një nga arsyet pse Shtetet e Bashkuara duhej të qëndronin jashtë temës së ndryshimit të regjimit në këtë rast. A mendoni ende kështu sot?

Fred Fleitz: Jam i shqetësuar se si do të duket tranzicioni kur ky regjim të bjerë. Mendoj se ky regjim do të bjerë. Nuk e di sa shpejt. Ka disa aktorë të mirë, përfshirë djalin e shahut të ndjerë, Reza Pahlavin, për të cilin mendoj se do të ishte një udhëheqës i mirë, por nuk e di sa e fortë është mbështetja e tij në vend. Megjithatë, besoj se Departamenti ynë i Shtetit dhe Izraeli kanë menduar shumë, shumë seriozisht për një tranzicion, për një qeveri të përkohshme. Thjesht nuk i di hollësitë e atij planifikimi.

Radio Evropa e Lirë: Cili mendoni se është objektivi i vërtetë i SHBA-së në këtë pikë?

Fred Fleitz: Mendoj se SHBA-ja i ka arritur objektivat e saj. Në thelb, ajo e ka shkatërruar përpjekjen e Iranit për të siguruar armë bërthamore dhe e ka penguar atë të ndërtojë atë që do të ishte një mburojë raketore për të mbrojtur zhvillimin e armëve të tij bërthamore.

Dhe, deri në fund të vitit, nëse ne nuk do ta kishim goditur kapacitetin iranian për prodhimin e raketave, nuk mendoj se sulme të tjera kundër Iranit do të kishin qenë të mundura. Irani do të kishte armë bërthamore. Këto janë arritje të mëdha.

Po ashtu, kemi minuar ndjeshëm aftësinë e Iranit për të projektuar fuqi jashtë vendit, si edhe organizatat e tij të sigurisë së brendshme që përdoreshin për të shtypur dhe vrarë popullin iranian. Këto janë arritje të mëdha. Ato do ta forcojnë sigurinë globale dhe shpresojmë do t’u japin njerëzve në Iran një mundësi për ta marrë sërish vendin e tyre në dorë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse kjo luftë përfundon pa ndryshim regjimi, si mendoni se iranianët e zakonshëm do ta shohin atë rezultat?

Fred Fleitz: Shikoni, nuk mendoj se dikush që mendonte kur filloi kjo luftë se do të ishte e mundur të ndryshohej regjimi nga ajri. Ky nuk është ndryshim regjimi. Është dobësim i regjimit. Është krijim mundësish që populli iranian ta marrë sërish vendin në dorë. Dhe kjo përfshin sulme mjaft agresive ndaj milicive Basij, të cilat në thelb janë nazistët e Iranit që përdoren për të vrarë iranianët që dalin në rrugë dhe protestojnë. Ata po ndiqen nga dronët sulmues izraelitë. Është vërtet e jashtëzakonshme. Ka pamje të tyre duke u fshehur nën ura dhe duke bërë gjëra të tjera në mënyrë që disi të vazhdojnë t’i frikësojnë njerëzit në Iran, por edhe të fshihen. Kam kuptuar se po fshihen edhe në taksi. E dini, nëse ka një tjetër demonstratë masive – dhe e di se do të ishte shumë, shumë e rrezikshme për popullin iranian – aftësia e regjimit për ta shtypur atë do të dobësohej ndjeshëm.

Strategu republikan: Koalicioni për mbrojtjen e transportit detar, në interesin e aleatëve

Alex Raufoglu

Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje aleatëve që të ndihmojnë në sigurimin e Ngushticës me rëndësi strategjike të Hormuzit, duke i nxitur partnerët që të dërgojnë forca detare për të garantuar vazhdimësinë e dërgesave botërore të energjisë përmes kësaj rruge ujore, në kohën kur po vazhdon konflikti me Iranin.

Kjo thirrje ka nxitur reagime të përziera në kryeqytetet në Evropë dhe Azi, duke vënë në pah pasigurinë nëse do të formohet një koalicion shumëkombësh për të siguruar që kjo rrugë jetike e transportit detar të mbetet e hapur.

Strategu republikan Matthew Bartlett, që në administratën e parë të Donald Trumpit ishte i emëruar politik, dhe aktualisht është bashkëthemelues i grupit lobues, Darby Field Advisors, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht hezitimit, mbajtja e hapur e kësaj ngushtice është në interesin ekonomik të çdo shteti.

Ai tha se Uashingtoni ka sinjalizuar si dominim ushtarak, ashtu edhe gatishmëri për përshkallëzim nëse Teherani përdor dërgesat e energjisë si mjet presioni.

REL-i bisedoi me Bartlettin lidhur me strategjinë që qëndron prapa mesazhit të Trumpit për aleatët, për pasojat ekonomike të një konfrontimi të prolonguar dhe nëse kriza mund të testojë unitetin brenda NATO-s.

Radio Evropa e Lirë: Trump u ka bërë thirrje aleatëve që të dërgojnë luftanije për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, por reagimet nga kryeqytetet kanë qenë të ndryshme. Nga perspektiva strategjike republike, sa serioz është problemi nëse Uashingtoni nuk arrin që të formojë një koalicion shumëkombësh për të rihapur ngushticën?

Matthew Bartlett: Ka shumë aspekte në këtë përfshirje, në këtë luftë – ushtarake, ekonomike dhe diplomatike – dhe kjo situatë që lidhet me ngushticën sigurisht ka implikime për ekonominë botërore.

Besoj se gjerësisht është në interesin e të gjithëve që ajo të jetë e hapur dhe, pavarësisht se çfarë mendojnë njerëzit apo shtetet e tjera për presidentin Trump apo edhe për luftën me Iranin, padyshim është në interesin e tyre që ngushtica të mbetet e hapur. Shumica e naftës që kalon përmes ngushticës shkon drejt shteteve të tjera.

Pra, do të shohim nëse vendet do t’i përgjigjen thirrjes së presidentit Trump për një koalicion dhe nëse kjo do të nënkuptojë presion diplomatik, angazhim ushtarak apo ndonjë lloj të ndihmës në terren për shoqërimin e anijeve dhe sigurimin që ngushtica të mbetet e hapur.

Kjo është situata globale. Natyrisht, ajo mund të përmirësohet vetëm me ndihmën dhe mbështetjen e vendeve tjera duke punuar në përputhje me SHBA-në dhe në përputhje me interesat e tyre. Por, sërish, ky mbetet një realitet që vështirë arrihet dhe shumë larg situatës aktuale.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti Trump tha se SHBA-ja ka goditur çdo cak ushtarak në ishullin Harg, por me qëllim e ka kursyer deri më tani infrastrukturën e naftës. Në thelb, a është kjo një kartë negociuese, një sinjal për Teheranin se nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, SHBA-ja mund të shënjestrojë linjën kryesore të eksporteve të Iranit?

Matthew Bartlett: Sërish, duket sikur SHBA-ja është angazhuar me Iranin me një forcë dërmuese ushtarake dhe ka neutralizuar marinën dhe forcën ajrore të Iranit, ka shkatërruar një pjesë të madhe të programit të tyre balistik dhe kanë kufizuar aftësinë e tyre për t’u kundërpërgjigjur me sulme.

Duket se Irani po përpiqet të përgjigjet në mënyra asimetrike, kryesisht duke përdorur burimet e tij të naftës si një lloj arme sulmuese ndaj SHBA-së dhe ekonomisë botërore.

*Video: Rreth 90 për qind e eksporteve të naftës së Iranit kalojnë përmes Hargut.

Pasi që ishulli Harg është një stacion për transferimin e naftës, në një mënyrë, presidenti e ka vënë atë në shënjestër dhe ka shkatërruar disa nga sistemet e tij mbrojtëse. Nëse Irani vendos ta përshkallëzojë këtë luftë dhe të përdorë naftën si mjet negocimi në përgjigjen e tij asimetrike, presidenti Trump ka sinjalizuar se është i gatshëm t’ua heqë nga duart këtë kapacitet.

Nuk duket se ai dëshiron ta bëjë këtë dhe nuk duket se një gjë e tillë do të ishte në dobi të dikujt. Megjithatë, mbetet e mundshme që nëse Irani vendos të përdorë burimet e tij të naftës për të mbajtur peng pjesën tjetër të botës, presidenti është i gatshëm të ndërmarrë veprime për ta adresuar edhe këtë, ashtu siç bëri me kërcënimin e tyre ushtarak.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë përballje, Irani mund të ndërpresë transportin detar dhe tregjet e energjisë, ndërsa SHBA-ja ka epërsi të madhe ushtarake. Cila palë ka tolerancë më të madhe ndaj kostos ekonomike, nëse kjo shndërrohet në një konfrontim të prolonguar rreth ngushticës?

Matthew Bartlett: Do të argumentoja se kemi të bëjmë me një regjim të ligë, të palogjikshëm dhe të parashikueshëm, që është përgjigjur duke vrarë popullin e vet brenda vendit dhe jashtë duke sulmuar fqinjët e tij. Tani mund të përpiqet të mbajë peng ekonominë botërore dhe do të argumentoja se kjo përbën rrezik të madh për vet Iranin.

Ata kanë një popullsi brenda Iranit që pyet pse shtetet fqinje po investojnë në njerëzit e tyre dhe të ardhmen e tyre, duke u diversifikuar nga nafta, duke u angazhuar në ekonominë globale dhe duke marrë pjesë në komunitetin ndërkombëtar, ndërkohë që populli iranian vazhdon të vuajë sepse regjimi i tyre ndjek armë bërthamore dhe ofensiva ushtarake.

Kjo është në dëm të popullit iranian, i cili ka një kulturë të mrekullueshme dhe të pasur dhe i cili dëshiron të jetë i lirë. Ne i mbështesim këta njerëz, shumica e të cilëve kanë dalë në rrugë, shumica e të cilëve kanë rrezikuar jetën e tyre dhe fatkeqësisht shumë nga ta kanë vdekur në duart e këtij regjimi të ligë.

