NEBIL ÇIKA,
gazetari i njohur, veprimtari i palodhur i çështjes së të përndjekurve politikë, idealisti i së djathtës shqiptare, autor librash, mik i denjë, papritur ka ndërruar jetë.
Ky lajm dëshpërues, i dalë nga familja e tij, është përhapur sot gjithandej në media dhe rrjetet sociale në atdhe dhe në diasporën shqiptare kudo në botë duke pikëlluar të gjithë ata që e kanë njohur dhe dashur, që e kanë lexuar e dëgjuar si një zë i veçantë, guximtar, i drejtë dhe i mençur.
Ndërkaq ai mbetet siç ishte, dhe një familjar i përkushtuar, një prind i dashur dhe i përkujdesur, mik besnik, aq sa i thjeshtë dhe dinjitoz…
Mbartëte emrin e paraardhësit të tij, gazetarit të shquar të viteve 20-30 të shekullit të kaluar, Nebil Çika i Vjetri, përndjekjen e familjes nga diktatura komuniste, patriotizmin shqiptar, konservatorizmin tradicional, vazhdimin si një premtim të Nebil Çikës së Ri, dashurinë për vendin dhe vendlindjen e tij të bukur, Borshin e Sarandës, virtytet e Jugut, mirësinë dhe besnikërinë, etj. Ikja e parakohëshme e tij mbushet veç me bëmat dhe shëmbëlltyrën e tij, emblemë e qëndresës dhe e ëndrrës për një Shqipëri demokratike, të lirë dhe euroatlantike.
Ai tashmë hapi një rrugë dhe do të vazhdojë të prijë me idealin…
Visar Zhiti