Bashkim Fino ka qenë kryetar bashkie i Gjirokastrës në vitet 92-96 dhe viti i trazuar ’97 e gjeti të papunë. Por fati kishte rezervuar një moment kulmor për të si njeri dhe për karrierën e tij politike.
Burri shtatshkurtër ishte në fakt i vetmi emër nga radhët e socialistëve që presidenti i atëhershëm Sali Berisha pranoi ta kishte kryeministër të një qeverie të përbashkët që mori emrin “Qeveria e Pajtimit Kombëtar”.
“Të gjithë kishim armë, biles kishte një uri të çuditshme, njerëzit shkonin merrnin armë, arka me municione. Ishte një situatë gri, ngriheshe në mëngjes dhe kishe frike se nga çdo anë dëgjoje krisma. Dilje nga shpi me një frikë se çdo plumb qorr mund të të kapte. Ishte një gjendje skandaloze, mbyllesha në shtëpi, dëgjoja lajmet, i gjithë pallati bënte roje me radhë”- kujton Fino në intervistë të dhënë për këtë moment në gazetën Panorama në muajin Mars 2003, vetëm 6 vite pas marsit të vitit 1997.
Kishit armë ju?
Natyrisht. Ishte si një mode që në pallatin tonë të gjithë morën automatikë, pistoleta. Kur të gjithë marrin, atëherë çfarë të bëja unë?! Nën krevatin tim dopio ishin arkat me municion. Në katin e gjashtë të pallatit ku unë jetoja rrinte një dykëmbësh.
Dhe në këtë moment ju papritur u bëtë kryeministër i vendit…si ndodhi?
Pikërisht. Në një situatë të tillë, totalisht absurde, ndodhi kjo gjë. Atë natë po luaja tavëll me mikun tim të vjetër, Hito Hitën. Vajtëm në shtëpi sepse ishte më qetë, lokalet nuk ishin të sigurtë. Njerëzit vriteshin kot, rrinin me pistoletënë xhep si në filmat west. Bie telefoni. Del Namik Dokle i pari. Më thotë: Bashkim do të them një gjë, ti do të thuash se këtij i ka ikur mendja, por po të ishte për veten time do të pranoja.
Sikur unë të të propozoj për kryeministër, ti çfarë do të thuash? Unë i thashë- mos bëj shaka në telefon, kjo nuk është për të diskutuar, por më thuaj ndonjë gjë të veçantë që ne nuk e shohim në televizor. E ai më thotë se:“Kemi biseduar me Berishën, kemi pranuar që të bjerë qeveria Meksi, kemi arritur në konkluzion, po ndajmë vendet e kabinetit, por ne i kemi vënë kusht Berishës për emrin e kryeministrit. I thamë të vinte Fatos Nanon, i thamë për mua e të tjerë, por ai ka vënë kushtin që kryeministri të mos jetë anëtar i kryesisë së PS-së. Ndërsa për ty ai është dakord”.
Nga fundi i bisedës kuptova se Namiku fliste seriozisht sepse në fillim kisha dyshim. Nëna ime dhe gruaja po dëgjonin. E unë them se: Namik nuk mund t’i shmangem përgjegjësisë e të them që nuk vij, por është absurde sepse ka shokë më me shumë reputacion, nuk ka pse të vini deri tek unë.
Në në një moment të vetëm mendova se çfarë do të bëja, si do të sillesha, duke njohur kush ishte Berisha. Ishin shumë enigma që duheshin zgjidhur sepse unë vija nga Gjirokastra dhe nuk dija çfarë bëhej.
…Namiku më tha nuk do të jesh vetëm do të kesh shokët e partisë, por deri në orën 5.00 duhet kthyer përgjigje sepse pas kësaj ore i humb PS-së ky post. Fola me gjithë shokët e kryesisë në telefon, i fundit ishte Rexhep Meidani. Mbaj mend që ishte i ngjirur: ”Bashkim dua mendimin tënd, jam i lodhur nga gjithë këto takime”-më tha. Dakord- i thashë unë.
Ju ishin tashmë kryeministër si u ndjetë, si e priti familja?
Miku im tha; po hajt gëzuar kryeministër. Mua më erdhi për të qeshur në atë moment. Isha i veshur sportiv me tuta siç rri njeriu në shtëpi. Ashtu siç isha dola të përcillja Hiton matanë pallatit. Imagjinoni, momentin që unë dal s’kisha bërë as 20 metra rrugë dhe kur po kthesha në shtëpi dalin komshinjtë në ballkon duke më parë. Si duket shokët e PS-së kishin folur me Berishën, ai kishte panuar dhe lajmi ishte dhënë në BBC, në TVSH, dhe ata thonin me vete “ ky është Bashkimi që do të bëhet kryeministër apo s’është ky”. “Bashkim urime” më thonin nga ballkonet. Që nga ai moment dera e shtëpisë sime u hap, futeshin gjithë njerëzit, miq e dashamirës. Një lloj solidariteti. Erdhën me armë rrethuan shtëpinë me idenë se kryeministri është këtu.