Nëse regjimi vazhdon të përshkallëzojë në mënyra asimetrike, do të argumentoja se kjo do të jetë rrezik i madh për ta. Bota do të vazhdojë të bashkohet dhe të njohë kërcënimin që ata paraqesin për njerëzit e tyre dhe për mbarë botën.

Edhe nëse shtetet nuk janë të përfshira aktualisht, ato mund të detyrohen që të përfshihen për shkak të pasojave ekonomike. Në fund të fundit, kjo nuk do të rezultojë në favor të regjimit iranian.

Radio Evropa e Lirë: Nga perspektiva republike, si duhet Uashingtoni t’ua shpjegojë këtë strategji aleatëve në Evropë dhe Azi që varen shumë nga energjia e Gjirit Persik?

Matthew Bartlett: Vetvetiu mesazhi është i qartë: Keni një regjim të çoroditur që ka ndërmarrë veprime bizare ushtarake kundër fqinjëve të tij në Gjirin Persik dhe tani po mban peng tregtinë botërore. Kjo prek interesat e botës, qoftë në Azi apo në Evropën.

Në disa mënyra, ne duhet ta vlerësojmë se sa e hapur ka qenë përgjigja e këtij regjimi dhe sa qartë e ilustron çështjen në fjalë. Çdo shtet duhet ta njohë këtë dhe të veprojë sipas interesit të vet. Irani qartazi duket se po punon kundër këtyre interesave.

Pra, nga një koalicion – diplomatik, ushtarak, detar apo tjetër – që mbron tregtinë ndërkombëtare dhe minimizon sjelljen destabilizuese të Iranit do të përfitonin të gjithë.

Radio Evropa e Lirë: Nga perspektiva e Partisë Republikane, a është ky po ashtu një test për unitetin dhe ndarjen e barrës brenda NATO-s?

Matthew Bartlett: Aktualisht, nuk jam i sigurt se cilët hapa specifikë ka ndërmarrë NATO-ja, por duhet patjetër të shqyrtojë çfarë hapa mund të jenë të duhur. Ne kemi parë që Irani potencialisht mund të dërgojë raketa drejt shteteve anëtare të NATO-s, kryesisht drejt Turqisë. Ne kemi parë lidhje asimetrike mes Rusisë, Iranit dhe Kinës, përfshirë bashkëpunimin me dronët të lidhur me fushëbetejën në Ukrainë.

Këtu ka lidhje. Kjo nuk do të thotë se NATO-ja duhet të angazhohet plotësisht apo të përshkallëzojë situatën, por duhet të përgatitet për të ndërmarrë veprim të përshtatshëm – ushtarak, diplomatik apo ekonomik – teksa situata vazhdon të zhvillohet globalisht. NATO duhet të përgatitet, qoftë nëse kjo nënkupton deklarata që i bëjnë thirrje Iranit të ndryshojë sjelljen e tij apo të përgatit asete ushtarake nëse është e nevojshme.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Gjermanisë tha se kjo luftë “nuk ka të bëjë me NATO-n”. Cili është reagimi juaj?

Matthew Bartlett: Aktualisht, kjo është pjesërisht e vërtetë, dhe një pjesë e saj mund të ndryshojë teksa ndryshon edhe fushëbeteja – qoftë përmes pasojave ekonomike, kërcënimeve ndaj aleatëve të NATO-s sikurse është Turqia, apo lidhjeve më të gjera mes Rusisë dhe Iranit. Prandaj, ka të vërtetë në këtë deklaratë, por fatkeqësisht nuk është kaq e thjeshtë sa duket.

Radio Evropa e Lirë: Disa qeveri evropiane historikisht kanë qenë më të kujdesshme lidhur me konfrontimin me Iranin. A besojnë republikanët se aleatët e NATO-s në fund do të linjëzohen me Uashingtonin për të mbrojtur transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, apo kjo mund të vë në pah ndasitë brenda aleacës?

Matthew Bartlett: Është e paqartë. NATO është një aleancë, dhe është aq e fortë sa anëtari i saj më i dobët. NATO veçse ka shumë çështje që duhet të trajtojë, kryesisht luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. NATO-ja ka bërë shumë në këtë drejtim dhe ukrainasit kanë treguar kurajë të jashtëzakonshme dhe kanë treguar sesi lufta moderne po evolon, veçmas me dronë.

NATO-ja duhet të vazhdojë të vlerësojë kërcënimet reale. Nuk duhet të zgjerojë shumë misionin e saj apo të shpërqendrohet nga shqetësimi kryesor për Ukrainën. Megjithatë, duhet të jetë po ashtu në dijeni të lidhjeve dhe implikimeve që përfshijnë Iranin – nga fushëbeteja në Ukrainë deri te Lindja e Mesme dhe kërcënimet ndaj ekonomisë botërore që prekin shtetet e NATO-s.

Radio Evropa e Lirë: Irani duket se po vë bast se vuajtjet ekonomike të SHBA-së dhe Evropës mund të ushtrojnë presion ndaj Uashingtonit që të tërhiqet. A është kjo një llogaritje e gabuar?

Matthew Bartlett: Duket ashtu. Përgjigja e tyre vetëm sa ka ilustruar qëllimin e tyre të vërtetë. Ky është një regjim i ligë që synim ka armët bërthamore. Ne kemi armë bërthamore dhe zgjedhim që mos t’i përdorim. Duke parë sjelljen e tyre gjatë javëve të fundit, besoj se është e qartë që nëse ata do të kishin armë bërthamore, ndoshta do t’i kishin përdorur.

Tani ata po tentojnë të shkaktojnë më shumë dhimbje dhe kaos për popullin e tyre dhe për botën. Nuk jam i sigurt se kjo forcon pozicionin e tyre. Është e kundërta. Kjo i ekspozon më shumë ata dhe rrit nevojën për të adresuar menjëherë këtë situatë.

Po, mund të ketë vuajtje ekonomike në terma afatshkurtër. Por, nëse ata e përshkallëzojnë më tej situatën, kjo vetëm do të rrisë presionin ndaj shteteve të tjera për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës sepse është e paqëndrueshme. Në fund, kjo nuk do të japë rezultat të favorshëm për regjimin iranian.

Radio Evropa e Lirë: Ka ende debat lidhur me atë se cilat janë objektivat përfundimtarë të SHBA-së në luftë. Si i interpretoni qëllimet e Shtëpisë së Bardhë?

Matthew Bartlett: Kemi parë ndryshim të gjuhës lidhur me çështjet sikurse ndryshimi i regjimit dhe sa gjatë do të zgjasë ky konflikt.

Në fund, duket se ka një qëllim të thjeshtë: një regjim iranian i dobësuar që nuk mund të kërcënojë Amerikën, Perëndimin apo fqinjët e tij. Gjatë 47 vjetëve, ky regjim ka qenë një forcë destabilizuese në Lindjen e Mesme dhe ka gjak amerikan në duart e tij, nga Iraku e deri te bashkëpunëtorët e tij si Hezbollahu dhe Hamasi, përfshirë edhe sulmet e tmerrshme të 7 tetorit [2023].

Duket se jemi të gatshëm të durojmë retorikën e tyre – “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit” – për aq kohë sa ata nuk kanë kapacitet për të vepruar mbi të. Kjo nënkupton eliminimin e ambicieve të tyre bërthamore, raketave balistike, dronëve dhe rrjeteve të bashkëpunëtorëve në mënyrë që armiqësia e tyre të reduktohet në fjalë e jo në vepra.

Radio Evropa e Lirë: Përtej Iranit, çfarë mesazhi besojnë republikanët se kjo po përçon te kundërshtarët e tjerë të SHBA-së, sikurse Rusia dhe Kina?

Matthew Bartlett: Nuk jam i sigurt se është e mençur për këdo në botë të mendojë se Donald Trumpi është budalla. Duket se ai është i gatshëm të angazhohet globalisht në mënyra që asnjë president tjetër nuk ka qenë i gatshëm – në aspektin diplomatik, ekonomik dhe ushtarak.

Nëse jeni një kundërshtar, duhet të mendoni dy herë për interesat e SHBA-së dhe sjelljen tuaj në botë. Aleatët gjithashtu duhet të përgatitur më mirë për të qëndruar pranë SHBA-së dhe të pranojnë se ky president, madje edhe në një kohë të shkurtër, ka afirmuar udhëheqjen e SHBA-së globalisht në shumë mënyra të ndryshme – dhe padyshim që ende nuk e ka përfunduar këtë gjë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Intervista- Çfarë do të thotë lufta në Iran për Kinën dhe Rusinë?

Vazha Tavberidze

Kina dhe Rusia janë partnere të ngushta të Iranit.

Me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit që po hyjnë në javën e katërt dhe me Iranin që vazhdon të kundërpërgjigjet në rajon, konflikti pritet të ndikojë – ndoshta edhe në mënyrë të konsiderueshme – në këto marrëdhënie.

Zineb Riboua është bashkëpunëtore kërkimore në Qendrën për Paqe dhe Siguri në Lindjen e Mesme të Institutit Hudson dhe eksperte për përfshirjen e Kinës dhe Rusisë në rajon.

Ajo foli për Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si Kina dhe Rusia po reagojnë ndaj luftës dhe çfarë mund të fitojnë ose humbasin nga kjo situatë.

Radio Evropa e Lirë: Si po e riformëson kjo luftë rolin e Pekinit në Lindjen e Mesme, interesat e tij, kufijtë e tij dhe perceptimet e Kinës në rajon?

Zineb Riboua: Duke sulmuar Iranin, Shtetet e Bashkuara po dobësojnë në mënyrë indirekte edhe pozicionin e Kinës në Lindjen e Mesme.

