Në VOAL lexova një poezi të Vinçens Prenushit me titull “Në rrymë të moteve”, ku përshkruhet një plak i thinjur ndaj të cilit nuk ka dhimb askush, madje përbindëshi i mëkatit i kalon pranë për t`ia bërë dhe më të rëndë vuajtjen. Poeti parathotë fatin e klerikut. (Arshi Pipa, i cili ishte në një qeli me françeskanin kujton se e kishte parë të lidhur e të varur në nevojtoren e burgut.) Në rrymë të moteve, Kadare, në librin “Ftesë në studjo”, me redaktor poetin Ilirian Zhupa, botuar ende pa rënë regjimi, shkruan: “Kur e dënuam me 80 vjet burg Vinçens Prennushin ai ishte 76 vjeç”.
-Më bëri përshtyje folja “e dënuam” dhe duke kujtuar se e dëgjova gabim i thashë: “Ju thatë “e dënuam”, në mos gaboj? Atëherë e futni dhe veten në dënimin e tij?
-Sigurisht. Poeti përgjigjet për çdo gjë”. Kuptohet, jo çdo poet e ka këtë të drejtë sovrane. Ka dhe pjesëmarrës në dënime, nga ata që të heqin stolin. Në vend që të merren me persekutorët, se kush e vari njeriun e perëndisë në nevojtore, duke e kthyer gojën në jashtëqitje, metaforën e vrasjes së Lasgushit e marrin si provë fajsie, si dëshmi. Ja tek e thonë me gojën e tyre: “kur e dënuam me 80 vjet burg Vinçens Prenushin”?! (Ky lloji “përbindëshi” pasi e ndëshkoi njëherë poetin Faslli Haliti në diktaturë për poemën “Dielli dhe rrëkerat”, iu kthye për së dyti në demokraci, duke e akuzuar si himnizues të Enver Hoxhës në poemë?!)
Po përqendrohem tek thelbi i poezisë, një plak sa dhe Lasgushi, që dihej i vdekur, jo më kot e kujton, ku të parit iu gjend pranë Arshi Pipa dhe të dytit Ismail Kadare, ndërsa “përbindëshi i mëkatit” pas viteve `90-të mori pamje shenjtërie, në fakt, i përngjashëm me vrasësin që merr pjesë në funeralin e viktimës së tij. Në botën virtuale “përbindëshi i mëkatit” mund të ngjasojë me imazhet e dragojt që dronët hedhin në qiell, por në të përditshmen tonë, ata vazhdojnë të helmojnë mjedisin e të kafshojnë ku të mundin. Ja thelbi i poezisë:
nji plak prej motit zbardhë…
n’gojë kush s’e xen, s’përmendet emni i ti:
t’i thotë kush fjalë dhime
nën peshë t’dhimve t’veta
kalon edhe e përcjellë përbindshi i mëkatit…
Uli,
zot, mnit qi shtohen…
Petro Marko në librin “Intervistë me vetveten”, ka një episod ku përballet me përbindëshin, Gestapon: “Mora guxim e i thashë gjeneralit: “Luftë është, tani vdes unë, nesër ju. Sa për gjermanë, unë njoh, madje dhe me emra.” Ai u ngrit më këmbë, i gëzuar më buzëqeshi dhe më tha: “Cilët janë?” Unë iu përgjigja: “Njoh Gëten dhe Shilerin!” Atij i ndryshoi menjëherë shprehja e fytyrës. Më tha: “Po ti ç’je?” “Jam një poet shqiptar. Po, që të bindeni se unë jam shqiptar dhe informatori juaj ju ka mashtruar, ju lutem i telefononi ministrit tonë Ernest Koliqi, që më njeh, që e di se kush jam e pastaj më vrisni.” Ia thashë numrin togerit, i cili e mori menjëherë. Unë u shqetësova, se Koliqi, duke dëgjuar zërin e Gestapos, ndoshta do t’u thoshte se cili isha unë: luftëtar në Spanjë e të tjera.
-Na falni për shqetësimin, kemi këtu një… që pretendon se ju njeh. Quhet Petro Marko… M’u drejtua mua: -Ku e keni njohur dhe çfarë ka botuar Koliqi?- Unë i flisja dhe ai përsëriste në telefon:-Në Vlorë, e kishit nxënës, keni botuar “Hija e maleve”, “Gjurmët e stinëve”… Ju ka kushtuar dhe një vjershë në “Leka”…-Ju faleminderit shumë e na falni për shqetësimin në këtë orë! Më vështroi në sy dhe tha shkurt: -Falendero Gëten dhe Shilerin.” Po emrin e informatorit të Gestapos a e njihni? Ai është “përbindëshi i mëkatit”…
Fatbardh Amursi