Atë ditë hynin e dilnin gazetarë grekë, të BBC, etj. Kush e kush të merrte deklaratën e parë nga kryeministri i dekretuar. Në orën 7 e gjysëm më merr Berisha në telefon. Më uroi dhe më tha; Bashkim unë të dekretova kryeministër, të njoh. Nesër do të dërgoj një helikopter të ministrisë së Rendit që të vini në Tiranë. “Dua të më sigurosh që nuk goditet helikopteri’- i thashë. “Po e marr përsipër”- tha Berisha. Biseda ishte e shkurtër, e lamë të bisedojmë në Tiranë. Në telefon Berisha dukej shumë i vrarë, shumë i lodhur.
Familja ngeli e befasuar. Gjatë kohës që flisja në telefon u kërkoja me shenja që të më jepnin një ok-ej. Gruaja më thoshte; E di ti vendimin, unë nuk ndërhyj. Në fakt kur e kam pyetur më tha që nuk donte. Normalisht nuk donte, as ajo, as nëna. Unë isha çun i vetëm, as motër, as vëlla, babai i vdekur, kështu që njerëzit më të afërt në atë situatë me armë mendojnë më të keqen.
Çfarë ndodhi tjetër atë natë?
Orët e vona të asaj nate, mbaj mend se Preç Zogaj dhe Ridvan Peshkëpia ishin në Jug, ishin kundër kësaj qeverie. Ishin me protestuesit. Më thirrën në shtëpinë e oficerëve dhe unë shkova.
Duke më ngacmuar në sedër më thanë: “Kryeministër duan të bëhen të gjithë dhe mbase është një rast i veçantë për ty, por ti s’duhet të pranosh në këtë moment’. Unë i sqarova se nuk ishte fjala se unë doja të bëhesha kryeministër se në një situatë të tillë vetëm një i marrë mund ta marrë përsipër. Ju thashë se partia juaj ka firmosur për një qeveri të pajtimit kombëtar, nuk e kuptoj qëndrimin tuaj. Unë tashmë kam pranuar, por marr përsipër që shqetësimin tuaj t’ia përcjell partisë time në Tiranë.
Kështu, ajo natë ishte gjatë. Kam bërë gjumë të pakët. Në mëngjes kam marrë njëçantë të vogël me dy ndërresa sikur po shkoja me shërbim në Tiranë për 2-3 ditë. U nisa për tek helikopteri. Më kanë bërë një përcjellje vërtet dinjitoze që më kanë lënë të shokuar. Ishin rreth 300 burra të armatosur. U takova me ta duke më thënë; “mos na harro”. Kuptohet, kishte lloj-lloj njerëzish. Me pilotët kam bërë një bisedë shumë interesante gjatë rrugës, më thanë që kishin ardhur të merrnin Nanon para ca ditësh nga burgu i Bënçës dhe e çuan në burgun e Tiranës. Më thanë se Nano kishte bërë shaka me ta gjithë rrugës.
Si ishte ndarja me familjen?
Familja ime nuk ndërhyri në vendimin tim dhe atë mëngjes duke parë atë bohçen e vogël me plaçka dukej sikur u thoja: shiko se do të shkoj, po do vij prapë. Ka qenë një ndarje që kishte brenda shumë shqetësim. Gruaja dhe nëna nuk arritën të më thonin; po bën gabim që po shkon, nuk donin të më ngarkonin me këtë emocion shumë të madh. Por dukej sikur më thonin: “A mendon për ne, si na le ne këtu, çfarë na le në fund të fundit?” Fëmijët i kisha të vegjël, nuk kuptonin se çfarë po ndodhte.
Ku u vendosët në Tiranë?
Natën e parë fjeta tek xhaxhai, pastaj në vilën 30. Nuk mund të bëhej fjalë për jetë private. Merresha me politikë 24 orë. Shkoja në vilën 30 në orën dy apo tre të natës. Zakonisht flija si ushtarët e gatshëm. Mund të hiqja këpucët, por flija i veshur dhe gati. Telefonat rrinin hapur për çdo gjë…
Ju njiheshit më parë me Berishën, a ka një arsye të qartë se pse ai ju zgjodhi pikërish ju?
Njihesha më parë në mënyrë shumë institucionale. Kur kam qenë kryetar bashkie e kam pritur disa herë presidentin Berisha. Kam treguar civilizim, në një kohë kur shumë kryetar bashkie të tjerë të PS-së nuk merrnin pjesë në aktivitete ku ishte Berisha.
Muajt e qeverisjes tuaj si i kujtoni? Marrëdhëniet me Berishën? A mendoni se shumë gjëra mund t’i bënit më mirë?
Unë jam munduar të jem sa më institucional me Berishën. Nëse kërkoni gazetat e asaj kohe nuk do të gjeni asnjë thënie që kryeministri Fino të ketë fyer presidentin, apo të bëjë luftë politike me Berishën. Nuk e kam bërë këtë për dy qëllime. E para nuk duhet të ngatërroja punët e kryeministrit me atë të presidentit, që për herë të parë ishin një i PS-së, një i PD-së. Së dyti, fansat e mi ishin të shumtë, po të mendonim se kishim një shumicë në parlament që e donin Berishën. Unë doja të reflektoja tek ata se unë nuk kam ardhur këtu të marr revanshin ndaj Berishës, por kam ardhur të bëj qeveri të pajtimit kombëtar për të minimizuar në maksimum luftën civile.
