VOAL

VOAL

Pagat e llahtarshme të çetës së Bankës së Shqipërisë; Gent Sejko dhe familjarët e politikanëve notojnë në paratë e shqiptarëve

December 27, 2021

Komentet

Komisioni Evropian refuzon draftin e parë për ligjin e zonave të mbrojtura

Ministria e Mjedisit i ka përcjellë Komisionit Evropian draftin e parë për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Dokumenti nuk është publik, por unë munda të siguroj një kopje e cila, sidoqoftë, nuk është voluminoze (vetëm tre faqe). Materiali i shumëpritur nga të gjithë, edhe nën presionin e protestuesve në Bulevard, u prezantua pak ditë më parë në tryezën e ngushtë të diskutimeve të Kapitullit 27, mes palëve negociatore: zyrtarëve të ministrisë dhe ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Mjedisit të Komisionit Evropian.

Kjo është përpjekja e parë drejt shfuqizimit të ligjit, ndonëse e vonuar, qëkur shtatorin e shkuar u vendos caktimi i piketave mbyllëse (Closing Benchmarks) si kusht për anëtarësim e vendit në Bashkimin Evropian.

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mjedisit më pohoi se adresimi i piketave parashikohet të përfundojë në dhjetor dhe krahas konsultimeve, të hyjë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të 2027. Orët e ardhshme pritet që ministria t’i dorëzojë Komisionit planin e veprimit dhe afatet e shqyrtimit të çështjeve të përshkruara në udhërrëfyesin e gjelbër.

Por drafti është shqetësues. Ndryshimet janë, as më shumë e as më pak, përkthimi fjalë për fjalë i nenit 6, me fokus paragrafin 3 dhe 4, të Direktivës së Habitateve, duke hedhur hije dyshimi mbi seriozitetin dhe vullnetin e qeverisë në zhvillimin e negociatave mjedisore, ndërkohë që dy prej kërkesave kryesore të protestave janë anulimi i ligjit në fjalë, si dhe anulimi i resortit brenda Peizazhti të Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë; një zhgënjim i hidhur, jo vetëm për protestuesit, por edhe për aspiratën evropiane, e cila për qeverinë socialiste ka marrë prej kohësh ngjyrat e një manifestimi elektoral.

Ndryshe nga sa pritej dhe është denoncuar deri tani mbi ndryshimet dramatike ligjore të administrimit të zonave të mbrojtura, drafti i propozuar nuk adreson asgjë për ndërtimin e hoteleve me pesë yje dhe të strukturave akomoduese turistike brenda parqeve kombëtare; asgjë për heqjen e zonimeve të peizazheve, për heqjen e zonimeve të monumenteve të natyrës (buffer zone); asgjë për lejimin dhe shtimin e aktiviteteve ekonomike prej Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), duke shpërfillur, të vetmin udhëzues për lejimin e tyre: planet e menaxhimit. Të mos harrojmë se për shkak të këtyre deformimeve lindi nevoja dhe detyrimi për shfuqizimin e tyre dhe shpërtheu protesta në vend – më e madhja qysh nga rënia e komunizmit, në 1992.

Në të kundërt, ajo çka drafti paralajmëron është se adoptimi i nenit 6, mund të përdoret nga autoritetet për të justifikuar ndryshimet famëkeqe të ligjit të zonave të mbrojtura, sesa si një mekanizëm për mbrojtjen e tyre.

Dhe konkretisht, në nenin 2, pika 5 të draftit, që përkon me nenin 6, pika 4 të Direktivës së Habitateve, thuhet “Nëse, pavarësisht përfundimeve negative të vlerësimit të duhur të ndikimeve… një plan ose një projekt duhet të realizohet për arsye detyruese të interesit publik madhor… merren të gjitha masat kompensuese të nevojshme për të siguruar ruajtjen… e rrjetit të zonave të veçanta të ruajtjes. Direktiva sugjeron se anulimi a priori i një aktiviteti ekonomik mund të jetë i vështirë dhe se duhet parë konkretisht, rast pas rasti. Por ndjesia ime është seky interpretim mund t’i joshë autoritetet. Në kushtet kur ky ndryshim thelbësor i propozuar mbetet i vetmi, nuk mund të mos shqetësohemi se resorti në Zvërnec, sikurse të tjerë në të ardhmen, mund të mos anulohet. Rama ka treguar kokëfortësi në administrimin e zonave të mbrojtura, duke humbur prej kohësh kontaktin me realitetin. Është plotësisht e mundshme që ai të vijojë të justifikojë ndërtimet e resorteve brenda zonave të mbrojtura si interes i lartë publik. Ne e shohim sesi po e bën këtë, çdo ditë e më shumë: në ekran, rrjete, WhatsApp; kudo kundër kujtdo. Qëndrimi prej harbuti ndaj çështjeve kaq të rëndësishme e ka lënë atë dhe administratën e tij pa një alternativë. Duket me shumë një psikozë sesa një përpjekje për vizion (siç ai po përpiqet ta paraqesë).

Por këtë radhë, shpërfillja dhe arroganca e tij është kthyer edhe nga Komisioni Evropian. Askush nuk mund të parashikojë me siguri sa mund të zgjasë. Qëndrimi i tij i përhershëm ndaj përpjekjeve për mbrojtjen e burimeve është përbuzës. Dy vjet më parë, në kulm të troshitjes publike për shkak të ndryshimit dhunshëm të ligjit të zonave të mbrojtura, ai nxitoi të shfaqej, duke u imponuar me stilin e një mafiozi: ”na respektoni, nëse doni që t’ju respektojmë…”. Ai nxitoi të ndërhynte për ta korrigjuar drejtpërdrejtë Komisioneren Marta Kos, javën e shkuar në Bruksel, gjatë një konference të përbashkët, teksa pohoi se fjala ishte për rregullime përputhshmërie, jo për shfuqizim dispozitash.

Deri tani, Komisioni ka qenë i palëkundur në devizën e tij: “të shfuqizohen plotësisht të gjitha dispozitat e papajtueshme [me legjislacionin evropian]”, por Rama vijon të ruajë të njëjtën sjellje. Ajo çka pritet është diçka tjetër: si do sillet Komisioni Evropian? Në mbledhjen e së enjtes së shkuar, ekspertët ishin të shqetësuar, por të kthjellët, kur iu drejtuan përfaqësuesve të qeverisë me këto fjalë: “Të jeni seriozë, korrektë dhe të sinqertë!”. Drafti u refuzua. Një i dytë u porosit në ditët në vijim. Me gjasë, nëse qëndrimi i autoriteteve do të vijojë të udhëhiqet nga fantazia e Kryeministrit, komunikimi mes palëve negociatore do të rëndohet. Por ndërkohë, një gjë nuk duhet harruar. Nëse autoritetet nuk sillen seriozisht, grupet e interesit dhe ekspertët mjedisorë duhet të jenë serioze. Në rrethana kaq armiqësore ndaj zonave të mbrojtura, kaq kërcënuese, lë të hedhin edhe një herë vështrimin drejt karnavaleve me postera pink të aktivizmit politik dhe flamingove me bukë peshku që zhurmojnë në bulevardin me asfalt të kryeqytetit, e le të ngrenë një pyetje: a është kjo rruga efektive për të ndaluar resortin dhe për të mbrojtur burimet në zonat e mbrojtura?/ Citizens

Videolajm- Edi Rama e paralajmëroi 10 vite më parë dhe nuk mori masa ta parandalojë shpopullimin e fshatrave! “Reportazhi” i braktisjes së madhe

Dhjetë vite më parë, kryeministri Edi Rama pranonte publikisht se bujqësia shqiptare po përballej me probleme të thella dhe paralajmëronte se, nëse nuk merreshin masa të forta mbështetëse, fshatrat do të boshatiseshin dhe tokat do të mbeteshin djerrë.

