Opozita e vogël përballë Qeverisë së Madhe. Në Kosovë, prej 19 nëntorit të vitit 2014, situata është pikërisht e tillë: Opozita (VV-AAK-Nisma) nuk ka as një të tretën e vendeve në parlament, Qeveria (PDK-LDK+Minoritetet) ka mbi dy të tretat e vendeve në parlament.
Kundërvënia është Pakicë-Shumicë. Për të shmangur kuptimet nënvlerësuese, shpërfillëse, zvogëluese, nuk përdoret termi Pakicë, por përdoret termi Opozitë. Me Opozitë kuptohet kundërshtarja e Shumicës në pushtet. Pra, normalisht kundërvënia është Opozitë-Shumicë. Për arsye thjeshtësimi të komunikimit me publikun në media përdoret kundërvënia kuptimore Opozitë-Pozitë ose Opozitë-Pushtet.
E vetmja përparësi që një rend demokratik ia jep Shumicës është qëndrimi i saj në pushtet për një ose më shumë mandate.
Përparësitë e Opozitës janë disa.
Opozita nënkupton Demokraci. Qeveri ka edhe në diktaturë, edhe në demokraci. Opozitë ka vetëm atje ku mëtohet të ketë rend demokratik.
Përparësia tjetër: Opozita është alternativa e vetme e Qeverisë, pra Opozita është, herët a vonë, e ardhmja e pushtetit të një vendi.
Së treti: Koha punon për Opozitën, nuk punon për Qeverinë.
Së katëri: Opozita mund ta rrëzojë Qeverinë, madje e ka detyrë dhe mision rrëzimin e Qeverisë.
Qeveria nuk mund ta rrëzojë Opozitën. Ajo mund ta shmangë, ta shpërfillë, ta shtypë e tjerë Opozitën, mund ta vonojë, ta zvarritë articialisht apo dhunshëm ardhjen e saj në pushtet, por nuk mund ta rrëzojë atë.
E dalë nga 19 nëntori, nga një marrëveshje që ishte e mbajtur e fshehtë prej aq muajsh, qeveria PDK-LDK+Minoritetet lindte e rrëzuar. Ajo nuk dilte nga 8 qershori, nuk lindte drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve të Kosovës. Këtë e ka të qartë çdokush në Kosovë nga 7 deri në 77 vjeç. 19 nëntori ishte puç ndaj 8 qershorit. Edhe këtë e ka të qartë çdokush në Kosovë nga 7 deri në 77 vjeç.
Që në lindje, Qeveria e 19 nëntorit është një Goliath i cili nuk rri në tapetin e ringut me këmbët e veta.
Ky Goliath, Koalicioni i të Mëdhenjve që kryeson qeverinë aktuale të Kosovës e ka konisderuar dhe vazhdon ta konsiderojë veten të mjaftueshëm, madje më se të mjaftueshëm për politikën e Kosovës dhe për jetën e Kosovës në përgjigjësi. Opozitën e vogël, opozitën e të vegjëlve e ka konsideruar dhe e konsideron gjithnjë të tepërt, madje më se të tepërt, si diçka që nuk ta mbush syrin. Nga njëra anë, ajo e ka stërmbivlerësuar veten, e ka stërmbiçmuar duke e shëmbëllyer me koalicionin gjerman të të mëdhenjve CDU-SPD. Nga ana tjetër, e ka stërnënvlerësuar, e ka stërnënçmuar dhe e ka stërpërçmuar opozitën. E ka injoruar, shpërfillur, mënjanuar, përjashtuar dhe demonizur pa kurrfarë skrupulli opozitën. Dhe, ndonëse çështjet për t’u hetuar nga Kuvendi kanë qenë të panumërta në këta 15 muaj, asnjë komision hetimor nuk është lejuar të krijohet, ndonëse çështjet për llogaridhënie nga ana e qeverisë kanë qenë të panumërta, asnjë interpelancë nuk është lejuar të mbahet.
Kuvendi (parlamenti) është i vetmi institucion ku opozita ka zërin e saj. I vetmi institucion nëpërmjet të cilit opozita e detyron qeverinë për ta bërë transparente qeverisjen e saj është Kuvendi (parlamenti).
Kosova e paszyrtarizimit të pavarësisë ndodhet në një periudhë kur transparenca është më shumë se jetike. Kjo bëhet më e domosdoshme dhe më kategorike pas fillimit të dialogut me Serbinë. Kosova ka hyrë në fazën e saj më vendimtare të shtetndërtimit, në fazën e përcaktimit të kufijve tokësore, ku përkufizohen gjithashtu marrëdhëniet me fqinjtët, në radhë të parë me Serbinë, vendin i cili kërkon, që nëpërmje këtyre përkufizimeve të ruajë pushtimin në Kosovë. Kufijtë tokësorë të një shteti janë edhe kufijtë e ndërsjelltësisë në marrëdhëniet ndërfqinjësore, janë urat ose janë hendeqet, greminat në këto marrëdhënie.
