VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Nga muza e poetit AGIM DESKU

By | October 17, 2021
blank

Komentet

blank

Kreshnikët – Poezi nga YMER LLUGALIU

 

Kush tha se kanë vdek kreshnikët.
Kurrë mos besoni .
Me sytë e mij e kam pa Gjergj Elez  Berishën t’ue dal nga
Shpella e  Drangojve.
Mbas nandë vitesh me nandë plagë gjysë të sherueme në shtat.
I ka hyp Doris dhe ka dal në Mejdan kundër Bajlozit, që ia ka shterr bunimet Arbanis.
Çupurlinat ia kishte shpërnda haremeve të botës,fëmijët me lot nëpër faqe lypsar
mëshire nga të pamëshirët.

Lisat ma krenar i kishte shemb për dhé për një karrike.
Gjyses së atdheut ia kishte fut flaken,
T’ue përzhit e nxi në tym fytyrën e kombit.
Gjergj Elez Berisha me goditjen e parë topuz e hedh Bajlozin kucovllah tëngëling në humnerë.
Prej nga s’ka dal ma kurrë.

E kam pa me sytë e mij si Gjergji u ba Mujo e Doria Pegaz.
Ka fluturue Muji mbi shpinë të Pegazit Veri-Jug e Jug-Veri,
Lindje- Perëndim, Deti-Malsi,E kam pa me sytë e mij;Gjergji si u ba Muj e Muji Berishë,
E Berisha Superman.

E kam pa Supermanin nëpërmes lehjes së zagarve t’ue i shemb malet,
T’ue i tejshpua Vargmalet, t’ue i sheshue humnerat .

Gjergj Elez Alia u ba Muj,
E Gjeto Basho Muji u ba Berishë.

Berisha i bashkoi fiset, i shtroi vllaznit në nji sofër.
Vllaznit qe nji shekull pa u pa mesveti.

Tanushën e kam pa veshun në të bardha, mbi kalldrëm të Rozafatit,

Përpara Kullës së Orës në Sheshin Skënderbe.
E zemra m’u ba mal !
Po ringjallet Shqiptaria .

 

Elbasan, Gusht 1993

blank

PAFUNDËSI – Poezi nga GIACOMO LEOPARDI – Përktheu ROLAND GJOZA

E kam dashur gjjithmonë këtë kodër të qetë
Këtë gjelbërim të dendur, që pothuajse ma mbyll
Pamjen për të parë fundin e horizontit.
Qëndroj përballë saj, e pafundme
Hapësira përtej, absolute heshtja dhe
Qetësia e paskaj, aq sa
Të vjen të mendosh; se këtu zemra s’mund të ketë frikë.
Dhe më trand një fërrmitje fletësh, një zë
Prej pafundësisë së heshtjes, që më duket se
Është përjetësia vetë, stinët e vdekura dhe
E tanishmja dhe jeta dhe zëri i saj. Dhe midis
Kësaj pafundësie më kaplon mendimi;
Dhe mbytja e anijes duket e ëmbël në këtë det.

blank

PËR MUA MË MIRË TË ISHA ZOG – Poezi nga ALDA MERINI – Përktheu ROLAND GJOZA

Për mua më mirë të isha zog
me bark të bardhë e pendë të ngrohtë
por dikush do t’ma priste fytin
nuk di përse, ndoshta pa shkak
vetëm sa për të qeshur, ha, ha, ha..
Për mua më mirë të isha albatros
të fluturoja mbi dete e oqeane
por dikush do t’m’i priste krahët
pa kërkuar falje, ashtu më kot
po edhe e shtrirë përtokë, në agoni
unë do të këndoja për ju
këngët e mia të dashurisë

blank

POEZI E VJETËR – Poezi nga CHARLES BUKOWSKI – Përktheu ROLAND GJOZA

 

kjo është një poezi e vjetër
e një djaloshi plak.

keni kaq kohë
që e keni dëgjuar

jam ulur këtu
sërish
i dehur

tavlla plot

shishe rreth e rrotull

poezi të shpërndara
në dysheme

ndërsa nata shkon drejt agimit
unë bëj të njëjtën punë
shtyp e shtyp
me gabime
dhe

bulkthat kanë kohë
që flenë

baret
janë mbyllur
gjithashtu

Li Po duhet t’i ketë kaluar
të gjitha këto përvoja
si unë

përshëndetje, Li Po, ti
provues i krisur
i barërave dehëse
bota vazhdon të jetë
e mbushur plot
me zemërim
dhe
dëshpërim mbytës

ti e dije mirë ç’duhej bërë
me poezinë
i vije zjarrin
dhe e lije të lundronte
poshtë në lumë
ndërsa perandori qante për këtë
humbje