Sot, një dekadë më vonë, ky paralajmërim është shndërruar në realitet në shumë zona të vendit, ku emigracioni dhe braktisja e fshatit kanë lënë pas qindra banesa të mbyllura dhe sipërfaqe të tëra të papunuara.

Në një deklaratë të bërë një dekadë më parë, Rama shprehej se qeveria ishte plotësisht e vetëdijshme për problemin e vetmisë së fshatit dhe për rrezikun që, pas dhjetë vitesh, të mos mbetej askush për të punuar tokën.

“Jemi shumë të vetëdijshëm që problemi kryesor i fshatit sot është problemi i vetmisë. E dimë shumë mirë që pa i dhënë fshatit një mbështetje shumë të fortë që të rifillojë të prodhojë normalisht, ne rrezikojmë që pas 10 vjetësh të mos ngelet asnjë njeri që të merret me tokat, por të mbeten djerrë komplet.

Nuk ka fshatarë të varfër në pikën që nuk arrijnë dot t’i japin një gotë qumësht fëmijës në mëngjes, kjo nuk ekziston…

Dhe nuk kanë faj, sepse shohin prindërit që rropaten 16 orë duke punuar me tokën dhe në fund, çfarë përfitojnë? Vetëm mbijetesë. Mbijetesë për të mbushur barkun me bukë”, shprehej Rama.

Megjithatë, pavarësisht këtij paralajmërimi dhe pranimit të problematikës, dhjetë vitet që pasuan u shoqëruan me një tkurrje të vazhdueshme të popullsisë rurale, emigrim masiv dhe braktisje të shumë zonave bujqësore.

Në shumë fshatra të vendit, tokat kanë mbetur të papunuara, ndërsa numri i familjeve që jetojnë dhe punojnë në bujqësi është reduktuar ndjeshëm. Panorama

https://www.facebook.com/share/v/18tGachDK4/

“Patronazhistët digjitalë ndajnë edhe videot e perëndimit të diellit në det, të postuara nga Balluku”- BIRN: Lufta për algoritmin! Qindra profile të rreme targetojnë mbështetësit e protestës

Ndërsa kryeministri Edi Rama akuzoi publikisht algoritmin e rrjeteve sociale për nxitje të protestave, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se qindra profile të rreme janë hapur së fundmi për të shpërndarë njëherazi propagandë qeveritare dhe mesazhe të koordinuara kundër mbështetësve të protestës.

Ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli riktheu në vëmendje përmes një statusi në Facebook më 14 korrik një konflikt të dikurshëm me ish-ministren e Kulturës për atë që ai e quajti “algoritmi fake”.

Në kohën kur ishte në detyrë, Çuli thotë se i ishte kërkuar që të shpërndante dhe të pëlqente postimet e Ministrisë dhe institucioneve të varësisë në rrjetet sociale – një praktikë e gjithëpërhapur mes administratës publike, të cilën ai e konsideroi “sakrificë të përditshme profesionale për një like më tepër”.

Sipas tij, ish-ministja Elva Margariti ia kishte prezantuar kërkesën si porosi të kryeministrit.

Regjisori dhe aktori Hervin Çuli e drejtoi Teatrin Kombëtar për dy mandate gjatë viteve 2014-2022, por beteja e qeverisë për të dominuar rrjetet sociale nuk duket se ka ndryshuar.

“Skema ishte e thjeshtë,” shpjegoi Çuli në një bisedë telefonike për BIRN.

“U krijua një grup Whatsapp-i me të gjithë drejtorët e ministrisë së Kulturës dhe aty duhej të shpërndanin aktivitetet dhe të shpërndanin atë që postohej,” shtoi ai, duke theksuar se kjo u përcillej edhe vartësve. “Aty bëheshin postimet dhe duhej t’i shpërndaje dhe pëlqeje”.

I gjendur prej 50 ditësh përballë protestave maratonë që kërkojnë dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama akuzoi mes të tjerash edhe algoritmin e rrjeteve sociale se i ka hedhur “benzinë zjarrit” të revoltës qytetare.

“Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë ndikim. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet. Mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve, mbi të gjithë ne,” deklaroi Rama në një mbledhje me grupin parlamentar të PS.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN sugjerojnë se gjatë ditëve të nxehta të protestave, platformat e rrjeteve sociale u përmbytën nga qindra llogari të rreme, të cilat shpërndajnë njëherazi propagandën qeveritare si dhe sulme të koordinuara ndaj mbështetësve të protestës.

Mekanizmi është thuajse identik me atë që përdor administrata publike, ku videot e përgatitura nga zyrat e PR-it të qeverisë dhe memet e gatshme shpërndahen njëkohësisht nga një ushtri dixhitale e fshehur pas profileve fantazmë.

Sipas ekspertëve të teknologjisë së informacionit, kjo teknikë përdoret për të krijuar idenë e rreme të një mbështetjeje publike, po aq sa për të sulmuar kundërshtarët.

“Kur veprojnë në numër të madh dhe në mënyrë të sinkronizuar, algoritmet e rrjeteve sociale mund ta interpretojnë këtë aktivitet si interes organik, duke i dhënë përmbajtjes më shumë shtrirje,” tha Besmir Semanaj, ekspert IT.

Zyra e shtypit e kryeministrit mohoi lidhjen mes profileve të rreme dhe punonjësve të administratës.

“Nuk ka asnjë urdhër a koordinim të administratës për këtë gjë nga qeveria, madje qeveria e konsideron absurd këtë pretendim,” tha një këshilltare për mediat e kryeministrit. Ish-ministrja e Kulturës, Elva Margariti, refuzoi të komentonte mbi statusin e Hervin Çulit.

Propagandë dhe fushata denigruese

Teknika e shpërndarjes masive të përmbajtjes nga shumë aktorë njëkohësisht njihet nga studiuesit si “sjelljes joautentike e koordinuar”.

Në një publikim të vitit 2025 në Sage Journals, studiuesit Richard Rogers dhe Nicola Righetti theksojnë se qëllimi kryesor i kësaj sjelljeje është gënjimi i algoritmeve që përdorin rrjetet sociale, përmes imitimit të “angazhimit organik”.

Kjo nuk është diçka e re në Shqipëri. Gjatë fushatës së fundit elektorale, qindra profile që përfundonin në mënyrë unike “.2025” u përdorën për të komentuar apo sulmuar kandidatë të ndryshëm. Njësoj si në kohë zgjedhjesh, qindra profile të rreme janë hedhur në hapësirat virtuale të rrjeteve sociale, duke targetuar këtë herë protestën.

