Është ndarë nga jeta në moshën 64 vjeçare Skënder Haluci, jurist i mirënjohur, avokat dhe ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës, një emër i njohur i sistemit të drejtësisë dhe i jetës publike shqiptare, një njeri që e përshkoi jetën përmes disa prej periudhave më të vështira të historisë sonë të afërt, duke mbartur mbi vete peshën e persekutimit politik, të burgut, të përpjekjeve për demokraci dhe, më pas, të shërbimit me nder në sistemin e drejtësisë.
Gjatë karrierës së tij, Skënder Haluci ushtroi disa funksione të rëndësishme, ndër të cilat atë të gjyqtarit dhe per disa vite edhe të kryetarit të Gjykatës së Vlorës dhe të komisionerit pranë Avokatit të Popullit. Për vite me radhë ai ushtroi profesionin e juristit, avokatit dhe gjyqtarit, duke u dalluar për përgatitjen profesionale, integritetin njerëzor dhe përkushtimin ndaj detyrës.
Skënder Haluci ishte gjithashtu një ish-i burgosur politik i diktaturës komuniste, pjesë e asaj gjenerate shqiptarësh që e paguan me vite burgu, internimi dhe vuajtjeje kundërshtimin ndaj sistemit totalitar.
Lajmi për ndarjen e tij te parakoshme dhe te papritur nga jeta është bërë i ditur nga familja.
Haluci ndodhej në vendlindje, në bjeshkën e Trokuzit, në Tropojë, ku kishte shkuar për të pushuar së bashku me familjen. Mëngjesin e sotëm, më 13 gusht 2026, ai u kishte treguar familjarëve se nuk ndihej mirë dhe, vetëm pak minuta më pas, është gjetur pa shenja jete. Ende nuk ka një përcaktim zyrtar për shkakun e vdekjes, ndërsa ekspertiza mjekoligjore pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e kësaj ndarjeje të papritur.
.
Një jetë e përballur me diktaturën
.
Skënder Haluci njihej si një profesionist me integritet të lartë njerëzor e profesional. Por jeta e tij ishte shënuar shumë herët nga përplasja me mekanizmat e egër të diktaturës komuniste.
Në vitin 1983, Skënder Haluci, ne ate kohe gjimnazist, së bashku me kushëririn e tij, Isuf Haluci, u arrestua dhe u dënua fillimisht me vdekje, nën akuzën për përfshirje në një atentat të pretenduar ndaj udhëheqësit komunist Ramiz Alia.
Ai u arrestua gjashtë muaj pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë dhe Has dhe më pas u dënua me vdekje. Një muaj pas dhënies së këtij dënimi, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ktheu dënimin nga vdekje në 25 vjet heqje lirie.
Haluci e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në atentatin e pretenduar dhe ka deklaruar ndër vite se i kishte shpëtuar pushkatimit për shkak të situatës së krijuar në Has dhe Tropojë pas ekzekutimit të disa personave.
Pas dënimit të tij, familja u internua, u përndoq dhe u persekutua egërsisht. Për Skënderin dhe familjen, nisi një jetë e gjatë vuajtjesh, një jetë burgu dhe mbijetese, por edhe një betejë e heshtur për të ruajtur dinjitetin njerëzor.
Përndjekja nuk përfundoi me rënien e komunizmit. Ajo, në forma të tjera, e ndoqi edhe në pluralizëm. Shkarkimin nga puna, të motivuar, sipas tij, nga arsye ideologjike, Skënderi e përjetonte si një dënim me vdekje që i ishte dhënë për herë të dytë.
.
Kushëriri dhe miku im
.
Skënder Haluci ishte kushëriri im, por edhe miku im. Ai ishte një njeri që dha kontribute të rëndësishme për fitoren e demokracisë në Shqipëri dhe për përmbysjen e mentalitetit të vjetër politik.
Rrjedha e ngjarjeve të Lëvizjes Antikomuniste të Dhjetorit 1990 më gjeti si student pasuniversitar në Tiranë, në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku studioja për skenar të filmit artistik. Unë, si shumë studentë dhe intelektualë të rinj të asaj kohe, luajtëm rolin tonë në përpjekjen për fitoren e demokracisë, e cila do të merrte një dimension vendimtar me zgjedhjet e 22 marsit 1992.
Skënderi u lirua në grupin e fundit të të dënuarve politikë, në qershor të vitit 1991.
Takimi im me të, pas daljes nga burgu, ndodhi në një nga ato ditë të trazuara të fillimit të demokracisë, në një demonstratë për rrëzimin e bustit të Leninit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Galerisë së Arteve në Tiranë.
Regjimi ishte detyruar të hiqte shtatoren e diktatorit Stalin në Tiranë, por në kryeqytet ende qëndronte monumenti i Leninit. Ndërkohë, me 22 qershor 1991 ishte paralajmëruar vizita historike në Tiranë e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker.
