Nuk jam e dashurume me qytetin tim pse ai asht i derdhun përmbi Bunë,
As pse ka për kryekunorë fortes’ Rozafën,
As pse buzët mund t’i futesh n’ Dri me pi ujë
e të përfundosh befas narciz e marrosun.
As pse kambanat dhe minaret këndojnë së bashku në qiell të hapun.
Jam e dashurume me qytetarinë e porosive të babës,
t’palosuna n’ pajë nga duart e nanës.
Asht kjo shtylla kurrizore që m’kujton me ndejt drejt,
edhe kur pesha vet mue m’bjen ndesh.
Janë miqësitë lulemustak, që m’ kujtohen
sa herë kam nevojë për me shkund zemrën nga mërzia
Asht fryma që akoma ndërton njerëzorja e lashtë,
Ajo që i jep jetē rrënojave,
që e ban magjike natyrën,
trasheguem si pasuni e çmueme
mure t’ nalta të qytetit tim.