Po bëhen gati tri dekada nga ngjarja më e shënuar për shqiptarët, pas ngritjes së flamurit kombëtar dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë nga Ismail Bej Vlora. Ishte dita e 22 marsit 1992, kur populli shqiptar me një votë plebishitare, i tha PO Demokracisë dhe JO diktaturës. Posi zefiri frynte atë ditë era e lirisë dhe shqiptarët gjokszbërthyer e mendjeçelur hodhën votën në kutinë magjike për të ardhmen e tyre, për të drejtat e tyre të traumatizuara nga regjimi despotik, por dinjitetin dhe prosperitetin e vendit të shqiponjave. Sot, pas tri dekadash, çdo shqiptar i lirë e shikon ndryshimin galopant të Shqipërisë gjatë këtij çerek shekulli. Ky hop përparim është meritë e sistemit demokratik dhe atyre që e sollën: studentëve, intelektualëve të emancipuar, rinisë dhe gjithë popullit, të udhëhequr nga partia e parë opozitare, PD. Pavarësisht nga përpjekjet e dëshpëruara të ishëve dhe pasardhësve të tyre, për ta mohuar të vërtetën dhe për të bindur shqiptarët, se zhvillimi i Shqipërisë fillon ditën e fitores së zgjedhjeve prej Rilindjes, ashtu siç filloi në 45-ën dhe u ndërpre në ’90-ën, askush nuk u beson blasfemirave të të babëziturve për protagonizëm historik, pasuri dhe lakminë e panteonit të lavdisë.
Shembja e Murit të Berlinit është metaforë e shpirtit të popujve. Bashkë me të tingëlloi edhe ora e çastit të madh për të ardhmen e popullit shqiptar dhe mbarë kombit tonë. Por shembja e murit tonë të izolimit e ngujimit fatal ishte më e madhërishme se sa shembja e mureve të Jenikosë nga trumbetat biblike. Ishte një rrëzim nga brenda, nga furia e uraganit të energjive të ndrydhura për 45 vjet. Në një vend ku të vetmet ëndërra të lejuara ishin ato të kultit të Udhëheqësit, ku lumturia ishte shndërruar në tipar të zellit për ta identifikuar vetveten si njeri “i ri” brenda karakteristikave të pasaportizimit partiak, ku mençuria evidentohej me përpjekjet ekzistenciale mbinjerëzore për të evidentuar vetveten, pasi ka ekzistuar përherë kriza e identitetit, kishte vetëm dy rrugë shpëtimi: E para, qëndronte mbrapshtësisht te dorëzimi dhe nënshtrimi total, të realizoheshe duke u përshtatur, duke përmbushur dhe kopjuar gjestet e të tjerëve, pa pyetur asnjë herë dhe askënd. Pra realizoheshe, duke mos u realizuar, sepse shoqëria nuk të lejonte mënyrë tjetër. Kështu gjithkush ndihej i përjashtuar. Ndjesia më e madhe tek individi ishte frika. Frikë për t’u rritur, frikë për t’u hapur ndaj emocioneve, frikë nga vetvetja. Frikë për të zbuluar se tej telave me gjëmba nuk kishte asnjë kafaz hekurash, por vetëm ajër dhe liri. Frikë për të shtrirë pak vështrimin, për të vëzhguar botën që të rrethonte dhe për të kuptuar se gjithçka fliste për brishtësinë dhe bukurinë e formave jetësore. Frikë për të ngritur fare pak kokën, për të parë hapësirën e pafund të qiellit. Por pak po të zgjateshe, të shkurtonin këmbët. Zaten shqiptarët rriteshin këmbëshkurtër, krahëshkurtër, trupshkurtër, vullnetshkurtër nga sforcimi për të jetuar si në kanaçe të mbyllura në boshllëk, pavarësisht se misteri shndriste jashtë tyre dhe tregonte rrugën që duhej të merrnin. Në këto rrethana mediokriteti dhe zymtësie të shkonte mendja te një rrugë e dytë, dmth një ëndërr: të të dilnin papritur flatra dhe të fluturoje mbi telat me gjemba, mbi muret e larta e të trasha të izolimit…
Por dielli lind andej nga perëndon, do të thoshte 150 vjet më parë rilindasi i madh, Naim Frashëri. Diktaturën e rrëzoi dhe e shkërmoqi fryma dhe fuqia e demokracisë, ku pjesëmarrës ishte shumica dhe fitimtarë jemi të gjithë. Studentët, intelektualët mendjeçelur, të cilët shihnin atje ku nuk shikonin dot të gjithë, të përndjekurit politikë, të cilët i kishin mbrojtur me jetën e tyre principet demokratike, minatorët, gratë, gjithë shqiptarët e thjeshtë, u bënë karburanti i asaj lëvizjeje të madhe çliruese dhe ndërtuese. Sepse në thellësi të çdo zemre shqiptari, edhe pse groposur mes rrënojash, regëtinte gjithmonë, e mekur dhe e dridhshme, flaka e së vërtetës. Nuk kanë rëndësi nismëtarët, inspiruesit e frymëzuesit, udhëheqësit e realizuesit, askush nuk kërkoi monopolin e demokracisë, përveç atyre që iu kundërvunë. Ata janë përpjekur t’i impononin historisë versionin e tyre, se ata janë ideatorët, nismëtarët dhe realizuesit, gjeneralët dhe ushtarët. Me një akord të fuqishëm me disa media, bunker të frymës së vjetër, rreken t’i transformojnë ngjarjet, t’i fshijnë personazhet, ta trukojnë e retushojnë memorjen historike, për të ngritur në histori të tjerë protagonistë, ata vetë.
