VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Në promovimin e romanit “Hijet e Muzgut” të Arben Kallamatës

By | January 20, 2020

Komentet

Në botën e ëndërrave & Një lot nga hëna Dy poezi nga Stephanie Stoychevska I përktheu: Irena Dono

Në botën e ëndërrave

 

Lundroj në
qiellin e mesnatës.
Lundroj në
detin e mesnatës
në një varkë hëne.
Duke peshkuar ëndrrën
aq larg;
Duke peshkuar ëndrrën
aq afër.
Filispanja ime – një rreze hëne
dhe karremi – një yll i argjendtë.

Një lot nga hëna

Kapa një lot
që binte nga qielli i diamanttë.
Një kujtim të harruar nga hëna.

Tani e vështroj
si një perlë oqeani të argjendtë.
Sytë e purpurt të universit
stolisur me pluhurin e yjeve.

Lotët e saj
bien si petale të thara trëndafilash
Në verën e vonë…

LIRIA NIS TEK ZEMRA – Ese nga ATDHE GECI

…Shtëpitë na janë shndërruar në Trojë!…Ajo që kërkon t´i gjej bijtë e vet nëpër botë është nëna, babai, vëllai e motra, nuset që presin të dashurit, shtëpitë që kërkojnë të zotin e saj!… Jetojmë në një klinikë universale!…Zëri heroik i letërsisë do flas se s´bën. Ta shprangosim të vërtetën e burgosur! Kosova dardane e meriton një jetë më të mirë!…
Kush po i shpërngulë shqiptarët! Ajo tek né ka vetëm një emër, Qeveri!…Nuk dua vuajtja të sëmuret as dhimbja të vdesë! Është koha të kthehen tek toka mëmë, dallëndyshet e mërgimit!…Popull,të gjithë po pyesin! A kemi popull! Dhe të gjithë duan ta dinë, ku është!? Dhe,.. a kemi duar për grushta! Vendi im ku je!? Si është e mundur që, liria ta ketë emrin mashtrim, hajni, korrupcion, prostitucion, poshtërim, e çka jo!…
Kot përpiqem për ardhmëri artistike! Nuk ka art pa atdhe të konsoliduar! Ç´të bëjmë me qeveritë që mohojnë origjinën pellazgo- ilire!…gjykojeni vet! Pse liria tek ne vjedh, mashtron, prostituon, tradhëton, shet tokë e det!…
Fol forcë e ndryshimit! Folni nxënësa, studentë, mësues të lirisë! Jeta është e shkurt për të heshtë aq gjatë! Popull, nxirre heroin tënd! Në emër të lirisë, qeveritë këtë vend po e poshtrojnë. Krejt popujt i ndjekin armiqtë, qeveritë tona blejnë armiq!… Popull, gjeje rrugën tënde! Zogjtë me një fije bari në gojë bëjnë betejën me kohën. E kuptoj,… Në çdo shtëpi ka hyr frika e pasigurisë. Popull, liria nis tek zemra!…
Atdhe Geci – Dortmund, 2020

NJË BOTË TJETËR – Poezi të reja nga NEKI LULAJ

 

NJË BOTË TJETËR

 

Diçka nga brenda ma thyen heshtjen

Shpesh me vend e rrallë pa vend.

Po me djeg si meduza prek ndërgjegjjen

Vallë kjo botë e madhe pse po hesht?

 

Bota  çuditërisht është  para kolapsi

Nga një virus qe e krijoi njeriu vetë

Nuk e kërkon askush se i kujt është faji

Për  shekullin e  21-një është mëkat i vërtetë.

 

Thellë në shpirt me gërricin shpezët me  kakarisje

Si i agjësonin të gjalla  pa gjyq e pa faj.

U hap fjalë-rrufeja se gripi sulmon të reja shtigje

Digjeshin në furra i groposnin si në një varr.

 

Shpërtheu lajmi si vullkani më vonë.

Se u përhap  gripi-tërbimi i shtazëve, i rrallë

Mbyteshin shtazët gropoheshin në gropë

U harrua  shpejt e  një lajm i ri vjen prapë.

 

Nuk kuptohet kjo botë e civilizuar

Corona virusi  19  tronditës po bën kerdi

Ku e ka burimin  adresën ky  ferr i pambaruar

Vetëm në emrin djallit  “njeri”.

 

ÇAMJA  JONË

 

Pullaz e tavan e patëm qiellin

E yllësia dritë hije lëshon.

