VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

BE paralajmëron SHBA-të me kundërpërgjigje tregtare

By | October 3, 2019

Komentet

BE: Parlamenti britanik të votojë sa më shpejtë marrëveshjen e ndarjes

Bruksel

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pas fitores së kryeministrit britanik Boris Johnson në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që u mbajtën në Mbretërinë e Bashkuar tha se presin që parlamenti britanik të votojë sa më shpejt marrëveshjen e ndarjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në ditën e dytë të Samitit të Liderëve të Bashkimit Evropian (BE) që zhvillohet në Bruksel, Michel ka përgëzuar Johnsonin për fitoren dhe ka shprehur se BE-ja është e gatshme për marrëdhëniet që do të ndërtohen me Britaninë në të ardhmen.

“Është thelbësore që për procesin të sillet qartësi sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha Michel.

Ai shtoi se në të ardhmen dëshirojnë të veprojnë në bashkëpunim të ngushtë me Britaninë, por se edhe uniteti i tregut të vetëm të BE-së është një çështje e rëndësishme.

Partia Konservatore nën udhëheqjen e kryeministrit Johnson fitoi zgjedhjet dhe siguruan 364 vende në parlament.

Itali, hetime penale ndaj Matteo Salvinit

Matteo Salvini, udhëheqësi i Partisë Lidhja e Veriut, një forcë politike e krahut të djathtë në Itali, është subjekt i një hetimi penal të prokurorisë së Romës lidhur me keqpërdorimin e fondeve për fluturime. Hetimi për abuzim të mundshëm me detyrën ka të bëjë me 35 fluturime që zoti Salvini ka zhvilluar me aeroplanë e helikopterë kur ishte ministër i brendshëm në qeverinë e mëparshme. Qeveria u shpërbë në muajin gusht për shkak të vendimit të zotit Salvini për ta kaluar në opozitë partinë e tij.

Ministrat mund të kryejnë fluturime shtetërore për arsye institucionale, por jo për fushatë dhe kjo është ajo çka prokurorët dyshojnë se ka kryer zoti Salvini duke kombinuar sipas tyre, detyrën e ministrit të Brendshëm me funksionin partiak të tij.

Kam lexuar se jam nën hetim“, tha zoti Salvini të enjten, duke iu referuar njoftimeve në shtyp. “Të gjitha fluturimet ishin për arsye shtetërore. Kurrë nuk kam kryer fluturime për të shkuar me pushime, këtë e bëjnë të tjerë politikanë”, tha ai.

Më herët gjatë këtij viti gjykata italiane e auditimit, e specializuar në çështje që lidhen me fondet publike, e pati marrë në shqyrtim këtë çështje. Sipas gjykatës fluturimet ishin të paligjshme, por megjithatë ajo e pushoi çështjen me arsyetimin se nuk ishte shkaktuar ndonjë kosto shtesë për taksapaguesit italianë.

Hetimet nuk ka gjasa të ndikojë në mbështetjen që gëzon partia e zotit Salvini, një forcë politike mjaft popullore në vend sipas sondazheve. Prokurorët gjithashtu kanë hapur më parë hetime mbi dyshimet për korrupsion ndërkombëtar pas njoftimeve në shtyp se partia Lidhja e Veriut u përpoq të siguronte miliona euro përmes një marrëveshjeje sekrete për naftë me Rusinë. zëri i amerikës

Ish-kryeministri turk formon parti për ta sfiduar Erdoganin

Ish-kryeministri turk, Ahmet Davutoglu ka themeluar një parti të re politike të enjten, hap që tregon sfidimin e partisë në pushtet të presidentit, Recep Tayyip Erdogan.

Davutoglu ka dërguar edhe zyrtarisht aplikacionin për të formuar partinë “Partia e së Ardhmes”, ka raportuar gazeta, Cumhuriyet.

Ai pritet të bëjë publik lajmin për partinë të premten.

Kjo është një nga dy partitë që do të krijohen nga ish-aleatët e Erdoganit, në kohën e raportimeve për mospajtime brenda partisë së tij, të cilën Erdogan e drejton me një stil autoritar.

Ali Babacan, ish zëvendës-kryeministër, ministër i Jashtëm dhe ministër i Ekonomisë, ka bërë të ditura planet për krijim të partisë së re.