Diçka të shpërthente mes PS-së dhe PD-së dhe në të vërtetë shpërthente lufta civile. Kjo ishte thembra e Akilit, që luftojaçdo ditëtë mos ndodhte. Por unë jam i dëshpëruar që gjatë qeverisjes time pati shumë të plagosur, të vrarë.
Si erdhi çarja mes jush dhe Berishës?
Pas fitores së PS-së në zgjedhje, mbaj mend që një natë Saliu merr në telefon vonë dhe më thotë se: “Bashkim kam të dhëna se do të shpërthejnë Bankën e Shqipërisë dhe do të nxjerr Gardën e Republikës që të patrullojë”. Kjo ka qenë fjalia për të cilën kemi bërë debat një orë. Jemi zënë si rrugaçë me njëri-tjetrin.
I kam thënë: Unë do të dal nesër t’u them njerëzve se Berisha po bën grusht shteti. Do të njoftoj faktorin ndërkombëtar”. Ishte një debat që kaloi fjalorin etik mes një kryeministri dhe presidenti. Unë dhe shokët e mi socialistë jemi shqetësuar dhe kemi bërë telefonata tërë natën me gjithë përfaqësuesit diplomatikë duke nisur nga Ollbrajti, Prodi, Vranicki, Simitisi. Nga ora tre e natës u qetësua gjendja. Të gjitha ata bënë telefonata me Berishën duke i thënë se do të mbajë përgjegjësi për një gjë të tillë. Presioni ndërkombëtar ishte i jashtëzakonshëm.
Të nesërmen kam dhënë një konferencë për shtyp ku i kam thënë popullit të Tiranës se “keni bërë gjumë të qetë, por atë do t’ua prishte Berisha”. Pas këtij momenti Berisha më thirri në zyrë dhe më kërkoi të bëhesha prapë kryeministër. I thashë: ”Mos bëj hipokrizi me mua, roli ynë tashmë mbaroi”.
******
Associated Press, si çdo media botërore i kushtoi një vëmendje ngjarje në Shqipëri dhe revoltave. Ajo nxjerr pamjet kur më 9 mars, Bashkim Fino shkoi në Presidencë, ku Berisha ishte ngujuar në zyrën e tij.
Në këto pamje, Fino takimin me Berishën në president, e realizoi pasi u takua me drejtuesit socialistë, Rexhep Meidani, Pandeli Majko, Arta Dade.
Më pas AP-ja merr dhe opinionet e para të familjarëve të Finos në Gjirokastër, bashkëshortes dhe nënës së tij mbi detyrën e vështirë të të birit.
Artikulli i plotë i AP-së
Revolta në rritje e Shqipërisë u afrua afër kryeqytetit të Mërkurën pavarësisht emërimit të një Kryeministri të ri i cili është nga territori i kontrolluar nga kryengritësit.
Presidenti Sali Berisha emëroi Bashkim Fino, një ekonomist nga qyteti jugor i Gjirokastrës, tani në duart e rebelëve.
Fino zëvendëson Aleksandër Meksin e Partisë Demokratike, i cili kohët e fundit dha dorëheqjen nga posti. Në Gjirokastër, familja e Finos foli për të dhe sfidat që priten si kryeministri i ri i Shqipërisë.
Kryeministri i ri shqiptar, Bashkim Fino i Partisë Socialiste kryesore të opozitës, thotë se ai shpreson që emërimi i tij të jetë hapi i parë për të gjetur një rrugëdalje nga kriza që ka mbërthyer vendin.
Në kryeqytetin e Tiranës, Fino u takua me Presidentin Sali Berisha përpara se të udhëtonte në selinë e Partisë Socialiste, ku u takua me Rexhep Meidanin, Sekretarin e Përgjithshëm të asaj Partie.
Fino, 35 vjeç, është një ish-kryetar i Bashkisë Gjirokastër, një qytet i madh i kontrolluar nga kryengritësit.
Berisha shpreson që emërimi do të ndihmojë në përfundimin e sundimit kryengritës në jug, por rebelët kanë përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqjen e Berishës.
“Jugu dhe veriu janë të bashkuar në një gjë, ne do të përpiqemi t’i bëjmë njerëzit të punojnë dhe të flasin me njëri-tjetrin për të qëndruar afër njëri-tjetrit dhe jo për të folur me gjuhën e tankeve dhe armëve”, deklaronte Fino në takimin me zyrtarët socialistë.
“Kjo qeveri duhet të hapë një dialog me rebelët, për t’u kërkuar atyre që të dorëzojnë armët me iniciativën e tyre. Ne nuk mund ta bëjmë këtë duke dhënë urdhra.”
Kjo është shtëpia e përulur e kryeministrit të ri në Gjirokastër. Familja e tij flasin për emërtimin e ri të Finos – nëna e tij tha se ishte krenare, ndërsa gruaja e tij shprehu shqetësim për situatën në vend.
