VOAL

VOAL

Në kërkim të rolit të ndryshuar të SHBA në botën e ndryshuar

December 31, 2017

Komentet

FOTOT- Fotografi Feliks Bilani ulet në trotuar pas lëndimeve nga gazi lotsjellës! Çfarë nuk u pa nga tensionet dhe përplasja mes protestuesve dhe policisë

Gazit lotsjellës nuk i shpëtoi as fotografi Feliks Bilani, i ndodhur para Kryeministrisë për të “kapur” momente nga protesta kombëtare e opozitës, kundër qeverisjes së Edi Ramës.

 

Ai shihet në foto teksa është ulur në trotuar i lënduar nga gazi lotsjellës që forcat e rendit hodhën kundrejt protestuesve, teksa këta të fundit lëshuan molotov dhe sende të forta drejt kryeministrisë.

Pranë tij qëndron një gazetar që i vjen në ndihmë. Më pas, fotografin e merr një ambulancë për në spital.

Më poshtë, tensionet dhe përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve të policisë në foto:

GSH

Tri orë protestë, molotov drejt kryeministrisë, policia shpërndan demokratët me gaz lotsjellës dhe ujë! Tensione dhe përplasje! Mesazhet e Berishës

Protesta e opozitës së bashkuar para kryeministrisë, e cila nisi në orën 17:30 zgjati rreth 3 orë. Fillimisht tubimi nisi i qetë dhe me fjalimet e disa deputetëve të Partisë Demokratike dhe të kreut të PD, Sali Berisha.

Në përfundim të fjalimit të kryedemokratit, një grup protestuesish hodhën bomba molotov drejt godinës qeveritare, ndërsa policia ndërhyri duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe rivendosur rendin në perimetër.

Pas tensioneve para kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën drejt Parlamentit, ku edhe aty për më shumë se një orë pati tensione dhe përplasje mes policisë dhe militantëve demokratë.

Si para kryeministrisë edhe para Parlamentit zona u rrethua si skenë krimi, ku ekspertët e kriminalistikës mblodhën prova

Nga demokratët u raportua se qytetarë dhe protestues u shoqëruan nga policia në mënyrë të padrejtë. Ndërsa nga policia u raportua se disa efektivë mbetën të lënduar.

Ndërkohë në fjalën e tij, Sali Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion dhe bllokim të drejtësisë, ndërsa theksoi se zemërimi i qytetarëve është i drejtë dhe i ligjshëm. gsh

 

 

 

 

“Rama dhe Balluku akuzohen për korrupsion, kërkohet dorëheqja”, AFP për protestën e opozitës: Mijëra njerëz në tubim, shpërthejnë trazirat në Tiranë

Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) i ka bërë jehonë protestës së opozitës në Tiranë, këtë të shtunë, 24 janar 2026.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë çështjet kryesore që e pengojnë Shqipërinë të anëtarësohet në Bashkimin Europian.”,- shkruan AFP.

Të shtunën pati trazira në kryeqytetin e Shqipërisë mes policisë dhe protestuesve të opozitës, të cilët akuzojnë kryeministrin socialist Edi Rama për korrupsion dhe kërkojnë dorëheqjen e tij, raportoi një gazetar i AFP-së.

Protesta, e udhëhequr nga lideri i opozitës dhe ish-kryeministri Sali Berisha, mblodhi mijëra njerëz në një tubim përpara godinës kryesore të qeverisë në Tiranë.

Berisha, kryetar i Partisë Demokratike të djathtë, u bëri thirrje mbështetësve që të “bashkohen për të përmbysur këtë qeveri dhe për të vendosur një qeveri teknike që të përgatisë zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme”.

Pas fjalimeve, disa protestues hodhën kokteje Molotov ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën.

Përplasjet shpërthyen kur grupe protestuesish marshuan drejt parlamentit, ku tentuan të çanin kordonët e policisë, duke hedhur gurë dhe kokteje Molotov.

Policia u përgjigj sërish me gaz lotsjellës dhe topa uji.

Të paktën 10 efektivë policie pësuan lëndime të lehta, thuhet në një deklaratë të policisë.

Sipas Berishës, 25 protestues u arrestuan.

“Ky është kilometri i fundit drejt fundit të regjimit të Edi Ramës”, u tha ai mbështetësve jashtë selisë së partisë së tij pas protestës, duke u zotuar se do të vazhdojë betejën.

Politika shqiptare karakterizohet nga sulme të ashpra verbale, me partitë e djathta dhe të majta që shkëmbejnë fyerje dhe akuza për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Në nëntor, një gjykatë kundër korrupsionit pezulloi zëvendëskryeministren dhe aleaten e ngushtë të Ramës për rolin e saj si e dyshuar në një çështje korrupsioni lidhur me prokurimet publike.

Belinda Balluku, gjithashtu ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, i ka mohuar akuzat, ndërsa Rama e cilësoi pezullimin e saj si “një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e ekzekutivit”.

Me kërkesë të qeverisë, Gjykata Kushtetuese në dhjetor e riktheu përkohësisht Ballukun në detyrë, në pritje të vendimit përfundimtar.

Një komision parlamentar pritet të shqyrtojë të mërkurën kërkesën e prokurorëve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për heqjen e imunitetit të saj, çka do të mundësonte arrestimin.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë çështjet kryesore që e pengojnë Shqipërinë të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në shkurt të vitit të kaluar nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.

Dy ish-ministra të tjerë që kanë shërbyer nën qeverinë Rama janë akuzuar për përvetësim fondesh dhe shpërdorim detyre.

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti Ilir Meta u arrestua në tetor 2024, gjithashtu nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. bw

Radio Evropa e Lirë: Protestuesit përleshen me Policinë gjatë protestës antiqeveritare në Tiranë

Protestuesit hedhin koktej molotovi ndaj policisë gjatë protestës antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, 24 janar.

