VOAL

VOAL

Netanyahu nuk arrin të formojë qeverinë e re në Izrael

October 22, 2019

Komentet

Perëndimi po përgatitet për një garë armatimi me Rusinë dhe aleatët e saj

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë një konference për shtypin në takimin e NATO-s në Uashington-11 korrik 2024.

 

VOA/Jeff Seldin

Ndërsa pjesa më e madhe e takimit të NATO-s në Uashington ka qenë e përqendruar në mbështetjen për Ukrainën, disa zyrtarë perëndimorë janë po aq të vendosur të përballen me një sfidë tjetër të nxitur nga agresioni rus në Ukrainë, një garë armatimi me pasoja globale.

Zyrtarët argumentojnë se nuk është më e mjaftueshme për të siguruar që Ukraina të ketë armët dhe sistemet që i nevojiten për të vazhduar rezistencën ndaj sulmeve të pandërprera të Rusisë. Ata thonë se NATO njëkohësisht duhet të përgatitet për të shpenzuar në fushën e mbrojtjes më shumë se sa ushtria ruse dhe aleatët e saj.

“Nuk kemi kohë për të humbur”, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i NATO-s, duke folur në kushte anonimiteti, i cili ka njohuri mbi diskutimet lidhur me bashkëpunimin ushtarak në rritje midis Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit.

“Kjo duhet të jetë një përparësi kyçe për të gjithë aleatët tanë, sepse nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e shpenzimeve, por edhe tejkalimin e aftësive të tyre ushtarake”, tha zyrtari.

Zyrtarët kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur Kinën se po luan një rol kritik në mbështetjen e ushtrisë ruse, duke i dërguar Moskës lëndët e para dhe të ashtuquajturit komponentë me përdorim të dyfishtë të nevojshëm për prodhimin e armëve dhe sistemeve të avancuara të armëve.

Në prill dhe maj, Shtetet e Bashkuara dhe Britania vendosën sanksione të reja kundër kompanive dhe zyrtarëve iranianë të përfshirë në prodhimin e dronëve për ushtrinë ruse.

Dokumentet sekrete të bëra publike nga Shtetet e Bashkuara ka vënë në dukje përdorimin e raketave balistike të Koresë së Veriut nga Rusia, ndërsa zyrtarët e Koresë së Jugut thanë në fillim të këtij viti se Pheniani i ka dërguar Rusisë deri më tani të paktën 6,700 kontejnerë që mund të transportojnë më shumë se 3 milionë predha artilerie.

Zyrtari i NATO-s i cili foli për Zërin e Amerikës tha se mbështetja nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut ka ndryshuar ndjeshëm qëndrimin e Rusisë në fushën e betejës, duke i bërë të vjetruara vlerësimet e agjencive perëndomore të zbulimit se ushtrisë ruse “do t’i duhen vite për t’u rindërtuar”.

“Kur shikoni vlerësimet e ritmit të rindërtimit të forcave të armatosura ruse dhe bazës industriale dhe teknologjike të mbrojtjes ruse, vlerësimet e agjencive të zbulimit u bënë pa marrë parasysh nivelin e ndërhyrjes nga Kina”, tha zyrtari.

Ka shqetësime se ky është vetëm fillimi. Perspektiva për rritjen e bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit, “në thelb nënvizon urgjencën e kësaj sfide”, tha zyrtari.

Disa zyrtarë amerikanë e kanë quajtur aleancën në rritje një “bosht të ri të së keqes”.

“Duhet të veprojmë në përputhje me rrethanat”, u tha ligjvënësve në mars ish-komandanti i forcave amerikane në Indo-Paqësor Admirali John Aquilino.

Disa analistë janë gjithashtu të alarmuar, duke parë shenja se marrëdhëniet ushtarake mes Rusisë dhe vendeve po tejkalojnë nivelin e përpjekjeve dypalëshe për të mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë.

“Ajo që ne po shohim tani është një intensifikim, një thellim i këtyre partneriteteve strategjike”, tha Richard Goldberg, një këshilltar i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me qendër në Uashington.

“Pavarësisht se ata mund të mos jenë 100% në linjë gjatë gjithë kohës, çdo ditë, është e rëndësishme të theksohet se ata janë në një linjë lidhur me aftësitë strategjike që ata po ndërtojnë me këtë partneritet”, tha për Zërin e Amerikës, zoti Goldberg, zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën e ish-presidentit Donald Trump. “Në përgjigjen tonë, ne duhet t’i shikojmë ato si një bosht, jo si pjesë individuale.”

Por nuk është e sigurt se sa shpejt ky bosht do të mund të transformohej në një rival të vërtetë të NATO-s.

“Ka ende pika të rëndësishme tensioni midis katër vendeve që pengojnë formimin e një aleance më të bashkuar”, thotë Michelle Grisé, studiuese e politikave në Korporatën RAND.

“Brenda marrëdhënies Rusi-Iran, për shembull, pikat e fërkimit përfshijnë konkurrencën për tregjet e energjisë dhe ndikimin në Kaukaz, si dhe – të paktën historikisht – qasjet e ndryshme ndaj Izraelit”, tha studiuesja Grisé për Zërin e Amerikës.

“Boshti Rusi-Kinë-Kore e Veriut-Iran përbën një kërcënim serioz për interesat e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, por nuk mendoj se ky bosht i vendeve autoritare është një rival i pakapërcyeshëm”, tha ajo. “Për të krijuar një aleancë më të bashkuar, ata do të duhet të koordinojnë më mirë kundërshtimin e tyre të përbashkët ndaj rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga Perëndimi, duke krijuar një vizion koherent dhe të përbashkët për të ardhmen. Unë mendoj se ata do të përpiqen ta bëjnë këtë.”

Megjithatë, aleatët e NATO-s nuk janë të gatshëm të rrijnë duarkryq përballë përpjekjeve të tilla nga boshti në zhvillim Rusi-Kinë-Kore e Veriut-Iran.

Në një fjalim më 9 korrik në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes gjatë takimit të NATO-s në Uashington, Zëvendës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes Kathleen Hicks vuri në dukje “zgjerimin e shpejtë industrial të mbrojtjes nga konkurrentët tanë strategjikë”, ndërsa u kërkoi aleatëve të NATO-s të zgjerojnë bashkëpunimin në prokurimin dhe prodhimin e armëve.

Si shembull, zonja Hicks përmendi një përpjekje të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Spanjës dhe vendeve të tjera për të prodhuar interceptorë për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Evropë, ndërsa lavdëroi një përpjekje amerikano-turke për prodhimin e predhave 155 milimetërshe të artilerisë në Teksas.
“Askush nga ne nuk duhet të mendojë se kjo është e mjaftueshme”, tha ajo. “Zgjerimi i kapaciteteve industriale të mbrojtjes transatlantike nuk është thjeshtë një plan i mirë pune, por një nevojë dhe domosdoshmëri për aleancën e NATO-s.”

Edhe nëse përpjekjet e NATO-s për të rritur prodhimin e armëve nuk janë të mjaftueshme, disa zyrtarë i shohin ato si një arsye për të besuar se Perëndimi mund të ruajë avantazhin.