Për disa arsye, padyshim që Kina ka marrëdhënie shumë të mira me vendet e Gjirit – marrëdhënie tregtare, shumë transaksionale, disa prej të cilave kryesisht për shkak të naftës.

Për Kinën, kjo është përtej iniciativës “Brezi dhe Rruga” dhe “Rrugës Digjitale të Mëndafshit”. Pse? Sepse Irani është një partner shumë agresiv. Ai e terrorizon gjithë rajonin. Ai ka milici. Këto milici janë shumë të dobishme kur kundërshton hapur fuqinë e SHBA-së në botë, në një rajon shumë të rëndësishëm për shkak të rrjedhave të energjisë dhe rëndësisë së tij… Ju dëshironi që kjo të ndodhë, sepse është e vetmja mënyrë për të fituar një pozicion më të mirë.

Ekziston edhe fakti që Irani luan një rol të madh në shmangien e sanksioneve. Kina nuk dëshiron të jetë viktimë e sanksioneve të SHBA-së dhe nuk dëshiron të jetë në të njëjtin pozicion si [presidenti rus, Vladimir] Putin.

Përdorimi i Iranit si mënyrë për t’i anashkaluar sanksionet dhe kanalet financiare, është shumë i rëndësishëm për Kinën, veçanërisht kur mendojmë për një krizë të mundshme në Tajvan.

Irani është shumë interesant për Kinën edhe për shkak të pozitës së tij gjeografike. Pikërisht për këtë arsye, ata nënshkruan një marrëveshje 25‑vjeçare bashkëpunimi, me të cilën kinezët u angazhuan për investime prej 400 miliardë dollarësh.

Kjo do të thotë se çdo veprim ekonomik apo investim kinez nuk do të ndikojë vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Azinë Qendrore dhe rajone të tjera.

Në shumë nivele, është shumë e dukshme se si Kina ka përfituar nga një Iran shumë agresiv, deri në atë pikë sa arsenali ushtarak i Iranit është ndërtuar në thelb nga Kina – raketat, përbërësit, kimikatet, shumë prej tyre kanë ardhur nga Kina.

Gjithashtu, ekziston pjesa e mbikëqyrjes, dhe regjimi i Iranit është padyshim shumë represiv. Ai mbështetet shumë në teknologjinë kineze për të identifikuar njerëzit.

Kjo, thjesht, tregon thellësinë e përfshirjes së Kinës në Iran. Dhe kështu, operacioni Tërbimi Epik [i SHBA-së dhe Izraelit në Iran] po çmonton shumë pjesë të kësaj. Sepse, kushdo që të vijë më pas, duhet të jetë një aktor joarmiqësor i SHBA-së. Përndryshe, Shtetet e Bashkuara nuk do ta miratojnë atë….

Pra, mendoj se është një gjë shumë e rrezikshme për Kinën që të mos ketë qasje në një regjim që është aq i gatshëm, aq i hapur, aq i nënshtruar. Kjo, mendoj unë, është një gjë e madhe.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të bëjë realisht Kina për të parandaluar humbjen e këtij aseti jashtëzakonisht të rëndësishëm?

Zineb Riboua: Ky është një lloj i caktuar aseti që është shumë vështirë për t’u replikuar. Është shumë vështirë ta replikosh atë që bënte Republika Islamike.

Ajo çfarë po bën tani [Kina], është adoptimi i një pozicioni balancues, duke dënuar agresionin e Iranit ndaj vendeve të Gjirit, sepse, në fund të ditës, këto veprime ishin në interes të Kinës – që ajo të fitonte qasje tek aleatët e SHBA-së, sidomos Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë vendet më të rëndësishme për Pekinin.

Mendoj se ata do ta rikalibrojnë strategjinë e tyre, por do të duhet të kërkojnë ndonjë vend tjetër për ta përdorur si “laborator” për sanksione e instrumente të tjera të politikës së jashtme.

Nuk mendoj se shumë vende do të jenë të hapura për një gjë të tillë. Kjo shihet edhe nga fakti që [presidenti amerikan, Donald] Trump nuk po i kundërvihet vetëm Republikës Islamike, por edhe vendeve si Venezuela, Ekuadori dhe Kuba, duke shtrirë presionin amerikan më gjerë.

Radio Evropa e Lirë: Pse Kina nuk ndihmoi? Nëse ka kaq shumë interesa për Pekinin, sa gjatë mund të qëndrojë anash?

Zineb Riboua: Nuk e ndihmuan dhe nuk mund ta ndihmojnë sepse e shohin Iranin si regjim në vdekje.

Në Iran, shumë përpara sulmeve, mund të shihej shkalla e lartë e inflacionit, papunësia te të rinjtë, menaxhimi i dobët i ujit, paaftësia për të mbajtur një politikë monetare… Kishte tregues të një republike në vdekje – një regjim që po shkonte drejt kolapsit.

Ndaj, Kina, ndoshta, vendosi ta bënte gjënë më racionale, të mos e ndihmonte një regjim në vdekje.

Radio Evropa e Lirë: Cila do të jetë kostoja e kësaj? Siç thatë edhe ju, aktorë të tjerë po vëzhgojnë – po shohin që një aleat strategjik i Kinës po shpërbëhet dhe Kina nuk po bën asgjë. Çfarë ndikimi ka kjo në reputacionin e Kinës?

Zineb Riboua: Kina nuk mund ta ndryshojë atë që po ndodh tashmë. Ajo nuk mund të bëjë shumë kur një fushatë ushtarake po çmonton çdo raketë balistike.

Epërsia ushtarake e izraelitëve dhe amerikanëve ka qenë e jashtëzakonshme, deri në atë pikë sa edhe këto rrjedhje informacionesh dhe këto vlerësime që thonë se Kina ndoshta u dërgon iranianëve informacione për shënjestrim, nuk do ta ndryshojnë ekuilibrin e fuqisë.

Në fakt, Kina ka ndihmuar dhe dërguar shumë armë para kësaj. Nuk ka funksionuar… Është thjesht një realitet – edhe nëse Kina përpiqet të ndihmojë, nuk mund të bëjë shumë.

Një nga gjërat që bëri Irani, ishte goditja e infrastrukturës së naftës së vendeve të Gjirit, pavarësisht faktit se këto vende të Gjirit – për shembull, Katari – kanë luajtur një rol shumë të mirë për Iranin, pasi po transmetonin shumë mesazhe, etj. Dhe, ai ende i godet.

Kina është në një pozicion të çuditshëm, ku nuk mund ta shpërfillë plotësisht Republikën Islamike, por as nuk mund t’i largojë vendet e Gjirit.

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të shihnim skenarë të mundshëm për fundin e konfliktit, ku Kina humb ose përfiton, a është e drejtë të themi se çdo rezultat që nuk përmbush objektivat maksimale të SHBA-së – një Iran që i bindet plotësisht Amerikës, ku Trump mund të vendosë se cili do të jetë Ajatollahu i ardhshëm – do të ishte i menaxhueshëm për Pekinin?

Zineb Riboua: Mendoj se po. Nëse operacioni lë edhe një shpresë të vogël që Republika Islamike të vazhdojë, Kina mund të përfitojë… Por, do të jetë shumë e vështirë për Kinën ta përdorë Iranin si instrument, sikurse më herët.

Vendet e Gjirit po diskutojnë tashmë se si ta zgjerojnë partneritetin e tyre të sigurisë me SHBA-në. Përfitimet e sigurisë nga afrimi me Izraelin, po fillojnë të ndihen. Për shembull, Emiratet e Bashkuara Arabe po e shohin këtë.

Radio Evropa e Lirë: Ngushtica e Hormuzit – mbyllja e saj, mbyllja e pjesshme ose ndërprerja efektive – është shfaqur si një kartë e mundshme e fortë për Iranin. Për sa kohë mund ta luajë Irani këtë kartë?

Zineb Riboua: Jo për shumë kohë. Është një kartë shumë e rrezikshme që mund të luhet vetëm një herë. Dhe, duhet ta ketë efektin maksimal të presionit mbi një president amerikan që sapo sheh rritjen e çmimeve të naftës, të thotë: Në rregull, duhet të ndalemi.

Por Trump, thjesht, nuk e bëri këtë. Ai, absolutisht, nuk e ndryshoi qëndrimin e tij. Ai e dyfishoi… Iranianët shpresonin se do të ishte një debat i madh në Shtetet e Bashkuara dhe do të shkaktonte një lloj reagimi. Thjesht, nuk ndodhi. Ndodhi për një ditë.

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë se nuk mund të ndodhë nëse konflikti zvarritet?

Zineb Riboua: Është e dëmshme për Kinën. Kina do të sigurohet që të mos ndodhë – drejtpërdrejt ose tërthorazi – sepse nuk ka të bëjë vetëm me naftën, ka të bëjë edhe me plehrat, dhe sezoni [i mbjelljes] po vjen shumë shpejt. Pra, Irani i dëmton partnerët e vet me këtë operacion.

Gjithashtu, nuk mendoj se ai e ka dominimin e nevojshëm ushtarak për ta bërë këtë për një kohë shumë të gjatë. Çdo operacion ushtarak duhet të ketë efekt politik, dhe në këtë rast duhej të ndodhte shumë shpejt. Thjesht, nuk ndodhi.

Radio Evropa e Lirë: Si përgjigje ndaj mbylljes së Ngushticës së Hormuzit përmendet sekuestrimi i mundshëm i Ishullit Harg. Sa e vështirë dhe e kushtueshme do të ishte për t’u mbajtur, duke përfshirë edhe kostot politike?

Zineb Riboua: Nuk kam ide të mirë për koston, por ajo që mund të them është se… mendoj se Trump foli për këtë në vitin 1988 në një intervistë, kështu që ai e ka parë këtë për një kohë shumë të gjatë…. Kjo tregon se, edhe nëse iranianët i përshpejtojnë kërcënimet e tyre, SHBA-ja thjesht e dyfishon operacionin.

