VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

NJË SHKRIM MALLI VËLLAZËROR NGA MIKU I ARTË YLLI ÇELA, PËR SHEFQET KRYEZIUN DHE MUHARREM KURTIN

By | September 15, 2019

Komentet

Acromax fsheh faktin se ka kliente Partinë Socialiste – Nga Alice Taylor

Acromax Media, e cila është akuzuar se censuron postime kritike ndaj qeverisë në mediat sociale, mohoi se punon për ndonjë parti politike, pavarësisht se më herët ata kishin pranuar të kundërtën në një komunikim me një gazetar të Exit News.

Në një deklaratë zyrtare dërguar Exit News këtë javë, kompania deklaron se “pronari i vetëm [i saj] është zoti Aldor Nini” dhe se “Acromax Media konfirmon se nuk kryen shërbime për parti politike […]”

Ky mohim kategorik është në kontrast të madh me pranimin që kompania ka bërë në muajin gusht 2019 për një gazetar të Exit News.

Në një bisedë në Facebook Messenger mes gazetarit të Exit dhe Ninit, gazetari e pyeti nëse Acromax punon “drejtpërdrejt ose indirekt për Edi Ramën ose Erion Veliajn, dhe a ka kryer ndonjëherë ndonjë punë që përfshinte synimin për të hequr nga internet material, faqe apo profile të njerëzve kritikë ndaj tyre [Ramës dhe Veliajt]?”

Në përgjigje, Nini konfirmoi se Partia Socialiste (PS) ishte klient i tyre.

“E vetmja marrëdhënie biznesi që kemi është me partinë politike PS…”, u përgjigj ai.

Nini më pas renditi punët që kompania bënte për partinë në pushtet. Ato përfshinin bllokimin e përdorimit të paautorizuar të materialeve të partisë të mbrojtura nga të drejtat e autorit, siç janë fotot dhe videot; bashkëpunimin me Facebook-un për të raportuar lajme të rreme për anëtarët e PS-së; dhe përdorimin e sistemeve të automatizuara që kërkojnë dhe sinjalizojnë për lajme të rreme duke përdorur fjalë kyçe.

Kur Exit e pyeti nëse PS i kishte bërë kërkesa specifike Acromax-it për të shënjestruar postime të caktuara, Nini përsëri konfirmoi se ata punonin për PS-në dhe madje ofroi një listë të artikujve të hequr nga interneti.

“Ndoshta do të ishte më mirë t’ju dërgojmë një listë të të gjitha artikujve ndaj të cilëve kemi marra masa në emër të PS-së […],” pohoi Nini.

Në vijim ai i komunikoi Exit News-it se “ekipi” i tij po përgatiste listën e artikujve, dhe e dërgoi atë duke thënë “Kjo është lista e plotë e lidhjeve [artikujve] të raportuara në emër të PS-së nga kompania jonë për shkak të shkeljeve të të drejtave të autorit ose për lajme qartësisht të rreme.”

Megjithëse lista përmbante vetëm katër artikuj, ndërsa akuzat kundër Acromax-it janë për një numër shumë më të madh, komunikimi me gazetarin e Exit News tregon se pavarësisht mohimit të fundit të kompanisë, PS është vërtet një klient i Acromax Medias.

Acromax është akuzuar nga një numër në rritje i gazetarëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile se kompania u heq apo u bllokon foto, video apo faqe në rrjetet sociale pasi ato e njerrin Partinë Socialiste ose drejtues të saj në një drejtë jo fort të mirë. Kompania e ka mohuar këtë, duke thënë se ata veprojnë vetëm kundër lajmeve të rreme dhe shkeljeve të të drejtës së autorit.

Shërbimi Informativ Kombëtar i Shqipërisë duhet ta bëjë publike dosjen e vrasjes së Sadri Ramqajt – Nga Gjokë Palokaj

Shërbimi Informativ Kombëtar i Shqipërisë, i din detajet e nuk i tregon, tash e 19 vjet prej se u mor Sadri Ramqaj nga banesa në Tiranë, më 18.10.1998 dhe qe nga atëherë asht i zhdukur se bashku me 347 000 DM
– Sadri Ramqaj, nga Istogu që jetonte në Zvicër;

Shoqata “Gurrat e Bardha” e mërgimtarëve nga Istogu që jetojnë në Zvicër, që nga viti 1991 e deri në fillim të 1998 ka tubu mjete financiare për ta ndihmu sistemin e arsimit në Komunën e Istogut, të cilat janë dorëzuar me përkushtim e pedanteri të skajshme. Qëllimi i themelimit të shoqatës, që nga fillimi, nuk ka qenë arsimi dhe ndihma humanitare në ketë drejtim, por qëllimi i padeklaruar në publik ka qenë, me ndejtë bashkë, me u tubu, me qenë afër njëri tjetrit, me u njoftë ma mirë mes veti dhe që të jemi së bashku për “ditë të vështira”, sepse kemi qenë të bindur se nuk do të ketë liri e shtet, pa luftë. Kjo nuk asht folë kurrë në publik.
Me fillimin e luftës në Kosovë, kemi ngritë mbi shoqatën një grup ekzekutiv (komision) prej 7 vetash, ku isha edhe unë, për ta vazhduar aktivitetin konform situatës në vendlindje. Thjesht për ta ndihmuar luftën dhe në mënyrë të organizuar të shkohet në Kosovë.
Komisioni ka caktu Sadri Ramqajn, oficer, për ti përgatitë armatimin dhe organizimin. Sadriu ka qenë në Bosnje dhe e ka seleksionu “mallin luftarak” dhe e ka porositë e shpesh ka lëvizë ne relacionin Zvicër- Tiranë. Këto mjete luftarake duhej të shkonin në bjeshkët e Istogut, përmes Sanxhakut.