“Unë mendoj se hapat dhe përparimi që po bëjmë po japin vërtet rezultate”, i tha Zërit të Amerikës zyrtari i NATO-s, duke shtuar se ata “nuk do të jenë tepër pesimistë”.

“Për në çështjet si prodhimi i municioneve, kemi filluar të shohim se rritja në fakt po sjellë rezultate”, tha zyrtari. “Dhe unë mendoj vitin e ardhshëm, ne do të kemi shifra shumë më të mira.”

NATO-ja rikonfirmon mbështetjen e fuqishme për Ukrainën dhe për vlerat demokratike që mishëron aleanca

VOA/Keida Kostreci, Anita Powell

Takimi i nivelit të lartë i NATO-s vazhdon në Uashington dhe në qendër të tij mbetet mbështetja për Ukrainën përballë agresionit rus, e cila po karakterizohet nga udhëheqësit e aleancës dhe të vendeve anëtare si një mbështetje për demokracinë dhe paqen. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe krerët e vendeve të tjera anëtare të NATO-s pritet të shpallin ndihmë të re ushtarake për Ukrainën.

Të mërkurën në takim Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken konfirmoi se drejt Ukrainës janë nisur avionë të tjerë F-16 të dërguar nga Danimarka dhe Hollanda.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se pret që të miratohet një paketë të konsiderueshme për Ukrainën në takimin e nivelit të lartë. Zoti Stoltenberg tha se paketa do të përfshijë një komandë të re të NATO-s për Ukrainën për të ofruar ndihmë dhe trajnim për sigurinë, dhe një zotim afatgjatë për të vazhduar mbështetjen për Kievin.

Zoti Stoltenberg tha gjithashtu se pret që aleatët të përsërisin angazhimin se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s.

Ambasadori Michael Carpenter, këshilltar i Posaçëm i Presidentit Joe Biden dhe Drejtor për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare konfirmoi për Zërin e Amerikë se në një komunikatë të aleancës thuhet se rruga e Ukrainës drejt NATO’s “është e pakthyeshme”.

Megjithatë në këtë takim nuk pritet që Ukraina të marrë një ftesë për anëtarësim.

“Ne kemi qenë gjithmonë avokatë të së ardhmes së Ukrainës në NATO. Pyetja është, si mund ta përcjellim mesazhin e vullnetit tonë të fortë për të parë sa më shpejt përparim drejt synimit përfundimtar për anëtarësimin e Ukrainës në Aleancë? Përmes samitit po përpiqemi të të sigurojmë këtë urë drejt anëtarësimit”, tha zoti Carpenter.

Ndërkohë sipas një varianti të komunikatës së cituar nga agjencia Reuters, NATO-ja i bën thirrje Kinës të ndërpresë mbështetjen për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, duke thënë se me ndihmën e saj ndaj Rusisë, Kina vazhdon të parqaqesë sfida për Evropën dhe sigurinë globale. Aleatët thonë gjithashtu se do të zgjerojnë partneritetet e tjera veçanërisht në rajonin Azi-Paqësor.

Dje në një ceremoni për nder të 75 vjetorit të NATO-s, Presidenti Joe Biden mirëpriti udhëheqësit e vendeve anëtare duke argumentuar fuqishëm se forca e aleancës i shërben paqes. Ai i bëri komentet në një moment që përbën ndoshta sprovën më madhore në historinë e NATO-s.

“Është diçka pozitive që sot jemi më të fortë se kurrë. Sepse ky moment në histori ka nevojë për forcën tonë kolektive. Grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë komplote keqdashëse, për të shkaktuar kaos dhe vuajtje. Në Evropë, Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon agresionin kundër Ukrainës. Dhe Putini kërkon nënshtrimin e plotë të Ukrainës, synon t’i japë fund demokracisë së Ukrainës, të shkatërrojë kulturën e Ukrainës dhe zhdukjen e Ukrainës nga harta. Dhe ne e dimë se Putini nuk do të ndalet në Ukrainë. Por Ukraina mund dhe do ta ndalojë Putinin.”

Argumentat e tij u përforcuan nga anëtarë të tjerë të administratës së tij Këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan duke folur me drejtuesit e industrisë së mbrojtjes përmendi shprehjen e Romës së lashtë: “Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”.

Vetë shefi i aleancës, Jens Stoltenberg kërkoi intensifikimin e angazhimit të industrisë së mbrojtjes.

“Nënshkruani një premtim të ri që do ta bënte industrinë tonë të mbrojtjes në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut më të fortë, më inovative dhe më të aftë.”

Presidenti Biden e vlerësoi rolin e zotit Stoltenberg në aleancë duke e befasuar ish-kryeministrin norvegjez me Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderi më i lartë civil i Shteteve të Bashkuara.

Por analistët ngrenë pyetjen nëse kjo shfaqje e forcës presidenciale në takim, po mbetet në hije nga problemet e brendshme politike të zotit Biden, pas debatit ku paraqitja e tij ishte e dobët gjë që ka nxitur thirrjet edhe brenda partisë së tij për t’u tërhequr nga gara.

“Kjo duhet të na kujtojë se sa kritike është udhëheqja amerikane për këtë aleancë. Ajo u themelua nga Shtetet e Bashkuara. Ajo ekziston dhe përparon në sajë të udhëheqjes amerikane. Dhe kur lindin dyshime për udhëheqjen amerikane dhe udhëheqësit amerikanë, pasojat për NATO-n amplifikohen”, thotë për Zërin e Amerikës Giselle Dinnelly e Institutit “American Enterprise”.

Është një kujtesë kritike ndërsa NATO mblidhet nën mikpritjen e Presidentit Biden, se qoftë dobësia, qoftë forca e tij kanë ndikim përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë të zbulimit: Ndërhyrje ruse në zgjedhje për të dëmtuar Presidentin Biden dhe ndihmuar ish Presidentin Trump

VOA/Jeff Seldin

UASHINGTON – Rusia po i kthehet një skenari të njohur në përpjekjet e saj për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që është vënë në kërkim të mënyrave për të ndihmuar kandidaturën e ish Presidentit Donald Trump duke diskredituar fushatën e Presidentit Joe Biden, sipas zyrtarëve amerikanë të zbulimit.

Një vlerësim i ri i kërcënimeve për zgjedhjet e nëntorit, i cili u nda me gazetarët, nuk përmend asnjë kandidat me emër. Por një zyrtar i zbulimit u tha gazetarëve se këndvështrimi i Kremlinit rreth skenës politike amerikane nuk ka ndryshuar nga ciklet e mëparshme zgjedhore.

“Nuk kemi parë ndonjë ndryshim sa i përket preferencave të Rusisë në garën presidenciale në krahasim me zgjedhjet në të kaluarën,” u tha zyrtari gazetarëve, duke pranuar të flasë mbi raportin me kusht që të mos identifikohet me emër.

