VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Në Izrael fillon Dita e Përkujtimit të Holokaustit

By | May 2, 2019

Komentet

Presidenti Trump këmbëngul se demokratët janë të dëmshëm për Izraelin

President Donald Trump speaks with reporters before departing on Marine One on the South Lawn of the White House, Aug. 21, 2019, in Washington.

Presidenti amerikan Donald Trump vazhdoi të këmbënglute të mërkurën që hebrejtë amerikanë duhet të votojnë për republikanët, sepse votimi për një demokrat do të tregonte injorancën nga ana e tyre ose mungesë besnikërie. Deklarata e tij fillestare para disa ditësh ishte pjesë e një sulmi ndaj katër ligjvënëseve demokratë, dy prej të cilave janë ndaluar të vizitojnë Izraelin, me sa duket me nxitjen e tij. Shumë hebrenj amerikanë thonë se vënia në diskutim e besnikërisë së tyre nga zoti Trump është e ngjashme me një paragjykim historik që ka ushqyer ksenofobinë kundër hebrenjve në të gjithë botën. Komentet e Presidentit Trump kanë shkaktuar reagime të ndryshme në Izrael.

Zoti Trump i ritheksoi komentet e së martës se hebrenjtë amerikanë që votojnë për demokratët “tregojnë ose një mungesë totale dijeje ose një mungesë të madhe besnikërie”. Para se të nisej për një vizitë në Kentucky të mërkurën, presidenti shkoi edhe më tej, duke thënë se demokratët duan të bëjnë shumë gjëra që dëmtojnë Izraelin.

“Sipas mendimit tim, (nëse) votoni për demokratët, po tregoheni shumë jo besnik ndaj popullit hebre dhe Izraelit. Dhe vetëm njerëzit e dobët nuk do ta thonin këtë.”

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, ligjvënës hebre me peshë në Kongresin Amerikan, dënoi komentin në Twitter, duke thënë se është nxit — me dashje ose pa dashje – antisemitët në të gjithë vendin dhe botën.

Senatori Bernie Sanders nga Vermonti, i vetmi hebre që kandidon për president, reagoi ndaj komentit në një tubim në Iowa të martën.

“Unë jam një hebre krenar dhe nuk kam asnjë problem të votoj për demokratët. Dhe në fakt, unë kam ndërmend të votoj për një hebre që të bëhet presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.”

Shumë hebrenj në Izrael mbështetën presidentin amerikan.

“Ai ka të drejtë – 1 milion për qind. Ata nuk janë besnikë. Demokratët nuk janë besnikë. Ata ishin gjithmonë kundër nesh, kundër njerëzve, kundër vendit, kundër Izraelit. Ata na sollën Klintonin dhe Obamën. Çfarë bëri Obama? Vetëm solli probleme. Trumpi ka të drejtë “.

“Nëse e tha një gjë të tillë, ai me siguri e di se ç’po flet dhe është i vetëdijshëm për atë që po thotë. Nëse Trump e tha, unë jam dakord me të 100%”.

Të tjerë, përfshirë studiuesin dhe analistin nga Tel Avivi, Shmuel Rosner, shprehën shqetësimin.

“Ne e dimë nga historia jonë e gjatë se dyshimet për besnikërinë e hebrenjve nuk i shërbejnë kurrë popullit hebre. Qoftë nëse bëhet fjalë për besnikërinë ndaj vendeve të tyre, apo besnikërinë ndaj popullit të tyre, këto gjithmonë shërbejnë si municion në duart e armiqve të hebrenjve Dhe kur presidenti i Shteteve të Bashkuara thotë diçka të tillë, kjo krijon një mjedis ose atmosferë, që është e pashëndetshme dhe e pasigurt për shumicën e hebrenjve “.

Sondazhet e fundit tregojnë se rreth 75% e hebrenjve amerikanë identifikohen si Demokratë. Komentet e presidentit Trump për “besnikërinë” shihen si një përpjekje për ta ndryshuar këtë shifër. Pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, shumë hebrenj janë të shqetësuar se sugjerimet se ata janë më besnikë ndaj Izraelit dhe besimit të tyre sesa ndaj vendit të tyre mund të rrezikojnë sigurinë e tyre në një klimë rizgjimi të supremacistëve të bardhë dhe neo-nazistëve. za

Trump dëshiron rikthimin e Rusisë në takimet e G-7-tës

U.S. President Donald Trump, right, and Russian President Vladimir Putin greet each other during a bilateral meeting.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se dëshiron që Rusia të kthehet në takimet e Grupit të Shtatë vendeve më të industralizuara të botës, edhe pse ende kontrollon gadishullin e Krimesë. Moska u nxorr nga grupi G-7 për shkak të aneksimit të gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Krimeja ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Ukrainës.