Mërgimtarët e Kuvendit të Shoqatës, mërgimtarët tjerë të shumtë nga Istogu qe jetonin në Zvicër, Austri e Gjermani, kanë tubuar gjithsejt 347 000 DM, ne kohën shkurt-shtator 1998. Sadriut i janë dorëzu këto mjete në tranche të ndryshme, sipas ritmit të mbledhjes së tyre. Mjetet financiare janë deponu në Dardania Bank në Tiranë.

Për ta përmbush porosinë në Bosnje, kontoja bankare asht shprazë dhe mbyllë me 10.10.1998. Marrëveshja gojore ka qenë që të tërhiqen ma tepër mjete në rast nevoje dhe këto mjete të kompensohen nga qeveria, fondi i 3%.

Herën e fundit Sadriu ka pas kontakt me njërin nga veprimtarët në Zvicër me 17.10.1998, ku përmes telefonit ka deklaru se “…punët janë keq, shumë keq, tepër keq…”. Atë natë dhe më parë Sadriu asht taku me shumë politikan aktual dhe zyrtar të tashëm të shtetit të Kosovës.
Të nesërmen paradite herët, me 18.10.1998 Sadriu asht marrë nga banesa në mënyrë të qetë, pa kundërshtim dhe prej atëherë nuk dihet për fatin e tij. Marrjen, ndoshta kidnapimin e Sadriut e ka pa Arian Hasanaj, pronari i banesës në Tiranë.
Kur asht pyet shumë ma vonë Ariani, se kush e mori Sadriun, ai ka deklaru: “Unë kam fëmijë e mos më merrni në qafë…ju duhet ta dini se kush e ka marrë”, tue lan me kuptu se “shoqëruesit” e Sadriut kanë qenë të shërbimit informativ.

Malli luftarak shumë i sofistikuar, ka mbet në Bosnje. Sadriu asht zhduk me më se paku 347 000 DM, pa gjurmë tjera.

Shërbimi Informativ Kombëtar i Shqipërisë i din detalet dhe duhet të flet për të vërtetën.

Sadri Ramqaj, ka qenë njeri i besës, e me personalitetin e tij e ka meritu së paku një vorrë dinjitoz e mërgimtarët që kanë kontribuar financiarisht dhe me punë tjera, për përkushtimin e tyre, së paku ta din të vërtetën.

Për çdo detal të skajshëm, për hyrje daljet e financave, ka dokumentacion të shkruar me dorë ose makinë shtypi.

Enver Robelli shkruan për vrasjen e Jusuf Gërvallës, në këtë histori e lidhë emrin e Behgjet Pacollit

Sot janë bërë 38 vite nga janari i vitit 1982 kur në një atentat u vranë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekës që ndodhi në Untergrupenbach të Gjermanisë, ishte një goditje e rëndë për lëvizjen patriotike dhe ka mbetur i pazgjidhur edhe sot e kësaj dite.

Publicisti Enver Robelli ka kujtuar vëllezërit Gërvalla në 38 vjetorin e vdekjes duke thënë se shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë për të zbardhur vrasjen e tyre.

Sipas Robellit, Kosova nuk treguar interesim për bashkëpunim me autoritetet gjermane, të cilat dosjen Gërvalla e mbajnë ende të hapur. Robelli kujton se pas luftës në Prishtinë u vra Selim Brosha, i cili supozohej të ketë pasur shumë informacion mbi krimin e trefishtë në Untergruppenbach.

Sipas Robellit i afërt me Broshën kishte qenë ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli. Ai thotë se po në atë kohë Pacolli dha një intervistë për një gazetë serbe të afërt me UDB-në. Artikulli i kësaj gazete ilustrohej me fotografi ku Pacolli mes tjerash shihej me Selim Broshin duke pirë birra në një lokal të Prishtinës. E kjo sipas Robellit ndodhi pikërisht në kohën pasi në Gjermani u vranë Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka.

“Pas çlirimit të Kosovës oligarku dhe palaçoja i skenës politike të Kosovës, Behgjet Pacolli, i dha një intervistë një reviste të Beogradit të afërt me UDB-në. Intervista u ilustrua edhe me shumë fotografi, mes tyre, shend e verë, duke pirë birra në një lokal në Prishtinë: Pacolli dhe Brosha. Diku ë vitet 80-të. Pasi në Gjermani ishte vrarë Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka”, shkruan Rrobelli.

Tutje Robelli thotë se që Selim Brosha ka qenë pjesë e ekipit për përgatitjen e terrenit për vrasjen e Jusuf Gërvallës konfirmohet edhe në aktet e Policisë Federale të Zvicrës.

“Që Selim Brosha ka qenë pjesë e ekipit për përgatitjen e terrenit për vrasjen e Jusuf Gërvallës – përkëtë nuk lënë dyshim aktet e Policisë Federale të Zvicrës. Është shumë e mundur që vrasësit, pra ataqë kanë tërhequr këmbëzën e armës, të kenë qenë tipa të llojit të Arkanit, por për shkrimin ehistorisë së Kosovës është me rëndësi të dihet kush i çoi vrasësit te banesa e Jusuf Gërvallës nëGjermani? Kush e përcolli te kriminelët e regjimit të Beogradit informacionin se Kadri Zeka nga Zvicra lindore u nisë në takim me vëllezërit Gërvalla në Untergruppenbach të Gjermanisë? Ka shumë gjasa që këtë shërbim pushtetit serb t’ua kenë bërë kriminelët shqiptarë. Kosova zyrtare nuk interesohet për këso detajesh. Prioritet janë interesat e momentit, plaçkitja e shtetit, tallja me vuajtjen e njerëzve”, shkruan ai.

