VOAL

VOAL

New York Times: Shqipëria ka 22% të popullsisë të vaksinuar plotësisht ndaj COVID-19

September 2, 2021

Komentet

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

“Rama dhe Belinda në burg” Dita e 109 e protestës, qytetarët rikthehen në shesh, paralajmërohet marshim drejt Parlamentit

Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës hyn sot në ditën e 109-të, me qytetarët dhe aktivistët që pritet të mblidhen sërish në Tiranë për të vijuar atë që e kanë cilësuar si revoltë të pandërprerë.

Tubimi i sotëm vjen pas një dite të ngarkuar protestash në kryeqytet. Në ditën e 108-të, pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas marshuan nëpër rrugët e Tiranës, me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e Ramës.

“Shqipëria po bën revolucion”, “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria”, “Ju erdhi fundi” dhe “Arrestoni Ramën” ishin disa prej thirrjeve që shoqëruan marshimin.

Protestuesit iu drejtuan gjithashtu SPAK-ut, duke kërkuar vijimin e hetimeve dhe arrestimeve ndaj zyrtarëve të lartë. Aktivisti Arben Kola përmendi kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun, ndërsa deklaroi se presioni qytetar duhet të vazhdojë.

“Veliaj në qeli dhe shqiptarët të lirë. Radhën e ka Rama me Belinda Ballukun. Ju ftoj çdo ditë në shesh të rrisim presionin popullor”, deklaroi Kola.

Protesta e së martës nuk qëndroi vetëm para Kryeministrisë. Pas marshimit në kryeqytet, pjesëmarrësit u drejtuan te Blloku i Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, ku kërkuan lirimin e protestuesve të ndaluar.

“Nuk jeni vetëm”, “Lironi shqipet” dhe “Gjithë Shqipëria është me ju”, ishin thirrjet e tyre para ambienteve ku mbahen të ndaluarit.

Ndërkohë, dita e 109-të pritet të shërbejë edhe si pararendëse e protestës së paralajmëruar për të enjten. Nga tubimi i një dite më parë u bë thirrje që qytetarët të mblidhen në orën 10:00 para Parlamentit, në kohën kur Kuvendi do të zhvillojë punimet.

“Do të jemi të gjithë të enjten në orën 10:00 te Parlamenti”, ishte thirrja e bërë nga protestuesit, të cilët kanë paralajmëruar se aksioni nuk do të ndalet vetëm te tubimet e përditshme para Kryeministrisë. bw

“Jemi shumë pranë fitores”- Sot protesta e 108 kundër Ramës, qytetarët rikthehen në shesh: Kryeministër jep dorëheqjen!

Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës rikthehet sot në Tiranë, me qytetarët që do të mblidhen për të 108-ën ditë radhazi në kuadër të qëndresës së nisur prej muajsh. Tubimi i sotëm vjen një ditë pas protestës së 107-të, e cila u shoqërua me tensione, përplasje me policinë dhe arrestime të disa protestuesve gjatë paradites.

Gjatë mbrëmjes, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë denoncuan dhunën policore, duke e cilësuar atë si tejkalim kompetencash. Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke u ndalur edhe pranë institucioneve të drejtësisë dhe duke kërkuar lirimin e personave të arrestuar.

Sot, protesta pritet të rikthejë në qendër të vëmendjes kërkesat e qytetarëve ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit, kundërshtimi i korrupsionit dhe kërkesa për ndryshim politik pritet të shoqërojnë sërish tubimin.

Pas ngjarjeve të ditës së djeshme, pjesëmarrësit kanë deklaruar se arrestimet dhe përplasjet me policinë nuk do ta ndalin protestën, por përkundrazi do të shërbejnë si motiv për vijimin e saj. Mesazhi i përsëritur nga protestuesit është se qëndresa do të vazhdojë dhe se presioni qytetar ndaj qeverisë do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. bw

Vendimi në Hagë- Rutte: KFOR-i është aty, pavarësisht ç’mund të ndodhë këtë javë në Kosovë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

 

KOSOVË- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve të mundshme lidhur me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.

Sipas Ruttes, KFOR-i është në aty, në Kosovë, për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe, ndërsa misioni paqeruajtës i Aleancës, sipas tij, ka kontribuar për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

“Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme, por edhe sa i përket zotimit afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Rutte në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel më 14 shtator, kur u pyet nëse është i shqetësuar për trazira të dhunshme të mundshme në Kosovë dhe rajon si rezultat i vendimit, pavarësisht se si do të jetë ai.

Shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake perëndimore do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, për të siguruar që misioni të përshtatet në mënyrë adekuate me situatën e sigurisë në Kosovë. Ai theksoi po ashtu se zhvillimet në Kosovë ndikojnë edhe në rajonin më të gjerë.

