Rrebesh i vërtetë epitetesh nga më djallëzorët si edhe çpifjesh keqdashëse u lëshuan për dyzet’e shtatë vite me radhë mbi figurën e Mustafa Krujës duke filluar nga Enver Hoxha e ndjekur pastaj edhe nga e gjithë plejada e historianëve si edhe e letrarëve, pasues konformistë të tij. Mirëpo, ndërkohësisht Kosova, dashurinë si edhe veprimtarin’ e Mustafa Krujës në të mirë dhe interesin e saj kurrë nuk i harroi. I erdhe çasti tashti një paralelizmi për të njëjtin problem por … me diktatorin, farkëtuesin e anatemimit të patriotëve të kulluar si tradhëtarë e kolaboracionistë.
Enver Hoxha në një thirrje të tijën në vitin 1942 shprehet : “Tradhëtari Mustafa Kruja po përpiqet t’ju ushqejë me gënjeshtrën dhe me demagogjinë e tij, t’ju flasë për një –
Shqipëri të Madhe – , për një – Kosovë të Ҫliruar -“.
Kurse në vazhdim, në Plenumin e V – të K.Q. të P. K. Sh. – së, më 21 shkurt 1946, E. Hoxha tha: “Nuk e kemi drejtuar popullin tonë sa duhet drejt vëllazërimit të shëndoshë me Jugosllavinë, që është një konditë e domosdoshme për ekzistencën e vëndit tonë”.
Vazhdojmë me një fakt skajshëm të trishtë: në muajin Korrik, po të vitit 1946, u mbajt mbledhja e Kuvëndit të Jugosllavisë e cila miratoi aneksimin nga ana e Jugosllavisë Federale të Kosovës!
Në muajin gusht të vitit 1946, vetëm një muaj mbas aneksimit të Kosovës, u zhvillua në Paris Konferenca e Paqës. Atje delegacjonit të Shqipërisë i u drejtuan disa pyetje sa i takonte qëndrimit të Shqipërisë ndaj atij aneksimi. Lidhur me këtë ju ftoj t’a gjeni e t’a lexoni fjalimin e Enver Hoxhës mbajtur në Konferencën e Paqës në Paris, ku ai thotë shprehimisht : “Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë Jugosllavíî.”
E nuk mbaroi me kaq, por më 15 dhjetor 1946 u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror. Sipas proçes – verbalit të mbledhjes që gjëndet në dokumentat e ish Arkivit të K.Q, të P.P.Sh., gjatë fjalës së tij Enver Hoxha në atë mbledhje ka thënë: “Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli ç’bëtë me Kosovën … Ne do të ua spjegojmë, kush nuk na kupton , ne do t’i luftojmë”. Në këtë atmosferë, me urdhërin e vetë Enver Hoxhës, i u dorëzuan vëllezërve si edhe drejtësisë jugosllave një varg patriotësh shqiptarë si patrioti dhe gjuhëtari i shquar prof. Selman Riza, nipat e Bajram Currit, Hajro e Shaqir Curri e të tjerë në vazhdim u gjykuan dhe u dënuan prej jugosllavëve.