Kujtojmë se Enver Robelli ishte dënuar për shpifje më herët, pikërisht për shkrime kundër Begjet Pacollit./Express

“Padia e Ramës për Haradinajn që shkaktoi zemërim në Prishtinë e gëzim në Serbi”, çfarë shkruajnë mediat e Kosovës

Ideja e shkëmbimit të territoreve edhe një herë ka përplasur kryeministrin e Kosovës në detyrë Ramush Haradinajn me homologun e tij nga Shqipëria Edi Ramën. Kryeministri i Shqipërisë të mërkurën paditi Haradinajn për shpifjet që ka bërë ndaj tij nëpërmjet deklaratave publike ku ka folur për shkëmbime territoresh.

Ky veprim i Ramës ka shkaktuar kundërshtime në Kosovë e në Shqipëri, por gëzim e hare në Serbi, shkruan gazeta “Zëri”.

Të mërkurën, teksa Kosova po shënonte 21-vjetorin e masakrës makabre që forcat policore serbe kishin kryer në Kosovë, në të cilën ishin vrarë 45 civilë shqiptarë, Kosova pranoi një goditje nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Rama në po këtë ditë dorëzoi një kërkesëpadie kundër homologut të tij në Kosovë Ramush Haradinajt. Përmes kësaj padie ai pretendon se Ramush Haradinaj ka shpifur ndaj tij nëpërmjet deklaratave publike, ku ka folur për shkëmbime territoresh. Një veprim i tillë i Ramës ka shkaktuar reagime në Kosovë e në Shqipëri dhe e dënuan ashpër këtë hap, ndërsa në Serbi i janë gëzuar këtij fakti. Duke folur për këtë padi kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën në mbrëmje deklaroi se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në bazë të raportimeve në medie ka deponuar padi kundër tij në gjykatë.

Zëri i Amerikës: Edi Rama ngre padi ndaj Ramush Haradinajt

“Betimi për drejtësi” një emision i përgatitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, raportoi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ushtruar padi ndaj kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, me pretendimet se ka shpifur ndaj tij, duke kërkuar edhe kompensim të dëmit të shkaktuar.

Në padinë e kryeministrit Rama, të cilën “Betimi për Drejtësi” pohon se e ka parë dhe e cila ka mbi 30 faqe, thuhet “Në datën 17.10.2019 dhe 29.10.2019, i padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360.gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”.

Në padi thuhet se deklaratat janë bërë në kuadër të debateve rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e që, në parim, siç thuhet në padi, do të duhet të rezultojë në një marrëveshje reciprokisht të detyrueshme për të dyja palët dhe njohje reciproke në mes këtyre dy shteteve.

Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”, citohet të jetë thënë në tekstin e padisë.

Mes tjerash aty thuhet se kryeministri i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.

Duke ju referuar disa deklaratave të zotit Haradinaj në të cilat është përmendur kryeministri Rama në tekstin e padisë theksohet se “kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk asnjë rol formal e juridiko-politik në marrëveshjen eventuale në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. E kjo për faktin se kjo lloj marrëveshje bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përbën një akt që mund të miratohet vetëm dhe ekskluzivisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës e, për më tepër, kërkon ekskluzivisht miratimin e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës[1], dhe rrjedhimisht 80 vota pro, përfshirë deputetët e koalicionit qeverisës dhe të opozitës, në secilën rrethanë. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë asnjëherë nuk ka mbështetur dhe nuk është deklaruar në mbështetje të një ideje të tillë. Qëndrimi i Paditësit në Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka qenë një dhe i vetëm: ai i mbështetjes së pozicionit të qëndrimeve të Republikës së Kosovës drejt një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme për Republikën e Kosovës dhe Serbisë dhe e cila do të rezultonte në njohje reciproke në mes dy vendeve dhe do të hapte rrugëtimin efektiv drejt integrimeve euro-atlantike”, thuhet mes tjerash.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetin facebook të mërkruën vonë se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama.

Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, thuhet në postimin e zotit Haradinaj.

Marrëdhëniet ndërmjet dy kryeministrave u përkeqësuan në pranverën e vitit të kaluar pas takimit të Berlinit më 30 prill të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron që mblodhën udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar të ardhmen e tyre evropiane, ndikimet e jashtme në rajon, por, në qendër të diskutimeve, ishte çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas atij takimi kryeministri Haradinaj tha se është përballur me trysni nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama, për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe të vendosura në nëntor të vitit 2018 që cuan në pezullimin e bisedimeve me Serbinë.

Kryeministri Rama tha atëbotë se nuk i ka bërë trysni zotit Haradinaj për heqjen e tarifave por i ka sugjeruar të dëgjojë kancelaren Merkel dhe presidentin Macron që kane kërkuar nga Haradinaj që taksa te pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qofte, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vete”.

Zoti Haradinaj tha më pas se “ekziston një dyshim i bazuar, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar lidhur me ndarjen e Kosovës dhe se ato diskutime janë bërë nën udhëheqjen e Shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Polemikat në distancë ndërmjet kryeministrave janë përsëritur disa herë gjatë vitit të kaluar.

Edi Rama e dorëzon padinë kundër Ramush Haradinajt në Gjykatën e Prishtinës

Nga takimet zyrtare në Prishtinë, apo në Tiranë, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, një të tillë, pritet ta realizojnë në një ambient krejtësisht ndryshe prej herëve të tjera.

Kjo pasi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe zyrtarisht ka nisur rrugën ligjore ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit shqiptar, ka ushtruar padi ndaj homologut të tij nga Kosova, Ramush Haradinaj.

Padia e Ramës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, të mërkurën, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit.

Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.

Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuciqin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në datën 17.10.2019 e 29.10.2019, i Padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës (më poshtë referuar edhe si “i Padituri”gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360.gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”, thuhet në padi.

