Sot në këtë ditë të shënjtë, ku Heronjtë dhe dëshmorët dhanë gjënë më të shtrenjtë, JETEN!
Nuk besoj se ka njëri që duke shkuar në qytetin e bukur buzë liqenit, të mos e shohë e mos I bëjë përshtypje e të pyes, ç’janë këto harqe Lapidare, të lyera thjesht me gëlqere të bardhë dhe mbi to shkruar emrat e dhjetë djemve të rinj, të shkolluar, të mënçur të ditur, trima të bukur, që nuk kursyen asgjë, as pasurinë as jetën, për të na trashëguar një atdhe të lirë.
-Ndaj sot, megjithëse asaj rruge skanë kaluar njerëz e makina, po në memorjen e shumë prej nesh janë fiksuar këta 10 Lapidarë, që tregojnë për dhjetë djem shqiptare, e pas tyre mijra të tjerë të vrarë në lulen e rinisë. Kujtojmë e nderojmë përjetë 10 dëshmorët e Pojskës që luftuan dhe dhanë jetën e tyre me në krye komandantin dhe Heroin e Popullit Reshit Çollaku-
U lind në qytetin e Pogradecit në vitin 1914. Mori arsimin e mesëm dhe vazhdoi studimet.
Viti 1939. Reshit Çollaku është në Akdeminë Ushtarake në Itali. Refuzon betimin përpara flamurit fashist. –Jo unë nuk betohem. Kam Flamurin tim Kuq e Zi, përpara të cilit përkulem e betohem!-kështu i foli ai komandantit të akademisë ushtarake. Të nesërmen duke e ditur se çfar e priste, njoftoi fshehurazi familjen për ti bërë një telegram sikur nëna e tij ishte sëmurë rëndë në agoni, e ai duhej të nisej urgjent. Pret me padurim për t’u kthyer në Atdhe.
Ishte viti 1941 kur Reshiti kthehet në Shqipëri. Duke parë gjendjen e mjeruar të popullit tonë, pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, akademiku Reshit Çollaku me iniciativën e tij u ngjit në Mokër në fshatin Pleshisht dhe formoi çetën partizane në mars 1942. Në krijimin e çetës morën pjesë Reshit Çollaku, Liko Gjona, Shefki Piskupati, Paparisto Podgozhani, M. Lufo, At Dhimitër Kokoneshi. Çeta në përbërjen e saj kishte 25-30 vetë, ajo kreu mjaft aksione luftarake derisa u krijua batalioni partizan, i cili arriti deri në 300 vetë në 17 maj e në vazhdim deri në betejën e Pojskës dhe më vonë. Aksionet që kreu batalioni ishin ato në Grobovicë, Tri Urat, Shënpremte, Misri, Sheqer, Çermenikë, Katjeli, lumit të Tërhanit, Snos e deri në luftën e Pojskës korrik 1943. Në 16 korrik 1943, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH i ngarkoi komandës së batalionit të Mokrës, së bashku me batalionin e Dumresë dhe Bërzeshtës, një sulm me forca të përbashkëta për t’i prerë rrugën armikut në rrugën Pogradec-Librazhd. Pasi e studiuan situatën u lanë dy variante, të organizohej një sulm afër Qafë Thanës dhe një tjetër në Pojskë. Shtabi Operativ vendosi për në Pojskë.. Para se të zinin pozicionet, Reshiti u foli pak, por plot zjarr shokëve: “Secili prej nesh ka dalë për të luftuar për çlirimin e Atdheut dhe do të dijë të vdesë me nder. Këtu flet pushka, këtu luhet me jetën, më mirë se kudo do të provohet guximi, burrëria, kurajo dhe trimëria ndaj, përpara shokë!” Rreth orës 7.00 erdhën 2-3 makina me turi të shtypur plot me ushtarë që qëndronin në këmbë. Sapo hynë në mes të fushës, Reshiti qëlloi me mitraloz dhe u thirri në gjuhën italiane: “Dorëzohuni!” Fashistët ishin gati të dorëzoheshin, por në atë çast tek kthesa u duk autoblinda e parë dhe italianët u hodhën nga makina për të marrë pozicion luftimi. Reshiti qëlloi me breshëri pastaj hapën zjarr të gjithë partizanët dhe italianët ranë në tokë njëri pas tjetrit. Pas