Në 21 e 22 maj, Presidentja e Kosoves Vjosa Osmani qendroi në Zvicër në një vizitë shtetërore. E para e një kreu të shtetit të Kosovës. Ajo ishte ftuar nga Këshilli Federal i Zvicrës dhe Presidentja e Konfederatës Karin Keller-Sutter.
Sipas protokollit të shtetit zviceran, vizita shtetërore është më formalja, nderi më i lartë që i bëhet një kreu shteti, i cili pritet nga shtatë Këshilltarët Federalë dhe kancelieri i Konfederatës në Bundesplatz (Sheshin e Konfederatës) në Bernë me ndere ushtarake ndërsa banda interpreton hymnet shtetërore.
Kishim mbuluar vizitën shtetërore në Bernë të ish Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel, dhe tani Zvicra priste me të njëjtat ndere të larta Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.
Sikur të na thoshin në vitet ’90 se në një ditë pranvere në mes të Bernës do të luhej Hymni i Konfederatës Helvetike bashkë me Hymnin e shtetit të pavarur të Kosovës, do të na dukej një ëndërr.
Por kjo ëndërr u ushqye me dekada e dekada sakrificash nga zjarr zemrash intelektuale e patriote që nuk hoqën kurrë dorë nga aspirata për liri e demokraci.
Pluralizmi në Kosovë në vitet ´90 u identifikua me elitën e saj të shkëlqyer, e cila i besoi Ibrahim Rugovës drejtimin e Levizjes Kombëtare konservatore liberale ndryshe formacionin politik me emrin Lidhja Demokratike e Kosovës me program Lirinë, Pavarësinë e Demokracinë e Kosovës.
Republika e parë e vetëshpallur e Kosovës u themelua më 1991 duke krijuar institucionet e saj paralele që në kulmin e represionit serb u detyruan të operojnë në Gjermani, Ministria e Informimit ne Gjenevë, ndërsa Presidenti Rugova qendroi në Kosovë.
Në këtë kohë u hap edhe Shqipëria dhe nisën menjëherë lidhjet institucionale mes dy shteteve, pasi Shqipëria e njohu menjëherë shtetin e Kosovës. Skënderi si kreu i RTSH u hapi portën gazetarëve të Kosovës dhe, bashkë me Rugovën e qeverinë e Kosovës në egzil, realizuan projektin strategjik kombëtar të “Programit Satelitor” në diasporë, ndërsa unë nisa mbulimin e ngjarjeve si reportere e Zërit të Amerikës, me një manjetofon të vogël dhuratë nga qeveria e Kosovës. Shqipëria vizitohej parreshtur nga elita dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, të cilat i kam pasqyruar përmes kronikave dhe intervistave.
Marsi i 1996 na gjeti në Bernë. Skënderi filloi punën si diplomat në Ambasadën e Shqipërisë, ndërsa unë aty punoja si sekretare. Skënderi mbulonte edhe diasporën dhe menjëherë vendosi lidhjet institucionale. Ftoheshim nga shoqatat e shumta në të gjithë Konfederatën, në orët letrare, kur vinin poetët e shquar të Kosovës si Azem Shkreli, Ali Podrimja e të tjerë; në çdo mesjanari kujtohej Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka; në të gjithë Zvicrën, veçanërisht në Bernë, Gjenevë dhe Zürich mbaheshin manifestime me përmbajtje politike, ku përdoreshin sloganët “Free Kosova”, “Kosova Republikë”.
Në këto manifestime merrnim pjesë edhe ne. I pari ishte ai i pranverës 1996. Ne kishim pak që ishim vendosur në Bernë. Manifestimi u mbajt në sheshin e Parlamentit, pikërisht në Bundesplatz, aty ku u prit me nderet më të larta Presidentja e Kosovës. Ishte organizuar nga LDK-ja e Zvicrës që asaj kohe drejtohej nga z.Hajdar Sadria. Shkuam bashkë me Prizrenin, djalin tonë të parë, që posa kishte nisur kopështin. Prizreni i vogël mbante në dorë një flamur të kuq të Republikës së Kosovës që ngjante pothuaj me flamurin e Shqipërisë dhe ne e mësonim të thërriste “Free Kosova”, “Free Kosova”.
Kosova ishte pothuaj një nocion abstrakt për shqiptarët e shtetit amë, për shkak të Perdes të Hekurt që ndante kombin.
Kur Prizreni erdhi në jetë, megjithëse diktatura ishte rrëzuar por kufiri shqiptaro-shqiptar ishte i mbyllur dhe, në një nga poezitë që ia kisha dedikuar, e pyesja veten e shqetësuar se si do t`i përgjigjesha atij kur, sapo të rritej pak, do të interesohej për emrin e tij e do të më thoshte “më ço në Prizren ta vizitoj qytetin, emrin e të cilit mbaj”, ndërsa im atë poeti Vehbi Skënderi shkruante “Mos më merr o Zot pa e parë Kosovën e lirë e të pavarur”.
Tani Rruga e Kombit është arteri unifikues. Megjithëse unifikimi ka qenë objektiv i kahershëm, partitë politike i shmangen kësaj teme.
Por në vitet ’90 shteti paralel i Kosovës nuk do të mund të funksiononte pa mbështetjen e diasporës kryesisht në Zvicër, Gjermani dhe SHBA.
Diaspora shqiptare në Zvicër ishte shumë aktive. Ajo u bë krahu i djathtë i Presidentit Rugova, i cili krijoi marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA dhe Perëndimin, që e bënë NATO-n të ndërhynte në Kosovë.
Kur shihja sheshin përpara Parlamentit zviceran të mbushur plot nga diaspora për të përshëndetur e nderuar në vizitën shtetërore të Presidentes së Kosovës, e emocionuar si kronikane hidhja vështrimin në retrospektivë.
Tragjedia kombëtare në Shqipëri më 1997 e bëri kasapin Milosheviç të besonte se do t’i lante shpejt hesapet me Kosovën dhe popullin e saj përmes genocidit dhe spastrimit etnik. U deshën sakrifica të tjera, sakrifica që ishin dramatike për shkak të mosunifikimit mes faktorit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, trevat shqiptare dhe diasporë. Dukej sikur ora e shqiptarëve kishte filluar të kthehej mbrapsht, rishtas në dëm të shqiptarëve dhe interesave kombëtare. Pas çlirimit në Kosovë ishin vrarë shumë figura të LDK-së. Më 21 janar 2006 largohet nga jeta Rugova dhe politika në Kosovë pëson një tërmet. Por shpresat rikthehen pas vizitës së presidentit George W.Bush më 10 Qershor 2007 në Tiranë, kur shpall botërisht se pavarësia e Kosovës ishte çështje e zgjidhur.
Pavarësia e Kosovës do të shpallej më 17 shkurt 2008 dhe do të njihej menjëherë nga shtetet kryesore të Perëndimit. Zvicra do ta njihte Kosovën më 27 shkurt 2008, vetëm 10 ditë pas shpalljes.
Akti i njohjes së pavarësisë së Kosovës do të legjitimohej nga i Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë më 22 Korrik 2010 se “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.”
Megjithëse do të duhej të ishin vite progresi, për të fituar kohën e humbur, Kosova kishte hyrë në stanjacion prej mos përparimit në ndërtimin e shtetit të së drejtës, prej korrupsionit dhe mungesës së drejtësisë. Përgjegjës ishin dy forcat kryesore politike që kishin bashkëqeverisur, PDK-LDK, në një aleancë të pazakonshme dhe të pambështetur nga elektorati rugovian, duke bërë që LDK të hynte në ujë nga zgjedhjet në zgjedhje, ndërkohë që lidërshipit i LDK-së mbante qendrim shumë agresiv dhe përjashtues ndaj dy personaliteteve gra, Vjosa Osmanit e Donika Gërvallës, të cilat nga ana e tyre kur do të vinte koha do të shpërbleheshin për koherencën politike nga elektorati duke ndikuar që të ndryshohej skena politike e Kosovës.
Sot Kosova udhëhiqet nga një klasë e re politike e pakorruptuar, por që është shoqëruar me një ngecje të dialogut me Beogradin që vijon të ketë në krye ish ministrin e informimit të kriminelit Milosheviç. Kjo e bën komunikimin diplomatik midis Kosovës e Serbisë shumë të vështirë, pasi Kosova kërkon të vendosë marrëdhënie të reciprocitetit, ndërsa Serbia nuk heq dorë nga apetitet e vjetra. Krahun e Beogradit mjerisht mban opozita në Kosovë që për këtë ngecje të dialogut bën fajtor kryeministrin Albin Kurti.
Presidentja e Kosovës shkëlqen në komunikimin institucional me SHBA dhe BE, mbron interesin kombëtar duke synuar integrimin Euroatlantik të Kosovës dhe është garantuesja mes qeverisë së Albin Kurtit e Perëndimit, përballë fushatave të shpifjeve kundër kryeministrit të Kosovës ndërsyer nga brenda, nga Beogradi dhe nga lobet pranë tij.
Presidentja Vjosa Osmani e ka kthyer faqen e historisë në favor të Kosovës. Ajo ka fituar simpatinë e shqiptarëve dhe metropoleve ndërkombëtare të politikës Euro-Atlantike me edukatën, arsimimin, kulturën, emancipimin duke përcjellë me zërin e saj zërin e popullit të Kosovës përfshirë diasporën.
Duke ndjekur gjurmët e Rugovës ajo ka ecur në vazhdën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Kosovës që nga Hasan Prishtina, Azem e Shote Galica, Shaban Polluzha e Jusuf Gërvalla, Sali Çeku, Fehmi Agani e Zahir Pajaziti.
***********
Zvicra i ka kushtuar gjithmonë vëmendje diasporës shqiptare. Kjo vëmendje i dedikohet komunitetit të madh të shqiptarëve, sidomos nga Kosova që jeton në Zvicër prej disa brezash, që për nga numri zyrtarisht arrin në 200 mijë, por de facto ky numër është shumë më i madh.
Konfederata Helvetike prej viteve ’60 të shekullit të shkuar ka qenë strehë e vatër për emigracionin ekonomik kosovar, për emigracionin politik. Më 1998-1999 hapi portat për 60 mijë refugjatët e luftës; më 2008 njohu pavarësinë e Kosovës; ka mbështetur Kosovën gjatë rrugëtimit për forcimin e ekonomisë dhe demokracisë si shtet, ka mbështetur integritetin e Kosovës në kuadrin e KFOR-it me praninë e SWISSCOY , Zvicra është përkrahëse aktive e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale, duke mbështetur dialogun nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Diaspora e Kosovës në Zvicër dërgon të paktën 1 miliardë Euro në vit remitanca. Ndërsa në vitet ’90 kjo diasporë do kontribuonte që ëndrrat për Kosovën e pavarur të bëheshin realitet duke dhënë çdo muaj 3% nga të ardhurat e tyre me të cilat ushqenin fëmijët. Lirinë nuk ta dhuron askush në tabaka. Liria fitohet me sakrifica dhe Kosova ka sakrifikuar shumë e shumë gjak ka derdhur por, sikur thotë Hil Mosi, në Kosovë “gjaku i shqyptarit/Ra në tok’ me bi përsri/.
Konfederata Helvetike prej njohjes së shtetit të Kosovës ka mbajtur marrëdhënie shumë të mira me institucionet e shtetit të Kosovës. Për një vizitë zyrtare në Zvicër ka qenë e ftuar edhe ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Po ashtu Zvicrën e kanë vizituar zyrtarisht dhe në aktivitete zyrtare ministra të Jashtëm të Kosovës. I ftuar zyrtarisht ka qenë edhe kryeministri Albin Kurti.
Ndërsa Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në arenën diplomatike ndërkombëtare ka marrë notën maksimale, ka shkëlqyer duke justifikuar edhe mbështetjen që ka marrë nga elektorati i Kosovës që e ka votuar për aftësitë , integritetin e saj në mbrojtje të interesave kombëtare të Kosovës, si Rugoviste pro integrimeve Euro-Atlantike të Kosovës, për besën, për fjalën e mbajtur ndaj premtimeve të Sovranit.
Ftesa për vizitë shtetërore nga Zvicra që iu bë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani është një vlerësim i personalizuar që i bëhet asaj për kryerjen e obligimeve shtetërore, për suksesin në marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare dhe se si i ka menaxhuar krizat e provokuara nga Serbia kundër qeverisë së Kosovës, e cila ka patur progres dhe arritje sa i përket shtetit të së drejtës, rendit publik, rritjes së mirëqënies dhe përmbushjes së reformave.
**********
Kosovës nuk i ka munguar kurrë protagonizmi dhe aktivizmi femëror. Plus, Kosova ka mbajtur lidhje të forta me historinë e vet, që ka ushqyer mbijetesën dhe modelin qytetar. Emra grash që kanë lënë gjurmë në kujtesën e Kosovës janë Shote Galica apo shkodrania Marie Shllaku e pushkatuar në moshën 24 vjeçare në Prizren nga regjimi sllavo-komunist, fjalët e fundit të së cilës ishin “Kosovë, gjaku im t`u bëftë dritë.”
Kosova e ka nderuar Marie Shllakun krejt ndryshe nga sa ka ndodhur në Shqipëri kur Marie Shllaku e Musine Kokalari konsideroheshin tradhtare.
Protagonizmi politik dhe aktivist femëror u shpërfaq vrullshëm edhe kur Kosova ishte nën pushtim. Emra të rëndësishëm ishin Katjusha Jashari, Edi Shukriu, Luljeta Pula, Flora Brovina etj.
Në konfliktin Kosovë-Serbi 1998-99 diaspora shqiptare do të krenohej kur Donika Gërvalla, njëzet vjeçare nëpër televizionet e Gjermanisë dhe Austrisë do të përballej me sukses në mbrojtje të Kosovës dhe popullit të saj.
Pastaj doli Vjosa Osmani, që përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera në SHBA dhe filloi të kontribuonte pranë LDK- formacionit politik themeluar nga elita e Kosovës dhe Rugova, por që prej vdekjes së Rugovës ka shkitur nga idealet Rugoviane, që Vjosa Osmani i ka mbrojtur me dinjitet gjatë rrugëtimit të saj si politikane pa e ditur kurrë se një ditë do të zgjidhej Presidentja e Kosovës.
Aktivizmin femëror Vjosa Osmani e ngriti në nivelin më të lartë. Jo duke u përkulur, jo duke iu bindur verbërisht kryetarit të partisë, por duke mbrojtur me dinjitet trashëgiminë, idealet europianiste të Ibrahim Rugovës dhe premtimet popullit të Kosovës.
Rinia e Kosovës nuk ka vetëm model Rita Orën, Dua Lipën – por model për rininë dhe femrën shqiptare që synon të përfshihet në politikë është Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, Albulena Haxhiu, e cila në zgjedhjet e këtij viti mori mbi 76 mijë vota, si femra më e votuar.
Ndryshe është protagonizmi i femrës në Shqipëri – i varur nga Njëshi ose aktualisht nga kryeministri. Politikanet gra të shtetit amë i zgjedh kryetari i partisë, i vendos kryetari i partisë në listat e mbyllura apo të hapura, ndërsa ato i përulen njëshit, janë fare pa personalitet dhe karrierën e tyre ia dedikojnë servilizmit e konformizmit jo aktivizmit në interes të elektoratit apo interesit kombëtar. Protagonizmi i tyre mjaftohet me daljet tallava nëpër televizionet e kontrolluara të politikës ndërsa marrin notën shkëlqyshëm për garderobën, çantat, lukun dhe lluksin.
Sapo kanë përfundur zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, që ishin një farsë, ndërsa dikush atje mund të krenohet se ka marrë 20 mijë vota, kur Vjosa Osmani është votuar nga elektorati me mbi 300 mijë me meritokraci.
Prandaj do ta përsëris se në Shqipëri nuk ka lindur ende një Vjosa Osmani, por kjo s’do të thotë se nuk do të lindë, sepse janë pa fund profilet e suksesëshme të femrës shqiptare nëpër skenat më të famshme të botës, apo vajza si Mira Murati me shoqe, pra nuk jam pesimiste, megjithë degradimin që është duke vuajtur sistemi politik në Shqipëri për shkak të konsumimit dhe shterrjes së establishmenteve.
Prej më tepër se tri dekadash mbulojmë përmes lajmit ndryshimet madhështore që kanë ndodhur në botën shqiptare, për absurd të penguara nga klasa politike shqiptare e njollosur nga korrupsioni dhe arrivizmi pragmatik, e cila në vend të faktorizimit i ka defaktorizuar shqiptarët, por koha e tyre tashmë është e perënduar pa të ardhme.
Prandaj diaspora në Zvicër përshëndeti aq ngrohtësisht Presidenten Vjosa Osmani gjatë vizitës të saj shtetërore në Zvicër, çka më kujtonte pritjet që kjo diasporë i bënte Ibrahim Rugovës. Ata që prisnin ngrohtësisht Presidenten e Kosovës ishin bijtë e etërve që jepnin 3% nga të ardhuart e tyre për realizimin e ëndërrës së Kosovës së lirë e të pavarur.
Presidentja Vjosa Osmani bashkë me Albin Kurtin, Donika Gërvallën etj kanë krijuar një lidërship me duar të pastra pa afera korrupsioni, skeletë nëpër sirtarë apo lidhjesh konspiracioni, gjë që vlerësohet shumë nga elektorati i Kosovës, një pjesë e të cilit është edhe diaspora që e ka votuar këtë qeveri.
Ndryshe nga Shqipëria kur vota e Sovranit tjetërsohet, në Kosovë është Sovrani që vendos se kush do ta qeverisë.
Mbyll sytë dhe shoh Prizrenin e vogël që tund flamurin e kuq me shqiponjë duke shqiptuar “Free Kosova”, hap sytë dhe shoh ata qindra e qindra shqiptarë të Kosovës që duan t´i shtrëngojnë duart me Presidenten e Kosovës e të bëjnë me të selfie. Midis asaj symbyllje dhe këtij realiteti ka rrjedhur koha në favor të shqiptarëve, me gjithë vonesat dhe pengesat.
Tani Kosova është duke fituar kohën e humbur.