Fluturojnë engjëjt prekin Universin

Fjala urtake e dashurisë  na bashkon.

 

Do ta gatuajmë bashkë e ta tjerrim kujtesën

Mëkatet  t’i groposim

Në moçalin e patave

në batak t’i zhdukim harresën.

S’e dua padijen e kryeneçësisë së shekullit plak.

 

Çuditërisht në stinën e zogjve

Zogjtë nuk cicëruan në pranverë mbi dritare

Bulkthi  kishte zënë pusi

E heshtja e  shurdhëroi sheshin, e mira çame

 

Diçka më  rrëshqiti mollëzave në faqe.

Akullnaja e ngrohtë shkrihet në shpirtin qelibar.

Për ty po dënes, o çamja ime verdhake

Shekulli po ikën e unë të vij nga  pas.

 

Po flej e zgjohem unë, biri yt  te pragu.

Ne Paramithi gjumin e bëj jak.

O do të vij,

o do të vij të kulla e te oxhaku

Unë nuk jam bonjak i lindur në Sokak

 

 

 

PSE

 

Askush nuk e pranon fajin

As mëkatin.

Edhe pse me dashje a pa dashje vjen.

Gjatë rrugëtimit brumin  jetës ja merr

Ti përkund

djepin e vetmisë që sikut të  çmend.

 

 

Monopatin ia mbylle vetes me mëri

Thirrjet biblike ishin për ty zhurmë e mbërthyer.

Zgërdhiheshe nga mëria me neveri..

Si pasqyra me qelqin e thyer.

 

Ditët e  shtëngatave vijnë e ikin

Të sjellin

muzgun e zemrës me urrejtjen farmak

Si ti feksin ëndërrat e trishtuara

Kur ecën  vetmia  mbi kënetën moçal?

 

Universi e feks  terr nate dhe dritën në agim.

Kjo botë e krijuar jep e merrr.

Mbi  shkumën  katran e leshterikë ,

Bota sharmin e mashtrimeve s`ta pëlqen.

SONTE – Poezi nga FLORA SULDASHI

Kjo natë e gjatë
-pa hënë
le të jetë e imja,
të nesërmen e përflakur
-ta fali ty!
Sonte,
unë dua të dehem
me eliksirin që iku
Lozonjar,
që thërret në kthim,
dhe dua të shfletoj
fletë-fleeetë,jetën….
Kam nje detyrim!
(Ti merre agimin
e nise ditën e re…
Zgjohu!
Përgjak ndërgjegjen
se dielli, verbërinë
– perjetë e tremb.)
Unë po dehem
në këtë errësirë,
se sytë e mi janë nxirë,
lodhur e mërzitë:
nga fasadat kiç
-që botën shëmtuan,
nga maskat tinzare
-që botën tonë trazuan,
nga zombitë e trishtë
-që çdo gjë rrënuan.
Sonte , të lutem
mos më trazo ,
është nata ime,
kam ndërmend
të mbledh
palë-paaalë
gjithë ato kujtime,
të bredh e kthej:
ato zhurma,
-thirrje jete
copëza gëzime
-e thërrime dite…
Borën e parë
ecjen trotuareve,
përplasjen
-fëmijërinë skajeve…
gjithë ato zhgënjime
dhe dridhje.
Me këngë buzëvaj
pastaj
të ndezi zjarret
– kryengritjen e mbrendëshme…
Flakë le të digjen oqeanet!
Të thur një botë
me ditë e netë
-të reja ,
-të vërteta,
-Diellplotë !
SONTE ,se nesër
-është vonë!
FLORA SULDASHI
11.11.2020
Hamburg

