VOAL

VOAL

Pentagoni: Shpërthim jashtë aeroportit të Kabulit

August 26, 2021

Komentet

Ndërron jetë Papa Françesku

Ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare argjentinasi Jorge Mario Bergoglio, i cili u ngjit në fronin papal në vitin 2013.

VOAL- Papa Françesku ndërron jetë. Pikërisht dje, me rastin e festës së Pashkëve, Papa u rishfaq në sheshin e Shën Pjetrit.

Argjentinasi, Jorge Mario Bergoglio ishte 88 vjeç dhe u ngjit në fronin papal më 13 mars 2013, i pari jezuit dhe përfaqësuesi i parë i kontinentit amerikan që e bëri këtë. Në intervistën ekskluzive dhënë Paolo Rodarit për RSI-në me rastin e 10-vjetorit të pontifikatit të tij, Papa Françesku tha se ndihej mirë me shëndet, me përjashtim të problemeve me gjurin që i kufizonin lëvizjet dhe që vitet e fundit e kanë detyruar të lëvizë me bastun ose me karrocë.

Megjithatë, që nga shtrimi i tij në spital në fund të marsit 2023, problemet e tij me frymëmarrjen kishin vazhduar, me shpërthime të përsëritura të bronkitit dhe pneumonisë dypalëshe që kishin çuar në një shtrim të ri në mesin e shkurtit. Një shtrim në spital i karakterizuar edhe nga disa kriza respiratore dhe vetëm pas një muaji mjekët kishin dhënë prognozën. RSI

Raportohet për të paktën 25 të vrarë në Gazë

Radio Evropa e Lirë

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se nga sulmet izraelite më 20 prill janë vrarë të paktën 25 persona në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë gra dhe fëmijë.

Izraeli rinisi sulmet ajrore dhe tokësore në Gazë më 18 mars, duke rinisur luftimet pas dy muajsh armëpushim, që ndaluan luftën 15-mujore mes Izraelit dhe Hamasit – grupif palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Që nga agimi sot, sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 20 persona dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë në mbarë Rripin e Gazës”, tha për AFP-në, Mahmud Bassal, zëdhënës i agjencisë për mbrojtje civile.

Në një njoftim të ndarë, agjencia raportoi edhe për pesë të vrarë nga sulmet izraelite me dronë në Rafah.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, një ditë më parë u zotua që të vazhdojë luftën dhe të lirojë pengjet që ende mbahen në Gazë nga Hamasi.

“Jemi në një fazë kritike të fushatës, dhe në këtë pikë kemi nevojë për durim dhe vendosmëri për të fituar”, tha Netanyahu përmes një njoftimi, duke refuzuar thirrjet nga radikalët palestinezë për t’i dhënë fund luftës dhe për të tërhequr trupat nga Gaza.

Që kur Izraeli rifilloi ofensivën muajin e kaluar, të paktën 1.827 persona janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve në luftën në Gaza ka arritur në 51.201, shumica prej tyre civilë, sipas së njëjtës ministri – shifra që Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.

Lufta shpërtheu pas sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023, i cili rezultoi në vrasjen e afër 1.200 personave dhe rrëmbimin e afër 250 të tjerëve nga Izraeli. Nga të rrëmbyeri, 58 persona ende mbahen në Gazë, përfshirë 34 që ushtria izraelite beson se kanë vdekur.

Kërkon paqe në Gaza dhe Ukrainë, Papa Françesku bën daljen e parë publike që pas shërimit

Pas një mungese të gjatë, Papa Françesku u kthye në publik për të uruar festën e Pashkëve duke dhënë mesazhin e tij Urbi et Orbi.

Nga Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan përballë mijëra besimtarëve, ati i shenjtë i vendosur në një karrige me rrota, kërkoi paqe për botën dhe një armëpushim për Rripin e Gazës të rrënuar nga lufta.