“Sipas mendimit tim, unë mendoj se nëse është e mundur të jesh kryeministër duhet ta bësh situatën më të qetë dhe t’i bësh njerëzit të heqin dorë nga armët e tyre dhe t’u bëjnë thirrje të gjitha partive politike për të gjetur një zgjidhje”, shprehet Diana Fino, e gruaja e Kryeministrit të ri.
“Unë mendoj se ai ka mbështetjen e Gjirokastrës dhe të gjithë njerëzve sepse ai ishte kryetari i bashkisë së qytetit dhe gjatë asaj kohe ishte shumë i suksesshëm”, deklaron Rezmo Fino, nëna e re e Kryeministrit./dita
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë ditës njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vënë re vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
Ndonëse njofton se po i vëzhgojnë me kujdes lëvizjet, kryeministri Kurti thotë se ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake serbe, nuk është normal, transmeton klankosova.tv.
“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar. Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.
Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shkruan Kurti.
Kryeministri Edi Rama ka replikuar sot me gazetaren e politikës, Ambrozia Meta. Teksa kreu i qeverisë shqiptare jepte një deklaratë për mediat, gazetarja e pyeti për investimin në ishullin e Sazanit, nga dhëndri ish-presidentit Donald Trump. Në fund të deklaratës, Rama ka tentuar të prekë te faqja gazetaren, ndërsa kjo e fundit e ka paralajmëruar që mos ta bënte këtë gjë, ndërsa ka lëvizur me shpejtësi kokën.
REPLIKAT
Gazetarja: A do të jetë e njëjta kontratë si me atë të Portit të Durrësit, ku falen tokat, dhe taksat…
Rama: Latinët kanë një shprehje; Padia nuk është argument.
Gazetarja: Ju lutem një shifër sa fitojnë shqiptarët….
Rama: Shqiptarët nga gjithçka ne po bëjmë, po fitojnë këtë proces. Do të fitojnë në këtë proces. Nxitja e këtyre zhvillimeve, realizimi i këtyre zhvillimeve, pasuron shqiptarët, Shqipërinë, rrit ekonominë e saj. Injoranca nuk ka argument.
Gazetarja: A ka bërë shteti shqiptar një studim se sa do të fitojnë shqiptarët?
Rama: Sot ne flasim për një Shqipëri që bëhet konkurruese. Të tjerat janë muhabete kot. Flasim për një aplikim që do ta shqyrtojmë sipas ligjit.
Gazetarja: A po mendoni që t’i falni taksat?
Rama nuk i përgjigjet
Gazetarja: Në portin e Durrësit nuk ka investim, po shiten pallatet në gropë….
Rama: Shko shifi (Tenton ta prekë në fytyrë) Gazetarja: Jo ju lutem, mos më prekni më!
Kryeministri Edi Rama shënoi një tjetër skandal sot, pasi shtyu gazetaren e SYRI TV, Ambrozia Meta, e cila po i bënte pyetje.
Rama nuk e duroi pyetjen dhe përdori kontakt fizik ndaj gazetares, e cila po kërkonte llogari se përse paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë për portin e ri, ndërsa në portin aktual të Durrësit po shiten në ajër apartamentet e një investitori privat.
“Ju lutem mos më prekni më,” iu drejtua gazetarja, ndërsa Rama u largua pas incidentit fizik.
Luftëtarët e Brigadës së 80-të të ushtrisë ukrainase, kanë arritur të shkatërrojnë autokolonën e autoblindave dhe tankeve ruse në një pritë të organizuar në afërsi të Bakhmutit.
Rusët ia kishin mësyrë pozicioneve të ukrainasve, me shumë tanke, autoblinda e makineri tjetër të rëndë, duke mos e ditur se ata po i vëzhgonin dhe se ishin në dijeni të çdo lëvizje të tyre.
Sapo ranë në kurthin e ukrainasve, ushtarët e Volodymyr Zelensky njoftuan njësitë artilerike, që filluan ta godasin rëndë autokolonën ruse.
Shumica e mjeteve u shkatërruan plotësisht, kur ata ushtarë që i mbijetuan sulmin, shiheshin duke vrapuar drejt një zone malore.
Pamjet e filmuar nga ajri tregojnë momentin kur artileria i godet autoblindat ruse që po digjeshin, dhe personeli ushtarak që zbriste nga to me shpresën se do t’i shpëtojnë më të keqes.bw
Vitin e kaluar treguam vuajtjet e fëmijëve të fshatit Blerim në Pukë që kalonin mes pyllit me egërsira dhe në ura të shkatërruara duke ecur 2 orë për të shkuar në shkollë me këmbë.
Piranja Kamila Xhakaj këtë vit ka shkuar në Burrel, në fshatin Frankth që është një problematikë e ngjashme. Në lagjen Ballsh ku jetojnë vetëm 5 familje, 8 fëmijë ecin me orë të tëra për t’u shkolluar në Burrel, sepse shkolla e fshatit të tyre është në kushte skandaloze dhe rruga për atje nuk është aspak e mire.
‘S’kemi asnjë lloj rruge për të çuar fëmijët në shkollë. Nuk ka rrugë nga fshati tjetër, përveç pyllit, as furgon, as në këmbë. Bashkia e Matit na ka gënjyer, 100 herë i kemi telefonuar dhe nuk janë përgjigjur’, thotë një nga prindërit.