LETER KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS PËR VËLLIMIN „KOSOVA“ ANGLISHT – Nga RAMIZ TAFILAJ

Letra që po ua dërgojmë Juve, zoti Kryemnistër, ka për qlllim që t’iu njohtojë me veprimtarinë tonë në këtë drejtim, por edhe të merrni masa që kjo veprimtari të bëhet pjesë e propagandës shkencore e shtetit të Kosovës. Tash, kur shteti serb po bën propagandë të madhe në SHBA dhe gjithandej në botë kundër qenies historike dhe kulturore të shtetit të Kosovës me anën e librave të shumta, siç janë ato për Kishat Ortodokse serbe në Kosovë dhe “Gjenocidi i shqiptarëve në Kosovës në shekullin XX” në pesë vëllime nga Kisha Ortodokse Serbe, është e udhës, që shteti i Kosovës, të shrytëzojë ato vepra që ka në gjuhën angleze që t’i kundërpërgjigjet kësaj propagande. Meqë Botuesi “Jalifat Publishing” nga Hustoni para katër vitesh ka përkthayer dhe botuar “Kosovën” e J. Buxhovit në tre vëllime në anglisht dhe se ky libër tashmë është futur në universitetet amerikane si literaturë alternative për Europën Juglindore, e shohim të udhës, që Qeveria e Kosovës, të marrë përsipër që libri “Kosova” nga ana e Qeverisë së Kosovës, nëpërmes ambasadave tona në botë, veçmasnë SHBA, të shpërndahet në qarqet diplomatike, politike, kulturoretë dhe shkencore. PO ashtu, Qeveria e Kosovës duhet t’i detrojë, insitutcionet shkencore dhe akademike,të krijojnë një plan për botimin dhe përkthimin e veprave historiografike që do të shpërndahen në botë. Shtëpia botuese “Jaliffat Publishing” do të përkthejë autorët e këtyre veprave dhe do t’i shpërndajë ato. Por që kjo punë të jetë sa më e organizuar, kërkon edhe përfshirjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që për fat të keq deri më tash ka munguar.

Me Adem Istrefin, nëpër natë e nëpër jetën e tij, nga Tirana në Gjurakovc – Nga SALIH KABASHI