Mesazhi: “Jam i shqetësuar për klimën në rritje të antisemitizmit që po përhapet në të gjithë botën. Në të njëjtën kohë, mendimet e mia shkojnë tek popullata dhe në veçanti tek komuniteti i krishterë i Gazës, ku konflikti i tmerrshëm vazhdon të sjellë vdekje dhe shkatërrim dhe të shkaktojë një situatë humanitare dramatike dhe të poshtër.

U bëj apel palëve të përfshira: vendosni një armëpushim, lironi pengjet dhe të lëvizet shpejt për të ndihmuar njerëzit, që kanë uri dhe aspirojnë për një të ardhme me paqe!. Gjithashtu Krishti i Ngjallur derdhë dhuratën e Pashkëve të paqes mbi Ukrainën e torturuar dhe inkurajoftë të gjithë aktorët e përfshirë që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.” sn

Papa takohet me nënpresidentin amerikan

Makina e nënpresidentit amerikan, JD Vance, duke shkuar drejt Vatikanit më 20 prill 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Papa Françesku ka zhvilluar një takim privat mëngjesin e së dielës në Vatikan me nënpresidentin amerikan, JD Vance, njoftoi Selia e Shenjtë.

Vance, besimtar katolik i cili ishte përplasur me Papën lidhur me politikat për emigrantët të administratës të presidentit, Donald Trump, u takua me Françeskun në rezidencën e tij në Vatikan dhe uruan njëri-tjetrin për festën e Pashkëve, u tha në njoftimin e Vatikanit.

“Papa Françesku zhvilloi një takim të shkurtër privat, që zgjati disa minuta, dhe të dy shkëmbyen urimet për ditën e Pashkëve”, u tha në njoftim.

Vance, i cili së bashku me familjen e tij po viziton Italinë këtë fundjavë, të shtunën u takua me zyrtarë të lartë të Vatikanit me të cilët zhvilloi takime formale. Papa, i cili po rikuperohet nga pneumonia, nuk mori pjesë në këto takime.

Papa dhe zyrtarë të Vatikanit kanë kritikuar disa nga politikat e administratës Trump, përfshirë planet për të dëbuar miliona emigrantë nga SHBA-ja dhe shkurtimet e mëdha për ndihmat e huaja dhe për programet sociale brenda vendit.

Françesku e ka cilësuar “të turpshme” shtypjen e emigracionit. Vance, i cili u bë katolik më 2019, ka cituar mësimet e Kishës Katolike, të epokës mesjetare, për të justifikuar këtë politikë.

Papa i është përgjigjur konceptit teologjik, që ka përdorur Vance për të mbrojtur këtë qasje, në një letër të hapur drejtuar ipeshkvijve katolikë amerikanë në shkurt, ku e quajti planin e Trumpit një “krizë të madhe” për Shtetet e Bashkuara.

Zelensky thotë se sulmet ruse po vazhdojnë pavarësisht armëpushimit për Pashkë

Radio Evropa e Lirë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të dielën, më 20 prill, se forcat ruse kanë vazhduar granatimet dhe sulmet përgjatë vijës së frontit, pavarësisht njoftimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për një armëpushim të shkurtër me rastin e festës së Pashkëve.

Armëpushimi 30-orësh do të ishte pauza më e rëndësishme në luftimet gjatë këtij konflikti trevjeçar.

Por, vetëm disa orë pasi urdhri pritej të hynte në fuqi, në Kiev dhe disa rajone të tjera të Ukrainës u dëgjuan sirenat paralajmëruese për sulme ajrore, teksa Zelensky akuzoi Rusinë se nuk ka ndalur sulmet.

“Në drejtimet e ndryshme të vijës së frontit, janë regjistruar tashmë 59 raste të granatimeve ruse dhe pesë sulme nga njësi ruse”, tha presidentit ukrainas Zelensky përmes rrjeteve sociale, duke cituar një raport të komandantit të përgjithshëm ukrainas, Oleksandr Syrsky, që i referohet sulmeve deri në orën 06:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Ai shtoi se gjatë gjashtë orëve deri në mesnatën e së shtunës, kishte pasur “387 raste të granatimeve dhe 19 sulme nga forcat ruse”, ndërsa dronët ishin “përdorur nga rusët 290 herë”.