Për ne, studentët dhe intelektualët e Lëvizjes së Dhjetorit, ishte e papranueshme që përfaqësuesi i lartë i Shteteve të Bashkuara të pritej nën hijen e monumentit të udhëheqësit bolshevik rus, ndërkohë që vendi pretendonte se kishte hyrë në epokën e pluralizmit politik.
.
Nata e rrëzimit të Leninit
.
Në fillim të qershorit 1991, një grup studentësh të Universitetit të Tiranës dhe intelektualësh të rinj vendosëm të organizonim rrëzimin e monumentit të Leninit. Me shaka e quanim “Shoqata e rrëzimit të bustëve dhe monumenteve të diktaturës”.
U ndanë detyrat. Dikush duhej të siguronte kavo, dikush vare, dikush zinxhirë e mjete të tjera. Shumë prej tyre nuk arritëm t’i siguronim.
Në orën 19:00 të mbrëmjes, rreth monumentit u grumbulluan qindra, në mos mijëra njerëz. Bashkë me Arben Likën, Bardhyl Ukcamën, Zamir Mulajn, Arben Ibron dhe të tjerë, vendosëm të fillonim përpjekjet për rrëzimin e shtatores së diktatorit rus.
Litari këputej, ndërsa mjetet e tjera nuk po jepnin rezultat. Atëherë shkuam te Teatri Kombëtar, qe sihte pranë monumentit, dhe morëm kavon e skenës, më saktë atë që përdorej për mekanizmin e rrotullimit të skenës.
Kur u rikthyem me shpejtësi te puna e nisur, pashë një njeri të ngjitur në majë të shtatores së Leninit, i cili po përpiqej të vendoste një litar. Unë dhe disa tropojanë që ndodheshin aty e njohëm menjëherë.
I zgjatëm kavon dhe ai ia lidhi monumentit. Filluan tërheqjet, goditjet me vare. Busti u menjanua, u përkul, por nuk po rrëzohej.
Në atë çast Skënderi zbriti poshtë.
U takuam plot mall.
“Ku këtu, kushëri?” – e pyeta.
Më tregoi se sapo ishte liruar nga Spaçi dhe kishte ardhur në Tiranë me një makinë të tipit “Ifë”, së bashku me të burgosur të tjerë, të cilët kishin filluar të liroheshin që nga marsi i vitit 1991, pas insistimit të Partisë Demokratike dhe opozitës së djathtë.
Makina ishte ndalur pikërisht poshtë bulevardit dhe Skënderi, pa pritur asnjë sekondë, ishte përfshirë në aksion. Kishte qenë ndër të parët që ishte ngjitur në majë të monumentit.
Ishte një nga ato pamje që nuk harrohen dhe qe e kujtonin shpesh në biseda.
Ndërsa monumenti ishte anuar dhe dëmtuar, mbërriti një përfaqësues i qeverisë së koalicionit dhe na tha se do të dërgohej një vinç për ta hequr shtatoren e Leninit.
Ashtu ndodhi.
Atë natë monumenti i Leninit u hoq nga bulevardi.
Pak ditë më vonë, James Baker erdhi në Tiranë me ftesë të opozitës, në një pritje madhështore. Shqipëria e re politike po kërkonte vendin e saj në botën demokratike.
Nga beteja për demokracinë te drejtësia
Disa muaj para fitores së zgjedhjeve të 22 marsit 1992, themelova dhe drejtova gazetën “Tribuna Demokratike”, organ i Partisë Demokratike. Ishte një gazetë e ashpër në denoncimin e krimeve të komunizmit, por njëkohësisht shumë e kërkuar nga lexuesit.
Në atë periudhë, unë dhe redaksia përjetuam kërcënime të shumta, edhe fizike. Skënderi, Isufi dhe miqtë e tyre u bënë mbështetës të redaksisë dhe të përpjekjeve tona për të mbajtur gjallë zërin e lirisë dhe të demokracisë.
Në vitin akademik 1992–1993, Skënder Haluci filloi studimet për drejtësi. Gjatë viteve të burgut kishte mësuar tri gjuhë të huaja, ndër to anglishten dhe frëngjishten. U diplomua me rezultate të larta. Edhe në gjimnaz kishte qenë një nxënës i shkëlqyer.
Punoi si avokat gjatë viteve 1996–2005 dhe më pas filloi punën si gjyqtar, ku u shqua për përgatitje profesionale dhe përkushtim të lartë ndaj detyrës.