Ndërsa udhëheqësit e G-7-ës shkojnë në qytetin bregdetar francez të Biarritzit në Atlantik për takimin e tyre vjetor këtë fundjavë, Presidenti Trump tha se do të kishte kuptim që Presidenti rus Vladimir Putin të ishte përsëri pjesë e grupit.

“Është një votë për atë që tani është G7. Ata u nxorrën jashtë sepse Putini mori me mençuri Krimenë dhe shmangu vijat e kuqe për këtë çështje dhe për gjëra të tjera. Ia hodhi Obamës. Obama u irritua. E nxorrën jashtë lojës. Mendoj se Rusia duhet të jetë pjesë e grupit sepse ne jemi në kërkim të paqes botërore, tregtisë dhe gjërave të tjera. Dhe do të ishte shumë më e lehtë ta kishim Rusinë atje ku ka ka qenë gjithmonë”.

Presidenti Trump dukej se nuk ishte i shqetësuar nga fakti që Rusia e konsideron Krimenë pjesë të territorit të saj; në vend të kësaj ai fajësoi ish-Presidentin Barack Obama për aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Pjesë e grupit G-7 janë Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk është e qartë nëse ndonjë nga vendet e tjera e mbështesin rithimin e Rusisë në G-7 për ta bërë atë përsëri G-8.

Takimi i shtatë vendeve më të industralizuara të botës do të zgjasë tre ditë duke filluar nga e shtuna. za

Mbi 72 mijë zjarre në pyjet e Amazonës që nga fillimi i vitit

Mbi 72 mijë zjarre kanë përfshirë pyjet e Amazonës në Brazil që nga fillimi i këtij viti, transmeton AA.

Instituti Nacional i Vrojtimeve Hapësinore (INPE) tha në një deklaratë se numri i zjarreve në rajonin e Amazonës është rritur për 83 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raportoi BBC.

Siç thuhet në deklaratë, mbi 72 mijë zjarre kanë përfshirë pyjet Amazonës nga 1 janari, kurse më tepër se 9.500 zjarre kanë ndodhur në Brazil që nga dita e enjte, shumica po ashtu në rajonin e Amazonës.

Në maj të këtij viti, organizata Imazon, e cila merret me hulumtime mbi ruajtjen e gjallesave dhe shpyllëzimin në Amazon, njoftoi se zjarret kanë shkaktuar zhdukjen e rreth dy mijë kilometrave katrorë pyje nga gushti i vitit 2018 deri në prill të vitit 2019.

INPE po ashtu ka njoftuar se 920 kilometra katrorë pyje janë zhdukur në qershor të këtij viti dhe një mijë në korrik.

Ndërkohë, presidenti Jair Bolsonaro ka pohuar se INPE “mund të ketë publikuar shifra çorientuese” mbi shkatërrimin e pyjeve në mënyrë që ta komprometojë qeverinë, duke shtuar se zyrtarët që kanë ofruar shifra “të dyshimta” do të largohen menjëherë nga detyra.

Mbrojtja e Amazonës ka qenë një nga elementet më të rëndësishme të politikave ambientaliste të Brazilit para ardhjes së Bolsonaros, i cili para zgjedhjes kishte theksuar se mbrojtja e Amazonit pengon zhvillimin ekonomik të vendit dhe kishte premtuar hapjen e kësaj hapësire për përdorim tregtar.

Nga ana tjetër, shkencëtarët theksojnë se ruajtja e pyjeve të Amazonës, pyjet më të mëdha të shiut në botë, luan rol të madh në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Reagon Rusia pas provës së SHBA-së me raketë Kruz

Rusia kritikoi të martën Shtetet e Bashkuara për kryerjen e një prove me raketë kruz, prodhimi dhe përdorimi i së cilës deri tre javë më parë ndalohej bazuar në një traktat armësh mes dy vendve.

