Voal – Voal.ch shkruan se në sallën “Tefta Tashko” pranë Ministrisë së Kulturës, në 4 korrik 2016 me një koncert- debat përfundoi edicioni i gjashtë i “Maratona e Muzikës Violinistike”.
Ky aktivitet i mbështetur nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës solli interpretimin e duos Ina Kosturi- violinë, Rudina Ciko- Piano si dhe kuintetin e harqeve të përbërë nga instrumentistët Lorenc Radovani, Arian Paco, Arben Basha, Gëzim Belegu, Redi Shupheja.
Duoja violinë- piano interpretoi romancë nga Johan Svendsen, Sonatën op 82 të Edward Elgar, për te vijuar me kuintetin harqeve .
Një pjesë e kompozuar nga violinistja Ina Kosturi, orkestruar nga Robert Radoja , shoqëruar nga kuinteti i harqeve do sillte tinguj shqiptarë, ndërsa” Danze Rumene” të Bela Bartokut interpretuar nga kuinteti i harqeve do jepnin atmosferën virtuoze dhe mbylljen festive të koncertit.
Muzika klasike, dokumentimi i tingullit nëpërmjet fjalës si dhe komunikimi më i thjeshtë dhe specifik i një gjuhe të vështirë si ajo muzikore shëtit nëpërmjet medias.Violina dhe muzika klasike , si muzikë elitare me specifikat, të panjohurat e saj të përcimit tek publiku dhe pasqyrimit në media ka më shumë nevojë për hapësirë, debat dhe përtej saj më shumë dëshirë për ta njohur e dëgjuar.
Maratona e violinës synon mundësinë e interpretimit të veprave të rëja, që vijnë për herë të parë në skenën shqiptare dhe promovimin e muzikës së re e të vjetër shqiptare. Vetëm në këtë edicion në tre recitalet e datës, 12 maj, 2 qershor, 9 qershor 2016, në recitalet violinë piano si dhe në koncertin e orkestrës së harqeve drejtuar nga dirigjenti i shquar Eno Koço u interpretuan vepra të Gjon Simonit, Kostandin Papajorgjit, Thoma Nasit, Vaso Tole dhe një Fantazi kompozuar nga Ina Kosturi, orkestruar nga Robert Radoja.
Duoja violinë piano, orkestra e harqeve dhe kuinteti i harqeve krijuan variacion në katër koncertet, ndërsa vepra të njohura të literaturës violinistike dhe premiera në skenën shqiptare pasuruan repertorin e gjashtë edicioneve, nga Elgar, Reger, Svensden , Brahms, Beethoven, Bach, Britten .
Maratona e Muzikës Violinistike përkrah violinën soliste vendase dhe afrimin e interpretimit të një programi të ngjeshur e premierë në një periudhë të shkurtër kohore.








Komentet