“Në përgjithësi, në mëngjesin e Pashkëve, mund të themi se ushtria ruse po përpiqet të krijojë përshtypjen e një armëpushimi, ndërsa në disa zona vazhdojnë përpjekjet e izoluara për të avancuar dhe për t’i shkaktuar humbje Ukrainës”, u tha në postimin e Zelenskyt.

Urdhri i Putinit për ndaljen e të gjitha veprimeve luftarake gjatë fundjavës së Pashkëve, vjen pas disa muajsh përpjekje nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të bindur Moskën dhe Kievin që të bien dakord për një armëpushim, lidhur me luftën që nisi në shkurt të vitit 2022.

Të premten, madje Uashingtoni kërcënoi se do të tërhiqej nga bisedimet nëse nuk kishte përparim të prekshëm.

“Sot nga ora 18:00 [sipas kohës lokale] të shtunën, deri në mesnatën e së dielës, pala ruse njofton për një armëpushim për Pashkët”, tha Putin një ditë më herët gjatë një takimi me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov.

Sipas Putini, vendimin për armëpushim për festën e Pashkëve e ndërmori për “arsye humanitare”.

Mesazhi i Papa Françeskut në Pashkë: E gjithë jeta jonë mund të jetë një prani shprese!

Papa Françesku, në tekstin e predikimit të tij për Vigjiljen e Pashkëve, na fton që “të bëhemi lajmëtarë të shpresës, ndërtues të shpresës, ndërsa kaq shumë erëra vdekjeje ende fryjnë mbi ne”.

Për këtë arsye ai na fton në “fjalë”, “gjeste të vogla të përditshme”, “zgjedhje të frymëzuara nga Ungjilli”.

“E gjithë jeta jonë mund të jetë një prani shprese”.

Ne duam të jemi të tillë”, shkruan Papa në predikimin e lexuar nga kardinali Giovanni Battista Re, “për ata që janë dorëzuar ose kanë kurrizin të përkulur nën barrat e jetës”, “për të gjithë të varfërit dhe të shtypurit e Tokës; për gratë e poshtëruara dhe të vrara; për çdo fëmijë të palindur dhe për ata viktima të luftës, të gjithë viktimave, të palindurve, shpresa e Pashkëve!”, ishte ftesa e Françeskut. sn

Problematikat me zarfet e diasporës- PD letër KQZ: Na informoni menjëherë, na vini në dispozicion proces-verbalet!

PD i është drejtuar me një kërkesë zyrtare KQZ-së, ku i kërkon që ta informojë dhe t’i vërë në dispozicion të gjitha proces-verbalet mbi problematikat e konstatuara, lidhur me zarfet për votuesit e diasporës në të 12 qarqet e vendit.

Në shkresën zyrtare të PD, e firmosur nga përfaqësuesi ligjor, Franc Nuri, kërkohet sqarime rreth problematikave të shumta që po hasen në shpërndarjen e zarfeve me fletët e votimit në Botë, të cilat sipas PD, u janë raportuar një sërë shkeljesh të standardeve dhe protokolleve të shpallur publikisht nga KQZ, në lidhje me shpërndarjen e zarfeve për votimin e shtetasve nga diaspora përmes postës private.

PD kërkon që të gjitha komunikimet mes KQZ-DHL dhe kompanive të prodhimit të zarfeve dhe nën-kontraktorët e tyre, që nga momenti i konstatimit të problematikave të para e deri më tani, në respekt të transparencës dhe interesit publik, t’u vihet në dispozicion pa vonesë dhe në mënyrë të përditësuar. sn

SHBA paraqet draftin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Rusia: Tashmë mund të shihet njëfarë progresi

SHBA u ka paraqitur aleatëve propozime për të mundësuar një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, duke përfshirë një draft për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të lehtësuar sanksionet kundër Moskës në rast të një armëpushimi të qëndrueshëm.