Shtetet e Bashkuara qartësisht kanë zgjedhur rrugën e përshkallëzimit të tensioneve ushtarake“, tha sot zëvendës ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.

Por zoti Ryabkov tha se megjithatë Rusia nuk do të bëhej pjesë e një “garë të kushtueshme armatimesh”.

Komente të tij u bënë një ditë pasi Pentagoni njoftoi kryerjen e kësaj prove.

Raketa e lëshuar të dielën në ishullin San Nicolas të Kalifornisë “goditi me preçizion objektivin e saj pas më shumë se 500 kilometrash fluturim”, thuhej në një njoftim të Pentagonit

Më parë Shtetet e Bashkuara nuk mund të prodhonin raketa tokësore të afta për të përshkruar një gjatësi nga 500 në 5.500 kilometra për shkak të Traktatit të Forcave Bërthamore të Raketave me Rreze të Mesme Veprimi (INF), një pakt nënshkruar me Rusinë i cili daton disa dekada m parë.

Uashingtoni u tërhoq nga ky pakt më 2 gusht, duke akuzuar Rusinë për shkelje të kryera përgjatë disa viteve.

Pentagoni theksoi se raketa ishte e aftë që të mbante një ngarkesë konvencionale dhe jo armë bërthamore.

Sekretari i ri i Mbrojtjes Mark Esper ka thënë se nëse ushtria amerikane prodhon një sistem raketor plotësisht tokësor, ai do të donte që raketat konvencionale amerikane me rreze të mesme veprimi të diskolohen në Azi. za

Johnson kërkon heqjen e ndalesës kufitare nga marrëveshja për Brexit

Kryeministri britanik, Boris Johnson i ka thënë Bashkimit Evropian se plani për të krijuar ndalesë në kufirin irlandez, duhet të pezullohet, pasi është “i paarritshëm” dhe “jodemokratik”.

Në një letër të nisur drejt presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, Johnson ka thënë se ndalesa që synon të parandalojë krijimin e një kufiri të ashpër mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore, rrezikon dëmtimin e procesit të paqes në atë zonë.

Nëse ky plan largohet nga diskutimi, ai ka pretenduar se marrëveshja për Brexit do të miratohet në Parlament.

Brukseli në anën tjetër nuk është përgjigjur ende.

Megjithatë, BE-ja ka insistuar vazhdimisht se ndalesa duhet të jetë pjesë e marrëveshjes dhe nuk mund të ndryshohet.

Në një bisedë telefonike të zhvilluar në orët e vona të së hënës në mes të kryeministrit britanik dhe kryeministri irlandez, Leo Varadkar, ky i fundit ka përsëritur se marrëveshja nuk mund të diskutohet më dhe se ndalesa nuk ndryshohet.

Kjo ndalesë, që është pjesë e marrëveshjes së arritur në mes të zyrtarëve evropianë dhe ish-kryeministres britanike, Theresa May, e cila është refuzuar tri herë të Parlamentin Britanik, është politkë që parandalon krijimin e një kufiri të ashpër në Irlandën Veriore.

Nëse fillon së zbatuari, ajo parasheh që Irlanda Veriore të mbetet e lidhur përmes disa rregulloreve me tregun e BE-së.

Në letrën e tij, Johnson e ka konsideruar këtë marrëveshje “në kundërshtim me sovranitetin e Britanisë” dhe ka insistuar se nuk mund të jetë pjesë e marrëveshjes për largim.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se marrëveshja në kushtet aktuale “dobëson balancin e ndjeshëm” të dokumentit të ashtuquajtur, Marrëveshja e të Premtes së Mirë.

Kjo marrëveshje është arritur më 1998, për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në Irlandën Veriore.

Kryeministri britanik ka bërë thirrje për “zgjidhje fleksibile dhe kreative” si dhe “marrëveshje alternative, të cilat të bazuara në teknologji do të anashkalojnë kufirin e ashpër”.

“Koha është shumë e shkurtër. Mirëpo Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ecë shpejt dhe duke marrë parasysh nivelin e bashkëpunimit, shpresoj se edhe BE-ja është e gatshme të veprojë njëjtë”, ka shkruar ai.

“Unë po ashtu besoj se Parlamenti do të ishte në gjendje të veprojë shpejt nëse ne miratojmë një marrëveshje që nuk përfshin ndalesën”.