Zyrtari tha se kjo preferencë është përforcuar për shkak “të rolit të Shteteve të Bashkuara përsa i përket Ukrainës dhe politikës së përgjithshme ndaj Rusisë.”

Ky paralajmërim nga zyrtarët amerikanë të zbulimit vjen gati katër vite pas një paralajmërimi të ngjashëm të bërë në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, gjatë të cilave presidenti i atëhershëm Trump garonte kundër zotit Biden.

Moska po përdor “një sërë masash në rradhë të parë për të diskredituar ish Nën-presidentin Biden dhe atë që e konsideron si një ‘klasë politike’ anti-Rusi,” kishte thënë në atë kohe ish drejtuesi i Qendrës Kombëtare amerikane të Kundërzbulimit dhe Sigurisë, William Evanina.

“Disa aktorë të lidhur me Kremlinin gjithashtu po synojnë të ndihmojnë kandidaturën e Presidentit Trump në rrjete sociale dhe televizionin rus,” shtoi ai.

Një raport vlerësues pas zgjedhjeve, i publikuar në mars të vitit 2021, konfirmoi gjetjet fillestare. Presidenti rus Vladimir Putin autorizoi “operacione ndikimi që synoni diskreditimin e kandidaturës së Presidentit Biden dhe Partisë Demokratike” ndërkohë që i ofruan përkrahje zotit Trump, sipas raportit.

Zyrtarët amerikanë të zbulimit thanë se ata po komunikojnë me dy ekipet e fushatave presidenciale dhe kandidatët, por nuk kanë pranuar të flasin se çfarë lloj informacioni është ndarë me ta.

Mohimi i zotit Trump

Fushata e zotit Trump të martën hodhi poshtë vlerësimin e zyrtarëve amerikanë të zbulimit si të çuditshëm.

“Vladimir Putini e mbështeti zotin Joe Biden për president sepse ai e di që Bideni është i dobët dhe mund të frikësohet lehtë, siç është dëshmuar nga sulmi disa vjeçar i Putinit në Ukrainë”, tha në një përgjigje me shkrim për Zërit të Amerikës zëdhënësja e fushatës së zotit Trump, Karoline Leavitt.

“Në kohën kur Presidenti Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë, Rusia dhe të gjithë armiqtë e Amerikës u zmbrapsën, ngaqë frikësoheshin se si Shtetet e Bashkuara do të përgjigjeshin,” tha ajo.

“Të vetmit njerëz në Amerikës që nuk shohin këtë kontrast të qartë ndërmjet dobësisë së padobishme të zotit Biden dhe qasjes efektive të zotit Trump për një paqe përmes fuqisë janë stenografët majtistë në mediat qendrore të cilët e fitojnë bukën duke shkruar teori të rreme për Donald Trumpin,” shtoi ajo.

Ekipi i fushatës së zotit Biden ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Zërit të Amerikës për koment rreth vlerësimit të ri amerikan.

Sofistikimi rus

As zyrtarët rusë ende nuk u janë përgjigjur kërkesave të Zërit të Amerikës për të komentuar rreth pretendimeve të fundit, që akuzojnë Kremlinin se po përdorë një qasje “institucionale” për të ndihmuar zotin Trump dhe kandidatët e tjerë amerikanë që Moska i konsideron si të favorshëm që të fitojnë në zgjedhjet e nëntorit.

“Moska po përdor disa qasje të ndryshme për të përforcuar këtë mesazh dhe për t’i dhënë një petk vërtetësie përpjekjeve të saj”, deklaroi zyrtari amerikan i zbulimit. “Kjo përfshin edhe delegimin e përpjekjeve të saj firmave tregtare për të fshehur gjurmët dhe duke shfrytëzuar edhe personalitete amerikane me ndikim për të përhapur teoritë e saj”.

Përpjekjet e Rusisë gjithashtu duket se kanë vënë në shënjestër votuesit amerikanë në të ashtuquajturat shtete që ende nuk janë të përcaktuara, të cilat pritet të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, thonë zyrtarët.

Disa nga këto përpjekje tashmë janë identifikuar.

Rusia dhe inteligjenca artificiale

Departamenti amerikan i Drejtësisë të martën në mëngjes njoftoi se ka sekuestruar dy faqe interneti dhe 968 llogari në platformën sociale X, pjesë të asaj që zyrtarët e përshkruajnë si projekt të organeve ruse të zbulimit dhe platformës mediatike shtetërore të Rusisë RT me përdorimin e inteligjencës artificiale.

Një komunikatë nga Departamenti i Drejtësisë tha se organet ruse të zbulimit dhe rrjeti mediatik RT përdorën një program kompjuterik specifik të inteligjencës artificiale për të krijuar llogari në rrjete sociale që duken të vërteta për të imituar amerikanë “të cilat pastaj u përdorën nga operatorët për të përhapur mesazhe që përkojnë me objektivat e qeverisë ruse.”

Përmes një deklarate të përbashkët, e cila u publikua në të njëjtën kohë nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Holanda, këto shtete paralajmëruan se Rusia është në proces e sipër të zgjerimit të operacioneve të ndikimit me ndihmën e inteligjencës artificiale në platformat e tjera të rrjeteve sociale.

Zyrtari amerikan i zbulimit e cilësoi përdorimin e tillë të inteligjencës artificiale si një “përshpejtues të ushtrimit të ndikimit keqdashës” dhe paralajmëroi se kjo teknologji tashmë është shfrytëzuar me shumë gjasë nga Kina në prag të zgjedhjeve të Tajvanit në muajin janar.

Kina në pritje

Aktualisht, zyrtarët amerikanë të zbulimit kanë vërejtur pak shenja se Pekini po synon të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane, siç kishte bërë në vitin 2020 dhe 2022.

Kina “konsideron se ka pak përfitim në zgjedhjen mes dy partive që i sheh si palë që duan ta frenojnë Pekinin,” tha zyrtari amerikan i zbulimit, duke shtuar se gjërat mund të ndryshojnë.

“Kina po synon të zgjerojë kapacitetet e saj për të mbledhur dhe vëzhguar të dhënat në platformat amerikane të rrjeteve sociale, sigurisht për të kuptuar më mirë dhe eventualisht për të manipuluar opinionin publik,” thotë zyrtari. “Po ashtu, po shohim nëse Kina do të tentojë të ndikojë në disa gara të veçanta në nivel shteti siç kishte bërë në zgjedhjet për Kongresin që përkojnë me mesin e mandatit të Presidentit në vitin 2022.”

Ambasada kineze në Uashington, e cila i ka hedhur poshtë pretendimet e Shteteve të Bashkuara në të kaluarën, u përgjigj duke i quajtur Shtetet e Bashkuara “shpërndarësin më të madh të dezinformimit.”

“Kina nuk ka për qëllim që të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane dhe shpresojmë që pala amerikane nuk do ta shndërrojë Kinën në çështje elektorale,” i tha Zërit të Amerikës në një përgjigje me shkrim zëdhënësi Liu Pengyu.