Me rastin e vdekjes së shkrimtarit e poetit kosovar të Tiranës
Kur për herë të parë shkova në Shqipëri, dy vetë nuk e patën të vështirë ta gjenin njëri-tjetrin. Unë Ademin e Adem Istrefi mua. Shoqërohesha dhe jetoja me bindjen e çuditshme se atë e kisha dikë timin.
Ndoshta pse vepra e tij letrare në Kosovë kishte qarkullim klandestin dhe lexim të gjerë. Nëse për ndonjë libër mund të thuhej se jo vetëm lexohej por edhe hahej, atëherë ndër ato libra të parat do të ishin ato të Adem Istrefit. Qysh gjatë shkollimit tim në Gjimnazin pastaj edhe në Normalen e Pejës qejfin për lexim të poezisë ma nxitën e ma shishmuan vargjet e strellcjanit, bashkëvendës të të cilit kisha në klasë e në shkollë. Ai qysh i ri kishte dalë në Shqipëri…
Takimi im i parë me Adem Istrefin ishte pothuajse takim i njerëzve që njiheshin. Unë e doja atë shumë, shumë më herët.
E gjeta në kafenenë e Lidhjes së Shkrimtarëve. Këtu ku e tregon edhe fotografia. Nuk ishte vetëm. Me të ishin dhe mua po më prisnin, pos Ademit edhe figura shumë të njohura dhe që i gjeta para së gjithash njerëz të mrekullueshëm: Ndrekë Luca, Sadri Ahmeti e ndonjë tjetër.
Dikush kishte lajmëruar me kohë, hej! po vjen Salih Kabashi nga Lubjana e Sllovenisë…, doni ta takoni?
E kam shkruar edhe diku tjetër: kosovarët emigrantë në Tiranë, kur atje shkela për herë të parë, i gjeta të lodhur e gati të sëmurë. I kishte lodhur ankthi i të qenmit nën survejim të përditshëm, i rrezikut të burgosjes e internimit, malli për vendin e lindjes, kushtet e mjera të jetesës…
Kosovarët si dhe të gjithë shqiptarët dukej se i kishte lodhë Shqipëria.
I shihja të zbehtë e të frikësuar. Vetëm shishet e gotat e shumta të fernetit që zbraznin gurmazeve, atyre dikur u sillnin rreze efemere në sytë e dritë të pakkohëshme në fytyrat e tyre.
Në Tiranë asokohe ishin instaluar lloj-lloj kosovarësh dhe shqiptarësh të tjerë të Maqedonisë e Kosovës me punë apo në azil politik, por edhe thjeshtë badihavxhinj nëpër Evropë. Nuk ishin të paktë ata që kishin ardhë, siç thuhet – me shitë salltanet… Disa edhe për punë jo aq të pastra e aspak të lavdishme.
Shqipëria ishte e shqyer. Ishte e paushqyer. Nga banorët e saj ishte e urryer.
Pollavrat politiko-patriotike të disa kosovarëve asaj i tingëllonin shumë cinike.
Megjithatë heshtnin, dëgjonin, prisnin shpëtim. Dhe në fukarallëkun e tyre tregonin bujari të paimagjinueshme.
Fliste e heshtte edhe Adem Istrefi, personazhi i kësaj fotografie. Në të dyja rastet ai thoshte shumë. Pak muaj më vonë ai, për “Republikën” time pat bërë një shkrim mbi tredhjen e trurit që i kishte ndodhur Atdheut tonë përgjatë lulzimit në të gjitha fushat…
Mbrëmë gati më zu sabahi duke mbajtur nëpër duar fotografi të shumta. Secila më thoshte diçka. Secila zgjonte një kujtim, një mall. Secila sillte një jehonë. I ndava në më pak të rëndësishme dhe në më domethënëse. I lashë të gjitha për një vizitë tjetër. Te njëra u ndala dhe asaj iu thellova. Është kjo që më futi fellutave të këtij shkrimi.
U mallëngjeva jo për vitet që shkojnë. Jo, jo! Po mendoja se në çastin e fotografimit, as unë as Adem Istrefi, edhepse do të duhej, prapëseprapë nuk kishim se si të gëzoheshim.
As ai as unë nuk mund të dilnim matanë, ku ai të pinte nga një gërçamë ujë në të gjitha gurrat e Strellcit, ndërsa unë të shihja, sepse po përvëlohesha t’i shihja sytë plot gjak e lot që nuk po i thaheshin kurrë lokes sime…
Mustaqet e Adem Istrefit, skuqur nga duhani, ligjërimi i tij, me shumë fjali ndërmjetëze që atë e bëjnë të bujshëm e shumëdegësh, ndonjë grimcë humori si purpur i ëmbël, grushti para gojës për të bllokuar shpërthimin e një kolle…
Poeti im i preferuar më ngjante atëherë sikurse më duket edhe tash në fotografi: si ata burrat markant, pedant e urtak që me parakalimet e tyre, veshur allafranga, stolisnin kalldërmet e Pejës sonë të hershme.
Qeshje e lehtë. Një koll poashtu i lehtë shkaktuar nga duhan i keq. Dhe mjegulla e dendur e tymit. Adem Istrefi donte të thoshte diçka… Shumëçka. I tejkalonte apo i linte për një rast tjetër duke mbushur kraharorin dhe duke nxjerrë një ofshamë të shoqëruar me ulje koke…
*
Pas pesëmbëdhjetë vjetësh, në një pasdite me Ramadan Musliun, Hysamedin Ferajn dhe Adem Istrefin ishim ulur në një kafene në rrugën Myslym Shyri. Ishte pasdite. Ademi tashmë e kishte pa dhe e kishte shëtitur nëpër Kosovën e lirë. Gurrat e Strellcit më nuk do t’i mbajnë inat, ai secilës ia kishte zgjatur buzët e etura e të përmalluara.
Sa kisha ardhë nga Sllovenia. Më pyeti: Kur do të nisesh për n’at anë? Nesër, i thashë. Nëse do të shkoje sonte, do të shkonim bashkë! Shkojmë nesër. Jo nesër, sonte, sonte. Dukej se nesër do të ishte kot dhe se vetëm nisja e menjëhershme kishte kuptim.
– Mirë. U bë. Nisemi sonte! Shko bëhu gati – i thashë.
Pas një ore, Volvoja ime 15 vjeçare, me mua e me Ademin në bord u nis natën për në Kosovë si duke fluturuar. Mbi ne fluturuan si zakonisht disa gurë nga banesat sipër rrugës në Rrëshen… Nga gurët e guralecët e Kukësit shpëtuam. Gurëhedhësit i zumë në gjumë…
Në mesnatë shtëpia ime në Gjurakovc iu gëzua mysafirit të saj të papritur por shumë të dashur. Shtatë orë vozitje na kishin kaluar sa një orë. Bashkëudhëtimi më i bukur i jetës sime. Brenda atyre orëve unë isha i tëri dhe gjithë kohën brenda dramës së madhe të një Njeriu.
Në mëngjes, pas një kaftjalli të lehtë, poetit strellcjan të Tiranës i tregova sa i çmendur është gjelbrimi i majit në vendin tim. Poeti shijonte e përjetonte. Ne të dy po gëzoheshim me pranverën…
Në qytezën time ka ekzistuar një burg famëkeq i ngritur nga OZNA e UDB-a. Kam qenë banor i tij në periudha të ndryshme të rinisë sime. Deshi ta shihte. Shkuam dhe e pamë. Zymtësia largoi gazin e pakmëparshëm të pranverës. Një kollë i dridhi mustakun Adem Istrefit. Morëm rrugën e Pejës. Gurrat në Strellc po hidhni vrushkujt e akullt për të hequr shkrumin e rrënesës së ferrtë.
Nëna ime gjatë asaj kohe sa i ra me folë me Ademin, i thoshte: “Djali jem…, Zotit shyqyr djali jem…, po djali jem…, ani djali jem…
Të ketë qenë Adem Istrefi vëlla imi?!
Me siguri ishim vëllezër përnga dhimbjet e përnga dashuritë.
(Botuar te gazeta Tema, 27 shkurt 2013)
KU JANË LIRIKAT E MIA?…
Adem ISTREFI
Ku t’i kërkoj?
Kush m’i vodhi?…
Në petalet e luleve aromë-dehëse mos kërko,
As në flokët e pakrehuna të shelgjeve nuk i gjen.
Në ujëvarat e bardha shkumbë jo, nuk janë.
Me cicërimat e zogjëve nuk janë përzi.
Lirikat e mia nuk janë cicërima.
Nën kapuçin e bardhë janë thinjë,
Në tela me gjemba janë mbërthye,
Në zgavrat e çiftelisë janë strukë,
Nëpër rrugët e vorreve janë shkelë,
Në thinjat e zemrave të nanave janë kacavarë,
Në buzët e gjakosura të fëmijëve janë gri
Dhe në besimin tim janë shkri.

