Pashë një shënim rreth takimit Rama-Basha që Blendi Fevziu e quan anormalitet. Sipas Fevzos i shërbeka kultit të individit.
Anekdotë e vërtetë. Sepse shqiptarët e dinë shumë mirë se kulti i individit s’ka fare lidhje me Lulzim Bashën.
Lulzim Basha s’ka personalitet e jo të ketë kult individi. Basha është vetëm ushtar i bindur i Berishës. Ky i fundit vuan nga kulti i individit.
Takimi Basha-Rama do të dilte jashtë klishesë së kultit të individit, nëse nuk do të mbahej nën kontroll të plotë nga çimkat e liderit të vërtetë të opozitës.
Berisha është ai që ia ka zënë diellin Bashës duke e lënë atë gjithmonë nën hije.
Bashës i intereson nënhija, sepse prej këtij kompromisi me liderin diell, ka përfituar portofolë ministrish, portofolin e bashkisë të Tiranës dhe tani portofolin e pseudoliderit të opozitës.
Si përkufizim Lulzim Basha është një fanatik i bindur i Berishës. Kur do të prishet ky raport midis tyre, atëherë Luli do të jetë jashtë politikës, sepse është diskredituar shumë në sytë e opinionit publik dhe nuk ka mundur që të krijojë fansat e tij.
Në një sistem demokratik takimi i liderëve maxhorancë-opozitë do të ishte diçka normale.
Por për Blend Fevziun do të ishte normale nëse do të ishte ai organizatori i takimeve historike mes liderëve dhe, kur ai nuk është, dhe kur gjithçka del jashtë rrezes së tij të kontrollit, është anormale dhe bullshit.
Këtu nis anormaliteti i sistemit. Kur gazetarët krenohen jo me shërbimin që ata i kanë bërë të vërtetës, por me miqësitë e tyre okulte me politikanët e Shqipërisë. Them okulte sepse ky pozicion marrëdhëniesh cënon integritetin e palëve.
Blend Fevziu do t’i shërbente normalitetit nëse do ta luftonte anormalitetin. Megjithëse e vërteta është për fushë, gazetarët në Tiranë nuk duan ta zbulojnë.
Sot Berisha ka marrë rolin e gazetarit investigativ dixhital dhe po zbulon ai pisllëqet e deputetëve dhe kryebashkiakëve, kur këtë gjë duhet ta zbulonin mediat, ashtu si kanë vepruar në raste shumë të rralla.
Mediat nuk investigojnë jo se nuk dinë por sepse nuk duan që të heqin dorë nga marrëdhëniet klienteliste me politikanët.
Kjo është thellësht anormale, që Berisha investigon, ndërsa mediat, si Lulzim Basha, edhe ato rrinë në hijen e Berishës, sepse pikërisht ky rol pervers i mediave i shërben anormalitetit të sistemit.
Blendi Fevziu, kur do, bën punë shumë të mira, kur do, bën zhurmuesin, por populli nuk ha bar, e bën dallimin edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë.
Në rastin kur ai bëri dallimin midis anormalitetit dhe normalitetit, Blendi Fevziu, hoqi kostumin e gazetarit dhe veshi atë të gaztorit e na tregoi një anekdotë.
Por për të treguar anekdota nuk është profesionist.
Komentet