Problem të madh ka dhe në kalimin e këtyre vështirësive, pasi ka dhe kafshë të egra. ‘Ka një lum para, ka një përrua. Fëmijët kanë shumë vështirësi, pasi ka dhe kafshë të egra përpara nesh’, thonë prindërit.
Gazetarja Kamila Xhakaj bëri rrugën me fëmijët dhe prindërit e tyre duke treguar hap pas hapi të gjitha vështirësitë që kalonin këta fëmijë dhe familjet e tyre në sfidën e përditshme për t’u shkolluar.
Situatat gjatë rrugës janë nga më të ndryshmet dhe ky intinerat duket shumë lodhës, por fëmijët janë të detyruar ta bëjnë çdo ditë. Këtë vit ka pasur dhe një heqje të bonusit të transportit duke i dëmtuar dhe ekonomikisht këta familje.
Piranja kontaktoi dhe me kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj, duke e vendosur në dijeni për rastin. Ky i fundit e pret pa dëshirë të madhe, por më pas premton se do ta zgjidhë problematikën.
Analisti amerikan, Edward Joseph, profesor i universitetit ‘John Hopkins’, i ftuar në edicionin qëndror të lajmeve nga gazetarja Armela Ferko në SYRI TV, foli edhe për vizitën e Blinken-it në Tiranë dhe shmangien e takimeve me opozitën.
Joseph tha se ishte e gabuar që Sekretari i Shtetit nuk takoi përfaqësuesit e opozitës gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe se SHBA e humbi mundësin që të takonte të gjitha palët dhe t’i jepte jehonë parimeve të demokracisë.
Blinken humbi shansin; Duhej të fliste për demokracinë, duhej të takonte opozitën, duhej të fliste për zgjedhje të lira e të ndershme, SHBA kanë interes për demokraci aktive dhe konkuruese, ka theksuar profesori i shquar i universiteti ‘John Hopkins’ dhe njohës shumë i mirë i rajonit të Ballkanit.
Intervista:
Unë nuk i kritikoj gjithmonë Shtetet e Bashkuara. Administrata Biden ka gabimet e veta, Sekretari i Shtetit Blinken është i përfshirë në mënyrë aktive në rajon.
Shohim korrespondencën e tij, vizitën e fundit që bëri në Tiranë ku sekretari Blinken shprehu mbështetjen dhe mirënjohjen për Shqipërinë për mbështetjen që i ka dhënë SHBA-së.
Kryeministri Rama sigurisht që i meriton këto lëvdata, por ajo çka duhet të shohim nga Shtetet e Bashkuara është që të ngrenë zërin në emër të demokracisë. Sekretari Blinken duhet të ishte takuar me anëtarët e opozitës. Duhet tja kishte bërë të qartë kryeministrit Rama se janë të domosdoshëme zgjedhjet konkuruese, të drejta transparente sepse janë hallka thelbësore e demokracisë.
Duhet një parlament funksional ku të këshillohet, të ketë diskutime sepse kjo përbën thelbin e demokracisë. Shtetet e Bashkuara besojnë në një demokraci konkuruese dhe aktive. Partitë politike mund të kritikojnë lehtësisht situatën dhe në mediat të ketë të njëjtin akses . Ky ishte gabim nga ana e Blinkenit sepse SHBA e humbi mundësinë në vizitën në Tiranë për të takuar të gjitha palët, jo vetëm zotin Rama, në mënyrë që ti jepte johonë parimeve demokratike.
E rrethuar nga pllakat e gurta dhe rrëfimet e lashta, Shtëpia Kadare, është një pikë reference për lexuesit dhe dashamirësit e kulturës shqiptare.
Statistikat e fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve në Muzeun Kadare në Gjirokastër. Për turistët që vijnë në Gjirokastër, Muzeu Kadare ofron një eksperiencë të thellë kulturore dhe historike.
Ata mund të eksplorojnë ambientin ku shkrimtari i madh kaloi fëmijërinë dhe të zbulojnë kontekstin historik dhe kulturor të Gjirokastrës.
Me elemente nga “Kronike në Gur”, ky muze ofron një udhëtim emocionues dhe frymëzues në botën e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit të kaluar.
Në këtë 88-vjetor të ditëlindjes së shkrimtarit ne ju ftojmë të ndiqni një speciale mbi shtëpinë Kadare në Gjirokastër përgatitur nga gazetarja Brikena Metaj.”
Ashtu sikurse në seancën e shkuar, edhe në seancën e sotme deputetët e opozitës po përplasen me punonjësit e Gardës së Republikës, të cilës nuk lejojnë deputetët opozitar të hyjnë.
Deputetja Albana Vokshi ka hyrë me forcë brenda, ndërsa është ndjekur edhe nga deputetët e tjerë demokratë.
