VOAL

VOAL

New York si Venezia, hipotezë për një ‘Mose’ kundër përmbytjeve

September 28, 2022
blank

Komentet

blank

SHBA prezanton bombarduesin e ri bërthamor B-21 Raider

RFE/RL

Forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë prezantuar bombarduesin e ri bërthamor, B-21, i cili gradualisht do të zëvendësojë avionët që fillimisht u përdorën në Luftën e Ftohtë.

Bombarduesi i parë, i prodhuar pas 30 vjetësh, mund të kushtojë pothuajse 700 milionë dollarë dhe ai mund të bartë armë bërthamore dhe konvencionale.

Ashtu siç pritej, detajet specifike të kësaj fluturakeje kanë mbetur sekrete.

Por, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se ky bombardues është “dëshmi e avantazheve të qëndrueshme të Amerikës në zotësi dhe inovacion”.

Bombarduesi B-21 Raider u prezantua gjatë një ceremonie të kompanisë prodhuese Northrop Grumman, të mbajtur në Kaliforni.

Bombarduesi B-21 Raider gjatë prezantimit.

Bombarduesi B-21 Raider gjatë prezantimit.

Austin tha se avioni ofron përparësi krahasur me bombarduesit aktualë në flotën e SHBA-së, duke shtuar se “edhe sistemet më të sofistikuara të mbrojtjes ajrore do të kenë vështirësi që të detektojnë në qiell bombarduesin B-21”.

“Pesëdhjetë vjet të përparimeve në teknologji të vëzhgimit janë përfshirë në këtë avion”, tha ai.

Ai shtoi se avioni është ndërtuar me një “sistem të hapur arkitekturor” që lejon përfshirjen e “armëve të reja dhe atyre që ende nuk janë zbuluar”.

Përderisa gjatë ceremonisë nuk u përmend nëse ky bombardues mund të fluturojë pa ekuipazh, një zëdhënëse e forcave ajrore amerikane tha se avioni “është i ndërtuar që ta ketë edhe këtë opsion, por ende nuk ka vendim që i njëjti të operohet pa ekuipazh”.

Fluturimi i parë i B-21 është paraparë të ndodhë vitin e ardhshëm.

Ky avion do të zëvendësojë modelet B-1 dhe B-2 që janë pjesë e flotës, dhe autoritetet parashikojnë se do të duhen 203 miliardë dollarë për ndërtimin e tyre, blerjen dhe operimin gjatë 30 vjetëve, raportoi Bloomberg.

Gjatë bombardues të tillë aktualisht janë në prodhim, tha kompania prodhuese, duke shtuar se ata do të jenë “gjeneratën e re të avionëve të padetektueshëm” dhe për ndërtimin e tyre do të përdoren “teknika dhe materiale” të paspecifikuara.

Forcat ajrore amerikane pritet të pajisen me të paktën 100 avionë të tillë.

blank

Biden: Gati të bisedoj me Putinin nëse ai ka interes t’i japë fund luftës

VOA/Cindy Saine

Presidenti Joe Biden dhe Presidenti francez Emmanuel Macron deklaruan se kurrë nuk do të ushtronin trysni ndaj Ukrainës për të negociuar përfundimin e luftës me Rusinë. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara dhe Franca qëndrojnë të bashkuara si kurrë më parë me aleatët e tyre të NATO-s, kundër agresionit të Moskës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton.

Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden pritën të enjten në Shtëpinë e Bardhë presidentin francez Emmanuel Macron dhe bashkëshorten e tij, Brigitte Macron. Kjo shënon vizitën e parë shtetërore të një udhëheqësi të huaj gjatë presidencës Biden.

Mbështetja për Ukrainën, ndërsa po afron një dimër i acartë, e teksa Rusia po dëmton infrastrukturën energjetike të vendit, ishte në krye të axhendës së tyre.

Gazetarët pyetën presidentin Biden nëse do të zhvillonte bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës.

Nuk kam ndonjë plan për të kontaktuar zotin Putin. Por jam i gatshëm të bisedoj me të. Nëse ka interes nga ana e tij për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës, gjë që ai nuk e ka bërë ende, por nëse do ishte kështu, në konsultim me miqtë e mi francezë e të NATO-s, do të isha i lumtur të ulesha me zotin Putin për të kuptuar se çfarë dëshiron ai, e çfarë ka në mendje”, tha zoti Biden.

