Ditë më parë Departamenti amerikan i Shtetit publikoi një raport prej 99 faqesh mbi depërtimin e zbulimit të Kubës komuniste në qarqet më të larta të qeverisë amerikane.
Po t’i kthehemi historisë, kjo të kujton depërtimin e spiunazhit sovjetik në agjencinë britanike të zbulimit MI6 përmes Rrethit të Kembrixhit që minuan përpjeket e Perëndimit për rrëzimin e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri.
Kur MI6 zbuloi në vitin 1951 se oficeri i tyre i atashuar pranë CIA-s në Uashington, Kim Filbi, ishte agjent sovjetik, bota perëndimore u përball me një nga mësimet më të hidhura të Luftës së Ftohtë: depërtimi komunist nuk godet vetëm nga jashtë, përmes spiunazhit klasik, por nga brenda — përmes njerëzve që vetë sistemi i beson me sekretet e tij më të ndjeshme.
Shtatëdhjetë e pesë vjet më vonë, një raport i Departamentit të Shteti, publikuar më 20 korrik 2026 nën Sekretarin Marco Rubio, ngre pikërisht të njëjtën pyetje për Kubën: sa thellë ka depërtuar një regjim i vogël komunist në strukturat e vendimmarrjes dhe të shoqërisë amerikane?
Të dyja rastet meritojnë të studiohen paralelisht— jo si përsëritje mekanike e historisë, por si dy momente të një modeli të njëjtë, me dallime që janë po aq mësimdhënëse sa ngjashmëritë.
Në 1949, MI6 e Britanisë dhe CIA amerikane (përmes degës së saj të posaçme, Office of Policy Coordination, nën Frank Wisner) nisën Operacionin Valuable/BGFIEND — përpjekja e parë madhore dhe testi i parë serioz anglo-amerikan kundër një regjimi komunist. Plani ishte i thjeshtë në letër, bashkëpunimi me grupe të armatosura mërgimtarësh shqiptarë — kryesisht nga radhët e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit për rrëzimin e Enver Hoxhës.
Në qendër të koordinimit mes MI6 dhe CIA-s qëndronte britaniku Filbi, i atashuar në Uashington nga tetori 1949 deri në qershor 1951. Filbi ishte agjent sovjetik i rekrutuar që në 1934, grupi i Kembrixhit. Prej postit të tij, kishte qasje në plane operacionale, data zbarkimi dhe identitete agjentësh — informacion që kalonte drejt Moskës dhe, prej andej, drejt Sigurimit të Shtetit shqiptar.
Pothuajse çdo grup i dërguar në Shqipëri ra në pritën e Sigurimit të Shtetit. Kjo pjesë e historisë — depërtimi i një agjenti sovjetik në nivelet më të larta të inteligjencës perëndimore — mbetet fakt i mbyllur, i dokumentuar nga arkivat e deklasifikuara të CIA-s dhe MI6 britanike, nga biografia e Ben Macintyre-t “A Spy Among Friends” (2014), dhe nga vetë kujtimet e Filbit, “My Silent War” (1968), edhe pse kjo e fundit trajtohet me rezervë pasi Filbi kishte interes ta fryente rolin e vet.
Por pikëpyetja qendron tek faktorët e tjerë…nëse Filbi ishte shkaku i vetëm. Libri më i plotë arkivor deri sot, “Operation Valuable Fiend” (2014) i Albert Lulushit, dhe dy studime akademike të 2024-ës (“Friends Disunited” në International History Review, dhe “Seven Critiques of the Orthodox Historiography of Operation BGFiend/Valuable” në Journal of Intelligence History) e kundërshtojnë tezën e shkakut të vetëm.
Ata tregojnë se në rrjetet e mërgimtarëve kishin depertuar elemente nga Sigurimi para se Filbi të kishte qasje. Se rreth 3.000 këshilltarë sovjetikë i dhanë regjimit të Hoxhës mbështetje kundër-zbulimi shumë më të fortë sesa supozohej në Uashington dhe Londër.
Raporti i Departamentit të Shtetit për Kubën prej 99-faqesh “Cuba: The Capital of 21st Century Communism”, publikuar ditë më parë,ndjek një logjikë paralele. Sipas raportit, sigurimi kubanez ka depërtuar në Perëndim për gati shtatë dekada.
Raporti ofron një terren solid faktik që është e krahasueshme drejtpërdrejt me rastin Filbi: rekrutimi i agjentëve brenda strukturave amerikane.
Ana Montes, ish-analiste e lartë e Agjencisë së Zbulimit Ushtarak (DIA), u dënua në 2002 pasi kishte spiunuar për Kubën për 16 vjet nga një nga postet më të ndjeshme të inteligjencës ushtarake amerikane.
Walter Kendall Myers, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit që kishte punuar edhe si profesor në SAIS, u dënua në 2010 për spiunazh në favor të Havanës.
Raporti pretendon gjithashtu se dhjetëra agjentë kubanë mbeten ende të paidentifikuar brenda qeverisë amerikane. Këto raste kanë dosje gjyqësore publike — janë depërtim i konfirmuar, në thelb i së njëjtës natyrë me atë të Filbit: një person i besuar që i shërben fshehurazi një qeverie komuniste.
Raporti i atribuon Kubës formësimin ideologjik të lëvizjeve si Panterat e Zeza, Weather Underground, dhe në ditët tona Antifës, apo grupe të tjera pas protestave të dhunshme në vend.
Vetë koha e publikimit — pak ditë pasi Sekretari Rubio kërkoi që udhëheqësit botërorë ta trajtojnë seriozisht kërcënimin e grupeve të majta të dhunshme — dhe konteksti politik i administratës së Presidentit Trump kundër komunizmit të kujtojnë periudhën e fillimit të Luftës së Ftohtë.
Paralelja mes dy rasteve funksionon në nivelin strukturor: të dy tregojnë se depërtimi komunist në institucionet perëndimore ka qenë fenomen real dhe i përsëritur, jo teori konspirative. Nga Filbi te Montes e Myers, kemi shembuj konkretë, të dokumentuar të njerëzve që kanë shërbyer fshehurazi në shërbim të qeverive komuniste nga brenda strukturave më të ndjeshme perëndimore.