Një protestë e opozitës kundër Qeverisë është përshkallëzuar në përleshje mes protestuesve dhe oficerëve të Policisë të shtunën mbrëma në kryeqytetin Tiranë, raportoi televizioni shtetëror RTSH.
Protestuesit, të thirrur nga kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, duke brohoritur kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Ai u kishte bërë thirrje protestuesve të mblidheshin “për t’ia bërë gjyqin Ramës”.
Berisha kërkon rrëzimin e Qeverisë së Ramës, duke e akuzuar për korrupsion, pasi në fund të vitit të kaluar autoritetet filluan hetime mbi dyshimet për korrupsion kundër zëvendëskryeministres, Belinda Balluku dhe zyrtarëve të tjerë.
(Foto: Reuters)

 

Law enforcement officers stand guard behind crowd-control barriers as a Molotov cocktail explodes outside the Prime Minister’s office during an anti-government protest triggered by a corruption investigation into Deputy Prime Minister Belinda Balluku, in Tirana, Albania, January 24, 2026. REUTERS/Florion Goga TPX IMAGES OF THE DAY

A riot police officer kicks a tear gas cannister as other officers stand guard during an anti-government protest, triggered by a corruption investigation into Deputy Prime Minister Belinda Balluku, near the Albanian Parliament in Tirana, Albania, January 24, 2026. REUTERS/Florion Goga

Demonstrators amid tear gas outside the Prime Minister’s office during an anti-government protest triggered by a corruption investigation into Deputy Prime Minister Belinda Balluku, in Tirana, Albania, January 24, 2026. REUTERS/Florion Goga

Law enforcement officers stand guard behind crowd-control barriers as flames rise outside the Prime Minister’s office during an anti-government protest triggered by a corruption investigation into Deputy Prime Minister Belinda Balluku, in Tirana, Albania, January 24, 2026. REUTERS/Florion Goga

A demonstrator scuffles with riot police during an anti-government protest, triggered by a corruption investigation into Deputy Prime Minister Belinda Balluku, near the Albanian Parliament in Tirana, Albania, January 24, 2026. REUTERS/Florion Goga

A demonstrator wearing Albanian flag throws an object toward riot police during an anti-government protest, triggered by a corruption investigation into Deputy Prime Minister Belinda Balluku, near the Albanian Parliament in Tirana, Albania, January 24, 2026. REUTERS/Florion Goga

Florjan Binaj i bashkohet protestës së opozitës para Kryeministrisë

Protesta po mbahet nën masa të shtuara sigurie dhe po shoqërohet me thirrje dhe pankarta kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kërkojnë ndryshime politike dhe përgjegjësi institucionale. Deri më tani, protesta po zhvillohet pa incidente.

 

TIRANË- Aktori, moderatori dhe aktivisti Florjan Binaj i është bashkuar protestës masive të opozitës. Protesta po mbahet nën masa të shtuara sigurie dhe po shoqërohet me thirrje dhe pankarta kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kërkojnë ndryshime politike dhe përgjegjësi institucionale. Deri më tani, protesta po zhvillohet pa incidente.

Florjan Binaj njihet për qëndrimet e tij kritike ndaj qeverisë dhe angazhimin qytetar në çështje publike, çka e bën pjesëmarrjen e tij një mesazh të fortë mbështetjeje për protestën e sotme./Dosja.al

“Shteti është kthyer në pronë private, vjedhjet kanë shifra e emra” – Boçi: Marrin rrugë, tunele, unaza e aeroporte! Nga Beqaj te Balluku! Nuk mbaron me AKSHI dhe Smart City

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi theksoi se Shqipëria nuk mund ta lejojë më që të qeveriset nga Edi Rama, që e ka kthyer shtetin në një pronë private.


Nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku mbahet protesta kombëtare e opozitës, Boçi theksoi se Rama e ka kthyer kryeministinë në “klub ë mbyllur qejfi e ahengu”, nga ku tallet çdo ditë me fatet e shqiptarëve.

Sipas tij, vjedhjet kanë shifra dhe emra, teksa përmendi inceneratorët, rrugët dhe aeroporte, si dhe personat që janë akuzuar për këto raste nga Ilir Beqaj, Ergys Agasi te Belinda Balluku, kjo e fundit e marrë kohët e fundit nën akuzë nga SPAK.

Deputeti tha mes të tjerash se skandalet e qeverisë nuk ndalen vetëm te AKSHI, apo Smart City, por ka edhe shumë të tjera.

“Në jemi këtu sepse ne vlerësojmë jetën, na ka thirrur dashuria e familjes dhe adhurimi për zotin e kombin. Ne jemi këtu se na ka thirrur dinjiteti ynë, rezistenca, shpirti dhe zemra opozitare dhe ndërgjegjja qytetare. Jemi këtu nga guximi dhe detyra jonë për të luftuar deri në fund. Sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin që të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe të bandave të krimit, kryeministrinë në klub të mbyllur qejfi e ahengu dhe që tallet çdo ditë me fatet e shqiptarëve.

Kjo ndërtesa që keni në krah nuk është kryeministria, por kuplaraja e pushtetit. Duhet ta shembim këtë pushtet, nuk është vendi i qeverisë, por i hajnisë, qenërisë që kafshon paratë dhe pasuritë e shqiptarëve. Këtu vjedhja ka emër e shifra, inceneratorët 430 mln, koncesionet 500 mln dhe marrin rrugën e rrugëve, tuneleve, unazave dhe aeroporteve vërtiten miliarda. Ka emër, fillon me Beqaj, Bllakon, vazhdon me Veliaj e Benetin dhe Ballukun, Agasin e Tërmetin. Nuk mbaron as me AKSHI as dhe Smart City.”, u shpreh Boçi. gsh

Analiza për BIRN- Zef Preçi: Nga meritokracia te mediokriteti, pse Shqipëria promovon të paaftët

Çfarë i motivon njerëzit që bëjnë punët e pista të regjimit nën një qeveri të kapur nga interesat kriminale dhe korrupsioni?

Shkak për këtë koment është një bashkëbisedim i gjatë që pata këto ditë me intelektualen e mirënjohur dhe aktivisten civile, Irena Beqiraj. Fjala është për të gjetur një lloj përgjigjeje se pse administrata jonë shtetërore është rrënuar kaq shumë, për të ardhur në nivelin e sotëm të dominuar nga mediokriteti, mosrespektimi i rregullave të shkruara, vënia pa kushte në shërbim të elitës politike qeverisëse dhe oligarkisë së lidhur me të, përdorimi gjerësisht si kontingjent i propagandistëve elektoralë për partinë drejtuese, si dhe shndërrimi i një pjese të saj në përfituese të drejtpërdrejtë të fondeve publike, lejeve e licencave, etj. Domethënë, veprimi i kësaj administrate në kushtet e konfliktit të interesit dhe, thelbësisht, në dëm të interesit publik.