Zoti Macron u pyet nëse ka patur një kërkesë nga Presidenti Biden që të bëjë përpjekje për të bindur Ukrainën që të negociojë për t’i dhënë fund luftës, për shkak të rrezikut që i kanoset stabilitetit botëror.

Ne kurrë nuk do t’i nxisim ukrainasit të bëjnë një kompromis, që nuk do të jetë i pranueshëm për ta. Ata janë shumë të guximshëm dhe mbrojnë, jetën e kombin e tyre, si dhe parimet tona. Nëse do të bënim ndryshe, nuk do të ndërtonin kurrë një paqe të qëndrueshme”, tha zoti Macron.

Pavarësisht disa dallimeve të mprehta mbi një ligj të ri të SHBA-ve që favorizon produktet amerikane të lidhura me energjinë e pastër, në kurriz të konkurrentëve evropianë, presidentët Biden e Macron ripohuan se Parisi është aleati më i vjetër i Uashingtonit dhe se të dy vendet janë të rëndësishëm për t’i bërë ballë Rusisë.

Senatori republikan James Risch i tha Zërit të Amerikës se ka gjasa që Kongresi ta miratojë kërkesën e zotit Biden për një ndihmë shtesë prej 38 miliardë dollarësh për Ukrainën, përpara fillimit të sesionit të ardhshëm në janar, kohë kur ndryshojnë dhe balancat në Kongres.

Mesazhi që Putini duhet të marrë është se ne do të qëndrojmë në krah të Ukrainës derisa ajo ta fitojë luftën”, tha zoti Risch.

Rezultati i luftës nuk është i rëndësishëm vetëm për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, i tha Zërit të Amerikës senatorja demokrate Jeanne Shaheen.

Kundërshtarët tanë, konkurrentët tanë, si Kina, Irani, Koreja e Veriut, po vëzhgojnë se çfarë po bëjnë aleatët dhe se cili do ta fitojë luftën në Ukrainë. Ata po shohin nëse do të jemi të suksesshëm e nëse do ta vendosim para përgjigjësisë Vladimir Putinin”, tha zonja Shaheen.

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në rezistencën e saj ndaj Rusisë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

blank

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton rezulton pozitiv me koronavirus

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton ka bërë të ditur se është infektuar me COVID-19. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Clinton, i cili permes rrjeteve sociale thote se  ka simptoma të lehta dhe se po trajtohet në shtëpi.

“Kam pasur simptoma të lehta, por në përgjithësi jam mirë dhe po qëndroj në shtëpi”, ka shkruar ai në Twitter.

Clinton ka pohuar se më parë ka marrë edhe dozën përforcuese kundër coronavirusit, e cila ka ndikuar që ta kalojë më lehtë infektimin.

“Unë jam vaksinuar dhe u bëj thirrje të gjithëve të bëjnë të njëjtën gjë, veçanërisht kur kalojmë në muajt e dimrit”, përfundoi ai.

Bashkëshortja e Clintonit, Hillary kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 në muajin mars të këtij vit./dita

blank

Znj Ambasadore Yuri Kim – Ja “çlirimi” që u solli shqiptarëve 29 Nëntori – Dëshmi nga Lek Pervizi, i mbijetuar i Kampit famëkeq të Tepelenës

 

Kur vjet ambasada e SHBA bëri një postim urues për 29 nëntorin, hasi në reagime të ashpra, por pati edhe habi e madje u mendua se mos ishte një lapsus. Por Kim e çoi përtej këtë skandal, duke u shfaqur sot në homazhe në ditën që shqiptarët e shohin si fillimin e vuajtjeve të tyre.

Zonja Ambasadore Juri Kim – shiko skicimet që ka sjellë Lek Pervizi, i cili e ka provuar “çlirimin e Shqipërisë” nga diktatori Enver Hoxha!

 

Persekutimi i Pervizëve

Familja e Prenk Pervizit u mbajt në internim nga viti 1945 deri në vitin 1991.

Gjithë fisi Pervizi ka përjetuar kalvar.

Janë 23 të pushkatuar e të vdekur burgjeve dhe 7 shekuj dënime e internime të bëra bashkë, për të gjithë pjesëtarët e familjes.

Fisi dhe familja e Gjeneral Prenk Pervizit pësoi përndjekje të pashembullt prej regjimit komunist.

