U mbyll mbrëmë rreth orës 23:00 protesta popullore ku ra në sy pjesëmarrja masive e mijëra qytetarëve që mbushën edhe rrugët e Tiranës gjatë marshimit tradicional, në kërkim të rrëzimit të qeverisë dhe ndryshimit të sistemit politik.
Protesta e 55-të kundër qeverisë vijon me një marshim të gjatë në rrugët kryesore të Tiranës, ku mijëra qytetarë ecën nga bulevardi përpara Kryeministrisë drejt disa prej akseve më të frekuentuara të kryeqytetit.
Kolona e protestuesve u drejtua fillimisht nga zona e Shallvareve, për të vijuar më pas përgjatë bulevardit në drejtim të Pallateve Agimi. Më tej, marshimi kaloi përgjatë segmentit pranë Lanës, duke përshkuar zonat e “Sami Frashërit”, ish-Ekspozitës dhe “Vasil Shantos”, sheshit “Uillson”, “Libri Universitar” për t’u rikthyer në bulevard, aty ku dhe u mbyll.
Gjatë gjithë itinerarit, pjesëmarrësit brohoritën slogane kundër qeverisë dhe kërkuan ndryshim politik. Mes thirrjeve më të dëgjuara ishin:
“Ndryshim sistemi”, “Arrestoni Ramën”, “Shqipëria kërkon revolucion” si dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”.