Iranianët kanë shumë pak mundësi të mbetura. Dhe, çdo ditë kanë më pak.

Radio Evropa e Lirë: Sa do ta ndryshonte lojën kapja e Ishullit Harg?

Zineb Riboua: Do të ishte një ndryshim i madh i situatës, të paktën për vendet e Gjirit. Do të tregonte se Shtetet e Bashkuara janë në të vërtetë të gatshme të zbatojnë çdo kërcënim të tyre… Por po, nëse kjo ndodh, mendoj se do të ketë një efekt të madh.

Radio Evropa e Lirë: Ka një debat të vazhdueshëm nëse Moska po fiton apo po humbet në këtë situatë. Një kamp flet për degradimin e një partneri tjetër strategjik të Kremlinit, kampi tjetër për çmimet më të larta të naftës dhe heqjen e përkohshme të sanksioneve. Cila qëndron? A është Rusia fituese apo humbëse në këtë situatë?

Zineb Riboua: Rusia, padyshim, humb një partner kyç që ishte i dobishëm në kundërshtimin e NATO-s. Njerëzit, kur mendojnë për NATO-n, gjithmonë mendojnë për krahun lindor. Por, krahu jugor është po aq i rëndësishëm. Dhe, Irani luajti një rol të madh në dobësimin e tij.

Rusët ishin gjithashtu në Siri, por edhe në Libi. Dhe iranianët, padyshim, luajtën një rol të madh. Pra, për shkak se NATO-ja e konsideron qartazi Iranin si kërcënim, mendoj se është një lajm i keq për Rusinë.

Megjithatë, [rusët] u shkëputën nga Irani pas asaj që ndodhi në Siri dhe rënies së Bashar al-Assadit. Ata nuk kanë më nevojë për iranianë në Siri. Ata po flasin me Al-Sharaan [liderin e ri sirian].

Ata nuk kanë më nevojë për Iranin në Armeni apo Azerbajxhan. Është një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja tani.

Rusia nuk është aq e varur nga Irani sa ishte dikur.

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë pasoja për Rusinë që i ofron Iranit mbështetje me informacione të inteligjencës?

Zineb Riboua: Po, mendoj se [rusët] po hakmerren për faktin që Shtetet e Bashkuara u kanë dhënë informacione të inteligjencës ukrainasve. Por, gjithashtu, po luajnë me zjarr, sepse gjatë dy vjetëve të fundit – vitin e kaluar sidomos – ata kishin një Trump që ishte i gatshëm të ulej dhe të mendonte për interesat ruse… Mendoj se ata po e mbyllin atë dritare.

Radio Evropa e Lirë: Ai do të jetë më pak i prirë për ta bërë këtë?

Zineb Riboua: Mendoj se po… Rusia po tregon edhe një herë se synon Shtetet e Bashkuara. Mendoj se kjo do të ndryshojë shumë nga llogaritjet e administratës.

Kjo intervistë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.
Përgatiti: Valona Tela

Intervista- Çështja “Balluku”, ish-ministri Lleshaj: Imuniteti s’mund të kthehet në privilegj. Eksperimentet me të rinjtë në qeveri, fatale për vendin

VALENTINA MADANI/ Ish-ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj, bën një analizë të fortë mbi ndryshimet e fundit në qeverinë “Rama”, çështjen “Balluku”, përplasjet politike dhe rolin e drejtësisë.

 

Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën Panorama, Lleshaj thekson se promovimi i të rinjve në poste të larta nuk duhet të bëhet në kurriz të përvojës dhe integritetit, ndërsa imuniteti parlamentar nuk duhet të shndërrohet në mburojë për skandalet politike. Sipas Lleshajt, ndryshimet e fundit në qeveri nuk sjellin cilësi të re, por janë thjeshtë reagime ndaj presioneve të brendshme dhe të jashtme. Sander Lleshaj nënvizon se problemi kryesor i Shqipërisë nuk është drejtësia e dobët, por sistemi politik i pazhvilluar, i dominuar nga parti që nuk funksionojnë sipas parimeve demokratike. Ai apelon se e vetmja rrugë për përmirësime është reforma e thellë e sistemit politik dhe demokracia brenda partive.

Z. Lleshaj, si i lexoni nga këndvështrimi juaj politik ndryshimet e fundit në qeveri? A janë ato sinjal reformimi apo menaxhim i krizave të brendshme?

Sinjalet e reformimit normalisht jepen në fillim të mandatit, kur, pas shpalljes së një programi të plotë të reformave, përzgjidhet edhe ekipi që do të udhëheqë realizimin e tyre. Në rastin e ndryshimeve masive aktuale, pak muaj pas ndërtimit të qeverisë re pas zgjedhjeve, nuk bëhet fjalë për reformë, por vetëm për një reagim ndaj një gjendje të re të krijuar në vend, e me sa duket, edhe në rrafshin ndërkombëtar, përderisa ndryshime pati dhe në dikasterin e punëve të jashtme dhe atë të mbrojtjes, të cilët kanë një rol të veçantë në këtë aspekt.

Nisur nga ndryshimet e fundit duket sikur të rinjtë kanë marrë në dorë fatet e vendit por çfarë vlere kanë për qytetarët…?

Për qytetarët është me rëndësi të kuptohet vlera e shtuar e ndryshimeve të reja. Sa shtohet me këtë rast dituria, pjekuria, përvoja, integriteti apo edhe energjia krijuese e zbatuese e qeverisë së re? Teksa sa sheh profilin e personave që janë ngritur në rangun e ministrit, me pak përjashtime, vështirë se mund të shquhen vlera të spikatura. Duket se në Shqipëri ka zënë vend një përfyrim disi tepër entuziast për rolin e të rinjve në qeverisjen e vendit, aq sa promovimi i tyre në poste të larta qeveritare duket se i ngjan një formule magjike. Ndonëse në nivelin e marketimit politik, që disa e quajnë edhe propagandë, narrativa e të rinjve që “marrin në dorë fatet e vendit” tingëllon shumë e bukur, në të vërtetë kjo gjë nuk mund të kapërdihet pa u përtypur. Filozofi i famshëm Immannuel Kant thotë diku se ne nuk mund ta lëmë menaxhimin e një kopështi fëmijësh në dorën e tyre, pikërisht nga që ne i duam shumë ata. Ndonëse kjo referencë mund të çalojë pak, aspak nuk mund të diskutohet nevoja për maturi, për përvojë, për dituri dhe për integritet të sprovuar të atyre që marrin përsipër udhëheqjen e vendit. Besoj që biem dakord që të rinj ka edhe në Amerikë, në Europë, në Kinë apo kudo tjetër, e megjithatë, qeveritë e këtyre vendeve bazohen në profile tjera. Promovim i të rinjve nuk do të thotë katapultimi i tyre në poste të larta, prej nga do të bien me siguri shpejt, për t’u djegur kështu politikisht dhe profesionalisht. Funksionet e larta politike dhe shtetërore janë për ata që i kanë kaluar me sukses provimet jetës në aspektin profesional dhe, mbi të gjitha, kanë përballuar qartë sprovat e karakterit përgjatë karrierës së tyre. Eksperimentet e përsëritura me rishtarë të mirëfilltë, që bëhen drejtorë, ambasadorë apo deri dhe ministra, janë të dëmshme, në radhë të parë, për vendin, por edhe për vetë ata që, pikërisht për shkak të rinisë, nuk arrijnë të shohin kurthin që i përgjon pas kata pultimit. Më duket se u zgjata shumë për të thënë vetëm kaq: ndryshimet duket nuk se sjellin ndonjë cilësi të re.

Mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të znj.Balluku. Pse kjo mbrojtje politike ndaj saj ndonëse e akuzuar për afera korruptive?

Unë parimisht nuk komentoj publikisht emrin e askujt. Aq më tepër në këtë rast, kur nuk ka mbetur askush pa u shprehur dhe asgjë pa u thënë, komentet e mia do të ishin të tepërta. Sa i përket qëndrimit të politikës në këtë rast, duket se jemi përballë ngatërresës së dy aspekteve.

Së pari: duket se politika ka filluar të kthjellohet disi, pas euforisë me të cilën miratoi reformën në drejtësi në unanimitet të rrallë para gati një dekade. Nëse është vertet kështu, është mirë, pasi duhet kuptuar, më në fund, se reforma në drejtësi nuk mund të reduktohet vetëm tek një strukturë e veçantë si SPAK-u. Në të njëjtën kohë, është urgjente nevoja për të hequr dorë nga bestytnia naive se kjo strukturë mund të zgjidhë në mënyrë magjike hallet e vendit. Jo. Ajo mund të zgjidhë disa probleme të karakterit penal, ndërkohë që problemet themelore të vendit, që janë shumë herë më të mëdha dhe të ndërlikuara, janë të karakterit politik dhe mund të zgjidhen vetëm përmes reformave politike.

Së dyti: pikërisht për arsye se nevoja për të gjetur zgjidhje për problemet evidente që shfaqen në praktikën e përditshme të reformës në drejtësi është e dukshme, nismat për qasje të re nuk mund të marrin shkas nga raste të caktuara juridike, që lidhen me zyrtarë të nivelit të lartë. Qeveria dhe shumica parlamentare kanë raste të pafundme të problemeve me dhënien e drejtësisë në vend ndaj qytetarëve të thjeshtë, prej të cilave mund të nisen me plot legjitimitet për të kryer përmirësime në sistem. Ndërsa tentativa për një qasje sistemore dhe parimore, e nxitur nga një rast i vetëm konkret në nivelin e lartë të qeverisjes, vetëm sa e kompromenton qëllimin e vërtetë për përmirësime në sistem.