autoblindës vjen një veturë e mbushur me oficerë, në të cilën ndodhej edhe gjeneral Trikoli, komandant i Artilerisë së Korparmatës XXV me qendër në Elbasan. Reshiti vazhdimisht bënte thirrje që të hapej zjarr mbi veturën dhe në frengjitë e autoblindave. U ndez luftë e ashpër si në qendër dhe në krahët e formacionit për të penguar avancimin e armikut. U vranë mjaft ushtarë italianë si dhe u plagos gjeneral Trikoli, i cili më pas vdiq. Partizanët, duke luftuar dhe kapërcyer gur me gur, iu afruan disa metra afër makinave. Përbri xhades nga një anë shtrihej liqeni, ndërsa ana tjetër ishte pa ndonjë mbrojtje natyrore. Armiku duke pësuar humbje kërkoi ndihmë. Nga liqeni erdhi një motoskaf i blinduar, nga ajri hapën zjarr dy avionë gjuajtës bombardues, forca të reja fashiste erdhën nga Pogradeci dhe Qafë Thana. Gjendja u vështirësua shumë, grupet partizane që mbronin krahët, nuk kishin mundësi t’i ndalonin forcat e reja që kishin ardhur për ndihmë. Armiku krijoi epërsi në forca dhe në mjete luftarake kundër forcave partizane që kishin zbritur në fushën e Pojskës. Mbi partizanët villnin zjarr armët e këmbësorisë dhe të autoblindave. Motoskafi hapte zjarr pa ndërprerë, ashtu bënin edhe bombardimet e aeroplanëve. Që nga Pogradeci qëllonte artileria e regjimentit. Në këto rrethana, partizanëve s’u mbeti gjë tjetër vetëm tërheqja, por kjo s’ishte e lehtë për shkak të terrenit të zbuluar. Megjithatë partizanët s’e humbën toruan, ata u tërhoqën ngadalë dhe me grupe, duke mbuluar shokët me zjarr, siç i kishte mësuar komandant Reshiti. Pra çdo partizan përballonte 10 ushtarë armiq.
Në këtë situate të rëndë i pari që ra në fushën e betejës ishte Heroi i Popullit Reshit Çollaku. Me humbjen e Reshitit, komandën e mori Siri Kodra, komandant i batalionit të Dumresë. Por edhe me vrasjen e këtij, komandën e mori Spiro Gjiknuri, pastaj u vra Ptoleme Xhuvani, anëtar i Komitetit Qarkor të Elbasanit. Pastaj u vranë njëri pas tjetrit Petrit Blloshmi, Koli Gusho, Isuf Leka, Arif Kuka, Dilo Neza dhe Ali Arapi, dëshmorë të Atdheut.
Armiku la rreth 60 ushtarë dhe oficerë të vrarë, përfshi dhe gjeneral Trikolin.
Po tmerri mbi popullin e qytetit të Pogradecit vazhdonte. Djemtë dhe burrat kishin shkuar në mal e të tjerë ishin fshehur nga terrori. Në qytet kishin mbetur vetëm grate e tmerruara. Atëherë për të tërhequr e varrosur trimat e Pojskës u angazhuan nënat e dëshmorëve. Po ata zor se njiheshin, të përçudnuar prej plumbave të gjaksorëve pushtues. Nënat e gjora mezi i njohën djemtë kush nga flokët e kush nga dhëmbët, e vetë i happen varret dhe varrosën bijtë, duke gëlltitur lotët e duke mallkuar armiqtë.
Biografia e dëshmorëve të Pojskës është një faqe e lavdishme e heroizmit të madh partizan, ata ranë për lirinë e tokës mëmë si dëshmorë të Atdheut. Reshit Çollakut i është dhënë dekorata më e lartë Hero i Popullit.
Beteja e Pojskës u bë simbol frymëzimi për brezat e ardhshëm, u bë motua për të shtuar radhët partizane në krahinën e Mokrës, Elbasanit dhe në gjithë Shqipërinë.
Bashkë me vëllanë e madh Reshitin ishin dhe dy vëllezërit e tij, nxënësi i normales, mesuesi Muharrem Çollaku dhe Astriti 16 vjeçar i ndihmuar dhe nga i jati i tyre Isufi.
Muharrem Çollaku, lindur më 1920 vetëm 24 vjeç Shkollën fillore e kreu në vendlindje, më pas familja e dërgoi për të ndjekur studimet në “Normalen” e Elbasanit, për arsimtar.