Si rezultat, një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh, edhe pse të shkolluar e të sprovuar në nivele të ndryshme të qeverisjes qendrore dhe vendore, me vullnet për të kontribuar në të mirën e përbashkët, ndjehen të përjashtuar nga të mirat publike, nga jeta publike, etj. Ata shihen nga pushteti si kërcënim apo si rrezik dhe mbeten thjesht një subjekt i kontributeve në tatime-taksa, por kurrsesi nuk respektohen apo përfshihen si aktorë që çojnë shoqërinë përpara. Domethënë, dija, ekspertiza, integriteti dhe reputacioni i kësaj kategorie shoqërore, ironikisht, bëhet “postblloku” që i nxjerr në pension qysh 50 vjeç dhe që i mban larg çdo angazhimi profesional publik.

Arsyetimi në kërkim të përgjigjes të çon padyshim te lidershipi i vendit, te motivet dhe interesat e këtij lidershipi që nxisin formësimin e administratës publike në dualitetin e njohur midis “teknikut” dhe “besnikut”, pa siguruar dot një balancë midis tyre, por duke anuar gjerësisht në favor të këtij të dytit.

Është qartësisht e provuar kudo në botën jodemokratike se interesi vetjak racional i motivon regjimet autokratike të punësojnë idiotë, pasi ata kanë më shumë gjasa të ofrojnë shërbim besnik dhe të jenë të bindur, sesa shërbëtorët më të zgjuar të shtetit autokratik. Diktatorët e suksesshëm e kanë kuptuar këtë me kohë. Edhe Sadam Huseini, dikur, i bashkonte hapur banditët në radhët e larta të partisë në pushtet Baath me teknokratë që dinin çfarë po bënin.

Ndoshta këtu gjendet edhe përgjigja për përfshirjen gjerësisht në administratën publike, si dhe në përfaqësimin politik (Kuvend), të individëve me të shkuar kriminale; të atyre që, kudo në Perëndim, janë subjekte të hetimit dhe eventualisht edhe të ndëshkimit penal, por që në Shqipërinë e dekadës së fundit njihen si “biznesmenë të suksesshëm” dhe janë përfitues të rëndësishëm kontratash të llojit PPP, investitorë strategjikë, etj., përveçse kryetarë bashkie dhe deputetë “të cilët i do komuniteti”, siç thoshte vetë KM Rama kohë më parë.

Nevoja që regjimet autoritare të promovojnë më pak të aftët është e lehtë për t’u kuptuar në teori, por rrallë është studiuar shkencërisht, pasi autokracitë ekzistuese ose ato aspirante, si jona, nuk i zbulojnë politikat e tyre të rekrutimit dhe promovimit.

Disa vite më parë, dy autore të njohura në Perëndim (A. Scharpf dhe Ch. Gläßel) shkruan një artikull interesant me titull: “Pse ata që nuk arrijnë rezultate të mira dominojnë organizatat e policisë sekrete: Dëshmi nga Argjentina autokratike”, shkrim që u botua në Revistën Amerikane të Shkencave Politike. Ata shqyrtuan karrierën e 4,000 oficerëve në institucionin kryesor të represionit shtetëror në Argjentinë gjatë diktaturës ushtarake 1975-83, duke pyetur: “Pse do të bënte dikush punë të ndyrë për regjimin? A janë këta njerëz psikopatë sadistë, fanatikë sektarë apo të detyruar nga regjimi të terrorizojnë popullsinë?”

Ata arritën në përfundimin se, ndërsa të gjithë këta faktorë mund të luajnë një rol, profili tipik i agjentëve të policisë sekrete është formuar më tepër nga nevoja e përditshme për të mbajtur një punë dhe për të fituar promovim. Përkthejeni këto konkluzione në një vend ku, qysh në vitin 2021, përqindja e popullsisë së Shqipërisë që jeton me më pak se 8.30 USD në ditë u vlerësua në 32.4%. Kjo shifër (8.30 USD në ditë) është një kufi ndërkombëtar varfërie i vendosur nga Banka Botërore për vendet me të ardhura të larta-mesatare. Domethënë, se sa e rëndësishme është një punë që siguron mjetet e jetesës për familjen, aq më tepër kur, në harkun e pesë viteve të fundit, treguesi i kufirit të varfërisë është rritur duke kapërcyer dukshëm 1/3 e popullsisë banuese gjithsej të vendit që kishte më 2021.

“Në konkurrencë me kolegë më të kualifikuar, zyrtarët me performanca të dobëta në fillim kanë pak shanse për t’u ngjitur në krye të pozicioneve më fitimprurëse”, shkruajnë autoret e sipërcituara. “Për ata që nuk arrijnë rezultate të mira, natyra e vështirë e punës së policisë sekrete ofron mundësinë për të sinjalizuar vlerën e tyre për regjimin dhe për të ecur përpara konkurrentëve për pozicione më të larta.”

E këtu mbërrijmë te patronazhistët tanë, domethënë te ajo pjesë e shoqërisë së sotme shqiptare që, nën trukimin e propagandës së qeverisë, por sidomos nën pamundësinë e sigurimit të “bukës së gojës”, është e lidhur pazgjidhshmërisht me pushtetin dhe shërben për të mobilizuar dhe ushtruar presion mbi familjen, fisin apo komunitetin ku bën pjesë, në këmbim të mbajtjes apo kapjes së një vendi pune si mënyrë penetrimi në sektorin publik; mandej duke e rritur këtë prezencë në varësi me pushtetin e deleguar nga “Lideri Suprem” dhe zgjatimet e tij në nivelet e ndryshme të administratës.

Këtu gjendet edhe shpjegimi për “sundimin e Njëshit” në partitë politike, nepotizmin, krahinorizmin, konfliktin e interesave, deri edhe “grabitjen me ligj” dhe pa ligj të fondeve buxhetore, pasurive publike dhe lejeve e licencave për llogari të klaneve sunduese që marrin peng të sotmen dhe të ardhmen ekonomike dhe potencialet zhvillimore të vendit tonë.