Laburistët opozitarë në anën tjetër kanë thënë se Johnson më parë ka votuar për planin e kryeministres May, përfshirë ndalesën.

Lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn i ka bërë thirrje qeverisë që të publikojë të gjitha dokumentet rreth ndikimit që mund të ketë në Britani, Brexiti pa marrëveshje, pasi gjatë fundjavës një dokument që ka qarkulluar, ka treguar për shkurtime të mëdha të ushqimit dhe ilaçeve.

Michael Gove, ministri i kabientit britanik, përgjegjës për të kryer përgatitje nëse Brexiti përfundon pa marrëveshje, ka thënë se informacionet që kanë qarkulluar kanë qenë të vjetra dhe planet për Brexit kanë ndryshuar prej kur Johnson është bërë kryeministër.

Megjithatë Corbyn ka thënë: Nëse qeveria dëshiron t’i besojmë se ato dokumente nuk tregojnë realitetin, atëherë duhet të publikojë të gjeturat më të reja tani”.

Ne do të nisim mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Ne do të bëjmë gjithçka për të ndaluar një Brexit pa marëveshje. U kam nisur shkresë dhe partive tjera opozitare, që të bashkohen në këtë nismë”, ka thënë ai.

Një zëdhënës qeveritar ka thënë se informacionet e përditësuara, që janë në interes të publikut rreth këtij procesi, veçse janë në faqen e qeverisë në internet.

Johnson ka thënë se dëshiron të arrijë marrveshje me BE-në, mirëpo Britania duhet të largohet patjetër nga blloku evropian në fund të muajit tetor.

Letra katër-faqëshe e Johnsonit drejt Tuskut, ka ardhur pasi kryeministri britanik është takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Përgatiti: Krenare Cubolli

El Salvadori shfajëson nënën për vrasje të foshnjës

Pamje nga protestat për ligjet kundër abortit. Foto nga arkivi.

Evelyn Hernández, 21-vjeçare, foshnja e të cilës është gjetur e vdekur në banjon ku ajo ka lindur, është liruar nga akuzat për vrasje gjatë gjykimit të saj.

Ajo ka deklaruar vazhdimisht se është e pafajshme, duke thënë se nuk e ka ditur se është shtatzënë dhe se ka humbur vetëdijen gjatë lindjes.

Prokurorët kanë kërkuar që ajo të dënohet me 40 vjet burgim.

Rasti i saj është ndjekur nga afër në El Salvador dhe vende tjera në botë, pasi aktivistët për të drejta të grave kanë kërkuar shfajësimin e saj.

El Salvador njihet si një prej vendeve me ligjet më të ashpra kundër abortit.

Aty aborti është i paligjshëm në të gjitha kushtet dhe ata që gjenden fajtorë për kryrje të tij përballen me dënime me burg nga dy deri në tetë vjet.

Madje në disa raste, duke përfshirë atë kundër Hernandezit, akuza ndryshohet në vrasje, dhe dënimi minimal është 30 vjet burgim.

“Falemnderit Zotit, drejtësia është vënë në vend”, ka thënë Hernandez teksa është larguar nga ndërtesa e gjykatës pas 33 muajve “të vështirë” në burg.

“Unë do të vazhdoj të ardhmen duke studiuar dhe do të arrijë synimet e mia. Jam e lumtur”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve AFP.

Organizata ndërkombëtare, Amnesty International e ka përshkruar këtë lajm si “fitore për të drejtat e grave në El Salvador” dhe i ka bërë thirrje qeverisë që t’i japë fund “praktikës diskriminuese të kriminalizimit të grave”.

Edhe zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut i ka kërkuar më parë El Salvadorit që të bëjë reforma në ligjet për abort.

Dokumentet sekrete parashikojnë katastrofë në rast Brexit-i pa marrëveshje

Dokumente sekrete të qeverisë britanike paralajmërojnë paralizim në gjithë vendin në rast se Britania largohet më 31 tetor nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje. Dokumentet u publikuan nga gazeta “The Sunday Times” dhe sipas burimeve qeveritare që nuk pranuan të identifikohen, ato janë dhënë shtypit nga një ish-ministër.

