Shtëpia me komfort të tejngopur më bëri përshtypje sapo u hap porta e oborrit rrethues. Trëndafila gjithandej,shatërvanë të vegjël,shkallë shkëlqimtare. Në katin e dytë kolltuqet dhe pajisjet e tjera më sollën një ndjenjë sikur isha mbërthyer në një joshje të mistershme.Një qen i madh ,sapo ndjeu që isha mik, nuk lëvizi nga vendi,vetëm uli kokën në qilimin e trashë duke anuar trupin. Ish i njohuri im më takoi sërish, më hodhi dorën në qafë ,pastaj shtriu dorën duke shënuar një kolltuk të madh, hijerëndë. Gati u zhyta në të. Niku ishte shëndoshur ca,flokët i kishin rënë,po kishte ruajtur disa tipare të rinisë, veçmas tek sytë e lëvizshëm, të cilat tërhiqeshin dhe hapeshin si para një gjahu. Në qafë i varej një zinxhir i madh prej floriri ,gjë krejt e panevojshme.
Në ato moment e kuptova sa njeri i thjeshtë kisha mbetur,duke u vënë në situatën e një kontrasti befasues.Por duke qenë se nuk e vras mendjen për hendeqet e kësaj bote,sepse ,tek e fundit bota është më e thjeshtë seç e ndërlikojmë,dhe nuk ia vlejnë mendimet torturuese,shpejt u ndodha në një ndjesi neutrale të pafajshme.Megjithatë m`u desh t`i shpjegoja Nikut se ç`kisha bërë gjithë këtë kohë, kohë kur ne të dy mbaruam studimet dhe jeta na hodhi në cepa të ndryshme .Niku më dëgjonte me vëmendje, tundte kokën, buzëqeshte sipas rastit,e pasi mbarova, ai e mori falën duke shpjeguar vetveten.Më tha se dikur kur ndanim latën e studentit bashkë, ose iknim nga mensa pa paguar se s`kishim asnjë kacidhe në xhep,as që e pati shkuar nëpër mend se do vinte një ditë që ai do të bëhej i pasur.Në fillim kishte blerë me letra me vlerë magazina,pastaj ish fabrikën e miellit.Me mallin e lirë turk që e kishte shitur shtrenjtë, i kishte rikonstruktuar, ca ambiente i kishte shitur.Po ç`e do, gruaja para dy vitesh i kishte ikur nga kjo botë,djalin e kishte në Kanada dhe dy vajzat në Gjermani…Më erdhi keq për këtë duke i thënë se të mirat e kësaj bote nuk piqen kurrë bashkë,dhe nëse një ditë do të piqeshin, atëhere jetës do t`i humbiste shija.
Pa mbaruar ende fjalën u hap dera dhe në sallon shndriti një bukuroshe e gjatë,bionde e cila duke përkulur pak gjurin më zgjati dorën, pastaj vajti dhe e puthi në buzë Nikun duke e gudulisur në gjoksin e thinjur.Ajo u ul përballë meje ,ndezi një cigare,këmbët i hodhi njëra mbi tjetrën dhe minifundi iu tërhoq drejt barkut.Në këtë çast pashë dy kofshët e saj të bardha që rrëzëllitën gjer në rrëzë duke sjellë imazhin e mëllenjës së zezë, sikur ta kishin zënë aty në atë grackë verbuese.Vura re se cigaren e thithi gjithë duf, ndoshta ngaqë më pa mua aty, ose nuk e priste ndonjë pabesi që Niku t`i rrëmbente kohën e premtuar.