Në padi thuhet se deklaratat shpifëse shkak padie kanë pasur për kontekst përgatitjet për procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e që, në parim, sic thuhet në padi, do të duhet të rezultojë në një marrëveshje reciprokisht të detyrueshme për të dyja palët dhe njohje reciproke në mes këtyre dy shteteve.

“Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhëti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë””, thuhet tutje në këtë padi.

Sipas padisë, kryeministri i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.

Aty përmenden një numër i madh të deklaratave që Haradinaj vazhdimisht i ka dhënë, e në të cilat e ka apostrofuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Pjesë e këtyre deklaratave është edhe ajo ku Haradinaj, sipas padisë, i referohet edhe aferave korruptive, për ta jetësuar idenë e shkëmbimit të territoreve.

Në padi thuhet se ky qëndrim në vazhdimësi i Haradinajt është mbajtur përkundër fakteve që sipas padisë, Rama asnjëherë nuk ka diskutuar për tema të tillë

“Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk asnjë rol formal e juridiko-politik në marrëveshjen eventuale në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. E kjo për faktin se kjo lloj marrëveshje bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përbën një akt që mund të miratohet vetëm dhe ekskluzivisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës e, për më tepër, kërkon ekskluzivisht miratimin e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës[1], dhe rrjedhimisht 80 vota pro, përfshirë deputetët e koalicionit qeverisës dhe të opozitës, në secilën rrethanë. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë asnjëherë nuk ka mbështetur dhe nuk është deklaruar në mbështetje të një ideje të tillë. Qëndrimi i Paditësit në Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka qenë një dhe i vetëm: ai i mbështetjes së pozicionit të qëndrimeve të Republikës së Kosovës drejt një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme për Republikën e Kosovës dhe Serbisë dhe e cila do të rezultonte në njohje reciproke në mes dy vendeve dhe do të hapte rrugëtimin efektiv drejt integrimeve euro-atlantike”, thuhet ndër të tjerash në këtë padi.

Në këtë padi, Rama nuk e ka cekur shumën e dëmit që pretendon se i është shkaktuar.

Por, me padi, ai ka kërkuar që përveç kompensimit të dëmit, të detyrohet Haradinaj që t’i dal deklaratat që sipas padisë, janë shpifje, si dhe t’i përgënjeshtroje ato.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdimisht ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, atë të Serbisë, Aleksandër Vuciq dhe kryeministrit e Shqipërisë, Edi Rama, si liderët që e kanë nisur idenë dhe kanë punuar në drejtim të realizimit të shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Akuzat kundër Trumpit dërgohen në Senat

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara miratoi të mërkurën një rezolutë për dërgimin e dy akuzave formale kundër presidentit Donald Trump në Senat.

Dhoma, e udhëhequr nga demokratët, e miratoi rezolutën me 228 vota për dhe 193 kundër.

Trump akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.

Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor, ndërsa, me votimin e sotëm, gjykimi i presidentit kalon në Senat.

“Jemi këtu për të kapërcyer një prag shumë të rëndësishëm në historinë amerikane”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, para votimit.

Paraprakisht, ajo emëroi shtatë ligjvënës demokratë – që të gjithë me prejardhje nga fusha e ligjit – për të shërbyer si të ashtuquajtur menaxherë gjatë gjykimit të Trumpit në Senat.

Menaxherët do të udhëheqen nga Adam Schiff, kryetar i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe ata do të veprojnë si prokurorë.

Nëse gjatë gjykimit në Senat shpallet fajtor – gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët – Trump do të shkarkohej nga detyra.

Trump, republikan, këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe hetimet kundër tij i quan “gjueti shtrigash”.

Për çfarë akuzohet Trump?

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Presidentët amerikanë që u përballën me procedura të shkarkimit

Kundër Bill Clintonit kanë nisur procedurat për shkarkim, për shkak të mashtrimit dhe pengimit të drejtësisë, pasi ka gënjyer për natyrën e aferës së tij me Monica Lewinskyn dhe më pas dyshohet se i ka kërkuar edhe asaj të gënjejë.

Por, kur gjykimi ka shkuar në Senat më 1999, votimi për dënim ka dështuar.

Presidenti tjetër që është përballur me procedura të shkarkimit, ka qenë Andrew Johnson, më 1868. Ai është akuzuar, mes tjerash, për shkarkimin e sekretarit të tij të luftës kundër vullnetit të Kongresit.

Johnson ka shpëtuar për pak, pasi dy të tretat e votave në Senat nuk janë arritur vetëm për një votë.

Richard Nixon, presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara, ka dhënë dorëheqje më 1974, përpara se të mund të fajësohej nga Senati për skandalin e Watergate. rel

30 vjetori i sulmit ndaj selisë së Stasit dhe një dëshmi e Putinit

Jamie Dettmer

Ishte dita më e shënuar për mijëra protestues që 30 vjet më parë sulmuan selinë e Ministrisë së Sigurimit të Shtetit të Gjermanisë Lindore në Berlin, të njohur më mirë si Stasi.

Për ta, 15 janari 1990, ishte një kohë shprese – dita që shqiptoi, në fakt, fundin e Gjermanisë Lindore, ose Republikës Demokratike të Gjermanisë (DDR). Ishte një shtet i krijuar nga Moska jashtë zonës së pushtuar sovjetike të Gjermanisë post-naziste.

Motoja e Stasit ishte “Mburoja dhe Shpata e Partisë”, dhe pa një agjenci efektive të shtypjes shtetërore, Gjermania Lindore u ekspozua si skelet.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier shënoi 30 vjetorin e sulmit në selinë e Stasit, duke e përshkruar atë si një “veprim thellësisht demokratik”.