Qeveria e Kosovës i ka arritur dhe i ka nënshkruar marrëveshjet për kufirin me Malin e Zi dhe për ASK-në më 25 dhe 26 gusht, i ka arritur dhe nënshkruar kur Kuvendi ishte me pushime. Kjo është e palejueshme. Qeveria e Kosovës për muaj të tërë i ka mbrojtur marrëveshjet, nuk ka pranuar asnjë argument dhe nuk ka dhënë asnjë argument kundër vërejtjeve të bëra në publik dhe në media nga ana e opozitës dhe nga ana e opinionit. Gjykata Kushtetuese doli në përfundimin se marrëveshja për ASK-në ka 23 shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Fajtorja është Qeveria. Nga ky faj ajo e humb legjitimitetin. Këtë e fiton opozita.
Në këto pak vite në Kosovë ka shumë opozitarizëm. Por a ka opozitë? Opozitarizmi mund të jetën spontan dhe kjo tregon mungesë të opozitës. Opozitarizmi mund të jetë i organizuar, i udhëhequr, atëherë kemi prani të opozitës.
Në Kosovë është e lehtë të bësh opozitarizëm, sa është e vështirë të bësh opozitë.
Është e lehtë të bësh opozitarizëm, sepse Kosova ka traditë të pasur të protestës, ka kulturë të zhvilluar të protestës, nga më të zhvilluarat në Evropë. Në periudhën e Jugosllavisë, Kosova pothuaj çdo gjë e ka arritur nëpërmjet protestave.
Në Kosovë është e vështirë të bësh opozitë, sepse vendi nuk ka traditë të opozitës.
Në këto vjet pas çlirimit, vetëm në vitet 2005-2007, kur në pushtet ishte koalicioni LDK-AAK, vendi ka pasur opozitë. Qeveritë e pasluftës, deri më 2005, ishin të tëra gjithpërfshirëse. Kjo e dëmtoi krijimin e traditës opozitare. Në mënyrë vendimtare këtë traditë e sabotoi LDK-ja, në qeverisjen e saj me PDK-në në vitet 2008-2010, pastaj në vitet e opozitës deri më 2014. Goditjen më të pabesë ajo e dha me marrëveshjen parazgjedhore që bëri me PDK-në në pranverën e atij viti dhe me nënshkrimin e koalicionit më 19 nëntor 2014.
PDK-ja bëri në vitet 2005-2007 opozitën më agresive, më të vrazhdë, më të pakompromis. Në tri vite, veç të tjerash, ajo dërgoi dosje penale të pafundme në UNMIK, OSBE, zyrat perëndimore dhe ndërkombëtare të vendosura në Prishtinë, për të dëshmuar, sipas saj, korrupsionin e qeverisjes LDK-AAK dhe për të kërkuar burgosjen e qeveritarëve, nga i pari tek i fundit.
Këto vite të opozitës thaçiste janë shembulli më i përkryer se si një opozitë e dëshmon, e shfaq dëshirën dhe gatishmërinë deri në shfrenim për të ardhur në pushtet.
PDK-ja krijoi qeverinë në hije, me përbërje, platformë, program të gatshëm për ta vënë në jetë sapo të vinte në pushtet.
Në këtë kuptim, pra, a ka sot Kosova opozitë?
Një vend, siç e pamë, mund të ketë opozitarizëm dhe njëkohësisht të mos ketë opozitë. Ai mund të ketë një a më shumë parti opozitare, por mund të mos ketë opozitë.
Partitë opozitare përbëjnë opozitë kur ato gatishmërinë, dëshirën dhe vendosmërinë për të ardhur në pushtet e mishërojnë në koalicionin e përbashkët me të cilin do të hyjnë në zgjedhje, me platformën e përbashkët, me synimet e përbashkëta dhe me njerëzit e përzgjedhur nga partitë në përbërje të koalicionit për të marrë përsipër qeverisjen e vendit në një a më shumë mandate.
Formacionet politike, sapo kalojnë në opozitë, krijojnë ndaj shumicës një epërsi ekskluzive – ato zbresin tek populli, ato prekin përditë pakënaqësitë, shohin plagët, ndajnë hallet dhe shqetësimet me popullin. Vitet në pushtet, shumicën e largojnë nga populli, i ftohin, i bëjnë jomqësore marrëdhëniet e saj me popullin.
Qeveritë, me dobësitë, mangësitë, paaftësitë, me korrupsionin, padrejtësitë e tyre, ia hapin rrugën alternativës së re që të vijnë në pushtet. Në një masë të caktuar, ato objektivisht ia mundësojnë kësaj alternative ardhjen në pushtet.
Këta vite të Qeverisë Mustafa janë shembulli më i spikatur i një shumice që krijon kapital të përditshëm në favor të alternativës kundërshtare.
Ashtu si qeveritë ia shkurtojnë veten jeten në pushtet, alternativat kundërshtare ia zgjatin vetes jetën në opozitë, nëse me veprimet dhe sjelljet e saj nuk dëshmohet si e kundërta e qeverisjes, nëse me veprimet dhe sjelljet e saj i humb pikë vetes dhe ia jep qeverisjes, nëse me veprimet e saj e tregon veten si korrigjuese të përditshme të qeverisë dhe jo si pasardhëse të saj.
Komentet