BIRN identifikoi mbi 100 profile të rreme në Facebook dhe Instagram, të krijuara mes datave 28-30 qershor. Një pjesë e madhe e tyre u identifikuan duke monitoruar manualisht postimet e kryeministrit në Facebook dhe personat që i kishin shpërndarë ato.

Profilet nuk e fshehin përkatësinë, pasi përdorin kryesisht si pseudonim emra qytetesh dhe lidhje direkte me Partinë Socialiste, të tilla si “Edi Rama per Shqiperine 2030”, “kolonjasot2030” apo “Bulqiza e së Ardhmes 2030”.

Edhe pse kanë emra të ndryshëm, profilet shpërndajnë përmbajtje të njëjtë propagandistike. Por ndryshe nga profilet reale që shpërndajnë kryesisht postime pozitive në favor të qeverisë, profilet e rreme përdoren masivisht për të sulmuar apo delegjitimuar protestën apo mbështetës të saj.

Të targetuar janë kryesisht drejtuesit e partive të vogla parlamentare, Agron Shehaj dhe Arlind Qorri, personazhe që kanë treguar protagonizëm në protestë dhe deri te këngëtarja Dua Lipa, e cila mbajti së fundmi një qëndrim pro protestës që zhvillohet prej fillimit të qershorit në Tiranë.

Postimet në këto faqe, memet apo fotomontazhet janë shpesh identike nga njëri profil në tjetrin. Por edhe pse duket se ato nuk marrin fare vëmendje, kjo nuk i bën të padëmshme.

Deputetja Marjana Koçeku i tha BIRN se u përball me një fushatë të egër denigruese online, pasi deklaroi se po shkëputej nga Partia Socialiste për shkak të protestave.

“Ishin profile të reja dhe përdornin gjuhë denigruese e fyese. I kam ruajtur të gjitha, zgjati disa ditë,” tha Koçeku për BIRN.

Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj e gjeti veten të targetuar online për shkak të angazhimit të saj në protestë, përmes sulmeve masive të dirigjuara nga profile false apo nga profile reale militantësh partiakë.

“Këta kryesisht synojnë të shajnë individin, të thonë ‘je e Sorosit’ etj. Pati një rast që më përmendën edhe partnerin,” thotë Vatnikaj, duke theksuar se gjatë sulmeve përdoret shpesh gjuhë diskriminuese krahinore, me etiketime si “maloke” apo të “dhunshme”.

Patronazhimi dixhital

Ish-zyrtarë të administratës publike i thanë BIRN se mazhoranca qeverisëse përdor prej vitesh një makineri dixhitale që mirëmbahet përmes një strukture monitorimi dhe ka në krye një “Koordinator Dixhital”.

Sipas tyre, mekanizmi ushqehet nga produktet e prodhuara nga zyrat e PR-it dhe përfshin pothuajse të githa degët e administratës, përmes linjave hierarkike që justifikoheshin me pretekstin e transparencës, por që ishin thellësisht kontrolluese.

Një ish-zyrtare e qeverisjes qendrore i tha BIRN se kishte qenë pjesë e grupeve të WhatsApp-it ku hidheshin postimet dhe gjithçka monitorohej.

“U punësuan njerëz konkretë për këtë, vajza me çanta Chanel, që nuk bënin asgjë tjetër. Çdo gjë kontrollohej normalisht dhe kishin një sistem për vlerësim,” tha ajo në kushtet e anonimatit.

Kjo praktikë konfirmohet edhe nga një tjetër ish-punonjëse në nivele më të ulëta të administratës, e cila thekson se në këto grupe hidheshin postimet që duhej të shpërndaheshin në profilet e tyre në rrjetet sociale dhe të pëlqeheshin me detyrim, sidomos gjatë fushatës.

“Nëse një person në grup nuk ishte aktiv mjaftueshëm, i tërhiqej vëmendja me mesazhe të tipit ‘nuk je aktiv’,” thotë ajo, duke shtuar se çdo ndërveprim shënohej me përpikëri dhe kishte një sistem vlerësimi.

Ish-zyrtarët i thanë BIRN se për të identifikuar personat që ishin pjesë e këtij sistemi patronazhimi dixhital, mjafton të ndjekësh se kush i pëlqen dhe i shpërndan postimet e një X ministri të caktuar.

“Dallojnë se në këto profile, edhe pse reale, nuk ka asgjë personale, por vetëm ndarje postimesh politike,” tha një prej tyre.

“Është më e lehtë në faqet e personazheve publikë që kanë më pak shpërndarje,” na sugjeroi një tjetër ish-funksionar.

Këto shpjegime e çuan BIRN të identifikonte më shumë profile të rreme të krijuara në fund të qershorit, sikurse edhe një numër personash të punësuar në administratë që ndanin dhe pëlqenin qëndrimet politike të përfaqësuesve të shumicës, përfshirë edhe qëndrimet kundër protestës.

Për shembull, një postim i ish-zv. kryeministres Belinda Balluku, që krahasonte protestën e fundit me sulmin ndaj kryeministrisë në vitin 1998, u nda nga një numër punonjësish të administratës publike, bashkive apo kompanive publike në Fier, Patos dhe Lushnjë.

Në ndjekje e këtyre profileve, pas të cilave ka persona realë, vëren gjithashtu se ata nuk ndajnë vetëm përmbajtje politike, por edhe videot e perëndimit të diellit në det, të postuara nga Balluku.

Qytetarët duan prosperitet,  duan  një Kosovë moderne të inkuadruar në BE dhe në NATO- Nga Skënder MULLIQI

 