Në javët para se të sulmohej selia në Berlin, protestuesit antikomunistë kishin festuar rënien e Murit të Berlinit dhe stacionet rajonale të policisë sekrete po merreshin një nga një. Demonstruesit po bëheshin gjithnjë e më të guximshëm pasi liderët komunistë të vendit ishin të ekspozuar si të pafuqishëm për t’i ndaluar ata. Moska i mbajti duart larg, megjithë thirrjet e udhëheqësit komunist i Gjermanisë Lindore Erich Honecker drejt udhëheqësit të atëhershëm sovjetik Mikhail Gorbachev për një ndërhyrje ushtarake ruse.

Tani ishte radha e berlinasve për të mbyllur Stasin, në Berlin, duke tundur këmbanën e fundit për agjencinë e shtypjes së brendshme të Gjermanisë Lindore.

Ndikimi i ngjarjes tek Putini

Megjithatë, për një kolonel të KGB-së, si Vladimir Putin, ishte koha më e keqe, një kohë e indinjatës së ashpër. Shumë nga biografët e tij thonë se kjo ngjarje ka formuar stilin e tij të qeverisjes autokratike tani si president rus, dhe gjithashtu frikën e tij nga protestuesit anti-Kremlinit.

Dyzet e dy ditë para se të binte selia e Stasi-it në Berlin, Putini, i cili arriti në Republikën Demokratike Gjermane në vitin 1985 për të marrë detyrën e tij të parë jashtë vendit, pati një përballje me dramën e madhe politike dhe historike që luhej në të gjithë Gjermaninë Lindore dhe më gjerë në vendet e Paktit të Varshavës. Disa demonstrues të cilët rrethuan ndërtesën e Stasit në Dresden u futën dhe përparuan pranë një rruge drejt instalimit të KGB-së së Putinit.

Duke kujtuar ditët e fundit të komunizmit shumë vite më vonë për “Personin e Parë”, një libër me intervista të botuara për të shënuar mandatin e tij të parë si president i Rusisë në 2000, Putini thotë se ai u përball me turmën, duke paralajmëruar protestuesit se objekti ishte një instalim ushtarak sovjetik. Ekzistojnë raporte kontradiktore nëse ai ka shtënë me armë.

Ai telefonoi eprorët e tij duke kërkuar mbështetje, por iu tha, “Ne nuk mund të bëjmë asgjë pa urdhra nga Moska. Dhe Moska hesht”.

Turmat u shpërndanë, por biografët e Putinit thonë se poshtërimi i asaj dite ka qëndruar me të, duke kontribuar në vendosmërinë e tij që Moska kurrë më nuk do të heshtë.

Protestuesit antikomunistë që pushtuan ndërtesat e Stasit kanë kujtime më të lumtura se ato të Putinit. Roland Jahn, një ish disident, thotë se sulmi i vitit 1990 u bë një sinjal i rëndësishëm “në të gjithë botën”.

“Për herë të parë në botë, qytetarët pushtuan zyrat e një force të fshehtë policie për të mbrojtur dosjet e saj dhe për t’i bërë ato më të prekshme për shoqërinë,” i tha Jahn gazetës Northwest-Zeitung. Zoti Jahn kujton një “eufori të madhe” të trazuar me një “ngatërrim të caktuar dhe një ndjenjë të çuditshme”.

Josep Borrell bisedon në telefon me Thaçin e Vuçiçin

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bisedoi të mërkurën me telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi dhe “rëndësinë e rifillimit të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve”.

Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se zoti Borrell konfirmoi vendosmërinë dhe angazhimin e tij si lehtësues i bisedimeve me mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së.

Ai u përqendrua në mënyrë të veçantë në bisedën me zotin Thaçi lidhur me procesin e formimit të qeverisë së re të Kosovës dhe u bëri thirrje udhëheqësve të partive politike që të ecin me shpejtë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Në njoftim thuhet se ai bisedoi me të dy presidentët për përparimin në rrugën drejt BE-së dhe rëndësinë e këtij përparimi para takimit të lartë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Zagreb në muajin maj.

Zoti Borrell ritheksoi synimin e tij për të vizituar Prishtinën dhe Beogradin në javët që vijnë.

Ndërkaq, presidenti Thaçi, tha në një njoftim se janë pajtuar me zotin Borrell për nevojën e themelimit sa më shpejtë të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë. Një njoftim thuhet se ai i kërkoi BE-së të përmbushë detyrimin “për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme”.

Në njoftimin e zyrës së tij thuhet se “presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve”.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Kosova aktualisht ndodhet në një periudhë boshllëku politik, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar. Edhe me shumë se tre muaj pas zgjedhjeve, ende nuk ka një marrëveshje politike për formimin e qeverisë. zëri i amerikës

Sadije Ramadani kërkon drejtësi për vëllanë dhe 44 shtimjanët e masakruar në Reçak

Po bëhen njëzet e një vjet nga lufta e fundit në Kosovë. Në këtë luftë e humbën jetën mbi 13 mijë persona, pati dëme të mëdha materiale e pati edhe masakra. Njëra prej tyre ishte edhe Masakra e Reçakut. Për ditën e 15 janarit 1999, kur u vranë 45 fshatarë, na rrëfen Sadije Ramadani. Në mesin e të vrarëve ishte edhe i vëllai i saj, Sadik Osmani.

Albina Kastrati *

Sadije Ramadani ende e kujton fytyrën e vëllait të saj, Sadikut, kur e kishte gjetur të masakruar në Reçak, në dimrin e vitit 1999. Ajo tregon se i ka parë edhe kufomat e tjera të kësaj masakre, e cila kishte bërë jehonë në mediet kryesore të botës.

21 vjet pas kësaj ngjarjeje, Sadija kërkon që të dënohen kryesit e krimeve ndaj 45 shtimjanëve dhe të shkruhen libra për krimet e serbëve në Kosovë.