“Agjent i kaosit”

Raporti i ri që vlerëson kërcënimet ndaj zgjedhjeve amerikane paralajmëron se krahas shqetësimeve për Rusinë dhe Kinën, ka prova të shtuara që Irani po synon të luajë rolin e “agjentit të kaosit” në zgjedhjet e radhës në Shtetet e Bashkuara.

“Irani po synon të nxisë përçarje sociale dhe të minojë besimin në institucionet demokratike amerikane rreth zgjedhjeve,” sipas një versioni të raportit vlerësues, që ishte i klasifikuar paraprakisht.

Raporti po ashtu paralajmëroi se Teherani “ka treguar interes prej kohe për të shfrytëzuar tensionet politike dhe shoqërore në Shtetet e Bashkuara përmes mjeteve të ndryshme, përfshirë mediat sociale.”

Si shembull, zyrtarët të martën iu referuan raporteve të zbulimit, të deklasifikuara, që tregojnë se Irani po përpiqet të shfrytëzojë protestat pro-Gazës në Shtetet e Bashkuara.

“Kemi parë aktorë që janë të lidhur me qeverinë e Iranit që shtiren si aktivistë në rrjete sociale, që nxisin protesta dhe që u japin edhe përkrahje financiare protestuesve,” tha drejtorja për Zbulimin Kombëtar, Avril Haines.

Zonja Haines tha se amerikanët të cilët kanë komunikuar me aktorë iranianë “mund të mos jenë të vetëdijshëm se po komunikojnë ose po marrin përkrahje nga një qeveri e huaj.”

Zyrtarët iranianë ende nuk u janë përgjigjur kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Rusia lëshon fletarrestim për Yulia Navalnaya

Rusia ka lëshuar një fletarrestim për Yulia Navalnayan, duke e akuzuar figurën opozitare në mërgim për pjesëmarrje në një “organizatë ekstremiste”.

Një gjykatë ruse tha se ka miratuar “kërkesën e hetuesve dhe ka vendosur për masa parandaluese në formë të paraburgimit për dy muaj”.

Navalnaya është zotuar se do të vazhdojë punën e bashkëshortit të saj, Aleksei Navalny, kundërshtarit kryesor të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili vdiq në një burg në Arktik në shkurt.

Navalnaya reagoi pas lajmit për fletarrestim duke thënë: “Vladimir Putin është vrasës dhe kriminel lufte. Ai e ka vendin në burg”.

Navalnaya “është arrestuar [në mungesë] se është anëtare e një komuniteti ekstremist”, tha Leonid Volkov, ish-shefi i stafit të Navalnyt.

“Kjo është njohje e vendosshmërisë së Yulias për të vazhduar luftën e Alekseit”, shtoi ai.

Organizatat e Navalnyt janë të jashtëligjshme në Rusi dhe janë të shpallura “ekstremiste” dhe gjenden në listën e “terrorizmit” të shtetit.

Navalnaya, ekonomiste, kishte qëndruar pranë bashkëshortit të saj i cili organizoi protesta masive në Rusi, kishte qenë bashkë me të edhe kur ai u largua nga Rusia për t’u trajtuar nga një helmim më 2021, duke e ditur se me t’u kthyer ai do të arrestohej.

Pas vdekjes së tij, Navalnaya është zotuar se do të vazhdojë punën e bashkëshortit të saj nga jashtë vendit.REL

Modi i thotë Putinit: Lufta nuk mund të zgjidhë problemet

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i tha presidentit rus, Vladimir Putin, se “lufta nuk mund të zgjidhë problemet” dhe bëri thirrje për “paqe përmes dialogut” gjatë vizitës së tij në Moskë, pas më shumë se dy vjet të luftës së Kremlinit kundër Ukrainës.

Vizita e Modit në Rusi u zhvillua në kohën kur tensionet në Evropë janë rritur pas një sulmi masiv rus në Ukrainë, që goditi edhe një spital të fëmijëve në Kiev.

Gjatë takimit të tij të parë me Putinin në Rusi që kur Kremlini nisi pushtimin e Ukrainës, Modi tha se për konfliktin është diskutuar “në mënyrë të hapur dhe në detaje”.

“Kur vriten fëmijë të pafajshëm, zemra të dhemb dhe ajo dhimbje është e padurueshme”, i tha Modi Putnit.

Modi shkoi në Moskë të hënën, disa orë pas sulmit masiv në Ukrainë, ku u vranë të paktën 38 persona.

“E di se lufta nuk mund të zgjidhë problemet, zgjidhjet dhe bisedimet e paqes nuk mund të kenë sukses në mes të bombave, armëve dhe plumbave”, tha lideri indian.

“Ne duhet të gjejmë një rrugë drejt paqes përmes dialogut”, shtoi ai.

Gjatë takimit në Kremlin, Putin çmoi “miqësinë shumëvjeçare” mes Rusisë dhe Indisë dhe tha se shtetet kanë një “partneritet strategjik”.

Putin po ashtu i ndau Modit medaljen më të lartë që Rusia u jep civilëve.

Rusia është një furnizuese kyçe e naftës dhe armëve në Indi, por izolimi i Moskës nga Perëndimi dhe rritja e lidhjeve me Pekinin kanë pasur ndikim në partneritetin e Rusisë me Indinë.

Fuqitë perëndimore në vitet e fundit kanë forcuar lidhjet me Indinë, për t’iu kundërvënë ndikimit të Kinës në rajonin e Azi-Paqësorit, dhe duke i bërë presion Nju Delhit që të distancohet nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara të hënën i bën thirrje Modit që t’ia bëjë të qartë Putinit se “çdo zgjidhje për konfliktin në Ukrainë duhet të jetë në linjë me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të respektojë integritetin territorial të Ukrainës”.

Vizita e fundit që Modi zhvilloi në Rusi ishte më 2019 dhe ai ishte nikoqir i Putinit në kryeqytetin indian dy vjet më parë, disa javë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës.

India nuk ka dënuar në mënyrë eksplicite Rusinë për luftën ndaj Ukrainës dhe ka abstenuar gjatë votimeve për rezolutat e OKB-së që ishin kundër Kremlinit. REL

Rusia thotë se u sulmua me dhjetëra dronë nga Ukraina

Rusia tha se ka kapur dhjetëra dronë ukrainas, të lëshuar gjatë natës së shkuar në drejtim të territorit të saj.

Sulmet e raportuara ndodhën pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se do të hakmerret për sulmet masive të një dite më parë në Ukrainë, të cilat lanë së paku 37 njerëz të vrarë.

Kievi nuk i komentoi ende pretendimet ruse.

Ministria e Mbrojtjes e Russë tha të martën se 38 dronë në pesë rajone janë kapur, përfshirë: 21 në Rostov, shtatë në Kursk, pesë në Astrakhan, tre në Belgorod dhe dy në Voronezh.

Mediat lokale raportuan se aeroportet në rajonet jugore të Astrakhanit dhe Volgogradit i kanë kufizuar fluturimet pas sulmeve me dronë.

Sipas guvernatorit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, granatimet ukrainase në rajon lanë të vrarë katër persona dhe të plagour 20.