( por ti dhe unë
e dimë fare mirë
se kjo është
pjesa më e natyrshme
e kësaj loje )

dhe ky çast është
tani
dhe
për fat
kam një pije
atje majtas
në dysheme
midis poezive
përmes tymit
bie mbi tavëll
bytha më digjet
vetullat më përzhiten
kërcej jashtë
marr tjetër drejtim;
koktejl poezia!

dhe më vjen një zë
nga muri ngjitur
” TË QIFSHA TY
ME GJITHË MAKINËN E SHKRIMIT”

Janë të shumtë
pacientët
që më shajnë kështu;
është ora 3:45 e
mëngjesit

por unë nuk ndalem
duke shtypur
kam për të shijuar
dhe këtë pije
të fundit,
sepse prej kohësh
e kam mundur vdekjen
të paktën
10.000 herë.

departamenti i policisë së Los Angjelesit
një tjetër
problem

blank

Më 29 nëntor 2014 u nda nga jeta poeti i shquar merikan Mark Strand

VOAL – Mark Strand (11 prill 1934 – 29 nëntor 2014) ishte një poet amerikan i lindur në Kanada, eseist dhe përkthyes. Ai u emërua Poet Laureat Konsulent në Bibliotekën e Kongresit në vitin 1990 dhe mori Çmimin Wallace Stevens në 2004. Ai ishte profesor i Letërsisë Angleze dhe Krahasuese në Universitetin Kolumbia nga 2005 deri në vdekjen e tij në vitin 2014.


Biografi

Strand ka lindur në vitin 1934 në Summerside, Prince Edward Island, Kanada. Nga një një familje shekullare hebreje, ai kaloi vitet e tij të hershme në Amerikën e Veriut dhe pjesën më të madhe të adoleshencës së tij në Amerikën Jugore dhe Qendrore. U diplomua nga Shkolla e Miqtë Oakwood në 1951 dhe në vitin 1957 fitoi B.A. nga Kolegji i Antiokisë në Ohajo. Ai pastaj studioi pikturë nën Josef Albers në Yale University, ku fitoi B.F.A tij në 1959.  Në një bursë të Komisionit Uells-Itali Fulbright, Strand studioi poezinë italiane të shekullit të 19-të në Firence në vitet 1960-61. Ai mori pjesë në punëtorinë e Shkrimtarëve të Iowa-s në Universitetin e Ajovës vitin e ardhshëm dhe fitoi një diplomë Master në vitin 1962. Më 1965 ai kaloi një vit në Brazil si një ligjërues Fulbright.

Në vitin 1981, Strand u zgjodh anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Letrave. Ai shërbeu si Poet Laureat Konsulent në Bibliotekën e Kongresit gjatë periudhës 1990-91. Në vitin 1997, ai u largua nga Universiteti Johns Hopkins për të pranuar Andrew MacLeish Shërbimin e Shquar të Shërbimit të Mendimit Social në Komitetin e Mendimit Social në Universitetin e Çikagos. Nga 2005 deri në vdekjen e tij, Strand mësoi letërsi dhe shkrim krijues në Universitetin e Kolumbias, në Nju Jork.

Strand mori çmime të shumta, duke përfshirë një Fellowship MacArthur në 1987 dhe Çmimin Pulitzer të vitit për poezinë, për Blizzard of One.

Strand vdiq nga liposarkoma më 29 nëntor 2014, në Bruklin, Nju Jork. (Wikipedia)

blank

VULLKANI – Poezi nga YMER SHKRELI

 

kur flemë të gjithë
zgjohet më në fund
kur zgjohemi prej nesh –
ka ngelur vetëm ai
në gjumë;
ai ka zjarrin
ne kemi hirin

kur flemë të gjithë
ai hesht –
që t’i kopjojë ëndërrat tona
pastaj zgjohet me mëllef:
ai s’ka
as po as jo
zgjohet rrallë –

vdes shumë

ai s’ka komb
ai s’ka fe

ka besim
në vete

na ka ne:
a s’është shumë
plus-
ëndërrat tona

blank

QENTË E DIELLIT – Poezi nga DIN MEHMETI

Lakuriqësia këndon
Majave te shëmtimit
E sytë rrjedhin
Gaz të huaj
Qentë e diellit
Vrapojnë kah grykat
Ku as rrezet s’shpëtojnë
blank

ZOGJTË – Poezi nga VASIL DEDE

 

Mblidhen, dridhen në folezë
Hapin gojën, i zë frika
Mërmërin ndonjë rrëkezë,
Apo gjarpëri pika-pika?!….