Kryeministri Rama e konsideroi të mbyllur çështjen “Balluku” por çfarë mesazhi u dërgon qytetarëve për drejtësinë dhe llogaridhënien e politikës?”

Kuvendi është një strukturë e cila do të duhet të bashkojë parimet dhe vlerat më të larta politike, juridike dhe morale të vendit. Në vendimet e tij, qytetarët do të duhet të dallojnë jetëzimin e këtyre vlerave. Vendime pa vulën e vullnetit politik dhe pa peshën e moralit shoqëror nuk i shërbejnë askujt. Imuniteti parlamentar në kohën e sotme, dhe sidomos në Shqipërinë e sotme, është në të vërtetë një relike e padobishme. Si rregull, në vendet demokratike, ai jepet për të mbrojtur funksionimin e pa shqetësuar të parlamentit nga prishja e raporteve të shumicave parlamentare, për të parandaluar rastet e caktuara të përndjekjes politike apo për të garantuar pavarësinë e vendimmarrjes së deputetëve të veçantë në raste të caktuara përballë ndërhyrjes nga ana e pushtetit ekzekutiv apo gjyqësor. Por vetëm kaq. Çdo gjë tjetër do të ishte privilegji i pa drejtë. Është e vështirë që, në rastin konkret, të shihet ndonjë kërcënim i funksionimit të parlamentit si i tillë, apo i grupeve të caktuara parlamentare, i përndjekjes politike apo i ndikimit ndaj vendimmarrjes individuale të ndonjë deputeti. Me pak fjalë, zgjidhja më e mirë do të duhej të ishte gjetur në parimet e politikës dhe të moralit, pasi Kushtetuta dhe ligji në këtë rast duket se nuk e mbështesin qëndrimin refraktar ndaj organeve të zbatimit të ligjit.

Nëse raste të tilla vazhdojnë të përfundojnë me refuzime në Kuvend, a krijohet ideja se drejtësia ka kufij kur bëhet fjalë për pushtetin?

Drejtësia në Shqipëri, ashtu si dhe në të gjithë botën, nuk është hyjnore. E përderisa është e tillë, ajo ka nevojë për kufij. Dhe këta kufij i vendos sovrani, përmes Kuvendit, në kushte shumë të qarta e në favor të interesit të përgjithshëm. Në këtë kuptim, politika e ka detyrë që të krijojë dhe të përmirësojë kuadrin ligjor, pra kufijtë, për sistemin e drejtësisë. Por që të jetë e ligjshme, ndërhyrja e politikës duhet të kryhet si reagim ndaj një fenomeni problematik shqetësues dhe kurrësesi si reagim ndaj një rasti konkret të veçantë, pasi ky do të ishte thjesht pengim i drejtësisë.

A duhet që zyrtarët e lartë të japin dorëheqje sapo përfshihen në hetime serioze…?

Drejtuesit e lartë duhet të mishërojnë një kombinim të profesionalizmit, moralit dhe integritetit. Unë e konsideroj aventurë me rrisk të lartë për vendin emërimin e personave që nuk i kanë dëshmuar qartë këto vlera gjatë karrierës së tyre. Dorëheqja është një akt i lartë përgjegjshmërie, pjekurie dhe integriteti. Ajo është atribut i atyre që me postin i lidh përgjëgjësia, morali e integriteti dhe jo interesi meskin. Për fat të keq, ajo në Shqipëri ende mbetet e munguar, aq sa të munguara mbeten vlerat e përmendura në fjalinë e parë të këtij paragrafi. Eksperimentimet me promovimin e personave të pa sprovuar në poste të larta politike në Shqipëri, vijojnë të jenë fatale. Dikur, vetëm një javë pasi kisha marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm, nga një gazetar inteligjent, u pyeta nëse kisha menduar ndonjëherë për dorëheqjen. Përgjigja ime asokohe ishte se për dorëheqjen mendoj çdo ditë, për arsyen e thjeshtë se me karrigen ku ulem nuk kam ndonjë lidhje organike, pra nuk jam i ngjitur pas saj. Atë natë ishte data 10 dhjetor 2018. Si për çudi, saktësisht më 10 dhjetor 2020, unë e dhashë vërtet dorëheqjen, pasi një polic qëlloi me armë në mes të natës dhe në shkelje të ligjit një të ri në Tiranë.

Pavarësisht skandaleve të qeverisë, akuzave për lidhje me krimin dhe korrupsionin, çfarë e mban ende në pushtet të majtën? Pse kaq e vështirë të rrëzosh një qeveri të tillë…?

Unë mendoj se çështja e rrëzimit të qeverisë as nuk duhet të shtrohet. Në një vend normal, qeveritë nuk rrëzohen, por ndërrohen. Për fat të keq, Shqipëria vijon ende jermin komunist të frymëzuar nga mentaliteti revolucionar i rrëzimit apo përmbysjes. Në të vërtetë, ne nuk kemi nevojë për këtë dhe as nuk duhet të merremi me këtë gjë, e cila kurrë nuk na çon përpara. Por, Shqipëria ka nevojë urgjente që të mësojë se si ndërrohet qeveria dhe që krijojë kushtet që kjo gjë të ndodhë, përmes zgjedhjeve të lira dhe mundësisht sa herë këto të ndodhin edhe për një periudhë të caktuar kohë, ndërkohë që demokracia maturohet. Krijimi i këtyre kushteve lidhet me shumë gjëra, por, para së gjithash, me atë që përmenda pak më lart. Vendi ka nevojë jetike që të reformojë sistemin politik, përmes reformimit rrënjësor të partive politike. Pa një ndryshim të ligjit për partitë politike, pa vendosjen e demokracisë së vërtetë brenda partive politike që qeverisin vendin, asgjë nuk mund të përmirësohet realisht. Qeveritë duhet të ndërrohen dhe jo të rrëzohen. Që kjo të ndodhë, partitë duhet të humbasin ekskluzivitetin e përcaktimit të kandidatëve në zgjedhje jashtë proceseve të mirëfillta demokratike. Retorikat revolucionare të rrëzimeve imagjinare vetëm sa topisin ndërgjegjen publike dhe çimentojnë sistemin aktual jo demokratik.

Nëse korrupsioni më i madh është ai politik, kush duhet ta mbajë përgjegjësinë reale për të?

Unë mendoj se roli i drejtësisë në luftën kundër korrupsionit është i rëndësishëm, por jo primar dhe as vendimtar. Drejtësia mund të godasë raste të shkëputura për të cilat arrin të mbledhë prova të mjaftueshme. Drejtësia mund të godasë në ato raste kur janë shkelur apo shmangur procedurat e parashikuara me ligj. Por si bëhet në ato raste kur procedurat respektohen me përpikmëri, e megjithatë i gjithë investimi është i mbrapshtë? Dëmi më i madh i shkaktohet vendit kur paratë e tij shkojnë në prioritete të gabuara. Lënia pa ndërtuar e një aksi rrugor, e një porti a spitali, apo ndërtimi në vend të tyre i disa të tjerëve, për të cilët nevoja nuk është e dorës së parë, është korrupsioni më i madh. Edhe pse në këto raste, praktikat ligjore të ndjekura mund të jenë pa asnjë të metë, pra edhe jashtë kompetencës së organeve të drejtësisë, dëmi real i shkaktuar vendit është shumë herë më i madh nga ai i rasteve kur shkeljet janë në procedura. Korrupsioni i vërtetë është ai i nivelit politik dhe jo procedurial. Por vendimet politike mund t’i gjykojë e vetmja “gjykatë politike” e vendit që përbëhet nga zgjedhësit në ditën e gjykimit të tyre, në ditën e zgjedhjeve. Për fat të keq të vendit, dita e zgjedhjeve në Shqipëri është ende një ditë feste dhe vallesh folklorike, krejt larg së qeni një ditë “gjyqi politik”. Dhe kjo ndodh për një fakt të thjeshtë: populli thirret jo për të gjykuar, por për të zgjedhur mes vullnetit të njërit apo tjetrit kryetar partie, vullnete të cilat përgjithësisht nuk kanë ndonjë ndryshim substancial, të paktën sa i përket profilit të atyre që emërohen/zgjidhen. Unë kam bindjen e plotë se ky është problemi themelor i Shqipërisë Sistemi i saj demokratik është i dominuar eksluzivisht nga parti politike të cilat në vetvete nuk janë as demokratike dhe as të rregulluara nga një ligj i mirëfilltë. Dhe për sa kohë që kjo gjendje do të vijojë, problemet e vendit do të thellohen.

Si ish-ministër i brendshëm, a mendoni se institucionet kanë sot mjaftueshëm pavarësi për të hetuar korrupsionin politik pa presione?

E përsëris sërish se Korrupsionin politik mund ta luftojë vetëm populli përmes votës së lirë. Sistemi i drejtësisë nuk mundet që të na e ndërtojë, për shembull, aksin kombëtar më të rëndësishëm, që duhej të lidhte Tiranën me Europën, nëpërmjet Shkodrës, edhe pse në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të miratuar me ligj që në vitin 2014, ky është shpallur si një prioritet i dorës së parë. Sistemi i drejtësisë nuk mund ta përmbysë paradoksin e rrallë që Rruga e Kombit fillon me katër korsi në Kukës dhe vjen duke u ngushtuar sa më shumë i afrohet Tiranës, duke ndjekur parimin e mbrapshtë që zbatohet gjërësisht: sa më i dendur trafiku, aq më e ngushtë rruga dhe anasjelltas. Sistemi i drejtësisë nuk mund t’i heqë apo t’i vendosë sipas të njëjtit standard trarët e postblloqeve të pagesës në rrugët e vendit dhe as nuk mund t’u shpjegojë kuksianëve se përse ata duhet të paguajnë kur udhëtojnë me makinë për në shtëpitë e tyre, por nuk duhet ta bëjnë këtë gjë kur shkojnë për mik në Vlorë. Shembuj të tillë ka shumë, por gazeta juaj e ka të kufizuar hapësirën. Jo reforma në drejtësi, por reforma e sistemit politik është ajo për të cilën më së shumti ka nevojë vendi. Por, aq sa parakosalisht unanim ishte konsensusi për reformën në drejtësi para një dekade, por aq unanime është heshtja dhe konsensusi për të mos reformuar sistemin politik në vend. Dhe për sa kohë që gjendja do të vijojë kështu, korrupsioni politik do të vijojë të gërryejë vendin, ndërkohë që ndërgjegja publike do të vijojë të konsumojë si narkotikë raste të shkëputura zyrtarësh të lartë që dënohen kryesisht për kotësira.