Në vazhdim doemos do t’a zgjerojmë hedhjen dritë, bazuar në fakte dhe dokumenta arkivale egzistuese, lidhur me kolaboracionizmin me kushte krejtësisht nënështruese të zbatuar nga P.K.Sh. si edhe qeveria shqiptare fillimisht ndaj Jugosllavisë Federale, (jo vetëm duke i a lënë Kosovën kësaj të fundit por edhe duke qenë e gatëshme që Shqipëria të bashkohej me Jugosllavinë në kuadrin e Federatës Jugosllavisë), në vazhdim kundrejt Bashkimit Sovjetik e së fundi ndaj Kinës. Lé studjuesve si edhe analistëve, por edhe secilit lexues të vëmëndshëm të fakteve të vërteta historike , nuk ka se si të mos u bjerë në sy se si në të tre rastet, në themel të këtyre bashkëpunimeve në plan të parë ishin vetëqendërzimi dhe egoizmi paranojak i Enver Hoxhës, i vënë ky peng i interesave të partnerëve tanë pa i përfillur aspak interesat e Shqipërisë! Ҫ’e bën akoma më të prekëshme këtë dukuri? Duke e kundruar hull(n e mbetur nga pas përgjatë 40 viteve diktature personale të E. Hoxhës, (1945 – 1985), ndeshemi me një listë pambarim tradhëtarësh, agjentësh si edhe kriminelësh bashkëpuntorë fillimisht të Jugosllavisë, pastaj të B.S.. në vijim të Kinës e së fundi edhe të imperializmit anglo – amerikan, të gjithë ekzekutuar ose kalbur burgjeve të diktaturës! E pra e gjithë kjo kategori të dënuarish ishin bashkëpuntorët dhe mbështetësit më të afërt të Enver Hoxhës i cili paska drejtuarpër katër dhjetëvjeçarë vëndin … i rrethuar veç nga armiq edhe tradhëtarë të Shqipërisë socialiste duke qënë ai vetë patriot dhe internacionalist i kulluar!?
Mendoj se tashti i erdhi çasti një përshkëndijimi përgjithësues vetë konceptit kolaboracionizëm, cak gjuhësor ky shum’i përgjithshëm dhe dëndur i përdorur gabimisht. Prandaj si hap i parë duhet veçohen llojet e kolaboracionizmit, term i përdorur për të parën herë nga Mareshalli Philippe Petain i Francës ). Petaini, heroi i Verdunit i Luftës së I – rë Botërore, e “rrezikoi” emrin e tij mbas pushtimit të Francës nga Gjermania, (gjatë luftës II – të Botërore, por me pikësynimin e tij, që edhe e realizoi, duke shpëtuar ¾ e Francës nga shkatërrimi eventual prej ushtrisë gjërmane. Pra, kolaboracionizmi i Mareshallit Petain, qé i prirur pozitivisht ndaj interesave franceze. Me këtë rast nuk po hyj e t’a analizoj, se nuk është rasti, opinionin publik të drejtuar shtrembër nga Mareshali De Gaulle e gjithësot i përgjithësuar, i prirë nga faktori vetëqëndërzim i De Gaulle – it që e shkroi … historin e asaj periudhe për Francën dhe ndikoi në shtrembërimin e së vërtetës që kolaboracionalizmi i Mareshallit Petain nuk qé NË TË MIRËN E FRNCWS? E cekëm faktorin Ge Gaulle dhe qëndrimin e tij, vetëm e vetëm të vinim në dukje se si pozicionimi i tij ka qenë tipik OPORTUNIZËM POLITIK, sepse ai iku nga Franca, u strehua në Anglí dhe … në fund të fundit u radhit me fituesit të cilët e shkruajnë gjithmonë historinë! E kështu vetëqendërzimi si edhe prirja të hidhte poshtë bëmat e gjithsecilit prej kolegëve të tij, (ai kishte qenë nxënës dhe nën komandën e Mareshallit Petain përparandej), gjetën terrenin e përshtatëshëm që ai, pa asnjë lavd të shkuar patriotik e duke qëndruar në hije e në pritje të zhvillimeve politike, të dilte në krye të Francës, së cilës mareshalli Petain i blatoi të kaluarën e tij tamam legjendare duke e ditur dhe i ndërgjegjshëm se për të mirën e Francës i a vlente sakrifica e tij madhore!
Nga ana tjetër, diametralisht i kundërt me kolaboracionizmin e Mareshallit Philippe Petain qé ai i i norvegjezit Vidcun Quisling, sa për një shembull! Po, vërtet, kolaboracionizmi i Quislingut ishte i prirë nga kundërkomunizmi i tij por kyi mbështetur, nga ana tjetër, thjeshtë nga egoizmi i tij për të qenë i pari i vëndit të tij, ndonëse vetëm një javë mundi të ishte K/Ministër dhe i gjithë pushteti i tij u kufizua nga gjermanët tek e drejta që i dhanë të nënëshkruante me dorën e tij të gjithë dokumentet e deportimit të hebrénjëve nga Norvegjia! Ja ku e çoi egoja për pushtet Vidcun Quislingun: në një zbatues dënimesh me vdekje, dhe asgjë më shumë!