Urgjenca e formimit të partive të reja vjen në kohën kur në Turqi janë rritur zërat për ulje ekonomike dhe shifra të larta të papunësisë.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit ka humbur kontrollin e qyteteve kryesore në Turqi, Stambollit dhe Ankarasë, në zgjedhjet lokale të këtij viti. rel

Nobelistja suedeze kthen çmimin Nobel në protestë kundër Handkes

Ajo tha se ndjen turp për akademinë suedeze

Ajo tha se ndjen turp për akademinë suedeze

Christina Doctare, laureate e çmimit Nobel për Paqen në vitin 1988, tha se heq dorë nga çmimi që kishte marrë mbi tri dekada më parë, duke shprehur kundërshtimin e saj të fortë për dhënien e çmimit Nobel për letërsi shkrimtarit austriak, Peter Handke.

Gazetarja suedeze, e cila kishte marrë çmimin si anëtare e forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara (KB), ishte në turmën që protestoi të martën në kryeqytetin e Suedisë kundër vendimit të Komitetit Nobel për dhënien e çmimit Handke.

“Për sa kohë që unë jetoj, unë do të dëshmoj për atë që isha i përfshirë në atë luftë të tmerrshme që nuk mund të mohohet kurrë,“, tha Doctare, derisa hoqi medaljen.

Ajo tha se ishte krenare për akademinë suedeze, por tani ndjen vetëm turp dhe faj.

Doctare ishte anëtare e ekipit mjekësor të KB gjatë luftës në Bosnje dhe ishte ndër të parat që fliste hapur për dhunën seksuale në këtë konflikt.

Në kryeqytetin suedez, Stokholm të martën u mbajt protestë me kërkesë revokimin e çmimit Nobel nga shkrimtari austriak, Petter Handke, i cili njihet si përkrahës i ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviqit dhe gjenocidit që ky i fundit ka bërë në Ballkan./21Media

Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera bojkotojnë ceremoninë e ndarjes së Nobelit për autorin Handke (video)

Besim Abazi

Kosova dhe Shqipëria do të bojkotojnë ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për letërsi për autorin austriak, Peter Handke, për shkak të qëndrimeve të tij ndaj luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe të të Kosovës.

 

Peter Handke ishte kundërshtar i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë për shkak të Kosovës dhe mbajti fjalim në vitin 2006 në funeralin e ish udhëheqësit serb, Sllobodan Milosheviç, i cili vdiq në Hagë atë vit derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

Ministri në largim i Kosovës, Behgjet Pacolli, udhëzoi ambasadoren në Suedi që të “bojkotojë ceremoninë”, duke theksuar se “shkrimtari që mbështeti Millosheviçin për gjenocidin e tij në Bosnjë e Kosovë, nuk e meriton çmimin Nobel”.

Duke u solidarizuar me Kosovën, ministria e Jashtme e Shqipërisë tha se ambasadori në Suedi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e së martës.

Pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë megjithatë e mbështesin ndarjen e çmimit.

“Çfarëdo që ka shkruar për serbet e ka shkruar mirë dhe me të drejtë”, tha Dimitrie Dimitriç, nga fshati Hoçë e Madhe.

Por, Milazim Krasniqi, në Hoçën e Vogël, rreth 80 kilometra në jugperëndim të Prishtinës, një fshat me 40 të vrarë gjatë luftës në Kosovë, tha se kishte mbetur pa fjalë nga lajmi për ndarjen e çmimit.

Më shumë se 10 mijë veta ishin vrarë nga forcat e policisë dhe uhstrsië serbe gjatë luftës në Kosovë. Analsti Shkelzen Maliqi i tha Agjencisë së lajmeve Associated Press se ndarja e një çmimi të tillë për autorin austriak është e papranueshme…

Ceremonia e Nobelit bojkotohet edhe nga Turqia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia e Veriut…

Ambasadori i Turqisë në Stockholm, Hakki Emre Yunt, u tha medieve turke se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për letërsinë ndonëse është i ftuar.

Ministria e Jashtme e Kroacisë shkroi se ambasadori i saj në Suedi nuk do të marrë pjesë në ceremoni “për shkak të ndarjes së çmimit personit të angazhuar në mbështetjen e politikës serbomadhe të Sllobodan Millosheviçit, në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar”.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zhelko Komshiç, tha se “presidenca boshnjake nuk e ka autorizuar askënd që të marrë pjesë në ndarjen e çmimit Nobel”.

