Ç’kërkon më tepër ky njeri që quhet Neki Lulaj?
Një jetë të tërë e ka dashur fjalën shqipe, e ka përkëdhelur, e ka përqafuar. E ka publikuar shumë herë; këtë e ka bërë në sofrat e miqve, të familjes, në Kosovë, në Pejë, në Prishtinë, në mërgim. Se, për fatin e keq të shqiptarit, ajo na ka munguar.
Shumë herë, mjaft miq, poetë e mendimtarë, i kanë dhënë kurora të merituara fjalës së tij. Shumë herë ia kanë lënë pak emrin në dokumentet zyrtare dhe e quajnë “poet”. Më vjen mirë që, për më shumë se një dekadë, jam bërë pjesë e këtij ligjërimi të bukur.
Jemi bërë pjesë e halleve tona të përbashkëta dhe stacionet Tiranë, Boston, Gjermani kanë qenë thjesht emra simbolikë. Ai po bën një ligjërim që tashmë nuk ka vetëm pikë hyrëse Bërliqin, varret e të parëve dhe të trimave, por ka edhe frymëmarrjen e botës. Diku ai shkruan se poezitë dhe shkrimet e tij janë përkthyer në mjaft gjuhë të botës. Secili prej nesh nuk do ta dashurojë kaq shumë atdheun, flamurin, tokën, pragun, pa njohur atdheun lulian.
Po, po: atdheu lulian është balta e Bërliqit, mbetur te këpuca në çdo cep të botës ku ai shkon e do të shkojë. Është vrapimi pas xixëllonjave deri në orët e vona. Përgjakja e gjunjëve në rrugët e fëmijërisë. Është shkronjëzimi dhe poezia e parë që i dha një kurorë princërore dhe që do ta ndiqte atë tërë jetën. Është ajo përkëdhelje e shkronjës shqipe, edhe sot, kur dora e balli i janë rrudhur. Është përkëdhelja e shkronjës dhe e kopertinave të librave, që sot janë në qindra e mijëra shtëpi shqiptarësh në botë. Atdheu lulian është fjala shqipe në gojën e arbëreshëve, që kanë ruajtur këngët, vallet, urimet. Është grushti me thërrimet e bukës që mblidheshin në sofër pasi mbaronte darka. Është loti i nënave të Kosovës, që kanë përcjellë djemtë, apo kur i panë të kthyer në heronj lirie. Është klubi i fshatit, ku secili tregon hallet e mbjelljes së grurit për dimrin e egër. Është vrapimi i kuajve në livadhet e gjelbëruara të Kosovës. Është pllaka e varreve, ku përherë do të gjendet një lule për ta vënë. Është leshi i furkave të nënave, teksa thurin trikot e leshta për burrat e djemtë.
Është bekimi i pambaruar i Zotit.
Atdheu lulian është ai studenti i varfër, i dashuruar me diturinë, me ëndrrën e prindërve për t’i dhënë arsim e kulturë, por që i duhej të quhej “studenti me opinga” përballë shokëve dhe shoqeve që ishin veshur më mirë se ai, Është kërkëllima e mullirit të Bërliqit dhe gjëmimi i historisë që i vjen si një tupan i lashtë në jetë. Është studenti që ka jetuar romantikën e dashurisë, të dhëndërrisë, por edhe dhimbjen e ndarjes nga të afërmit. Është ai ballë i rrahur nga stuhia e dëborës apo nga dielli ulqinak.
Është ajo fjalë e kadifenjtë që e dëgjon në tryeza ku ai rrufit kafenë dhe e bën zemrën si sofër urimi për të gjithë mirëdashësit e tij për atë që e duan.
Dhe ti që ndodhesh para tij e falenderon me zë të lartë zotin që të ka dhënë një mik të mirë të besës për sot e për nesër.
Është ky atdhe lulian te ato ëndrra për më shumë dituri e begati për fëmijët e fëmijëve se ka kohë që ai jeton stinën e gjyshërimit të bukur që di se ç’t’ju tregojë se çfarë këshillash të japë për fëmijët.
Është atdheu lulian te fitorja e sfidave të jetës para të cilave secili që e njeh duhet të quhet “nxënës” i përjetshëm sot e mot.
Ka mentarinë e Nolit Konicës dhe jehonën e kitarave meksikane.
E të pëlqen shumë ky lloj atdheu.
Ka ndryshuar në kohëra. Nuk jeton sot bacë Halili dhe nëna Ajne të shohë këtë ndryshim po dhe atje në Mbetërinë e Parajsës ai gëzohet se bekimi i tij ka shkuar në vendin e duhur.
Ai ka pasionin e udhëtimeve. Kudo ku shkon ai lë pas vetes mbesa poezi emocione. Bën shkrime.
Në pamje të parë të duket se ti lexon disa hollësi që nuk i mban mend pasi e mbyll kopertinën e librit po secili e sheh shpirtërisht rrëfimin e tij. Dashurinë e tij për tokën për zilet e shkollës emocionet që e shoqërojnë në jetë të jetëve
Po i duhet bibliotekave shqipe një libër i tillë i Neki Lulajt.
Shumë gjejnë vetveten.
Shumë shohin të kaluarën. Bashkë me të vazhdojnë të ëndërrojnë ende.
Na duhet një atdhe lulian.
Boston janar 2026