Britania pritet të përballet me probleme të mëdha nëse largohet nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje tregtare, thuhet në disa dokumente të publikuar nga gazeta “The Sunday Times”.

Në në rast të tillë vendi do të përballej me ndërprerje të furnizimeve me ilaçe, ushqime e karburant, që mund të zgjasnin deri në gjashtë muaj.

“The Sunday Times” shkruan se “dosja ofron një vështrim të rrallë mbi një plan sekret të qeverisë për të shmangur një kolaps katastrofik në infrastrukturën e vendit”.

Dokumentet ku detajohet ndikimi negativ në vend në rast të një Brexit-i pa marrëveshje, janë nxjerrë nga një ish-ministër në një përpjekje për të ndikuar negociatat e qeverisë me Bashkimin Evropian, tha një burim qeveritar të dielën.

Sipas të njëjtit burim “dokumenti i përket kohës kur ministrat po bllokonin atë që duhej bërë për t’u përgatitur për largimin dhe fondet nuk ishin në dispozicion”, siç tha ai.

Megjithëse skenarët e zymtë, që përshkruhen në dokumentet që kanë rrjedhur prej qeverisë, janë diskutuar prej kohësh nga akademikët dhe ekonomistët, ato janë hedhur poshtë si përhapëse të paniku nga përkrahësit e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se vendi do të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor pa një marrëveshje edhe nëse nuk do të mundet të rinegociojë marrëveshjen e paraardhëses së tij Theresa May me bllokun.

Megjithatë zyrtarët e kanë paralajmëruar kryeministrin Boris Johnson se dalja pa marrëveshje nga Brexit, do të vendoste në rrezik bashkëpunimin për ndarjen e informacionit që u nevojitet forcave të zbatimit të ligjit si dhe industrinë e shërbimeve financiare.

Dokumentet e publikuara nga “The Sunday Times” citojnë gjithashtu zyrtarët të paralajmërojnë se deri në 85 për qind e kamionëve nuk do të ishin gati për të kaluar doganat franceze në vendkalimin kritik, Kanalin e Lamanshit në 31 tetor, duke shkaktuar radhë që mund të zgjasnin me ditë. Rreth 75 për qind e të gjithë ilaçeve që vijnë në Britania arrijnë përmes këtij vendkalimi, thuhet në dokumente.

Zyrtarët parashikojnë prekje të “elementëve kritikë” të zinxhirit të furnizimit me ushqime “që do të krijonin mungesa në treg e do të rrisnin çmimin, me pasoja tek grupet më të prekshme”. “The Sunday Times” nuk e ka shpjeguar se si i mori dokumentet edhe qeveria nga ana tjetër nuk i është përgjigjur kërkesave për komente.

Sulm vetëvrasës në një dasmë në Kabul – 63 të vrarë

Autoritetet afgane thanë se një sulm vetëvrasës në një dasmë në Kabul gjatë natës së kaluar, la pas vetes 63 të vrarë dhe 183 të plagosur.

Viktimat janë kryesisht pjesëtarë të pakicës shiite, Hazara.

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme afgane, Nasrat Rahimi, konfirmoi pasojat e sulmit në një deklaratë të lëshuar herët të dielën, duke theksuar se në mesin e viktimave ka gra dhe fëmijë.

Askush nuk pretendoi përgjegjësinë për masakrën që ishte një nga sulmet më të rënda kundër civilëve afganë në vitet e fundit.

Talibanët mohuan të jenë përfshirë dhe e dënuan sulmin. Një zëdhënës i grupit kryengritës tha se “sulmet e tilla barbare e të qëllimshme ndaj civilëve, përfshirë gratë dhe fëmijët, janë të ndaluara dhe të pajustifikueshme”.

Pothuajse të gjitha sulmet e fundit në qytet dhe posaçërisht kundër komunitetit hazara, janë marrë përsipër nga dega afgane e grupit militant Shteti Islamik.

Civilët vazhdojnë të mbajnë barrën e konfliktit në Afganistan, ku sipas Kombeve të Bashkuara më shumë se 1 mijë e 500 u vranë ose u plagosën vetëm në muajin korrik.

Dhuna ndodhi në një periudhë kur bisedimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Talibanëve janë afër arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës 18 vjeçare.