ZA FJETUN… – Nga LULZIM LOGU

Rreth librit më të ri të Hasan Selimit”Ditën n’diell e hanë”

Botimet “Eneas” Tiranë 2020

 

Sapo ka dalë nga shtypi ky libër, nuk e di se cili është në rradhën e botimeve të autorit, ai ka kohë që boton libra njeri pas tjetrit, muza e tij ka shpërthyer pas vitesh të gjata fshehtësie, ndrojtje dhe akumulimi shpirtëror, dilemash të shumta në vetvete, gjersa poezia e ka shpëtuar nga një ngarkesë e madhe, e cila dukej se do ta mbyste…

Të paktën këtë impresion e kam pasur gjithmonë, duke e soditur poetin, studjuesin, gjyqtarin dhe teologun, ndërsa shfaqte apo fshihte njërin apo tjetrin rol në bashkëjetesën e detyruar, në ditën e tij të punës përballë peshores së drejtësisë apo në kredhjen e lume të shpirtit të tij të pandalshëm të kujtimeve të fëminisë, ku dy elementë mbizotërojnë psikikën e tij aspak të pazakontë, nëna dhe babai, dy qënie që më së shumti i ka dashur, pasi ata janë larguar parakohe nga kjo jetë.

Nëna aq herët, një mesogrua e bukur, delikate, fisnike dhe ndonjëherë edhe burrnore, kur ja donte rasti për mbijetesën e familjes.Babai,më fjalëpakë, më i vrazhdë, i prerë në vendime, por kurajoz dhe përcaktues në fatin e familjes së vet.Të vendosur me tokë dhe kullë, në Kasaj, një vend dominant mes Kosovës dhe Shqipërisë, një vrap kali mes dy gjysmave të atdheut të ndara gjysmëshekulli padrejtësisht, ku natyra i tregon bujarisht të gjitha hiret e veta, në të gjitha stinët…

Duke dashur të garantojë karakter dhe personalitet, shpeshherë ka dominuar gjyqtari dhe toni i fortë dhe i prerë, më pas kur liria e besimit dhe e shprehjes hyri natyrshëm si frymë lehtësuese midis nesh, filloi të shfaqej njeriu i besimit që të afron ndjesi besimi dhe shprese mes marrëdhëniesh njerëzore, në biseda intime ku luhateshin fate të ndryshme individësh të vuajtur ose jo dhe së fundi poeti…

Shfaqet befasisht me vargun e çrregullt, por me forcë të çuditshme imagjinate dhe strukture interesante, me guxim krijues, ndonjëherë edhe tejkalues në përmasa, vargu ka sinqeritet dhe tematikë novatore dhe origjinale, që papritur shkakton habi të justifikuar tek lexuesit, por edhe kritikët jo të paktë të tij…