Domethënë, për shndërrimin, vetëm brenda një dekade, të qeverisjes së vendit në një shoqëri biznesi ekstra-kushtetuese të llojit “5D” (domethënë të kompanive të krijuara enkas) për të përcjellë “ligjërisht” në xhepat e “profitierëve” politikë 100% të buxhetit të shtetit, kontratave koncesionare, lejeve dhe licencave fitimprurëse, etj.

Është tronditëse të kuptosh se ajo që ishte e vërtetë për shërbimet argjentinase të sigurisë gjysmë shekulli më parë ka të ngjarë të zbatohet edhe për Shqipërinë e sotme. Në terma praktikë, 184 mijë punonjësit e sektorit publik të vendit, ose rreth ¼ e gjithë të punësuarve në Shqipëri (2024), “kontribuan” në sigurimin e më shumë se 55% të votave të emigrantëve në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.

Domethënë, pushteti aktual shfrytëzoi nevojën imediate për të siguruar mjetet bazë të jetesës (për shumicën) dhe përfitimet ekstra-ligjore (për pakicën drejtuese) të administratës publike për të arritur segmente të rëndësishme të emigracionit shqiptar jashtë vendit, të cilët, për ironi të fatit, kanë lënë vendin pikërisht për shkak të keq-qeverisjes së tij dhe humbjes së shpresës se Shqipëria mund të bëhet një vend ku mund të jetohet dhe punohet normalisht…

“Kapja e shtetit”, si një fenomen që vjen natyrshëm pas shtimit të korrupsionit të madh, fuqizimit të krimit të organizuar dhe bashkëjetesës së elitës politike drejtuese me të, ka shumë dimensione, dhe kjo që analizuam më lart është thjesht njëri nga instrumentet e kapjes./ Marrë nga BIRN

FALEMINDERIT – NJË FJALË  E VOGËL  QË MUNGON  GJITHNJË  E MË SHUMË – Nga Eduard M. Dilo

Në një shoqëri që ecën me ritme të shpejta, duket se po humbasim disa nga vlerat më themelore njerëzore. Një prej tyre është fjala “faleminderit” – e thjeshtë në shqiptim, por e madhe në kuptim. Bashkë me të, edhe fjala “më fal” po dëgjohet gjithnjë e më rrallë në komunikimin e përditshëm.
Çdo ditë që zgjohemi dhe nisim jetën tonë të përditshme, kemi arsye të shumta për të falënderuar: të falnderojmë Zotin në radhë të  parë, sa herë që dalim në mëngjes nga dera e shtepisë, ta falnderojmë për jetën, për shëndetin, për njerëzit që na rrethojnë.
Falënderimi po shihet nga disa si dobësi, sikur ul dinjitetin apo krenarinë personale. Në të vërtetë, ndodh e kundërta: mungesa e falënderimit është tregues i mungesës së edukatës dhe kulturës qytetare.
Jo shumë kohë më parë, dëgjohej shpesh tallja ndaj atij që falënderonte:
“E thotë sa për t’u dukur i edukuar…”,
kur në fakt ai ishte vërtet i tillë.
Të thuash “faleminderit” nuk kushton asgjë, por jep shumë. Është shprehje respekti, mirësjelljeje dhe qytetarie.
Është një akt i vogël që forcon marrëdhëniet njerëzore dhe krijon një klimë më pozitive në shoqëri.
Edukimi për mirësjellje duhet të nisë që në fëmijëri. Fëmijët duhet të mësohen të respektojnë njerëzit, natyrën dhe kafshët, të tregojnë kujdes dhe dashuri për gjithçka që i rrethon. Të ndash atë që ke dhe të shprehësh mirënjohje për atë që të është dhënë janë shenja të një shoqërie të shëndetshme.
Falënderimi nuk është thjesht një fjalë, por një vlerë që ndërton karakter dhe bashkon njerëzit. Ai nuk duhet të mungojë kurrë në jetën tonë të përditshme, sepse aty ku ka mirënjohje, ka edhe respekt, edukatë dhe njerëzi.

Nebih Zeneli hero i gjallë i arsimit shqip- Nga Florim Zeqa

Shfletim i historisë

 

Secila epokë historike i ka heronjët e vet. Pa dyshim se përgjatë rezistencës aktive paqesore e viteve të ’90 ta heronjë të vërtetë të arsimit shqip ishin punonjësit arsimor, të cilët me të gjitha mjetet i dolën zot dhe e mbrojtën shkollën shqipe. Njëri ndër ta është edhe Nebih Zeneli nga fshati Kollë i Vushtrrisë, i cili me guxim dhe heroizëm të paparë e hapi shkollën në Vërnicë në kundërshtim me urdhërat e pushtuesve serbë.

 

Heroizëm i përmasave vetëflijuese

 

Shkolla fillore “Emin Duraku” në Vernicë asokohe ishte paralele e ndarë e shkollës me të njëjtin emër në Novolan.

Kështu, një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor më 30 gusht 1992, drejtori i dhunshëm Miliçkoviq Decimir e fton Nebihun në bisedë informative dhe i thotë; nesër me të përfunduar orari mësimor i paraditës për serbët, duhet ta mbyllësh me çelës derën për nxënësit shqiptarë, kjo është urdhëresë nga Ministria e Arsimit e Serbisë, derisa shqiptarët nuk i pranojnë planprogramet e Serbisë në këtë shkollë nuk kanë me hyrë më nxënësit dhe as personeli arsimor shqiptar!

Andaj, dëgjo mirë i thotë Decimiri, mos gabo rastësisht me e hapë shkollën për nxënësit shqiptar, se e humbë punën dhe bukën e familjes tënde!

Nebihi pa një pa dy i përgjigjet në këtë mënyrë: “Pse unë e humbi punën nuk është asnjë problem, unë shkollën do ta hapi, dhe i thotë se nxënësi i parë që vjen do t’ia hapi derën e shkollës”.

Pastaj, drejtori i dhunshëm Miliçkoviq Decimir edhe e kërcënon ashpër më këto fjalë; “ki kujdes, se hapja e shkollës paraqet rrezik të madh për ty, mund ta humbasësh jo vetëm vendin e punën por edhe kokën”!

Nebihu sypatrembur ia kthen: “Shumë pak rëndësi ka koka ime në krahasim me shkollën shqipe”.