—- Le të jemi të sinqertë për një moment, Republika e Kosovës për shkak të këtyre njerëzve të pa papwrgjegjshëm  , po humbet reputacioni i saj ndërkombëtar .Politikanët  duhet të dinë mirë , së në krahasim më popullin janë do figura të vogla , dhe shumë më të pa rëndësishem nga ata që i zgjodhën.Kosovës dhe popullit të saj , nuk i nevoiten njerëzit e pa dobishem për politikë.Lufta për Atdhe na dha mundësinë të kemi një Republikë të pavaruar e sovrane , të cilën nuk do të lejohet ta përdhosë askush më asnjë çmim…
 Shumë herë deri më sot  janë përshkruar për opinion e gjerë publikë figurat politike të cilat e drejtuan Kosovën për 26 vite.Kur jemi këtu duhet vequar figuren e dr.Ibrahim Rugovës I cili u tregua së dinë qka donë në politikë .Ishte nje figurë intelektuale dhe politike që bëri shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Edhe pas luftës mori vendime të menqura politike , duke projektuar të ardhmën e vendit ashtu si duhet si president i parë i vendit  .Vdekja e tij la zbrazëtirë të madhe në skenën tonë politike, sepse Rugova kishte autoritet të madh në popull dhe të bashkësia ndërkombëtare.Nderimi që ju bë nga po thuaj të gjithë burrshtetasit e botës, në një ceremoni mortore madheshtore , fletë së cila ishte në të vërtetë figura e  Rugovës.Por, çka ndodhi më drejtuesit tjerë të shtetit më të ri në Evropë.Shumica prej tyre që shijuan pushtetin shkelen normat morale dhe shoqërore politike  , shkelen mbi interesat vitale për shtetëndërtim dhe mirëqnje, në luftën e ashpër politike për pushtet.Koha i gjveshi se populli kishte të bënte më shumë  më turma politike mashktruese dhe manipuluese, të cilët keqpërdorën pozitën shoqërore politike  për pasurime  të pa ligjshme .Këto keqpërdorime të mëdha dhe të vogla ndikuan në varfërimin e shumicës.Nuk është pritur një ndëshkim kaq I madh I qytetarëve pa asnjë arsye.Aq më keq që në Kosovën e pas luftës tonë qlirimtare u shfaqën krimi i organizuar dhe korrupcioni të formave enorme si stagnuese të proceseve pozitive shumë të pritura .Dihet së lufta kunder korrupcionit dhe krimit të organizuar kurrë nuk u bë ashtu si duhet, kur dihet së janë kusht për inkuadrim të vendit në strukturën e BE-së.Liderët tanë politik dhe institucional në shumë raste pasqyruan paaftësinë  dhe pafuqinë e tyre në përballje më sfidat e  kohës së tranzicionit.Nuk u përfillë kurrë në masë të duhur vullneti i popullit (të indinjuar), kryesisht në zemërimin e mashtruesëve.Këto veprime mashtruese janë irrituese , të neveritshme dhe nuk mund të besosh , së si kan mbetur të  pa ndëshkuar moralisht edhe ligjerisht.Shumë veprime të liderëve të deri sotem, mund të ngjajnë në sabotues ,  që është e pa pajtueshme më detyrat të cilat i kishin përpara në zhvillim, dhe për një jetë më të mirë.Turpi i tyre për dështime  politike është I madh , por  është edhe I të gjithë neve që nuk  I ndeshkuam më votë të gjithë dështakët e politikës .Duhet theksuar që e kam thënë shumë herë deri më sot, së në politikën tonë  u inkudruan pas luftës njerëz të pa përgatitur profesionalisht dhe moralisht .Kjo ishte hendikap I madh për avansimin e proceseve .Llafazanet e pa arsimuar dhe apartqikët partiak  nuk janë duke I sjellur të mira Kosovës dhe të ardhmës të saj .Ato janë provë se indi gangrenoz në korpusin  e Kosovës po rritet dhe po rrezikon  qdo gjë. Qytetarët duan prosperitet,  duan  një Kosovë moderne të inkuadruar në BE dhe në NATO.Mjaftë njerëz qesharak  arritën në ulësit e kuvendarëve .Dhe, më njerëz të tillë është e pamundur të ecet sigurt përpara.Ata e kan të pamundur  ti plotësojnë kërkesat  reale të qytetarëve, kur dihet së inkuadrimi i tyre në jetën politike është bërë për qëllime hajnish.Në Kosovë, ka tradhti të vazhdueshme në veprim, të elitës politike  nga e cila  po dalin të gjitha të këqijat e tjera .Le të jemi të sinqertë për një moment, Republika e Kosovës për shkak të këtyre njerëzve të pa papwrgjegjshëm  , po humbet reputacioni i saj ndërkombëtar .Politikanët  duhet të dinë mirë , së në krahasim më popullin janë do figura të vogla , dhe shumë më të pa rëndësishem nga ata që i zgjodhën.Kosovës dhe popullit të saj , nuk I nevoiten njerëzit e pa dobishem për politikë.Lufta për Atdhe na dha mundësinë të kemi një Republikë të pavaruar e sovrane , të cilën nuk do të lejohet ta përdhosë askush më asnjë çmim…

“Protesta më e madhe anti-qeveritare ndër vite” L’Espresso: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës! Si tentoi kryeministri të ulë fuqinë e “Revolucionit flamingo”

Pothuajse dy muaj pas fillimit të protestave, Kryeministri i Shqipërisë është rikthyer për të kundërshtuar mobilizimin që filloi në fund të majit kundër një mega-resort të lidhur me dhëndrin e Trump, Jared Kushner, në zonën e mbrojtur të Vjosës-Nartës, dhe që është bërë protesta më e madhe antiqeveritare në vite.

L’Espresso

Edi Rama nuk po tërhiqet. Gati dy muaj pas protestave që përfshinë Tiranën (dhe më gjerë), kryeministri shqiptar u rikthye në sulmin e tij ndaj të ashtuquajturës lëvizje “Revolucioni i Flamingo-s” – demonstrata që filloi në fund të majit kundër një mega-resort të lidhur me dhëndrin e Trump, Jared Kushner , në zonën e mbrojtur Vjosa-Nartë. Kjo është bërë protesta më e madhe antiqeveritare në vite, me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013.

Në një dialog online me qytetarët, Rama e ndau rrugën e demonstratave në dy pjesë: nga njëra anë “flamingot”, nga ana tjetër ” sorrat dhe korbat “. “Kjo rrugë është qartësisht e ndarë për mua, sepse është e ndarë nga historia”, tha ai. “Historia e flamingove” do të ishte ajo e “Shqipërisë së re”; ajo e “sorrave që kanë pushtuar” do të ishte thjesht “e kaluara që paraqitet në forma shumë të rrezikshme dhe shqetësuese”.

Toni i tij u bë përçmues kur theksoi distancën midis dy kategorive që ai vetë i krijoi. Ai shprehu respekt për “flamingot” (“Më mësuan shumë.”) Për të tjerët, ai foli shumë ndryshe: “Sa për sorrat, ndiej vetëm neveri dhe neveri. Ato ulërijnë, mallkojnë, këndojnë fjalë vulgare në unison dhe besojnë se mund ta ndryshojnë botën . Ata nuk ndryshojnë asgjë dhe nuk do të kenë asnjë shans këtu në Shqipëri.”

Kryeministri përsëriti sulmin e tij ndaj “ekstremizmit të krahut të djathtë dhe të krahut të majtë” të përbërë nga “sharlatanë, iluzionistë, injorantë dhe dështime të mbushura me tërbim”; nga ana tjetër, axhendën e tij ekonomike – “Paketa e Malit”, investime të mëdha dhe një rritje të PBB-së nga 27 në 35 miliardë euro deri në vitin 2030. “Kjo është historia e së ardhmes”, përsëriti ai. Ai gjithashtu i kritikoi ata që vënë në dyshim praninë e të huajve dhe kapitalit të huaj: ata që bëjnë thirrje për “një Shqipëri vetëm për shqiptarët” do të përfaqësonin “gjënë më të keqe që mund t’i ndodhte këtij vendi ” .

Kjo nuk është hera e parë që Rama sulmon lëvizjen e flamingove. Që nga javët e para, kryeministri është alternuar midis talljes dhe teorive konspirative: ai i hodhi poshtë protestat si një “revolucion imagjinar të flamingove”, evokoi një “luftë hibride” të pilotuar nga jashtë – duke përfshirë Iranin dhe Greqinë në këtë situatë – dhe, në një intervistë me Financial Times , u tha protestuesve “Fuck You”. bw

“Pas gjithë kësaj proteste duhet të shkojmë në zgjedhje”- Lubonja: Kërkesat janë të panegociueshme! Jam pro Kuvendit, por jo për të luftuar njëri-tjetrin! Të përfaqësohen të gjithë

Analisti Fatos Lubonja u shpreh sot në një lidhje direkte me televizionin News24 se pas protestës dhe rezistencës qytetare prej 52 ditësh, duhet të shkohej në zgjedhje të reja dhe largim të qeverisë së Edi Ramës.