Unë nuk besoj se ishte një ngjarje e rastit që dita e fitores së demokracisë në vendin tonë përkon me 22 Marsin, ditën e ekuinoksit pranveror, ditën e ringjalljes e përtëritjes së natyrës. Më pëlqen të besoj se ishte dora e bekuar e Zotit, që e zgjodhi këtë ditë të shenjuar prej Atij vetë, për të kurorëzuar fitoren e madhe të një populli të munduar e të cfilitur edhe prej mungesës së tij prej disa dekadash. Pasi e vëzhgoi gjatë lojën e egër të pasioneve kanibaleske të diktaturës së proletariarit me proletarët, të persekutorëve me të persekutuarit, të mëkatarëve me viktimat e tyre, të pafeve me besimtarët, të errësirës me dritën, të skllavërisë me lirinë, të ferrit me parajsën, pas luftës së egër klasore midis vëllezërve të magjepsur nga ideologjia marroshe e shpronësimit total, Zoti tha: Mjaft. Le të vijë mendimi universal i jetës reale, i aktualitetit historik, i progresit demokratik, i shenjtërimit të individit, i lirisë dhe paqes së amëshuar në këtë truall të përkëdhelur nga dielli, deti dhe blerimi! Por po aq ma thotë mendja dhe ma do zemra se shënimi i 22 Marsit, si dita e vendosjes së fateve historike për përmbushjen e ëndrrës, nuk ishte vetëm gishti i fatit, por edhe largpamësia dhe siguria e opozitës së atëhershme por edhe largpamësia dhe siguria e opozitës së atëhershme, Partisë Demokratike dhe liderit të saj, doktor Berisha, në fitoren e demokracisë. Ata kishin fuqi absolute në atë kohë, kur regjimit i dridheshin gjunjët, të vendosnin çdo datë që dëshironin. Dhe, me kreativitetin e tyre, ata vendosën ta puthitin ditën e fitores së demokracisë me ditën më të bukur të vitit, ditën e ekuinoksit, Ditën e Pranverës.
Për të ardhur keq, që një grusht njerëzish, një rreth shumë i ngushtë, ish-të përkëdhelurit e regjimit të djeshëm, të cilët kanë treguar gjithmonë mërinë ndaj pishtarëve të demokracisë, që do të thotë po aq edhe ndaj ditës simbol, 22 Marsit, t’i hakërrohen e t’i skërmisin dhëmbët, ta stigmatizojnë e mallkojnë, duke e konsideruar me djallëzi këtë ditë të shënuar të shqiptarëve. Ata si nihilë të pandreqshëm, i kanë paraqitur dhe i paraqesin këto tri dekada të ndryshimeve galopante dhe të paimagjinueshme në tërë dimensionet e jetës si “një disfatë të tërë në zhvillimin ekonomik, në problematikën sociale dhe mbi të gjitha në uljen e standardit të vendit”. Prandaj ata rreken ta errësojnë shkëlqimin e kësaj dite dhe t’u hedhin supeve të gati 30 viteve të demokracisë të gjitha zhelet, mbeturinat, rrangullat anakronike të kohës së tyre, si dhe gjithë pisllëqet e krijuara me paranojat e tyre. I trishtueshëm është edhe fakti se ka ende ca ithtarë të diktaturës dhe enverizmit, që ndjekin pas onklavën e izoluar e të marrosur pas pushtetit në radhët e së majtës së vjetër, të cilët mund t’i quajnë vetëm alibi edhe kalvarin e vuajtjeve nën diktaturë edhe arritjet reale e të pa imagjinueshme të sistemit të ri. Megjithatë ata rilindasit, pas tri dekadave, mendojnë se janë pranë realizimit të ëndrrës së tyre, duke vendosur monizmin me partinë e tyre në krye, të paktë për një apo dy vjet.
