Sot, përkujtojmë një moment të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, duke lidhur disa ngjarje që pasqyrojnë sakrificat, heroizmin dhe angazhimin e shqiptarëve për liri dhe drejtësi. Në këtë ditë, përvjetori i botimit të Ylli i Mëngjesit, periodikut të njohur të botuar me angazhimin e patriotes ortodokse Parashqevi Qiriazi dhe kontributin e çiftit patriot ortodoks Sevasti Qiriazi dhe Kristo Dako në vitin 1917 në Boston, përkon me përvjetorin e lindjes së Isa Boletinit, një prej heronjve më të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe të luftës për lirinë e shqiptarëve. Keto dy familje janë dëshmi e binomit se Lëvizja patriotike shqiptare aktivizoi fuqinë e fjalës për të zgjuar popullin, por njëkohësisht, ata ishin të gatshëm të luftonin me armë për mbrojtjen e atdheut dhe realizimin e idealeve të tyre kombëtare. Kjo lëvizje nuk përfshinte vetëm angazhimin intelektual, por edhe pjesëmarrjen në lëvizje luftarake për pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë na lidh ndër shekuj, duke përkujtuar momentet kryesore të Rilindjes Kombëtare edhe tragjeditë që kanë shoqëruar luftën për liri. Përvjetori i botimit të Ylli i Mëngjesit, simbol i angazhimit të pandërprerë të familjes patriotike Qiriazi-Dako për çështjen kombëtare, përkon me përvjetorin e 27-të të Masakrës së Reçakut, një ngjarje tragjike e vitit 1999, gjatë Luftës së Kosovës, ku forcat serbe masakruan 45 civilë shqiptarë. Kjo vazhdimësi e luftës që ka shoqëruar historinë e popullit shqiptar, pasqyrohet edhe në faqet e Ylli i Mëngjesit ku dëshmohen masakrat e ushtrisë greke në jug të Shqipërisë dhe Korçë. Ky angazhim i familjes Qiriazi-Dako për të mbajtur gjallë dëshminë historike të betejave të vazhdueshme për mbrojtjen e Çamërisë dhe Kosovës dhe për të promovuar vlerat e kujtesës historike na lidh me tragjedinë e Reçakut ku format e terrorit të ushtruar nga pushtuesit greko e serb i bashkon forma makabër. Ylli i Mëngjesit, i botuar në një kohë kur Shqipëria ende po luftonte për të fituar njohjen ndërkombëtare dhe për të mbrojtur integritetin e saj territorial, u bë një mjet i fuqishëm për sensibilizimin e shqiptarëve në Amerikë dhe për lobimin e çështjes shqiptare në qarqet ndërkombëtare. Patriotja dhe drejtuesja e periodikut, Parashqevi Qiriazi, dhe çifti Sevasti Qiriazi dhe Kristo Dako, bashkëpunëtore të ngushtë, nuk ishin thjesht botues; ata ishin njëkohësisht edhe ideatorë dhe drejtues të një lëvizjeje që kërkonte të ruante identitetin kombëtar të shqiptarëve, duke mbështetur lirinë dhe të drejtat e tyre në një botë që po kalonte periudha të turbullta politike.
Përveç angazhimit të tyre intelektual dhe publikistik, Qiriazi dhe Dako ishin të lidhur ngushtë me trashëgiminë ortodokse shqiptare, një komponent i rëndësishëm që formësonte frymën patriotike të familjes së tyre. Si Rilindas ortodoks, ata ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e ruajtjes së kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar dhe asaj fetare ortodokse, duke u angazhuar jo vetëm për të drejtat e shqiptarëve ortodoksë në rrezik asimilimi sllavo /grek, por edhe në formimin e një identiteti shqiptar më të fortë dhe të bashkuar, më të njohur ndërkombëtarisht. Ylli i Mëngjesit ishte një pasqyrë e këtij angazhimi, duke pasqyruar jo vetëm çështje të rëndësishme për politikën e brendshme të Shqipërisë, por edhe për bashkëpunimin e shqiptarëve të diasporës me botën perëndimore, që ndihmoi në forcimin e lidhjeve politike dhe diplomatike.
Ndërsa familja Qiriazi-Dako ishte e angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e Shqipërisë, Isa Boletini, me veprën e tij heroike, ishte një tjetër figurë që udhëhoqi popullin shqiptar drejt lirisë dhe unitetit kombëtar. I lindur në vitin 1864, Isa Boletini është një nga emrat më të shquar të Rilindjes Kombëtare, i cili me luftën e tij të përpjekur dhe të qëndresës për mbrojtjen e Kosovës, është bërë simbol i pavarësisë dhe i qëndresës ndaj forcave serbe dhe Perandorisë Osmane. Angazhimi i Boletinit për të mbrojtur trojet shqiptare, në veçanti në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, e ka vendosur atë në radhët e heronjve të paepur që kanë luftuar për lirinë e popullit shqiptar dhe për ruajtjen e territoreve të tij.
Përmes përpjekjeve të gjithanshme të popullit shqiptar, Rilindasve si Isa Boletinit dhe të familjes Qiriazi-Dako, shqiptarët e asaj periudhe patën mundësinë të ruanin dhe promovonin vlerat e lirisë dhe të identitetit kombëtar, që do të shpërtheheshin me forcë në vitet që pasuan, duke kulminuar me Luftrat ballkanike, Luftën e Parë e të Dytë Botërore dhe, më vonë, me luftërat për lirinë e Kosovës. Kjo lidhje e pandashme midis heronjve të Rilindjes dhe angazhimit të diasporës shqiptare do të vazhdonte të jetonte si një testament për popullin shqiptar, duke frymëzuar brezat që do të pasonin.
Megjithatë, historia e shqiptarëve është e lidhur me gjithashtu me tragjedinë, siç është Masakra e Reçakut e vitit 1999, që përkujtojmë sot. Ajo ngjarje tmerruese, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, ka lënë pas një plagë të thellë në kujtesën kolektive të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo. Masakra e Reçakut ishte një moment i kthesës për ndërhyrjen ndërkombëtare dhe shpëtimin e popullit kosovar nga regjimi diktatorial serb, duke çuar më pas në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo tragjedi dhe sakrificat që pasuan na kujtojnë se populli shqiptar ka paguar gjithmonë një çmim të rëndë për lirinë dhe se çdo gjak i derdhur është një testament për betejat që do të vazhdojnë për brezat që pasojnë.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të nderojmë figura të tilla si Ambasadori William Walker, i cili luajti një rol vendimtar në zbardhjen e krimeve të luftës dhe në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për tragjedinë e Reçakut. Puna e tij, që ndihmoi në vënien para drejtësisë të autorëve të krimeve, është një kontribut i jashtëzakonshëm për ndihmën e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe shtetësisë.
Gjaku i dëshmorëve dhe martirëve shqiptarë, që ranë për lirinë e Kosovës dhe Shqipërisë, nuk humbet. Lavdia është e tyre, dhe kujtimi për ta është një obligim i përhershëm i çdo shqiptari. Ky kujtim, së bashku me mirënjohjen ndaj ndërkombëtarëve si William Walker, është një pjesë e historisë së kombit shqiptar që do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe një shenjë e forcës që populli shqiptar do ta ruajë dhe do ta kalojë tek brezat e ardhshëm.
Robert Dako- nipi I Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dako-s e Suela Dako