/Gazeta Panorama 

Intervista- Eran Ortal: Irani eksperimenton me doktrinën dhe teknologjinë kineze të luftës

Eran Ortal, gjeneral rezervë i brigadës në Forcat Mbrojtëse të Izraelit, në intervistën dhënë gazetarit të Radios Evropa e Lirë, Ray Furlong, pranë Tel Avivit. Mars, 2026.

 

Ray Furlong

Lufta në Iran ofron shumë mësime për efektivitetin e doktrinës dhe të pajisjeve ushtarake kineze, të cilat përdoren nga ushtria iraniane, thotë Eran Ortal, gjeneral rezervë i brigadës në Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

Në një intervsitë dhënë Radios Evropa e Lirë nga një lokacion pranë Tel Avivit, Ortal thotë se taktikat iraniane rreth Ngushticës së Hormuzit janë shumë të ngjashme me ato që pritet të përdorë Kina në një konflikt të mundshëm me Tajvanin.

Ushtria amerikane dhe ajo kineze po “marrin shënime”, ndërkohë që zhvillohet konflikti aktual, sipas tij.

Ortal ka qenë më herët komandant i qendrës Dado të Forcave Mbrojtëse të Izraelit – një njësi studimore ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm.

Ai tani është drejtues i programit ushtarak në qendrën Begin-Sadat (BESA) në Universitetin Bar-Ilan dhe studiues në Këshillin Amerikan për Politikë të Jashtme (AFPC).

Radio Evropa e Lirë: Irani e ka bllokuar Ngushticën e Hormuzit. A ka zgjidhje ushtarake dhe nëse po, si duket ajo?

Eran Ortal: Kjo është natyra e luftës asimetrike. Ju mund të shkatërroni flotën iraniane dhe gjithë Marinën iraniane… dhe Flota e Pestë e ka bërë këtë. Por, aftësitë asimetrike, motoskafet, anijet pa pilotë, minat dhe raketat bregdetare do të vazhdojnë të jenë aty. Dhe, ky është një kërcënim që nuk mund ta eliminoni plotësisht.

Është njësoj si problemi i raketave kundër tankeve në Liban. Ju mund t’i eliminoni disa prej tyre, mund të merrni masa kundër tyre, por ato gjithmonë do të kenë mundësi të sulmojnë nga larg.

Ju mund t’i mbroni anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe mund ta fitoni luftën. Këto janë, në thelb, taktikat dhe strategjitë për të manovruar rreth këtij problemi. Dhe, mendoj se kjo është strategjia amerikane.

Radio Evropa e Lirë: Po thoni se ata mund ta mbrojnë transportin detar deri në njëfarë mase, por nuk ka garanci dhe anijet mund të humbasin?

Eran Ortal: Po, por në një shkallë të mjaftueshme, mjaft të mirë. Por, sërish, nuk është vetëm çështje taktike. Dhe, iranianët e kuptojnë këtë. Ndaj, sulmuan objektet e naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe, që shtrihen përreth Ngushticës, direkt në Ngushticën e Adenit.

Një pjesë e madhe e naftës arrin të dalë rrugëve të tjera, por ata po përpiqen t’i sabotojnë edhe ato.

Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara kanë vendosur t’i zhvendosin forcat nga Azia. Kjo përfshin 2.500 marinsa, një anije detare sulmi… Për çfarë mendoni se po bëhet kjo? Ndoshta për ishullin Kharg?

Eran Ortal: Gjëja e parë është parandalimi: ‘Jemi të gjithë brenda, mund ta vazhdojmë këtë dhe mund ta përshkallëzojmë situatën’.

Gjëja tjetër është qëllimi operacional. Mendoj se kjo mund të nënkuptojë se CENTCOM (Komanda Qendrore e SHBA-së) mund të ketë disa operacione për hapjen e Ngushticës së Hormuzit në bregun iranian. Mund të nënkuptojë, gjithashtu, se mund ta marrim ishullin Kharg.

Dhe, ndoshta, një qëllim tjetër operacional mund të jenë 440 kilogramët e uraniumit të pasuruar – të fshehur diku në një nga malet iraniane – që vetëm një operacion tokësor mund t’i largojë, nëse regjimi iranian nuk rrëzohet deri në fund të kësaj lufte.

Radio Evropa e Lirë: Këta janë 450 kilogramët e uraniumit të pasuruar për të cilët foli Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i SHBA-së. Ndalemi te fushata ajrore. Ka pasur disa diskutime në mediat izraelite se Irani mund të përfundojë duke u dukur si Gaza, se mund ta ketë atë nivel shkatërrimi dhe vdekjesh civile. A mendoni se kjo është një mundësi?

Eran Ortal: Nëse kjo frazë do të thotë që Irani mund të lëndohet shumë dhe pjesa më e madhe e infrastrukturës së tij të shkatërrohet, atëherë po. Por, Gaza është shkatërruar plotësisht jo për shkak të bombardimeve nga ajri. Është shkatërruar plotësisht sepse ka qenë një hapësirë beteje e përgatitur nga Hamasi [v.j. grup palestinez, i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera], për të zmbrapsur çdo ofensivë të ardhshme izraelite.

Kjo është larg nga situata në terren në Iran. Ky është një vend me 90 milionë banorë. Është shumë më i madh se Gaza. Pra, jo, kjo hapësirë nuk mund të shkatërrohet aq sa Gaza.

Teknologjia dhe taktikat kineze

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mësimesh ushtarake mendoni se po nxjerrin Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nga ky konflikt aktual? Një gjë që më vjen ndërmend është se Irani ka shumë teknologji ushtarake kineze, për shembull.

Eran Ortal: Strategji e Iranit është ajo që ushtria amerikane e quan A2/AD – “anti-access/area denial” (ndalim i qasjes dhe i përdorimit të zonës).

Kuptimi është ky: me raketa me saktësi të lartë dhe aftësi të tjera, ndërpret ose frikëson palën tjetër që të hyjë në zonën e konfliktit – kjo është pjesa “anti-access”.

Pjesa e “area denial” shihet te Ngushtica e Hormuzit. Irani nuk mund të konkurrojë me amerikanët në kontrollin e detit dhe të ajrit, por mund të pengojë përdorimin e lirë të këtyre hapësirave.

Strategjia kineze për teatrin e saj të ardhshëm të luftës është shumë e ngjashme. Ata do të përparonin drejt Tajvanit dhe pastaj do të përpiqeshin t’i pengonin amerikanët që të ndërhynin, duke përdorur të njëjtën strategji.

Armët që përdorin iranianët – shumica kineze, ruse ose kopje iraniane të tyre – me të njëjtat taktika dhe komandim, u ofrojnë amerikanëve mësime të vlefshme për një konflikt të mundshëm në Detin e Kinës Jugore. Jam i sigurt që ekipi amerikan po mban shënime.

Radio Evropa e Lirë: Mendoj se dallimi kryesor është se forcat e armatosura kineze funksionojnë në një nivel shumë më të lartë, si në pajisje ashtu edhe në organizim, krahasuar me ato iraniane…

Eran Ortal: Absolutisht. Dhe, sigurisht, edhe kinezët po mbajnë shënime. Ata duhet të mendojnë se janë shumë më të mirë se iranianët, siç e thatë edhe ju. Por, nga ana tjetër, ata gjithashtu po mendojnë me vete se “këto janë pajisjet tona… kjo është doktrina jonë”.

Mendoj se ata duhet të marrin mësim nga ngjarjet e fundit, veçanërisht duke pasur parasysh vitin 2027 si objektiv që kanë shpallur për t’u përgatitur për një konflikt të mundshëm rreth ngushticës dhe ishujve të Tajvanit.

Radio Evropa e Lirë: Nëse konflikti aktual përfundon me Iranin e dobësuar, por pa ndryshim regjimi, ku e lë kjo Lindjen e Mesme, ekuilibrin e fuqisë? A do të thotë kjo se, pas X muajsh, do të ketë një luftë tjetër?

Eran Ortal: Për largimin e këtij regjimi, ne mund të krijojmë vetëm kushte më të favorshme që iranianët të përfitojnë… Pavarësisht nëse kjo ndodh ose jo, zhveshja e Iranit nga aftësitë e tij ushtarake, nga sistemi i tij i mbrojtjes, është thelbësore në rajonin tonë.

Është thelbësore jo vetëm për ta stabilizuar këtë rajon, por është thelbësore edhe në një kuadër më të gjerë, si për një konflikt të mundshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Amerikanët nuk do të donin që Irani të ishte në krahun jugor të Paqësorit në një skenar të tillë. Pra, zhveshja e Iranit nga aftësitë e tij është një gjë e mirë.

Ekziston rreziku, sepse një bishë e plagosur që kërkon hakmarrje në këtë rajon, është e rrezikshme. Por, prapëseprapë, kemi krijuar një dritare kohore prej disa vitesh, që ky Iran i dobësuar të trajtohet – në rastin më të keq.

Po civilët iranianë?