Kullat e Pervizëve u dogjën ne Laç e ne Skuraj.

Pasurite u grabiten dhe pronat u konfiskuan, ne fshat e qytet (Tirane).

Jane 23 pjesëtarë të fisit qe u burgosën, internuan ose u pushkatuan.

E ama, nane Mrika, beri pese vjet internim e vdiq ne kampin famekeq te Tepelenes me 1950 m ne moshen 90 vjeçe.

E shoqja, Prena, u internua qe me 1945 për 32 vjet dhe vdiq në Plug të Lushnjës më 1977.

Djali i dyte genz, vdes ne kampine Gradishtes me prill 1989, pas 10 vjet burg e 33 vjet internim.

Tre djemt Valentini, Genci dhe Leka bënë gjegjësisht 47, 43 dhe 45 vite dënime.

Shuma e përgjithshme e dënimeve për gjithë familjen dhe të afërmit e tjerë të këtij fisi arrin në afro 700 vjet, prej ku vetem trungu familjar i tij 482 vjet.

blank blank blank blank blank

blank

Trumpi darkon me supremacistin e bardhë, kritika nga republikanët

VOA

Shtëpia e Bardhë iu bashkua të hënën kritikave të disa republikanëve ndaj ish-presidentit Donald Trump, lidhur me një darke që ky i fundit ka patur me supremacistin e bardhë Nick Fuentes, duke thënë se në Amerikë, nuk ka vend për forca të së keqes, sikurse racizmi, fanatizmi dhe antisemitizmi.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve se ajo nuk do të komentonte çdo lëvizje të zotit Trump, por ishte e rëndësishme që qëndrime të tilla të dënoheshin qartësisht.

Në shoqërinë tonë nuk ka vend për këto lloj forcash që përfaqësojnë të keqen“, u tha ajo gazetarëve. “Kur nuk flisni kundër këtyre lloj komenteve helmuese e të rrezikshme, kjo në vetvete është gjithashtu tepër e rrezikshme“.

Zoti Trump ka thënë se takimi në resortin e tij në Mar-A-Lago të Floridës ishte i paqëllimshëm, por ai u përball si rrallë herë me kritika nga republikanët, mes tyre dhe guvernatori republikan i shtetit Arkansa, Asa Hutchinson, i cili e akuzoi zotin Trump për fuqizim të ekstremizmit.

Zoti Trump njoftoi në fillim të këtij muaji se planifikon të kërkojë nga republikanët që ta kandidojnë zyrtarisht për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, por ai mund të përballet me sfidues në këtë përpjekje, përfshirë guvernatorin e Floridës Ron DeSantis dhe ish-nënpresidentin republikan Mike Pence.

Presidenti Trump gaboi që i dha një vend në tavolinë një nacionalisti të bardhë, një antisemitisti dhe një mohuesi të Holokaustit dhe mendoj se ai duhet të kërkojë falje”, tha zoti Pence të hënën për një media amerikane.

Zoti Fuentes është cilësuar si një supremacist i bardhë nga Departamenti i Drejtësisë. Ai mori pjesë në tubimin e 6 janarit 2021 në Uashington që i parapriu sulmit në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump. Lidhja Anti-Shpifje tha se zoti Fuentes dikur “me shaka” mohoi Holokaustin dhe i krahasoi hebrenjtë e djegur në kampet e përqendrimit, me biskotat në furrë.

Të dielën Shtëpia e Bardhë kritikoi zotin Trumpin duke thënë në një deklaratë se “fanatizmi, urrejtja dhe antisemitizmi nuk kanë absolutisht vend në Amerikë, përfshirë edhe Mar-A-Lago”.

Por zëdhënësja Jean-Pierre shkoi më tej të hënën, duke nënvizuar përgjegjësinë e të gjithëve për të folur kundër mohuesve të Holokaustit dhe atyre që mbështesin qëndrime të tilla.

Ne të gjithë duhet ta dënojmë këtë dhe duhet ta themi shumë qartë një gjë të tillë“, tha ajo.

blank

Biden kërkon një ndihmë tjetër për Kievin, para se republikanët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve

VOA/Michelle Quinn

Administrata e presidentit Joe Biden po synon që gjatë javëve të ardhshme të sigurojë një fond tjetër ndihmash prej 37 miliardë dollarësh për Ukrainën, para se të fillojë nga puna Kongresi i ri në janar, ku republikanët do të kenë kryesinë e Dhomës së Përfaqësuesve, ndonëse me një diferencë të vogël.