“Ne besojmë se tashmë mund të shihet njëfarë progresi”, megjithëse “shumë diskutime të vështira mbeten për t’u bërë”. Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry, Peskov, kur u pyet nëse ai mendonte se SHBA mund të përfundojë ndërmjetësimin e saj në Ukrainë nëse nuk arrihet paqja, siç ka thënë Sekretari i Shtetit Marco Rubio.

“Ky përparim ka lidhje me moratoriumin për të mos goditur infrastrukturën energjetike. Federata Ruse i është bashkuar këtij moratoriumi, gjë që nuk mund të thuhet për palën ukrainase” – theksoi Peskov.

Ndërkohë, Ukraina ka gjetur trupat e 909 ushtarëve të saj të vrarë në luftën e agresionit të Rusisë. Kështu njofton Zyra për Koordinimin e Trajtimit të të Burgosurve të Luftës. bw

Pas bisedimeve në Paris, a u hap një kapitull i ri për paqe në Ukrainë?

Takimi në Paris më 17 prill 2025.

 

Ray Furlong

Së fundi është folur për arritjen e një armëpushimi në Ukrainë deri në festën e Pashkëve. Kjo nuk ka ndodhur, por mund të ketë pasur përparim të prekshëm në përpjekjet diplomatike që mund të ngjallin shpresë këtë fundjavë.

Zërat që dolën nga Parisi pas bisedimeve në nivel të lartë mes vendeve kryesore evropiane, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë jashtëzakonisht pozitive.

Ky ishte takimi i parë mes tyre në një format të tillë, dhe në shumë mënyra sinjalet nuk ishin të mira.

Përpjekjet e SHBA-së për ta bindur Rusinë që të pranojë një lloj armëpushimi, janë pritur me deklarime të paqarta dhe shtim të bombardimeve nga Moska.

I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, tha se një marrëveshje po “vinte” pas takimit të tij të tretë me presidentin rus, Vladimir Putin, më 11 prill, duke lënë të kuptohet se Ukraina duhet të bëjë lëshime të mëdha territoriale ndaj Rusisë.

Në Kiev, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi Witkoff për “përhapje të narrativëve ruse”.

Pa kamera, ju lutem

Në Paris, një video 45-sekondëshe u publikua, në të cilën shfaqej Emmanuel Bonne, këshilltar i lartë francez, që duket se i kërkoi Steve Witkoffit që të fillonte procedurat me një përmbledhje para se kameramanët të largoheshin me nxitim nga ekipet e sigurimit.

Dukej se ata dëshironin që t’i largonin kamerat para se të thoshin ndonjë gjë.

“Është krejtësisht e qartë se shumica e liderëve evropianë, përfshirë [presidentin francez, Emmanuel] Macron, janë plotësisht kundër të gjitha propozimeve të bëra, veçanërisht nga Steve Witkoff”, tha për Radion Evropa e Lirë, analisti politik francez Nicolas Tenzer.

Por, Tenzer, i cili udhëheq Qendrën për Studime dhe Kërkime mbi Vendimmarrjen Politike (CERAP), një institut në Paris, shtoi se vetëm mbajtja e këtij takimi është shenjë përparimi.

“Tani po kuptojnë se nuk mund të arrijnë asnjë lloj marrëveshjeje pa evropianët”, tha ai.

Pas takimit nuk u njoftua për ndonjë marrëveshje për Ukrainën. Por, palët u pajtuan që të zhvillojnë bisedime të reja javën e ardhshme në Londër, me një format të ri: Evropë, Ukrainë dhe SHBA. Dhe kjo gjë duket se është zhvillim i rëndësishëm.

Një ditë pas takimit në Paris, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se biseda në Paris ishte konstruktive dhe rezultoi në një përmbledhje të hapave drejt paqes.