Shkruan poezi, poema të gjata, shfaqet dhe si prozator, i cili qëmton detaje të rralla, qasja ndaj studimeve të fushës së vet juridike, por edhe të besimeve dhe historisë së tyre në Shqipëri, i japin “kurorën” e dëshiruar të krijuesit të mirëpranuar dhe të merituar në botimet komplekse.Duke qënë aktiv dhe përfshirës në takime periodike dhe të gjithfarëllojshme me krijues, reflekton dhe stilin e veçantë të dialogut kulturor, që e afron së tepërmi në rrethet aktuale krijuese në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni…

Dhe pasi prushi dhe flaka e parë krijuese janë shuar sadopak, besoj se ja ka mbrritur maturia e motiveve poetike, qëndrueshmëria tematike, kujdesi i shtuar ndaj strukturës së vargut dhe latimit të tij të domosdoshëm brenda unit të tij poetik, luhatet në lavjerrësin e tij krijues të gjejë pjesën e tij më të mirë dhe  shpresoj se në këtë libër të ri shfaqet më së miri kjo tendencë.

I përcaktuar tashmë si “Zafjetun…” si “Krisht, gjithnjë në kërkim…” poetit i pelqen të kuptohet si krijuesi të cilit i dhemb aty ku i dhemb sot edhe botës në përgjithësi, por në momente të veçanta, atdheut të vet, gjendjes aktuale ku ndodhet ai:

…Fjala digjet, tund shpatë druni

Krahlodhun, hekuri mbart kob

Kombi im djegun, n’shpirt kallun

Prushin nxjerr nga xhepi

Djeg fjalën

Kërcej i trembun, zani hesht…

Libri ka 9 cikle, sa të ndarë, po aq të përafërt me njeri tjetrin, ku padyshim spikat ai me titull” Njomzim nga terri” dhe” Fjala zot” që ndoshta do të mjaftonin të vetme për një libër. Që nga dialogu i pandërprerë poetik dhe simbolik me prindërit dhe fëmininë, shumë përcaktuese në subkoishencën e poetit deri tek piskama e brendshme shpirtërore si himn dhe apel për fatin e ardhshëm të atdheut, rrugën e të cilit e kemi në dorë pafundësisht me sjelljet dhe veprimet tona të ditës:

Ju vdektarë harpçinj, të shtuem përtokë si gjethi

Shtypun nga kamba e lodhun e një rrugtari

Vdektar i gëzimeve të harrueme…

Ky libër i ri i autorit, i sapodalë nga botimi, me faqet ende të avullta, josh si buka që sapo del nga vatra e nxehtë, unë si ai i urituri që mezi pres ta vendosin mbi tavolinë dhe përpiqem të zhvesh një kore të nxehtë, të zbus sadopak nepsin tim të çastit, duke uruar zëmadh atë që e ka gatuar, me adhurim të sinqertë…

Kështu më josh edhe mua dhe ndoshta nxitohem e s’ja qëlloj plotësisht në mbresat e mia të para. Si ai i ngopuri me bukën qe e shijon përsëri kur ftohet dhe ankohet për kripën e tepërt apo fortësinë e kores së saj…

Hasan Selimi dëshmon pjekuri poetike, nerv ngacmues tek lexuesi dhe një botë shpirtërore që rrok të të marrë me vete në udhëtimin poetik, faqe për faqe. Nuk është pak besoj…

 

Tropojë, Nëntor 2020

HIJE NËPËR NATË Poezi nga Sadik Bejko

Është natë e udhëtarit plak.
Ecën nën një ndriçim si ai i syve gjysmë mbyllur.
Me kohë e ka humbur qytetin e tij, ka humbur miqtë, mikeshat, kafet, gotat me verë.
Është ngritur të ripushtojë territoret. Këmbët i dridhen, hijet trallisen nën erë.
Nata ka rënë pllanga pllanga mbi rrugë, pemë, blloqe banimi.
Është i humbur. E di këtë dhe fare nuk e pyet.
Të tjera vajza, gra, djem, të tjera fytyra i mbushin lokalet e tij.
Nuk e njohin më, vetmon i huaj në qytetin e vet.
..hapa.. terr.., vende ku rrinte me miq. Si i humbi buzët, fytyrat intime, bisedat me gota në duar?
Shtyhet i huaj mes të tjerash hije..
tej një çift i përqafuar.
(Ku t’iu gjej miq?) Këndi bosh, zbrazur nata. Froni braktisur.
Mikja i lektiset një telenovele në lotë.
Një shëtit qenin. Një tjetër pi kamomilin e shkretëtirës pa short.
Nesër rishmëz do shpalosë rrugët
si ta kthejë praptaz një film pa zë.
Gjurmon natës gjer në fund hijet endur me errësirë.
Hijet si hallka prangash të kyçura mbi gjakun e tij ende të pa mpirë.