Në Shqipëri 4 vjet pas tërmetit që shkaktoi 51 vikima dhe mbi 1 miliardë euro dëme përgjegjësitë për dëmet mbeten të paqarta. Autorët e dyshuar të abuzimeve që mendohet se thelluan pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore, në disa raste ende nuk janë zbuluar, ndërsa në pjesën më të madhe vijojnë të përballen me drejtësinë. Sipas dokumentave të siguruara nga Zëri i Amerikës nga proçeset e hetimit dhe gjykimit, dhjetra zyrtarë dhe ish zyrtarë lokalë, janë nën akuzë për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe vrasje nga pakujdesia. Ndërkaq edhe programi i rindërtimit, është shoqëruar me kritika për proçedurat e tenderimit.
Proçeset hetimore të nisura në Shqipëri pas tërmetit vdekjeprurës të nëntorit të vitit 2019, sipas një analize të Zërit të Amerikës, japin një pamje të paqartë të përgjegjësive ligjore për një pjesë të banesave të shkatërruara.
Tërmeti shkaktoi 51 viktima, 50 prej të cilave në Durrës dhe Krujë. Në të dy qytetet filluan hetimet nën dyshimet për abuzime nga zyrtarë lokalë, ndërtues dhe inxhinierë.
Zyrtari më i lartë që po përballet me drejtësinë për këto pasoja është Vangjush Dako, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit. Ai u arrestua në qershor të këtij viti dhe akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre lidhur me proçedurat për ndërtimin e një pallati të dëmtuar nga tërmeti. Bashkë me të në gjykatën e posaçme, prokuroria dërgoi për gjykim edhe ndërtuesin si dhe disa zyrtarë dhe ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Zëri i Amerikës, prokuroria e Durrësit dhe Krujës kanë hetuar rreth 20 të pandehur nën akuzat për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe vrasje nga pakujdesia.
Në zonën e Durrësit, ku humbën jetën 26 qytetarë, prokuroria dërgoi për gjykim 16 persona.
Nga të dhënat e dosjeve të gjykimit, mes tyre janë një sërë zyrtarësh, në sektorin e legalizimeve, të inspektimit të ndërtimeve, të kadastrës si dhe ndërtues e inxhinierë. Prokuroria kërkoi arrest me burg për të gjithë. Gjykata e la këtë masë vetëm për 4 të pandehur, ndërsa për 12 të tjerët vendosi gjatë hetimeve detyrim paraqitje.
Organi i akuzës kishte kërkuar dënime nga 1deri në dy vjet burg, për 16 të pandehurit. Sot rezulton se 4 prej tyre janë shpallur të pafajshëm dhe 5 fajtorë. Prej të dënuarve, vetëm dy kanë kryer dënime me burg sipas kërkesës së prokurorisë, ndërsa për tre të tjerët, gjykata vendosi shërbim prove, ose punë të detyruar. Këto vendime janë apeluar si nga individët ashtu dhe nga prokuroria.
Për 7 të akuzuarit e tjerë, hetimet për dy janë pezulluar për shkak të hetimit në mungesë, dy kanë ndërruar jetë dhe për dy të tjerë, gjyqi nuk pas përfunduar ende në shkallën e parë në Durrës. Ndërsa për të dyshuarin e 7 hetimet janë pushuar.
Në Gjykatën e Apelit, sot ka një dosje voluminoze lidhur me këtë çështje dhe gjasat që ajo të merret në shqyrtim janë të pakta për shkak të numrit të lartë të dosjeve, mbi 37 mijë që presin shqyrtim.
“Për mua është një çështje e mbyllur. Në Gjykatën e Apelit ka 37 mijë dosje. Kjo gjykatë nuk ka asnjë nxitim për të shqyrtuar këto çështje, kur ka dhjetra të tjera ku rrezikohen afatet e paraburgimit për njerëz të botës së krimit, apo kur ka interesa të fëmijëve apo personave të moshuar, të cilët mund të presin nga gjykata aspekte të cakuara. Mendoj se nuk do të ketë asnjë surprizë, dhe në vendimin e Gjykatës së Apelit, por dhe në Gjykatën e Lartë”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Klodiana Lala, gazetare.
Zona tjetër më e dëmtuar nga tërmeti ishte Thumana me 24 viktima. Edhe prokuoria e Krujës regjistroi 12 proçedime penale.
Një prej tyrelidhet me përgjegjësitë për shembjen e dy pallateve në Thumanë ku humbën jetën 24 personat. Kjo çështje është në hetim dhe ende nuk ka asnjë të akuzuar.
“Ka patur një dyshim të fortë që dy pallatet mund të ishin dëmtuar nga tërmeti i shtatorit të po atij viti. Kjo nuk u pranua asnjëherë nga institucionet. Është një hetim që nuk ka dhënë ende rezultate deri tani”- vijoi Klodiana Lala, gazetare.
Edhe për 5 procedime të tjera në lidhje me dëmtimet e disa pallateve dhe të një shkolle në zonën e Krujës ende nuk kanë autor.
5 procedime penale janë pushuar, ndërsa vijon hetimi dhe gjykimi për një proçedim me 5 shtetas, që akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash.
Ndërkaq edhe prokuroria e Tiranës, ku u regjistrua vetëm një viktimë nga tërmeti, ka marrë në hetim mbi 40 persona dhe ka dërguar për gjykim 14 prej tyre si dhe 4 shoqëri ndërtimi për ndërtim pa leje, falsifkim dokumentash dhe mashtrim.