Deklaratat e shefit të NATO-s vijnë disa orë pasi Ambasada amerikane në Prishtinë u bëri thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç tha, janë paralajmëruar protesta më 16 shtator. Ambasada tha se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës.

“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, tha Ambasada duke udhëzuar shtetasit amerikanë që të kufizojnë lëvizjet në këto zona.

Shpallja e aktgjykimit në Hagë vjen katër ditë pasi në Prishtinë mijëra persona morën pjesë në “Marshin për Liri”, ku pjesëmarrësit kërkuan që vendimi të jetë i drejtë dhe paanshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë pretendon se katër ish-eprorët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës. Mesazhe nga Prishtina para vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së

Aktakuza ndaj tyre përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.

Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet që të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999./REL

UGSHPD: Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës Në fokus zhvillimet politike, protesta dhe liria e medias

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës zhvilloi takimin e radhës, ku në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet politike në Shqipëri, protesta që prej 106 ditësh vijon në rrugët e Tiranës, liria e medias, si dhe mënyra se si këto zhvillime po pasqyrohen në hapësirën mediatike shqiptare.

Në fokus të takimit ishte veçanërisht roli i medias në një periudhë të tensionuar politike. Unioni theksoi se e vërteta, objektiviteti, paanshmëria dhe profesionalizmi janë domosdoshmëri për informimin korrekt të publikut. Media, duhet të jetë e pavarur nga çdo pushtet politik apo ekonomik, të verifikojë faktet dhe t’i japë publikut informacion të plotë, të saktë dhe të balancuar.

Gazetarët Shqiptarë Profesionsitë të Diasporës u shprehën kritikë ndaj atyre mediave që e trajtojnë protestën e vazhdueshme në Tiranë si një zhvillim dytësor, duke i kushtuar hapësirë të kufizuar ose duke e anashkaluar në raportimin e përditshëm.

Sipas Unionit, është problematike që një protestë që ka hyrë në ditën e 106-të dhe që ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Shqipërisë të mos trajtohet me seriozitetin dhe standardin profesional që kërkon një zhvillim i tillë. Në vend që të analizohen kërkesat e protestuesve, të verifikohen faktet dhe të dëgjohet zëri i qytetarëve, protesta, sipas diskutimeve, shpesh reduktohet në një lajm periferik.

Unioni ngriti shqetësimin edhe për ndikimin e presioneve të qeverisë, politike, ekonomike apo institucionale mbi mediat dhe gazetarët, veçanërisht në rastet kur raportimi përmban qëndrime kritike ndaj qeverisë.

Në diskutim u përmendën gjithashtu kufizimet apo bllokimet e dhjetëra profileve që përcjellin zërat e protestës, denoncimet ndaj skandaleve dhe korrupsionit në qeveri, si dhe postimet, videot dhe fotografitë që përmbajnë kritika të forta dhe fakte në kundërshtim me qëndrimet e qeverisë.

Unioni vlerëson se çdo kufizim i pajustifikuar i qarkullimit të informacionit cenon të drejtën e publikut për t’u informuar dhe krijon rrezik për deformimin e realitetit publik.

Reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe zgjedhjet e vitit 2027

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua reformave ligjore dhe institucionale, veçanërisht reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.

Sa i përket reformës zgjedhore, Unioni theksoi nevojën për një reformë zgjedhore në shërbim të standardeve të demokracisë, të funksionimit të drejtë të sistemit zgjedhor dhe të rikthimit të besimit të qytetarëve te procesi demokratik. Sipas Unionit, reforma duhet të garantojë transparencë, konkurrencë reale dhe standarde të barabarta për të gjithë aktorët politikë.

Vëmendje iu kushtua edhe reformës territoriale, për të cilën u ngrit shqetësimi se mund të favorizojë interesa elektorale të partisë në pushtet. Diskutimi u përqendrua te mënyra se si ndarja aktuale territoriale ndikon në përfaqësimin e komuniteteve, decentralizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.

Në fokus ishte edhe perspektiva e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Një prej pikëpyetjeve të ngritura ishte pjesëmarrja e forcave opozitare në këtë proces dhe, në mënyrë të veçantë, nëse ato do të pranojnë të hyjnë në garën elektorale përballë mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama.

Unioni vlerëson se vendimi i forcave opozitare për pjesëmarrje ose jo në zgjedhje do të jetë një prej faktorëve që mund të ndikojë ndjeshëm në klimën politike të vendit dhe në mënyrën se si do të zhvillohet përballja elektorale.

Protesta dhe nevoja për një përfaqësim më të qartë

Protesta që vijon prej 106 ditësh në Tiranë ishte një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit.

Unioni shprehu interes për mënyrën se si kjo lëvizje do të vijojë dhe nëse do të ketë një forcim të saj përmes formave të ndryshme të mosbindjes civile.