Rubio tha të premten se ai shpreson që evropianët do të mbeten të angazhuar në bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja drejt një armëpushimi në Ukrainë.

“Ne do të dëshironim që ata të mbeten të angazhuar… Mendoj se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania mund të na ndihmojnë që ta çojmë këtë çështje drejt një zgjidhjeje. Mendoj se ata ishin shumë ndihmues dhe shumë konstruktivë në idetë e tyre”, tha Rubio për gazetarët.

Ai po ashtu tha se SHBA-ja mund të tërhiqet nga përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse nuk bëhet përparim shpejt.

“Ne nuk do ta vazhdojmë këtë përpjekje për javë apo muaj të tërë. Duhet të përcaktojmë shumë shpejt, dhe kur them shumë shpejt, flas për çështje ditësh, nëse kjo [arritja e një marrëveshjeje] është e realizueshme në javët e ardhshme. Nëse kjo ndodh, atëherë ne jemi brenda procesit. Nëse jo, atëherë ne kemi prioritete të tjera ku duhet të përqendrohemi po ashtu”, deklaroi kryediplomati amerikan.

Një ulëse në tavolinë

Në bisedimet e Parisit ishte i pranishëm edhe i dërguari amerikan, Keith Kellogg, i cili në shkurt në Munih kishte deklaruar se Evropa nuk do të kishte vend në tavolinë, kur të negociohej e ardhmja e Ukrainës. Që nga ajo kohë, Kellogg kryesisht ka munguar në takimet e rëndësishme.

“‘E3’ është në tryezë dhe po e bëjmë këtë me një ambicie evropiane”, tha një diplomat francez, duke iu referuar Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, që njihen si grupi “E3”.

Alina Polyakova, presidente e Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Uashington, tha gjithashtu se takimi në Paris sugjeron se Uashingtoni tani po kërkon mbështetje nga Evropa.

“Ata e kuptuan që nevojitet kontributi evropian sepse edhe ata kanë interesa të drejtpërdrejta në këtë situatë”, tha ajo.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një pjesë të territorit në Ukrainë. Kjo lidhet me çështjen më të gjerë të sigurisë evropiane dhe nuk mund t’i ndash këto dy gjëra”.

Po ashtu, zhvillime diplomatike kishte edhe në vende të tjera.

Teksa udhëheqësit u mblodhën në Paris, presidenti amerikan, Donald Trump, priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Ai tha se mund të ketë dy zhvillime të tjera në ditët në vijim: një marrëveshje me Ukrainën për t’i dhënë Shteteve të Bashkuara qasje në mineralet e saj të rralla dhe një përgjigje nga Rusia për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë.

Në të dyja rastet, deklaratat optimiste të mëparshme nga zyrtarët amerikanë nuk kanë pasur rezultat.

Por, mundësia e një rrugë diplomatike të re që përfshin Evropën, Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara është vërtet e re. Pyetja tani është nëse takimi i paralajmëruar që të mbahet në Londër do të jetë fillimi i një procesi të ri dhe produktiv diplomatik – apo thjesht një tjetër rrugë pa shtegdalje.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Rubio: Do të tërhiqemi nga marrëveshja e paqes Rusi-Ukrainë nëse s’ka përparim

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Paris, 17 prill 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti amerikan, Donald Trump, do të tërhiqet brenda ditësh nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse nuk ka sinjale të qarta se mund të arrihet një marrëveshje.

Kështu deklaroi më 18 prill sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

“Ne nuk do ta vazhdojmë këtë përpjekje për javë apo muaj të tërë. Duhet të përcaktojmë shumë shpejt, dhe kur them shumë shpejt, flas për çështje ditësh, nëse kjo [arritja e një marrëveshjeje] është e realizueshme në javët e ardhshme. Nëse kjo ndodh, atëherë ne jemi brenda procesit. Nëse jo, atëherë ne kemi prioritete të tjera ku duhet të përqendrohemi po ashtu”, tha Rubio në Paris.