Secili duhet të jetë i qartë se 22 Marsi është festa e të gjithëve. Kjo ditë e shënuar në kalendarin e natyrës, dita e përtëritjes dhe ringjalljes, u përket të gjithëve, gjithë banorëve të rruzullit. Na përket edhe neve, shqiptarëve. Por, me bekimin e Zotit dhe vullnetin tonë, kjo ditë përbën festën e shenjtëruar të fitores së madhe të demokracisë, që deri sot përbën sistemin universal të lirisë dhe të drejtave të individit, të prosperitetit ekonomik dhe shpirtëror të njerëzimit. Me zë të fortë mund të themi: me privilegj nga Zoti, në kalendarin historik, 22 Marsi është dita e shqiptarëve. Nëse shqiptarët nuk i bashkon dhe kjo ditë me funksione të shumëfishta vëllazërimi, atëherë ne duhet ta kemi në gen ndarjen ose jemi të mallkuar për të mbetur të ndarë. Eshtë e pakuptueshme që përballë virtytit të besës, përballë shpirtit fisnik, që i ka mahnitur të tjerët, përballë zemrës së hapur ndaj dijes, së bukurës dhe së mirës, ne të vëmë egon, idetë, ambicien apo zilinë dhe demonë të tjerë, të cilët na kthejnë në qenie që nuk veprojmë, por lëmë të veprohet mbi ne. Eshtë koha të hedhim pas krahëve mantelin e çoroditur të cmirës, urrejtjes dhe vullneteve të imponuara, të falim e jo të fyejmë, të dhurojmë e jo të grabisim, të kapërcejmë atë që dihet e të rrisim atë që ishte e panjohur deri sot. Demokracia ka sharmin, eleksirin dhe adrenalinën të ndikojë në esencat tona më të thella.
Tani jo vetëm shqiptarët brenda kufijve shtetërorë, por kombi shqiptar ka demokracinë dhe nuk lejon që kjo demokraci të përdhoset nga askush. Demokracia buron nga populli. Demokracinë e fituam dhe e bëmë të gjithë dhe të gjithë duhet të festojmë e gëzojmë. Demokracia është vetë populli. Demokracia je vetë ti. Ajo është e pamposhtur, në qoftë se nuk mposhtesh t’i, o demokrat i urtë, t’i, o socialisti i thjeshtë e i ndershëm. Ti e di fare mirë se lidershipi yt nuk e do më Enverin edhe t’ia falësh; ata nuk e duan më komunizmin, se në demokraci u bënë miliarderë. Ti e di fort mirë se ata e anatemojnë komunizmin dhe Enverin me fjalët më poshtëruese, për të fituar pak kredo tek ne e tek të huajt. Ti e di se ata, që dje mallkonin Amerikën, sot i falen dhe i bëjnë temenara, duke u puthur këmbët me hipokrizi e servilizëm ambasadorëve e misionarëve, për pak kapital politik. Atëherë ti pse nuk e quan festën tënde 22 Marsin? Sepse nuk të lënë ata? Të paktën lëri fëmijët e t’u ta bëjnë vet zgjedhjen. Demokracia e vërtetë janë fëmijët e mi, fëmijët e tu. Fëmijët përbëjnë shpresën e së ardhmes demokratike. Shpirti yt krijues përbën forcën magjike të saj. Historia nuk na e ka fshehur kalvarin që ishte para nesh. Edhe ne nuk u trembëm nga ky kalvar. Fëmijët tanë, të mitë, të tutë do ta gjykojnë historinë. Ata duan festat e përbashkëta, realisht të përbashkëta. Sentenca e lashtë “Për aspera ad astra”(“Në rrugën plot driza drejt yjeve”) ishte dhe është prova, ku ne do të kalojmë të gjithë. Nuk kemi si të bëjmë ndryshe, veçse ta hapim veten ndaj dritës, ndaj së vërtetës, ndaj gëzimit të festës, ndaj së ardhmes në familjen europiane. Kthimi prapa është më i keq se çdo vdekje. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme e fuqizojnë dhe e mbajnë të pastër demokracinë. Me siguri shqiptarët, që mundën diktaturën despotike, do ta mundin dhe coronavirusin me disiplinë mbrojtëse dhe besimin te Zoti.
SHTETI I FUNDIT NGA EUROPA LINDORE,QE FITOI DEMOKRACIA ESHTE SHQIPERIA !
MERITA I TAKON POPULLIT TE THJESHTE,QE ME VOTE PLEBISHITARE,BERI TE DILNIN FITUESE PARTITE E SAPOFORMUARA !TE THUASH QE INTELEKTUALET,TE CILET U VUNE NE KRYE TE KETYRE PARTIVE,BENE PERMBYSJEN ESHTE NJESOJ SIKUR TE THUASH QE U.C.K CLIROI KOSOVEN !?