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do t’u thoshit njerëzve në Iran që kanë protestuar kundër Qeverisë së tyre, autoriteteve klerike? Ata kanë rrezikuar jetën e tyre. Janë qëlluar. Ndoshta kanë humbur të dashurit e tyre. Dhe tani janë të tmerruar nga fushata izraelite dhe amerikane.

Eran Ortal: Ajo që kam dëgjuar nga Irani, ajo që mund të shohim nga Irani, janë njerëzit e njëjtë që brohorasin, duke u lutur që ofensiva të vazhdojë derisa ky regjim të bjerë.

Nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli mund t’u premtojnë diçka me përgjegjësi këtyre njerëzve. Por, sigurisht, qëllimi i kësaj lufte është i përbashkët për atë grup dhe për aleatët që luftojnë në qiellin iranian.

Rënia e bombave është një gjë shumë e frikshme. Por, siç e dini, raketat bien mbi qytete, qyteza dhe komunitete izraelite dhe në Gjirin Persik, dhe ato bien pa dallim. Qëllimi i tyre është të vrasin civilë.

Bombardimet amerikane dhe izraelite në Iran kanë në shënjestër posaçërisht objektiva të identifikuara nga inteligjenca. Disa gabime mund të ndodhin dhe disa dëme anësore ndodhin gjithmonë në luftë.

Jam i sigurt dhe vërej që ata iranianë për të cilët po flisni, e kuptojnë këtë, sepse mund t’i shohim duke ecur nëpër rrugë, duke dërguar fotografi të pikave të Basijit [forcë ushtarake] në Teheran dhe duke u lutur që këto pika të bëhen shënjestra ditën tjetër.

Përgatiti: Valona Tela

Intervista- Raz Zimmt: A e ka lideri i ri i Iranit pushtetin në dorë?

Një portret i vendosur në Teheran më 11 mars shfaq ish-udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, duke ia kaluar flamurin djalit dhe pasardhësit të tij, Mojtaba Khamenei.

 

Ray Furlong

Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, mbase e ka pushtetin e plotë në dorë, pavarësisht se nuk ka bërë asnjë paraqitje publike qëkurse u emërua më 8 mars dhe pas raportimeve se ai mund të jetë plagosur në një sulm ajror, sipas një eksperti izraelit për çështje iraniane.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Tel Aviv më 11 mars, Raz Zimmt, i cili drejton programin për Iranin në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, tha se pyetja kryesore është nëse Khamenei do të jetë në gjendje të mbajë “kontakte të përditshme me establishmentin politik dhe me atë të sigurisë” për të ruajtur “aftësinë e regjimit për të funksionuar”.

Radio Evropa e Lirë: Cili është vlerësimi juaj për gjendjen e tanishme në luftë?

Raz Zimmt: Është shumë e qartë se, si Izraeli, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur suksese shumë të rëndësishme ushtarake në përpjekjet e tyre për t’i dobësuar sa më shumë aftësitë strategjike të Iranit.

Nëse i shikoni kapacitetet e raketave balistike, sistemet e mbrojtjes ajrore, madje edhe disa pjesë të mbetura të programit bërthamor të Iranit, dhe sigurisht përpjekjet për të minuar ose dobësuar forcat e sigurisë së Iranit, Gardën Revolucionare, Basij-in, marinën iraniane, gjithçka po shkon mjaft mirë.

Pyetja është nëse këto arritje do ta mundësojë arritjen e qëllimeve kryesore, të cilat sipas mendimit tim janë dy: së pari, të dobësohen aftësitë strategjike të Iranit deri në një pikë ku do të jetë shumë e vështirë të rindërtojë programin e tij bërthamor dhe raketat balistike, ashtu siç u përpoq të bënte pas luftës 12-ditore në qershor.

Dhe, më pas, qëllimi i dytë do të ishte dobësimi dhe minimi i regjimit iranian.

Radio Evropa e Lirë: Në rregull, le t’i shtjellojmë një nga një, duke filluar me dobësimin efektiv të aftësive ushtarake dhe të sigurisë së Iranit.

Zimmt: Kur bëhet fjalë për raketat, gjatë luftës 12-ditore në qershor, Izraeli arriti t’i shkatërrojë shumë nga raketahedhësit dhe më pas t’i bllokojë hyrjet dhe daljet e të ashtuquajturave komplekse nëntokësore që përdoren për t’i ruajtur ato.

Nëse kjo ndodh përsëri, nuk do të përbëjë ndonjë ndryshim të madh, sepse në fund të fundit, Irani do të jetë në gjendje ta rikthejë prodhimin e raketave të tij, përveç nëse Shtetet e Bashkuara janë në gjendje t’i godasin komplekset nëntokësore dhe, më e rëndësishmja, t’i godasin linjat e prodhimit.

Sa i përket çështjes bërthamore, nëse lufta përfundon me 450 kilogramë uranium të pasuruar në shkallë 60 për qind (vlerësimet për sasinë që ka Irani ndryshojnë; kjo shifër është dhënë nga i dërguari amerikan Steve Witkoff), nëse ky material mbetet ende në Iran, atëherë ky do të ishte zhvillim shumë shqetësues, sepse Irani mund të ketë ende njohuritë teknike dhe kapacitetin për të kaluar në zhvillimin e armëve bërthamore.

Radio Evropa e Lirë: Një udhëheqje e re po shfaqet në Iran. Ende nuk ka asnjë shenjë të Khameneit të ri.

Zimmt: Po. Ka pasur disa raportime se ai në fakt është plagosur gjatë orëve të para të sulmit, por ai është emëruar nga Asambleja e Ekspertëve, kështu që duhet të supozojmë se është i aftë ta përmbushë detyrën e tij, të paktën.

Radio Evropa e Lirë: Pra, ju nuk do t’i jepnit shumë rëndësi faktit që nuk e kemi parë askund?

Zimmt: Jo. Është shumë e qartë se regjimi iranian po lufton për mbijetesë. Ata e dinë shumë mirë se Mojtaba Khamenei mund të bëhet caku i radhës nga Izraeli ose nga Shtetet e Bashkuara, dhe prandaj ai duhet të fshihet. Pyetja, sipas mendimit tim, është nëse ai është në gjendje të komunikojë dhe të vazhdojë kontaktet e përditshme me establishmentin politik dhe të sigurisë brenda Iranit, sepse kjo është ajo që ka rëndësi: nëse ai është në gjendje të ruajë një lloj vazhdimësie për të mbajtur aftësinë e regjimit për të funksionuar.

Radio Evropa e Lirë: A mund të mbijetojë regjimi?

Zimmt: Çdo lloj ndryshimi i regjimit në Iran, dhe ne sigurisht shpresojmë për ndryshim regjimi në Iran, varet sipas mendimit tim nga tri kushte kryesore. Njëra është dalja e miliona iranianëve në rrugë, sepse përndryshe do të jetë pothuajse e pamundur, sipas mendimit tim, të rrëzohet regjimi iranian vetëm përmes sulmeve ajrore.

Kushti i dytë do të ishte të shihnim një lloj koalicioni midis pjesëve dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë iraniane, studentë, gra, shoferë autobusësh, punëtorë dhe pakica etnike, për të punuar së bashku.

Së fundi, një kusht tjetër për ndryshimin e regjimit në Iran është të ketë disa çarje dhe ndarje, dhe ndoshta dezertime, brenda aparatit të sigurisë në Iran. Dhe, kjo është diçka që do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur sepse, siç e dimë, Garda Revolucionare dhe Basij varen shumë nga Republika Islamike. Ata e dinë se nëse regjimi shembet, mund të paguajnë pasoja për këtë. Prandaj ata, sipas mendimit tim, do të luftojnë deri në fund.

Radio Evropa e Lirë: Pra, deri tani nuk ka çarje?

Zimmt: Mund të shohim një dobësim të rrjeteve të komandës dhe kontrollit brenda Iranit. Mund të shohim disa ndarje midis pjesëve të ndryshme të establishmentit ushtarak dhe politik në Iran.

Por, sigurisht që nuk kemi parë ndonjë humbje të kontrollit. Vetëm dje pashë informacione për pika kontrolli të ngritura nga Basij dhe nga forcat e rendit në Iran. Ende kemi raportime për agjencitë e inteligjencës në Iran që arrestojnë njerëz për tradhti ose për bashkëpunim me Izraelin.

Radio Evropa e Lirë: Nëse regjimi mbijeton, si do të jenë gjërat?

Zimmt: Kam frikë se, nëse regjimi i tyre mbijeton, veçanërisht nëse është nën udhëheqjen e Mojtaba Khameneit, mund të shohim një shtet edhe më të ashpër, më të përkushtuar jo vetëm për të vazhduar synimet strategjike kryesore të Iranit – që do të thotë raketat, programin bërthamor dhe ambiciet rajonale – por mund të shohim edhe një regjim që mund të rrezikojë edhe më shumë krahasuar me atë nën udhëheqjen e Ali Khameneit.

Për shembull, e dimë se gjatë viteve nën udhëheqjen e Khameneit, Irani po përparonte drejt arritjes së statusit të një shteti pothuajse bërthamor, por Khamenei nuk mori vendimin përfundimtar për të zhvilluar armë bërthamore.

Shqetësimi im është se dikush si Mojtaba mund të rrezikojë për ta bërë këtë, veçanërisht pasi të kuptojë se kjo mund të jetë pengesa përfundimtare përballë Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Nëse establishmenti fetar mbetet në pushtet, çfarë do të thotë kjo për marrëdhëniet me shtetet e Gjirit?

Zimmt: Ata do ta kuptojnë se nëse ky regjim mbetet ende në këmbë, do të duhet të pajtohen me këtë. Dhe, presidenti Trump nuk do të jetë këtu përgjithmonë. Nuk jam i sigurt nëse ata mund t’u besojnë izraelitëve, sepse disa prej tyre të paktën e konsiderojnë Izraelin si një forcë destabilizuese.