“Vrasësit të dënohen për krimet e bëra dhe të shkruhet një libër me të gjitha detajet për Masakrën e Reçakut, sepse është ngjarje e përgjakshme, që i preku të gjithë shqiptarët”, thotë Sadija, 68 vjeçare.

Sot shënohet përvjetori i njërës prej shumë masakrave të kryera nga policia dhe ushtria serbe në Kosovë.

Emri i Reçakut u përmend edhe nga presidenti aktual serb, Aleksander Vuçiç. Në një deklaratë, ai thotë se “Masakra e Reçakut” është vetëm një trillim i William Walker-it.

Për këtë, e mbijetuara e masakrës, Sadija, thotë se ish-shefi i OSBE-së i tregoi botës për krimet e kryera të Serbisë dhe nuk ka asgjë për t’u mohuar, sepse ka fakte, jo vetëm për këtë masakër, por edhe për çdo shpirt të pafajshëm të marrë nga ushtarët serbë.

Megjithatë, Sadije Ramadani nuk është thirrur asnjëherë si dëshmitare në Gjyqin e Hagës. Ajo pohon se është gjithmonë e gatshme të dëshmojë për krimet e kryera nga fqinji i Kosovës dhe të kërkojë drejtësi për 45 fshatarët e pafajshëm të Reçakut.

Lufta e fundit në Kosovë preku edhe më larg se Reçaku. Sipas të dhënave të Fondit Për Të Drejtat Humanitare, numri i të vdekurve është 13 mijë e 518 persona, rreth 5000 civilë janë zhdukur dhe 20 mijë gra janë dhunuar.

Ramadani e përshkruan 15 janarin e atij viti, që e ndryshoi përgjithmonë jetën e saj.

Asokohe ishte muaji i Ramazanit dhe të afërmit ishin mbledhur për të ngrënë darkë së bashku. Për disa prej tyre, ajo kishte për të qenë darka e fundit.

Të nesërmen, në orën shtatë të mëngjesit, kishin filluar gjuajtjet me armë nga policët serbë dhe në orën dhjetë e kishin rrethuar shtëpinë e Sadik Osmanit, në të cilën ishin fshehur 40 fshatarë, disa në bodrum e disa në ahur.

Sadija rrëfen se si një polic serb, i veshur me rroba të zeza e me maskë, e kishte hapur derën, pastaj pas disa minutave kishin ardhur me vrull tre policë, duke i marrë burrat e duke i sharë në gjuhën serbe.

Aty e morën vëllanë e Sadijes, Sadikun, bashkë me të birin e tij, Burim Osmanin, të cilin e kthyen, sepse u ishte dukur si i mitur. E morën edhe të mbijetuarin e masakrës, Ramë Shabanin, dhe të gjithë burrat e tjerë.

Me emocione, Ramadani tregon se si këta fshatarë të paarmatosur kishin bërtitur nga dhimbjet e mëdha e nga torturat e policëve serbë. Pastaj, pas dy orëve, gjithçka kishte rënë në qetësi. Sadija, bashkë me të bijën, Habiben, dhe gratë e tjera kishin ndenjur të mbyllura në bodrum deri në orën katër të pasdites, duke mos ditur se cili do të jetë fati i tyre apo i burrave që ua kishin marrë.

“Doja të dija se çfarë i ka ndodhur vëllait tim e burrave të tjerë. Dera ishte e mbyllur, por me një thikë e hapa dritaren e dola jashtë, e hapa derën dhe vendosëm të largohemi nga ajo shtëpi”, thotë Sadije Ramadani.

Rrugës kishin hasur në trupin e vdekur të Sahide Metushit, tashmë e shpallur si e zhdukur. Ato kthehen në shtëpinë e Ramë Shabanit dhe pas disa çasteve i dëgjojnë forcat serbe duke i kënduar këngët e tyre.

Më vonë ishin dëgjuar disa vetura të OSBE-së dhe gratë kishin rrëfyer se çfarë kishte ndodhur. Ata i kishin këshilluar të kthehen ne shtëpitë e tyre.

Asokohe, William Walker-i kishte deklaruar se kjo masakër ishte krim kundër njerëzimit dhe se bota duhet të vihet në dijeni për këtë ngjarje.

Të nesërmen, djali i vëllait, Burim Osmani, i kishte treguar hallës së tij se të gjithë burrat janë vrarë te vendi i quajtur “Kodra e Bebushit”.

“Ende i kam të freskëta kujtimet kur kaloja pranë të afërmve të mi, ku të gjithë ishin të gjymtuar e torturuar, sidomos kur arrita te kufoma e vëllait tim, u bëra si e dehur. Të gjithë qanim. Ishte shumë vështirë për t’u përmbajtur”, shton Ramadani.

Të mbijetuarit e fshatit dhe banorë të fshatrave të tjera, që kishin ardhur në ndihmë, i kishin dërguar kufomat në xhaminë e fshatit dhe pastaj në spital në Prishtinë, ku kishin qëndruar pesë javë.

Jeta pas asaj jave, gjatë gjithë kohës së luftës, ishte me plot rreziqe e vështirësi, duke qëndruar në tenda e shtëpi të ndryshme, duke e pasur vështirë t’i sigurojnë ushqimin e një vend për të fjetur. Madje, e lodhur, Sadija, bashkë me disa familjarë, kishin tentuar të largohen nga Kosova, por që nuk kishin mundur.

Sadija tregon se vëllai i saj kishte qenë për 24 vjet mësues në shkollën fillore të Reçakut. Tashmë në atë vend janë vendosur varrezat e të vrarëve të këtij fshati.