Ai u shpreh se kërkesat e protestuesve janë të panegociueshme. Lubonja u shpreh edhe pro mbajtjes së një Kuvendi të protestës, por jo për të luftuar njëri-tjetrin siç ndodhi në vitin 1945 me Partinë Komuniste, por për t’i përfaqësuar të gjitha grupimet aty brenda.

“Kërkesat e protestuesve janë të panegociueshme. Është edhe psikologjia që dikush të dalë në krye, të marrë drejtimin e dikujt që nesër t’i japë pushtetin. Po të bësh një krahasim si me Partinë Komuniste gjatë luftës, që u bë Konferenca e Pezës në emër të bashkimit dhe më pas në emër të luftës në pushtet. Unë shikoj një problem që duhet zgjidhur dhe që ka të bëjë me demokracinë, se nuk jemi këtu për të vendosur diktaturën e proletariatit. Duhet të shkojmë në zgjedhje, duhet të shprehemi me votën e gjithkujt. Nga grupimet masive lind edhe gara për drejtim të pushtetit. Pas gjithë kësaj proteste duhet të shkojmë në zgjedhje”, tha analisti.

Lubonja shpjegoi edhe procesin e finalizimit të protestës me forume apo një Kuvend, por për përfaqësim të të gjithë grupimeve.

“Pra shkon deri tek ajo si me zhvillimin e Kuvendit. Nuk do isha kundër zhvillimit të një Kuvendi, në protestë ka ideologji të ndryshme. Të bëhet Kuvendi por jo për të luftuar njëri-tjetrin. Protesta ka tipologji të ndryshme, ka mendime të ndryshme, ka të pakënaqur, ka probleme me pronat, ka grupime të ndryshme që kanë vizione të ndryshme, e që duhet të përfaqësoheshin të gjithë aty. E kur krijohet një grup që kërkon të dominojë, si me Partinë Komuniste, vjen ideja e përjashtimit dhe unë jam kundër kësaj. Ka shumë diskurs brenda për përjashtim të të tjerëve dhe unë jam kundër kësaj, ka shumë grupime. Kuvendi është pjesë e luftës e atyre që kanë dalë si përfaqësues të protestës, ca që kanë mikrofonin e drejtojnë, ca të tjerë që thonë kanë uzurpuar mikrofonin e kështu me radhë. Duhet të zgjidhet një përfaqësi që t’i përfaqësojë të gjithë”, vijoi ai.

Lubonja bëri edhe një analogji historike me Revolucionin në Francë, duke deklaruar se qëllimi i protestës duhet të jetë “prerja e kokës” së Ramës, pra largimi i tij nga qeveria.

“Prerja e kokës së mbretit si në Francë, për analogji, këtu është heqja e Ramës. Pra bëhet një betejë se kush del më i fortë aty dhe pastaj ai që del shkel mbi tjetrin, ndaj duhet të jenë të bashkuar në grup. Projekti që ka Rama dëmton Shqipërinë”, tha ai.

‘Kryengritja e Lekut’, ky sukses sureal i qeverisë që nuk mundi të ulë çmimet- Nga Irena Beqiraj

 

Tre ekonomistë djem të talentuar, Azmi Stringa, Idlir Gjata dhe Alban Korbi kanë bërë një studim shkencor mbi rritjen e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri dhe kane arritur disa konkluzione të rrezikshme, të cilat e bëjnë studimin e tyre të denjë që sipas kutit të qeverisë të klasifikohet tek fletë-rrufetë.

Në vitin 2024, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri arritët në 100% të mesatares së BE-së, nga 68% që ishin në vitin 2012. Kjo rritje ka ndodhur paradoksalisht edhe pse monedha vendase leku është vlerësuar me 30% .

Kjo ka qenë rritja më e madhe e çmimeve të ushqimeve e regjistruar në Ballkan gjatë kësaj periudhe, pavarësisht se vendi ka regjistruar norma të ngjashme rritjeje ekonomike me mesataren rajonale.

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sot në nivele më të larta se në vende të tilla si Holanda dhe Spanja, të cilat kanë një PBB për frymë dhe mirëqenie familjare dukshëm më të lartë se Shqipëria . Pra familjet shqiptare, të cilat harxhojnë 40% të të ardhurave të tyre për ushqim, përballen me nivele çmimesh të krahasueshme me ato të familjeve shumë më të pasura të BE-së.

Studimi përveçse ofron një analizë krahasuese të bazuar tek inflacioni i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri nga viti 2013 deri në vitin 2024, duke krahasuar trendet e lëvizjeve të tij me normat e inflacionit të ushqimeve në Bashkimin Evropian (BE), partnerët kryesorë tregtarë , dhe me vendet e rajonit . Ai po ashtu vlerëson rolin e forcimit të lekut në përcaktimin e çmimeve vendase.

Rezultatet që dalin nga modelet shkencore ekonometrike ( jo nga aritmetika me gishta e qeverisë ) bazuar në të dhënat e harmonizuara të çmimeve të konsumit dhe modele regresioni të rregulluara nga kursi i këmbimit, zbulojnë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur MË HERËT, MË SHPEJT, EDHE NË MËNYRË MË FREKUENTE se në vendet e rajonit edhe pse leku është vlerësuar me 30% gjatë dekadës.

Ndërsa lëvizjet e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri duket se ecin në të njëjtin drejtim me trendet e BE-së, nëse merret parasysh efekti I kursit të këmbimit korrelacioni i ndryshimit të çmimeve të ushqimeve në Shqipëri përkatësisht me ndryshimin e çmimeve në BE dhe në rajon bie ndjeshëm, gjë që tregon se PËRFITIMIT NGA FORCIMI I LEKUT NUK KA KALUAR TEK KONSUMATORËT.

Ndaj sot në tavolinën e punëtorit edhe të pensionistit ka më pak!

Këto gjetje ofrojnë prova të forta empirike se rezultatet e inflacionit në Shqipëri nuk janë thjesht të importuara, por çmimet rriten brenda vendit për shkak të problemeve strukturore ekonomike, konkurrencës së dobët të tregut, çmimeve jotransparente dhe mbikëqyrjes së kufizuar rregullatore.

Karshi këtyre konkluzioneve qeveria ka dy rrugë:

-ose të kërkojë me këmbënguljen që karakterizon se përse këto djemtë janë kaq të mllefosur me lavdinë e saj

-ose të na tregojë se kush përfitoi nga ‘kryengritja e lekut’ meqë konsumatorët nuk ka përfituar përkundrazi në 2025 çmimet e ushqimeve tejkaluan me 3.8 % e mesataren europiane.

Njerëzit nuk ndryshojnë shumë në aftësinë për ta dalluar të keqen, ata ndryshojnë shumë në aftësinë që kanë për ta justifikuar atë.

“Në polici u shoqëruan persona të tjerë nga ata që denoncova”- Gazetari Osman Stafa rrëfen kërcënimin: Po bëhet masakër mjedisore në lumin Shkumbin, s’kam frikë ta ndjek

Gazetari Osman Stafa rrëfeu sot ngjarjen e kërcënimit nga dy persona në rrugën Elbasan-Librazhd, teksa investigonte krimin mjedisor të gërryerjes së lumit Shkumbin për inerte fundjavën e kaluar.

