Nga Pavarësia e vitit 1912 të kërkesat e shqiptarëve për demokraci, drejtësi dhe dinjitet qytetar, 2026
Nëntori është muaji më simbolik i historisë shqiptare. Është muaji i flamurit, i pavarësisë, i kujtesës kombëtare dhe i atyre ngjarjeve që përcaktuan fatin e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar. Është muaji që na kujton sakrificat e brezave për liri, dinjitet, shtetësi dhe të drejtën e shqiptarëve për të vendosur vetë të ardhmen, si popull i pavarur. Por nëntori nuk duhet të jetë vetëm muaj festimesh, ceremonishë, fjalimesh zyrtare dhe përkujtimesh historike. Ai duhet të jetë edhe një muaj reflektimi serioz për gjendjen e sotme të shqiptarëve, për demokracinë, për liritë qytetare, për drejtësinë dhe për përgjegjësinë e institucioneve ndaj qytetarëve dhe të drejtave të tyre.
Është një ironi e historisë që, ndërsa shqiptarët kremtojnë pavarësinë e fituar më 28 Nëntor 1912, sot ata përballen me protesta studentore dhe qytetare, të cilat shprehin pakënaqësinë, shqetësimet dhe kërkesat e tyre për një të ardhme më të mirë. Pavarësia nuk është vetëm një akt historik i vitit 1912. Ajo është edhe një përgjegjësi e përditshme e shtetit ndaj qytetarëve të vet. Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi me bashkëpunëtorët e tyre ngritën flamurin në Vlorë për t’i dhënë Kombit shqiptar një shtet të pavarur. Ata nuk luftuan vetëm për një territor dhe për një flamur, por edhe për dinjitetin e një populli, për të drejtën e tij për të qenë i lirë dhe për të mos u sunduar nga të tjerët. Sot, më shumë se një shekull pas shpalljes së Pavarësisë, brezi i ri shqiptar ka të drejtë të kërkojë që këto ideale të mos mbeten vetëm në faqet e historisë.
Prandaj, protestat studentore dhe qytetare të shqiptarëve sot nepër rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë nuk duhen parë si shqetësim për pushtetin, por si shprehje e një të drejte themelore demokratike. Studentët kanë të drejtë të kërkojnë arsim cilësor, kushte më të mira jetese, meritokraci dhe mundësi të barabarta. Po kështu, protestat qytetare janë pjesë e natyrshme e një shoqërie demokratike, kur qytetarët ndihen të papërfaqësuar, të zhgënjyer ose të papërfillur nga institucionet. Një demokraci nuk matet vetëm me zgjedhjet që organizon, por edhe me mënyrën se si dëgjon zërin e qytetarëve nepërmjet zgjedhjeve, përfshir zërin edhe të atyre që nuk e kanë votuar një qeveri të caktuar.
Nëntori 2026 duhet të na kujtojë rishtas se flamuri kombëtar nuk është pronë e asnjë partie, qeverie apo pushteti. Ai është simboli i përbashkët i të gjithë shqiptarëve. Prandaj, nuk ka asnjë kundërshti ndërmjet nderimit të pavarësisë, historisë kombëtare dhe protestës për të drejtat qytetare. Përkundrazi, ato janë pjesë e së njëjtës aspiratë historike për një Shqipëri e lirë, të drejtë dhe demokratike. Ata që shpallën Pavarësinë më 1912 nuk mund ta kenë imagjinuar lirinë si një privilegj të pushtetarëve, atëherë as sot, por si një e drejtë popullit, pa dallime. Dhe kjo e drejtë përfshin edhe të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të kërkuar llogari nga ata që qeverisin. Nuk duhet të harruar se historia shqiptare është ndërtuar edhe nga breza të rinj që nuk janë pajtuar me padrejtësitë e kohës së tyre. Studentët dhe qytetarët që ngrihen sot për kërkesat e tyre nuk janë jashtë historisë kombëtare. Ata janë pjesë e saj. Në këtë Nëntor, ndërsa përulemi me respekt para Flamurit dhe kujtojmë 28 Nëntorin, duhet të pyesim veten: Çfarë kuptimi ka pavarësia nëse qytetari nuk ndihet i lirë të kërkojë të drejtat e tij? Çfarë kuptimi ka demokracia nëse zëri i studentëve dhe i qytetarëve nuk dëgjohet? Dhe çfarë vlere kanë ceremonitë përkujtimore nëse idealet e atyre burrave që shpallën Pavarësinë, nuk zbatohen në jetën e përditshme?
Nëntori pra, nuk është vetëm një muaj për të kujtuar të kaluarën historike. Është edhe një rast për të gjykuar të tashmen dhe për të menduar për të ardhmen. Pavarësia është shpallur në Vlorë më 28
Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan shpesh theksonte se demokracia nuk është diçka e garantuar – por që duhet të mbrohet dhe të ruhet, aktivisht, çdo ditë dhe nga çdo brez.
Ky është, ndoshta, mesazhi më i rëndësishëm i Nëntorit të shqiptarëve, 2026. Ta duan historinë e vet, ta nderojnë Flamurin kombëtar, por, njëkohsisht, të mos heshtin përballë problemeve dhe padrejtësive të së sotmes. Sepse patriotizmi nuk matet vetëm me mënyrën se si festohet Pavarësia, por edhe me përgjegjësinë që qytetarët kanë për vendin dhe për të ardhmen e tij. Nëntori është muaji i Pavarësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por pavarësia pa drejtësi, pa demokraci dhe pa dinjitet qytetar mbetet një ideal ende i papërmbushur.
Frank Shkreli