Ukraina po përballet me të ftohtin, ndërsa lufta nëntëmujore kundër Rusisë vazhdon.

Deri tani, ndihma për Kievin kishte mbështetje të gjerë dypartiake në Kongresin amerikan, por kjo mund të ndryshojë.

Disa udhëheqës të Partisë Republikane, të cilët nga janari do të drejtojnë Dhomën e Përfaqësuesve, thonë se do të shqyrtojnë nga afër paketat e ndihmave për Ukrainën të propozuara nga administrata Biden.

“Do të rrisim mbikëqyrjen, transparencën dhe llogaridhënien. Nuk do të lëshojmë një çek të bardhë”, tha ligjvënësi republikan Michael McCaul.

Ndihma e mëparshme për Ukrainën është miratuar me mbështetje të gjerë dypartiake.

Administrata e presidentit Biden po kërkon 37 miliardë dollarë të tjera, si ndihma urgjente për Kievin, për t’u siguruar që Ukraina dhe ushtria e saj të kenë fondet e mjaftueshme për muajt e ardhshëm.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, 21.7 miliardë dollarë do të ndahen për ushtrinë, zbulimin dhe ndihma tjera për mbrojtjen, ndërsa 14.5 miliardë dollarë do të jenë ndihma humanitare dhe për qeverinë ukrainase.

“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Nuk do të ketë asnjë luhatje në mbështetjen tonë”, thotë Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan.

Ndërsa në të dyja partitë ka zëra që kundërshtojnë mbështetjen për Ukrainën, disa republikanë kanë kritikuar sasinë e ndihmave për këtë vend dhe kanë ngritur dyshime nëse të gjitha fondet kanë shkuar vërtetë për Ukrainën. Ata kanë hedhur dhyshime mbi aftësitë e administratës Biden për të gjurmuar se ku kanë shkuar paratë e ndihmave për Ukrainën.

“Do ta bëjmë këtë në mënyrë të përgjegjshme, me transparencë ndaj popullit amerikan. Këto janë dollarë të taksapaguesve amerikanë. A e zbeh kjo vullnetin tonë për të ndihmuar popullin ukrainas të luftojë? Jo. Por ne do ta bëjmë atë në mënyrë të përgjegjshme”, tha ligjvënësi republikan Michael McCaul.

Ukraina ndërkohë, njofton se ekipet e shërbimeve po punojnë për të rikthyer furnizimin me energji, pas goditjeve nga Rusia të infrastrukturës energjitike në rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës.

blank

Van Schaack: Përgjegjës për krimet e luftës në Ukrainë, zinxhiri komandues rus

VOA

Ambasadorja e posaçme amerikane që merret me dokumentimin e krimeve të luftës thotë se kudo që janë vendosur forcat ruse në Ukrainë janë kryer krime të ndryshme lufte. Beth Van Schaack i tha shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës se mënyra sistematike e krimeve në Ukrainë tregon për përfshirjen e personave të rëndësishëm në zinxhirin komandues rus. Zonja Van Schaack gjithashtu tërhoqi paralale mes punës së saj me Gjykatën për Krime Lufte në ish-Jugosllavi dhe asaj që po ndodh në Ukrainë.

Ambasadorja e Posaçme amerikane për Drejtësinë Penale Globale tha se forcat ruse po bëjnë krime të ngjajshme me ato që janë kryer gjatë luftrave në ish Jugosllavi.

“Shohim shumë paralele me luftën në ish-Jugosllavi, përfshirë sulme kundër popullatës civile, rrethime të qyteteve historike ku njerëzit kanë mbetur të uritur dhe ku i ftohti ndjehët edhe më shumë pasi banorët janë pa energjinë që iu jep ushqimi”, tha zonja Van Schaack.

Zonja Van Schaack tha kur shohim krime të tilla të kryer në mënyrë sistematike është shumë e vështirë të imagjinohet se si mund të kryhen ato pa përfshirjen e zinxhirit komandues rus. Por nëse vërtetohet përgjegjësia e udhëheqësit rus, Vadimir Putin për krimet në Ukrainë, sipas zonjës Van Schaack, Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund ta kryejë gjykimin pa kapjen e udhëheqësit rus.