Takoheshim shpesh. E kam vizituar me ftesën e tij edhe kur punonte në Vlorë, thjesht si kusheri pa asnje interes apo porosi. Ishte një njeri i drejtë. E respektonin njerëzit përreth, edhe pse drejtësia në atë qytet përballej me sfida të mëdha, shumë prej të cilave i njohim të gjithë. Ai, megjithatë, e kreu detyrën e tij me nder.
Më pas mbajti edhe funksione të tjera në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet publike, duke përfshirë detyrën e komisionerit pranë Avokatit të Popullit.
Në vitin 2020, largimi i tij nga sistemi i drejtësisë u përjetua prej tij si i padrejtë. Për një njeri që kishte kaluar me shume dinitet burgun komunist, që kishte luftuar për demokracinë dhe që kishte ndërtuar me mund një karrierë profesionale, kjo ishte një tjetër goditje e rëndë.
.
Bisedat tona të fundit
.
Pas largimit nga detyra, takoheshim herë pas here në “Hotel Tirana”, për kafe.
Bisedonim për “Gazetën Nacional”, për zhvillimet kombëtare, për letërsinë, për politikën, por veçanërisht për Tropojën, vendlindjen tonë.
Në një nga këto biseda më pati treguar se kishte ndërtuar një stan shumë të bukur në bjeshkën tonë në Alpeve, në Trokuz. Ishte i gëzuar që një pjesë të verës do ta kalonte në freskinë e bjeshkëve, larg zhurmës së qytetit dhe kujtimeve të rënda që kishte mbartur gjatë gjithë jetës.
Askujt nuk do t’i shkonte mendja se pikërisht atje do të gjente fundin e jetës.
Bjeshka jonë e Trokuzit është një vend përrallor nga me te rrallet ne Alpet Europaine. Një vend i bukur për të jetuar, për të kujtuar, por edhe per të vdekur. Disa nga të parët tanë kanë varret në bjeshkë, në Trokuz.
Sendet transcendentale
Të përfytyrosh një dialog me njerëz të kohërave të ndryshme është të ngulmosh në një takim, që nuk ka ndodhur, bile s’do të ndodhë kurrë.
Përfytyrimi e tejkalon realitetin si për të vërtetuar me një anë të një trilli intelektual se përveç tri përmasave gjeometrike të hapësirës është dhe përmasa e katërt, kaq shumë e diskutuar dhe e mohuar. Po bota e artit (ajo e Homerit) e kapërcen botën euklidiane.
Tentojmë provat e një dialogu. Karakteri konvencional ka përparësi për të shtjelluar një “seancë spiritizmi” krejt origjinale dhe të veçantë të çdo personaliteti. Trashëgimi gjenetik, përcaktimi i ADN-së, i formulave të hormoneve e kromozoneve nuk e di se çdo të zbulonte për shpjegimin e tipit biologjik. Me sa duket misteri i talentit që mbart subjekti njerëzor do të mbetet gjithmonë një mister, ndoshta i ligjeve që nuk do të zbulohen kurrë.
Dita e Parë e lindjes ka ditën e Dytë, ditën e vdekjes. Pra midis dy ditëve (të shënjuara) janë të gjitha ditët e tjera biologjike, pastaj koha e amshimit nuk është më biologjike, por thjesht minerale dhe është gjithmonë diçka, ose gjithçka përtej.
Përtej! Jo në mes!
Por asnjë njeri nuk e zgjedh vetë lindjen, ose vdekjen. Vetëdija është mes caqeve, limitit. Kjo dihet. Por nuk konceptohet. Me njeriun lind imagjinata. Njeriu vdes. Po imagjinata nuk vdes.
Homeri nuk ka varr. Dantja ka varr. A është varri i të dytit përparësi mbi të parin? Aspak. A është mungesa e varrit të të parit mungesë për të dytin? Aspak!
Po si vallë të bisedosh me secilin veç e veç? Ose me të dy sëbashku?
Shkrimi është fantazma e përjetshme e shkrimtarit të vdekur.
Bibliotekat janë Hadi i madhërishëm i këtyre fantazmave, por jo i eshtrave.
Tërë alfabetet koncentrojnë fonetikë. Tinguj. Por vetë alfabetet janë grafika të të pazëshmëve. Prania e lexuesit me librin është komunikimi i mrekullueshëm i shurdhmemecëve të shenjtë. Komunikimi është syri, paradhoma e mendjes, ftillesa e shpirtit. Heshtja është triumfuese, e lemerishme. Idetë janë qenie të padukshme, pa laringe.
Imazhet artikulohen sipas një alfabeti që s’shkruhet, sipas një sintakse që s’dihet. Imazhet s’përkthehen. Perceptohen.
Çdo libër është të korrësh drithin e ëndrrave.
Librat as rënkojnë, as qeshin. Vetëm heshtin. Janë eukaristia më e jashtëzakonshme e qytetërimeve, tragjedive, marrëzive, frikërave dhe shpresave.