Kryediplomati Rubio tha se presidenti Trump është ende i interesuar për një marrëveshje, por është i gatshëm të tërhiqet nëse nuk ka sinjale të menjëhershme të përparimit.

Rubio mori pjesë në bisedimet njëditore në Paris të mbajtura të enjten, ku ishin të pranishëm zyrtarët evropianë dhe ukrainas. Kryediplomati amerikan tha se diskutimet ishin konstruktive dhe rezultuan në një përmbledhje të hapave drejt paqes.

Franca ishte mikpritëse e takimit dhe për herë të parë, zyrtarët e lartë amerikanë, ukrainas dhe evropianë u takuan së bashku për të diskutuar për përfundimin e luftës.

Rubio tha të premten se ai shpreson që evropianët do të mbeten të angazhuar në bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja drejt një armëpushimi në Ukrainë.

“Ne do të dëshironim që ata të mbeten të angazhuar… Mendoj se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania mund të na ndihmojnë që ta çojmë këtë çështje drejt një zgjidhjeje. Mendoj se ata ishin shumë ndihmues dhe shumë konstruktivë në idetë e tyre”, tha Rubio për gazetarët, teksa u largua nga Parisi pas takimit me zyrtarët evropianë.

Që kur mori mandatin e presidentit në janar, administrata e Trumpit ka zhvilluar disa runde takimesh me Rusinë dhe Ukrainën, në përpjekje për të arritur një armëpushim në luftën që nisi në shkurt të vitit 2022 dhe deklaratat e Rubios vënë në pah pakënaqësitë në rritje të SHBA-së lidhur me mungesën e përparimit drejt dhënies fund të luftës.

Moska ka refuzuar që të pranojë propozimin e armëpushimit të paraqitur nga SHBA-ja, të cilin e ka pranuar Ukraina. Moska ka vendosur kushte, duke kërkuar që Ukraina të ndalë përpjekjet për mobilizim dhe që Perëndimi të ndalë dërgesat me armë për Kievin. Por, këto kërkesa janë refuzuar nga Ukraina.

Pse Kina po e shfaq mbizotërimin e saj me minerale të rralla në luftën tregtare me SHBA-në?

Një pamje nga afër e metaleve të rralla tokësore të prodhuara në një fabrikë në Teksas, SHBA. (Fotografi nga arkivi)

 

Reid Standish

Ato kanë emra vështirë të shqiptueshëm; janë thelbësore për prodhimin modern dhe po zhvendosen gjithnjë e më në qendër të luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Furnizimi global me këto minerale të rralla – një grup prej 17 elementeve thelbësore që gjenden gjithkund, nga bateritë e automjeteve elektrike e deri te teknologjia e rëndësishme e mbrojtjes – kontrollohet kryesisht nga Kina.

Pekini tani po kërkon ta përdorë këtë përparësi strategjike në përplasjet e vazhdueshme dhe tensionet tregtare me Uashingtonin.

Duke u përgjigjur ndaj tarifave të vendosura së fundi nga Shtetet e Bashkuara, Kina i kufizoi shitjet në SHBA për shtatë elemente të rralla. Edhe pse nuk është ndalim i plotë, kjo masë u kërkon prodhuesve të aplikojnë për licenca eksporti në Qeverinë kineze.

Shqetësimet po shtohen se kjo mund të çojë në rritje çmimesh dhe ndërprerje të furnizimit, gjë që mund të ndikojë veçanërisht në kompanitë amerikane të mbrojtjes.

“Ajo që ishte nafta për shekullin e XX-të, janë mineralet e rralla për shekullin e XXI-të”, tha Sean McFate, profesor në Shkollën Maxwell të Universitetit Syracuse për Shtetësi dhe Çështje Publike.

“Mikroçipat, teknologjia e gjelbër dhe informatika kuantike, të gjitha këto, kërkojnë minerale të rralla, dhe Kina i ka shumicën e tyre. Kjo është çështje e sigurisë kombëtare që shkon përtej tregut të aksioneve”, shtoi ai.