Ai tha se ndodhej për shkak të detyrës në zonën e Hotolishtit dhe duke u kthyer pa se po gërmohej në rrjedhën e lumit Shkumbin, duke nisur të filmonte, pasi po bëhej krim mjedisor.

Në këto momente e ka ndjekur një makinë e zezë me dy persona brenda, që më pas e kërcënuan. Stafa tha se bëri denoncim në Polici, por në Komisariat u shoqëruan persona të tjerë, të ndryshëm nga ata që e kërcënuan. Policia ka deklaruar se këta persona kishte gjetur në makinën e denoncuar, që i përkiste një kompanie private.

“Do t’i ndjek krimet mjedisore, nuk kam frikë. Lumi Shkumbin po pëson masakrën më të rëndë mjedisore. Pse duhet të preket lumi Shkumbin, nuk ishte prekur deri tani. Kjo bëhet për të os harxhuar para, kanë gjetur rrugën më të thjeshtë, është masakër e madhe mjedisore. Do e pësojnë banorët e dy anëve të lumit Shkumbin, ata e dinë. Shkova nga Tirana në Hotolisht se mora mesazhe se atje kanë ulur malin, e kanë bërë fushë. Nga aty për në Elbasan, ku pashë gjurmën ku kalonte rruga, për të parë se çfarë bëhet aty. këta çfarë marrin e derdhin po në Shkumbin. Në rrugën Librazhd-Elbasan pashë një eskavator që merrte inerte në mes të lumit Shkumbin dhe në mes të ditës. Unë doja të kisha të filmuar aktin e marrjes së inerteve nga eskavatori në kamion. Erdhi ky për telefonin tim që filmova dhe e çova në polici”, rrëfeu gazetari.

Dhe më tej ai është kërcënuar de ndjekur, duke iu rrezikuar edhe jeta.

“Sapo dola nga rruga pashë një makinë fuoristradë e zezë të afrohej pas meje. Makina më kishte parakaluar në fillim, 200 metra më tej me fushëpamje që të ndiqte veprimet e mia. Në momentin që kaluan ata më panë kush isha, panë makinën dhe logon. Ata nuk patën qëllim parakalimin, por të kalonin direkt para makinës time dhe për të kërcënuar. Kaloi duke ma bërë me drita. Ndalova dhe unë se ndryshe do përplaseshim. Nuk dola nga makina, pashë dy persona te makina tjetër. Më pas kam vijuar rrugën dhe më kanë ndjekur për 1 kilometër dhe derisa i humba”, vijoi ai.

Stafa tha se si njeri që besonte institucionet, iu drejtua Policisë me denoncim, duke dorëzuar edhe filmimet. Por mesa duket autorët u larguan dhe në Komisariat u dërguan nën presion apo detyrim persona të tjerë që nuk kishin lidhje me ngjarjen.

“Unë jam njeri që besoj te institucionet dhe kam vijuar rrugën për kallëzimin penal në Policinë e Elbasanit. Aty mësova kujt i përkiste makina, kompanisë “4AM”, më pas mësova se policia mori dy persona por unë pashë se nuk ishte personi i bëshëm që erdhi aty te unë, ishin të tjerë. Ata që ishin aty ishin të traumatizuar, ishin të zverdhur, nuk e bënin kurrë ata, nuk ishin ata. Policia thotë këta persona kemi gjetur në makinë, duhet të hetojë Prokuroria tani. Fakti është se nuk ishin ata persona që ndodheshin në makinë kur më kërcënuan. Unë do i ndjek, nuk kam frikë nga asgjë”, tha Stafa.

Në fund gazetari deklaroi se nuk do e braktiste këtë çështje dhe do ta ndiqte deri në fund, pasi nuk trembej nga askush.

“Shikoni çfarë bëhet aty në pamje, në mes të ditës, mbushen kamionët me inerte në Shkumbin, aty nuk mbajnë të dyja anët e rrugës, është e ndaluar të merret. Unë do i ndjek krimet mjedisore, nuk e lë”, tha ai. gsh

Albin Kurti: Behlul Jashari është shembull i atdhedashësit dhe gazetarit të karrierës

Behlul Jashari është shembull i atdhedashësit dhe gazetarit të karrierës, i cili për më shumë se gjysmë shekulli me dinjitet, profesionalizëm, guxim dhe përkushtim i shërbeu të vërtetës, të drejtës për informim dhe çështjes kombëtare shqiptare. Jo vetëm dëshmitar e kronist i ngjarjeve më të rëndësishme politike e shoqërore të historisë moderne të Kosovës, ai ishte edhe dokumentues e arkivues i kujdesshëm i tyre.
Përveçse kishte raportuar për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, të cilën në editorialin e publikuar të nesërmen në ballinën e Rilindjes e kishte vlerësuar si “fillim i fundit të pabarazisë e padrejtësive”, me qëllim që ky dokument historik të mos binte në duart e forcave okupatore serbe, Behluli e kishte marrë atë duke e ruajtur dhe u kujdesur për të. Pas luftës, origjinalin e Deklaratës e kishte dorëzuar në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku ruhet edhe sot.
Kur në gusht të vitit 1990 regjimi serb me masa të dhunshme mbylli gazetën Rilindja, ai nuk pranoi terrin informativ dhe në fillim të vitit 1991, si kryeredaktor i parë themelues, nisi botimin e të përditshmes së rezistencës Bujku. Në vitin 1992, Behluli vendosi kontakte dhe u bë korrespondenti i parë në Prishtinë i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), duke shënuar një moment historik në bashkëpunimin mediatik të Kosovës dhe Shqipërisë. Nëpërmjet Tiranës, raportimet e tij, veçmas gjatë viteve të luftës, u bënë lajme në mediat ndërkombëtare. Përkundër arrestimit, përndjekjes e kërcënimeve nga regjimi serb, ai nuk i ndali raportimet, nga greva e minatorëve te lufta çlirimtare.
Në Kosovën e lirë, ai vazhdoi me këmbëngulje angazhimin për ridaljen e gazetës Rilindja, punëtorët e së cilës u dëbuan nga pallati i saj në kohën e administrimit të UNMIK-ut dhe e cila më vonë u mbyll përfundimisht, me gjithë kundërshtimet. Në vitet e fundit të karrierës, Behluli punoi si korrespondent i gazetës Dielli, të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, miqve dhe bashkëpunëtorëve! Nderime jetës dhe veprës së Behlulit.

U nda nga jeta Behlul Jashari – gazetari që e jetoi historinë dhe e shkroi me guxim, profesionalizëm e dinjitet

Me ndarjen nga jeta të Behlul Jasharit, gazetaria shqiptare humbi një nga figurat e saj më të spikatura, ndërsa Kosova humbi një kronikan të pazëvendësueshëm të ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së saj moderne. Për më shumë se pesë dekada, ai nuk ishte vetëm dëshmitar i zhvillimeve politike, shoqërore dhe historike, por edhe një nga zërat më të besueshëm që i dokumentoi ato me profesionalizëm, guxim dhe përkushtim të rrallë.