Sende transcendentale, të pakrijuara nga Zoti në sagën hekzagonike të krijimit si projekt hyjnor. Përjashtime. Mbase herezi. Kundërprojekt!
Kulti i Amonit në Durrës
Kulti i ujërave në Durrësin antik është i pranishëm në shekuj. I dyzuar, si kult i detit dhe i ujërave të pijshëm. Uji si simbol dhe ekzistencë, si mit dhe pjellori, si natyrë dhe jetë njerëzore. Kemi dëshmi skulpturore që flasin.
Pranë një shtëpie të lagjes nr.5 të qytetit, janë zbuluar rastësisht dy pllaka mermeri (38x25x9) me dy portrete në reliev të lartë. Portretet, që janë të përafërta, paraqesin një fytyrë të moshuar gazmore, me flokë e mjekër të gjatë, sy të mëdhenj e të qeshur, mollëza të ngritura e gojë të hapët.
Anash ballit të ngushtë i harkohen dy brirë dashi lidhur me një kordele në mes.
Brenda gojës së hapur përsëtepërmi shihet një kanal i vogël cilindrik që e tejshpon pllakën. Kjo karakteristikë, në mënyrë të veçantë, tregon se të dyja pllakat kanë qenë aplikuar si detaje të arkitekturës dekorative në një fontanë antike.
Fontanat antike zbukuroheshin me kolona e pilastra ku aplikoheshin protome figurash të ndryshme, si luanë, dema, satirë etj.
Nga gojët e hapura të këtyre figurave rridhte pa ndërprerje ujë, që sillej deri aty me anë tubash balte, apo edhe prej plumbi.
Pikërisht një fontanë të tillë duket se i përkisnin edhe dy pllakat prej mermeri që përmendem. Me funksionin që përmendëm më lart, përveç gojës së hapët dhe kanalit të vogël cilindrik brenda saj, në dy pllakat tona lidhet dhe realizimi ideor i skulpturës, sidomos përsa i përket gdhendjes së cullufeve të gjata të flokëve dhe të mjekrës, që të japin përshtypjen se janë lagur nga uji që rrjedh prej gojës, vetë figura e paraqitur është një figurë bakike, ose ndoshta vetë Baku, në këtë rast i përdorur si simbol i energjisë dhe i freskisë së natyrës, që ushqen jetën dhe gëzimin.
Relievet në fjalë datohen në shekullin II e.s.
Është koha, kur siç dihet, Durrësi është pajisur me një ujësjellës monumental, që sillte ujin nga lumi i Erzenit.
Ka mundësi që figurat bakike në këtë rast të personifikojnë në një farë mënyre edhe vetë lumin e Erzenit (janë të njohura në antikitet parafytyrime hyjnish të lumenjve me fytyrë njeriu dhe brirë). Sidoqoftë, këto relieve përfaqësojnë një monument antik, ende të paidentifikuar, me vlera arkitektonike e artistike; ato e plotësojnë serinë e skulpturave dekorative të muzeut arkeologjik të Durrësit me një subjekt krejt të ri, që s’ishte ndeshur deri tani, as këtu dhe as në ndonjë qendër tjetër antike të vendit tonë
Çështja është: çfarë përfaqësojnë në të vërtetë këto figura të çuditshme? Ato janë skulptura të funksionalizuara për fontanat e ujit për qytetin dhe banorët.
Ato përcjellin edhe simbolikë edhe mendësi të caktuara mitologjike.
Mendoj se perceptimi i tyre është më tepër sinkretik.
Brirët e dashit janë element identifikues. Ato janë atribut i kultit helenistik të Zeus Amonit, me prapavijë mitologjike egjiptiane dhe libiane.
Në Durrës është gjetur një pamje skulpturore e kultit të Serapisit i cili afrohet në këtë hulli rituale. Figura e Dionisit (Bakut) nuk ka brirë dashi, prandaj figurat e gjetura s’mund të quhen bakike.
Por tiparet e fytyrave të dy pllakave të kujtojnë megjithatë tiparet bakike, ose atë të maskave komike teatrore. Flokët dhe mjekra e gjatë janë elemente të ikonografisë së hyjnive lumore, si p.sh. Hyut Vjosë (skulptura e tij ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar).
A janë dy relievet figura të lumit të hyjnizuar të Erzenit?
Teza është interesante, por jo mbushamendëse. Duhet argumentuar.
Elementi më kryesor janë brirët e dashit, lidhur me një kordele. Kjo është pika ku unë ngulmoj. Në Libi Amonin e paraqisnin si Zeusin por me brirë dashi dhe e adhuronin në oazin e Sivas (tempull orakullor mbi ujëra të pijshme).
Për grekët ky hy quhej si Amon Egjiptiani, për romakët si Amon Libiani.