Gjithësesi m`u desh t`i heq sytë në të qindën e sekondës nga kjo vajzë e çuditshme , po sepse ndjeva se tani m`i kishte mbërthyer ajo. Këtë e ndjenja si një bezdi joshjeje të turbullt , diku në ajër, në distancën e shkurtër midis nesh.Sa zonjushë e bukur, mendova me vete, ndërsa e ripashë,e më erdh mirë që s`mi ndante sytë e bukur, sy magjepsës, të denjë për një situatë tjetër.Ende nga ato sy nuk kishte ikur habia ose këshëria, po gjithësesi, ato ishin aty, mes asaj fytyre të njomë me pamje engjëlli.Një lëvizje e beftë që s`dihet pse e bëri i zbuloi një gjoks që lëvizi si dy kokrra ftoi në degë kur i tund një erë e fortë. S`dihej ç`tallazitej brenda asaj mrekullie të brishtë.Ndoshta diçka ishte nisur nga larg dhe kishte ndalur pikërisht aty, në atë trup si statujë , po që çdo lëvizje e shpërthente në tallazitjen e një imagjinate torturuese që afronte nga veshja e saj gati lakuriq.Si për ta lënë këtë heshtje këndellëse në euforinë e habitjes estetike timen, Niku kishte shkuar tek një cep i dhomës së madhe dhe po fliste në telefon.Në një moment ai ngriti zërin dhe dëgjova fjalën qelbësirë, po kjo s`më afroi asnjë përshtypje, edhe pse ajo vajzë s`duhej ta dëgjonte atë fjalë.E pashë që puliti sytë si një zog i vogël harruar në bar, sikur ajo fjalë t`i drejtohej asaj.Ose më keq, kur zogu krahëthyer ndjen vërshëllimën e gjarpërit dhe s`mund të ikë.Po kjo nuk qe veçse një vegim imi.Kur ai u afrua pranë nesh dhe u ul në kolltuk pashë fytyrën e tij të zverdhur pak, po çehrja ngadalë po i vinte, dhe një qeshje në cep të buzës po tentonte të forcohej drejt një natyrshmërie të pranueshme.Edhe në shtëpi nuk na lënë rehat, tha, kujtojnë se unë i kam paratë me thasë.Nuk mori asnjë fjalë shoqëruese për këtë, ndërsa mbase kuptoi se bëri gabim, dhe zgjati dorën për të shtërnguar pak tëmthin…
Sërish u hap dera e sallonit dhe dy gra sollën pjatancat.I rregulluan me kujdes dhe ikën mbrapsht sikur të ndodheshin para babait të teqesë.Vetë Niku u ngrit, hapi një frigorifer të madh dhe vuri në tavolinë raki, verë, birrë të ftohtë.
-Niku –u mvrejt biondina, gjithnjë të njenjtat pije,dua shampanjë…
-Pi ç`të duash, mor shpirt,tha Niku dhe nxori nga xhepi i jelekut një shuk me para dhe ia dha.Vajza i mori paratë ,iku dhe u kthye shpejt, sa unë nuk pata kohë ta pyes për të.Pas pak një grua erdhi me dy shishe shampanjë,të cilat vajza ia rrëmbeu , sikur kishte frikë mos ia merrja unë.Ajo e hapi shishen me zhurmë dhe lëngu magjik vërshëlleu në fundin e gotës.E rufiti menjëherë pijen, ndërsa gotën e dytë ia mbusha unë.Ajo nuk e preku, vetëm gishtërinjtë e gjatë i lëviznin me një nervozizëm.Mbase këtë shërbim e priste nga Niku.Niku u ngrit në këmbë,dhe tha:
-Nita,të pimë një gotë për shokun tim të hershëm, Artanin…Por Anita s`u ngrit , ajo ngriti gotën dhe rrokullisi në fytin e saj elegant pijen, më tepër për qejfin e vet.Vetëm mërmëriti: Sa interesant ky shoku jot, Niku, sa interesant…Ajo kishte mbyllur qepallat sikur të kishte zbuluar tek unë mashkullin që s`e kishte parë kurrë.Po në të vërtetë këtë e bënte vetëm për t`u treguar vetë interesante,ndonëse nuk arrinte të kuptonte se vëmendja ime ndaj saj ishte përqëndruar vetëm në kqyrjen e herëpashershme të ndonjë pjese që i zbulohej rastësisht, pasi për këtë s`ishte fare e kujdeshme.Gotë pas gote ajo përhumbej ngadalë, unë prisja që ajo të dehej shpejt,po çuditërisht,Anita ishte një trimëreshë e alkoolit dhe tymoste cigare një pas një,të cilat i fikte në gjysmë.Kisha dëshirë të flisja me Nikun për kohët tona të arta, në atë kohë kur nuk ndeshja femra të tilla,kur ato ishin të drojtura, humane, tepër të sjellshme dhe nëse të donin ,dinin edhe të sakrifikonin për ty.Befas Anita u ngrit, po u ul prapë.
-Niku, u mërzita,tha Anita.
-Pse ,moj,shpirte,dhe Niku u ngrit i afroi pjatën,po Anita nuk e preku.