Në atë moment drejtori revoltohet, i kërkon të ia dorëzoj çelësat e shkollës.

Por Nebihu nuk dorëzohet, nuk ia jepë çelësat!

Kështu Nebih Zeneli me guxim dhe vendosmëri, me dashuri dhe përkushtim për shkollën shqipe më 1 shtator 1992 i bie ‘Ziles’ dhe ua hapë derën nxënësve për hyrje në shkollë.

Vlenë për të theksuar se, atë ditë pak minuta para fillimit të orarit mësimor për nxënësit shqiptar, kishin shkuar katër polic serbë në oborrin e shkollës për t’a kërcënuar Nebihun.

Të njëjtën gjë pushtuesit serbë kishin tentuar ta bënin edhe në shkollën Amë në Novolan, por drejtori Izet Ferizi pa iu trembur çerpiku urdhëron hapjen e shkollës shqipe sipas planprogrameve të MASHT-it të Republikës së Kosovës.

Nebihu nuk ishte i vetëm, afër vetës e kishte mësuesin Feriz Ferizi (xhaxhai i drejtorit Izet Ferizi) dhe të gjithë personelin arsimor shqiptarë të cilët ishin në përkrahje të tij përballë policëve serbë.

Edhe përkundër kërcënimeve dhe shantazheve, Nebihu qëndron stoik në mbrojtjen e shkollës shqipe deri më 9 shtator 1992 kua ia dorëzojnë vendimin për largim nga puna.

Pas largimit nga puna, Nebihu detyrohet të bëjë punë të ndryshme për mbajtjen e familjes me nder dhe dinjitet pa iu nënshtruar pushtuesve serbë.

 

Kush është Nebih Zeneli

 

Nebih (Shaban) Zeneli lindi më 08.02.1946 në fshatin Kollë. Rrjedhë prej një familje mesatare me tradita të pastra atdhetare. Pas përfundimit të arsimit bazik në kohën e tij, në mungesë të një vendi pune, angazhohet me punë të ndryshme, filluar nga ato bujqësore dhe ndërtimore të kohës sa për të mbajtur me nder dhe dinjitet familjen e tij.

Nebih Zeneli nga viti 1974 e fillon punën si Punëtor Ndihmës në shkollën fillore “Emin Duraku” në Novolan, ku ka punuar deri në pensionim në vitin 2011.

Kontributi i tij në shkollën ku ka punuar është i madh dhe shumëdimensional. Përveq punës për të cilën ishte i ngarkuar, Nebihu kishte dhënë kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e arsimit shqip edhe në forma të tjera.

Sjellja njerëzore dhe afërsia me nxënës, e bënte Nebihun të dashur dhe respektuar nga nxënësit në mënyrë të barasvlefshme me një mësues klase.

Nebih Zeneli kishte raporte tepër të ngushta dhe kolegiale me të gjithë personelin arsimor dhe drejtuesit e shkollës shqipe.

Nebihu asnjëherë nuk ishte lakuar së qëndruari vertikalisht në misionin e tij atdhetar në mbrojtje të shkollës shqipe. Këtë e kishte dëshmuar përgjatë viteve të ’90-ta me punën pa pagesë në funksion të mbrojtjes së shkollës shqipe dhe jo vetëm.

Pas largimit të dhunshëm nga puna më 9 shtator 1992, pas përfundimit të luftës Nebihu përseri kthehet në vendin e tij të punës, ku më përkushtim të madh e vazhdon punën deri në pensionim më 8 shkurt 2011, me ç’rast Drejtoria e Arsimit e Komunës së Vushtrrisë e nderon me Mirënjohje për kontributin e dhënë në procesin edukativo-arsimor në shkollën fillore “Emin Duraku” në Novolan.

Nebih Zeneli edhe sot e gëzon një respekt të madh në lokalitetin ku jeton për heroizmin e treguar në kohët e vështira të okupimit klasik të Serbisë, të cilat për ne shqiptarët ishin vite të krenarisë kombëtare.

 

Ndjehem me fat që e kam takuar Nebih Zenelin në Kosovë dhe njohur më mirë përgjatë këtyre viteve të fundit këtu në Itali, kur erdhi për vizita tek djali i tij, Ruzhdia. Më befasoi me kthjellësinë e tij mendore dhe mbamendjen e ngjarjeve nëpër të cilat ka kaluar dekada më parë.

 

Nebih Zeneli është dhe do të mbetet, si një ndër shëmbujt më të mirë për gjeneratat e ardhshme si mbrohet atdheu përmes qëndresës burrërore dhe rezistencës heroike, si mbrohet shkolla shqipe dhe vlerat e pastra kombëtare.

Mashtrimet – Irena Gjoka mohoi dënimin dhe dëbimin nga Greqia/ Kalaja nxjerr dokumentat: Ja kur pajtoi avokatin Nga Adriana Kalaja

Mirëmëngjesi nga Republika e Irenave me 3 mbiemra……..

Ndërkohë që Irena me 3 mbiemra mohon të ketë fijeni për dëbimin dhe dënimin nga autoritetet greke, dokumenti i mëposhtëm, paraqet jo vetëm dijeninë, por edhe vullnetin  e saj, për të caktuar avokat (foto 1).

Ky fakt, jo siç u pretendua dje në gënjeshtrën e rradhës para KLGJ, se pajtova avokat pasi e bënë publike mediat (për herë të parë në mars 2024 nga Ta Nea), por që pas ekspulsit të dytë, datë 13 shkurt 2003.

Për të qenë më e qartë:

1. Në 24.12.2002, irena me 3 mbiemra mer ekspulsin e parë për shkak se  në pashaportën e saj, autoritetet kufitare, gjeten FALSIFIKIM VULE DHE VIZE  (faqe 17 e pashaportës sipas vendimit penal dhe administrativ).

2. Në 13.02.2003, mer ekspulsin e dytë, për shkak të procesit të hapur lidhur me ekspulsin e parë datë 24.12.2002.

3. Kjo ishte arsyeja që në datë 31.03.2003, lëshon prokurë për avokatin grek, bashkë me “bashkëshortin” Stefanaq Gjoka.

Pra, jemi në datë 31.03.2003.