Ai shtoi se sulmi shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtoi 60 shtëpi dhe 160 apartamente.

Në Volgograd, një depo nafte dhe një nënstacion elektrik u përfshinë nga flakët si pasojë e rënies së mbetjeve nga dronët, tha guvernatori rajonal, Andrei Bocharov.

Një ditë më herët, autoritetet në Ukrainë thanë se sulmet ruse me raketa shënjestruan disa qytete në këtë vend, duke vrarë 37 njerëz – prej tyre 21 në Kiev.

Shënjestër e sulmeve ishte edhe një spital për fëmijë, ku mbetën të vrarë dy punonjës.

Perëndimi i dënoi sulmet ruse, ndërsa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë sot për to.

Në Uashington nis Samiti i NATO-s

Samiti i NATO-s në Uashington

 

Udhëheqësit e aleancës ushtarake të Perëndimit mblidhen sot në Uashington.

Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, samiti i Uashingtonit do të fokusohet në tri tema kryesore.

E para është forcimi i mbrojtjes. Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, prioriteti kryesor i NATO-s ka qenë forcimi i mbrojtjes për të shmangur luftën. Kjo agjendë është transformuar dy vjet më parë, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

NATO-ja ka rënë dakord për një koncept të ri strategjik në samitin e Madridit, që bazohej në përpjekjet ekzistuese për forcimin e mbrojtjes.

Një vit më vonë, në Vilnius, aleatët janë pajtuar për plane të reja për të përmbushur atë vizion.

Samiti i Uashingtonit do të fokusohet tani në zbatimin e këtyre planeve, për të penguar sulmin e armatosur dhe për të mbrojtur aleancën.

Që nga Madridi, aleatët e NATO-s kanë bërë përparim në zbatim – kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes, kanë shtuar forcat e gatishmërisë së lartë, kanë modernizuar komandën dhe kontrollin, kanë transformuar ushtrimet e mbrojtjes kolektive dhe kanë integruar me sukses aleatë të rinj: Finlandën dhe Suedinë.

Megjithatë, pyetja është nëse NATO-ja është gati të luftojë dhe në atë mënyrë ta pengojë një luftë të zgjatur, si ajo në Ukrainë? Për këtë, është e rëndësishme të forcohet “shtylla evropiane” e NATO-s.

Tema e dytë e samitit do të jetë mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus.

Ukraina do të jetë “në krye të agjendës sonë dhe ne jemi në rrugën e duhur për një samit të suksesshëm”, ka thënë Stoltenberg.

Por gjasat që Ukraina, gjatë Samitit në Uashington, të marrë ftesë zyrtare për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s, janë gati joekzistente.

Paketa e NATO-s për Ukrainën do të përbëhet nga tri pjesë: gjuha, koordinimi dhe ndihma.

Gjuha në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës do të duhet të ndërtohet mbi zotimin në Vilnius se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO”.

Zyrtarë të lartë amerikanë i janë referuar paketës së Uashingtonit si një “urë e fortë” drejt anëtarësimit, që është “e ndriçuar mirë, e shkurtër, e drejtë, e papenguar”.

Por, negociatat për formulimin e saktë të komunikatës së samitit ka të ngjarë të vazhdojnë deri në minutën e fundit.

Dhe, tema e tretë e samitit do të jetë forcimi i partneriteteve globale të NATO-s.

Aleatët e NATO-s janë duke e kuptuar gjithnjë e më shumë se sfidat me të cilat përballen, janë të ndërthurura me rajone të tjera.

Për shembull, 40 për qind e tregtisë së Evropës kalon përmes Detit të Kinës Jugore, ndërsa luftën e Rusisë në Ukrainë e ka mbështetur importimi i municioneve nga Koreja e Veriut dhe mallrat kineze me përdorim të dyfishtë.

Siç ka konfirmuar ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien, partneriteti në Indo-Paqësor do të jetë një temë kryesore e Samitit të Uashingtonit.

Katër partnerët e NATO-s në Indo-Paqësor – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – janë tashmë pjesëmarrës të rregullt në samitet e aleatëve.

Në Uashington do të jenë edhe përfaqësuesit e të gjithë partnerëve të NATO-s, përfshirë Bashkimin Evropian.

Kosova, po ashtu, do të përfshihet për herë të parë në një ngjarje në kuadër të samitit.

Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Samiti do të jetë gjithashtu i fundit për Stoltenbergun, pasi në vjeshtë do t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit aktual holandez, Mark Rutte.

Në të kaluarën, Rutte ka mbështetur fuqishëm idenë se Evropa duhet t’i forcojë aftësitë e saj të mbrojtjes dhe inteligjencës, por gjithashtu ka pranuar se furnizimet e SHBA-së janë kritike për ta arritur këtë qëllim.

Përvoja e Ruttes si kryeministër i Holandës për gati 14 vjet, duke udhëhequr qeveri të ndryshme koalicioni, do ta ndihmojë atë të përballojë sfidën e mbajtjes bashkë të 32 aleatëve të NATO-s.

Por, sfidë më e madhe për të dhe NATO-n do të jetë përshtatja e aleancës përballë një Kremlini gjithnjë e më agresiv. Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Çfarë do të thotë për Evropën rezultati i votimit në Francë- Entuziazëm në Paris, zhgënjim në Moskë, lehtësim në Kiev

Rezultatet e papritura të zgjedhjeve legjislative në Francë paraqesin një pamje shumë të fragmentuar dhe të pasigurt të Republikës Transalpine.

Tregjet nuk e pëlqejnë pasigurinë, por liderë të ndryshëm si në Europë ashtu edhe jashtë kontinentit të vjetër kanë marrë frymë të lehtësuar përballë humbjes së Marine Le Pen.

Megjithatë, Tubimi Kombëtar arriti një rezultat historik pa e fituar megjithatë vendin e parë, me një shumicë absolute të bashkangjitur, e cila do t’i hapte asaj dyert e Hotel Matignon dhe qeverisë transalpine.

Fronti i Ri Popullor, koalcioni i parë, po përgatitet të propozojë një kryeministër që mund të marrë konsensus edhe jashtë koalicionit të majtë, duke u përpjekur të kapërcejë vështirësitë e dialogut tashmë të pranishme brenda mazhorancës së tij.

Pasojat e këtyre rezultateve në kontinentin e vjetër janë të shumëfishta. Disa ndodhën menjëherë, si p.sh. “RN” me grupin e ekstremit të djathtë Patriots të Viktor Orban në Parlamentin Evropian. Të tjerat do të shihen me kalimin e kohës dhe shkalla e ndryshimit do të jetë e qartë vetëm kur të zgjidhen çështjet kryesore dhe kryeministri i ri të marrë pozicionin nga presidenti francez Emmanuel Macron si dhe votën vendimtare të besimit nga anëtarët e zgjedhur të Asamblesë Kombëtare.