-Gjithnjë nuk ha ,tha Niku,kjo më brengos..-sikur të fliste për qenin e madh që s`ka gojë të tregojë arsyen pse nuk ha.
-Bëje të hajë , fola, një vajzë kaq e bukur ka nevojë të hajë që të largojë mërzinë…
-Ke të drejtë, bëj gjithçka për të…Anita u ngrit dhe doli në dritare.Mbase nuk i pëlqyen fjalët që u thanë.Ajo u përkul aq shumë, sa fundi i ngushtë ,gati i zbuloi prapanicën.Dhe përkulej e përkulej gjithnjë e me shumë si të donte të hidhej.Niku shtypi një buton.Erdhi një grua.
-Merre Anitën,dhe shetite pakëz në kopësht, i tha.
-Jo,jo, dua të rri me ty, -foli Anita,si një fëmijë e llastuar.Ajo erdhi dhe iu var Nikut në qafë,e puthi në faqe dhe fuste gishtat në gjoksin e tij leshator.Ishte e ndezur nga shampanja apo nga epshi, s`mund ta kuptoje.Gjoksi i madh i përflakur nga dëshira,gati i kishte shpërthyer bluzën e hollë.Me të ajo fërkonte faqet e tij, supet,dhe Niku e qëllonte lehtë në kurriz, në vithe, sikur pranë të kishte një pelë të hazdisur,të cilën mezi e kishte kapu rdhe kishte frikë mos i ikte.Befas Anita u shkëput dhe u ul në vendin e saj.Tani kofshët rrëzëlluese i mbante shtrënguar.Uli fytyrën e saj në pëllëmbë dhe mendohej.Pastaj e ngriti kokën dhe e pa Nikun me një pamje të përqëndruar sikur ta shihte për herë të parë.Kur e ktheu vështrimin nga unë sikur u çel pak.Nëse isha i qetë nuk e kuptoja, por po ndjenja një rrezëllitje të beftë në kraharor, duke menduar se nuk bënte të jepja pamjen e një idioti që shikon për herë të parë femra të bukura.Unë kuptoja se isha një pengesë e padëshiruar mes të dyve në ato çaste, po fundja ç`faj mund të mbartja, përderisa kisha ardhë vetëm rastësisht dhe i ftuar.
-E kap nganjëherë dalldia, foli Niku,dhe nuk e di përse, mbase duhet t`i ketë ndodhur diçka,e ka turp ta thotë para teje.Duke u ngritur ,ai më kërkoi falje, e mori Anitën përkrahu,ajo u bind çuditërisht si një shqerrkë dhe shkoi pas tij.Më në fund, po rri pak vetëm, mendova, dhe u kujtova se kisha ngrënë shumë pak. Kollofita një copë mish dhe piva një shishe birrë me fund.Më shkoi ndërmend se po të isha i paturpshëm,dhe nëse do të ma lejonte Niku,do ta qëlloja atë vajzë me ca shuplaka të mira, për t`i treguar se një sjellje njerëzore ishte e mundshme ,sepse çdo banalitet ka një masë, sidoqoftë…kuptova se nuk duhej të mendoja kështu , a nuk ishte ajo që më kishte dhënë ca kënaqësi të shijimit estetik duke zbuluar pothuaj atë trup të bukur ?Fundja ka njerëz që nuk u bëjnë përshtypje këto gjëra, se turpi sa ta njohësh aq mbetet.Shprehja:”Unë s`kam turp , ndaj s`ke ç`më bën”, ndoshta ishte më e përshtatshme se kurrë, pikërisht tani, madje shumë gazeta e stilizonin atë për politikanët si një moto e ditës.Mendime të ndryshme më vërtiteshin ne kokë,ndërsa po mendoja për Anitën ,se ajo duke gjykuar që isha shok i Nikut,kishte vendosur një raport mirëkuptimi në heshtje me mua.Në fund më erdhi vërtet keq për të.Më dukej se e njihja atë vajzë,ose sikur e kisha parë në një ëndërr të bukur, dhe ishte aq e bukur me hire që shkëlqenin në një distancë të largët , sikur të qe një nimfë përrallash, por…nuk thonë kot se dardhën më të pjekur e ha derri.Në vetmi po ndjenja një uri të beftë dhe kafshova copën e një bërxolle të madhe.Nga dhoma matanë u ndie një britmë