Nëntori është muaji i historianëve, ashtu sikurse shtatori muaji i nxënësve, apo qershori i shirje-korrjeve.
Është muaji në të cilin politika thërret në skenë historianët e harruar e të vetëharruar për njëmbëdhjetë muaj të tjerë. Historianët e harruar nga shoqëria e politika, të vetëharruar e të dërrmuar nga thesi i madh i halleve që i shoqëron njëmbëdhjetë muajt e tjerë, e presin me gëzim nëntorin e pavarësisë, nëntorin e çlirimit, nëntorin e partisë, nëntorin e panairit, dhe sivjet, me sa po shihet, edhe nëntorin e hallouinit.
Shoqëria dhe politika që për njëmbëdhjetë muaj i ka mbajtur larg ekraneve dhe gazetave, larg podiumeve e ceremonive, larg nderimeve e falënderimeve duke e mbushur opinionin me wikihistorianë, me historianë sharlatanë, me politikanë që kanë fobi nga historia e me opinionistë futuristë, i thërret në vijën e parë të frontit.
Kujtohen për ta, politikanë super kapitalistë, me prona pa fund, që kanë hotele më shumë se ç’kishin gjyshërit tanë fëmijë, dhe që ashtu si gjyshërit tanë që kishin dhjetë fëmijë dhe që ua ngatërronin rëndom emrat, ashtu edhe këta me zor ua mbajnë mend emrat hoteleve, pa le më pastaj pronave e apartamenteve.
Çdo nëntor, kujtohen këta politikanë super kapitalistë që të thërrasin në ndihmë historianët për të sjellë të dhëna e dokumente mbi themelimin e Partisë apo mbi të këqijat që klasa e të pasurve i ka sjellë atdheut.
Qershia mbi tortë është të përcaktohet me saktësi data, ora, minutat e mundësisht edhe sekondat kur gjermani i fundit iku nga Shqipëria. Nuk vonon reagimi edhe i nacionalistit të thekur, që nga Kanadaja apo Nju Jorku, thërret në ndihmë historianë të tjerë për të mos e lënë në duart e “të kuqve” atdhenë e dashur, që rrallë e ka parë e gjithnjë e më radhë e viziton.
Presioni i super kapitalistëve që kanë nostalgji për komunizmin, për triskat e tollonat e atij regjimi dhe i ultranacionalistëve shqiptarë që krenohen me pasaportën kanadeze apo australiane, përmblidhet në të famshmen frazë: bëj ç’të them unë, por mos bëj çfarë bëj unë.
Pra, kërkesa është që historiani ta shohë, ta mendojë dhe ta përshkruajë botën bardh e zi, ndërkohë që porositësit super kapitalistë dhe ultranacionalistë janë të zënë me shijimin e botës shumëngjyrëshe. Sot vetëm njerëzit skajshmërisht të varfër mund të kenë akoma televizorë bardh e zi. Ata që kanë pasë mundësinë më të parë me pasë një TV me ngjyra, i kanë ndërruar TV bardh e zi me ata me ngjyra.
Kjo përparësi e padiskutueshme e të pamit me ngjyra përkundër të pamit bardh e zi, dëshmon se sa e mangët dhe e cunguar do të ishte një botë bardh e zi. Megjithatë, shpesh ndodh që dëshira e përbotshme për të parë botën me ngjyrat e veta nuk shoqërohet me përpjekjen tonë për të menduar me ngjyra. Kjo tregon se duam më shumë të marrim nga bota sesa të japim.
Se jemi egoistë. Ashtu sikurse kërkojmë prej botës së jashtme, prej të tjerëve, që të mos na shohin thjesht bardh e zi, por me nuanca e ngjyra, ashtu do të duhej të sforcoheshim sadopak, që edhe ne vetë të reflektonim nuanca e ngjyra në mendimet e qëndrimet tona. Një mendje e emancipuar mendon me ngjyra dhe jo vetëm zi, ose bardh e zi. Dekorimi i 67 viktimave të idiotizmit dhe urrejtjes njerëzore nga presidenti si martirë të demokracisë, solli reagime të çuditshme dhe të panevojshme. Pikësëpari, respekti për viktimat e çdo fatkeqësie nuk u vu re në qëndrimet e ndryshme. Çudia më e madhe e qëndrimi më johuman erdhi nga ata që i dolën kundër një nderimi të tillë.
Është e tmerrshme kur në shekullin 21 dëgjon njerëz që thonë se ata që supozohet se paskan bashkëpunuar me italianët a gjermanët u dashkan vrarë, ose nëse janë vrarë, atëherë shumë mirë që janë vrarë?! Cila mendje normale brohoret për vrasjen pa gjyq të dhjetëra qenieve njerëzore. Kishin faj a nuk kishin faj, bashkëpunuan me fashistët italianë e gjermanë apo me fashistët serbë e jugosllavë pak rëndësi ka. Vrasja pa gjyq është krim. Viktimat e vrasjeve e masakrave masive pa gjyq janë heronj, martirë, të cilësdo parti, fis, popull, fshat, qytet, komb, a krahinë në planet.
Thjesht Martirë! Vrasësit e qenieve njerëzore masivisht, pa gjyq, janë kriminelë, pavarësisht se a ishin me fitimtarët, me humbësit, me çlirimtarët, me pushtuesit, me lindorët, me perëndimorët, me fushorët, me malorët. Thjesht kriminelë! Sofizmat mbi kolaboracionizmin e bashkëpunëtorët e fashizmit italian e gjerman në mesin e nacionalistëve, mund të barazohen e tejkalohen fare lehtë me sofizma të ngjashëm mbi kolaboracionizmin e bashkëpunëtorët e fashizmit serb e malazez në mesin e komunistëve. Aq sa ka dokumente që vërtetojnë bashkëpunimin e ballistëve me fashistët gjermanë, po aq, e më shumë, ka që vërtetojnë bashkëpunimin e komunistëve me fashizmin serb.