Statuja e Xhingis Khanit e lartë 40 metra, atraksion i vërtetë në Mongoli

Ulanbator

 Statuja e Xhingis Khanit, themeluesit dhe perandorit të Perandorisë Mongole, me një lartësi prej 40 metrash, tërheq vëmendje të madhe nga turistët e zonës.

Ndodhet në zonën Tsonjin-Boldog, një orë nga Ulanbator, kryeqyteti i Mongolisë. Statuja u ndërtua afër lumit Tola, kurse Mongolët mendojnë se është e detyrueshme të vijnë këtu të paktën një herë në vit për të ruajtur kujtesën e heroit të tyre kombëtar.

Statuja e Xhingis Khanit është e gdhendur në pozicionin ulur mbi kalë dhe duke shikuar stepat mongole, ku kishte lindur. Baza e monumentit është një dhomë me tridhjetë e gjashtë ndarje.

Në themelin e saj ka shumë ndërtesa, si restorante, kafene, dyqane suveniresh, një muze historie si dhe një galeri ku ekspozohen punimet e artistëve vendas. Veçanërisht interesante është harta e madhe që varet në mur, duke nxjerrë në pah të gjitha zonat që dikur kishte pushtuar Xhingis Khan. Gjithashtu, vëmendjen tërheq dhe një kamxhik prej ari dy metra i gjatë. Statuja është e lartë 40 metra.

Besohet se askund në botë nuk ka një statujë të tillë kalorëse. Në një lartësi prej tridhjetë metrash është koka e kalit, në të cilin arkitektët dhe skulptorët ngritën një platformë. Turistët mund të ngjiten me një vinç.

Xhingis Khan, i lindur si Temujin, ishte themeluesi dhe perandori i madh i Perandorisë Mongole, e cila u bë perandoria më e madhe kontinentale në histori pas vdekjes së tij.

Ai erdhi në pushtet duke bashkuar shumë prej fiseve nomade të Azisë Verilindore. Pas vendosjes së Perandorisë Mongole, filloi pushtimi Mongol i cili rezultoi me pushtimin e një pjese të madhe të Eurazisë. Ai bëri gjithashtu dyndje ose pushtime të Perandorisë Qara Khitai, Kaukazit, Perandorisë Khorezm, Perandorisë Tangut dhe Perandorisë Jin.

Xhingis Khan vdiq në 1227 pasi mposhti Perandorinë Tangut. Ai është varrosur në një varr të pa shënuar diku në Mongoli në një vend të panjohur.aa

Erdogan vizitë në Serbi, çel punimet për projektin 3 miliard euro

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të zhillojë një vizitë zyrtare në Serbi, më 29 gusht, ku do të takohet me homologun e tij dhe zyrtarë të tjerë, raporton agjencia Tanjug.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite, është çelja e punimeve për ndërtimin e autostradës Beograd-Sarajevë, porjekt i cili kap shifrën 3 miliard euro.

LEXO DHE :  Pas dorëheqjes së Pjetrit, PS gjen zgjidhjen për bashkinë e Shkodrës

Me autostradën drejt Sarajevës, Serbia do të lidhet me korridorin 5 që nis në Bosnje-Hercegovinë, për të kaluar në Kroaci dhe për të përfunduar në Hungari.

Kujtojmë që vizita e fundit e Erdogan në Serbi, ka qenë në tetor të 2017./E.B-dritare.net

Xhakarta pranë katastrofës, për 30 vite fundoset nën ujë

Koha po mbaron për Xhakartën, një nga qytetet që po mbytet më shpejt në botë.

Ekspertët ambientalistë paralajmërojnë se një e treta e qytetit do të jetë nën ujë deri në 2050 nëse ritmet aktuale nuk ndryshojnë.

Dekada të tëra shfrytëzim i pakontrolluar dhe i tepruar i rezervave nëntokësore, rritja e nivelit të deteve dhe kushtet e luhatshme të motit bëjnë që pjesë të mëdha të qytetit të zhduken nën ujë.

Masat e marra kanë pasur pak rezultate ndaj autoritetet po ndërmarrin një hap drastik; vendit i duhet një kryeqytet tjetër. Dhe se kush do të jetë ai, do të njoftohet së shpejti.

Zhvendosja e zemrës administrative dhe politike të vendit mund të jetë një akt që ka si objektiv final mbrojtjen e kombit, por kjo tingëllon si një vdekje e pastër për Xhakartën, ku 10 milionë banorët e qytetit, nuk do të kenë tjetër alternativë.