Përqafimi mes Le Pen dhe Orban
Pas balotazhit të 7 korrikut, ekipi i qeverisë franceze është një enigmë e vërtetë, me aleancën e majtë “Fronti i Ri Popullor” që ka fituar 182 nga 577 vendet në Asamblenë Kombëtare Franceze, por që do të duhet të kërkojë një kompromis me qendrën e Aleancës së Presidentit Macron, që ka 168 vende. Partia e ekstremit të djathtë “RN”, e cila fitoi “vetëm” 143 deputetë, sigurisht që do të mbetet në opozitë. Bashkëjetesa mes qendrës dhe të majtës në pushtet nuk është e dhënë dhe nuk garantohet të zgjasë deri në vitin 2027, vit i zgjedhjeve presidenciale. Reflektimi i parë evropian ka të bëjë me anëtarësimin e Marine Le Pen në grupin e ri në Parlamentin Evropian të themeluar nga Kryeministri hungarez Viktor Orban. Në mëngjesin e 8 korrikut, gjatë një takimi në Bruksel, grupi sovranist Identiteti dhe Demokracia, i cili përfshinte si Tubimin Kombëtar ashtu edhe Lidhjen e Matteo Salvinit, u shpërbë dhe vendosi t’i bashkohet Patriotëve.

“Martesa” mes Orbanit dhe Le Penit i bën presion Melonit në Europë
Objektivi është formimi i një blloku të ri, të forcuar të së djathtës ekstreme, i cili do të kundërshtojë legjislaturën e dytë të Ursula von der Leyen, e cila pret votën e besimit të Dhomës Evropiane në Strasburg më 18 korrik. Rezultati zhgënjyes zgjedhor ka shkrirë hezitimet e fundit të Marine Le Pen, e cila sipas ekspertëve, në rast fitoreje mund të kishte zgjedhur të shmangte përqafimin e Orbanit, të papëlqyer nga një pjesë e madhe e liderëve të Bashkimit Evropian për shkak të qëndrimeve të tij të ngushta me Vladimir Putin. Martesa mes sovranistëve të Le Pen-it dhe hungarezëve të Fidesz-it, çekëve të Ano-s, austriakët e FPO-së dhe spanjollëve të Vox-it, përveç Ligës së Veriut, nënkupton vetëm një gjë: izolim më të madh të Giorgia Melonit.

Roli i Macron, i dobësuar, por jo i mundur
Ndryshe nga ajo që dyshohej në prag të zgjedhjeve, Macron ishte më pak i dobësuar sesa pritej. Roli i tij ndërkombëtar pro-evropian dhe pro-Kiev mund të mbetet i paprekur, siç parashikohet nga grupi i mendimit francez Iris. Zgjidhja e një qeverie kompromisi mund të jetë e padëshirueshme për një pjesë të elektoratit të majtë, por sipas analistëve është e vetmja që mund të shpërndajë pasiguritë dhe të rivendosë imazhin e një France të fortë që mund të luajë ende një rol udhëheqës midis anëtarëve në shtetet e bllokut europian.

Deri më tani Macron ka pasur një dialog të frytshëm me kancelarin socialdemokrat Olaf Scholz, i cili gjithashtu po përballet me një koalicion të komplikuar kuq-gjelbër-blu, së bashku me socialistët dhe liberalët. Vazhdimi i boshtit franko-gjerman mund të shërbejë si garanci për disa komponentë të majtë më të moderuar, siç janë socialistët, ndërsa e majta radikale transalpine e France Insoumise nuk e shikon mirë këtë aleancë.

Psherëtima lehtësimi e Kievit?
Uniteti i Frontit të Ri Popullor kalon pikërisht në çështjen e mbështetjes për Ukrainën. Ndërkohë, Kievi mori një psherëtimë lehtësimi, nga frika para së gjithash nga imponimi i “RN” në Paris. Frika kryesore mbetet ajo e uljes së subvencioneve për Ukrainën dhe mbështetjes ushtarake të garantuar deri më tani nga shumica centriste e Macron. Fitorja e ngushtë u nënvizua edhe nga kryeministri polak Donald Tusk me një postim ironik në X: “Entuziazëm në Paris, zhgënjim në Moskë, lehtësim në Kiev. Mjaft të jesh i lumtur në Varshavë”. Për të qenë i drejtë, partia e Le Pen u distancua nga Vladimir Putin pas pushtimit të Ukrainës në 2022, duke argumentuar se në rast fitoreje do të vazhdonte të ofronte ndihmë mbrojtëse, por nuk do të dërgonte raketa me rreze të gjatë veprimi ose armë të tjera të afta për të goditur territorin nga Ukraina.

Ai fitoi zgjedhjet, por nuk do të qeverisë: kush është Jean-Luc Mélenchon, lideri i krahut të majtë
Nga ana tjetër, Jean-Luc Mélenchon, lideri i La France Insoumise, është akuzuar për marrëdhënie tepër të ngushta me Rusinë. Në shkurt ai argumentoi se “ka ardhur koha për të negociuar paqen në Ukrainë me klauzola reciproke sigurie”, duke kundërshtuar menjëherë dërgimin e armatimeve të profilit të lartë në Kiev. Glucksmann, nga ana tjetër, sapo është zgjedhur eurodeputet, pozicionohet më qartë përkrah qeverisë së Volodomyr Zelensky. Figura e tij pothuajse me siguri do të ishte më e mirëpritur në thelb për mbështetësit e Ukrainës, si Kaja Kallas, Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme.

Çfarë ndodh me energjinë dhe luftën ndaj thatësirës
Qeveria e re transalpine do të duhet gjithashtu të kuptojë se si të pozicionohet në lidhje me Marrëveshjen e Gjelbër, gurthemelin e politikave mjedisore në nivel evropian. E djathta ekstreme ka kundërshtuar me vendosmëri reformat e tranzicionit ekologjik, ndaj humbja e saj i siguron mbështetësit e Paktit Mjedisor. Në vitet e fundit në pushtet, Macron ka nxitur përfshirjen dhe forcimin e energjisë bërthamore në masat e Paktit, e parë si një alternativë më e sigurt dhe më e përshtatshme për Francën në krahasim me energjinë e rinovueshme. Aleanca e krahut të majtë mund të fokusohet shumë më tepër në energjinë e erës në det të hapur dhe energjinë hidroelektrike. Në të njëjtën kohë, megjithatë, nuk mund të rrezikojë të rrisë faturat e votuesve.

Gjetja e një alternative evropiane për të kompensuar furnizimet e humbura të gazit rus do të jetë një prioritet për një kryeministër që dëshiron të jetë i besueshëm në sytë e 26 liderëve të tjerë të BE-së. Fronti i Ri Popullor do të kërkojë gjithashtu një alternativë ndaj mega baseneve ujore, për të garantuar një ekuilibër më të mirë midis nevojave të territoreve dhe nevojës për prodhim bujqësor në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Kjo është një çështje që muajt e fundit ka ndezur protesta të dhunshme në zona të ndryshme të Francës dhe që ndikon shumë si në të ardhmen e bujqësisë nëpër Alpe, ashtu edhe në modelet që Evropa, veçanërisht ajo jugore, mund të adoptojë në luftën kundër thatësirës. bw

NATO duhet të trajtojë destabilitetin në Ballkan! Rusia dhe Kina janë gati për truket e vjetra në rajon

Nga George Robertson dhe Andi Hoxhaj

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) do të mblidhet në Uashington, DC për të festuar 75-vjetorin e lindjes. Edhe pse me një re stuhie të skepticizmit Trumpian që shfaqet mbi aleancën ushtarake, do të ketë shumë ose do të përpiqet të urojë.