“Shumë udhëheqës të lartë si ai i Kilit për shembull, Augusto Pinochet apo udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, Slobodan Millosheviç nuk e kishin menduar kurrë se do të shihnin brendësinë e një sallë gjyqi dhe në fund u vërtetua se kishin gabuar. + Teorikisht Gjykata Ndërkombëtare Penale ka ligjshmërinë mbi presidentin rus, Putin nëse ata janë ndonjëherë në gjendje ta arrestojnë. Gjykata ndërkombëtare Penale ndryshe nga gjykatat ukrainase nuk mund të vazhdojë pa paraburgimin e të akuzuarit. Ata mund të hapin një hetim dhe të konfirmojnë një aktakuzë, por nuk mund të ecin përtej kësaj pike”, tha ambasadorja e posaçme amerikane, Van Schaack.

Ajo tha se po ndjekin nga afër edhe videot në internet që Moska thotë se tregon për krimet e luftës që dyshohet se janë kryer nga Ukraina. Por, shkalla e kriminalitetit e shfaqur nga ana e forcave ruse ishte “e jashtëzakonshme”.

“Kemi raportime për qytetarë të ekzekutuar, me duar të lidhura. Kemi trupa që tregojnë shenja torture. Kemi raportime të besueshme që gratë, vajzat, por edhe burra dhe djem i janë nënshtruar dhunës seksuale derisa janë mbajtur në paraburgim nga forcat ruse”, tha zonja van Schaack.

Kievi së fundi ka raportuar se vetëm në zonën e Khersonit, qytetit ukrainas që u lirua së fundi, janë regjistruar 460 raste të krimeve të luftës të kryera javëve të fundit. Numri i përgjithshëm i krimeve të luftës shkon në dhjetëra mijëra.

Ambasadorja e Posaçme amerikane thotë se janë tre rrugë përmes së cilës mund të hetohen krimet në Ukrainë. Përveç Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, Kievi është pajtuar që përgjegjësia e personave të rëndësisë së lartë në pozita udhëheqëse të bëhet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e cila tani po punon në mbledhjen e dëshmive. Zonja Van Schaack gjithashtu njoftoi se janë gjykatat e të paktën 14 shteteve nëpër botë që kanë nisur hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë.

blank

Presidenti Biden çel sezonin e festave; ‘fal’ dy gjela

Presidenti Biden duke folur gjatë ceremonisë së faljes së gjelave të detit në Shtëpinë e Bardhë (21 nëntor 2022)

VOA/Marrë nga Associated Press

UASHINGTON – Presidenti Joe Biden vazhdoi një traditë 75-vjeçare të hënën dhe fali dy gjela deti për Festën e Falenderimeve, të cilëve u ishin dhënë emra sipas shijeve të tij të preferuara të akullores. Ai gjithashtu bëri shaka me arritjet më të mira se ç’pritej të partisë së tij politike në zgjedhjet e mesmandatit që u mbajtën këtë muaj.

“Votat u hodhën, u numëruan dhe u verifikuan”, tha Presidenti Biden teksa mirëpriti gjelat e detit Chocolate dhe Chip përpara qindra njerëzve që u mblodhën në kopshtin jugor në një mot të ftohtë. “Nuk ka mbushje kutish. Nuk ka lojë manipuluese. E vetmja dallgë e kuqe këtë sezon do të jetë nëse pastori gjerman Commander rrëzon salcën e boronicës së kuqe në tryezën tonë”. Commander (Komandanti) quhet qeni i presidentit.

Commander, qeni i presidentit, ndjek ceremoninë nga një ballkon i Shtëpisë së Bardhë

Commander, qeni i presidentit, ndjek ceremoninë nga një ballkon i Shtëpisë së Bardhë

Chocolate dhe Chip, secili me peshë rreth 23 kilogramë, u sollën nga Karolina e Veriut të shtunën. Ata u vendosën në një dhomë në hotelin Willard, pranë Shtëpisë së Bardhë, për të pritur vizitën e tyre me presidentin dhe deklaratën e tij që u jep lirinë.

Chocolate chip (çokollatë e thërrmuar) është lloji i preferuar i akullores për Presidentin Biden. Presidenti bëri shaka në këtë aktivitet duke thënë se “mund t’i kishim emërtuar “Chips dhe Science”, sipas Ligjit me buxhet 280 miliardë dollarë CHIPS dhe Shkencë, që ai mbështeti dhe firmosi në fuqi këtë vit.