I ndërtuar në një zonë të prekur shpesh nga tërmetet, afër plot 13 lumenjve, themelet e qytetit janë cënuar edhe nga zhvillimi i pakontrolluar, trafiku i rënduar dhe planifikimi i varfër urban. Qyteti, sipas përllogaritjeve, po zhytet me 25 centimetra në vit në disa zona, dyfishi i mesatares globale për qytetet e mëdha bregdetare. Sot, disa pjesë të tij, janë katër metra nën det, dhe panorama e qytetit ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme.

Xhakarta sidoqoftë nuk është e vetmja qendër urbane që po mbytet. Qytete që nga Venecia e deri tek Shangai, nga Nju Orlinsi e deri në Bangkok, janë po ashtu në rrezik.

OKB: Bota do të marrë së shpejti një goditje të rëndë nga ndryshimet klimatike

Ndryshimet klimatike së shpejti do t’i japin botës një goditje të fortë, paralajmëron një raport i ri i Kombeve të Bashkuara. Raporti analizon përkeqësimet e tokës bujqësore dhe arrin në përfundimin se ndryshimet klimatike do të vënë në rrezik prodhimin ushqimor dhe do të rëndojnë problemin e urisë:

Temperaturat e larta rekord të kohëve të fundit sollën shkrirjen më masive brenda një muaji në Groenlandë, duke paralajmëruar ngritje të frikshme të nivelit të detit.

Një studim i OKB-së paralajmëron se në vitet e ardhshme ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në sasinë e ushqimit që prodhon njerëzimi:

“Megjithë shtimin e prodhimit bujqësor, rreth 821 milionë njerëz nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Ndryshimet klimatike do të sjellin rënie të prodhimtarisë, rritje të çmimeve, ulje të cilësisë ushqyese të produkteve dhe ndërprerje të linjave të furnizimit,” thotë Panmao Zhai, shkencëtar në Komisionin e OKB-së për klimën.

Shkencëtarët në Komisionin e OKB-së për klimën thonë se faktorët e shkaktuar nga njeriu kërcënojnë ekosistemet e brishta të planetit:

“Parashikohet një ndikim më i madh mbi tokën bujqësore si rezultat i mungesës së ujit, zjarreve dhe ndryshimeve në shtresën e ngrirë të dheut. Në brezat më të ngrohtë klimatikë mund të bjerë kapaciteti i tokës për thithjen e karbonit,” thotë zoti Panmao Zhai.

Anëtarët e komisionit bëjnë thirrje për përpjekje globale për të luftuar ndryshimet klimatike:

“Për të mbajtur ngrohjen globale deri në 1.5 apo 2 gradë duhet të eliminojmë gazin karbonik nga atmosfera. Toka luan një rol kritik në eliminin e këtij gazi,” thotë Jim Skea, shkencëtar në Komisionin e OKB-së për klimën.

“Bimësia dhe toka thithin 1/3 e gazeve karbonike që çlirohen nga djegia e karburantit dhe qymyrgurit si dhe nga aktiviteti industrial. Menaxhimi i qëndrueshëm i tokës mund të përmirësojë sasinë e gazeve që thithin bimësia dhe toka, duke eliminuar nganjëherë efektet negative të ndryshimeve klimatike,” thotë Priyadarshi R. Shukla, shkencëtar, Komisioni i OKB për klimën.

Shkencëtarët thonë se këto efekte negative mund të zbuten duke reduktuar mbetjet ushqimore dhe me një bujqësi më dinamike:

“25-30 për qind e ushqimit shpërdorohet. Nëse reduktojmë humbjet ushqimore mund të ulim trysninë mbi tokën dhe të pakësojmë sasinë e gazeve karbonike. Po ashtu me një dietë më të balancuar mund t’u përshtatemi më mirë ndryshimeve klimatike,” thotë shkencëtari Skea.

Komisioni nuk dikton haptazi se çfarë duhet të hanë njerëzit, por rekomandon uljen e konsumit të mishit të gjedhëve duke shtuar konsumin e ushqimeve bimore si rrugëzgjidhje për të ulur deri në 15% brenda vitit 2050 sasinë e gazeve që çlirohet në atmosferë. za