Në këtë kuadër u ngrit edhe nevoja për një përfaqësim më të qartë të protestës. Sipas Unionit, organizatorët duhet të kenë një strukturë apo përfaqësi që të mundësojë komunikim të rregullt me median, publikun dhe institucionet, duke bërë të qarta kërkesat, objektivat dhe hapat e ardhshëm të lëvizjes.

Një përfaqësim i tillë, sipas Unionit, do të ndihmonte median dhe opinionin publik të kuptojnë më mirë synimet e protestës, mënyrën se si ajo do të vijojë dhe strategjinë që organizatorët synojnë të ndjekin.

Në përfundim të takimit, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës bëri të ditur se do të vijojë ndjekjen e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri.

Në kuadër të këtij angazhimi, Unioni do të kontaktojë dhe intervistojë figura politike, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë, analistë dhe personalitete të tjera që, përmes qëndrimeve dhe analizave të tyre, ndikojnë në debatin publik dhe në zhvillimet aktuale në vend.

Qëllimi është që publiku shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë të ketë akses në informacion të plotë, profesional dhe të verifikueshëm, duke dëgjuar këndvështrime të ndryshme dhe duke krijuar hapësirë për një debat publik të bazuar në fakte.

Për Unionin, ky është pjesë e misionit të gazetarisë profesionale: të ndjekë, të analizojë, të pyesë dhe të informojë, duke ruajtur pavarësinë editoriale dhe duke mos u vendosur në funksion të interesave të asnjë force politike.

Takimi u përmbyll me mesazhin se e vërteta dhe interesi publik duhet të qëndrojnë mbi interesat politike, ndërsa objektiviteti, profesionalizmi dhe pavarësia editoriale duhet të jenë bazat mbi të cilat ndërtohet besimi i publikut te media.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) 
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD) 
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD) 
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD) 
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
13 Shtator 2026

“Jemi kaq afër”: Kurti bën thirrje për bashkëpunimin në zgjedhjen e presidentit të ri

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje rivalëve politikë për bashkëpunim në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke thënë se do të ishte “e pafalshme” që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme sërish për shkak të kësaj çështjeje.

Kuvendi i Kosovës e rizgjodhi Kurtin kryeministër për herë të katërt të dielën, por dështimi për ta zgjedhur presidentin e ri do ta çonte vendin ne zgjedhje për herë të katërt në dy vjetët e fundit.

“Jemi kaq afër zgjedhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj… u bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve ta zgjedhimin çështjen e presidentit dhe të ecim përpara”, tha Kurti në mbledhjen e parë të kabinetit të tij qeveritar të hënën.

Në fund të gushtit, Kurti arriti marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, e cila ka 18 deputetë, për ta mbështetur Bekim Sejdiun për president të ri të Kosovës.

Megjithatë, një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk do ta përfillin vendimin e liderit të partisë së tyre, Lumir Abdixhiku.

Kurti tha sfida me të cilën duhen të përballen është qëndrimi gjashtë deputetëve të LDK-së, “të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim pas një procesi bisedimesh jo te lehtë të autorizuara nga kryesitë e partive tona”.

Dy partitë e tjera opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca e kanë bërë të qartë se nuk kanë votë për Sejdiun.

Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.

Nuk është e qartë se kur do të mblidhet Kuvendi për të votuar për presidentin e ri.

Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri, atëherë vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja.

Thirrja e Kurtit për bashkëpunim vjen në ditën e njëjtë kur PDK-ja i kërkoi Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë punën e Kuvendit të ri, derisa ajo të shqyrtojë nëse konstituimi i tij u bë në përputhje me Kushtetutën.

Kuvendi u konstituua të dielën pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, i cili i takon PDK-së, pasi kjo e fundit nuk mori pjesë në seancë duke e akuzuar pushtetin për shkelje të procesit.

Duke folur për media pas dorëzimit të ankesës të hënën deputeti Arian Tahiri tha se “është e rëndësishme që të vendoset masë e përkohshme fillimisht, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme e situata ma të rënda në kuptim juridik dhe institucional”.

Pezullimi i punës së Kuvendit do të nënkuptonte se ai nuk mund të votojë për presidentin e ri gjatë periudhës së pezullimit.

Çështja e zgjedhjes së presidentit ka qenë në zemër të krizës politike në vend dhe shkaktoi zgjedhje të reja parlamentare në qershor.

Emigracioni-10 vitet e fundit BE ka dhënë 1.1 milionë leje qëndrimi për shqiptarët, në Gjermani numri arrin rekordin e 124 mijë

Emigracioni i shqiptarëve drejt Bashkimit Europian ka mbetur sërish me ritme të larta në 10 vitet e fundit, dhe gradualisht po tejkalon valët e forta të largimeve të dy tre dekadave më parë, kur vendi ishte në një gjendje shumë më të keqe ekonomike, pas kalimit nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut në fillim të viteve ’90-2000.

