Kandidatja për presidente e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, më 10 maj u paraqit për herë të parë në një tubim pas marrjes së bekimit të Këshillit të Përgjithshëm për të qenë bartëse e listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit 2026.
Megjithatë, në “Tubimin e bashkimit” – siç u quajt ky tubim- nuk u panë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala e Janina Ymeri, deputetë të legjislaturës së dhjetë nga radhët e LDK-së.
Por, në tubim u panë figura tjera të LDK-së dhe kandidatë për deputetë që janë pjesë e grupit prej 20 personave që Osmani i ka përzgjedhur të jenë pjesë e listës së LDK-së.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në këtë takim ka thënë se në politikë mund të ndahesh por “kur duhet shtëpia politike, atëherë gjendet rruga për t’u bërë bashkë përsëri”.
“Sonte, pas shumë vitesh largimesh, zhgënjimesh e keqkuptimesh, po japim një mesazh të madh për Republikën. Ky mesazh na thotë se njerëzit e këtij vendi dinë të bashkohen kur Kosova ka nevojë. Dinë të kapërcejnë veten, e dinë të krijojnë momentume që definojnë kohë!”- deklaroi ai.
“Po kthehem në shtëpinë time”- ishin fjalët e presidentes së gjashtë, Vjosa Osmani, para mbështetësve të LDK-së.
Osmani ka falënderuar LDK-në për “kthimin e një besimi”- siç tha ajo. Ajo tha se njerëzit aty guxuan të bashkohen, jo për veten por për Republikën.
“Për ata që e kuptojnë rëndësinë e të vërtetës, jo të atyre që struken e zhyten në labirinthet e hijeve të errëta për të na humbur edhe shpresën.”- ka thënë Osmani në këtë tubim.
Pasi nuk arriti të rizgjidhet presidente e Kosovës, Vjosa Osmani negocioi me Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe iu rikthye listës zgjedhore të kësaj partie.
Osmani për herë të fundit ishte pjesë e listës së LDK-së në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2019 kur edhe ishte kandidate për kryeministre.
Pas atyre zgjedhjeve, në të cilat LDK doli e dyta, u krijua koalicioni qeveritar LVV-LDK e Qeveria Kurti 1 e asaj kohe – në vitin 2020 – u rrëzua pikërisht nga LDK-ja.
Osmani në atë kohë doli kundër partisë së saj për rrëzimin e qeverisë së Kurtit dhe nuk e votoi më pas qeverinë Hoti të LDK-së.
Kur refuzoi të mbështeste një kabinet të drejtuar nga LDK në qershor 2020, ajo u shkarkua nga të gjitha pozicionet e saj në parti.
Më pas ajo krijoi subjektin e saj politik, Guxo, i cili kandidoi me Lëvizjen Vetëvendosjen në zgjedhjet e shkurtit 2021. Një muaj më vonë, me LVV-në në pushtet, Osmani u zgjodh presidente. Por LVV nuk ia dha një mundësi të dytë për ta vazhduar edhe për një mandat pozitën e presidentes.
Thyerja me liderin e LVV-së, Albin Kurti, u pa nga LDK si mundësi për kthimin e saj në parti, ndonëse disa zyrtarë të lartë të kësaj partie – dikush publikisht e dikush në heshtje – nuk e kanë mirëpritur një gjë të tillë.
Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami munguan edhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, kur u vendos për kthimin e Vjosa Osmanit në parti.
Në garën zgjedhore, LDK do ta ketë si kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhikun. kallxo.com