Në epokën romake Durrësi qe qendër e madhe edhe e kulteve të ndryshme.
Pra edhe e kulteve nga Egjipti, ose Libia.
Fytyrat e relieveve janë pak të karikatizuara, pra groteske. Kjo e afron me kultin e Panit, i cili kishte brirë dhie dhe mjekër të gjatë.
Pani lidhej me nimfat e ujërave.
Brirët e dashit më shtyjnë të mendoj se këto relieve të shekullit II e afrojnë identifikimin më tepër tek Amoni Libian i romakëzuar, por jo pa një sinkretizëm me ikonografinë e hyut Pan. Një sintezë vendase.
“Madona e ulur” e Rafael Santit në Durrës
Lindi në Urbinë të Italisë 5 shekuj më parë piktori gjenial Rafael Santi, kryeveprat e të cilit do të mbeteshin në shekuj në fondin e artë të kulturës botërore.
Rafael Santi jetoi dhe punoi në një epokë të vrullshme e të rëndësishme të historisë. Me artin e tij të pavdekshëm, ai u bë një nga titanët e Rilindjes Evropiane.
Në shekullin XV Skënderbejada shqiptare kishte mbrojtur portat e Europës dhe të kulturës së re humaniste nga vërshimi kobzi i perandorisë osmane, duke dhënë kështu ndihmesën e vet në zhvillimin e lulëzimin e kësaj kulture.
Në vitin 1508, Rafael Santi erdhi dhe u vendos në Romë, ku zhvilloi veprimtari të larmishme.
Pikërisht, në këtë vit, në Romë ka qenë edhe humanisti i madh shqiptar nga Shkodra, Marin Barleti, i cili kishte sjellë për ta botuar dorëshkrimin e tij të historisë së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Libri i Barletit u botua midis viteve 1508-1510.
A ka mundësi që Barleti të ketë qenë njohur edhe me Rafael Santin? Kjo është një çështje që vlen ta gjurmojnë e ta saktësojnë historianët.
Rëndësi ka vetëm fakti se në vitet që Rafaeli u bë i famshëm me artin e tij të pikturës, si një nga figurat e mëdha të humanizmit e të artit rilindës edhe shqiptarët, nxorën në këtë lak kohor figura të përparuara të kulturës së Rilindjes Evropiane.
Midis tyre do të përmendim, përveç Marin Barletit, edhe Marin Biçikemin, Leonik Tomën, Mikel Marulin, që ishin filozofë, poetë, astronomë, si dhe piktorin shqiptar në Venedik, me emrin Mark Bazaiti, bashkëkohës i Rafaelit.
Emri dhe fama e Rafaelit i kaloi prej kohësh kufijtë e Italisë.
Veprën e tij gjeniale e kanë njohur dhe vlerësuar edhe shqiptarët.
Në vitin 1905, në kolegjin arbëresh të San Demetër Koronës, në Itali, piktori i njohur i traditës sonë, shkodrani Ndoc Martini, do të pikturonte afreskun e Rafaelit, si një simbol të pikturës në përgjithësi, duke treguar kështu nderimin e tij për të.
Shprehja “piktor si Rafaeli” është përdorur shpesh, për të cilësuar disa piktorë të shquar shqiptarë të shekullit XIX e të fillimit të shekullit XX.
Sot në fondin e Muzeut të Artit Mesjetar, në Korçë, ruhet një tablo e ardhur nga qyteti i Durrësit (siç është e shënuar në pasaportën e saj shkencore). Sipas specialistëve si kohë, i takon fundit të shekullit XVIII ose shekullit XIX.
Kjo tablo është një kopje e çmuar dhe me vlerë e pikturës “Madona e ulur” e Rafaelit, që historianët e artit e kanë quajtur një nga kryeveprat e tij.
Origjinali i kësaj pikture sot ndodhet në pinakotekën e Firences, në Itali.
Si dhe qysh është kopjuar kjo pikturë e famshme dhe, më kryesorja, kush e kopjoi me kaq besnikëri, shije dhe art?
Këtyre pyetjeve tani për tani nuk mund t’u përgjigjemi saktë.
Kopja e pikturës së Rafaelit është realizuar me mjeshtëri. Natyrat janë të gjalla, harmonike, të ëmbla e të fuqishme.
Madona është një grua e re, shumë e bukur, “tipike rafaeleske”, me një shami mbi kokë, me një fëmijë mbi prehër dhe pranë tij një fëmijë tjetër. Shprehja e tri figurave njerëzore është plot dritë dhe jetë.
Fakti që në Shqipëri e pikërisht në Durrës ka qenë edhe një kopje e një kryevepre botërore tregon qartë vlerësimin ndaj artit e në veçanti të pikturës.