Rrugëtimi i tij gazetaresk nisi në vitin 1973 në gazetën legjendare “Rilindja”, institucionin më të rëndësishëm të shtypit shqiptar në Kosovë. Gjatë viteve ai kaloi nëpër të gjitha shkallët e profesionit – reporter, komentator, redaktor dhe kryeredaktor – duke u bërë një nga personalitetet që i dha identitet gazetarisë profesionale shqiptare. Kur regjimi serb mbylli me dhunë “Rilindjen”, Behlul Jashari nuk u dorëzua. Ai u bë kryeredaktori i parë dhe themelues i gazetës “Bujku”, e cila u shndërrua në simbol të rezistencës mediale dhe të mbijetesës së fjalës së lirë në vitet më të errëta të okupimit.

Kontributi i tij nuk kufizohej vetëm brenda Kosovës. Që nga viti 1992 ai ishte korrespondenti i parë nga Kosova i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), duke krijuar një urë të rëndësishme informimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në një kohë kur e vërteta për vendin kërkonte zëra të besueshëm. Gjatë luftës ai raportoi nga terreni, nga kufiri me Maqedoninë si refugjat dhe më pas u bë gazetari që hyri në Kosovën e çliruar bashkë me kolonat e para të NATO-s më 12 qershor 1999, duke përcjellë për opinionin shqiptar dhe ndërkombëtar çastet historike të rikthimit të lirisë.

Behlul Jashari ishte ndër gazetarët e rrallë që nuk e shihte profesionin si një vend pune, por si një mision kombëtar. Në kohën e censurës, presioneve dhe terrorit shtetëror ai mbeti i palëkundur në mbrojtje të së vërtetës, duke e bërë gazetarinë një akt përgjegjësie qytetare dhe patriotike. Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm ai u nderua me Çmimin “Karriera”, vlerësimin më të lartë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, si dëshmi e një jete të tërë të përkushtuar ndaj fjalës së lirë dhe etikës profesionale.

 

Përveç punës në media, ai ishte autor i mijëra raportimeve, analizave dhe komenteve që sot përbëjnë një arkiv të çmuar të historisë së Kosovës. Shkrimet e tij nuk ishin vetëm lajme të ditës; ato janë dokumente që dëshmojnë rrugëtimin e Kosovës nga okupimi drejt lirisë dhe pavarësisë.

Sot, me largimin e Behlul Jasharit, mbyllet një kapitull i rëndësishëm i gazetarisë shqiptare. Por trashëgimia e tij mbetet e gjallë në faqet e gazetave, në arkivat e mediave dhe në kujtesën e brezave të gazetarëve që e panë si model të profesionalizmit, integritetit dhe guximit qytetar.

Behlul Jashari iku nga kjo botë, por la pas një vepër që nuk shuhet. Ai do të kujtohet si gazetari që nuk raportoi vetëm historinë e Kosovës, por e jetoi atë në vijën e parë, duke e kthyer profesionin në mision dhe misionin në një trashëgimi të përhershme për gazetarinë shqiptare./rajonipress/

BIRN: Kush përfiton nga ‘investitori strategjik’?

Kërkesa “Shqipëria nuk shitet” keqinterpretohet kur paraqitet si refuzim i çdo investimi. Interpretimi i saj i saktë është procedural: çdo tjetërsim i së përbashkëtës duhet bërë në dritë të diellit – me çmim të përcaktuar nga konkurrenca, me leje të botuara, dhe me përfitues të identifikueshëm.

Një kompani që ka marrë një copë të bregdetit të Adriatikut e ka adresën zyrtare në katin e 12-të të European Trade Centre në Tiranë, ku, sipas një hetimi të BIRN-it, “nuk kishte as tabelë emri, dhe punonjësit e ndërtesës thanë se nuk njihnin asnjë kompani me atë emër”. Një pasuri që u përket të gjithëve mban emrin e një kompanie që nuk gjendet dot as në adresën e vet – sepse pronësia e saj është ndërtuar si një varg kutish, njëra brenda tjetrës dhe kutia e fundit është bosh. Te ky boshllëk nis problemi.

Përpjekjet për ta ngushtuar debatin publik për Zvërnecin në një përballje midis mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit ekonomik, në rastin më të mirë nuk ndihmojnë. Në atë të keqin janë mashtruese. Pyetja e vërtetë është ekonomike dhe shumë e thjeshtë: kur shteti transferon te pak privatë një pasuri që u përket të gjithëve, a e merr publiku vlerën e vërtetë në këmbim – dhe a mund ta verifikojë këtë? Në rastin e projekteve në Sazan dhe Zvërnec, të tria hallkat që do të lejonin një përgjigje – çmimi, procedura dhe identiteti i përfituesit – mbeten të errëta. Kjo, jo flamingot, është arsyeja pse çështja ka rëndësi për çdo taksapagues.

Anatomia e statusit “strategjik”

Ligji mbi investimet strategjike krijon një kategori investitorësh me trajtim të privilegjuar. Sipas një analize të Citizens.al, ky status “krijoi një sistem privilegjesh që u dha kompanive private akses të veçantë në tokë publike, bregdet, plazhe, zona turistike, ishuj dhe pasuri me interes publik”, përfshirë “qira simbolike” dhe “procedura të negociuara drejtpërdrejt me shtetin”. Për projektin në fjalë, sipas revistës Forbes, qeveria shqiptare i dha miratimin paraprak planit të Sazanit në dhjetor 2024, duke i akorduar statusin e investitorit strategjik që lejon miratime më të shpejta. Sipas kushteve të marrëveshjes së nënshkruar në 2024, kompania nuk do të taksohet për 10 vjet gjatë ndërtimit.

Nga ana ekonomike, ky është një subvencion. Ai mund të jetë i justifikuar nëse projekti prodhon më shumë vlerë publike sesa heq. Por për ta gjykuar këtë, qytetari duhet t’i shohë kushtet – dhe këtu problemi bëhet i prekshëm.

Fitimet private, kostot publike

Struktura e marrëveshjes ndan përfitimet nga kostot në mënyrë sistematike. Investitori merr; qytetari paguan. Investitori merr një aset bregdetar të pazëvendësueshëm, leje të shpejta dhe një çlirim tatimor dhjetëvjeçar gjatë ndërtimit. Qytetari mbart kostot që rrallë shfaqen në një faturë. Ja disa prej tyre:

– Humbje kapitali natyror. Sipas Wetlands International, zona është “shtëpi e më shumë se 200 llojeve të shpendëve shtegtarë – përfshirë flamingot, fokat mesdhetare dhe breshkat e detit që bëjnë fole”, që Shqipëria është zotuar ta mbrojë sipas një numri konventash e marrëveshjesh. Mbrojtja u dobësua në dy hapa: sipas një hetimi të BIRN-it, në 2021 qeveria “uli statusin e mbrojtjes së ekosistemit Pishë Poro-Nartë, e reduktoi atë me mbi 5 mijë hektarë”; pastaj në 2024, siç raportojnë EuroNatur dhe reporter.al, amendamentet e Ligjit për Zonat e Mbrojtura “dobësuan masa të rëndësishme mbrojtëse” dhe “hapën rrugë ndërtimeve me pesë yje”. Kjo humbje nuk kthehet me para;

– Të ardhura tatimore të munguara gjatë dhjetë viteve të ndërtimit – një transferim i drejtpërdrejtë nga arka publike te bilanci privat;

– Të ardhura të munguara nga qiraja, kur toka publike jepet me “qira simbolike”;

– Kosto oportune e tokës publike të dhënë me “procedura të negociuara drejtpërdrejt” e jo me garë konkurruese – pa një procedurë të hapur, qeveria nuk mund të provojë se mori çmimin e tregut.