Po në Danimarkë, në të njëjtat kushte me Shqipërinë, ç’ngjau? Populli danez e kuptonte shquar se në bilancin total të asaj lufte mes gjigandësh, ndikimi i tyre në favorin e aleatëve do të ishte mikroskopik, i krahasuar me humbjet potenciale që do të pësonin, prandaj dhe u mbyllën në guackën e tyre, bënë kompromise si edhe kolaboracionizëm me ushtrinë pushtuese gjermane, në favorin danez, … dhe pritën të përfundonte lufta. Mbas lufte , falë pjekurisë së drejtuesve edhe vetë popullit danez, kolaboracionizmin me gjermanët si edhe kompromiset që u arritën u konsideruan veprime me rezultat konkret në favor të vëndit. E majta daneze, duke qënë se P. komuniste ishte nxjerrë jashtë ligjit, nuk pati asnjë iluzion t’i a ndryshonte drejtimin properëndimor vëndit ku si pasojë ekonomija e tregut shënoi vazhdimisht suksese sa i takon rritjes së begatisë, dhe gjithashtu Danimarka u integrua që më 4 prill 1949 në aleancën perëndimore Atllantike NATO dhe që më 1 janar 1973 pranoi të bëjë pjesë në Tregun e Përbashkët Europian! (Të tepërta krahasimet me Shqipërinë).
Simbas kësaj optike, e shqyrtojmë në vijim përdorimin e termit kolaboracionizëm nga ana e P.K.Sh. Përgjatë luftës, me këtë cilësor përçmues, anatemoheshin drejtuesit e shtetit shqiptar që morën poste drejtuese. Kurse në vazhdim, mbas lufte ata u pushkatuan ose u kalbën burgjeve, pavarësisht nga e kaluara e tyre skajshëm ardhetare por vetëm se të akuzuar si bashkëpuntorë të pushtuesit! Kjo e përgjithëshmja.
E analizojmë tashti në rastin konkret të qeverisë drejtuar nga Mustafa Merlika Kruja. Vetë kryeministri, në vazhdim të veprimtarisë së tij atdhetare, ishte bashkë – nënëshkrues i dokumentit të pavarësisë, gjë e mbajtur fshehur nga historianët e kohës diktaturës. Mbas shpërndarjes së qeverisë kryesuar nga Imzot Fan Noli, edhe Mustafa Kruja mori rrugën e emigracionit politik. Nga që emri i tij nga historianët e diktaturës u njësua si shërbyes i fashizmit italian, për hir të së vërtetës, në vazhdim paraqesim disa përditësime dokumentash arkivore:
Shkresa e ministrisë Jashtme të Italisë Drejttorisë së Përgjithëshme të Policisë më 25 gusht 1933, firma e palexueshme thotë: … Mustafa Kruja ankohet së rishmi për kontrollin që ushtrohet nga ana e autoriteteve lokale të policisë ndaj letërkëmbimit të tij … E shikojmë të arsyeshme që ky kontroll të zbatohet me përkujdesje më të madhe … dhe Krujës mos t’i jepet përshtypja se konsiderohet i dyshuar nga ana e jonë.
Shkresa e ministrisë Punëve të Brëndëshme drejtuar ministrisë Jashtme të Italisë më 2 prill 1939, firma e palexueshme, thotë: … sa i takon të lartpërmendurit, (Mustafa Kruja), që ka ardhur për arsye shëndetësore … i nënështrohet një mbikqyrjeje të kujdesëshme dhe shumë të fshehtë.
Po atë ditë i kishte kërkuar Mustafa Krujës takim Giuseppe Giro – ja në emër të Mussolimit. Gjatë takimit ai i thotë se ishte i ngarkuar t’a vinte në dijeni se lidhur me marrëveshjen e ndërsjellë, Duce – ja i kishte bërë nja dy ndryshime të vogla kësaj të fundit. Mustafa Kruja flakë për flakë i u përgjigj se marrëveshjet e nënshkruara zbatohen pikë për pikë siç janë formuluar. Në qoftë se Mussolini donte të bënte ndryshime … atëbotë Zogu le të qëndronte edhe 100 vite në fronin shqiptar!
