Florian Tardif, gazetar i Paris Match dhe autor i librit Un couple (presque) parfait (“Një çift (pothuajse) perfekt”), deklaroi këtë të mërkurë në RTL se episodi i paraqitur nga Pallati Élysée si një “moment bashkëfajësie” mes Emmanuel dhe Brigitte Macron gjatë një vizite në Vietnam në pranverën e vitit 2025, ishte në të vërtetë pasojë e një debati të fortë lidhur me marrëdhënien “platonike” të presidentit francez me aktoren franko-iraniane Golshifteh Farahani.
Botuesi Albin Michel e kishte paralajmëruar librin si një “hetim mbi zonat gri” të çiftit presidencial, me “skena të pabotuara” dhe “dëshmi të shumta”. Sipas autorit, libri hedh dritë edhe mbi incidentin misterioz që bëri xhiron e rrjetit: momentin kur Brigitte Macron duket sikur e godet bashkëshortin në fytyrë, teksa dera e avionit presidencial hapet në pistën e aeroportit.
I ftuar në RTL për promovimin e librit të tij, Florian Tardif siguroi se versioni që paraqet është i verifikuar.
“Gjithçka që shkruhet në këtë libër është e bazuar në fakte, vetëm fakte”, deklaroi ai.
Në videon që u bë virale në maj 2025, gjatë mbërritjes së çiftit presidencial në Vietnam, Brigitte Macron shihet duke ngritur të dyja duart drejt fytyrës së Emmanuel Macron në çastin kur hapet dera e avionit presidencial. Pamjet ndezën menjëherë spekulime për një përplasje mes tyre. Presidenti francez mohoi kategorikisht çdo “grindje bashkëshortore”, duke e cilësuar skenën si një “moment privat mes çiftit”.
Por Florian Tardif kundërshton këtë version.
“Në fakt, ishte një debat mes bashkëshortësh”, u shpreh ai.
Sipas gazetarit, i cili ndjek Emmanuel Macron që prej fushatës presidenciale të vitit 2017 dhe është një nga reporterët e akredituar në Élysée, presidenca franceze sot “e konsideron gabim mungesën e transparencës” në atë moment.
“Ata mund ta kishin pranuar thjesht se janë një çift si gjithë të tjerët, me tensione dhe debate, jo një çift perfekt”, tha ai.
Mesazhet që ndezën konfliktin
Më tej, Tardif dha detaje mbi burimin e konfliktit. Sipas tij, Brigitte Macron kishte parë në telefonin e presidentit mesazhe të shkëmbyera me aktoren iraniane Golshifteh Farahani.
“Bëhej fjalë për mesazhe me një figurë të njohur, aktoren iraniane Golshifteh Farahani”, deklaroi gazetari.
I habitur nga fakti që ai po përmendte publikisht emrin e aktores, gazetari Marc-Olivier Fogiel e pyeti drejtpërdrejt nëse ishte i sigurt për atë që po thoshte. Tardif u përgjigj:
“Po, sepse këto nuk janë thjesht thashetheme që qarkullojnë në Paris.”
Golshifteh Farahani, 42 vjeçe, e lindur në Teheran, u largua nga Irani në vitin 2007 dhe u vendos në Francë. Ajo njihet për rolet e saj në filma si About Elly i Asghar Farhadi, Paterson i Jim Jarmusch dhe Reading Lolita in Tehran i Eran Riklis.
Sipas autorit të librit, Emmanuel Macron kishte mbajtur për disa muaj një marrëdhënie që ai e cilëson “platonike” me aktoren, duke i dërguar mesazhe me tone mjaft personale, si: “je shumë e bukur”.
“Këto janë informacione që m’i kanë konfirmuar njerëz shumë pranë presidentit”, tha ai.
Sipas rrëfimit të Tardif, këto shkëmbime kishin krijuar tensione brenda çiftit presidencial dhe kishin çuar në një debat të ashpër në avionin presidencial, ndërsa ai ndodhej në pistën e aeroportit të Hanoi-t.
“Debati ishte serioz. Ajo që ndodhi ishte një skenë private që u bë publike për shkak të një keqkuptimi. Në avion menduan se debati kishte përfunduar, por në fakt nuk kishte mbaruar ende”, përfundoi gazetari i Paris Match.
Pamjet e incidentit u përdorën gjerësisht në rrjetet sociale, veçanërisht nga llogari kritike ndaj presidentit francez. Episodi u komentua edhe nga Donald Trump. Në prill 2026, në një video të publikuar për pak kohë në kanalin YouTube të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan ironizoi Emmanuel Macron duke deklaruar se ai “po rikuperohej ende nga goditja që mori në nofull”.
“Gruaja e tij e trajton tmerrësisht keq”, shtoi Trump, gjatë një deklarate ku kritikonte edhe liderët e NATO-s për mungesën e mbështetjes ndaj SHBA-së në përballjen me Iranin.
Komentet e tij u cilësuan nga Emmanuel Macron si “as elegante dhe as të përshtatshme”.