Qysh në fëmijëri dallohej për një temperament të gjallë e të hedhur. Në shkollë kishte tiparet e një të riu të pjekur, studjues dhe inteligjent. Në këtë kohë zienin diskutimet për gjendjen sociale e ekonomike të rënduar të vendit, si dhe për idetë e reja revolucionare. Diskutonte me zell me shokë si Veli Dedi, Emrush Myftari etj. Me ta kishte shoqëri të ngushtë nga ana ae vëllait të madh, Reshitit. Urrejta kundra fashizmit të tre djemve u’a kishte ushqyer i jati Isuf Hysen Çollakut, i njohur si luftëtar i paepur për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, i cili më 1912 ngriti flamurin e pavarësisë në Pogradec, së bashku me patriotët tjerë.
Pas mbarimit të shkollës Normale të Elbasanit, Muharremi emërohet mësues në Kosovë, por duke parë gjendjen e rënduar nën robërinë serbe bën një propogandë intensive kundër tyre. Në Gjilan të Kosovës jetonte në një shtëpi me udhëheqësin kosovar të LANÇ-it, Fadil Hoxha. Veprimtaria e tij ra në sy ndaj dhe u detyrua të largohej nga Kosova për të mos u burgosur.
Letërkëmbimet më të vëllain, Reshitin dhe takimet me shokët antifashistë e brumosën më shumë dhe e nxitën për luftë kundër okupatorit.
Muharremi doli partizan në Çetën e Mokrës që komandohej nga i vëllai Reshiti, që me krijimin e saj. Si i ri i shkolluar i ngjiste fjala si me të rinjtë dhe me të moshuarit, ndërkohë u bë një nga luftëtarët më aktivë të çetës.
Në luftën e Pojskës, ai me një grup shokësh u caktua në krahun e majtë për të mbrojtur shokët e qendrës, ku ishte dhe komandant Reshiti. Muharremi dhe vëllai më i vogël Astriti e përjetuan rëndë vrasjen e Reshitit. Ndaj u betuan se do tja merrnin hakun vëllait dhe shokëve të tij.
Babai i tyre, kur shihte vrullin e djemve, nuk i ndalonte, përkundrazi i inkurajonte që të bashkoheshin me shokët në luftën për çlirimin e atdheut.
Muharremi zinte një vend të dukshëm në ato ditë të zjarrta, duke u bërë iniciator për rrëmbimin e armëve në depot e armikut.
…Më 20 tetor gjermanët rrethojnë Pogradecin e çliruar nga partizanët. Muharremi me shokët e Shtabit të Korçës ishin strehuar në shtëpinë e xhaxhait të tij. Kur filloi lufta, Muharremi me të jatin dhe Nexhip Vinçanin dolën nga shtëpia për të organizuar tërheqjen. Mirëpo gjermanët kishin zënë disa pozicione kyçe, si kodra mbi shtëpinë e tyre. Gjermanët hapin zjarr dhe plagoset i jati dhe vetë Muharremi.
Gjithsesi edhe në këto kushte u munduar të tërhiqen për tek kalaja e Pogradecit që kishte lartësi dominuese për gjithë qytetin, por ajo ishte e zënë nga forcat gjermane dhe në luftim e sipër, për të shpëtuar shokët shkëmbyen zjarr me gjermanët. Fatkeqsisht Muharremi vritet 5 metra larg majës dominuese. Gjatë varrimit të tij nëna trimreshë Qerime Ymer Çollaku u shpreh: “Trimat nuk qahen. Reshitin dhe Muharremin ja kam falur atdheut. Të rrojë Shqipëria!. E gjora nënë tërë jetën do të rronte me kujtimin e tyre dhe mallin për ta, që nuk I bëri dhëndurë po I pat varrosur me duart e saj, duke gëlltitur e fshirë lotët pa bërë zë e pa i vajtuar për inat të armikut dhe frikën për djemtë e tjerë!
Në majën e kalasë u ngrit lapidari që përjetëson jetën e partizanit trim Muharrem Çollaku.
Në Pogradec, Heroi i Popullit është përjetësuar me emërtimin: Bulevardi “Reshit Çollaku”, ndërsa e para shkollë e mesme, gjimnaz, mban emrin “Muharrem Çollaku”.
Por historia, legjenda dhe tragjedia në dinastinë Çollaku vazhdoi gjatë.
Me gjithë nderimet e kohës asgjë se përligj sakrificën sublime të këtyre trimave të kësaj familjeje dhe të tjera histori shqiptare që dhanë jetën për Atdheun, për Lirine e tij . Lavdi Heronjve!
Komentet