Kaq sa për një hedhje drite fluturimthi pozicionimeve të ndërsjella, pala italiane – Mustafa Kruja.
Po ana tjetër e medaljes Mustafa Kruja? Në dhjetor 1941e mori detyrën si kryeministër Mustafa Kruja dhe më 23 prill 1942 Flamuri Shqiptar mori formën zyrtare pa sëpatat e Liktorit dhe pa nyjen e Savojës, pra flamuri siç ishte para pushtimit italian! Këtë fakt e përshkruan Galeazzo Ciano – ja në kujtimet e tija. Mustafa Kruja qeverisë italiane i a kishte paraqitur piksynimin e tij që … E dua Shqipërinë në kufijt’e saj natyrorë! Në gjëndjen e asaj kohe lufte, Ciano – ja i a pati konfirmuar Mustafa Krujës edhe bashkimin, veç Kosovës, të Plavës edhe të Gucisë! Pra në këtë kuadër mbetej të realizohej edhe dëshira tjetër e kryeministrit, bashkimi i Ҫamërisë me Shqipërinë Mëmë. Tejet emblematike qé edhe fjala e Mustafa Krujës e 22 nëntorit1942, kur ai u shpreh botërisht në Teatrin Savoia, se vetëm duke e respektuar pavarës(n e plotë të Shqipërisë ajo (Italia – M.K.)do të gjente tek shqiptarët miq dhe vëllëzër për jet’edhe vdekje. Përgjatë kësaj hullije nuk mundem të mos e vlerësoj lart edhe mendësínë në bazë të së cilës Mustafa Kruja i përzgjodhi edhe bashkëpuntorët e tij më të ngushtë, anëtarët e qeverisë Kruja. Ministër i Punëve të Brëndëshme u emërua Mark Gjomarkaj, jurist dhe bir i Derës së shquar atdhetare të Gjomarkajve, i njohur edhe si kundra – italian. Ministër i Financave u ngarkua Shuk Gurakuqi, ekonomist me emër, i shquar si burr’i ndershëm e me karakter dhe i njohur si edhe kundra – italian. Ministër i punëve Botoreu caktua Iljaz Agushi, kosovar. Atdhetar me emër, dhe kundra – italian, me përvojë jete politike në Kosovë. Ministër i Partisë Fashiste u emërua Jup Kazazi, kundra – italian i njohur. Ministër i Drejtësisë u caktua Hasan Dosti, jurist i shquar dhe i njohur si kundra – italian, për të cilin Naxhije Dume, njera nga zyrtaret e larta të P.K.Sh. në një intervistë të sajën lidhur me Hasan Dostin pas luftës, pati deklaruar … “Ministri i Drejtësisë Hasan Dosti i dinte mendimet si edhe veprimet tona antifashiste, mendime këto që, me sa vija unë ré atëhere, ministri i kishte edhe mendime të veta”. Ministër i Arësimit qé Xhevat Korça. Kundra – italian i njohur e prandaj emërimi i tij u miratua më së fundi nga Luogotenenza jo pak por tre muaj mbasi Qeveria Kruja e kishte filluar veprimtarín e saj, edhe kjo falë këmbënguljes së kryeministrit Mustafa Kruja që nuk pranonte ministër tjetër veç tij. Luftëtar i çetave të Themistokli Gërmenjit si edhe të Spiro Bellkamenjit. Themelues dhe drejtor i parë i Gjimnazit të Shkodrës. Kur i propozuan t’a udhëhiqte dikasterin e Arësimit vuri dy kushte: 1 – Të hiqej gjuha italishte nga programet e shkollave fillore të Shqipërisë, dhe 2 – Të liroheshin menjëherë nga burgjet ose internimi të gjithë arsimtarët e akuzuar si anti – italianë. Në Arkivin Qëndrortë Shtetit ekziston edhe një dokumenti nënëshkruar nga gjenerali Dalmazzo, K/Komandant i forcave italiane në Shqipëri, ku urdhëroheshin të gjitha prefekturat sa herë që në to të shkonte ministri i Arësimit Xhevat Korça të survejohej nga afër se me prirje komuniste! Pa e zgjatur shumë listën, ndalemi tek figura e shquar e atdhetarizmës shqiptare, Qazim Koculit i cili u caktua ministër pa Portofol. Koculi ishte një kundra – italian i njohur e që u shqua veçanërisht gjatë Luftës së Vlorës të vitin 1920. Mbas dorëzimit të ultimatumit terheqjes forcave italiane gjeneralit Piacentini, me ç’rast ai nuk pranoi të largoheshin trupat e tija nga baza detare e Vlorës, Koculi i udhëhoqi forcat vullnetare sulmin kundra trupave italiane, e cila luftë përfundoi me fitoren e vullnetarëve shqiptarë duke i hedhur në det italianët!