Përpos veprave penale të tjera, KLGJ (duhet ta bënte KPK, ndaj janë kallëzuar nga unë), duhet t’a shkarkojë Irenën me 3 mbiemra, se ashtu siç e ka deklaruar në dokumentat e vettingut, bashkëjetesa me Stefanaqin ka filluar në 2005????? dhe, sipas çertifikatës së martesës (dhe formularëve të ILDKPKI), martesa është lidhur në vitin 2006 (foto 2).

Atëhere, pse e quan “bashkëshort” Irena me 3 mbiemra Stefanaqin (sot e ka Stefan), ndërkohë ai rezultonte i martuar me dikë tjetër?

Pse është e detyruar Irena me 3 mbiemra që të falsifikojë një dokument të tillë, ndërkohë Stefanaqi ishte “shofer” i saj?

Siç lehtësisht vihet re, martesa është bërë në vitin 2006, pra edhe një tjetër falsifikim (foto 3).

Për të mos folur për kontratën e qirasë të vitit 1996 (foto 4), lidhur midis Stefanit dhe vëllezërve të Irenës me 3 mbiemra, një kontratë fund e krye në falsifikim pasi:

1. Është një kontratë e lidhur në vitin 1996 me “kompjuter”, ndërkohë që, kompjuterat filluan të përdoreshin në vitin  2001 e vijim.

2. Shuma e vendosur në kontratën që dukshëm nga një ekspert i fushes e kupton që është bërë enkas për procesin e vettingut (foto 4), është 800,000 lekë të vjetra, kur në 1996 me 800 mijë lejë të vjetra blihej një fabrikë (150 mijë ishte maksimumi i çmimit të një apartamentit 3+ 1 në blerje).

Të gjitha këto falsifikime të mësipërme, jo vetëm që nuk janë evidentuar nga institucionet përgjegjëse se, i duhej Irena me 3  mbiemra, si kamikaze në sulmin ndaj Z.  Sali Berisha, Opozitës dhe krerëve të tjerë të saj, por edhe pas denoncimit të bërë në vijimësi me prova, vijohet amnistimi i saj.

I paligjshëm dhe i pamoralshëm në fakt.

Mjafton fakti që është shkelur shtylla e integritetit të figurës morale nga Irena me 3 mbiemra, kur deklaronte “bashkëshort” dikë që ishte bashkëshorti i dikujt që Irena me 3 mbiemra, i kishte marë edhe para “borxh” (përveç se bashkëshortin), jemi përpara rastit kur nuk plotësohen kushtet për të qenë gjyqtare.

Pse nuk ka ndodhur kur të gjitha provat kanë qenë në KPK (shkalla e parë e vettingut), por janë depozituar nga unë edhe në SPAK, ILD, KPA dhe Prokurorinë e Përgjithshme?

Se “fajin” vijon ta ketë Saliu

Edhe kur Irena me 3 mbiemra, megjithëse e kishte të ndaluar 10 vite hyrjen në vendet Shengen, në vitin 2004 lind djalin në shtetin italian, fakt që vërtetohet nga çertifikata e lindjes, e që fatkeqësisht nuk është hetuar nga institucionet, të cilat në korr, janë rreshtuar në krah të antivlerave.

Gjithsesi,

Secili që paguhet  me paratë tona, ka marë përsipër amnistimin e Irenës me 3 mbiemra, e sigurtë që do jetë në krah të saj në bankën e të akuzuarve.

Kurdo që të jetë…..

Unë e mbaj fjalën.

Vijon…….

PS: Ata vrasësit me pagesë  që shkumojnë në delir, para se ta mbrojnë të pambrojtshmen dhe gjyqtaren e klientëve të tyre, t’a këshillojnë se edhe mashtrimet e bera në pretendimet para KLGJ, përbëjnë vepër penale.

“Ma nxori zemrën nga vendi“: Fëmijë 9–10 vjeç në Kosovë përdorin drogë

Arton Konushevci

Flutura nga Prishtina nuk e kishte imagjinuar kurrë se jeta e vajzës së saj do të merrte një rrugë aq të rrezikshme.

Për vite me radhë, gjithçka dukej normale – një vajzë e re që shkonte në shkollë, bisedonte me shoqet, ëndërronte për të ardhmen. Por brenda saj, diçka po ndryshonte ngadalë dhe fshehurazi.

Vajza filloi të përdorte substanca narkotike në moshën 16-vjeçare… dhe Flutura nuk e kuptoi menjëherë.

“Momenti kur e kuptova ka qenë sikur të ma nxirrnin zemrën nga vendi”, kujton ajo për Radion Evropa e Lirë.

Flutura përpiqej ta këshillonte vajzën, por ndjehej e pafuqishme. “Vetë kam vuajtur si kafshë”, thotë ajo.

Vajza e kishte fshehur mirë përdorimin e drogës – me gënjeshtra që i bënin prindërit t’i humbnin gjurmët. Ditët kalonin, dhe Flutura filloi të kuptonte se diçka nuk shkonte siç duhej. Vetëm kur vajza mbushi 18 vjet, e vërteta shpërtheu para saj.

“Kemi biseduar shumë. Është një histori e gjatë në familjen tonë”, thotë ajo, pa dashur ta kujtojë shumë atë kohë.

Vajza e saj, tani në mes të 20-tave, kishte ndërprerë përdorimin e drogës për një periudhë, por më pas e rifilloi.

“Kemi besuar se ishte vetëdijesuar, kishte filluar të mësonte, të punonte dhe të ndërtonte jetën e vet. Por, më vonë, për të përballuar dy punë – siç na thoshte – ajo nisi të përdorte kokainë, duke humbur gjithçka që kishte krijuar”, rrëfen Flutura.

Sipas saj, një nga faktorët kryesorë që e shtynë fëmijën në këtë rrugë, ishte ndikimi i shoqërisë.

“Ajo u njoh me një shok që kishte filluar të konsumonte drogë që nga mosha 10-vjeçare. Ky shok ndikoi shumë në jetën e saj, duke e kushtëzuar dhe kontrolluar në mënyrë të dukshme. Për vite me radhë, jeta e fëmijës sonë ishte në duart e tij”, thotë kjo nënë teksa sheh vajzën në gjendje të rënduar.

Historia e Fluturës nuk është një rast i izoluar.