Në 18 vjet, nga 2008-a deri në 2025-n, vendet e BE-së kanë dhënë rreth 1.1 milionë (1,082,224) leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, sipas të dhënave të Eurostat.

Për periudhën 2008-2016, u dhanë gjithsej rreth 509.5 mijë leje qëndrimi. Shifra e lartë është e lidhur me periudhën 2008-2010, me rreth 70-100 mijë leje në vit, kur ata që ikën në dekadën e mëparshme filluan të stabilizoheshin dhe të merrnin leje qëndrimi, kryesisht në Itali dhe Greqi. Të dy këto shtete së bashku dhanë gati 90%% të lejeve për periudhën (37% Greqia dhe 53% Italia).

Ndërsa u duk se emigracioni po stabilizohej pas vitit 2012, me numrin e lejeve që u përgjysmuan, një valë tjetër nisi pas 2016-s, që u përshpejtua në dekadën e fundit.

Për periudhën 2017-2025 u dhanë edhe 573 mijë leje të tjera, duke ia kaluar dekadës së mëparshme. Shifrat tregojnë qartë se shqiptarët po vijojnë të ikin me ritme më të larta, sidomos nëse e llogarisim në raport me popullsinë, që sot është ulur në 2.3 milionë banorë, nga 3 milionë banorë në 2006-n.

Ndryshe nga dekada e mëparshme, kur Italia dhe Greqia ishin pritësit kryesorë të emigrantëve shqiptarë, gjeografia është zgjeruar vitet e fundit. Për periudhën 2017-2025, Italia dhe Greqia kanë dhënë së bashku 62% të lejeve totale (41% Italia dhe 21% Greqia).

Në skenë vitet e fundit ka dalë Gjermania, që po tërheq forcën punëtore të kualifikuar dhe ka dhënë 20% të lejeve për periudhën 2017-2025. Në total, që nga viti 2008, Gjermania ka dhënë 124 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptare, duke u renditur e treta. Kryesimin vijon të mbajë Italia, me 500 mijë leje nga 2008-a, e ndjekur nga Greqia me 311 mijë.

Franca, ndonëse është destinacioni kryesor për azilantët jep shumë pak leje qëndrimi. Nga 2008-a, leje qëndrimi në Francë kanë marrë rreth 28 mijë persona, të ndjekur nga Belgjika me 14.3 mijë dhe Suedia 13 mijë. Shtetet e tjera kanë dhënë nga më pak se 10 mijë leje.

Rreth 20 mijë leje janë dhënë nga Mbretëria e Bashkuar për periudhën 2008-2018, ndërsa më pas të dhënat nuk raportohen. Gjatë dekadës së fundit Mbretëria e Bashkuara ka qenë destinacion i preferuar për shqiptarët, me kërkesat për azil që në 2022-n arritën në mbi 14 mijë, duke ia kaluar totalit të kërkesave në Be prej 13.2 mijë në atë vit.

Viti 2025, Gjermania kalon e dyta për lejet e qëndrimit

Sipas Eurostat, në vitin 2025 u dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 4% në krahasim me vitin e mëparshëm. Tendenca është e kundërt me 2024-n, kur lejet ranë me 14%.

Në 2025-n, Gjermania ishte e dyta në total për lejet e qëndrimit, me 17 mijë të tilla, përkundrejt 31.7 mijë Italia dhe 10 mijë Greqia. Pas tyre u rendit Franca me vetëm 2.4 mijë leje dhe Belgjika 1.3 mijë. Shtetet e tjera kanë dhënë më pak se 1000 leje.

Në 2025-m, sipas Eurostat, 46.3% e lejeve u dhanë për arsye familjare, 0.8% për edukim, 29.4% për punësim./Monitor

“Me mijëra para Kryeministrisë”- 107 ditë revoltë! Qytetarët nuk heqin dorë, paralajmërojnë mosbindje civile: Rama jep dorëheqjen! Në orën 18:30 mblidhemi në shesh

Protesta kundër qeverisë vijon edhe këtë të hënë në Tiranë, duke hyrë në ditën e 107 të rezistencës qytetare. Pas tubimit të djeshëm, kthehen sërish sot në shesh për të vijuar protestën dhe kërkesat e tyre politike.

Në protestën e 106-të, pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ndërsa pjesë e tubimit ishin edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.

Kërkesa kryesore e protestuesve vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.

Fjalimet e protestuesve u karakterizuan nga thirrjet për vijimin e rezistencës. Një prej tyre deklaroi se protesta ka hyrë në një fazë të re, duke e krahasuar qëndrueshmërinë e qytetarëve me “pikën e ujit që gërryen shkëmbin”. Sipas tij, pas 106 ditësh kanë nisur të shfaqen edhe çarje brenda strukturave të pushtetit.