Ndërsa i biri i Sadikut, Bekim Osmani, mban familjen e tij me të ardhura nga një dyqan i vogël afër shkollës së fshatit.

Ajo thekson se jeta e saj para kësaj ngjarjeje ishte e hareshme dhe nuk kishte menduar se do t’i ndodhte diçka e tillë ndonjëherë.

“Para luftës kisha familje, kisha vëlla, kisha shtëpi. E më pas, për pak ditë, humba gjithçka; i humba vëllanë, shtëpinë, familjarët. Shumë shtëpi janë shuar përgjithmonë ”, thotë me emocione e mbijetuara.

21 vjet pas luftës, ajo qëndron ende e fortë për nipat e mbesat e saj dhe për vëllanë Sadikun, duke e mbajtur gjallë historinë .

Ndryshe, edhe për 15 janar të këtij viti janë paralajmëruar aktivitete për ta shënuar njërën prej masakrave më të rënda që u kryen nga shteti serb.

*Autorja është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP./Express

Informimi në rrezik, zyrat e shtypit prodhuese dhe shpërndarëse të lajmeve (video)

Mimoza Picari

Media në Shqipëri pritet të ndeshet gjatë këtij viti me një terren në vështirë përballë propagandës në rritje të zyrtarëve dhe ngushtimit të hapësirave të lirisë për informim dhe raportim. Konstatimi vjen nga grupimet e gazetarëve dhe të shoqërisë civile, që thonë se media po funksionon përmes një sistemi të deformuar, për shkak të ndërthurjes se interesave financiare të disa pronarëve me pushtetin politik. Drafti anti-shpifje i qeverisë, që kritikohet njëzëri nga komuniteti i gazetarëve dhe institucionet ndërkombëtare, me argumentin se ngushton hapësirat e informimit dhe raportimit në mediat on-line, erdhi në një moment kur këto media po sfidonin lajmet që prodhohen dhe shpërndahen nga zyrat e shtypit, thonë gazetarët.

Spektri mediatik shqiptar vlerësohet nga analistë, gazetarë dhe pjestarë të shoqërisë civile, të jetë nën trysninë e vazhdueshme të zyrtarëve të veshur me pushtet. Informaliteti në media, propaganda qeveritare dhe ngushtimi i hapësirës së informacionit dhe raportimit janë sot problemet më shqetësuese.

Analisti Fatos Lubonja argumenton se ka një vetëdorëzim të medias, pasi ato nuk janë produkt i tregut të lirë, por i binzeseve të pronarëve.

“Vetëdorëzimi është i qartë, ka të bëjë me konfliktin e interesit që kanë pronarët e mediave, të cilët duhet të mbrojnë interesat e bizneseve të tyre. Mirëpo këtu ka një konflikt, sepse nga një anë rritja dhe mbajtja në këmbë e biznesit në Shqipëri është bërë gjithë e më e pamundur pa mbështetjen e qeverisë, pa tenderat që jep qeveria, pa lejet e ndërtimit, lejet e ndryshme, konçensionet. Dhe pa dyshim që qeveria pastaj përmes kësaj kapje, që i ka bërë ekonomisë, ushtron presion mbi produktin tjetër, që duhet të prodhojnë mediat që është informacioni”, argumenton Fatos Lubonja, analist.

Gazetari i BIRN Gjergj Erebara thotë se numri i gazetarëve aktivë është në rënie dhe se redaksitë në media të ndryshme janë në tkurrje, për shkak të zvogëlimit të buxhetit të reklamave dhe ndërthurjes se interesave financiare të disa pronarëve të medias me pushtetin politik.

“Tregu shqiptar është i dominuar nga shumë pak reklamues të mëdhenj, përsa i përket televizioneve. Gazetat, që janë kontribut i qytetarit drejtpërdrejt, në financat e një media, është në rënie drastike, drejt asgjë​simit total. Gjatë vitit të kaluar u mbyll dhe gazeta Shekulli print, që ishte një nga gazetat më të vjetra në vend”, – thotë Gjergj Erbara, gazetar i BIRN.

Dhe kjo gjendje ka sjellë përparimin e propagandës së zyrtarëve, thonë gazetarët. Informacioni dhe raportimi është zëvendësuar me prodhimin e lajmeve të realizuara nga zyrat e shtypit, pohojnë ata.

“Propaganda zyrtare determinon informacionin dhe raportimin në media. Më së shumti kjo është e ndikueshme si e tillë mbi median tradicionale, të cilat aktualisht kanë dhe pjesën më të madhe të tregut mediatik të Shqipërisë”, shprehet Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Analisti Fatos Lubonja kur flet për rritjen e propagandës së qeverisë ka parasysh televizionin e kryeministrit ERTV.

“Ky është një nga skandalet dhe turpet më të mëdha të Shqipërisë, ku kryeministri krijon në zyrat e tij televizionin e tij, që prodhon vazhdimisht lajmet siç do vetë, si edhe shpërndan lajmet në gjithë televzionet e tjera private dhe publike”, thotë Fatos Lubonja, analist.

Gjatë seancës parlamentare në dhjetor ku u miratua drafti antishpifje i qeverisë, kryeministri Edi Rama kishte këtë përgjigje për kritikët e propagandës përmes televizionit me emrin e tij.

“Vetëm një të mirë ka kjo zhurmë, që bën publicitet për ERTV-në . “Televizion” – thotë! Mjafton të vesh një logo në një faqe video të Facebook-ut dhe ta quajnë televizion. Ky është qëllimi në fakt që ta quajnë televizion dhe ta ndjejnë konkurrent, ndërkohë që ERTV nuk pranon publicitet dhe nuk merr para nën dorë dhe kushton 100 herë më pak se portali më irrelevant, por është çështje vizioni dhe inteligjence, nuk është çështje parash”, – tha kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar.