Një dukuri në rritje tek fëmijët dhe të rinjtë

Sot, edhe fëmijë të moshës 10-15 vjeç bien pre e përdorimit të substancave narkotike.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Faton Kutllovci, tregon se, më herët, nuk ka pasur përhapje të madhe të përdorimit të drogës te të rinjtë.

Sipas një vlerësimi institucional, mosha mesatare e përdoruesve të drogës në Kosovë është rreth 16 vjeç – një rënie nga 21.4 vjeç që ishte më herët.

“Ne kemi trajtuar fëmijë edhe nga 9-10 vjeç, për të cilët prindërit kanë kërkuar ndihmë”, thotë Kutllovci për Radion Evropa e Lirë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Klinika e Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Psikiatri pranoi 28 raste të fëmijëve për trajtim.

Nga këta, shumica ishin djem – përdorues të marihuanës, ndërsa dy raste edhe të kokainës.

Doktoreshë Adelina Ahmeti Pronaj thotë se shumë prej tyre janë ende në trajtim.

“Prindërit vijnë te ne shumë të shqetësuar, pas sjelljeve jo të zakonshme që vërejnë te fëmijët e tyre”, shpjegon ajo.

Të dhëna shqetësuese për përdorimin e drogave

Sipas të dhënave që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Klinika e Psikiatrisë në QKUK, Ministria e Punëve të Brendshme dhe organizatat joqeveritare, numri i përdoruesve të drogave në Kosovë sillet në rreth 40 mijë.

Vitin e kaluar, në Psikiatri u dhanë mbi 30 mijë shërbime të ndryshme, ndërsa u regjistruan mbi 150 raste të reja “si persona që kanë përdorur substanca narkotike ose kanë pasur sëmundje të varësisë”.

Kutllovci paralajmëron se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta.

“Dukuria po shtrihet edhe në fshatra, ku më parë nuk kishte përdorim. Disa nga këto zona, madje, shërbejnë si pika distribuimi për drogë në vende të tjera”, thotë ai.

Kutllovci identifikon faktorët socialë, problemet familjare dhe mungesën e perspektivës si arsyet kryesore të rritjes së përdorimit të drogës te të rinjtë.

Kanabisi mbetet droga më e përhapur, por ka rritje të përdorimit edhe të kokainës dhe medikamenteve pa recetë.

Safet Blakaj, nga Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labirint” në Kosovë, shpjegon më shumë:

“Kanabisi është i përhapur në gjithë territorin. Neve na shqetëson tani përdorimi i kokainës, për arsye se ka shënuar rritje të shpejtë në vitet e fundit”.

Sipas Blakajt, mosha e përdoruesve ka rënë dukshëm dhe “14-17-vjeçarët janë më të rrezikuarit”.

“Në organizatën tonë trajtohen përdoruesit e moshave 14,15,16,17 vjeç… Moshat më të ulëta i kemi hasur në terren, janë evidente, por nuk janë në programet tona”, thotë Blakaj.

Përhapja e gjerë

Raportet e organizatave joqeveritare tregojnë se përdorimi i drogës është më i përhapur në Prishtinë, pastaj Pejë, Gjakovë, Ferizaj.

Në këto qytete, rritja e rasteve të raportuara te të rinjtë po bëhet një shqetësim gjithnjë e më serioz.

Mjekët e Spitalit të Gjakovës thonë se dita-ditës po rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë.

“Fatkeqësisht, edhe të rinjtë kanë filluar të përdorin substanca narkotike, kryesisht marihuanë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zef Komoni, udhëheqës i Departamentit të Psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës.

“Nuk mund të flasim saktë për shifra, sepse shumica nuk kërkojnë ndihmë derisa problemi të bëhet i madh. Por, nga konfiskimet e policisë dhe të dhënat që i kemi, duket qartë se numri po rritet – jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në shkollat fillore, si dhe në fshatra”, shpjegon Komoni.

Aktualisht, rreth 40 persona të moshave të ndryshme që përdorin substanca narkotike, marrin trajtim të përditshëm me metadon në spitalin e Gjakovës.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në këtë qytet u identifikuan 25 raste të reja të përdoruesve të drogës.

“Përdorimi më i madh i marihuanës shihet në Gjakovë, për shkak të pozicionit gjeografik dhe faktit se qyteti shërben si pikë transiti për furnizim me marihuanë për të gjithë Kosovën”, shton Komoni.

Edhe në spitalin e përgjithshëm në Pejë, aktualisht, janë duke u trajtuar 25-30 pacientë për përdorim të drogave.

Sipas zyrtarëve atje, numri i tyre ka mbetur i njëjtë që nga viti 2024 – pa ndonjë rritje të theksuar.

Në Ferizaj, situata duket ndryshe: ka raportime për përdorues drogash, por asnjë rast nuk është duke u trajtuar në spital.

“Për vite të tëra nuk kemi pasur raste që kërkojnë trajtim në spitalin tonë”, thotë Minire Beqiri, drejtoreshë e institucionit.

Në Gjilan, po ashtu, rastet janë në rritje, ndërsa në Mitrovicë të Jugut, vitin e kaluar, u regjistruan dhjetëra raste të pacientëve që kërkuan ndihmë mjekësore, si pasojë e abuzimit me substanca psikoaktive.

“Bazuar në vëzhgimet klinike dhe në krahasimin e rasteve të paraqitura në vitet e fundit, vërehet një tendencë e lehtë deri e moderuar e rritjes së numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim për çrregullime të lidhura me përdorimin e substancave psikoaktive”, tha për Radion Evropa e Lirë Gëzim Shabani, specialist i Psikiatrisë në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë të Jugut.

Sipas drejtorëve të disa spitaleve të përgjithshme në Kosovë, me të cilët bisedoi REL-i, rastet më të rënda referohen kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të specializuar.

Shërbimet dhe mungesa e qendrave të rehabilitimit

Klinikat psikiatrike ofrojnë seanca psikiatrike dhe psikologjike, teste, psikoterapi individuale dhe grupore dhe këshillim për prindërit.

Qendrat si “Labirinit” ofrojnë, po ashtu, shërbime të ngjashme për mijëra persona në vit.

Por, sipas Kutllovcit, mungesa e një qendre kombëtare për trajtimin e drogës e bën situatën të vështirë.

“Ne nuk kemi institucion që të ofrojë trajtim fillestar, rehabilitim dhe kujdes pas trajtimit. Aktualisht, kjo nuk po ndodh”, thotë ai.