“Askush nuk e ka menduar që edhe pas 106 ditësh do të ishim me mijëra në sheshin para Kryeministrisë”, u shpreh një protestues, duke shtuar se qëllimi mbetet rrëzimi i qeverisë.

Në të njëjtën linjë, aktivisti Arben Kola u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që të rikthehen dhe të bashkohen me protestën.
Kola njoftoi gjithashtu se nga sot grumbullimi në sheshin “Skënderbej” do të nisë në orën 18:30, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt bulevardit që të çon te Kryeministria. Ai e cilësoi pjesëmarrjen e diasporës si të rëndësishme për protestën dhe deklaroi se “sot është koha, do të jetë vonë nesër”.

Në ditën e 107-të, protesta vijon me të njëjtën kërkesë kryesore të përsëritur gjatë javëve të fundit: largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e Edi Ramës. Protestuesit kanë paralajmëruar gjithashtu përshkallëzim të qëndrimit të tyre përmes asaj që e kanë cilësuar si “mosbindje civile”.

Protesta, e cila nisi fillimisht e lidhur me kundërshtimet ndaj projekteve në zonën e Zvërnecit, Sazanit dhe zonave të mbrojtura, është shtrirë më pas në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë. Mes kërkesave të artikuluara ndër ditët e protestës janë largimi i qeverisë, ndryshime në kuadrin ligjor për investitorët strategjikë, anulimi i Paketës së Maleve dhe ndryshime në ligjet për zonat e mbrojtura.

Ndërkohë, prania e diasporës ka qenë një nga elementët e veçantë të protestave të ditëve të fundit. bw

UGSHPD: REMITANCAT REKORD NGJITJEJE, EURO DHE DOLLARI NË RËNIET HISTORIKE

Kur në një edicion lajmesh disa ditë më parë (10 Shtator), u qëndis mes disa titujve kryesorë ky plotësim: –“Turizmi duket se ka dhënë efektet pozitive në ekonomi… Paga mesatare në vend ka shkuar në 92 mijë lek të reja, pra në 1000€ duhe kaluar kështu edhe parashikimet e qeverisë për rritjen e nivelit të saj të 900 €,… thotë se ka një rënie të lehtë të papunësisë. Ndërkohë integrimi i pritshëm në BE mund t’i rrisë rrogat deri në 35% brenda 10 viteve”*, asnjë media e pavarur nuk do ta bënte më bukur edhe se orientimi zyrtar. 

Ndaj vëmendja mbi propagandën duhet shtuar pasi publiku shqiptar  ka nevojë të qartësohet dhe të kuptojë se si  dhe nga duhet të marrë informacionet dhe  faktin e vërtetë.

Të gjitha të dhënat sa më sipër qëndrojnë vetëm në mënyrën se si propaganda e koncepton, e shkruan dhe e paguan, e shtyn dhe e përcjell në rrjet. Është një aparat i tërë burokratik njerëzor e digjital i administratës së Rilindjes Socialiste që i ushqen dhe ku virtualiteti i gjithçkaje që mungon është kthyer në realitet.

Do ta lemë për në fund këtë shpjegim pa u shkëputur nga fokusi i asaj që sapo përmendëm. Ndoshta vetëm dy-tre shembuj do të mund ta plotësonin atë.

Pra flitet sot për një mesatare mujore 1000 € dhe kemi parasysh se 25,8 %  e fuqisë punëtore në Shqipëri ka marrë një pagë minimale nga 40,00 deri në  50.000 Lekë ( nga 2025 deri në Janar, 2026).  E pjesëtuar me kursin ditor të këmbimit po sot janë rreth 350 mijë persona nga fuqia punëtore vlerësohen me 543 €.

Ja se si del aritmetika e thjeshtë nga shënimet e ditës;

Viti, muaji dhe dita10 Shtator, 2026.

Rroga Mesatare Mujore= 92.000 Lek.

Konvertuar në 1000 €.

Në 2030 synojmë BE-në (?!).

Në 2036  Rroga  mesatare mujore parashikohet se do të rritet me 35%. Pra Rroga mesatare mujore bëhet 1350 €. 

Por pas dhjetë vitesh do të kemi lekë dhe euro në përdorim apo vetëm euro?

Në qoftë se jo, mund të themi se tregu financiar mund të jetë optimist, por në se jo;-Sa i fortë do të jetë Lek-u ndaj valutave si € dhe $ në vitin 2036?!

Aktualisht rroga më e ulët në rajone të ndryshme të EU është për vitin 2026 nga 620 € deri në 2771 €.

I bëmë këto krahasime pasi në titujt e lajmeve kryesore në Shqipëri që prej 10 ditësh, kur Rilindja Socialiste ka nisur takimet në formatin ‘Prania Besnike’ (çdo të Premte sa të jetë në fuqi Rama/kryeministër), po zhvillohet fenomeni i njohur mediatik “echo chamber”.  “Dhomës kumbuese” ose asaj që rilindësit e shohin si ora e deputetit me votuesin. Më pas media edhe pse e propagandon apo interesohet për ta mbuluar nuk të thotë ndonjë gjë ose diçka më shumë se çfarë ndodh me vetë procesin sepse janë vetë pushtetarët që e administrojnë narrativën, shënimet dhe problematikën.