“Unë i fal Chocolate dhe Chip-in”, deklaroi Presidenti Biden. Përpara ceremonisë, djali i tij Hunter Biden nxori jashtë djalin e tij të vogël, Beau, i cili është pothuajse 3 vjeç, që të shikonte gjelat.

Dy gjelat e falur, Chocolate dhe Chip

Dy gjelat e falur, Chocolate dhe Chip

Të dy gjelat janë nga Monroe, Karolina e Veriut, njoftoi Federata Kombëtare e Gjelave të Detit, sponsore e traditës së gjelit të detit, e cila daton që në vitin 1947, me Presidentin Harry Truman.

Fillimi i aktiviteteve të festave në Shtëpinë e Bardhë pasoi një fundjavë të ngjeshur personalisht për Presidentin Biden dhe familjen e tij, së bashku me zgjedhjet e mesmandatit në të cilat Partia Demokrate e presidentit pati rezultate të mira dhe sfidoi tendencat historike që kishin parashikuar humbje të mëdha. Demokratët do të mbajnë kontrollin e Senatit dhe megjithëse republikanët do të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve kur Kongresi i ri të fillojë punën në janar, demokratët i mbajtën në minimum fitoret e Partisë Republikane në atë dhomë.

Pema zyrtare e Krishtlindjes e Shtëpisë së Bardhë u dorëzua të hënën dhe çifti Biden ndihmoi në shërbimin e një darke në stilin e Festës së Falënderimeve në një bazë të Korpusit të Marinsave në Karolinën e Veriut.

Duke u shërbyer darkën marinsave në Havelock, Karolina e Veriut

Duke u shërbyer darkën marinsave në Havelock, Karolina e Veriut

Presidenti Biden dhe gruaja e tij, Jill, do të largohen nga Uashingtoni të martën për të vazhduar traditën e tyre familjare duke e kaluar Festën e Falenderimeve në ishullin Nantucket, të shtetit Masaçusets. Ata organizuan dasmën e mbesës së tyre Naomi Biden në Shtëpinë e Bardhë të shtunën, e ndjekur nga një drekë familjare të dielën për ditëlindjen e 80-të të presidentit.

blank

Alex Whiting – ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë

VOA

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, siç njihet Gjykata e Posaçme për krime lufte në Kosovë, njoftoi të premten në mbrëmje se juristi Alex Whiting, është emëruar ushtrues detyre i kryeprokurorit, duke zëvendësuar kryeprokurorin e deritashëm Jack Smith.

Njoftimi u bë publik disa orë pasi Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland emëroi zotin Smith si prokuror të posaçëm për të mbikëqyrur hetimin e Departamentit të Drejtësisë për praninë e dokumenteve sekrete në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida. Ai do të merret gjithashtu edhe me hetimin e veçantë që përfshin sulmin e 6 janarit 2021 mbi Kapitolin dhe përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara thuhet se zoti Whiting do të ushtrojë funksionet e kryeprokurorit deri në emërimin e një kryeprokurori të ri dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës.

Zoti Whiting, 58 vjeç, me kombësi franko-amerikane ka punuar në zyrën e prokurorit nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si Zëvendësprokuror i Specializuar.

Midis viteve 2010 dhe 2013, ai ishte pjesë e Zyrës së Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ndërsa në periudhën midis viteve 2002 dhe 2007, kishte punuar në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë. Gjatë asaj kohe kishte qenë kryeprokurori i çështjes në procesin kundër ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, si dhe kryeprokuror në gjykimet ndaj serbit nga Kroacia Milan Martiç dhe serbit nga Bosnia, Dragomir Milosheviç.

Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili hodhi dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më shumë se 13 mijë veta besohet se janë vrarë gjatë kryengritjes së viteve 1998-99 në Kosovë, kur ajo ishte ende nën administrimin serb nën presidentin e atëhershëm Slobodan Milosheviç. Lufta mori fund më ndërhyrjen e NATO-s dhe Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Beogradi i mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë shtetësinë e saj.

blank

Kryeprokurori i Posaçëm i Kosovës me seli në Hagë – emërohet prokuror i posaçëm për hetimet ndaj ish presidentit Trump

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland emëroi të premten zotin Jack Smith si prokuror të posaçëm për të mbikëqyrur hetimin e Departamentit të Drejtësisë për praninë e dokumenteve sekrete në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida. Ai do të merret gjithashtu edhe me hetimin e veçantë që përfshin sulmin e 6 janarit 2021 mbi Kapitolin dhe përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ky vendim u publikua vetëm tre ditë pasi zoti Trump shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale që do mbahen më 2024.