Mbështetja për Ukrainën dhe kundërshtimi i agresionit të Rusisë do të jetë në krye të axhendës në samitin e 9-11 korrikut. Por për të shmangur një tjetër konflikt në Evropë, udhëheqësit e NATO-s duhet të trajtojnë gjithashtu situatën e përkeqësuar në Ballkanin Perëndimor (i cili përbëhet nga shtatë vende: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia). Rajoni ka parë një rritje të përleshjeve të dhunshme etnike që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe po kërcënon të bëhet pika e ardhshme e shkëndijës në botë, një çerek shekulli pas konfliktit të fundit që kanë marrë titujt kryesorë.

Në vitin 1999 NATO kreu një fushatë bombardimi 78-ditore në Jugosllavi. Ai i dha fund spastrimit etnik të shqiptarëve që ishte vënë në lëvizje nga presidenti i atëhershëm jugosllav, Slobodan Millosheviç. Që atëherë, misionet e NATO-s në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, dhe pranimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO në 2009, Malit të Zi në 2017 dhe Maqedonisë së Veriut në 2020, kanë ndihmuar të gjitha në stabilizimin e rajonit.

Megjithatë, gjatë një vizite në Shqipëri në shkurt, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se “Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën”. Kaosi në Ballkanin Perëndimor do të përfitonte Rusinë duke shpërqendruar NATO-n dhe BE-në nga lufta në Ukrainë. Rusia ka ofruar mbështetje financiare për partitë politike në rajon, duke mbjellë edhe ndarje etnike, duke ndërhyrë në zgjedhje dhe duke përhapur dezinformata.

Disa liderë të Ballkanit Perëndimor kanë forcuar lidhjet me Rusinë, dhe së fundmi me Kinën, që nga fillimi i luftës – dhe jo më shumë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Qeveria serbe është përmbajtur nga vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa ka nënshkruar gjithashtu vizionin e Presidentit Xi Jinping për një “bashkësi globale të së ardhmes së përbashkët” – rendin e ri botëror që Kina po kërkon.

Lidhjet e Serbisë me Rusinë janë të thella. Ajo ka nënshkruar marrëveshje të reja dypalëshe për gazin dhe politikën e jashtme dhe ka lejuar Rusinë të krijojë një “qendër humanitare” në Serbi që analistët perëndimorë thonë se është një bazë spiunazhi e maskuar. Qeveria në Beograd ka ndihmuar gjithashtu përpjekjet ruse për të destabilizuar Evropën, për shembull duke ofruar një agjent për të përhapur pikat e bisedave pro-ruse midis anëtarëve të Parlamentit Evropian.

Udhëheqësit e NATO-s dhe BE-së ende nuk i kanë marrë mjaft seriozisht operacionet e ndikimit të Rusisë dhe aktivitetet e tjera keqdashëse. Ata as nuk i kanë kuptuar plotësisht implikimet e pozitës në rritje të Kinës në Ballkanin Perëndimor. Samiti i ardhshëm është një mundësi e mirë për të rivlerësuar politikën e NATO-s ndaj rajonit.

Z. Vuçiç e paraqet zyrtarisht si neutrale qëndrimin e Serbisë mes BE-së dhe Rusisë. Dhe Serbia i ka ofruar disa armë Ukrainës për të kompensuar lidhjet në rritje me Rusinë dhe Kinën.

BE-ja dhe Amerika, deri diku, e kanë toleruar këtë dhe efektet e kësaj qasjeje janë ndjerë fort në Serbi, ku standardet demokratike kanë rrëshqitur vitet e fundit. Ajo gjithashtu e ka inkurajuar Serbinë që të intensifikojë përpjekjet e saj për të minuar shtetësinë e Kosovës, popullsia prej 1.8 milionë banorësh është kryesisht shqiptare etnike. Një provincë e Serbisë në kohën e Jugosllavisë, Kosova shpalli pavarësinë në 2008-një veprim që udhëheqësit serbë argumentojnë se nuk kishte të drejtë ta bënte, pavarësisht njohjes së sovranitetit të Kosovës nga më shumë se 100 vende, duke përfshirë pjesën më të madhe të Perëndimit.

Në shtator të vitit 2023, një grup prej 30 personash të armatosur serbë sulmuan fshatin Banjska në veri të Kosovës, duke vrarë një oficer policie dhe duke plagosur dhjetra të tjerë. Vuçiç mohoi se Serbia kishte ndonjë lidhje me sulmin. Ai ia ka hedhur fajin kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për “persekutimin” e serbëve etnikë të Kosovës (të cilët përbëjnë më pak se 5% të popullsisë së saj). Njeriu që udhëhoqi sulmin, Milan Radoiçiç, është ende i lirë nën mbrojtjen e qeverisë në Serbi, pavarësisht se është subjekt i një urdhër-arresti nga Interpol.

Ndërsa konflikti vazhdon në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, Evropa nuk mund të përballojë më shumë tensione apo destabilitet në ose rreth fqinjëve të saj. Për ta shmangur atë, Perëndimi duhet të largohet nga sjellja e butë ndaj Serbisë. Z. Vuçiç nuk mund të lejohet më të ndjekë integrimin në BE, ndërsa në të njëjtën kohë forcon lidhjet me Rusinë dhe Kinën.

Presioni ndaj presidentit të Serbisë duhet të rritet, si dhe përpjekjet për të adresuar ndërhyrjen e jashtme dhe kapjen e shtetit që gërryejnë institucionet e rajonit më të gjerë dhe sundimin e ligjit. Një fillim i mirë do të ishte bashkërendimi i përpjekjeve midis NATO-s dhe BE-së për të vendosur sanksione ndaj atyre që mundësojnë në mënyrë aktive përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar rajonin ose që kërkojnë të minojnë demokracinë.

Udhëheqësit e BE-së duhet të pranojnë gjithashtu se NATO nuk mund të mbajë vetëm stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

BE duhet t’i ofrojë Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë rrugë realiste për t’u anëtarësuar (Kroacia u bashkua në 2013). Të gjashtë vendet kanë aplikuar për anëtarësim që nga viti 2004 dhe mbështetja e popullatës së tyre për integrimin në BE dhe demokracinë mbetet përgjithësisht e lartë. Por ata po gjejnë përparim drejt fillimit të bisedimeve të pranimit jashtëzakonisht të ngadaltë – veçanërisht kur shohin bisedimet me Ukrainën dhe Moldavinë të përshpejtuara.

Bota gjithnjë e në rritje po copëtohet. Ripohimi i unitetit dhe synimeve të përbashkëta të BE-së dhe NATO-s në Ballkanin Perëndimor është kritik për të shmangur mundësinë e ripërtëritjes së konfliktit në një pjesë shumë të paqëndrueshme të Evropës.