Fillimisht emra të përveçëm nga rilindja dalin me statuse ose në panele mediatike duke rrëfyer përvojën personale duke numëruar sa takime, sa probleme dhe sa kohë dhe më pas për çështje të privatësisë, problematika bëhet jo vetëm transparente me fjalë, por edhe e përshkueshme tej e tej sa në fund asgjë nuk mbetet dhe asgjë nuk ndreqet.

PS po bën veç se një propagandë të rëndomtë parazgjedhore të pështjellë me “Praninë Besnike”… pa harruar çdo të Premte në orën 17:00, në të gjithë territorin.

Në se dikush e mendon se kjo analizë është paragjykuese pasi kanë kaluar vetëm më pak se dy javë nga prova, po tregojmë me fakte konkrete se ku jemi tani dhe ku ishim 4 vite më parë me premtimet e Rilindjes Socialiste.

‘BESA’, ‘Prania Besnike’, ‘Pasqyrë Albania’ dhe një tjetër e shtuar si ‘Flamingo Mirror’ që lidhet si një informacion transparent i qeverisë me protestuesit veçanërisht për “Zonat e Mbrojtura”.

Në tërësi paaftësinë e politikave të qeverisjes socialiste për shkak të krimit ekonomik e korrupsionit, nepotizmit dhe patronazhimit të institucioneve, kryeministri Rama e adresoi së fundi si një dobësi e punës së administratës dhe avancimit të teknologjisë. Shkurt “Shteti digjital në xhepin e qytetarit” ose e-Albania, zgjidhësja e besuar e çdo problemi.

Ndaj le të kujtojmë një episod interesant të Drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj në fund të muajit Prill të vitit 2022 finalizoi pjekurinë e e-Albania kur ndër katër pyetjet “shteruese”, diçka për t’u besuar që u ngrit për t’i mbushur mendjen njerëzve ose për t’i mashtruar ata përpara dy palë zgjedhjeve që po afronin. Zgjedhjet vendore të  2023  dhe të 2025-ës të përgjithshme në të cilat Rilindja Socialiste vetëm sapo i zgjeronte dhe po i thellonte më shumë pozitat e saj.

Ja se çfarë përforconte si risi Drejtoresha Karçanaj:–“Tashmë kemi kaluar pa letër në sistemin e akteve ku merret mendimi dhe kryhet gjithë procesi i inicimit dhe aprovimit  të akteve të Këshillit të Ministrave. Çdo akt atje është pa letër, me nënshkrim elektronik. Sistemi i menaxhimit të dokumenteve është implementuar me shumë sukses në Kryeministri dhe në të gjitha ministritë e linjës. Është momenti që në dy vitet e ardhshme të përmbyllim punën e gjithë administratës. Të automatizohet dhe të kalojë pa letër. Nuk do të kemi asnjë letër të humbur më në postë. Nuk do të kemi më pesë ditë deri në dy javë vonesa. Do të kemi zero letër, zero bojë, zero printera apo letra që amortizohen”. 

Ku jemi tani me praninë besnike rreth 4 vite e 1/2 më pas?

Kemi arritur në epokën e një formulimi të ri nga ana e kryeministrit Rama ku çdo deputeti apo ministri i kërkohet:-“Çdo të premte në të njëjtën orë, pa kamera, pa fotografi të pjesëmarrësve, pa fjalime dhe as kundërshtime, po vetëm me veshët hapur e me laps e letër për të shënuar çdo ankesë, kërkesë, shqetësim, ide apo propozim”. Në katër vite kjo administratë për shkak të korrupsionit dhe shpërdorimit të parave të publikut kaloi nga njeriu dhe shkresat, tek shkarkimi digjital i dokumentacionit dhe i zgjidhjes së punëve. Tani që edhe këtu problemet janë mbivendosur po ndodh e kundërta. Rilindësit dëgjojnë dhe mbajnë shënime dhe kujdesen që të hidhen në sistem dhe problemet të zgjidhen(?!).

Tani është fakt se jo vetëm rrethi i konsideruar besnik pranë Ramës, por edhe rrathët e tjerë pas besnikëve të quajtur patronazhistë po riorganizohen deri në diasporë që të rikrijojnë lidhjet për të gjetur së paku numrat ose votuesin e 2025-ës (me 733,727 vota).

Në dukje kjo për rilindësit ngjan e arritshme, por ky rezultat edhe pse i zbuluar dhe i demaskuar për manipulimet ka dy faktorë kryesorë  që e rrëzojnë skemën dhe e kanë bërë kryeministrin Rama të frikësohet.

