Voal – Në çdo vend normal dhe sado pak demokratik mbyllja e një televizioni është një lajm shumë i keq, i cili meriton të jetë në krye të çdo televizioni, gazete apo portali, por në Shqipërinë tonë (të gatuar me brum të prishur) kjo gjë nuk i bën përshtypje askujt
Sipas njoftimit të Agon Channel, sot në orët e para të mëngjesit, OSHEE i ka prerë energjinë elektrike televizionit, i cili me presidentin ende në kërkim nuk i ka paguar ende punonjësit e saj.
Ngjarjet e janarit në Paris, kur u sulmua redaksia e revistës satirike “Charlie Hebdo”, ngriti me të drejtë në këmbë edhe shoqatat e gazetarëve në Shqipëri, të cilët me moton “Je Suis Charlie Hebdo” u solidarizuan me kolegët e tyre francezë. Por kur iu mbyllet goja dhe kur nxirren në mes të katër rrugëve kolegëve të tyre shqiptarë askush nuk flet. Pse? Sepse mediat dhe pronarët e tyre në Shqipëri, disa ish sigurimsa e disa të tjerë ish kriminelë, janë lëpirës ekselentë të sahaneve qeveritare. Ata janë të etur të gjejnë rastin të sulmojnë njëri-tjetrin (me të drejtë ose jo), por nuk janë kurrë gati të ndihmojnë, ose të paktën të solidarizohen.
Mëngjesin e sotëm kanë qenë të pakta televizionet, gazetat apo portalet që janë hapur me këtë lajm duke treguar edhe një herë se sa vend jonormal jemi dhe se sa e urrejmë njëri-tjetrin kur ai është më i mirë se ne.
Sulmi ndaj Agon-Channel është një sulm i mirëfilltë politik pasi nuk do të kishte qeveri që do të duronte skandalet që ka zbuluar ky televizion, ndërsa mediat që i kthyen kurrizin kolegëve të tyre nuk janë gjë tjetër veçse “mazhordomë” të “oborrit qeveritar” nga ku përfitojnë ndonjëherë ca miliona euro, ndonjë leje ndërtimi apo benefite për bizneset e tyre të dyshimta.
Ndoshta një ditë Agon-Channel do të rihapet, ndoshta edhe më i mirë se ai që i fikëm dritat, por media në Shqipëri do të vazhdojë të jetë peng i politikës dhe pazareve me të.
Një urim kam për mediat që heshtin: paçi fatin e Agon Channel.
-Nga Aurel Rakipllari –
Komentet