***
Presin nënën nëpër çerdhe
Ëndërrojnë dhe cijasin
Gjarpërinjtë që nga gjerdhet
Mprehin dhëmbët, presin rastin.

blank

Më 28 nëntor 1898 u nda nga jeta shkrimtari i shquar zviceran Conrad Ferdinand Meyer

VOAL – Conrad Ferdinand Meyer (Zyrih, 11 tetor 1825 – Kilchberg, 28 nëntor 1898) ishte një shkrimtar zviceran. Eksponent i realizmit, ai kompozoi kryesisht poezi, tregime të shkurtra dhe romane historike. Së bashku me Gottfried Keller dhe Jeremias Gotthelf ai është një nga shkrimtarët më të njohur zviceranë të gjuhës gjermane të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Conrad Ferdinand Meyer (Konrad Ferdnand Majër), i lindur në një familje patriciane në Zyrih, humbi babanë e tij në moshën pesëmbëdhjetë vjeç, i cili ishte anëtar i këshillit kantonal. Ai kishte një marrëdhënie shumë të vështirë me nënën e tij e cila vuajti nga çrregullime mendore dhe vrau veten më 1856.

Ai kaloi disa vjet të rinisë së tij në Lozanë ku mësoi frëngjisht aq mirë saqë mund të përkthente vepra letrare. Ai konsideroi të bëhej një shkrimtar francez ose të ndiqte një karrierë akademike si romanist. Edhe para se të ishte njëzet vjeç ai u shtrua në spital për depresion të rëndë në një klinikë psikiatrike.

Pas vdekjes së nënës së tij ai jetoi një jetë të rehatshme falë trashëgimisë. Ai ndërmori me motrën e tij Betsy, të cilën e donte shumë, një udhëtim në Itali i cili ishte gjithashtu plot stimuj për veprën e tij letrare. Më 1864 përmbledhja e tij e parë me poezi u botua në mënyrë anonime. Më 1869 ai u transferua me motrën e tij në Küsnacht në Liqenin e Zyrihut.

Për shkak të Luftës Franko-Prusiane të 1870-1871 Meyer e gjeti veten në një konflikt të thellë, sepse jetonte në të dy kulturat. Pas fitores së Prusisë, ai vendosi t’i përkushtohej letërsisë gjermane. Më 1872, në moshën 46 vjeç, ai gëzoi suksesin e tij të parë duke botuar ciklin e poezive Huttens letzte Tage, kushtuar ditëve të fundit të teologut humanist Ulrich von Hutten.

Më vonë, pothuajse çdo vit, u botuan romane historike dhe tregime të shkurtra. Kur vepra Der Heilige (Shenjtori) u shtyp për herë të parë në revistën e njohur Deutsche Rundschau nga botuesi i famshëm Julius Rhodenberg, C.F. Meyer si një tregimtar i shkëlqyer. Më 1880 iu dha titulli i doktorit honoris causa. Më 1875 ai u martua me Luisa Ziegler, vajza e kryebashkiakut të qytetit të Zyrihut, duke forcuar kështu prestigjin e saj në shoqërinë e lartë. Më 1879 lindi vajza e tij Camilla e cila në 1936 kreu vetëvrasje, siç kishte bërë tashmë gjyshja e saj. Jeta private nuk ishte pa problemet e saj, pasi gruaja e Meyer nuk shkone mirë me motrën e shkrimtarit, e cila kujdesej për shtëpinë dhe punonte për të si sekretare.

Më 1887 ai u godit përsëri nga depresionet e forta dhe arriti të përfundojë veprën e tij të fundit Angela Borgia vetëm me përpjekje të mëdha. Më 1892 ai u shtrua përsëri në një klinikë psikiatrike dhe humbi gjithnjë e më shumë kontaktin me realitetin. Më 1893 ai u largua nga spitali pa një përmirësim të rëndësishëm. I ndihmuar me dashuri nga gruaja e tij, ai kaloi vitet e fundit në shtëpinë e tij në Kilchberg, ku vdiq më 28 nëntor 1898 në moshën 75 vjeç. Varri i tij, me një monument varrimi në formë obelisku nga Louis Wethli, ndodhet në Kilchberg.

Që nga viti 1938, qyteti i Zyrihut i jep Çmimin Conrad Ferdinand Meyer çdo vit në kujtim të shkrimtarit artistëve, shkrimtarëve ose studiuesve, aktivitetet e të cilëve kanë lidhje të ngushta me kantonin e Zyrihut.