Kina kontrollon më shumë se dy të tretat e prodhimit global të elementeve të rralla dhe mbi 90 për qind të kapacitetit të përpunimit.

Ajo gjithashtu ka në thelb një monopol mbi përpunimin e mineraleve të rënda të rralla, një nëngrup që përdoret në sektorin e mbrojtjes në SHBA për të prodhuar magnete të fuqishme, që janë të nevojshme për avionë luftarakë, anije luftarake, raketa, tanke dhe laserë.

Mbetet për t’u parë si do t’i zbatojë Kina këto kufizime të reja, por një raport nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington paralajmëron se ato me gjasë do të shkaktojnë ndërprerje të eksporteve, derisa Pekini ta sjellë sistemin e licencimit, dhe do të shkaktojnë ndërprerje të furnizimit për disa kompani amerikane, veçanërisht ato në sektorin e sigurisë kombëtare.

“Shtetet e Bashkuara janë veçanërisht të cenueshme ndaj këtyre zinxhirëve të furnizimit”, thuhet në raportin e 14 prillit. “Aktualisht, nuk ka ndarje të mineraleve të rënda të rralla në SHBA”.

Si po i kufizon Kina mineralet e rralla?

Kufizimet e reja të eksportit zbatohen për shtatë elemente të rralla, të mesme dhe të rënda: samarium, gadolinjium, terbium, disprosium, lutetium, skandium dhe itrium – të gjitha të rëndësishme në sektorin e mbrojtjes.
Itriumi, për shembull, përdoret si mbështjellës për motorët e avionëve për t’i bërë ballë temperaturave të larta, për ta parandaluar shkrirjen e tyre gjatë fluturimit.

Derisa Pentagoni dhe firmat amerikane kanë rezerva, besohet se ato nuk janë të mjaftueshme për ta përballuar ndonjë ndërprerje të zgjatur të furnizimit. Përveç ndalimit të vetë elementeve, Pekini ka vendosur gjithashtu 16 entitete amerikane – të gjitha përveç njërës janë në industrinë e mbrojtjes dhe hapësirës – në listën e tij të kontrollit të eksportit, duke ua kufizuar atyre pranimin e mallrave me përdorim të dyfishtë, përfshirë elementet e rralla.

Dimitar Gueorguiev, profesor në Universitetin Syracuse, thotë se ai e sheh këtë lëvizje të fundit më shumë si një sinjal nga Pekini për “aftësinë e tij për t’i kufizuar këto eksporte, nëse lufta tregtare përshkallëzohet më shumë”.

“Është e rëndësishme të kihet parasysh se shumica e importuesve kanë pasur këtë shqetësim prej kohësh dhe ka mundësi të jenë furnizuar për të paktën disa muaj”, tha ai.

Megjithatë, këto masa dhe mundësia për t’i përshkallëzuar ato janë mjet i fuqishëm për Kinën.

Përveç aftësisë për t’i ndalur furnizimet, mbizotërimi i tregut nga Pekini ia lejon atij gjithashtu t’i diktojë çmimet, që do të thotë se mund t’i rrisë kostot për klientë të caktuar, ose t’i kufizojë furnizimet me minerale të rralla jashtë kontrollit të saj, duke mbajtur çmime të ulëta.

Kjo u pa edhe në masa të mëparshme të zbatuara nga Kina. Në vitin 2023, Pekini kufizoi eksportet e galiumit dhe germaniumit, që përdoren në çipa, radarë dhe satelitë. Kjo u pasua nga një ndalim i plotë i eksportit të tyre në SHBA në dhjetor 2024.

Prej atëherë, çmimet janë rritur ndjeshëm dhe tregu global është fragmentuar. Galiumi i blerë nga vendet perëndimore është dy deri në tre herë më i shtrenjtë se ai i blerë në Kinë, sipas Project Blue.