Të mirën e njërit kundrejt tjetrit ta gjejnë ata, që shohin me lupë vetëm kolaboracionistët e “kampit” kundërshtar dhe e bëjnë syrin qorr për kolaboracionizmin e palës që simpatizojnë. Ku e merr që dekorimi për viktimat e masakrave të të gjithë botës të mund të shlyente minimalisht barbarinë e akteve të tilla. Ata që u vranë nga Mehmet Shehu janë po aq martirë të demokracisë, të lirisë, të humanizmit, sa ata që u vranë nga Xhaferr Deva. Janë vëllezër martirë si ballistët e vrarë në Lushnjë, si komunistët e vrarë në Tiranë. Edhe masakruesit e tyre janë vëllezër, kriminelë lufte.
Ndryshimi i vetëm mes Devës e Shehut është se i pari nuk e pati të gjatë në pushtet, ndërsa i dyti nga kriminel u gradua në kryeministër. Deva e Shehu i përkisnin së njëjtës parti, asaj të barbarisë. Një episod interesant i fillimshekullit XVI e ilustron konkretisht këtë ndarje mes barbarisë dhe humanizmit. Në një kështjellë në brigjet e Detit të Kuq, në bregdetin e Sudanit, një garnizon i madh osman, që përfshinte edhe një numër shqiptarësh, kishte qëndruar përreth dy muaj i rrethuar nga një flotë portugeze.
Mbas shumë mundimesh e luftimesh portugezët, duke e pare rezistencën e fuqishme të osmanëve, e lëshojnë rrethimin dhe bëjnë gati anijet për t’u larguar. Ndërkohë në kodrat përreth një lukuni e tërë afrikanësh kishin ndjekur gjithçka me vëmendje dhe sapo portugezët kishin lëshuar pozicionet e tyre për të hipur në anije, këta afrikanë kishin zënë pozicionet e portugezëve me synim marrjen e kështjellës nga osmanët. Në momentin që flota portugeze po nisej, komandanti osman u bën me shenjë portugezëve që të ndalonin dhe u lutet që t’i merrnin me vete në anije si robër lufte.
Portugezët u habitën pa masë, se si ishte e mundur që mbas dy muajsh rezistence heroike dhe pikërisht kur ata po largoheshin, osmanët ishin dorëzuar papritmas me dëshirë tek ata?! Komandanti osman u shpjegoi se i njihte mirë fiset që jetonin në atë zonë të Sudanit dhe kishin vënë re se fiset afrikane që kishin nisur rrethimin e kështjellës osmane mbas tërheqjes portugeze, ishin kanibalë dhe njiheshin në të gjithë Sudanin si njerëz aq barbarë, saqë të gjithë tmerroheshin prej tyre.
“Më mire robër në anijet tuaja, sesa biftekë të pjekur në zgarë për fiset kanibale”, e kishte mbyllur bisedën komandanti osman. Ndarjet mysliman, i krishterë, i bardhë, i zi, shqiptar, i huaj, ballist, komunist, kanë kuptim vetëm brenda familjes së madhe të humanizmit, të njerëzillëkut dhe qytetërimit.
Përballë barbarisë, kanibalizmit, vampirizmit, nuk mund të jemi as myslimanë, as të krishterë, as të bardhë, as të zinj, as shqiptarë, as të huaj, as ballistë, as komunistë, por thjesht njerëz. Atë gjyq, të cilin nuk e pa të arsyeshme t’ua bënte krimineli dhe poliagjenti Shehu, është e gabuar t’ua bëjnë nëpër këtë hallouin ca politikanë e historianë, që nuk kanë vrarë një pulë në jetën e tyre, që nuk kanë asgjë të përbashkët me barbarinë. Krimet e barbarëve nuk ka pse t’i justifikojnë njerëzit e qytetëruar. Mos t’i detyrojmë vegjetarianët e historisë që gëlltisin një elefant të tërë, vetëm pse këtë e kërkon filani që po pushon në Dubai, apo fisteku që po rrezitet në Miami.
As mendjelehtësia njerëzore nuk bën të na çojë në atë pikë, saqë të vrasim mendjen e të shkojmë dëm dijen, për të mbrojtur ca kanibalë përballë kanibalëve të tjerë. Duke përshtatur një thënie të njohur, mos ndodhtë që mbasi të kemi kaluar me sukses malin e rrëpirtë të historisë, të thyejmë qafën në lëndinën e butë të njerëzisë e humanizmit. Nuk ka vlerë të rrëmosh dokumente nëpër libra e arkiva, kur nuk din, ose nuk don, ta bësh dallimin elementar mes barbarisë e humanitetit.
Solidarizimi me viktimat e barbarisë është instinkt njerëzor dhe nuk do asnjë kalë mend, as shkencë, për ta kuptuar. Barbaria është armiku i përjetshëm i njeriut, përfshi këtu politikanët, historianët e veteranët, dhe është rrezik për njeriun, njëlloj si zjarri, tërmeti apo murtaja. Kanibalët dhe vampirët kanë partinë e tyre, atë të barbarisë.
Sa do të përpiqemi t’i paraqesim ata si nacionalistë apo komunistë, nuk bëjmë tjetër, veçse marrim pak prej kanibalizmit të tyre. Gjyqi i vonuar për të fajësuar viktimat e barbarisë është makabritet.
*Instituti i Historisë, QSA-Tiranë
Komentet