Dy fjalë tashti rreth vrasjes së Qazim Koculit, (me pak informacion që mbase nuk dihet, sepse përgjatë diktaturës komuniste, historianët konformistë, edhe udhëheqjen e forcave vullnetare i a atribuan Selam Musait i cili vërtet qé njëri nga dëshmorët e asaj lufte, po kurrsesi drejtuesi ushtarak i saj). U vra Qazim Koculi e bashkë me të edhe fatkeqi prefekti i Vlorës. (udhëtar i rastësishëm), Lele Koçi. Kush i vrau? Nuk ka rëndësi dorasi, por i shtyrë nga një dibran, njëri prej shërbëtorëve ordinerë të italianëve. Motivi cili qé? Për këtë duhet shkuar thellë në vite, e pra më 6 korrik të 1920 – ës kur forcat italiane u hodhën përfundimisht në det dhe krahina e Vlorës u çlirua duke i u bashkuar Shqipërisë së 1912 – ës. Atë ditë, e theksoj, pikërisht atë ditë, Benito Mussolini u shpreh si vijon: … Kam qarë më shumë sot për këtë humbje tonën nga ana e shqiptarëve, se sa kur e pësuam humbjen e Caporettos (25 tetor 1917) nga forcat Austro – Hungare dhe Gjermane (gjatë luftës së I – rë Botërore të 12 betejat përgjatë lumit Isonzo – shënim M.K.)! Kurse më 28 tetor po Mussolini shkruan një artikull me titullin “AMARISSIMO (Skajshëm i hidhur – shënim M.K.), ku shpjegon se si humbja e Caporettos Shqiptare është shumë, shumë më e rëndë se sa ajo mes lumenjve Isonzo si edhe Piave – s. Pikërisht duke e mësuar këtë pozicionim të Mussolinit, udhëheqësit fashistë të Italisë, kuptohet qartë pse qeveria e Mustafa Krujës u pengua deri në atë masënga ana e Luogotenenzës në kapjen, gjykimin si edhe dënimin e organizuesve si edhe autorëve të vrasjes së Qazim Koculit, (ndaj të cilit u shkarkua mbas dy dhjetvjeçarësh hakmarrja e Duce – s, sa që kryeministri Mustafa Merlòika Kruja, duke e ndjerë veten të pafuqishëm të dënoheshin vrasësit e Qazim Koculit, ministrit pa portofol të qeverisë së tij, i paraqiti Francesco Jacomonit dorëheqjen e pakontestueshme të qeverisë Kruja!