Megjithëse emërimi vendos një mbikëqyrës të ri në krye të hetimeve, të dyja rastet pritet të përshpejtohen tani që zgjedhjet e mesmandatit kanë përfunduar. Prokurori i posaçëm do t’i raportojë prokurorit të përgjithshëm Garland, i cili ka fjalën përfundimtare nëse do të ngrejë akuza.

Pas emërimit, zoti Smith tha se synon të “kryej hetimet e caktuara dhe çdo ndjekje penale që mund të dalë prej tyre, në mënyrë të pavarur dhe sipas traditave më të mira të Departamentit të Drejtësisë. Ritmi i hetimeve nuk do të ndalohet apo ngadalësohet nën vëzhgimin tim”.

Jack Smith, është prokuror veteran që drejtoi seksionin e integritetit publik të Departamentit të Drejtësisë në Uashington dhe më vonë shërbeu si kryeprokuror federal në Nashville, Tenesi, gjatë administratës së presidentit Barack Obama.

Së fundmi, ai ka qenë kryeprokuror i Prokurorisë së Posaçme në Hagë që heton krimet që dyshohet se u kryen nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë dhe pas luftës.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi se zoti Smith nuk është i regjistruar si votues demokrat apo republikan, në përpjekje për të zbutur çdo sulm ndaj tij me baza politike.

Ish Presidenti amerikan Donald Trump, në një deklaratë për kanalin Fox News, tha se “nuk do të marrë pjesë” në hetimet e prokurorit të posaçëm.

“Departamenti i ‘Drejtësisë’ i demokratëve nuk ka asgjë përveç atyre që urrejnë zotin Trump, kështu që ata sapo emëruan një prokuror të posaçëm për të më hetuar më tej. E turpshme!”, tha ish Presidenti Trump më vonë në një postim në rrjetet sociale.

Ajo që ka nxitur debat në SHBA është koha dhe arsyeja pse u bë ky emërim.

“Emërimi i një avokati të posaçëm në këtë kohë është gjëja e duhur për t’u bërë”, tha prokurori i përgjithshëm amerikan, Merrick Garland në një konferencë shtypi në Uashington.

Ky do të ishte prokurori i tretë i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë që emërohet që nga viti 2017 për të trajtuar çështje të ndjeshme politikisht.

Prokurorë të tillë zakonisht kanë një shkallë të lartë pavarësie për të shmangur konfliktet e mundshme të interesit.

Ish-drejtori i FBI-së Robert Mueller u emërua në vitin 2017 për të mbikëqyrur hetimin federal mbi fushatën presidenciale të zotit Trump për zgjedhjet e vitit 2016 dhe kontaktet e tij me Rusinë. Në vitin 2019, John Durham u emërua për të hetuar origjinën e hetimit të FBI-së në fushatën të zotit Trump kur u zgjodh president.

blank

Ndryshimet në kongresin e ri amerikan

VOA/Katherine Gypson

Republikanët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve këtë javë dhe Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi njoftoi se nuk do të kërkojë një pozicion drejtues në pakicën e re demokrate – dy nga shumë ndryshimet që do të vijnë në Kongresin e ri në janar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, njofton.

Ndryshime të mëdha përpara në Kongresin amerikan… ndërsa ligjvënësit e rinj prezantohen me Kapitolin. Për herë të parë në katër vjet, demokratët nuk kanë më shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Me besim të madh në grupin tonë parlamentar, unë nuk do të kërkoj rizgjedhje në udhëheqjen demokrate në Kongresin e ardhshëm”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, do të tërhiqet në mënyrë që demokratët e rinj të kenë radhën e tyre në krye të pakicës.

Ligjvënësi Kevin McCarthy është kandidati republikan për t’u bërë kryetari i ri.

“Jam krenar të njoftoj se epoka e sundimit njëpartiak demokrat në Uashington ka përfunduar. Uashingtoni tani ka një kontroll dhe ekuilibër”.