Përfundimi i tyre mund të jetë: mund të na duhet të punojmë me Izraelin dhe me Shtetet e Bashkuara për të forcuar sistemet tona të mbrojtjes kundrejt iranianëve, por gjithashtu duhet të përpiqemi të gjejmë një mënyrë për t’u përshtatur me Iranin, sepse Irani është këtu për të qëndruar dhe sepse Republika Islamike mund të vazhdojë të ekzistojë.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Intervista- Hasani: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues

Bekim Bislimi

Dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues, vlerëson ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Osmani nuk ka të drejtë ta shpërndajë Kuvendin, i cili nga sot ka 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit.

Ai shpjegon se, vetëm në rast se dështon brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Hasani thekson se konsultimet e partive politike me presidenten për çështjen e caktimit të datës së zgjedhjeve, janë “fiktive dhe jokushtetuese”, si dhe kanë për qëllim “të përligjin rrënimin e rendit kushtetues, për shkak të uzurpimit të kompetencave nga ana e zonjës Osmani”.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, si e komentoni dekretin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës?

Enver Hasani: Kjo që ka bërë zonja Osmani, është përpjekje për ndryshim të formës së pushtetit shtetëror dhe shndërrim të sistemit kushtetues nga parlamentar në sistem presidencial.

Në sistemet presidenciale dhe gjysmëpresidenciale, presidenti ka të drejtë ta shpërndajë parlamentin. Ndërkaq, në sistemet parlamentare, siç e ka Kosova, kjo nuk ndodh.

Parlamenti shpërndahet vetëm atëherë kur ka mocion mosbesimi, ose kur ai e shpërndan vetveten, si dhe kur nuk mund të formohen me rrugë kushtetuese organet qendrore të pushtetit, të cilat legjitimohen nga parlamenti.

 

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndikimi mund të ketë në proceset e mëtutjeshme, në rast se dekreti i presidentes Osmani kontestohet në Gjykatën Kushtetuese?

Enver Hasani: Nëse dekreti kontestohet në Gjykatë, sigurisht që anulohet, sepse është jokushtetues fund e krye.

Në këtë rast, presidentja Osmani i ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Askush nga jashtë, asnjë organ nga jashtë nuk mund ta shpërndajë në mënyrë autonome Kuvendin e Kosovës, përveç vetë Kuvendi, në rast të dështimit të tij për të realizuar vullnetin e sovranit.

Pra, asnjë organ tjetër nga jashtë, as presidenti dhe as Qeveria, nuk mund ta shpërndajnë Kuvendin, sepse është natyra e sistemit parlamentar që nuk e lejon një gjë të tillë. Kuvendi nuk i përgjigjet as presidentit dhe as Qeverisë, por anasjelltas.

Radio Evropa e Lirë: A prisni ju vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit apo që vendi të shkojë në zgjedhje në prill?

Enver Hasani: Nga sot mbeten edhe 60 ditë për të ndodhur shpërndarja e Kuvendit nëse nuk zgjidhet presidenti i Republikës.

Brenda këtyre ditëve, detyrën e presidentit e ushtron zonja Albulena Haxhiu [kryetare e Kuvendit].

Ajo duhet t’i shpallë zgjedhjet, të cilat mbahen brenda 45 ditëve nga dita e shpërndarjes së Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së presidentit të Republikës.

Kjo bazohet në nenin 82 të Kushtetutës, për shpërndarjen e Kuvendit. Aty është e përcaktuar qartë.

Radio Evropa e Lirë: Si shpjegohet kjo në praktikë?

Enver Hasani: Dje, Kuvendi ka pasur kuorum. Këtu po ngatërrohet kjo çështje. Kuorumi prej 80 deputetësh nevojitet për rundin e parë dhe të dytë për zgjedhjen e presidentit. Ndërkaq, kuorumi për punën e Kuvendit është 50 për qind plus një votë, që do të thotë 61 deputetë.

Mbrëmë, Kuvendi është mbledhur. E ka nisur procedurën me dy kandidatë për president. Pra, procedura zyrtarisht ka nisur.

Prej momentit që nis, Kuvendi i ka 60 ditë për ta zgjedhur presidentin. Në rast se nuk zgjidhet, shkohet me automatizëm në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pamja nga seanca e 5 shkurtit në Kuvendin e Kosovës.

Pamja nga seanca e 5 shkurtit në Kuvendin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Presidentja Osmani ka thënë se, sipas nenit 86 të Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill. Si e sheh Kushtetuta këtë situatë dhe a ka zgjidhje tjetër kushtetuese?

Enver Hasani: Ashtu thotë Kushtetuta, por ajo askund nuk thotë se vendi shkon në zgjedhje me automatizëm.

Neni 86 nuk ia jep asnjë kompetencë kujtdo qoftë për ta shpërndarë Kuvendin. Kalimi i afatit 30-ditor para zgjedhjes së presidentit në mandat të rregullt, asnjë pasojë juridike – në kuptim të shpërndarjes së Kuvendit – nuk mund të prodhojë.

Në veçanti, nuk thotë se presidenti aktual i Republikës ka të drejtë ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës. Ky është anulim arbitrar i vullnetit të sovranit, akoma pa u testuar në praktikë sipas rrugës kushtetuese.

Me Kushtetutë përcaktohet saktë se kur shpërndahet dhe si shpërndahet Kuvendi.

Asnjë normë kushtetuese nuk i jep të drejtë presidentit të Republikës ta shpërndajë Kuvendin krye në vete.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual, është kriter procedural.

Por, moszgjedhja e tij, sipas nenit 86, nuk i jep të drejtë as kompetencë presidentit për shpërndarje të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst vlen neni 82 për 60 ditët. Pra, afati 30-ditor nuk e ka më asnjë vlerë. Nga sot e tutje, janë 60 ditë për zgjedhjen e presidentit. Në qoftë se nuk zgjidhet, atëherë Kuvendi shpërndahet në mënyrë automatike dhe shkohet me automatizëm në zgjedhje.

Presidentja e Kosovës, Osmani në konferencën ku e bëri të ditur dekretin për shpërndarje të Kuvendit.

Presidentja e Kosovës, Osmani në konferencën ku e bëri të ditur dekretin për shpërndarje të Kuvendit.

Radio Evropa e Lirë: Osmani mbajti konsultime me disa parti politike – a pritet të shpallen zgjedhjet?

Enver Hasani: Partitë politike nuk do të duhej të shkonin në konsultime të tilla fiktive dhe jokushtetuese, për të përligjur rrënimin e rendit kushtetues, për shkak të uzurpimit të kompetencave nga ana e zonjës Osmani.

Radio Evropa e Lirë: Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për procedurën e zgjedhjes së presidentit, pas nisjes së seancës mbrëmë, më 5 mars. A ka bazë për shqyrtim kjo kërkesë apo është vetëm pyetje për situatë hipotetike, për të cilën Gjykata tashmë ka ndërtuar standard dhe nuk jep më vendime dhe vlerësime?

Enver Hasani: Kërkesa e zonjës Haxhiu është abuzive dhe nuk besoj që e shqyrton Gjykata Kushtetuese, sepse nuk ka çfarë të shqyrtojë.

Gjykata Kushtetuese shqyrton dhe duhet të shqyrtojë vetëm dekretin jokushtetues të zonjës Osmani.

Efekti i anulimit të tij eventual është i njëjtë, sepse gjendja kushtetuese restaurohet dhe çdo gjë kthehet në binarët kushtetues të 60-ditëshit, plus 45 ditëve të tjera pas tyre, me supozimin që dështon zgjedhja e presidentit të Republikës – procedurë që u nis dje ligjërisht.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni ju gjithë këtë situatë të krijuar lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit?

Enver Hasani: Përpjekje për mbrojtje të interesave personale përmes rrugës antikushtetuese. Kjo mund të çojë në kaos të mëtejmë dhe krijon precedent të rrezikshëm, që ka pasoja serioze për rendin kushtetues. Kjo nuk duhet lejuar!

Radio Evropa e Lirë: Kush nuk duhet ta lejojë?

Enver Hasani: Këtë nuk duhet ta lejojnë forcat politike. Ato nuk duhet ta pranojnë këtë lojë. Forcat politike janë ato që vendosin se a duhet shpërndarë Kuvendi dhe për të shkuar ose jo në zgjedhje.

Ato e kanë atë të drejtë, me dy të tretat e 120 votave të deputetëve. E kanë atë të drejtë edhe nëse brenda 60 ditësh nuk e zgjedhin Qeverinë ose presidentin.

Ato nuk do të duhej të shkonin fare në konsultime me presidenten për caktimin e zgjedhjeve, sepse ai caktim është jokushtetues. Pra, ai dekret (i presidentes Osmani për zgjedhje) është jokushtetues.

Radio Evropa e Lirë: A mund të rikthehet amendamentimi i Kushtetutës në Kuvend për çështjen e zgjedhjes së presidentit në ditët në vazhdim?

Enver Hasani: Jo. Ato amendamente janë të reja dhe nuk janë të njëjta me amendamentet e kontrolluara nga Gjykata Kushtetuese më 20 korrik 2012.

Si të tilla, ato duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues dhe vetëm pastaj të rikthehen në Kuvend.

Krejt procedura e ndjekur mbrëmë ishte antikushtetuese dhe abuzive. Nuk ka të drejtë presidenti i Republikës të dërgojë në Kuvend amendamente të reja për shqyrtim e miratim, pa kaluar në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund t’i dërgojë pastaj në Kuvend.

Presidenti i Republikës ka të drejtë të nisë amendamentime të reja, por ato duhet të dërgohen te kryetari i Kuvendit, i cili, sipas nenit 144.3, i dërgon për kontroll kushtetues në Gjykatën Kushtetuese.


Send this to a friend