Ministri i Jashtëm i Kosovës në largim, Behgjet Pacolli falënderoi në rrjetin social twitter ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov “ për bojkotimin e ceremonisë për ndarje të çmimeve Nobel. Maqedonia ka qëndruar me ne në kohërat më të vështira, gjatë viteve ’98-99, kur Millosheviç kreu krime në Kosovë. Handke nuk ka përkrahur viktimat si Maqedonia e Veriut, por e ka përkrahur Millosheviçin”, shkroi ai.

Në një postim tjetër ai tha ka marrë konfirmim nga Afganistani për bojkotimin e ceremonisë.

Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 i dha fund sundimit serb në Kosovë dhe nëntë vjet më pas Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila kundërshtohet nga Serbia.

* Mbështetur edhe në agjencinë e lajmeve Associated Press

Finlandezja Sanna Marin pritet të bëhet kryeministrja më e re në botë

Sanna Marin

Finlandezja Sanna Marin, 34 vjeçe, do të jetë kryeministrja më e re në botë.

Marin, ministre e Transportit e Finlandës, u zgjodh kryeminstre nga Partia e saj Social-Demokrate, pas dorëheqjes së Antti Rinnes.​

Ajo pritet ta bëjë betimin këtë javë dhe do të udhëheqë një koalicion të qendrës së majtë, me pesë parti të kryesuara nga gra.

“Kemi shumë punë për të bërë, për të rikthyer besimin”, tha Marin.

Kryeministri i deritashëm i Finalndës, Anti Rinne, dha dorëheqje, pasi një parti në koalicionin e tij tha se ka humbur besimn në të, për shkak të trajtimit të një greve të punëtorëve të postës.

Marin ka pasur ngritje të shpejtë në politikën finlandeze qëkur është bërë kryetare e këshillit të qytetit të saj, Tampere, në moshën 27-vjeçare.

Merkel viziton për herë të parë Aushvicin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, viziton të premten ish-kampin nazist në Aushvic, për herë të parë në 14 vitet e saj si kancelare.

Vizita e Merkelit bëhet në një kohë kur Gjermania po shënon një ringjallje të anti-semitizmit dhe rritje të elementeve të krahut të djathtë.

Merkel është kancelarja e tretë gjermane që vizitoi ish-kampin në Poloni.

Udhëtimi i saj është jashtëzakonisht simbolik, pasi bëhet para shënimit të 75- vjetorit të çlirimit të këtij kampi nga trupat sovjetike më 27 janar 1945.

Në prag të udhëtimit të saj, Merkel tha se “lufta kundër anti-semitizmit dhe kundër të gjitha formave të urrejtjes” ishte përparësi për qeverinë e saj.
65-vjeçarja premtoi gjithashtu “vendosmëri” nga qeveria për të mundësuar që jeta e hebrenjëve të lulëzonte në Gjermani.

Memoriali i kampit në Aushvic – foto nga arkivi

Merkel do të mbajë një minut heshtje në “Murin e Vdekjes”, vendi ku mijëra të burgosur të kampit u qëlluan për vdekje.

Gjatë vizitës, Merkel gjithashtu do të mbajë një fjalim, si dhe të vendosë një kurorë me lulenë ish- kampin e afërt Birkenau.

“Vizita është një sinjal veçanërisht i rëndësishëm i vëmendjes dhe solidaritetit, në një kohë kur të mbijetuarit e Aushvicit janë viktima të fyerjeve anti-semitike dhe postimeve në rrjete sociale të cilat janë të mbushura me urrejtje”, tha Christoph Heubner, nënkryetar i Komitetit Ndërkombëtar të Aushvicit.

Përpara udhëtimit të saj, Gjermania miratoi një donacion prej 60 milionë eurosh për Fondacionin Aushvic-Birkenau.

Merkel do të shoqërohet nga kryeministri polak, Mateusz Morawiecki dhe një i mbijetuar i kampit.

Josef Schuster, kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani dhe Ronald Lauder, kreu i Kongresit Botëror të Hebrenjve, gjithashtu do të marrin pjesë në këtë vizitë.

Një milion hebrenjë u vranë në Aushvic-Birkenau, së bashku me 100,000 polakë jo-hebrenj, robër të luftës nga ish-Bashkimi Sovjetik, romë dhe luftëtarë tjerë anti-nazistë.