Së pari, 83 mandatet e siguruara dolën nga pjesëmarrja e 42,16% e zgjedhësve në votime janë diferenca e pushtetit me kundërshtarët që u konsiderua deri në masën e 7.4% por aspak më të besueshme me praninë e qindra-mijë shqiptarëve në sheshet e Shqipërisë dhe Tiranës që prej 106 ditësh resht shprehin pakënaqësitë dhe kërkojnë dorëheqjen. Kjo tregon se me protestat e nisura në fund të muajit Maj, 2026, Rilindja Socialiste ka humbur konsiderueshëm mbështetjen edhe brenda rradhëve të saj si në Shqipëri edhe në diasporë.

Një perceptim i asaj që lajmi i vërtetë dhe informacioni i pastër nuk i shkon publikut, por manipulohet nga pushteti,  ishte pikërisht loja me numrat e qeverisë këtë fund javë. Duke e ditur marshimin e diasporës, një propagandë me turizmin dhe remitancat ishin një gabim strategjik i Rilindjes Socialiste edhe tani në një kohë kur ka hapur probleme madhore me Reformën Trrritoriale përpara Zgjedhjeve Vendore.

Nga njëra anë prania besnike në gjithë territorin, nga ana tjetër Protesta në Ditën e 105 të saj me një pjesëmarrje të gjerë nga diaspora duke ngritur problemet dhe duke e rrethuar paqësisht kryeministrinë për mbi 4 orë.

Ajo që kishte ngjarë një ditë më parë në narrativën propagandistike dhe në lajmet e qeverisë, duke i bërë njëkohësisht dëm vetes shkruhej :-“Remitancat, 621 milionë euro në gjashtëmujorin e parë” e njëjta temë si në vitin 2018, pra para 8 vitesh me të njëjtin kryeministër:-“Të ardhurat nga emigrantët shënojnë nivelin më të lartë që prej vitit 2013″ (Remitancat u rritën në këtë periudhë të parë të vitit 2018, në vlerën e 147 milionë eurove).

Dallimi kryesor këtu është se në Shtator 2018 euro këmbehej me 126 Lekë, sot në Shtator 2026 euro këmbehet me 92.16 lekë, pra 33.84 lekë më pak.

Në se do të bëjmë diferencat me shumat vjetore që janë rritur prej atëherë remitancat në fund të 2025 shënonin në vlerat mbi 1.2 miliardë €, diferenca dhe deficiti që shohim janë jo se çfarë njëherë e një kohë është premtuar dhe çfarë nuk është bërë, por sot nuk e gjen dot përgjigjen se ku këto miliona lekë të premtuara si projekte dhe të pa realizuara nuk do të mund t’i gjesh se kua kanë përfunduar dhe cilët janë shtetarët përgjegjës.

Dy-tre shembujt që mund ta plotësonin atë siç e përmendëm më lart janë ato afera që në formën e ligjeve me porosi, partneritetit publik privat, dhënien për shfrytëzim të pronave publike, pasurive natyrore dhe Zonave të Mbrojtura me interes ndërkombëtar veç atij vendas,  e të tjera afera dhe veprimtari si sterilizimi, arsimi, ndërtimi, energjia, ushtria, inceneratorët të bëjnë të mendosh se kur ato nuk i kthehen si mirëqenie taksapaguesve atëherë çdo sipërmarrje është e mbërthyer nga interesa të pushtetit dhe korrupsioni.

__________

*abc news albania

*Echo-chamber”– (dhoma e kumbimit) vendi dhe gjendja ku njerëzit dëgjojnë vetëm mendjen e tyre. Nuk ka tjetër realitet. Mungon e vërteta.

 

13 Shtator, 2026
 
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) 
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD) 
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD) 
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD) 
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Kosova bëhet me Qeveri të re, Kurti zgjidhet kryeministër për herë të katërt

Radio Evropa e Lirë

Kuvendi i Kosovës e ka votuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar Kurtit mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.

LVV-ja ka 53 deputetë në Kuvend, por Qeveria e re u mbështet edhe nga nëntë deputetë të komuniteteve joshumicë – tetë nga pakicat joserbe dhe nga Nenad Rashiq i pakicës serbe.

Në seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës. Deputetët e Listës Serbe morën pjesë dhe votuan kundër.

Përbërja e kabinetit qeveritar mbetet e njëjtë me atë të Qeverisë së tretë të drejtuar nga Kurti.

Kryeministër, Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se nuk do të prezantojë ndonjë program apo agjendë të re pasi që tha se zgjedhjet e përsëritura e kanë ndërprerë qeverisjen që do të vazhdojë edhe në mandatin e ri.

Kurti tha se vizioni i Lëvizjes Vetëvendosjes do jetë i përqendruar te mirëqenia e qytetarve dhe mbrojtja e familjeve.