Interesit të “Zërit të Amerikës” mbi shqetësimet e komunitetit të gazetarëve dhe shoqërisë civile për propagandën në rritje të zyrtarëve të qeverisë, për produktin e gatshëm që u ofrohet mediave nga televizioni i kryeministrit ERTV, kostot e tij dhe faktin se kush i mbulon ato, zyra e shtypit pranë kryeminstrit nuk iu përgjigj.

Gazetarët mendojnë se zyrat e shtypit janë prodhuesit më të mëdhenj të lajmeve të rreme në Shqipëri. Drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj thotë se gjatë punës së saj gjen gjithnjë e më pak hapësirë transparence në zyrat dhe faqet online të institucioneve, sidomos kur interesohet për menaxhimin e parave publike.

“Do të sjell një shembull. Agjensisë së Prokurimeve Publike ne i dërgojmë vazhdimisht kërkesa për informacion për dokumenta që janë në faqen e tyre por që nuk klikohen, ose nuk janë të aksesueshme, ose mungojnë tabela të tëra të cilat afishohen si tabela të mundshme për publikim, apo për tenderat, të cilët i kanë vetëm në një periudhë dy-tre javore dokumentacionin on line. Dhe cila është përgjigja e tyre? Është që ku dokumentacion dhe gjithçka tjetër është e aksesueshme në buletin. Ne e dimë shumë mirë​ që buletinet janë formate krejt të shkurtuara dhe detyrimi për t’i publikuar në​ faqen elektronike është krejt i ndryshëm”, – shprehet Aranita Brahaj, drejtore e Open Data Albania.

Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë mendon se në momentin që qeveria u ndje e kërcënuar nga mediat e reja on-line, vendosi të miratojë ligjin antishpifje i cili detyron AMA të marrë rolin e gjykatës dhe mediat ta paguajnë gjobën pa shkuar në gjykatë, që praktikisht, sipas zotit Çipa, do të thotë mbyllje e tyre.

Kryeministri Rama gjatë prezantimit të draftit në parlament, kishte këtë qëndrim ndaj kundërshtarëve të draftit.

“AMA nuk zëvendëson gjykatën. Ndërkohë që nuk ekziston mbyllja. Thjesht nuk ekziston. Kush thotë që ky ligj mbyll portalet gënjen. Nuk ka lexuar ligjin”, – tha kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare në dhjetor të vitit kaluar.

Ndërkohë gazetarët i kujtojnë shefit të qeverisë kritikat për draftin anti-shpifje nga institucionet ndërkombëtare, edhe pse ai mbrojti idenë se paketa ligjore kishte mbështetjen e OSBE-së, duke nënvizuar se paragrafi i pagesës së gjobës pa shkuar në gjykatë nuk është ndryshuar.

“Drafti e ka lënë në fuqi këtë gjë, që kryhet veprimi përmbarimor i penalitetit financiar dhe pastaj ti ke të drejtë ta vazhdosh proçesin në rrugën gjyqësore”, shprehet Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Analistët dhe gazetarët i shohin përpjekjet e qeverisë për miratimin e draftit anti-shpifje si vazhdimësi e vullnetit të mbrapshtë për të kontrolluar mediat.

“Nuk jemi në kohën kur qeveria ndikon politikën editoriale, jemi në kohën kur qeveria kontrollon në mënyrë tërësore politikën editoriale”, – thotë Gjergj Erebara, gazetar i “BIRN”.

Presidenti Ilir Meta të dielën e ktheu draftin antishpfije të qeverisë në parlament për rishqyrtim, me argmumentin se bie ndesh me parimet kushtetuese, ndërkohë që Unioni i Gazetarëve paralajmëron që nëse shumica qeverisëse nuk tërhiqet, do ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Në këto kushte media pritet të ballafaqohet gjatë këtij viti me një terren të vështirë, në përpjekje për të ruajtur të pacunguar informacionin dhe raportimin, përballë propagangës dhe tentativave të pushtetit politik për ngushtimin e hapësirës së lirisë së medias në Shqipëri.

Sigurimi ishte në dijeni, ç’ndodhi në demonstratën e parë antikomuniste në Shqipëri. Ja 10 personat që u dënuan

Data 14 janar 1990, shënon demonstratën e parë antikomuniste në Shqipëri. Muzeu Kombetar “Shtepia me Gjethe” qe perkujton kete dite shkruan sot se mijëra qytetarë të Shkodrës u mblodhën në qendër të qytetit dhe protestuan në heshtje.

Qëllimi i tyre ishte rrëzimi i bustit të Stalinit. Kjo përpjekje ishte sinjal i veprimeve të tjera antikomuniste. Ngjarja u komentua dhe u përcoll edhe në mediat e huaja si BBC World Service, RAI, VOA – Zëri i Amerikës.

Ky tubim kishte ditë që planifikohej. Iniciatorët kishin njoftuar shumë qytetarë në mënyrë që t’i bashkangjiteshin protestës dhe përmasat e saj të ishin më të mëdha. Lëvizjet e organizatorëve nuk i kishin shpëtuar Sigurimit të Shtetit i cili ishte në dijeni të një tubimi të tillë, duke i konsideruar ata “elementë armiq të frymëzuar nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore”.

Qëndresa e parë antikomuniste u shoqërua me arrestime të disa personave të përfshirë në të. Dhjetë prej tyre:
1- Aldo Perrizi,
2-Dedë Kasenci,
3-Flamur Begu,
4-Gjergj Livadhi,
5-Klaudio Daka,
6-Kolec Hublina,
7-Nikolin Margjini, .
8-Nikolin Thana,
9- Rin Monajka,
10-Tonin Dema,
u dënuan me disa vite burg me akuzën e agjitacion e propagandë, diversion apo moskallëzim krimi.