Le ta pranojmë me bujari premtimin e qeverisë. Projektet paraqiten si investime shumë-miliardëshe dhe si motor zhvillimi për një zonë të vendit që e ka atë të nevojshëm. Edhe sikur ajo shifër të realizohej e plotë, ajo duhet peshuar kundër faturës: dhjetë vjet pa taksa, tokë publike me qira simbolike, mbi 5,000 hektarë mbrojtje të hequr që në 2021, dhe një kosto strategjike që sapo është shfaqur – siç raporton revista Newsweek, më 17 qershor 2026 Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon shfuqizimin e amendamenteve, ndërsa përputhja mjedisore dhe shteti i së drejtës janë kushte thelbësore të anëtarësimit në BE. Një investim krijon vlerë neto vetëm nëse përfitimi tejkalon këtë faturë – dhe askush nuk e ka bërë këtë llogari publikisht.

Mjegulla rreth pronësisë: guacka dhe trust-i

Elementi që e shndërron një marrëveshje të diskutueshme në një problem qeverisjeje është fshehja e përfituesit. Shpjegimi i dy koncepteve teknike e bën fare të qartë. Një kompani-guackë është një subjekt që ekziston vetëm në letër, pa aktivitet real, dhe shërben për të mbajtur një aset ose një kontratë. Një trust holandez është një shërbim që figuron si pronar zyrtar në vend të personit të vërtetë, duke bërë që emri i përfituesit të mos shfaqet në regjistrat publikë.

Sipas hetimit të BIRN-it, kompania shqiptare “Zvërnec South Adriatic Development” u krijua në gusht 2024 dhe “zotërohet nga një zinxhir kompanish guackë nën menaxhimin e trustit holandez Dutch Trust Management B.V.” Një prej subjekteve në atë strukturë, “Blue Industries Investment Holding B.V.”, “zotërohet nga pesë individë anonimë nga Shqipëria, emrat e të cilëve mbrohen ligjërisht pasi asnjëri nuk zotëron më shumë se 25% të aksioneve”. Nuk është rastësi që adresa e saj zyrtare është një kat pa tabelë emri: kompania është ndërtuar që të mos gjendet.

Sipas BIRN-it, kjo strukturë siguroi dy leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i kryesuar nga Kryeministri, në janar dhe prill 2025 – leje që “nuk janë zbardhur ende”, ndërsa “kompania që ka përfituar lejet në KKT ka pronësi të panjohur”. Struktura funksionon si kukullat matrioshka: çdo kukull ka një tjetër kukull brenda, derisa arrihet një juridiksion ku ligji e lejon që emri i fundit të mbetet i padukshëm. Kur një aset publik i kalon një subjekti pronarët e fundit të të cilit janë të fshehur, qytetari nuk mund as të identifikojë kë po pasuron, as të verifikojë nëse ka konflikt interesi. Për këtë arsye, më 1 qershor 2026, SPAK-u “ka konfirmuar zyrtarisht se ka nisur hetime”. Hetimi është në proces dhe asnjë përgjegjësi nuk është vërtetuar në gjykatë; por vetë nevoja për të hetuar tregon se transparenca minimale mungon.

Vetëm 2 nga 44

Nëse ligji i investimeve strategjike do ti kishte shërbyer qëllimit të shpallur – tërheqjes se kapitalit të huaj – do të prisnim një shumicë projektesh me investitorë të huaj. Ka ndodhur e kundërta: sipas Citizens.al, “deri në vitin 2023 vetëm 2 nga 44 projektet e miratuara rezultonin investime tërësisht të huaja”. Ky raport sugjeron se instrumenti funksionon kryesisht si kanal për t’u dhënë pasuri publike interesave të lidhur brenda vendit – ajo që literatura ekonomike e quan rent-seeking: përfitim i nxjerrë jo nga krijimi i produkteve a shërbimeve me vlerë, por nga aksesi i privilegjuar te vendimet shtetërore. Rasti i Zvërnecit është forma më e skajshme e së njëjtës logjikë.

Kërkesa “Shqipëria nuk shitet” keqinterpretohet kur paraqitet si refuzim i çdo investimi. Interpretimi i saj i saktë është procedural: çdo tjetërsim i së përbashkëtës duhet bërë në dritë të diellit – me çmim të përcaktuar nga konkurrenca, me leje të botuara, dhe me përfitues të identifikueshëm. Këto nuk janë kërkesa të tepruara. Janë kushte minimale që i lejojnë shqiptarët të gjykojnë nëse qeveria po vepron si administruese e pasurisë së tyre apo si ndërmjetëse e saj. Një bregdet që u përket të gjithëve nuk mund t’i kalojë një adrese ku askush nuk njeh asnjë kompani. Derisa çmimi, procedura dhe identiteti i përfituesit të bëhen publikë, supozimi i arsyeshëm nuk është keqbesimi por dyshimi i informuar. Dhe dyshimi i informuar, i shprehur paqësisht, është përkufizimi mirëfilltë i qytetarisë. Këtë shqiptarët po e tregojnë në shesh.

Evarist Stoja është Profesor i Financës pranë Universiteti të Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar./reporter.al

“Qeveria jonë është e korruptuar” – Al Jazeera: Protestat në Tiranë vijojnë prej 7 javësh, qytetarët hodhën vezë drejt makinave të deputetëve para Kuvendit

Al Jazeera ka shkruar sërish për protestat që po zhvillohen në Shqipëri kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se prej 7 javësh qytetarët shqiptarë po protestojnë për korrupsionin dhe keqqeverisjen.

Media përmend edhe protestën para Kuvendit, të zhvilluar ditën e djeshme, duke theksuar se protestuesit hodhën vezë ndaj ligjvënësve që hynin brenda institucionit për seancën plenare.

“Protestuesit shqiptarë kanë qëlluar përsëri me vezë ligjvënësit, ndërsa demonstratat anti-qeveritare kundër korrupsionit dhe resortit vazhdojnë për javën e shtatë.”, thekson media.

Al Jazeera citon edhe disa demonstrues, njëri prej të cilëve thekson se qeveria  e Ramës duhet rrëzuar për shkak se është e korruptuar.

“Toka jonë është shitur. Nuk kemi ilaçe në spitale. Qeveria jonë është e korruptuar. Shqipëria ka vuajtur për vite me radhë. Ne jemi këtu për njerëzit, për vendin. Na duhet një qeveri e re. Duhet ta rrëzojmë këtë qeveri.”, theksoi protestuesi.

Një protestuese tjetër përmend edhe kërkesat që ata kanë, nga dorëheqja e kryeministrit dhe anulimin e disa ligjeve.

“Populli shqiptar nuk gënjehet më. Po e shesin Shqipërinë. Atdheu është në rrezik dhe ne jemi çuar.”, tha ajo. Panorama


Send this to a friend