Por edhe 4 vjet pas tërmetit, autorët e dyshuar për abuzimet që mendohet se thelluan pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore, në disa raste ende nuk janë zbuluar, ndërsa në pjesën më të madhe vijojnë të përballen me drejtësinë.
Rindërtimi
Veç viktimave, tërmeti shkaktoi edhe një dëm ekonomik prej më shumë se 1 miliard eurosh, gati sa një e katërta e buxhetit shtetit të vitit 2019.
Në shkurt të vitit 2020 konferenca e donatorëve në Bruksel ofroi 1 mld e 115 milionë euro, ndihma dhe kredi për përballimin e pasojave të tërmetit në Shqipëri.
Qeveria shqiptare miratoi një ligj të posaçëm dhe ngriti një Ministri të re, atë të rindërtimit, për të udhëhequr programin, i cili përfshin ndërtimin e objekteve të shkatërruara.
Në krye të saj ishte Arben Ahmetaj, deri në korrik të vitit 2022 kur u shkarkua nga detyra e Zv. Kryeministrit. Programi i rindërtimit kaloi në varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës. Zoti Ahmetaj, është në kërkim ndërkombëtar nën akuzë nga SPAK për korrupsion, pastrim parash, dhe fshehje të pasurisë. Hetimet ndaj tij nisën për rastin e inceneraorëve.
Sipas të dhënave zyrtare, kostoja totale e rindërtimit është llogaritur rreth 117 miliardë lekë ( rreth1 miliardë euro), prej tyre janë disbursuar rreth 80.6 miliardë lekë ( rreth 660 milionë euro) nga buxheti i shtetit ku përfshihen dhe 2.5 miliardë lekë grante të huaja ( rreth 21 milionë euro). Ndërkaq 8.5 miliardë lekë (mbi 70 milionë euro) janë paguar për bonusin e qerasë për familjet e dëmtuara.
Përfaqësues të opozitës janë kritikë dhe thonë se qeveria nuk arriti të thithë fonde mjaftueshëm nga konferenca e donatorëve.
“ Nga qeveria shqiptare ka patur mungesë angazhimi, mungesë dëshire le të themi dhe arrogancë për të marrë këto fonde me kredi të buta me norma interesi të buta duke preferuar të tenderonte nga buxheti i shtetit”- u shpreh për Zërin e Amerikës Jorida Tabaku, deputete e PD.
Gjatë një interpelance në parlament në mars të këtij viti Ministrja e Financave në atë kohë Delina Ibrahimaj shpjegoi arsyet e financimit më së shumti nga buxheti i shtetit për programin e rindërtimit.
“ Ne nuk i kemi thënë jo kredive. Shumica e kredive që u vunë në dispozicion në konferencën e donatorëve ishin kredi që do të rialokoheshin drejt rindërtimit. Një nga arsyet pse proçesi i rindërtimit u financua nga fondet e buxhetit të shtetit lidhej me nevojën për të ndërhyrë në mënyrë emergjente”- argumentoi Delina Ibrahimaj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë në mars të këtij viti.
Nga ana tjetër ekspertë të financave publike i kanë kritikuar proçedurat e përshpejtuara për tenderat e programit të rindërtimit, që sipas tyre shmangin garën dhe rrisin mundësinë për klientelizëm. Open Data Albania e mbështetur nga 28 deputetë të opozitës e paditi në Gjykatë Kushtetuese aktin normativ me fuqinë e ligjit ku mbështetej ky program, por gjykata në korrik të vitit 2022 nuk kishte numrin e mjaftueshëm të gjyqtarëve për vendimarrje dhe ankesa u konsiderua e rrëzuar. Zyrtarët nuk i pranojnë kritikat se në proçesin e tenderimeve për programin e rindërtimit ka favorizime dhe klientelizëm, por disa zhvillime të kohëve të fundit në fushën e hetimit hedhin dyshime të reja.
Në aktin normativ parashikohet skualifikimi e çdo operatori ekonomik nëse është ose ka qenë dënuar me vendim të formës së prerë për një sërë veprash penale përfshirë edhe krimet në fushën e narkotikëve. Por ky parashikim në ligj, siç shprehet drejtorja ekzekutive e Open Data Albania Aranita Brahaj, dyshohet se është shkelur.
“SPAK e ka dhënë një vendim, një urdhër dhe gjykata e ka miratuar. Është rasti i një shtetasi në kërkim ndërkombëtar. Ishte i dënuar në Spanjë për krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtar të lënëdëve narkotike, i cili kishte biznese në Shqipëri. Në momentin kur filluan tenderimet e rindërtimit kjo kompani përfitoi disa kontrata të rëndësishme në dy bashki kryesore të vendit. Gjithashtu gjatë këtij viti ne kemi dhe një padi tjetër, e cila ka shkuar në SPAK nga PD. Ka të listuar aty një numër të madh tenderash të rindërtimit dhe i kërkon prokurorisë të hetojnë nëse këtu jemi në kushtet kur paratë e kontratave publike janë përdorur edhe për të ndihmuar kompani, të cilat janë në biznes edhe për të pastruar produkte të veprave penale”- u shpreh për Zërin e Amerikës Aranita Brahaj, drejtore ekzekutive e Open Data Albania.