Merkel e ka quajtur Holokaustin një “ndarje me civilizimin” dhe ka shprehur shqetësimin për ngritjen e anti-semitizmit në Gjermani.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Presidenti Trump tha se presidenti francez e ka fyer NATO-n

Presidenti amerikan, Donald Trump, kritikoi të marrën presidentin francez Emmanuel Macron për komentet e tij në të cilat e përshkroi NATON si “klinikisht të vdekur”, duke thënë se komentet e udhëheqësit francez janë “deklaratë e keqe”.

Duke folur përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, derisa udhëheqësit e vendeve anëtare, u mblodhën për një samit në Londër, presidenti Trump tha se “ju thjesht nuk mund të shkoni vërdallë duke bërë deklarata të tilla sikurse ato për NATO-n”.

Komentet e presidentit Macron u bënë në një intervistë me revistën britanike The Economist, muajin e kaluar. Ai që atëherë ka mbrojtur qëndrimet e tij, duke thënë se NATO-s “kishte nevojë për një alarm zgjimi” dhe duhet të përqendrohet në çështje të ndryshme nga shuma e parave që secili anëtar shpenzon për mbrojtjen.

Presidenti Trump dhe presidenti Macron do të takohen gjatë së martës.

 

Shpenzimet e mbrojtjes janë nënvizuar vazhdimisht nga presidenti Trump që kur morri detyrën në vitin 2017 dhe u ankua se Shtetet e Bashkuara po bartin barrën e tepruar financiare.

Përveç buxhetit vendet anëtare të NATO-s, tha sekretari Stolteberg, do të diskutojnë për luftën kundër terrorizmit, kontrollin e armatimeve, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.

Samiti po mbahet derisa presidenti Trump përballet në shtëpi me një hetim për shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikat e tij të martën për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca ndërsa ai po merr pjesë në samit.

Por, ai mohoi mundësinë që procesi të ketë dobësuar pozitën e tij derisa po takohet me udhëheqësit botëror.

Komisionit të Nobelit për Letërsi i largohen dy anëtarë, njëri për shkak të Handke-s

Dy anëtarë të jashtëm të Komisionit të Nobelit për Letërsi kanë hequr dorë nga ky komision të hënën, duke e kritikuar Akademinë Suedeze të goditur nga skandalet.

Akademia 233-vjeçare u detyrua të miratojë rregulla të reja pas një skandali ku qe përfshirë bashkëshorti i një ish-anëtareje, i cili ndikoi që dhënia e Çmimit Nobel për Letërsi për vitin e kaluar të shtyhej.

Anëtarët e jashtëm ishin shtuar për të asistuar në përzgjedhjen e kandidatëve për Çmimin Nobel për Letërsi, të cilët më pas do të votoheshin nga Akademia Suedeze, transmeton Gazeta Express.

Shkrimtari Kristoffer Leandoer tha se po tërhiqet nga ky komision, sepse nuk ka kohë as durim që ta presë atë për t’i përfunduar reformat.

“Akademia dhe unë kemi pikëpamje të ndryshme për kohën. Një vit është kohë shumë e gjatë në jetën time dhe kohë shumë e shkurtër për Akademinë”, tha ai përmes një shkrimi të botuar në gazetën suedeze “Svenska Dagbladet”.

Ky shkrimtar tha se vendimi për t’u larguar nga komisioni nuk lidhet me ndarjen e Çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin kundërthënës, Peter Handke, për të cilin Akademia Suedeze ka marrë kritika brenda dhe jashtë Suedisë.

Sidoqoftë, anëtarja tjetër e tërhequr, Gun-Britt Sundstrom, tha përmes një deklarate se zgjedhja e Handge-s është interpretuar sikur letërsia të qëndronte mbi politikën dhe se ajo nuk pajtohet me këtë pikëpamje, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Erdogan e porosit Makronin: “duhet të kontrolloheni nëse ju jeni klinikisht i vdekur”

Presidenti turk Tayip Erdogan tha të premten se paralajmërimi i presidentit Emmanuel Macron se NATO-ja është klinikisht e vdekur, pasqyron një kuptim “të sëmurë dhe të cekët”, dhe iu drejtua presidentit francez me fjalët: “duhet të kontrolloheni nëse ju jeni klinikisht i vdekur”.

Komentet u bënë shkak për një qortim të menjëhershëm nga ana e ministrisë së jashtme franceze, e cila thirri ambasadorin e Turqisë në Paris për të protestuar ndaj asaj që një këshilltar presidencial francez e quajti “fyerje”.

