Nga Egla Xhemalaj
Në ‘Odeon’, drama ‘Babai’ e autorit francez Florian Zeller, me regji të Erson Zymberit dhe në interpretimin e aktorëve Viktor Zhusti, Egla Ceno, Adriana Tolka, Pjerin Vlashi e Linda Jarani, u bë qendër e një rrëfimi të ndjerë mbi humbjen, kujtesën dhe dinjitetin njerëzor.
Biseda e zhvilluar me regjisorin dhe aktorët solli jo vetëm prapaskenat e një krijimi artistik, por edhe reflektimin e thellë mbi njeriun që përpiqet të mbajë gjallë dashurinë në një realitet që tretet bashkë me kujtesën.

Regjisori Erson Zymberi e përshkroi shfaqjen si një udhëtim të brendshëm, ku skenat shpalosen sipas rrëshqitjes së mendjes së sëmurë të protagonistit. Sipas tij, mënyra e ndërtimit të skenave ndjek logjikën e humbjes së kujtesës, duke krijuar një realitet të copëzuar e të turbullt që pasqyron shpirtin e njeriut në rënie. ‘Babai’, tha Zymberi, është një dramë që flet për fatin e njeriut, për kërkimin e dashurisë në kufijtë e harresës dhe për përpjekjen për të mbetur i gjallë në kujtesën e të tjerëve.
Për Viktor Zhustin, roli i André-it është një përballje me një plagë universale. Aktori e sheh shfaqjen si një thirrje për ndërgjegje, që shkon përtej fenomenit të sëmundjes dhe trajton marrëdhënien mes brezave, mes prindit që dobësohet dhe fëmijës që rritet në faj e dashuri. Ai e cilësoi ‘Babain’ si një shok emocional për publikun, një vepër që në heshtjen e fundit kërkon kuptimin më të thellë të lidhjeve njerëzore.

Egla Ceno solli në qendër ndjesinë e brendshme të vajzës që endet mes dashurisë dhe barrës së kujdesit. Ajo e përshkroi personazhin e saj si një grua që lufton me vetveten, që ndan jetën midis punës, lodhjes dhe përgjegjësisë ndaj të atit. Për të, ‘Babai’ është një pasqyrë e shumë familjeve shqiptare, ku kujdesi ndaj prindërve të moshuar bëhet një dramë e heshtur në përditshmëri. ‘Pa njerëzillëkun nuk kemi ku vemi,’ tha ajo, duke theksuar se publiku është gjithmonë gjykatësi më i drejtë i së vërtetës.
Ndërsa për Adriana Tolkën, që është njëkohësisht përkthyese dhe aktore në shfaqje, ‘Babai’ është një vepër që kërkon përkushtim të plotë emocional. Ajo tregoi se përkthimi i tekstit është bërë me ndjenjë dhe kujdes, për të ruajtur gjuhën e ndjeshme të Zeller-it. Në rolin e saj të dyfishtë, si bijë dhe si infermiere, Tolka ndërtoi dy botë të ndara nga nuancat, duke i dhënë dramës një thellësi shtesë njerëzore.

‘Babai’ mbetet një nga shfaqjet më të ndjeshme dhe më njerëzore të këtij sezoni teatral. Një dramë që s’kërkon të impresionojë, por të prekë, që nuk jep përgjigje, por ngre pyetje mbi kujtesën, kujdesin dhe dashurinë. Një udhëtim i brendshëm që fton publikun të mendojë për ata që kemi pranë dhe për ato ndjenja që, edhe kur gjithçka tjetër shuhet, mbeten të gjalla.