Po nga qyteti i Durrësit është edhe një pikturë tjetër me vlerë, e punuar sipas manierës dhe shkollës së Rafaelit.
Piktura në fjalë ruhet brez pas brezi në një familje durrsake. Është një portret i një vajze, të re me flokë të gjatë, e cila në njërën dorë mban një lule të vogël. Në telajon e pikturës, që është e dëmtuar nga koha, është shkruar me germa romake edhe viti 1518.
Faktet e mësipërme flasin qartë dhe janë dëshmi e vlerësimit dhe e nderimit të Rafaelit në Shqipëri si dhe e ndikimit të tij si kryemjeshtër i pikturës, që u ka shërbyer njerëzimit përparimtar dhe popujve.
Të dhëna të reja për piktorin Mark Bazaiti
Piktori shqiptar Mark Bazaiti ka jetuar në vitet 1460 deri 1530 në dhe të huaj, larg atdheut. Ai ishte një nga piktorët e mëdhenj të Rilindjes Europiane, një talent i fuqishëm i popullit tonë, që krijoi kryevepra artistike, që sot ruhen në galeri e pinakoteka në vende të ndryshme të kontinentit, sidomos në Venedik të Italisë.
Për shqiptarësinë e Mark Bazaitit për herën e parë ka shkruar studiuesi F. Babinger. Në një studim të tij të vitit 1962, ai shënon: “Nxënës i piktorit të njohur Alvise Vivarini nga Murano ka qenë në vitin 1470, nënkuptohet në Venedik ose në Friuli, një piktor i përmendur me emër, Mark Bazaiti, që në vitin 1530 i mbyll sytë e vdes.
Nuk janë të pakta veprat e tij si në Venedik, ashtu në Padovë, por edhe në vende të tjera ku gjenden shumë vepra që i përkasin një arti fisnik.
Forma e emrit Bazaiti me sa duket është një emër i një familjeje shqiptare, i një familjeje stratiotësh”.
Profesor Eqrem Çabej e mbështet këtë tezë të Babingerit, duke shkruar disa vite më vonë: “Mendimi i F. Babingerit që Mark Bazaiti, piktor i njohur venecian i viteve 1500-1530 të ketë qenë shqiptar gjen vërtetim tani me faktin e diktuar prej nesh, që një familje me emër Bazaiti ka edhe sot në qytetet të Delvinës”.
Mark Bazaiti ka punuar së bashku me Alvise Vivarinin (1446-1502) e, me sa duket, nuk kanë pasur ndryshim të madh në moshë.
Më 1502 mjeshtri venecian Alvise Vivarini vdes, duke lënë përgjysmë pikturimin e kishës së Frarëve në Venedik.
Nga viti 1503 deri në vitin 1510 Mark Bazaitit i besohet pikturimi i këtij monumenti të madh, duke u quajtur i denjë për të vazhduar veprën e piktorit të vdekur.
Mark Bazaiti e përfundon me sukses të plotë ndërmarrjen e pikturimit të kishës së Frarëve. Në pikturat e tij ka një forcë të madhe artistike, ka realizëm e ngjyra harmonioze e të ëmbla. Kohët e fundit, duke shfletuar një guidë artistike të monumenteve të qytetit historik të Venedikut, gjetëm edhe një të dhënë me interes të veçantë për Mark Bazaitin.
Është fjala për një poezi me dy vargje (një distikt) në latinisht, që është gdhendur në altarin e kishës së Frarëve e që lidhet me emrin e piktorit shqiptar Mark Bazaiti.
Vargjet në latinisht janë këto:
“Quod Vivarin tua fatali morte nequisti
Marcus Bazaitus nobile prompist opus”.
Këto vargje në shqip kanë këtë kuptim:
“Atë që ti, Vivarin me vdekjen tënde fatale nuk e përfundove dot,
Mark Bazaiti e përfundoi si vepër madhështore”.
Kjo poezi e shkurtër dhe kushtimore tregon qartë për vlerësimin e nderimin e bashkëkohësve për të dy piktorët, duke theksuar rolin e Markut, për përfundimin e pikturimit të monumentit të madh të Frarëve.
Po kush e ka bërë këtë poezi dyvargëshe në latinisht?
Dihet se në Venedik ka pasur një komunitet shqiptarësh, të cilët ishin edhe të organizuar në një shoqëri, të quajtur “scuola albanese”, – “shkolla e shqiptarëve”.
Midis shqiptarëve kishte edhe shumë të ditur. Dihet se në Venedik ka jetuar edhe Marin Barleti e se këtu ai ka botuar veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës”, më 1504.
Pra, në vitin 1504 ka shumë mundësi që Barleti të jetë takuar si shqiptari me shqiptarin edhe me piktorin Mark Bazaiti, i cili ishte një personalitet i njohur artistik i Venedikut.