Zoti Erdogan i bëri komentet pak ditë përpara samitit aleancës ushtarake, për të cilën zoti Macron ka thënë se po përjeton “vdekje klinike” për shkak të paparashikueshmërisë së SHBA nën Presidentin Donald Trump dhe tensionimit të marrëdhënieve me Turqinë.

Presidentët e Turqisë dhe të Francës, të cilët kanë shkëmbyer kritika mbi ofensivën ndërkufitare të Ankarasë në Sirinë verilindore, do të jenë midis udhëheqësve të NATO-s që do të takohen në një samit të aleancës transatlantike në Britani më 4 dhjetor.

“Po i drejtohem z. Macron nga Turqia dhe do ta them këtë në NATO: Jeni ju i pari që duhet të kontrolloheni nëse keni vdekur klinikisht,” tha zoti Erdogan.

Presidenti Macron tha në një intervistë tre javë më parë se ka mungesë të koordinimit strategjik midis aleatëve evropianë nga njëra anë dhe Shteteve të Bashkuara e Turqisë, nga ana tjetër. Ai kritikoi gjithashtu pamundësinë e NATO-s për të reaguar ndaj asaj që ai e quajti një ofensivë e çmendur turke në veri të Sirisë.

Të Premten, zyrtarët francezë thanë se prisnin sqarime të hollësishme nga zoti Erdogan në vend të një lufte fjalësh.

“Le të jemi të qartë, këto nuk janë deklarata, ato janë fyerje,” tha një këshilltar presidencial.” zëri i amerikës

Gjermani, vjedhje prej mbi 1 miliard dollarë në një muze

Berlin

Rreth 1 miliard euro (1.1 miliardë dollarë) thesar u vodhën gjatë bastisjes në një muze të Gjermanisë, raportoi sot e përditshmja Bild, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kasaforta e Gjelbër (Vault Green) në Dresden u vu në shënjestër të hajdutëve që hynë në ndërtesë në orët e para të mëngjesit. “Mund të konfirmojmë grabitjen në Kasafortën e Gjelbër”, tha zëdhënësi i policisë, Thomas Geithner.

“Grupi hetues i krimit është në vendin e ngjarjes. Autorët janë në arrati”, shtoi ai.

Hajdutët ndërprenë furnizimin me energji elektrike në ndërtesë në orën 5 të mëngjesit përpara se të thyenin dritaren në muzeun e fortifikuar.

Vjedhja spektakolare e artit ndoshta është vjedhja më e madhe në historinë gjermane të pas luftës.

Sipas Bild, banda e hajdutëve ka vjedhur bizhuteri historike, diamante dhe gurë të çmuar. Dëmi mund të shkojë në miliarda, pasi hajdutët e artit kanë vjedhur ekskluzivisht bizhuteri.

Megjithatë, hajdutët mund të kenë humbur një kënd. Megjithëse, mbyllën furnizimin me energji elektrike, një kamerë vëzhgimi thuhet se ka regjistruar një video të tyre.

Sipas Bild, disa autorë “dukshëm të vegjël” u panë në videon. Kasaforta e Gjelbër është e famshme në botë për thesaret e saj të artit.

Ka ar dhe gurë të çmuar, porcelan, vepra arti qelibar, gdhendje të jashtëzakonshme prej fildishi dhe një gur qershie në të cilin janë gdhendur 185 fytyra. Të gjithë ato janë tepër të çmueshme.

Policia gjermane kërkon autorin 23 vjet pas vrasjes së të miturës

Berlin

Policia në qytetin gjerman Grevenbroich ka kërkuar që rreth 900 meshkuj të paraqiten në polici për shkak të testit të ADN-së me qëllim të zbardhjes së vrasjes makabre të një vajze 11-vjeçare 23 vite më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vajza Claudia Ruf u rrëmbye, u përdhunua dhe u mbyt në vitin 1996, kurse trupi i saj u gjet në Euskirchen, 70 kilometra në jug të qytetit Grevenbroich.

Agjencia gjermane e lajmeve DPA raportoi se rreth 900 meshkuj të moshës midis 14 dhe 70 vjeç në kohën kur u vra Ruf, janë ftuar të bëjnë ekzaminimin e pështymës për të konstatuar ADN-në.

Megjithëse hetuesit në vitin 2010 kryen teste gjenetike tek 350 burra, vrasësi ende nuk është gjetur.