Forcat e Putinit “mashtrohen” nga “avionët lodër”, ja strategjia e re që po përdor Kievi

Forcat ajrore ukrainase kanë njoftuar se po përdorin një strategji të re për të shteruar raketat “Iskander”.

Strategjia e përdorur është ajo e vendosjes së modeleve të avionëve apo sistemeve të mbrojtjes, të cilat nuk janë reale po thjesht modele boshe, në pika strategjike.

Forcat ruse duke menduar se janë sistemet reale, i godasin dhe i “trumpetojnë” në rrjet si një arritje ushtarake.

Ministria ruse e mbrojtjes shpërndau pamje të enjten në kanalin e saj Telegram ku tha se kishte përdorur raketa Iskender për të shkatërruar një avion luftarak ukrainas Mig-29 në aeroportin Dovhyntseve.

Komandanti i Forcave Ajrore Mykola Oleshchuk tha se kjo metodë do të vijojë të përdoret edhe në të ardhmen.

Ai shtoi se zakonisht taktikat në luftime nuk përdoren, por kjo po ndahet me publikun për t’i bërë me dije se jo gjithçka që shihet në rrjet tregon realitetin.bw

Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në pjesë të rajonit rus Voronezh

Rezervuarë nafte duke u djegur nga zjarri në rajonin rus Briansk . (Fotografi nga arkivi)

 

Në pjesë të rajonit Voronezh të Rusisë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, pas një sulmi të dyshuar ukrainas me dronë në një depo municioni, e cila u përfshi nga zjarri, thanë autoritetet rajonale.

Guvernatori rajonal, Aleksandr Gusev, tha se dronë ukrainas u rrëzuan nga kundërajrorët rusë dhe se zjarri në depon e municionit u shkaktua nga rënia e copëzave të dronëve.

Depoja e municionit ndodhet në qarkun Podgornenski, në rajonin Voronezh në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Video të publikuar në Telegram shfaqin së paku një dron duke fluturuar drejt depos dhe pastaj mund të dëgjohen një sërë shpërthimesh, teksa tym i zi ngrihet në qiell.

Gusev tha se nuk raportohet për viktima. Më vonë mëngjesin e së dielës, ai tha se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vendbanimin ku ndodhet depoja e kapluar nga zjarri, pa e identifikuar atë me emër.

U raportua se rruga drejt kësaj zone është mbyllur dhe se autoritetet kanë filluar t’i evakuojnë banorët në qendra të përkohshme akomodimi.

Ukraina, infrastruktura energjetike e së cilës është dëmtuar rëndë nga sulmet e pareshtura ruse gjatë vitit të fundit, i ka rritur sulmet ndaj zonave për prodhimin e karburanteve brenda Rusisë, kryesisht kundër ndërtesave të rafinerisë së naftës, të cilat punojnë për ushtrinë ruse.

Ndërkohë, Forca Ajrore e Ukrainës tha mëngjesin e së dielës se kundërajrorët ukrainas i kanë zmbrapsur sulmet e reja ruse me dronë dhe me raketa në disa rajone.

“Armiku sulmoi me dy raketa balistike të tipit Iskander-M, dhe me 13 dronë të llojit Shahed”, shkroi Forca Ajrore në Telegram.

Sipas saj, 13 dronë u rrëzuan në rajonet Kirovohrad, Harkiv, Sumi dhe Poltava.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në Telegram se raketa e saj Iskander i ka shkatërruar dy hedhës të kundërajrorit Patriot dhe një stacion radari Giraffe në fshatin Juzhin në rajonin e Odesës.

Pretendimi rus nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. REL

Starmer: Skema e transferimit të të burgosurve në Ruanda, e vdekur

Keir Starmer mblodhi të shtunën kabinetin e tij të ri pas një axhende ambicioze për të reformuar shërbimet publike të vendit dhe për të rivendosur marrëdhëniet e dëmtuara jashtë vendit, në ditën e tij të parë të plotë të punës si Kryeministër.

Kryeministri Starmer theksoi rëndësinë që secili ministër të përmbushë premtimet e partisë dhe të ruajë standardet më të larta të ndershmërisë.

“Kam pasur mundësinë t’i parashtroj kabinetit tim saktësisht se çfarë pres prej tyre për sa i përket standardeve, ofrimit dhe besimit që vendi ka tek ata”, tha ai. Starmer e bëri të qartë se, nën udhëheqjen e tij, politika do të kthehej në shërbimi të publikut, ndryshe nga 14 vitet e fundit të sundimit konservator.

“Interesi vetjak është politika e djeshme,” tha ai.

Për gjendjen e mbipopulluar të burgjeve të vendit, Starmer tha se nevojiteshin urgjentisht veprime.

“Ne kemi shumë të burgosur, jo mjaftueshëm burgje. Ky është një dështim monumental i qeverisë së fundit, për çdo pikëpamje themelore të qeverisë, për të arritur në një situatë ku nuk keni mjaftueshëm burgje për të burgosurit – nuk ka rëndësi se cili është brezi juaj politik, ky është një dështim i qeverisë”.

Qeveria e tij do të shikojë se si të lehtësojë rregullat e planifikimit në mënyrë që më shumë burgje të mund të ndërtohen më shpejt, tha ai, dhe gjithashtu në ndërhyrjet e hershme për t’u siguruar që të rinjtë në veçanti të mos përfshihen në krim.

Një burim i Ministrisë së Drejtësisë tha të shtunën mbrëma: “siç tha kryeministri dje, burgjet tona janë thyer. Pas 14 vitesh neglizhencë, ato janë të pasigurta dhe katastrofikisht gati të shpërthejnë”.

“Kjo nuk është një krizë e paparashikuar, por e shkaktuar nga kujdestaria e papërgjegjshme. Nuk na ka mbetur zgjidhje tjetër veçse të konsiderojmë vendime të vështira afatshkurtra dhe afatgjata për të çaktivizuar këtë bombë me sahat”.

Të premten vonë, Starmer emëroi biznesmenin dhe aktivistin e reformës në burgje James Timpson si ministër të ri të burgjeve.

Duke shënuar një largim të plotë nga politika e imigracionit të qeverisë së mëparshme, Starmer tha se skema e saj në Ruandë tani ishte “e vdekur dhe e varrosur” dhe se ai nuk ishte i përgatitur të vazhdonte me “mashtrime” të tilla.

“Kjo nuk ka qenë kurrë një pengesë,” tha ai.

“Shikoni shifrat që kanë ardhur në gjashtë muajt e parë e pak të këtij viti; janë shifra rekord – ky është problemi që ne po trashëgojmë”.

Starmer sugjeroi që qeveria e tij e re do të bënte një sërë njoftimesh gjatë ditëve në vijim për të ruajtur vrullin e ndryshimit. Kryeministri do të nisë një turne në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut të dielën përpara se të shkojë në një samit të NATO-s që fillon në Uashington DC të martën. sn


Send this to a friend