A është normale që drejtues institutesh universitare, shkencore dhe të njësive departamentale që kanë marrë titullin profesor vetëm me doktoraturën, në kundërshtim me ligjin, të vazhdojnë të jenë të qetë dhe përtej afateve ligjore të drejtimit administrativ në vendimarrje?
A është e pranueshme që për më shumë se 20 vite të jenë shpenzuar para publike për të përfunduar, në mënyra “shkel e shko”, një botim të dytë ose të ngjashëm, për të cilin shteti ka mbajtur për 15 vite barrën e financimit nga buxheti publik pa marrë ende rezultatin, ndërsa llogaridhënia dhe përgjegjësia të jetë zero?
A është e justifikueshme që, pa realizuar një punë të dytë shkencore të mirëfilltë, të njëjtët individë të vazhdojnë të qëndrojnë në drejtim dhe të zënë vendet drejtuese në bordet botuese?
Dhe a është normale që, në vend që të merren me përmbushjen e detyrimeve kontraktuale, përfaqësuesit e stanjacionit të merren me vëzhgimin dhe pengimin e kujtdo që punon, duke gjetur artifica të pakuptimta dhe arsyetime sofiste për bllokimin e veprimtarisë shkencore dhe botuese të kujtdo që kërkon të punojë?
Përballë rasteve të tilla, a nuk është koha që institucionet shkencore dhe universitare të vendosin mekanizma të qartë vlerësimi periodik të performancës dhe transparence në përdorimin e fondeve publike, në mënyrë që drejtimi akademik të lidhet me kontributin real në kërkim dhe jo me inercinë institucionale të kopsitjes së proceseve emëruese dhe zgjedhore?
A duhet të çlirohen institucionet nga ky ngërç i komandës së punëve, nga kjo vendosje përmbysëse e meritokracisë, nga pengmarrja prej bjerraditjes dhe obstruksionizmit?