Përgjatë kësaj hullije nuk mund të lihet pa u vënë në dukje një moment tejet kuptimplotë nga jeta e kundra – italianit Qazim Koculit, të cilit, historianët komunistë, mbështetës të ideologjisë partiake komuniste, nuk i a kursyen cilësorët kolaboracionist, fashist, tradhëtar e shto të shtojmë. Kur Qazim Koculi e pranoi postin e ministrit pa portofol në qeverinë Kruja, miku i tij Sadik Shaska i u drejtua jo pa mllef duke i a vënë në dukje pakënaqësin’ e tij lidhur me atë vendim. Është tamam simbolike përgjigja që ai mori nga Kocul, kolaboracionisti dhe tradhëtari, sipas komunistëve: “Si t’a merr mënja tinë, more Sadik miku, se unë mund të bashkëpunoj me kulishët e atire q’i huadhtim në det në 20 – ën?Unë jam ai që qesh’edhe atëherë. Për të lëftuar sot armiqtë t’anë na duhen arm’edhe xhephané. Mot t’isha komisar i lart’i qeverrisë nuk i mbushja dot di vënde të mbëshehta, njërin në Trubull të Karbunarit e tjatrin në Shpellat e Beunit! Me këto do t’i luftojëm italanët, mblidhe mënjen o Sadik”!
Mbas Qazim Koculit do të trajtojmë shumë sipërfaqësisht edhe dy anëtarë të tjerë të Qeverisë Kruja, pikërisht ata dy ministra respektivisht njeri i dikasterit të Partisë Fashiste e tjetri i atij të Drejtësisë. E fillojmë me Jup Kazazin, ministri e Partisë Fashiste. E zgjodhi kryeministri Mustafa Kruja për atë post pikërisht nga ndjenjat e tija atdhetare dhe kundra – italiane që ai dikaster të mbahej larg ndikimit italian në të. E njëjta gjë edhe me dikasterin e Drejtësisë ku ministër u përzgjodh atdhetari dhe ndër juristët më me emër të Shqipërisë, Hasan Dosti. Kur u arrestuan në Tiranë Hamit Mëzezi, Nikolla Tupe dhe Ferid Xhajko, (pa u degëzuar fare në akuzat që i bëhen Enver Hoxhës si denoncues i tyre), dy ministrat e e sipërpërmendur, kur ata tre komunistë u dënuan nga gjykata me vdekje, në shënjë proteste dhanë dorëheqjen e tyre nga dikasteret që drejtonin.
Në vazhdim Jup kazazi u hodh në ilegalitet me forcat e Ballit Kombëtar dhe në fundin e muajit Gusht 1943 udhëhoqi forcat e Ballit dhe të Legalitetit që përbënin mbi 900 luftëtarë nacionalistë me të cilët u bashkuan edhe 25 partizanë të Bataljonit Perlat Rexhepi, (inventarin e trupave e ka pas dokumentuar major Zenel Kazazi) dhe u shkaktuan një humbje të bujëshme forcave italiane në luftën e Reçit. Historianët komunistë luftën si dhe fitoren e asaj lufte i a kushtojnë forcave partizane e këta të vetëm, u paskan shkaktuar humbjen e bujëshme forcave italjane prej 2400 ushtarësh italjanë !(?) Pra, sipas këtyre shkencëtarëve, lé që nuk i zihet emri në gojë udhëheqësit të asaj lufte, Jup Kazazit, por as fare forcave nacionaliste!(?)
Vijmë tashti mbas 29 Nëntorit të vitit 1944. Hasan Dosti largohet nga Shqipëria dhe në mungesë dënohet me vdekje si kolaboracionist dhe tradhëtar.
Jup Kazazi në vazhdim organizoi qëndresën kundrakomuniste e cila kulmohet me datën 9 shtator të vitit 1946 me kryengritjen e armatosur të Postribës, i së cilës ai ishte edhe pjes’ e trurit organizativ të saj. Mbas thyerjes së saj Jup Kazazi u strehua në shtëpin’ e dajave të tij Rifat e Shyqyri Kopliku që i kishin burgosur. I rrethuar nga forcat e ndjekjes e duke mos dashur të digjej shtëpia, i nxori gratë jashtë dhe vrau veten. Daja i madh Rifati e mori mbi vete strehimin e Jup Kazazit, gjë për të cilën e pushkatuan! Dhe historianët konformistë me ideologjin’ e P.K.Sh., si e trajtuan figurën e tij? Edhe Jup Kazazi na paka qenë , sipas tyre, kolaboracionist edhe tradhëtar!(?)




Komentet