Punimet e C.F. Meyer karakterizohen nga një humor i fshehur. Ndonjëherë njerëzit e famshëm shfaqen si personazhe dytësorë të një kornize narrative si Mbreti Gustavo IV Adolfo i Suedisë (në Faqen e Gustavo Adolfos), ose Luigji XVI (në Vuajtjet e një Djali) ose Dante Alighieri (në Dasmën e Murgut). Shkrimtari supozon se lexuesi është në dijeni të këtyre personazheve historikë, edhe pse ndonjëherë fut elemente të papritura rreth tyre. Kuadri narrativ dhe veprimi kryesor janë gjithmonë të ndërthurura ngushtë. Wikipedia/Elida Buçpapaj

blank

FLAMURI  – Poezi nga Eduard M. Dilo

 

blank

Shqiponja është 

Mbreteresha e hapësirës

Dhe flamuri ynë 

Me i bukuri në botë ,

I vjeter sa vetë njerezimi

Me të luftoi dhe fitoi 

Kryetrimi Skënderbe

Me perandorinë 

Me të forte në dhe’

 

Të shtrenjtetë e kemi ketë thesar,

Në cdo vend na bën krenar

Esht’ Flamuri Kuq e zi

Që nder shekuj qendroi në piedestal!

 

Gjaku i të rënve

Martireve të kombit

Që emrat kanë 

Qëndisur në Flamur.

Esht’ i shtrenjtë 

Esht’i shenjtë , udhërrefyes,

Amanet që s’e tret dheu kurrë!

 

E padrejtë historia

Na ndau në disa shtete 

Po zemrat kurrë s’na i ndau 

Ato rrahin të gjitha njësoj

Me Flamur në balle, 

Zënë krah për krahu!

 

    

blank

 

 

blank

Në Vlore, parakalim madheshtor 2012

blank

MALLI – Poezi nga LASGUSH PORADECI

 

Syri-i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon
Do më lerë-a von a shpejt,
Do më lerë-a shpejt a von.

Sapo shpirti m’u delir –
Shpirti im i nxirë krejt –
Do më lerë me pahir
Syri-i bukur që t’u mvrenjt.

E do mbetem përnjëmend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmend
Do me lerë-a shpejt a von.

Do me lerë-a von a shpejt,
Do me lerë-a shpejt a von,
Syri i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon.

Do më lerë…A! po si –
Qoftë-aherë-ose tani –
Do të qaj aq dashuri
Që të humb me mall te ti?

blank

HYMNI I FLAMURIT KOMBTAR – Nga AT GJERGJ FISHTA

Hartimi i këtij Hymni asht ndoshta momenti ma i lumnueshem e ma guximtari për Poetin Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh rrethim kishin hi në Shkoder. Me gjithse këtyne iu desht me dalë, Fuqitë nderkombtare nuk e ngritën Flamurin e Shqypnisë. Ishte nata e kremtes së Shna’ Ndout, 12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që se Fuqitë nderkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji). At Fishta , këshillue me disa bashkëvllazen të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqypnisë, e në ketë entuzjazem kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet të shkollës françeskane. Ndersa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija me njiherë, si u patne porositë perpara, u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue: “Porsi fleta….”.

Me njiherë erdh urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi t’a ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën kurrsesi  urdhnit të tij. (Komenti At Viktor VOLAJ) 1941

 

  1. Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit

Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

  1.         Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

  1. Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet m’ t’ leta.

Bini, Toskë!….

  1. Mbi njatë Flamur Perendija

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;

Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”

Bini, Toskë!….

  1. Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,

Qi vetë Zoti na ka dhanun,

Sod me e shkelë kamba e poshtnueme

E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?

Bini, Toskë!….

  1. Ah; jo, kurr. Njiqind herë para

Kem’ me u shkri me gra, me fmi!

Kem’ me mbetë kortarë nder ara,

Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.

Bini, Toskë!….

  1. M’ kambë, Sokola të Shqypnis!

Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet

Si pol veshet t’ Perendis,

Kah na ban hije prej qiellet.

Bini, Toskë!….

  1. Ma mirë dekë me u shue nen hije

T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,

Se me rrnue nji jetë robnije

Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.

Bini, Toskë!….

  1. Armët e Besen na i njeh bota;

Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,

Luften né na e msoi Kastrjota:

Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!

Bini, Toskë!….

  1. Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!

Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!

Flamri i ynë, qé, u nis perpara:

Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!

Bini, Toskë!….

 

Shenim nga F.Radovani: Mendoj se Rinia asht mire me u njohë me këte Hymen.

Melbourne, 26 Nandor 2021.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend