Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani dekoroi zonjat Johanna Neumann dhe Anna Kohen dy tё mbijetuara nga Holokausti.
Të dyja zonjat janë veprimtare tё shquara nё informimin e opinionit amerikan pёr sakrificat e popullit shqiptar pёr tё shpёtuar hebrejtё dhe tё luftёs pёr tolerancё dhe harmoni mes njerёzve, pavarёsisht racёs, fesё dhe kulturёs sё tyre.
Presidenti u dorёzoi zonjave Kohen dhe Neumann “Titullin pёr Merita tё Veçanta Civile” me motivacionin “Nё njohje tё veprimtarisë tё vazhdueshme pёr tё bёrё tё njohur kontributin e Popullit shqiptar pёr shpёtimin e hebrenjve gjatё Holokaustit dhe pёr promovimin e tolerancёs dhe mirёkuptimit”, nё njё ceremoni tё zhvilluar enkas nё selinё e Komitetit Hebreo-Amerikan nё Washington D.C., gjatё sё cilёs u shfaq edhe filmi dokumentar “Shpёtimi nё Shqipёri”, me dёshmi tё gjalla pёr shpёtimin e hebrenjve nё Shqipёri./ 9.02.2014
Doli nga shtypi pjesa e dytë e dylibërshit: “Masakrat dhe krimet serbe, malazeze dhe të tjerëve në trojet shqiptare 1945-1999 “ materiale, kumtesa, dokumente, dëshmi dhe rrëfime nga sesioni shkencor i mbajtur në Skënderaj më,18 korrik 2021 me temën: “Masakrat dhe krimet serbe, malazeze dhe të tjerëve në trojet shqiptare 1912-1999”.
Ky libër enciklopedik ka gjithsejt 696 faqe ku 52 autorët me studimet e tyre kanë shtjelluar tema të ndryshme lidhur me masakrat serbe, malazeze dhe të tjerëve në trojet shqiptare. Si historian i vijës kombëtare shqiptare po e ndiej vetën paksa të çliruar shpirtnisht pas një pune bukur të gjatë në përgaditjen e këtyre dy Librave enciklopedik për tu ndriçuar Masakrat serbe ,malazeze dhe të tjerëve në trojet shqiptare.
Kjo punë u arrit falë punës së vyer të 88 autorve që i falënderoj të gjithëve një nga një, që mundësuan botimin e këtyre dy librave enciklopedik,me gjithsejt 1296 faqe.Ky dylibërsh enciklopedik është një brum i mirë që institucionët e Kosovës në të ardhmën ta përgadisin një aktakuzë për krimet serbe në trojet shqiptare.
Këto dëshmi tregojnë se ne shqiptarët nuk guxojmë asesi të harrojmë këto masakra që na kanë ndodhur.
Ky dylibërsh do të shërben që në të ardhmën studiuesit të zgjanohen edhe më shumë në mënyrë që çdo Masakër te ndriçohet.
Jam i bindur që në këto dy libra enciklopedik nuk është shkruar për të gjitha Masakrat serbe por në projektet e tjera më të zgjanuara do të tubojmë edhe më shumë fakte e dëshmi dhe të botojmë në libra të veçanta që ti paraqesim botës demokratike se gjenet kriminale serbe nuk ndryshojnë kurrë.
■ Hysen Sefa lindi ne Nome – Arren Kukes ,me 20 Maj 1952 Kushtet e veshtira ,largesia,dhe inteligjenca e tij si femij e detyruan qe studimet te kryeje ne Gjurre- Req Diber tek Dajat e tij , Mahmut Lacit nje familja e patriotike e njohur ne zonen e Reqit nen kujdesin e gjyshes se tij Fatime Koleci .
■ Hyseni perfundoj me nota te shkelqyra dhe fitoj burse dhe studimet I vazhdoj ne Shkollen Jordan Misja ne Shkoder ,po ashtu edhe Shkollen e Lart Pedagogjike e mbaroj ne Shkoder ..
■ Iseni kthehet ne Arren – Kukes dhe emrohet mesues , ku I perkushtohet punes dhe pasioni I tij mesimdhenies bejn diferencen me te madhe tek gjeneratat e reja qe kalonin ku te gjithe e kujtojne duke edukuar per 4 degada gjenartat e kesaj zone .
■Nga ana tjeter Hyseni u njoh per korrektesin ne pune dhe vlersimin e punes se nxenesit ne menyren me korrekte ku nota e marr qendronte ne me evidence si vlersim korrekt dhe Hyseni nuk u thyje pavarsisht nderhyrjeve dhe presioneve te femijve te pushtetarve per favore ..
■Me vone Hyseni u emruar Drejtor ne Arsim ,dhe Shef I Qendres Arsimore te shkollave te Arren – Kukes , perkushtimi I tij dhe fruti I punes se tij ka qene qe Zona e Arrnit te shkolloj gjenerata dhe te nxerre kuadro te afte dhe te pergaditur deri ne Pedagog ne Universitet Amerikane ..
■ Hyseni punoj ne menyre vullnetare ne mirmbatjen dhe riparimet e institucioneve Shkollore te zones ku Shteti Shqiptar I la ne degradimin dhe shembjen e tyre siq ju vet jeni deshmitar I gjendjes se tyre .
■ Hyseni ishte njeri me karakter, I sinqert dhe I drejtperdrejt ku formacionet politike ishin te intersuar ,por ai kurr nuk pranoj ofertat as te majta as te djathta duke qendruar nje intelktual I mirfillt dhe dashamirs me te gjithe njerzit qe e njohen .. Hysen Sefa do na mungoj ne shoqerin qe u largua me 20 Prill 2023 nga nje semundje e gjate , por kontributi I tij eshte per tu vlersuar .
Përse m’u desh të kërkoja në Dosjen e dikurshme, ç’ishte ky emocion elegjiak murimi, por dhe një ndjesi shkëputjeje, shkundje pluhuri, ngritje tjetër në jetë nën një shi të bardhë…
…kam qenë student në Shkodër
dhe u dashurova me Kështjellën dhe Liqenin, kështu e ndjeja, me vjeshtën, i dija rrugët se ku mbusheshin më bukur me gjethe të florinjta dhe shkelja mbi pirgjet e tyre si më i pasuri në botë, pa asnjë lek në xhep, më pëlqenin puset, Tregu të dielën dhe Teatri, por asnjë dramë deri në fund, doja dhe auditorin e madh, gjuhën më shumë, aq kumbuese sidomos te vajzat, ajo mirësi shkodrane mbi të gjitha, prarim në shpirt… shiun, që, kur niste, s’dinte të mbaronte dhe këpucët që më fusnin ujë dhe mbresa, përmbytjet si një Venecia e trishtë, pse, vërtet kishte një Venecia, po, po… dhe sa më janë dhimbur kishat që s’ishin më kisha, xhamitë që s’ishin më xhami…muret e heshtjes… mirëbesimi, edukata me atë humorin e mençur dhe të rrezikshëm, ndoshta më i miri në të gjithë Europën Lindore, thosha… dhe një ditë më ka arrestuar policia seriozisht, më mbyllën në birucë për pak, erdhën vajzat që më liruan… poezitë në Shkodër më magjepsën, ato që gjenim fshehurazi, të ndaluarat… futeshin libra nga Kosova… gjeta “Kanunin e Lek Dukagjinit”, ç’madhështi… si Kështjella në muzg… “Kafja e Madhe”, bisedat për Migjenin… dhe nën zë: ndigjo, vinte njiktu dhe Ernest Koliqi… po At’ Gjergj Fishta… kishte nisur miqësia mitomane me poetin Frederik Rreshpja, vazhdonim me metaforat dhe hermetizmin dhe liberalizmin e fillimit të viteve ‘70… ashtu më dukej se shkruaja dhe unë, Fredi m’i pëlqente, dërgova dhe një libër me poezi për botim… dhe nga ky shkak nisi dhe katastrofa ime, jo vetëm imja, por sot dua të kujtoj një poezi, si elegji më duket, “Djali i Rozafës”, e kam shkruar student… në Shkodër është poezia e lirë si era, si gjethet që bien… si ata që të ndjekin pas… e dija të humbur atë poezi, ruhet në dosjen time penale, një fletë format e daktilografuar, Ilirjani e ka shtypur sigurisht me makinën e shkrimit të punës, ai përgjërohej për shkrimet e mia, e vëllait më të vogël, ka ca shenja me stilograf ajo fletë, të mbetura që nga atëhere, pikëçuditëse në fillime vargjesh, o i kanë vënë redaktorët e shtëpisë botuese, ata që bënë akt-ekspertizën o hetuesi dhe ato sikur m’u shndërruan në pranga… por Shkodra ishte pranga ime, prangë dashurie… Kështjellë hijerëndë, Shkodër-Mbretëreshë… dhe s’e di pse më duhej kjo poezi, ta kisha harruar më mirë… më kapi një merak për Qytetin e Veriut, metropolin e qëndresës… si zogj të trembur më vinin emra prej andej, ikona… kryqe dhe minare pranë e pranë… e gjeta poezinë bashkë me një fotografi timen, student, mbase ngjaj më i madh, ashtu më dukej vetja atëhere, kam dalë te një portë, te grilat, duhej të ishte e dyqanit të fotografëve, afër qendrës, jo shumë larg bustit… të Stalinit, që shkodranët e vjetër e shanin gjithë qejf e maraz, unë kam fare pak mjekërr, as aq nuk lejohej, por më kishin dalë nja dy plagë në faqen e djathtë dhe ndihmës/mjeku i Institutit më tha mos me vu brisk nja disa ditë, prandaj jam dhe në profil, të mos më dukeshin plagët… të së njëjtës kohë janë dhe fotoja dhe poezia, si plagë dhe ajo, në Shkodër vezullojnë si rubinë… kur unë isha i bindur se isha djali i Rozafës, që e murosën në Kështjellën, ku shkoja shpesh, në pjesën që mundej, se ishte bërë repart ushtarak, por muret arbërore aty, tavani mitik pikonin ende qumësht legjende… dhe gratë, që s’kishin gji për foshnjat, vinin nga malet dhe nga kudo dhe i lyenin gjinjtë me rrëketë që rridhnin të bardha, të shenjta, që të kishin qumësht… besimi vetë është qumësht… do ia tregoja këtë histori vonë dhe sime shoqeje, Edës, në Kështjellë, ishte dhe djali, Atjoni, kishte ardhur dhe vetëm ai, po e donte shumë Shkodrën, Kështjellën, kishte luajtur nëpër ato shkallare teatër… unë thosha se Rozafa është legjenda më e bukur në botë për nënat… kështu besoj prapë dhe… e ëndërroja Shkodrën si një qytet të gjithin të Rozafës, në qendër një shtatore të madhe të saj, kompleks skulpturor me aktet e legjendës, blloqet ose lagjet të ndara me emrat: Vëllai i Madh, Vëllai i Mesëm, Vëllai i Vogël, Nëna… Kunata I, Kunata II, Kunata III… Plaku i Urtë… Materniteti i Ri “Nina-nana e Rozafës”, Teatri i Ri “Djali i Rozafës”… Sheshi i Ri “Besa”… Rruga e Djepit”… Restorant “Buka e Legjendës”… Bukën tonë të përditëshme jepna sot… Hotel “Qumështi i Kështjellës”… dhe na i fal fajet tona… Unaza e Rozafës… siç i falim ne fajtorët tanë… Kisha e Madhe… Stadiumi “Tre vëllezërit…”, “Parku i Lojnave të Djalit të Rozafës”… Biblioteka… Poema e Rozafës… Bujtina e Kështjellës… uzina e… Stacioni i… etj, etj, të gjitha të lidhura me legjendën e mrekullueshme… po kjo ëndërr është, them me vete… ua kisha thënë dhe të tjerëve në takime… në biseda për librat… miqve të rinj, romancierit më të ri në atdhe, ngjashëm kam patur një titull të tillë, kur shkruaja në Shkodër… dhe marr ndër duar poezinë e hershme… larg, e ç’mund të them… dhe ajo si e lyer me qumësht dhe gjak… harrese, kështu më duket… të thara përsipër saj…
Ndoc Ashta rrëfen për Kujto.al historinë tragjike të familjes së tij e cila përjetoi një kalvar të pafundmë vuajtjesh, një persekutim të pakrahasueshëm me të burgosur, të internuar, të pushkatuar dhe të vrarë nga torturat në burgjet e diktaturës ku shumica prej tyre janë ende pa një varr.
Ndër viktimat e kësaj familje është edhe një fëmijë i vogël 9 vjeç Liljana e cila mendohet se është mbytur në Bunë në mes të plumbave së cilës akoma dhe sot nuk i janë gjetur eshtrat. Ashta tregon se këtë persekutim komunist ata e kanë marrë nga emri që trashëgojnë, një emër që regjimi tentoi me gjithë egërsinë e tij ta shfaroste por që nuk ia arriti dot.
Dëshmia e plotë:
Ku keni lindur dhe cila është historia e familjes suaj?
At’herë unë jam Ndoc Ashta, 60 vjeç lindur në Shosh Dukagjin, lindur në një ndër familjet ma të persekutume që mund t’ketë veni. Ne si familje kemi 13 veta të pushkatumë dhe të vdekun në internime dhe që nji pjesë prej tyne nuk iu dimë as varret apo të pushkatumë në arrati apo edhe në vitet “90 gjatë tentativës për të ikë për nji jetë ma të mirë. Gjithashtu kam edhe nga dajat pothujse të njëjtën histori fatkeqësisht sepse edhe nana më asht rrit jetime ngase i kanë pushkatue të atin, gjoja me akuzën se do arratisej e do shkontë n’Jugosllavi apo do përcillte njerëz për në Jugosllavi. Ne të paktën nga gjithë këto vite të diktaturës që ishin kemi pas shumë genocid apo shumë persekutim sepse na asht mohue çdo e drejtë përveç atyre që janë burgos, pushkatue, kena edhe të vdekur në tortura në burgjet e diktaturës. Pesë nga pjestarët e familjes tonë edhe n’kët kohë nuk iu dimë varret apo eshtnat e tyne dhe fatkeqësitë janë të shumta, ndoshta po të zgjatem të baj nji histori do të jetë pak e bezdishme përveç atyre si puna juaj që i kanë vujt mbi shpatulla. Por ne si familje kemi kalu nji tragjedi të madhe dhe ka fillue persekutimi në vitet ’46 me pushkatimin e xhaxhait tim që ishte 21 vjeç dhe sot e kësaj dite ne nuk i dimë, asht pushkatue në mes të qytetit të Shkodrës por siç ishte vet sistemi asaj kohë, ne nuk i dimë as varrin. Ai asht pushkatue me grupin e intelektualëve dhe të klerikëve të Shkodrës që janë pushkatu shtatë veta sëbashku dhe i kanë varrosur në të njëjtën gropë pranë varrezave të Rëmajve të qytetit dhe mbaj mend nga gjyshja që thonte: “Po të kisha ditë ku ka varrin që të derdhi pak lotë njiherë në vit do më dukej sikur ai të vinte në shpi me mua”… Dhe kështu nga kjo ditë kalvari i vujtjeve të familjes sonë asht i tmerrshëm, nji persekutim i pakrahasueshëm dhe thashë numri i të burgosunëve, i të internumëve, i të pushkatumëve me gjyq e pa gjyq, i vrasjeve me tortura në burgje. Dhe përfundimisht në vitin “90 kemi tre viktimat e fundit nga familja jonë.
Kush janë viktimat dhe të zhdukurit e familjes suaj nga regjimi komunist?
At’herë i pari asht xhaxhai im Gjeloshi që thashë që ishte me grupin e klerikëve dhe të intelektualëve të Shkodrës u dënuan në emën të nji organizate “Bashkimi Shqiptar” dhe i pari asht ky që u pushkatue dhe ne nuk i dimë varrin. Pastaj i dytë asht po nga familja jonë që gratë dhe fëmijët i internuan i çuen në Berat dhe vdiq nji fëmijë 3 vjeç Gega, Gegë Zefi. Të cilin ia morën së amës të vdekun nga batanijat e kapanonit dhe nuk dihet ku ka përfundue at’ditë e sot. Bile në përkujtim të atij fëmije, kur u kthyen nga internimi lindi fatmirësisht nji fëmijë tjetër dhe i vunë emnin e tij Gegë, pra i cili jeton edhe sot. Në Berat. Pastaj në, këto janë ’45, ’46, ’47 dhe unë në ’48 nëqoftëse i marr kështu me rradhë nana jeme mbetet jetime sepse i vrasin në Theth të atin që ishte rreth 46 vjeç dhe le pesë fëmijë jetim. E vrasin… një natë feste që po festoshim nji darkë, se tradicionalisht ajo zonë ka pas 28 shtatorin, natë feste që kaluam me miq, me të afërm, edhe ky vritet. Kur vritet baba i nanës sime siç ma ka shpjegue disa herë, po ashtu edhe dajat që kanë mbet jetim n’atë kohë kanë kenë pak më të mëdhenj se nana, nga tmerri që kërciti pushka dhe u vra gjyshi im nga nana, kanë dalë fëmijët, kanë dalë gratë, kanë dalë njerëzit nga tmerri që u krijua pranë banesës edhe në atë shtimje që kishte ajo Posta Ushtarake që ishte aty jashtëzakonisht, ishte postë kufitare sepse ishte krejt pikës së klonit që asht quajt n’atë kohë, vritet nji fëmijë 7 vjeç Gjergji, që gjyshi e kishte djalin e vëllait dhe ashtu po vajza tjetër e vëllait të tij merr katër plumba që ajo mbeti sakat pothuajse për gjithë jetën, dhe ajo ka jetue deri para nji muaj. Aty vritet edhe nji mysafir ishte nga Shkodra nji Ramiz Podgorica edhe ky merr 4-5 plumba, ky kishte shkue për të darkue për qejf për të kalue nji natë aty, ishte në atë festën. Por të gjithë këta kanë ndodhur në zonën e kufinit, sepse aty pranë vendit që këta po darkonin atë natë, po festonin si të thuash ishte Posta Ushtarake e cila kontrollonte që mos largoheshin njerëzit. Ky masandej paska qenë i akuzuar si ja thanë të nesërmen që “ky paska përcjellë njerëz në ish-Jugosllavi”. Domethënë ka qenë njeri i cili ishte me 5 fëmijë, s’kishte asnjë mundësi me u marr me ato punë pavarësisht se kishte lind, rrit dhe jetonte aty. Nën këta akuzën se ai përcillte njerëz në Jugosllavi e vrasin pa e thirr, pa e ndalue, pa i mbanë ndalesë, pa e thirr në atë Postën e policisë që me e këshillue, apo me e pyet. Pra vritet mizorisht midis familjes që ishin familje e madhe, ishin rreth 15-16 veta si pjestarë familjesh sepse ishin tre vëllezën që jetoshin bashkë dhe kishin gra e fëmijë. Në tmerrin e familjes vritet ky, vritet fëmija 7 vjeç, vritet nji mysafir dhe plagoset vajza e cila për momentin duket se kishte mbet e vrarë.
Më tregoni historinë e disa prej tyre? Si rrodhi ngjarja që çoi në vdekjen e tyre?
Po prapë nga familja ku unë kam lind, në vitin ’90 Pal Kokrri që e kishte rrit baba im ngase i kishin vrarë të atin dhe gjyshin në ’46. Kur i vranë të atin ishte shumë i ri, ishte rreth 40 vjeç i ati Kokrri dhe le nusen shtatëzanë, nusja kishte tre vjet martesë. Baba i Kokrrit arratiset edhe ky dhe më 23 qershor të vitit ’46 vrasin Kokrrin, le nusen shtatëzanë me 23 ose 24 gusht, nji muaj më vonë, dy muaj në fakt i vrasin të atin që ishte në arrati Kol Marashi edhe dy-tre javë mbrapa lind Pali. Këta njerëz që kishin jetue aty gëzohen dhe e marrin për ta shpëtue, e marrin Palin dy-tre javësh dhe e çojnë te daja i vet në Theth bashkë me nanën. Kjo ishte nuse e re, kishte kët fëmijë, i kishin vra bashkëshortin dhe vjehërrin dhe për fat i ati e ama nuk kishte fëmijë tjetër dhe pranoi që ta mbajë këtë vajzë sepse as kishin vajzë dhe djalë tjetër edhe e rritën Palin deri në moshën e shkollës. Në moshën e shkollës ishin edhe disa rregulla të asaj zonës apo tradita, shkon “embat”, kthehet nga internimi dhe fillon e ban nji çati të vogël aty me dërrasa e me drynjë dhe e merr Palin e bie në shtëpi, e rrisin, futet në shkollë, rritet, edukohet, shkon ushtar, kryen shërbimin ushtarak dhe martohet me nji vajzë të nji familje shumë të mirë dhe të persekutuem edhe ata në Dajç të Bregut të Bunës dhe fillojnë jetën këtu te nji lagje të qytetit në Ajasëm. Mbas 2-3 javësh e marrin vesh Këshilli i lagjes apo organizata që ishte e asaj kohe edhe i thonë: “ti nuk je i ndenjë për të jetue në qytet, ti duhet të lëvizësh nga këtu”; thotë: “unë nuk kam ku të shkoj sepse nuk kam shtëpi mo, shtëpinë ma ka djegë sistemi, unë s’jam prej atyne që mund ta ndërtoj shtëpinë dhe ai që më ka rrit ka familjen e vet e hesapet e vet, dhe ka shtëpi pak…dhe ashtu ishte e vërteta ne ishim domethënë jo shumë pjestarë të familjes por na i kanë djegë shpijat dhe na kanë konfiskue gjithë pasuninë që me pushkatimin e axhës Gjeloshit në ’46. Dhe përfundimisht i lanë nji datë takimi dhe e marrin me nji makinë të komunales dhe e çojnë në Torovicë. Aty në atë kohë ishte, mbaj mend sepse isha rritur isha ba nja 12-13 vjeç dhe mbaj mend se kena shkue shpesh te Pali, e kishin çue në nji kasolle aty ku ishte përballë burgut, n’atë kohë toka e Torovicës punohej nga të burgosurit ordinerë, ka kenë kamp i të burgosurve e më ka mbet në kujtesë dhe ky punonte me ta, nëpër ato kanalizimet dhe punët e bujqësisë që kishte dhe e çon fati me këtë nusen që ka të lindnin katër fëmijë. Fukaralleku ishte i tejskajshëm, persekutimi ishte i jashtëzakonshëm, ky domethënë ishte nën kontroll çdo lëvizje e tij dhe nuk kishte porosi që edhe në dyqan mos me shkue, po në dyqan do shkonte e ama për me blej ato pak ushqime sepse kishin njëlloj frike se ky në fakt ishte djalë i shkathët, i hijshëm ishte i pashëm ishte, dhe kishin pak frikë apo dojshin ta mbajshin nën trysni. Megjithatë nuk afru edhe vjen viti 1989. Në vitin ’89 familja ku kishte marrë nusen i thonë ik nga Torovica eja në Dajç, asht më situatë e lehtë ekonomike, kishin fillue pak ato ngaqë kishte ra sistemi në vendet e tjera të Europës, kishte njifarë liberazimi dhe ky shkon me jetue bashkë me gruan e fëmijët dhe nanën, shkon me jetue në Daragjat tek pronat e nuses. Nji natë prej netësh në nji mënyrë organizimi sepse pakënaqësia kishte arrit kulmin, Pali mendon që me ikë nga Shqipënia me nanën, me nusen dhe me katër fëmijët. Aty gjen edhe te të afërmit e nuses disa djelmosha që ishin edhe këta të gatshëm dhe përgatitën me mjete rrethanore atë lëvizjen që me ikë nga Dajçi, me kalue në Jugosllavi, dhe nisen në dy luna. Sikur kishe nji parandjenjë Pali në njënën nga lunat hyp vet, merr nanën, merr vajzën, merr edhe djalin e axhë të nuses Ernest Daragjatin edhe hypin në njanën prej këtyne lunave dhe nji djalë që po e ngiste pasi këta nuk kishin dijeni me lëvizë, me shkue andej, ndërsa në lunën tjetër ven nusen, ven tre djemtë dhe po prapë nji kushëri i të shoqes. Nisen të dyja lunat me nji distancë 30 ose 40 metra sepse kjo asht histori që e dëftojnë edhe fëmijët e Palit që i pështunë me jetue dhe ai i djali që i drejtonte lunat. Kur janë largue edhe 150 metra apo 200 metra nga bregu i tokës, pa ndalesë, pa kurrëgja, Posta ushtarake lëshon breshëni plumbash mbi ta. Aty në kët lundër vriten Pali që ishte 46 vjeç, bile 44 vjeç ishte më i ri sepse ka lind më ’46 dhe vdes në ’90, pra vritet e ama që s’kishte pa dritë tjetër përveç Palit, vritet Ernest Daragjati që ishte banor dhe kishte njëlloj shprese se din sesi t’i largoheshe postës së kufinit dhe se ku asht pika më e shkurtër me dalë në Jugosllavi sepse aty ishte rrit. Nga tmerri i plumbave nuk dihet, sepse nga kjo lundër nuk shpëtoi asnjëni prej tyne. Dikush thotë që vajza ; një ndër oficerat që asht marrë në pyetje n’atë kohë ka thanë që ne vajzën nuk e kena vra, po vajza nga frika e plumbave asht hedh në liqen, dhe vajza nuk asht gjet asnjëherë. Me këtë nuk i mori policia kufitare e jona dhe i mori policia e Malit të Zi i ka çue dhe i ka varros në Ulqin. I kanë mbajt sepse mbas 4-5 vjetësh i kena marrë ne, domethënë dëfton nji ndër punonjësit e administratës së komunës të Malit të Zi që; ne i kena mbajt 36 ditë në morgun e qytetit. Me thirrjet qeveritare që të vijnë t’i marrin kufomat e t’i sjellin pranë familjeve të tyne, ato thonë nuk kena marrë asnji përgjigje dhe bile bile përmend edhe një ndër shpenzimet e mëdha që me buxhetin e komunës së Ulqinit kishin ba që me i mbajt gjithë ato ditë në morg me shpresën që do i marrë dikush. Nuk i morën. Ata i varrosën, Palin bashkë me nanën dhe me djalin e axhës së nuses, i varrosën në varrezat e Ulqinit. Ndërsa vajza nuk asht gjet sot e kësaj dite. Kështu pra që kemi nji numër të madh të këtyne njerëz që nuk ju dimë as varrezat, as kockat, as nuk dihet ku të shkojë njeriu ose pjestari i familjes njëherë në vit t’i përkujtojë. Nisja për tu largue për në Jugosllavi nga dy familjet, sepse ishin dhe familja e nuses së Palit ishte edhe Pali me fëmijët e vet me nanën dhe nusen, u nisën me mendjen se nuk janë t’u ba ndonjë gabim të madh po për të shkue në nji vend që mund të jetohet ma mirë sepse dy javë përpara ish-Presidenti famëkeq i asaj kohe Ramiz Alia kishte dekretu nji ligj që “shkelja e kufinit nuk përban ma tradhëtinë ndaj atdheut siç ishte por përban masë administrative” dhe këta mendojshin se nëse kalojnë, kalojnë nëse nuk kalojnë do gjobiteshin se masa administrative kët parashikonte që do të kishin nji masë ndëshkimore dhe po kaluem kaluem, po nuk kaluem do na largojnë nga ky fshat do na çojnë në nji fshat tjetër apo do kenë nji masë apo ndëshkim tjetër. Por ndodhi e kundërta, këta i vranë. Palin bashkë me nanën dhe vajzën, vajza Liljana ishte 9 vjeçe e cila nuk u gjet, kjo nga tmerri i plumbave asht hedhur në liqen dhe nuk asht gjet at’ditë dhe sot. Ne kishim njifarë shprese se kur shkuem në Jugosllavi me tërheq mbas 5 vjetësh trupat, mund të jenë thashetheme që nuk asht gjet vajza po realiteti asht se ata kishin mbajt nji proçesverbal krejt të rregullt me emna me fotot e personave të vramë dhe në varrezat e qytetit, nji parcelë të caktume kishin secili nga të varrosunit, të pushkatumit që ishin aty, kishin foton origjinale, foton që asht mbas pushkatimit e kishin aty dhe kishin nji kartelë gjithësecili me të dhanat, me datëlindjen, me venin, me plumbat, me ekspertizën që ishte ba. Pra ishte gjithçka që këtu nuk mund të ishte ba, se këtu ka ndodh që na i kanë vra njerëzit dhe s’ka mbajt kush proçesverbal, as ka foto, as nuk dihen vendet ku prehen sot ose mos janë hedh me fadroma nëpër lumenj. Kështu pra ishte një diçka që ata që nuk i kishin shtetasit e vet, kishin kalue nji proçedurë ligjore, nji proçedurë që edhe sot asht për tu habit, dhe shteti jonë që i kishte shtetasit e vet asnjëllojë interesimi, njëlloj përbuzje, urretjeje më shumë se kurrëgja. Ne nga familja kemi 5 të humbun dhe i pari asht Gjeloshi i cili u pushkatue me vendim gjykate por varri i tij nuk dihet. I dyti asht Gega i cili vdiq në internim në Berat, në kampin e përqëndrimit në Berat dhe nuk i dihet. Në fakt janë katër jo pesë të humbun. Asht nji fat i familjes sonë se pesë ishin realisht, i dytë ishte gjyshi im që e mbytën në tortura dhe e varrosën në burg por me ndërhymje, mirë që kishte shumë miq dhe faktikisht ai quhet Barjaktar i Shoshit, ne si familje kët persekutim kryesisht e kemi marrë nga emri që trashëgojmë dhe ky u varros në burg dhe ka shumë dëshmitarë që unë kam pas rastin pas viteve ‘90 të rri me ta, por fati e çoi se e zhvarrosën mbas pak kohët edhe e sollën, e prunë në varrezat tona, pa ceremoni po si kufomë e morëm ne. Po ashtu edhe Deli Marashi që ishte i zoti i shtëpisë, djali i axhës së gjyshit edhe ky ishte i dënuem me burgim të përjetshëm, njani dënim ishte burgim i përjetshëm, njani ishte 101 vjet edhe ky vdiq në burg, edhe ky asht varros në kamp edhe asht marrë mbas disa kohësh. Pastaj i katërti vjen Pali që e morëm në Jugosllavi po për shtetin dhe për ne ishte i humbun sepse shteti nuk i ra mbrapa dhe vajza që nuk asht gjet asht Liljana që ka edhe sot e kësaj dite e gjithë familja, i gjithë rrethi jonë familjar jemi të merakosun për atë fëmijë 9 vjeç që dihet se asht mbyt në Bunë në mes të plumbave apo edhe nga plumbat po edhe asaj nuk i asht gjet vorri. /kujto.al
E lindur më 8 janar 1949 në qytetin e Peqinit, ku spikati për aftësitë e saj vokale që në moshë shumë të vogël. Νë moshën dymbëdhjetë vjeçare dhe ndërsa studion në klasën e shtatë, e dëgjon krejt rastësisht Hamide Stringa, e cila ndodhej atje tek disa miqtë e saj dhe menjëherë e inkurajon të ndjekë studimet për kanto.
Disa vite më vonë Emine Gjata fiton konkursin dhe vazhdon studimet për kanto në ILA pranë të madhes Nina Mula dhe menjëherë pas diplomimit në vitin 1974 emërohet soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit. Poashtu në vitin 1975 konkurron me dy shoqet e saj Tatjana Elmazi dhe Xhovana Doko në Festivalin e 14-të të Këngës në RTSH, me këngën e Tasim Hoshafit dhe Llazar Siliqit
“Ku bashkohet Drini me Valbonën”, ndërsa rruga e saj hapet edhe për ngjarjet e mëdha muzikore të kohës si Dekadat e Majit apo Anketat Muzikore të Radio Tiranës.
Në repertorin lirik e ndeshim për herë të parë në rolin episodik të Sofisë tek opereta “Dhëndri u transferua” e Agim Prodanit në vitin 1974 dhe një vit më vonë në rolin e Bardhoshes në operën “Mrika” të Prenkë Jakovës. Në vitin 1976 do të shquhet për timbrin dramatik të vokalit të saj në rolin e Lulës në operën “Zgjimi” të Tonin Harapit.
Në vitin 1978, ajo do të bëhet veçanërisht e njohur në të gjithë vendin, nga interpretimi i rolit të Nastës në operetën e Avni Mulës “Karnavalet” (një rol që do ta interpretonte dhjetëra herë deri në vitin 1988) ndërsa paralelisht do të interpretojë edhe rolin e Olimpisë në operën ” Lulja e Kujtimit” të Kristo Konos. Një realizim i mirë do ishte edhe roli Pafikës nga opera ” Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit në vitin 1979.
Në vitin 1980 interpreton rolin e Zelës nga opera ” Vjosa” e Tish Daisë dhe një vit më vonë interpreton rolin e Filjes nga opera ” Toka Jonë” e Pjetër Gacit. Në shfaqjen me skena nga Opera e vitit 1982, Minen e gjejmë në rolin e Mercedesit nga akti i dytë i operas ” Karmen” të Bizesë.
Në vitin 1986 do të vijojë arritja e madhe operistike, serisht me rolin e Lules nga Opera ”Zgjimi” e Tonin Harapit ku tashmë do të shkëlqejë me pjekurinë skenike dhe vokale, ashtu siç do të ndodhë edhe një vit më vonë me interpretimin dinjitoz të Nënë Refos tek opera “Nëna e Trimave” të Avni Mulës.
Më 07 Mars 1989 do të qëndisë bukur rolin e Çevës nga opereta komike ‘Paja” të Nikolla Zoraqit, pranë Inva Mulës dhe Gjergj Suliotit. Me rënien e regjimit ajo do të interpretojë edhe role nga repertori botëror operistik si rolin e Inesit nga opera “Trovatore” të Verdit në vitin 1991 dhe do të mbyllë rrugëtimin e saj të ndritshëm dhe të qetë në TKOB me rolin e Çeçilies nga opereta Princesha e Çardashit të Imre Kalman.
Emine Gjata, ose Minja siç e thërrisnin miqtë dhe kolegët e saj, pati fatkeqësinë si shumë zonja të tjera brilante të artit operistik të Shqiptar të dilte në pension në një moshë ende produktive. U largua nga TKOB në moshën 44-vjeçare dhe për një periudhë të shkurtër bashkëpunoi me Liceun Jordan Misja dhe Akadaminë e Arteve si Pedagoge e Jashtme.
Por Mines, problemet shëndetësore i trokitën herët në derë dhe kështu asaj iu ndërpre karriera artistike dhe arsimore në Tiranë. Emri i saj do të dëgjohet sërish në vitin 2012 kur Presidenti i atëhershëm i Republikës, Bamir Topi do t’i jepte ”Medaljen e mirënjohjes” si këngëtare lirike.
Minja ndërroi jetë më 27 maj 2016 ditën kur dhashë provimin tim të fundit në master. Jeta e solli në këtë mënyrë, që unë me “teta Minen” të kalonim sëbashku shumë orë produktive gjatë viteve të fundit të jetës së saj, pasi atëhere jetoja sipër apartamentit të saj. E kam vizituar disa herë për të diskutuar për Operën dhe çështje të ngjashme, madje në atë apartament me ato kolltuqet bezhë takova shumë kolege të saj, që e vizitonin shpesh deri në fund. Zonjë e shkëlqyer dhe person pozitiv që deri në fund të jetës së saj nuk pushoi së kënduari dhe së foluri për operën.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së aktorit të madh. U nda nga jeta, me 20 prill 2020.
Duhet të ketë qenë viti 1971 kur në një pallat tek zona pas “Ekspozitës Shqipëria Sot”, në faqen e anësore të pallatit numër tre, shfaqeshin në bezen e tendosur e të bardhë filma të ndryshëm.
Makina e kinemasë ishte kudo në Shqipëri dhe përçonte ideologjinë e shtetit në skajet më periferike të atdheut. Filmi që për herë të parë shikoja në ambjent të hapur ishte “Komisari i Dritës” prodhim i vitit 1966 i “Kinostudios Shqipëria e Re”, ku luanin aktorët e mirnjohur Rikard Larja, Roza Anagnosti, Ndrek Luca, Liza Vorfi, Mario Ashiku, Viktor Zhusti, Ndrek Prela e shumë të tjerë.
Pikësëpari nuk do ta shtrij argumentin psikoanalitik të spektatorit dhe lexuesit të librit, sepse nuk është këtu rasti, por mbaj mend se efekti i filmit në kohë të ndryshme nuk ka ndryshuar asgjë deri para viteve 1992.
A ishte skenari i mirë, si dhe regjia e hollë e Viktor Gjikës dhe Dhimitër Anagnostit, apo dhe loja e aktorëve po ashtu këtë nuk mund ta them?
Siç dihet që kinemaja është art kolektiv duket se janë bërë bashkë shumë zëra. Këtu figura e heroit kryesor Dritanit të Shkabajve e luajtur me mjeshtri nga Rikard Larja del në pah qysh në minutat e para të filmit.
Artist i merituar ishte konceptuar si një yll drite në mes të errësirës, ku me po aq mjeshtëri luanin personazhet negative aktorët e tjerë. Tek unë mbërriti mesazhi i vetëpërmbushjes si spektator e krijoj atë mumifikim të pavdekshëm që për fat këtë privilegj e ka vetëm arti.
Se fundja e gjithë qënia njerëzore e zotëron pasurinë, pushtetin dhe pasurin e talentit të vetë në fuksion të pavdeksisë, ose memorizimit sa më të gjatë në mendjen njerëzore.
Rikard Larja kishte fituar kinoprovën për këtë film në moshën 23 vjeçare, një vit pasi kishte përfunduar studimet e larta. Ai kishte ardhur nga Teatri “Migjeni” i qytetit të artit dhe të sportit, si ai i Shkodrës.
Në këtë teatër, që ishte nga teatrot më me emër të Shqipërisë ai ishte gjendur mes artistitëve me të talentuar dhe me përvojë siç ishin Bep Siroka, Lec Bushati, Tano Banushi , Tinka Kurti,…Por djalit simpatik dhe tejet të talentuar si instrumentist ( vizarmoniçist), ishte i ftuar në të gjitha grupet muzikore të Shkodrës (ai ishte më i kërkuari).
Dhe siç e shpjegon ai kohën e artë kur lulëzonte lëvizja artistike dhe sportive në rrethin e Shkodrës, thotë ndër të tjera -nuk kishte fëmij të moshës shkollore që nuk merrej me mësimin e një vegle muzikore në rrethet artistike të “Shtëpisë së pionierit”. Ky ambient ishte si të thuash humusi i talenteve të tjera që ka nxjerrë Shkodra në rrang kombëtar. Teatri “Migjeni” i asaj kohe ka qenë një shkollë për Rikardin në të gjitha kuptimet.
Rikardit i buzëqesh fati dhe merr sërish një rol protogonisti si tek Skënderi në filmin “Duel i heshtur”. Roli i një marinari me profil tejet pozitiv psikologjik rrallherë i është bashkëngjitur figurës së personazhit një qenie kaq e përmbushur në kinomatografinë shqiptare.
Në filmin “Rrugë të bardha” të realizuar në vitin 1974 me regjizor Viktor Gjikën dhe skenar të Vath Koreshit ai me rolin e Dedës si fillërojtës ka shpalosur talentin e përkushtuar dhe kontradiktën e njeriut të zakonshëm, i cili për hir të punës i duhet të gjendet në vorbullën e qytetit që varet nga një fije teli. Këtë hero e gjejmë në kinomatografinë botërore e vetë aktori nuk e pranoi absurdin paragjykues të steriotipit të “Lejfenit” në mediat e pas viteve 1991.
Hollivudi ka filma të tërë me zjarrfiksit e me rojtarët e pyjeve dhe pa haruar me aviatorët dhe kapitenët e anijeve. Mevlan Shanaj aktorë dhe regjizor shprehet: Rikardi është pionieri i kinemasë moderne shqiptare. Ai u bë figura më komunikuese me shikuesit e shumtë shqiptarë. Rikardi e ndihmojë fatin e tij në kinomatografinë shqiptare duke punuar me shumë pasion duke i shndëruar personazhet e tij në modele që kishin forcën për të ndrushuar të tashmen, dmth se besonte tek forca e kinemasë edhe nën peshën e çensurës.
Në filmin “Ndërgjegja” dhe në filmin “Plagë të vjetra” ndihet fryma e aktorit modern me tension psikologjik prej intelektuali i cili gjendet në kahun e kundër të personazheve që kishte krijuar më parë. Ndihet fryma e kinemasë evropiane e ngjizur mirë në të gjithë aspektet.
Te filmat me aksion si tek “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Kur zbardhi një ditë”, “Ngadhnjim mbi vdekjen” filmi më i shikuar në Kinë e Koren e Veriutdhe Vietnam, “Radiostacioni”, “Rrugicat që kërkonin diell” dhe në filmin “Skëterrë 43” dhe “Ilegalët” ose “Yjet e netëve të gjata”, koloriti aktoresk i personazheve e përsos ndjeshmërinë në psikologjinë e shikueisit.
Autori i shkrimit, Kastriot Kotoni
Rikardi edhe në role të dyta ndriçon. Ai ishte ndër aktorët e vetëm deri në vitet 1990 që ka më shumë role në kinematografin shqiptare dhe ishte nga aktorët më të njohur të vendit, sa për humor thuhej: – Do të hamë bukë ose me “Dedën” e “Rrugëve të bardha, apo Skënderin e “Duelit të heshtur”dhe padyshim me Dritanin e Shkabajve të filmit “Komisari i dritës”. Me zërin e tij bas tejet të pastër e tingëllues e me një pamje tejet simpatike u bë ikona e filmit shqiptar.
Ndokush e thërriste me emrin e personazheve, sepse e tillë ishte koha dhe respekti për artistin. Batutat e filmave u bën një zhargon i humorit të kohës, e në çdo mjedis përmendej shpesh emri i Rikardit me rolet e tij emblematikë.
Ishte koha e ikonave ku vende si Franca Italia dhe Britanija përkundrejt industrisë amerikane të filmit “Hollivudit”, krijuan mite të pavdekshme me aktorë të tillë si Alen Delon, Brixhid Bardo, Zhan Gabe, Sofia Loren, Marçelo Mastrojani, Xhina Lolobrixhites, Klaudia Kardinale e Alberto Sordi, Vudi Alen e plotë të tjerë, që fati e deshi që edhe shikuesi shqiptar t’i adhuroi, por dhe e rriti grintën, e ndaj aktorët shqiptar duhet të ishin të atyre përmasave që të mund t’i ndiqje në filmat e tyre.
Një tjetër talent shfaqi Rikardi edhe në fushën regjizoriale të filmit dhe të teatrit. Lista e gjatë fillon si bashkëregjizor me regjizorin Sajmir Kumbaro në filmin “Rrugicat që kërkonin diell” dhe “Ilegalët” më pas vijojnë filmat e tij si “Kur hapen dyert e jetës”, “Në pyjet me boë ka jetë”, “Radiostacioni”, “Pesha e kohës”, “Ura dhe kështjella”, “Skëterrë 43”, “Fundi i një gjakmarrjeje”, “Folk” etj.
Te Rikardi, fëmija i Karlit dhe Angje Logorecit , mbesës së mirnjohurit Mati Logoreci, talenti i fshehur i violinistit dhe i shkrimtarit u shfaqën diku më herët e diku më vonë. Siç kujtonte vetë Rikardi mamanë e tij e cila ia lexonte librat me zë ende pa vajtur në shkollë, së bashku me motrën Ernesta- dhe hyra në botën e kërkimit dhe të heshtjes thoshte ai. Tetë viteve të fëmijërisë nuk iu nda veglave muzikore dhe shpesh prindërit e tij e shikonin të ardhmen e Rikardit në botën e muzikës, si kompozitor nga më të njohurit, ose muzikant.
Kështu kujtonte ai shuplakën e dhënë nga Prek Jakova. Dhe a e dini pse? Rregullat në atë kohë për të drejtën e studimit ishin me planifikim të bursave të studidimit. Rikardit i del e drejta për të vazhduar institutin dyvjeçar për matematikë –fizikë. Babai i tij Karlo me një formim shkollor austriak i propozon që të shkojë më mirë në degën kimi-industriale, si duket duhet t’i ngjante xhaxhait të tij Gaspër Larja ixhinierit të mirnjohur të birrës “Korça”i cili i kish kryer studimet në Itali.
Por Rikardi kunkuron për aktor në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu” ku edhe fitoi. Në këto ditë të qëndrimit në Tiranë takon Prekën i cili u nervozua me Rikardin pse nuk kishte pritur sa të hapej Instituti i Lartë e të vazhdonte për muzikë e t’i jep një shuplakë.
Skenaristi Rikard Larja ka një frymë të re në filmat “Kur hapen dyert e jetës” dhe “Pesha e kohës”, aty ai del hapur në përballjen me të vërtetën, ku konservatorizmi si fenomen i shoqërisë përfaqëson murin që nuk kalohet pa përplasje idesh dhe kërkim reformash, ai përgatiste kështu shoqërinë shqiptare për nevojën e ndryshimit me guxim intelektual.
Këtyre viteve të tranzicionit të tejzgjatur shqiptar aktori më i preferuar i para viteve 1990, nuk do të ftohej në asnjë rol në ato pak filma që janë bërë për gati 30 vjet. Vetëm Mevlan Shanaj i ka dhënë një rol në filmin “Fletë të Bardha”. Kineasti Agim Sopi i ka dhënë rol në filmin “Anatema”. Po ashtu merr një rol nga regjizori Ekerem Kryeziu në filmin “Viktimat e Tivarit”në vitin 1996.
Mori disa role në teatër si në atë “Migjeni” në pjesën “Shën Gjon Kryepremi” dhe në atë të teatrit të Vlorës “Petro Marko” një dramë të Fadil Hysës me titull “Testamenti” dhe vazhdon me një vënie në skenë si regjizor në “Teatrin Kombëtar” i veprës së Stefan Çapaliku titulluar “Utopos”. Pranon një ftesë në Kosovë në teatrin e Prishtinës dhe i përvishet punës për një dramë të re me autor Ariel Dorfmunit e cila titullohej “Vdekja dhe vajza” dhe kishte në qendër të saj shkeljen e të drejtave të njeriut.
Rikardi i cili ish betuar në adoleshencën e tij vetes se do të bëhej shkrimtar, por rrjedha e jetës kish ndryshuar e nën sirtar kishte romanin e tij të parë “Në një humbëtirë këtej rrotull”, por siç thoshte ai – i vinte ndroje nga vetja, dhe një ditë miq e shokë të tij e kishin nxitur që ta botonte.
Gjithmonë kam hedhur në letër shënime. Shkruaja çfarëdo që më vinte ndër mend, kam shumë prej tyre sepse i ruaj dhe kur të kem kohë do të mendohem thoshte Rikardi.
Kur e takoja spontanisht shkrimtarin Rikard Larja, e kur fillonim bisedat për letërsinë, kam pasur përballë një përmasë kulturore të admirueshme e mbi të gjitha surprizuese, sepse unë në lagjen time nuk flisja me asnjë aktor që banonte aty në rrugën “Myslym Shyri” dhe nuk ishin pak mbi 20 para viteve 1990, kisha bindjen time, se ata duhet t’i duash sipas veprës së tyre ku luajnë në teatër apo në film, por këtu për çudinë tone, as zona rezidenciale për aktor e njerëz të shquar nuk kishte e s’ka për të pasur ndonjëherë e ndeshesh me mitin tënd, tre herë në ditë.
Rikardi i mirorganizuar në dijet e tij albanologjike me adhurimin për Eqerem Çabej të mahniste, miq e shokë e bashkëkohës të tij tregojnë për humorin e holl e hokatar, që do të mbahet mend gjatë. Boton shkrime në shtypin e kohës për shqetësimet e shoqërisë dhe të artit. Në vitin 2009 boton romanin e tij të dytë “Kohë qensh”.
Më tej vazhdon me botimin e librave “TYMI KRONIKË BARDHEZI”proza dhe romanin “JOSIFOPEDIA”. Ndonëse tërë jetën i është shmangur “morbus actorum”, profilit të identifikimit të aktorit me famë me rolet e tij, përsëri ka qenë e pamundur, sepse siç tregonte ai për ftesën që i ka bërë i biri i heroit të punës fillërojtësi Pjetër Llesh Deda, nuk mund ta shmangia. Ata do të ndiheshin keq nëse nuk u shkoja në dasmën e tij. Atje e kishin pritur me nderime në krye të vendit dhe pata ndjesinë sikur njerzit më shikonin si të ishte vetë Pjetri.
Ai e kish mbajtur frymën drejt Gjirokastrës me plotë mall për dekorimin e babait të tij si profesor i lëndës së fizikës në gjimnazin e qytetit të çuditshëm. Gjirokastra kish në gjirin e saj rreth 40 familje nga veriu i Shqipërisë dhe kjo koloni kish caktuar një ditë në vit që mblidheshin e darkonin bashkë. Të paharuara do të mbeten sentencat e tij lapidare për shqiptarët siç shkruan ai “Kur jemi të besës, jemi deri në fund-sepse na kanë besuar”.
“Kur jemi të pabesë, jemi deri në fund-sepse na kanë pabesuar”. Racë e veçantë. Rikardi ishte i lidhur shumë me qytetin e tij të lindjes Shkodrën,ndaj kalonte një pjesë të kohës në shtëpinë e tij të vjetër e punonte kopshtin e mbillte lule, por edhe mbushte botën e tij shpirtërore e kthehej në Tiranë duke shkruar si për historinë e saj, por edhe skiconte veprat e ardhshme letrare me personazhe ekzotik dhe surealist.
Jeta e tij pranë shesheve të xhirimit i dha njohjen me bashkëshorten e tij aktoren Marjeta Ilo me të cilën do të gëzonte jetën me lindjen fëmijëve, vajzën Lorena dhe djalin Leandër.
80-vjetori i lindjes së Rikard Larjes ishte një rast që të tregohesha një nga mijra shikuesit e tij, mirënjohës për atë çfarë na ka dhuruar me rolet e tij në kinematografi dhe në letërsi, tingujt e muzikës dhe llojin e pikturës së tij ishte privilegj i një brezi tjetër dhe rrethi më të ngushtë.
Siç thoshte vetë Rikardi, megjithëse kishte lindur më 1 prill të vitit 1943, ditëlindjen e festonte më datë 3 prill.
Pallati që dikur unë e pashë në bezen e tendosur ishte koinçidenca që më kish lidhur me Rikardin, sepse ai aty doli për herë të fundit për të mos u kthyer më drejt Shkodrës në 20 prill të vitit 2020
Me kyt emërtim quhen në traditën popullore ditët e fundmarsit apo të fillimprillit, periudhë kohore kur “zyrtarisht”, mbas ekuinoksit të 20 apo 21 marsit, hemisfera veriore e planetit hyn në stinën e pranverës.
Por janë kto ditë që përmes ktij fenomeni klimatik të përvitshëm duket sikur na thonë se dimni, edhe pse në grahmat e fundit, ende nuk ka dhanë shpirt.
”Po pse quhen ‘Ditët e plakës’?”, mund të pyesë dikush që ndoshta nuk i ka rastisë ta ndigjojë ndonji herë kyt emërtim. Për kyt na vjen në ndihmë nji gojëdhanë mesa duket shumë e lashtë, simbas së cilës nji plakë, e rrejtun prej ditëve të bukura e të ngrohta të fillimpranverës edhe e bindun se tashmâ bashkë me marsin kishte ikë edhe dimni, u prin tufës së deleve për në bjeshkë e atje me nji hare të papërmbajtun nis e thërret: “Mars, o mars, o mars-a-keqi, dola n’bjeshkë e mâ s’ta kam (frikën)!”. Marsi e ndigjon e, i fyem në sedër prej fjalëve të plakës, i lutet Prillit ”Prill, o em vlla, m’i jep tri ditë uhá, ta ngrij plakën me çka ka”. E vllau, siç e shohim ende sot, ia plotësoi deshirën e kshtu plaka mendjelehtë jo vetëm që u ngri akull, por (po simbas gojëdhanës) u nguros, u shndërrue në shkamb.
Shumë vjet mâ parë ndërsa bisedohej në nji grup njerëzish mbi kyt gojëdhanë, njani prej të pranishëmve u betue se kur ishte kenë në aksion kishte pi ujë në kronin që rridhte n’mes kambëve të plakës së ngurosun. Të gjithë, dukshëm mosbesues, qeshëm me pohimin e tij e biseda vazhdoi me batuta qit e prit, aq sa as mue e asnjanit nuk i shkoi ndërmend që ta pyeste se në ç’vend a zonë ishte kjo “statuja” e ngurtë e plakës së gojëdhanës. Por tu’ e njoftë personin që e tregoi e tu’ e ditë se në aksion kishte kenë vetëm nji herë në nji zonë të Malësisë së Mbishkodres, më ishte krijue përshtypja se bâhej fjalë për ndonji prej bjeshkëve të atyne anëve. Por sot, tu’ lexue komentet e postimeve mbi kyt temë, pra mbi “Ditët e plakës”, mësova se po t’njajtin “fat” identik si plaka e Malësisë kishin pasë edhe shumë plaka nëpër Shqipni: në Shëngjergj të Tiranës, në Shishtavec të Kukësit, në Kosovë, në Librazhd, në malin Tomor, pranë Beratit, e deri në Malin e Thatë, në Gjinokastër! Madje ktu nuk ishte kenë nji, por plot 7 plaka! “…Shoqja-shoqen e njoftuan/ lart te kroi u takuan/ plakat nga i njëjti fshat/ u nisën në Mal të Thatë…”
Për çudi na del se Marsi na paska kenë i pamëshirshëm me plakat e me delet jo vetëm ktu, ndër shqiptarë, por edhe ndër fqinjët tonë jugorë, ku gojëdhana e tyne u mësoka edhe në shkolla!
E po kaq mizor ky Marsi i egër (paskan pasë të drejtë që e kanë quejtë “Perëndia e Luftës”!) na kenka tregue deri edhe përtej detit, në Itali! Edhe atje plaka italiane na kenka tallë me Marsin e në italisht i paska thanë: “”Marzo, ormai farmi danno tu non puoi più, perché oggi già è aprile e il Sole è già su!”! E natyrisht që edhe ajo ka pësue po t’njajtin fat si “simotrat” e saj ballkanase!
Deri sa të përfundojnë kto “Ditët e plakës” e të dalim në Sh’njegj (Shën Gjergj), pra në pranverën e pakthim, nuk na mbetet tjetër veçse të ndjekim lajmet e fundit e të shpresojmë që t’mos ketë pasë viktima të tjera ndër plaka (e jo vetëm)….
23 korriku i vitit 1987 ishte një ditë e bukur vere. Dielli lindi në Dajt mrekullisht mbi Tiranë dhe familja e inxhinier Gazmend Toskës nisi gjithë gëzim një ditë të re të jetës. Askush nuk imagjinonte se çfarë do të ndodhte disa orë më vonë në Torrovicë të Lezhës.
Atë ditë Alkida Toska shkëmbeu përqafimin me babain e saj të dashur bashkë me përshëndetjen e bukur “mirë u pafshim” dhe u nis për stërvitje, sepse disa ditë më vonë kishte gara. Ishte Gazmendi vetë që ishte kujdesur që Alkida të angazhohej në Klubin e Tiranës si atlete për garat 100 metër me pengesë dhe 400 metër me pengesë sepse si sportist e shihte se e bija premtonte. Dhe nuk ishte gabuar sepse Alkida do të dilte Kampione e Shqipërisë për të rejat duke e bërë krenar inxhinier Gazmendin.
Gazmend Toska kishte lindur në Tiranë më 5 mars 1940 në një familje qytetare tiranase me tradita prej së cilës trashëgoi vyrtytet më të bukura dhe aq me vlerë të cilat ia përçoi pastaj fëmijëve të tij dhe djali e vajza nipave e mbesave që inxhinieri nuk mundi t’i shihte, por adn e bukur trashëgohet, djali i Alkidës është inxhinier robotik.
Kur ishte i ri, edhe Gazmendi ishte i apasionuar pas sportit, gjithmonë tek Klubi i Tiranës, shok i ngushtë me Ali Memën. Gazmendi nuk zgjodhi futbollin, por sportin e bukur të atletikës në garën për kërcim së gjati, ndērkohë midis shkollës dhe përkushtimit që kërkonte sporti, Gazmendi zgjodhi të përfundonte me sukses studimet në Universitetin e Tiranës dhe të diplomohej si inxhinier ndërtimi.
Ndërkohë që formoi familjen e bukur, ai u punësua në Komitetin Shqiptar të Kulturës Fizike dhe Sporteve dhe ishte i ngarkuar të merrej me projektimin dhe mirëmbajtjen e sistemimin e terreneve sportive e fushave të futbollit në stadiumet e të gjithë vendin, ku bënte të pamundurën t’i përmirësonte ato, ndaj e donin dhe e respektonin të gjithë në të gjithë Shqiperinë.
Të gjitha terrenet dhe ambientet sportive të projektuara dhe ndërtuara në vitet ’70-’80 ishin vepra e tij, i papërtuar, me energji pozitive, i gatshëm t’i binte gjithë Shqipërisë mbarë cep më cep, aty ku ndërtoheshin vepra sportive. Lëvizte me motorrin e tij Jawa që ia kishte vënë në dispozicion puna.
Gazmend Toska kudo ku shkonte me punë bënte shokë e miq, të gjithë e donin, sportistë, atletë, futbollistë, njerëz të zakonshëm sepse ishte një djalosh punëtor që nuk kursehej kurrë. Gazmendi projektoi stadiumet e Shkodrës, Vlorës, Beratit, Burrelit, Lezhës dhe nga veriu në jug inxhinieri i talentuar i ndiqte projektet.
Shkrimtari dhe gazetari veteran i sportit Bedri Alimehmeti tregon se megjithëse “Kanë kaluar vërtetë shumë vite por kur bie fjala për Gazmend Toskën njerëzit flasin me superlativa ende edhe sot. Ka qenë njeri shume i mirë”. Dhe z.Alimehmeti vazhdon: “Gazi, se kështu e thërriste shoqëria, ka qenë një inxhinier shumë i zoti, një nga specialistët më të mirë i terreneve sportive dhe atyre të futbollit. Pikërisht pse ishte i tillë ishte punësuar në KSHKFS, ku i ishte vënë në dispozicion një motorr me anën e së cilit ai lëvizte nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë për mbarë mbajtjen e fushave të futbollit dhe atje ku kishte vepra e terrene ku praktikoheshin sporte. Edhe atë ditë më 23 korrikun e 1987 ai kishte shkuar me punë në Shkodër…”
Ajo ditë e 23 korrikut 1987. Duke u kthyer mbrapsht në kohë. Në mëngjesin e 23 korrikut të vitit 1987, dmth gati 36 vjet më parë, Gazmend Toska pasi shkëmbeu mirë u pafshim me familjarët, bashkëshorten, djalin dhe vajzën i hypi motorrit Jawa në atë ritualin e çdo dite të zakonshme pune që niste në mëngjes dhe përfundonte pasditeve kur dëgjohej zhurma e motorrit që lajmëronte kthimin e inxhinier Gazmend Toskës në shtëpi.
Por në mbrëmjen e 23 korrikut 1987 nuk u dëgjua zhurma e motorrit Jawa, me të cilin ishte bërë i pandashëm Gazi, që të kthehej e të sillte pranë familjes inxhinier Gazmend Toskën.
Inxhinier Gazmend Toska pasi kishte mbaruar punë në Shkodër kishte marrë rrugën e kthimit për në Tiranë, kur Jawa e tij do të përplasej me një karrocë dhe inxhinieri me trup atleti do të humbiste jetën tragjikisht, duke mos arritur kurrë më të kthehej i gjallë në shtëpi.
Inxhinier Gazmend Toska e humbi jetën në krye të detyrës. Nuk kishte objekt sportiv e stadium apo terrene te tjera sportive te ndertuara atyre viteve qe te mos kishte mundin dhe djersen e këtij inxhinieri te talentuar.
Kanë kaluar gati 36 vite nga ajo ditë tragjike dhe kujtimi i inxhinier Gazmend Toskës ka mbetur i gjallë në mendjet dhe zemrat e atyre që e kanë njohur.
Inxhinier Gazmend Toska, që ra në krye të detyrës, ishte modeli i qytetarit të përgjegjshëm, i birit dhe prindit të shkëlqyer, i vëllait e shokut të përkushtuar. Gazi ishte nje specialist i talentuar ne profesionin e vet, ishte nje intelektual i kompletuar me dije te thella e horizont te gjere kulturor, i ndershëm dhe i palodhur, që trashëgoi nga familja e bukur tiranase ndershmërinë, drejtësinë, zemrën e madhe për njerëzit dhe vullnetin e pasionin për punën, urtësinë, bujarinë dhe respektin për të gjithë ata që e rrethonin me të cilët i lidhte puna e jeta, jeta e të cilit u pre në mes padrejtësisht, por kujtimi i inxhinier Gazmend Toskës mbetet i pashuar dhe meriton që të mos harrohet e të nderohet.
Jeta është e ndërtuar e tillë, që ka një fillim dhe një mbarim. Secili në jetën e tij, me mundësitë që krijohen, dëshiron që të bëjë gjëra të mira, që ti shërbejnë ecjes përpara për të mirën e fëmijëve, nipave dhe mbesave, brezave që do të vijnë. Vjen një çast dhe jeta e njeriut ndërpritet, duke lënë pas të dashurit e familjes dhe të njohurit, dhimbje dhe lot, por dhe kujtime të mira dhe të paharruara.
Njerëz të mirë dhe me reputacion shoqërorë po ikin nga kjo botë, ashtu në heshtje, siç qe dhe jeta e tyre. Punuan, u përpoqen, sakrifikuan, vuajtën, por pak fituan, fituan vetëm respektin e njerëzve për veprat e tyre të mira dhe me dinjitet që lanë pas. E kështu jeta ndërpritet e le pas tek njerëzit dhe shoqëria keqardhjen, dhimbjen, lotët dhe së bashku me to edhe kujtimin e mirë në shërbim të njerëzve në nevojë. Këto ditë u nda nga jeta, në moshen 93 – vjecare, burri i njohur i zonës së Balldrenit të Lezhës, njeriu me zë Nikoll Mark Toma (Nik – Ulaj). Familja e Nikollës pati ardhur në fillim të shekullit të kaluar nga Ducaj i Shkrelit të Malsisë së Madhe. Familja e tij pati emigruar për arsye ekonomike dhe qe vendosur në Ulsirën Perendimore për të ndërtuar më mirë jetën në të ardhmen. Në moshën 16 – vjeçare Nikolla mbetet jetim, por pjestarët e tjerë të familjes së tij, sakrifikuan shumë për ta rritur edukuar me traditat e shkëlqyera të shqiptarit. Fëmijërinë dhe rininë i kaloi falë interesimit dhe prokurpimit të të afërmve të tij. Në rininë e hershme martohet me Gjysten, bashkëshorten e tij të ardhshme dhe krijon një familje të shëndoshë plot mirkuptim dhe harmoni. Ishin vite intensive dhe të vështira ekonomike, por të 6 fëmijet e tyre u rriten dhe u edukuan nën kujdesin prindëror të nënë Gjystes dhe babait të tyre Nikollë. Ata u rritën dhe u dalluan gjithnjë për zgjuarsi, bujari dhe si familje mjaft punëtore. Fatkeqsisht, bashkëshortja e Nikollës u nda nga jeta 17 vjet më parë. Ajo ishte dhe mbetët në kujtesën e brezave një grua malsore model, për punë, urtësi dhe bujari, që shembull i bashkëshortes së shkelqyer, që mbahet mend për cilësitë e saj të vyera në Balldre e më gjërë. Familja e Nikollës ka jetuar gjithmonë vetëm me djersen e ballit, me forcën e krahut dhe për këtë arsye familja dhe fisi i tij, shihej gjithnjë me atë syrin e mire nga sistemi i asaj kohe, ku dallohej për sjellje shembullore, punë të ndershme, fjalës së matur dhe sofër bujare.
Nikolla qe burrë i pjekur dhe me përvoje jete dhe punë të ndërgjegjshme për t’u patur zili, sepse kishte gjithmonë parasyshë zbatimin me rigorozitet të normave të sakta tradicionale dhe burrërore. Ai njihte këngët folklorike të burrave trima të Malsisë së Madhe, madje edhe i këndonte ato me zërin e tij melodioz dhe plot kolorit, shoqëruar me mjeshtri me lahutën e tij, duke u bërë i njohur në festivale të ndryshme lokale dhe kombëtare, duke u vlerësuar me shumë çmime dhe vlerësime të merituara. Dinte ngjarjet e ndryshme të trimërisë dhe besës, të ndodhura në periudha të ndryshme historike në trevat e Malësisë së Veriut, madje nga ato ngjarje heroike qe frymëzuar dhe pati krijuar këngë duke i intepretuar me shumë pasion në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Kudo që punoi si magazinier në Tale të Lezhës apo në ish – ndërmarrjen ushqimore, si financier pranë pushtetit vëndor, la gjurmë për korrektesë, profesionalizëm dhe përkujdesje të pandërprerë për njerëzit në nevojë. Përgatitej për një mbledhje, takim, bisedë a kuvend burrash me argumentin, fjalën e bukur, gdhëndur në granitin dhe duke e veshur mendimin me normat, dokët dhe zakonet e krahinës. Nikolla në fjalët e tij bindëse, thërriste gjithmonë për bashkëpunim, unitet e pajtim. Pra ishte njëri i vlerave dhe i kuvendit, i njohur në krahinë për fjalën, mendimin, faktin dhe oratorinë e pasur. Veçohej për punën e tij të palodhur dhe qëndrimin korrekt ndaj porblemeve që ndodhnin shpesh në zonë, problemet sociale duke ndërhyrë plot guxim për zgjidhjen ngatërresave, grindjeve dhe deri tek gjakmarrja, kjo plagë e hershme e shoqërisë shqiptare. Gjykimet e tij kishin vlera dhe fjala e tij kishte peshë, sepse kishte parasysh se gjykimi, fakti, mendimi, oratoria ishin një nga veprimtaritë shoqërore që kishin ekzistuar që në në lashtësi dhe ishin një nga treguesit kryesorë të zhvillimit dhe emancipimit njerëzor. Jo kushdo kishte këtë dhunti pozitive, por Nikolla e pati pjesë të jetës dhe të qënies se tij burrërore.
E kujtojnë sot me nostalgji banorët e bregut te Mates, Zejmenit, Kurbinit, Balldrenit dhe shumë fshatrave të Rrethit të Lezhës. Pati dhe shokë e miq të shumtë, burri i urtë dhe i matur Nikollë, i cili me buzëqeshjen e tij të cilter, me fjalën e tij të mençur, me shikimin e tij të butë e me normat njerëzore strikte të imponohej për ta dashur dhe respektuar në maksimum. Ai nuk pranonte kompromis në dëm të shoqërise dhe miqësise, por ishte gjithmonë i sakët dhe parimorë. Të njejtën gjë po e trashegojnë dhe djemtë e tij, ku me plot gojën do thoja se dhe ata sot po ecin në gjurmët e babait të tyre të dashur, nën ndikimin e vlerave dhe mësimeve të Tij. Në tërë udhëtimin e tij jetësor 93 – vjeçarë Nikollë Toma ka manifestuar dy cilësi kryesore jetësore, që ishin pjesë themelore e karakterit të tij, korrektësia në punë dhe shoqëri dhe ndershmëria në familje dhe komunitet. Mirësia dhe edukata e tij ishin tipare dalluese, që kanë gdhendur në memorien e tyre shumë shokë e miq të dashur dhe të respektuar të tij. Në jetën shoqërore dhe publike ishte dhe mbetët një njeri për t’u admiruar, qyetar dhe atdhetar shqiptar me zemër të madhe. Më ka rastisur shpesh të takohem e të bisedoj me të, kujtoj veçanërisht kur biseda binte te tema e ndryshimimeve në periudhën e tranzicionit të tejzgjatur. Ai ishte gjithnjë i hapur e më vështrimin e ëmbël e gjithë respek, bashkëbisedonte me pasion, logjikë e argument, për vlera alternative, për ide e mendime të dobishme për demokracine ende të brishte në Shqipëri.
Lumturia e tij nuk kishte cak. Këtë lumturi ja sillte ngrohtësia, respekti dhe njerëzia e nusëve dhe djmve të tij si Toma, Noshi, Rakja, Gjergji, Frani, Pjerini, si dhe respekti dhe dashuria e pafundme që kishte për nipat Ardianin, Dritanin, Benin, mbesat Flora, Natalja, Vjollca dhe Albana, që i deshi, i respektoi dhe i edukoi me ndjenjat më të mira të harmonisë, mirësisë dhe të bashkëpunimit familjar. I deshi shumë të gjithë dhe iku me merakun e madh për ta.
– “E patëm prind, shok dhe edukator”, – thotë i vrarë shpirtërisht i biri, Toma. Nuk do ta shohim më nën qiellin e kësaj bote, por kemi të skalitur porositë, mësimet dhe veprat e tij, për të qënë të ndershëm, punëtorë dhe për të kapërcyer me vullnet vështirësitë familjare që na dalin”. Ndërsa Frani, njeri nga djemtë e tij me lot malli në sy thotë: – “Jemi kurdoherë krenarë për babain tonë”. Për ne vllazërinë ai ka qënë e mbetet burim drite, që na ka ndriçuar që në fëmijërinë tonë të hershme, udhën tonë të jetës e të punës, ndaj mbetët burim frymzimi për ne dhe nipat e mbesat që vijnë pas nesh. Dhe siç duket, do të kalojnë plot vite të tjera dhe emri i të ndjerit Nikollë Toma do të mbetët në kujtesën e brezave, sepse sot është bërë shpirti dhe zemra e kujtdo. Kur bisedon me njerëz te profesioneve të ndryshme, vë re se e kujtojnë me dhimbje, sepse ai mbante një shtrirje të gjërë miqësie e shoqërie nga të gjitha trevat shqiptare e më gjërë, duke u skalitur me atë portetin e një malësori të vërtetë dhe krenar, që rrezatonte vetëm mirësi dhe frymë atdhedashurie. Kjo u vrejt në përcjelljen dhe lamtumirën e fundit të tij, ku morën pjesë qindra miq, shokë, kolegë, bashkëpunëtorë, por edhe deputetë të parlamentit shqiptar, ish – kryetarë komunash dhe bashkishë, përfaqësues të pushtetit lokal e plot të tjerë. Kishte një veçori të rrallë sa i takon respektit për njerëzit, kërkonte respekt, mirëkuptim dhe bashkëjetesë në mes religjoneve, nuk i dallonte kurrë sipas feve si katolikët e myslimanët i donte me shpirt, hynte e dilte si në shtëpinë e tij, si në ditë të mira ashtu dhe të vështira.
Toleranca dhe bashkëjetesa fetare, ishin për Nikollën tipari dallues që e bënte të rrezatonte mirësi e dashuri tek miqtë e shokët e shumtë të tij, me të cilët punonte e ndante me ta të mirën dhe fatkeqsitë njerëzore. I priste e i pëcillte njerëzit si vellezër dhe shokë në shtëpinë e tij, sepse dashuria dhe respekti i tij për mikun nuk i ka munguar kurrë. Sa punoi e jetoi, kurrë nuk bëri kompromis me karakterin e tij edhe kur ishte përballë përfitimeve të mirave matëriale e famës shoqërore që ai kishte krijuar dhe konsoliduar ndër vite. Asnjëherë nuk diti të diferencojë njerëzit sipas shoqërisë e miqësisë, por gjithmonë ishte pranë tyre me pasionin që i jepte niveli professional, edukimi familjar dhe kultura e tij qytetare. Mbeti deri në frymën e fundit i dashur me të vërtetën dhe i rreptë me padrejtësitë. Jeta bën punën e saj, por ky njëri i ngjan një mali, që sa më shumë ti largohesh, aq më i larte do të duket dhe sa më shumë ti afrohesh jetës dhe kontributit të tij, aq më i madhërishem do të shfaqet. Burri i njohur dhe mençur i zonës së Balldrenit të Lezhës Nikoll Mark Toma (Nik-Ulaj), mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë me lot në sy të afërmit, miqtë, shokët dhe gjithë banorët e zonës. Ai edhe i pajetë, shihte drejt lindjes, por tashmë ka shkuar drejt perendimit, për të mos u kthyer më kurrë, me atë shprehjen e butë të fytyrës, me atë buzëqeshjen e ëmbël që nuk i mungonte kurrë dhe sikur thoshte: ” Diell, lëshoma pak shpresë, vdekjen e prita krenar, sepse bëra çfarë duhej për atdheun, për shoqërinë dhe familjen. Endrra për lumturinë, që pata thurur me krahët e mij dhe familjës sime, u venit brenda qënies sime. Le të jetë e gjallë kjo ëndërr për brezat e ardhshëm…”.
Përjetësisht mirënjoheje kujtimit dhe veprës së tij të ndritur!
Desha te trazoj pak diten duke te fute ne skutat e imagjinates…Qe ne vogeli jam i hallakatur nga emertimi Trojet e Kasajve…
Ne se me shtyn diçka ne hulline e lashtesise e te origjines tone ne vendlindje eshte ky truall qe e kemi shkele e deri i hyri traktori ka pas rrenoja edhe me gure.
Nuk jemi as historiane e as hulumtues por duke pare fuqine tuaj gati magjike në vargun Epik desha te afroj diçka qe me ngacmon gjithe jeten…ato troje me afrojne imazhe te Trojes se famshme te Homerit.
Une e kuptoj se per poetin e vertete nuk ka porosi e tema…Por me kupto drejt edhe nje shkendij ndez nje mal…prandaj edhe te shkrova krejt sinqerisht.
Ndoshta Ai Hamit Aliaj qe njohim i ben keto troje me nje fotografi…qe te shohim edhe me larg edhe lashtesine tone.
Te perqafoj e te uroj gjithe te mirat! Merri si nje kafe te mire keto rreshta.
Me shume respekt.
Samiu
Nuk e di a arriti ta lexoje kete mesazh …tani Homeri yne shkoj tek trojet e veta…
Sot qe ne pike të mëngjezit kur më ka dalë gjumi në Amerikë ,lexova lajmin e kobshëm për mikun tim, poetin Hamit Aliaj . Prej mikut tim poet po ashtu, Alfons AL Zeneli.
M’u perlotën sytë.
Pastaj e mblodha veten. Por thashë me vete si erdhi kjo punë kështu. Gjithe diten u përpoqa të jap nje shpjegim.
Dhe shpjegimi është ky: kur një njeri të ka hyrë në shpirt është e pamundur të mos e ndjesh humbjen e tij, njësoj si ,larg qoftë, të afermit e tu.
Hamit Aliaj ka hyre në shpirtrat tanë si Një Fishtë Modern. Unë e kam pas të pamundur te mos e lexoj dy ose tre kater herë poezine e tij. PER SHKAK TE BUKURISE.
Ai ua vuri Bjeshkeve Mbiemrin e Tij me nje kurajo të jashtezakonshme sepse e dinte fuqinë e fjalës së tij.
Ai është I atillë kalibri si poet që meriton studime të tilla dinjitoze si ajo e shkrimtarit dhe studiuesit me zë Mehmet Elezi ne librin ” Shkrimtar pa leje”
Ah ,sikur të ishim drurë ,
Të bleronim,çdo pranverë,
Të dridheshim nga shpërthimi i gjethit në degë,
Ta ndjenim hënën që ec
trupave tonë në stinën e lëngëzimit,
T’i ndjenim shirat degëve, lot i qiejve pa emër,
Retë të rrëzoheshin e të lulonin mbi ne,
Të flinim jashtë si nomadë të përjetshëm,
Hije t’i bënim udhëtarit të vetmuar,
Pa pyetur as qiellin ,
T’i bënim marrëzitë e verës!
Ta mashtronim plakjen tonë,si drurët e moçëm
Që vishen me gjeth në prill
E duken të rinj
Ah ,sikur te ishim drurë a pemë,
E njêherë në vit ,lulet të shpërthenin brenda nesh ,
T’i bënim pa marrë leje,
Marrëzitë e pranverës..
Të tundonim njeriun në vjeshtë,siç tundojnë frutat mëkatin
E pastaj butë,butë të na kaplonte bora ,si dashuria,
Të mbusheshim me gjurmë zogjsh a egersirash të pyllit,
Ujkun të nxirrnim nga vetja ,a sorkadhen e trembur
Se njeriu asgjë tjetër s’është,
Veç një pyll plot egërsira !
Komentet