e lehtë, një zë sikur u këput dhe ra mbi një shpellë, ndërsa unë tani po kundroja atë dhomë të madhe me konfort, kolltuqe të rëndë, pasqyra shndritëse dhe tapete të shtrenjtë. Muret ishin mbuluar nga piktura të shumta, ndërsa ftohësi elektrik nuk mundej që nuk mundej ta normalizonte atë zjarrmi të mpirë që kishte shkaktuar ajo vajzë.Për herë të parë vura re se diku, sipër një komoje të lëmuar qëndronte një fotografi gruaje.U ngrita dhe iu afrova.Vështrimi i saj hidhej pjerrtas, diku në një cep të dhomës, ndërsa dy sytë e pezmatuar sikur nuk donin t`ia dinin për asgjë. Duhej të ishte ish gruaja e Nikut.Ndjeva një tërsëllimë sikur ajo të dilte nga fotografia dhe të më fajësonte mua.Ktheva kurrizin dhe ui ula sërish.Sikur ndjeva hapjen e dritares dhe një erë të ftohtë të përplaste fotografinë mbi dysheme.Kur ktheva kokën pashë se vërtetë një kanatë e dritares ishte hapur dhe tyli trazohej nga një erë e lehtë duke iu afruar fotografisë si një mjegull mëshiruese që donta ta mbulonte, që ajo mos shihte asgjë.Një grua erdhi dhe solli diçka, ajo buzëqeshi lehtë gjithë mirësjellje,nuk shfaqi asnjë interes dhe sërish iku mbrapsht, siç e kishte ndoshta mësimin apo edukatën.Tani po mendoja për kohën e dikurshme kur ishim shokë gjimnazi dhe Nikut nuk ia varte asnjë vajzë.Ai atëhere më luste mua që të zbusja zemërimin e tyre me të, dhe ndonjëherë ua mbushja mendjen vajzave që t`i thoshin fjalë premtuese.Si sot e mbaj mend kur fytyra e tij bëhej lulëkuq nga gëzimi dhe Niku më merrte në shtëpi e më qeraste me ditë të tëra.Kur fillonte fat i keq, zemërimin e tyre të pashkak, ai e quante pikërisht kështu, unë duhej të futesha sërish në lojë, po pa ndonjë rezultat për të.Po e shkuara është gjithnjë një e shkuar, ajo nuk është as një e thënë as një e bërë e përfunduar për të mos ndryshuar më.Nëse një njeriut ia marrim një të metë në një etapë kohore, harrojmë se janë etapat e tjera ku ngec realizimi jonë dhe tjetri del ndryshe…
Erdhi Niku, kishte kaluar goxha kohë.
-Ç`kishte ,pyeta.-Hiç, mor vlla, donte atë punën…Dhe e vura në gjumë…-Ma këput shpirtin sepse qan shumë, nuk e di se çka…sa më do ko vajzë, sa më do …mërmëriste ai ngadalë, po fjalët e tij shqiptoheshin shkoqur .Vura re se ishte i nervozuar,sikur të kishte humbur një shumë të madhe, ose të kishte zbuluar një rini të zjarrtë në moshën e tij pak mbi mesataren e cila sa i qe dhënë si pamje dhe ai duke e ndjekur s`dihej në ç`humnera kishte rënë,e tani dilte prej tyre i mbuluar me një myshk legjendash të stisura..Unë do kisha bërë mirë të mos shtoja asnjë koment për fjalët e tij, po sepse m`u dhimbs ajo vajzë e cila s`kishte si ta donte fytyrën e tij të rrudhur as hundën e shtrembër si kërrabë bariu .
-Ore Niku, fola unë,a e ke pyetur ndonjëherë veten përse të do kjo vajzë?
Niku nuk e priste këtë pyetje,ai nuk deshi të thellohej në përgjigje,po as nuk mundi, sepse tha:Përderisa më do, pse dua ta pyes veten,kjo s`ka kuptim , madje as s`më ka shkuar ndonjëherë ndërmend për këtë…Unë bashkova gishtin e madh me gishtin tregues, i fërkova me njëri tjetrin duke i vënë në një pozicion para fytyrës së Nikut dhe i thashë:Të do vetëm për para….
-Jo, tha ai s`është e vërtetë, pak i jap, vetëm njëmijë euro në muaj…
Komentet