PSALLM – Poezi nga PAUL CELAN – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Askush nuk na formon përsëri nga dheu dhe balta,

askush nuk e ringjall më pluhurin tonë.

Askush.

 

Që lëvduar qofsh ti Askush.

Nga dashuria për ty

Duam

Të lulëzojmë. Rrotull

Teje.

 

Një Askush

ishim. Jemi e do të mbe-

temi. Ne. Në lule:

Trëndafilja e Askujt. E

Asgjësë.

 

Me pistilin shpirt-pastër,

fillin qiell-shkretëtirë,

kurorën e kuqe

për fjalën e purpurt,

që e kënduam sipër, oh sipër

gjembit.

NË LUMENJTË NË VERI TË SË ARDHMES – Poezi nga PAUL CELAN – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Në lumenjtë në veri të së ardhmes

hedh rrjetën që ti,

nguruese, e mbush me hije

të shkruara

nga guri.

NESËR IKI! Poezi nga VEHBI SKËNDERI

Nesër iki! Nesër. Që tani po vuaj për këtë.
Të gjitha po i lë. Të gjitha!
E nuk e paskam ditur që qenkan kaq të rënda:
Mëngjeset e mesditat. Pasditat, që me zor i shuan mbrëmja.

Këto minuta të shpërndara e të hallakatura, ku çdo guaskë flet.
Këto ditë me det, që nuk e di: gëzimi a mërzia m’i bën dhe më të dashura.
A pafuqia ime?

Rrugicat, shkallët e ballkonet, përsitur plot kokrriza, posi maja gjilpëre
E gjithë këto objekte, që gati pa u ndier, mbulohet nga harresa
nëpër thërmia rëre.
Të gjitha po i lë!

Këto tri-katër varka, që gjithnjë presin nisjen.
Mjegull, ujë, dallgë!
Ca gërvishtje në sedër, që deri nesër zhduken
ose malcojnë plagë.
Një bisedë në heshtje. Një ckërmitje. Një buzëqeshje kot.
Gjithnjë peshon më shumë ajo që nuk e themi
dhe nuk e prekim dot.

Iki nesër! Lë pas gjithë këtö gjëra:
Lë grimca vogëlsirash e hapësirash të mëdha.
Po kur mendoj se po të lë ty
Dhe ty të lë:

Harroj gjithçka! Dhe asgjë nuk mbaj mend veç teje.
Asgjë!

Nesër….

Nga libri “Bëjmë sikur”, 1995

 

KOSOVË Poezi nga VEHBI SKËNDERI

I gjatë dimri yt! Pranvera xhuxhe e shkurtë
Posi një lulekuqe mes dëborës.
Kur ishe tejet ngusht – me mengene në fyt –
Koha s’ngriti për ty as dhe një gisht të dorës.

Nuk i ke borxh askujt! Nuk i ke borxh askujt!

Gjithçka e mbolle vetë: çdo pemë e kalli grurë.
Legjenda e kënga jote. e kthjelltë gurrë ndër male.
Këtu e ndeze zjarrin, që s’do të shuhet kurrë.
Me mijra herë u vrave. E mijra herë u ngjalle…

U grive në beteja për veten e për fqinjin,
Honet e hapësirat me pashin tënd i mate.
Dhe kur nga qielli i vrejtur rrufetë breshërinin
Ti mbajte shekuj emrin majë shpate!

Miliona varre le – o Tokë e kuqe zjarr – e bota gjithnjë shemër
Tinzarja, prap të shtyn nga kurthet e humnerat.
Kurrkujt në këtë dhé s’ia pate me të shtrembër
Dhe as xhelatët e tu s’i vrave – jo! – nga ferrat.

Nga ferri dole Ti, Kosovë! Lart na ngrite
Ti më e mira nënë, në Altarët e këtij Tempulli.
Thua prap po të lemë në tym, pa fije drite:
Në këtë mbarim dite e këtë mbarim Shekulli?

 

 

Bëjmë sikur, 1995

 


Send this to a friend