Shqiptar ka qenë edhe piktori tjetër i Venedikut, Viktor Karpaçi, si dhe shumë artizanë e tipografët Mateo e Bernard Vitali. Poezia kushtuar Mark Bazaitit është bërë më 1530 ose pak më vonë, dmth pas vdekjes së piktorit tonë.
Atë mund ta ketë bërë edhe ndonjë nga shqiptarët e ditur të diasporës, që jetonte në Venedik
Tri harta të lashta
Tri harta të lashta që lidhen me gjeografinë e Shqipërisë dhe Ballkanit, në shekujt XVI-XVII, i janë dhuruar arkivit të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë nga qytetarë të ndryshëm.
Njëra nga këto harta me origjinë nga hartografët venedikas, i takon një figure të njohur të shekullit XVI, me emrin A.C Coroneui.
Ai ka realizuar një hartë që përfshin Dalmacinë, tipografinë e gjirit të Kotorrit si dhe Shqipërinë e Veriut, ku bën pjesë edhe gjiri i Drinit në Lezhë.
Harta ka shënime tepër interesante për trojet dhe qytetet shqiptare si: Ulqini, Shkodra, Lezha, duke përfshirë edhe një pjesë të Kosovës, siç është Prizreni.
Duke studiuar këtë hartë, pohojmë: toponimet e shënuara paraqesin një interes shumë të madh, sidomos në pikën gjeografike të Ulqinit, ku shënohet toponimi ‘Ulqini i vjetër’, i cili ende nuk është eksploruar nga arkeologët”.
Një tjetër hartë që i është dhuruar arkivit të Muzeut Historik Kombëtar, i takon vitit 1695 dhe tregon gjeografinë e Detit Mesdhe të Gadishullit Ballkanik dhe Gadishullin Apenin.
Në pjesën e Shqipërisë së kësaj harte përmenden; qyteti i Durrësit, Shkodrës, Vlorës, si dhe qyteti i Elbasanit i shkruar në formën “Elbazan”.
Ky toponim është interesant, sepse i afrohet shumë shqiptimit të sotëm.
Po këtij viti i përket dhe harta tjetër që paraqet Shqipërinë si dhe pjesën e Dalmacisë.
Monumente hebraike në Elbasan
Një nga temat më interesante të lidhjeve të ndërsjella në rrafshin ndërkombëtar të shqiptarëve me hebrenjtë ka në thelb përvojat ose monumentet e llojit intelektual që ekzistojnë në Shqipëri. Kjo traditë fillon të paktën që nga shekulli i parë i erës sonë.
Sipas historianëve, kjo përkon me ardhjen e hebrenjve për herë të parë në brigjet e Shqipërisë. Disa nga qendrat më të veçanta të hebrenjve në Shqipëri kanë qenë Vlora, sidomos pjesa e Orikumit, që në mesjetë njihej me emrin Jeriko, një emër biblik i qytetit që përmendet në Bibël.
Po kështu, një qendër e rëndësishme e hebrenjve në atë periudhë kanë qenë edhe Elbasani e Berati. Elbasani është bërë qendër e preferuar e tyre, si një qendër e Shqipërisë sidomos pas ardhjes së hebrenjve nga Filipi i dytë i Spanjës, që i përzuri nga vendi i tyre.
Në Elbasan, dëshmi e kësaj historie ka qenë një sinagogë që ruhet akoma edhe sot me një pjesë arkitektonike të Sinagogës, që është ylli i Davidit, i gdhendur në gur.
Sipas të dhënave, ka pasur edhe një Tora, që është Pesëlibërshi i Profetit Moisi, që ka qenë një nga më të vjetrit e traditës hebraike.
Për fat të keq, kjo lloj Tora nuk ekziston më.
Elbasani vetëm si rezultat i hulumtimeve të një koleksionisti të shquar privat ka disa objekte unikale që tregojnë lidhjen e hebrenjve me Shqipërinë.
Ndër këto objekte vlen të përmendet një vepër, e cila ka qenë si brez i një veshjeje hebraike, e në qendër ka yllin e Solomonit, që është prej sermi dhe argjendi, i punuar në mënyrë dekorative.
Ky brez është një element shumë interesant. Ky objekt natyrisht ka qenë posedim i veshjeve të një hebreu që kanë qenë në Elbasan.
Ndërkaq ekziston edhe një kapak prej argjendi i cili ka qenë i lyer me ar, i cili ka mbajtur brenda tij një libër shumë të rëndësishëm i cili duhet të ketë qenë një vepër e rëndësishme e fillimit të shekullit 20.
Kapaku metalik i këtij libri të rëndësishëm Talmudist, ka qenë në Bibliotekën e famshme të Manastirit të Gjon Vladimirit në Elbasan, i cili u dogj në vitin 1944 nga gjermanët.