Raporti i CSIS-it gjithashtu paralajmëron se e eksportit nga Kina paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë për gatishmërinë ushtarake të SHBA-së, duke shtuar shqetësimet e ngritura nga ligjvënësit dhe analistët se vendi po mbetet pas në prodhim në mbrojtje.

“Edhe para kufizimeve të fundit, baza industriale e mbrojtjes në SHBA luftonte me kapacitet të kufizuar dhe nuk kishte aftësinë për të rritur prodhimin për të përmbushur kërkesat teknologjike të mbrojtjes”, thuhet në raport.

Autorët e raportit citojnë një vlerësim – nga një zyrtar i Forcave Ajrore të SHBA-së në vitin 2022 – se Kina po siguron sisteme dhe pajisje të avancuara armësh pesë deri në gjashtë herë më shpejt se Shtetet e Bashkuara.

Si mund të përgjigjet SHBA-ja?

Përballë trysnisë nga Kina, ekspertët thonë se SHBA-ja duhet të ndërmarrë politika për ta shtuar prodhimin vendës dhe të kërkojë burime të reja në vende të tjera.

Qysh në vitet e ’80-ta, SHBA-ja ishte lider në prodhimin e elementeve të rralla, por rritja e çmimeve çoi në mbylljen e minierës kryesore, Mountain Pass, në Kaliforni në fillim të viteve 2000.

Kjo minierë është rihapur më pas dhe administrata të njëpasnjëshme amerikane, përfshirë atë të presidentit Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë, kanë ndarë të holla për nxjerrjen dhe përpunimin e elementeve të rralla.

Por, ta zësh Kinën në garë për elemente të rralla dhe minerale të tjera të rralla, kërkon kohë dhe kushton shumë.

Disa që punojnë në këtë sektor thonë gjithashtu se pjesë të tjera të tarifave të vendosura nga Trump mund të kenë ndikime të dëmshme anësore, duke e bërë të vështirë rritjen e shpejtë të prodhimit.

Në podkastin “Rare Earth Exchanges”, sipërmarrësi i industrisë, Daniel O’Connor, tha se materialet e tarifuara, si çeliku dhe alumini, janë jetike në miniera dhe përpunim.

“Mos vendosni tarifa për gjërat që na duhen për të ndërtuar infrastrukturën”, tha ai.

SHBA-ja po kërkon gjithashtu të sigurojë furnizime jashtë vendit, pasi administrata Trump synon të ketë më shumë qasje te elemente të rralla dhe mineralet jetike në Grenlandë dhe Ukrainë, ku Kievi dhe Uashingtoni thuhet se janë afër një marrëveshjeje.

Uashingtoni ka sponsorizuar gjithashtu miniera të reja në Brazil dhe Afrikën e Jugut, dhe po financon objektin e parë të madh për përpunimin e elementeve të rënda të rralla jashtë Kinës, në Teksas, megjithëse asaj do t’i duhen vite për të dhënë rezultate.

Ndërkohë, pritet që Pekini të vazhdojë të përdorë elementet e rralla si mjet trysnie ndaj Uashingtonit.

“Kjo është bërë pjesë e strategjisë së Pekinit kur përballet me SHBA-në”, shkroi më 14 prill Neil Shearing, ekonomist i grupit Capital Economics.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përkujtimorja e luftës së dytë botërore, Gjermania nuk fton në parlament më 8 maj ambasadorët rusë dhe bjellorusë

Parlamenti gjerman ka mbajtur jashtë listës së të ftuarve ambasadorët e Rusisë dhe Bjellorusisë për një seancë speciale më 8 maj që shënon 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë, tha të enjten një zëdhënës i legjislaturës.

Vendimi nxjerr në pah shqetësimin në Gjermani për mënyrën se si të trajtohet roli i Rusisë në çlirimin e Evropës nga terrori nazist gjatë vitit të përvjetorit, duke pasur parasysh se Presidenti Vladimir Putin ka përdorur trashëgiminë e Luftës së Dytë Botërore për të justifikuar pushtimin e tij në Ukrainë. bw


Send this to a friend