Por zoti McCarthy do ta ketë të vështirë të bashkojë anëtarët e tij për legjislacioneve të rëndësishme pasi ai përballet me kundërshtime të konsiderueshme nga krahu i partisë ende besnik ndaj ish-presidentit Donald Trump.

“Ata duhet të kuptojnë si të arrijnë konsensus brenda grupit të tyre para se të kërkojnë bashkëpunim me demokratët. Pra, mendoj se do të jetë një kohë sfiduese për një shumicë shumë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve”, thotë Amy Dacey në universitetin Amerikan.

Anëtarët e rinj të Kongresit thonë se shumica e ngushtë duhet t’i detyrojë të dy partitë të punojnë së bashku për legjislacionin dypartiak.

“Njerëzit janë të lodhur nga ekstremistët në të majtën dhe në të djathtën ekstreme. Ata duan që njerëzit të jenë të gatshëm të punojnë në dyja anët për të bërë atë që është e drejtë”, thotë ligjvënësi i zgjedhur demokrat Wiley Nickel.

“Ka shumë fusha bashkëpunimi ekziston vullneti për t’u ulur së bashku dhe për të punuar drejt këtij qëllimi”, thotë ligjvënësi i zgjedhur republikan Michael Lawler.

Dhe çdo legjislacion do të duhet të miratohet në një Senat me shumicë demokrate, nën udhëheqjen e vazhdueshme të Chuck Schumer.

“Kam një lutje për republikanët dhe një këshillë – nëse përqafoni MAGA-n, do të vazhdoni të humbisni. Ju do të humbisni më shumë. Përqafimi i MAGA-s në 2018, 2020 dhe ’22 nuk funksionoi. Ju mirëpresim të punoni me ne mbi baza dypartiake”.

Megjithëse u sfidua, Mitch McConnell mbajti pozicionin drejtues të Senatit mes republikanëve, ndërsa pranoi dështimet e tyre me votuesit në këto zgjedhje.

“Përshtypja e tyre për shumë njerëz në role drejtuese në partinë tonë është se ata janë të përfshirë në kaos, negativitet, sulme të tepruara. Dhe kjo i frikësoi votuesit e pavarur dhe të moderuar republikanë”, tha senatori Mitch McConnell.

Por me një qeveri të ndarë për dy vitet e ardhshme, shanset që presidenti Joe Biden të miratojë ndonjë legjislacion të rëndësishëm janë shumë të pakta.

blank

Faton Bislimi: Falë angazhimit të lobit tonë LQSHA – Republikani McCarthy që do të drejtojë Kongresin është mik yni & i kombit shqiptar

Faton Bislimi, anëtar ekzekutiv i LQSHA dhe ish-deputeti i LDK lajmëron në Facebook fitoren e Kongresmenit Republikan Kevin McCarthy, i cili do të jetë edhe drejtuesi i ardhshëm i Kongresit Amerikan. Ja çfarë shkruan Faton Bislimi:

“Me betimin e Kongresit të ri të SHBA-ve në Janar 2023, rolin e Kryetarit pritet ta marrë Kongresisti Kevin McCarthy, Republikan nga Kalifornia, që deri më tani ka qenë Udhëheqës i Pakicës në Kongres. Kongresisti McCarthy është mik yni dhe i kombit shqiptar, dhe kjo falë angazhimit historik me të dyja taborret partiake në Capitol Hill të lobit tonë në SHBA, Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Pasi që veç është konfirmuar se zgjedhjet e 8 Nëntorit i dhanë Republikanëve shumicën në Dhomën e Përfaqësuesëve, Nancy Pelosi sot e deklaroi të përfunduar mandatin e saj në krye të Kongresit të SHBA-ve pas një karriere të gjatë e të bujshme duke u bërë edhe gruaja e parë në pozitën e Kryetarës së Kongresit.

Puna jonë për kauzën kombëtare do vazhdojë me sukses edhe me z. McCarthy dhe Kongresin e ri të SHBA-ve.

Është me të vërtetë e bukur të kemi miq të njëmendtë në kupolën e demokracisë botërore. Dyertë e hapura aty ku duhet arrihen me angazhim sistematik. Krenar me angazhimin tim me liderët në Capitol Hill tash e dy dekada!”

🇺🇲 🇽🇰 🇺🇲 🇦🇱 🇺🇲
blank

 


Send this to a friend