“Sot ky mandat është për ta kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit”, tha Kurti.

Ai premtoi gjithashtu investime të ndryshme kapitale, si për themelimin e një kompanie ajrore në pronësi publike dhe krijimin e një rrjeti të transportit publik në tërë vendin.

Si u konstituua Kuvendi?

Kuvendi u shpall i konstituuar më herët gjatë ditës, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë.

Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare.

Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”.

Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.

Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq. Ajo mori votat e LVV-së dhe të disa deputetëve të LDK-së.

Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.

Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.

Në një vendim të mëhershëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që Kuvendi, në rrethana të caktuara, të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe Kryesia ka kuorum për vendimmarrje.

Si një rrethanë e tillë ishte përmendur rasti kur një deputet ose grup parlamentar që ka të drejtë të propozojë anëtar të kryesisë nuk e ushtron këtë të drejtë ose e pengon procesin.

PDK-ja e kundërshton procesin

PDK-ja kundërshton interpretimin se Kuvendi është konstituuar pa nënkryetarin e saj.

Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që lejon, në rrethana të caktuara, funksionimin e Kuvendit pa një anëtar të Kryesisë nuk mund të zbatohet në këtë rast.

Sipas Grudës, PDK-ja nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e kësaj të drejte, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë situatën.

Ai tha se “askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet”, duke argumentuar se LVV-ja nuk mund t’i shkelë afatet për konstituimin e Kuvendit dhe më pas të përdorë këtë situatë për t’ia mohuar PDK-së të drejtën për të propozuar nënkryetarin.

PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Në anën tjetër, Kurti tha se kurdo që PDK-ja të jetë e gatshme të propozojë kandidatin e saj për nënkryetar, deputetët e LVV-së do ta votojnë.

Çfarë ndodh tani?

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, e ka interpretuar procesin e fundit si pjesë të një skenari që çon drejt zgjedhjeve të reja. Sipas tij, 60 ditët për zgjedhjen e presidentit, së bashku me 45 ditët për mbajtjen e zgjedhjeve, çojnë pikërisht te 27 dhjetori.

Kjo datë përkon me periudhën e festave të fundvitit, kur një pjesë e diasporës së Kosovës kthehet në vend.

Data është veçanërisht e rëndësishme për LVV-në, e cila në zgjedhjet e qershorit 2026 mori përqindje dukshëm më të lartë të votave nga diaspora sesa nga votuesit rezidentë.

LVV-ja mori rreth 73 për qind të votave me postë dhe 83 për qind të votave në përfaqësi diplomatike, ndërsa nga votat e qytetarëve rezidentë mori rreth 43 për qind.

Edhe pse 62 vota i mjafton LVV-së për ta formuar Qeverinë e re, ato nuk mjaftojnë edhe për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Më 31 gusht, LVV-ja dhe LDK-ja njoftuan se do ta mbështesnin kandidaturën e përbashkët të Bekim Sejdiut për president.

Por kjo kandidaturë ka shkaktuar përplasje brenda LDK-së. Gjashtë nga 18 deputetët e saj kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin.

Dita e 106 e protestës- Diaspora zbret sërish në shesh, paralajmërohet tjetër revoltë masive për dorëheqjen e Ramës

Revolta qytetare ndaj qeverisë ka hyrë sot në ditën e saj të 106-të radhazi, duke konfirmuar vijimësinë e një prej lëvizjeve më të gjata protestuese në kryeqytet.

Përballë godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, revoltës do t’i bashkohet sërish masivisht diaspora shqiptare, e cila ka udhëtuar nga vende të ndryshme të Evropës për të mbështetur protestën në terren.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë paralajmëruar organizimin e një tjetër proteste masive me kërkesën e prerë për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Sipas përfaqësuesve të protestuesve, prania e emigrantëve shqiptarë sjell një impuls të ri për lëvizjen, ndërsa është bërë me dije se qëndresa qytetare do të vijojë pa ndërprerje deri në plotësimin e kërkesave të tyre politike. bw

Protesta e 12 shtatorit, thirrja për tifo-grupet e Shqipërisë: Bashkohuni sonte me ne!

Një thirrje drejtuar tifo-grupeve shqiptare po qarkullon për ditën e sotme, 12 shtator, me kërkesën për bashkim dhe marshim në shenjë proteste kundër qeverisë.

 

Në thirrje u bëhet apel tifozëve që të bashkohen në protestën e sotme, duke e cilësuar këtë si një moment për të treguar unitet dhe vendosmëri.

“Thirrje për tifo-grupet e Shqipërisë Sot me dt 12 shtator të bashkohen dhe marshojnë deri në largimin e qeverisë tradhëtare. Është koha që vêrtetë të tregohemi një. Të mbrojmë pronen, familjen, atdheun, flamurin.Bashkë për një qëllim”. gsh


Send this to a friend