Ky kapak përbën një vepër arti si dhe një objekt të klasit të parë.
Por është e habitshme se si në Elbasan ekzistojnë edhe disa libra, në mënyrë të veçantë Bibla hebraike, e cila në ndryshim me biblën katolike ose protestante bazohet më tepër në disa libra themelorë, që ka Testamenti i Vjetër, siç është Libri i Gjenezës, Libri i Isasë, Libri i Danielit, Ekleziastit, libra të cilat janë edhe shkruar në gjuhën arramaike të hebrenjve, por që përbëjnë një lloj Bible, që u formulua për herë të parë në shekullin e 17 dhe filloi të botohej në mënyrë tipografike nga tipografia e Amsterdamit në Holandë.
Është një histori shumë interesante e këtij shekulli, sepse ky shekull lidhet edhe me shfaqjen e një tradite që lidhet edhe me Shqipërinë siç është shpallja e një mesie hebre siç ishte Sabaxevi, që quhej edhe mesia e rremë, i cili shpalli Mesinë e tij në Izmir, në vitin 1666 që pastaj nga Sulltani i kohës u internua e u konvertua në fenë islamike dhe vdiq në qytetin e Ulqinit.
Në këtë periudhë ekziston kjo Bibël e cila është një botim luksoz i kohës.
Bibla lexohet nga e djathta në të majtë sipas alfabetit hebraik dhe është botuar në vitin 1705 në Amsterdam.
Ky libër ka një rëndësi të madhe sepse nuk është një bibël e thjeshtë, nuk është një riprodhim grafik e fonologjik në gjuhën hebraike por ka disa shkrime në latinisht që kanë të bëjnë me atë që quhen komente.
Në të ka shumë emra njerëzish të rëndësishëm të cilët kanë bërë komente, pra është një mendim teorik dhe debatues me të cilin është shoqëruar Bibla Hebraike.
Ajo ka disa gravura të rëndësishme që përbëjnë një vepër arti në vetvete.
Kjo vepër duhet të ketë qenë e një personi shumë të rëndësishëm të cilin studiuesit nuk kanë mundur ta zbulojnë, megjithëse ka disa shënime, ku një prej tyre thotë se një nga njerëzit që ka pasur në dorë këtë libër është Domus Johanes Mari Kalon, domethënë një prift, me origjinë nga Spanja.
Bibla Hebraike që ruhet në Elbasan, është një nga librat më të çmuar në bibliografinë e librave hebraikë në Shqipëri që nuk e ka as Biblioteka Kombëtare.
E veçantë dhe e çuditshme, është se ky libër ekziston në arkivin e një koleksionisti privat në Elbasan.
Libri tjetër i cili është botim më i vonë është më i plotë dhe që ka një kompozicion tjetër është një Bibël Hebraike e cila është botuar nga Vanter Hokt, në Lipsae në vitin 1839.
Ky libër nuk ka momente në gjuhën latine dhe është një riprodhim i biblës së përzgjedhur hebraike që e kanë edhe sot hebrenjtë dhe që quhet pjesë e Talmudit të tyre, jo pjesë e Biblës së krishterë, sepse dihet që hebrenjtë dhe krishterimi, janë të dallueshëm nga njëri-tjetri megjithëse kanë lidhje.
Aktualisht janë katër objekte, pa llogaritur edhe ato që ndodhen në Muzeun Etnografik të Elbasanit, në mënyrë të veçantë ai i gdhendjes në gur të Yllit të Davidit, që është simboli izraelit që tregon se komuniteti hebre në Elbasan, ka pasur një pasuri bibliografike.
Ekzistencën e këtyre librave kaq të rëndësishëm e tregon fakti se ata kanë qenë të mbështjellë me kapak metalik.
Në studimet e bëra apo në librat që janë shkruar për raportet e hebrenjve që kanë jetuar në Shqipëri me shqiptarët, ose me vetë hebrenjtë që janë jashtë Shqipërisë nuk dihet të ketë dëshmi kaq të forta si këto objekte të cilat mund të quhen arkeologjike dhe faktologjike.
Deri tani në Shqipëri janë bërë studime në bazë të dokumenteve të shkruara por nuk ka pasur elementë të tillë të cilët janë muzeologjikë e gjallë e pranisë, traditës dhe e vijimësisë në shekuj të hebrenjve në komunitetet e tyre brenda Shqipërisë.
Këto janë objekte muzeologjike të klasit të parë, nuk janë thjesht dokumente të shkruara të cilat kanë karakter arkivor.
Në qoftë se do të bëjmë një histori kulturologjike të Elbasanit, padyshim një mikromuze ose një koncept muzeologjik për këto marrëdhënie, këto katër objekte janë lëndë e parë për ngritjen e tij.