Ministria e Shëndetësisë konfirmon për Radion Evropa e Lirë se Strategjia Shtetërore Kundër Drogave 2024-2028 është në zbatim e sipër dhe se përfshin aktivitete për fëmijët dhe Udhëzimin Administrativ për mbrojtjen nga abuzimi me narkotikë.

“Strategjia parasheh nevojën për ngritje të përgjithshme të kapaciteteve institucionale, qoftë për hetimin dhe luftimin e dukurisë së drogës, trajtimin adekuat të personave që përdorin drogë dhe të personave me çrregullime të përdorimit të substancave, si dhe rritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve, veçanërisht nevojën për të dhëna specifike në këtë fushë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, strategjitë e parandalimit të abuzimeve duhet të bazohen në prova shkencore dhe t’i kenë në shënjestër familjet, shkollat dhe komunitetet, sidomos ato që janë më të margjinalizuara dhe më të varfra.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se çdo vit organizojnë aktivitete edukative dhe shëndetësore për të adresuar dukuri si: varësia nga droga, përdorimi i duhanit dhe alkoolit.

Këto aktivitete përfshijnë shpërndarjen e materialeve edukative dhe nxitjen e vetëdijesimit për shëndetin te nxënësit dhe komuniteti.

Me Kodin Penal të Kosovës, blerja, posedimi dhe shpërndarja e substancave narkotike është e ndaluar dhe dënohet me gjobë ose burgim, në varësi të sasive dhe llojit të substancës.

Por, për shkak të numrit të madh të përdoruesve, “duket sikur marihuana në praktikë është e legalizuar”, thotë Blakaj.

Në raportimet ditore të Policisë së Kosovës ka shpesh njoftime për konfiskim të substancave narkotike – vetëm këtë javë u konfiskuan mbi 80 kg dhe u arrestuan tre persona.

Për nënat si Flutura, çdo lajm për drogën tani shndërrohet në një alarm që nuk mund të ndalet dot.

“Ajo ka humbur gjithë pasurinë”, përfundon Flutura.

Radio Evropa e Lirë

Djali i Sokol Olldashit kritikon Foltoren e Berishës: Shohim të flasin disa fytyra që na bëjnë për të qeshur e të ulim kokën!

 Duhet protestë që të ngremë problemet dhe ne të ofrojmë zgjidhje! Reagon kreu i PD

Në takimin e Foltores së radhës me të rinjtë e Forumit Rinor Demokrat me kryetarin e PD, Sali Berisha, i pranishëm ishte edhe Glauk Olldashi, djali i ish-ministrit dhe deputetit të ndjerë demokrat Sokol Olldashi.

 

Në fjalën e tij ai dha disa sugjerime dhe bëri kritika për Foltoret që bëhen si në qytete, ashtu edhe në bulevardin para Kryeministrisë, duke dhënë disa mendime dhe ide.

Olldashi kritikoi disa persona që përzgjidheshin për të mbajtur fjalën në podiumet e protestës dhe që shpesh ose u merret goja, ose nuk dinë të flasin, ose të bëjnë për të qeshur dhe turpërojnë PD-në dhe të rinjtë, ku shpesh u duhet edhe të ulin kokën.

Glauku nënvizoi po ashtu se problemet e PD-së nuk duhet të diskutohen live me kamera dhe mikrofon, por me dyer të mbyllura dhe të trajtohen problemet konkrete. Ai propozoi që Foltoret të zhvillohen mbi problematika dhe specifika të caktuara.

“Doktor, unë mendoj se partia jonë nuk është sa jemi këtu në sallë. Do jetë shumë e mirë që ne të bënim një takim tjetër pa kamera, mes nesh dhe jush, me forumin. Sepse problemet e shtëpisë kam parimin që diskutohen mes nesh dhe jo në sy të botës. Po jam edhe një sugjerim timin. Ne çdo të hënë bëjmë Foltoret para Kryeministrisë, e për hir të së vërtetës pjesëmarrja nuk është e pakënaqshme., Nuk ka të bëjë me frikën dhe sigurinë, por duket se problemi qëndron tek dita e hënë. Ndaj foltorja e të hënës nuk ka pjesëmarrje. Tjetra mendoj se ata që flasin në atë Foltore nuk janë të duhurit, nuk janë të denjë, nuk e di kush i zgjedh, por nuk ka qasje dhe nuk ka përfshirje edhe të të rinjve”, tha ai mes të tjerash.

Sipas Olldashit qasja që ndiqet duhet të ndryshojë, pasi dëmton imazhin e PD-së më shumë sesa të kryetarit:

“Ka njerëz atje që edhe u merret goja kur flasin, nuk janë të denjë. Ata njerëz që dalin e flasin atje po bëjnë faj edhe ndaj nesh, sidomos me ne të rinjtë që kemi karrierën dhe jetën para, dhe imazhi publik na dëmton më shumë ne sesa ju”.

Dhe më tej ai dha një mendim për organizimin e Foltoreve, ku parashtroi ide për protesta me tema specifike.

“Mendimi im është që çdo të hënë të bëjmë Foltore specifike, një të hënë arsimi, një ditë për shëndetësinë, bujqësinë, naftëtarët, minatorët e me radhë e radhë. Problemet janë nga më të pafundme, të kemi foltore specifike çdo të hënë, të mbledhim ekspertët, të flasin ata, e të mos shohim ca fytyra që na bëjnë për të qeshur dhe ne na bëjnë për të qeshur dhe të ulim kokën. Pra të bëjmë një protestë ku të mos themi Ramaduro apo Rama është problemi, por të themi problemi është ky dhe të trajtojmë problemet shqiptare. Kaq kisha”.

berisha me glaukun

Kryedemokrati Sali Berisha, teksa mirëkuptoi shqetësimet e Olldashit, dha edhe një përgjigje ku shpjegoi qëllimin e Foltoreve.

“Foltorja nuk synon prani të madhe. Qëllimi i saj është mikrofoni dhe zëri, kundër qeverisë, nga deputetë dhe qytetarë. Nuk është qëllimi i saj protesta apo masiviteti. Ka atë qëllim që flasin qytetarë, të rinj e të formimeve të ndryshme”, tha ai.

© Panorama.al


Send this to a friend