Programi i rindërtimit ende nuk ka përfunduar dhe siç njoftojnë autoritetet janë disbursuar 80% e fondeve të parashikuara për të. Të pyetur nga Zëri i Amerikës për një afat se kur mendohet të përmbyllet, Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, thanë se ai është dinamik dhe se nuk mund të parashikojnë një afat.
Partitë opozitare në Kosovë thanë se e kanë marrë projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga diplomatët perëndimorë, dhe i cili po mbahej nën një vello fshehtësie që nga 21 tetori, kur u ishte paraqitur udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Asnjëra nga partitë nuk bëri komente të menjëhershme rreth përmbajtjes së projekt statutit i cili përcakton rolin dhe përgjegjësitë e Asociacionit.
Hartuesit e tij që në hyrje u referohen dokumenteve ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës dhe respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe tërësisë tokësore të saj.
Në dokument thuhet se synimi kryesor është krijimi i mundësive për komunitetin serb që të përfitojë nga të drejtat e caktuara dhe përgjegjësitë komunale, tashmë të përfshira në Kushtetutë dhe ligjet tjera në fuqi.
“Asociacioni, i themeluar me këtë statut siguron një kuadër vetëmenaxhues për komunitetin serb brenda vetëqeverisjes lokale aktuale dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare të saj. Kuadri përfshin mbështetjen e ofrimit të bashkërenduar të shërbimeve në fusha të caktuara, mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të komunikimit të drejtpërdrejtë për komunitetin serb me qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal”, thuhet në dokument.
Asociacioni, thuhet mes tjerash do të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb të Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe nuk do të zëvendësojë, përjashtojë, ose zvogëlojë të drejtat dhe interesat e subjekteve të tjera juridike, që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës.
Po ashtu, thuhet në dokument, Asociacioni në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësojë ose dëmtojë marrëdhëniet kushtetuese dhe juridike ndërmjet autoriteteve qendrore dhe vendore në Kosovë.
Ky statut thuhet më tej rregullon përgjegjësitë, fushëveprimin, organizimin dhe funksionimin e organeve dhe të të gjitha punëve tjera të Asociacionit dhe ai do t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit.
Jo më vonë se 45 ditë nga shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese Asociacioni duhet të mblidhet për të zgjedhur pos tjerash udhëheqjen e kuvendit të tij si dhe presidentin dhe zëvendëspresidentin e Asociacionit, i cili siç thuhet, mund të zhbëhet vetëm me votën ne dy të tretave të delegatëve të tij. Ai do të ketë po ashtu këshillin drejtues që i ngjan një trupi qeverisës.
Asociacioni do të ketë simbolet e tij zyrtare, të cilat mund të përbëhen nga një flamur dhe një stemë dhe mund të përdoren vetëm krahas simboleve shtetërore të Kosovës.
Projekt statuti i njeh të drejtën Asociacionit që të bashkëpunojë edhe me agjencitë qeveritare në Serbi në formën e ofrimit të financave dhe ndihmës teknike, përfshirë pajisjet. Kjo mbështetje nga Serbia do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes dhe auditimit nga autoritetet qendrore.
Po ashtu, dokumenti i njeh të drejtën Asociacionit të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me të tjera asociacione vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera, në përputhje me ligjet në fuqi.
Asociacioni do të menaxhojë institucionet e arsimit dhe shëndetësisë, që financohen drejtpërdrejt nga Serbia, ndërsa kryetarët e komunave në veri të Kosovës do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për postin e komandantit Rajonal të policisë.
Dy vitet e para të funksionimit të asociacionit do të vëzhgohen nga Bashkimi Evropian i cili do të vazhdojë ta bëjë këtë punë edhe më pas, nëse Asociacioni dhe Qeveria e Kosovës nuk vendosin ndryshe.
Projekt statuti parasheh po ashtu që çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore që nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, do të trajtohet nga një komision arbitrazhi.
Teksti përfshinë edhe hollësi të tjera rreth funksionimit dhe përgjegjësive të Asociacionit, i cili mund të pësojë ndryshime përgjatë negociatave, vazhdimi i të cilave mund të zvarritet për shkak të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, që mbahen me 17 dhjetor.
Propozimi për projekt statutin u është dorëzuar palëve me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. Më 26 tetor udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian takuan ndarazi në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar rrugën përpara drejt normalizimit, duke i kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin, por akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi të nënshkruante. Presidenti serb tha ndërkaq se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme, por hodhi poshtë çdo mundësi të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Çështja e Asociacionit është Thembra e Akilit në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Palët në vitin 2013 u morën vesh për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.
Themelimi i Asociacionit është detyrim i përfshirë në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit që u arrit më herët gjatë këtij viti, e cila synonte të ulte tensionet ndërmjet palëve, të cilat që atëherë u përkeqësuan duke arritur një pikë të lartë në fund të muajit shtator pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.
Sulmi nxiti përpjekje të reja perëndimore për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve, mes palëve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon.
Komentet