Deputetja e PDK’së, Blerta Deliu, dhe ish-deputeti i LDK’së, Nuredin Ibishi, para gjykatës kanë deklaruar se kanë parë Albin Kurtin duke hedhur gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës, derisa po mbahej seanca e 8 tetorit 2015. Të njëjtit nuk kanë veçuar të akuzuar e tjerë për hedhje të gazit lotsjellës, duke konsideruar se shumica e deputetëve të opozitës kanë kryer ato veprime. Këtë të fundit e kanë deklaruar edhe dy dëshmitarët tjerë, deputetët e PDK’së, Flora Brovina dhe Xhavit Haliti.
Është mbajtur të premten seanca gjyqësore për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend ndaj katër deputetëve të VV’së, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, pas një sërë dështimesh. Kurti dhe Kadaj-Bujupi janë sjellë në seancë nga paraburgimi, ku do të vazhdojnë të qëndrojnë edhe me tutje, pasi kështu vendosi në fund të seancës trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Në seancën, në të cilën u lexua aktakuza ndaj të akuzuarve, të katër deputetët e VV’së u deklaruan të pafajshëm për veprat penale për të cilat ngarkohen “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Aty për të dëshmuar erdhën edhe deputetet Flora Brovina dhe Blerta Deliu, të cilat në proces janë edhe si palë të dëmtuara. Brovina tha se nuk kërkon kompensim për dëmin nga të akuzuarit, derisa Deliu-Kodraj e ka mbajtur të rezervuar këtë mundësi.
Kjo e fundit në dëshminë e saj tha se ka parë deputetin Kurti duke hedhur gazin lotsjellës, të cilin, sipas saj, me këmbë e ka shtyrë në drejtim të deputetëve të pozitës së asaj kohe.
Por, s’ka thënë se të njëjtin veprim e kanë kryer edhe të akuzuarit tjerë.
“Gazin e ka hedhur zoti Kurti”, tha ajo e bindur para gjykatës. Përveç kësaj, Deliu-Kodra ka insistuar në gjykatë se ka dëgjuar deputetin Kurti duke thënë “Duhet me i ndez edhe 50 tjera dhe këtë vend duhemi me e kallë”.
“Kjo ka ndodhur kur unë kam qenë tek ulësja ime, dhe Kurti ka qenë tek pjesa ballore e sallës. Jam e bindur që këtë e kam dëgjuar”.
Tutje, ajo ka sqaruar pasojat shëndetësore që thotë se ka përjetuar në atë ditë.
Deputetja gjatë dëshmisë është pyetur nga i akuzuari Albin Kuti nëse mendon se qëllimi i tij ka qenë kriminal, por një përgjigje të tillë nuk është lejuar ta japë dëshmitarja, nga gjyqtari Beqir Kalludra.
Përveç deputetes së PDK’së, edhe ish-deputeti i LDK’së Nuredin Ibishi ka thënë se e ka parë Kurtin duke e hedhur gazin në drejtim të kolegëve të tij të LDK’së. As ai nuk ka specifikuar deputetët tjerë për hedhje të këtij mjeti në sallën e Kuvendit të Kosovës.
“Mendoj se shumica e deputetëve të opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës”, ka thënë ai duke folur edhe për seancat tjera në të cilat është kryer ky veprim.
“Nuk dua të specifikoj”, ka shtuar tutje ai.
Gjatë dëshmisë së tij, Nuredin Ibishi u përball me disa pyetje nga e akuzuara Donika Kadaj-Bujupi, për të kaluarën e tij, por kjo rezultoi me përjashtimin e të akuzuarës nga salla e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Për dallim nga këtë dy dëshmitarë, dy deputetët tjerë të PDK’së, Flora Borovina dhe Xhavit Haliti nuk kanë drejtuar gishtin tek asnjeri prej të dyshuarve për hedhje të gazit.
Brovina e cila ishte e para që dëshmoi, e që në proces është edhe si palë e dëmtuar, që në fillim të fjalës së saj shprehi keqardhje për praninë e saj në sallë. Të njëjtën e tha edhe në fund të dëshmisë, e në veçanti keqardhje tha se ka ndaj dy të akuzuarave femra, të cilat janë edhe nëna, duke iu referuar Kadaj-Bujupit dhe Haxhiut.
Ajo tregoi se në seancën e 8 tetorit 2015 i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore për shkak të hedhjes së gazit, dhe tha se jeta i shpëtoi nga sprej mjekësor që ajo mban në çantë gjithmonë për shkak të sëmundjes kronike që ka.
“Unë për veti qysh në kohen kur kam dal nga burgu i Serbisë në vitin 2001, kam probleme me zemër”, tha ajo, duke treguar se diagnozën e kishte mësuar gjatë kohës sa ishte ende e burgosur, porse një operim e kishte kryer tek pasi ishte kthyer e lirë në Kosovë.
“Unë nuk e kam pa kush e ka hedh gazin. Tu fol ka qenë Albin Kurti, mirëpo unë nuk e kam pa tu e hedh”, ka thënë ajo, derisa ka shpjeguar se fillimisht ka vërejtur vetëm se në dysheme dilte tym.
“Gazi lotsjellës nuk është hedhur në drejtim timin”, ka shtuar ajo.
Ajo gjatë dëshmisë ka thënë se si mjeke me profesion mendon që përdorimi i gazit lotsjellës në vende të mbyllura rrezikon njerëzit.
Se gazi nuk është hedhur në drejtim të tij, tha edhe Xhavit Haliti që ka kryesuar seancën e parë kur është hedhur gazi lotsjellës. Madje ai tha se sa ka qenë në sallë se ka parë askënd që është lënduar, por këtë e ka mësuar nga mjetet e informimit.
“E kam provuar shumë herë këtë tym”, u përgjigj Haliti, duke u referuar në aktivizimin e tij politik në periudhën e para luftës, në pyetjen e Albin Kurit se si e ka ditur se është gaz mjeti që është hedhur në sallë.
Haliti nga prokurori dhe të akuzuarit është pyetur edhe nëse ka vazhduar seanca parlamentare të cilën ai e kryesonte e në të cilën u hedh gazi.
“Unë edhe përkundër gazit, ujit, etj,., bashkë me kolegët e pozitës i kemi votuar të gjitha ligjet e rendit të ditës dhe unë e kam mbyllur seancën”, tha Haliti, duke treguar si ai ishte zhvendosur nga kërriga e kryesuesit të Kuvendit në ulëset tek grupi parlamentar i partisë së tij.
Të premten kanë dëshmuar edhe dy pjesëtarë të sigurimit të Kuvendit të Kosovës. Por, dëshminë e tyre nuk kanë ardhur ta japin dy deputetët e LDK’së Armend Zemaj dhe Naser Osmani, sikurse as kreu i Kuvendit Kadri Veseli.
Të tre nga trupi gjykues do të ftohen për seancën e ardhshme gjyqësore, e caktuar të mbahet më 7 dhjetor të këtij viti.
Të katër deputetët akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës dhe pamundësim të kryerjes së punës së Kuvendit të Kosovës në katër seanca parlamentare, në datat 8 tetor 2015, 15 tetor 2015, 23 tetor 2015 dhe 17 nëntor 2015.
Kurti e Haxhiu akuzohen se veprimin e tyre e kryen të parët në seancën e 8 tetorit, sipas prokurorit Valdet Gashi. Në atë seancë, sipas akuzave, u lënduan deputetet Brovina e Deliu-Kodra.
Prokuroi pretendoi se në seancën e 15 tetorit ishin dy të akuzuarit tjerë Faton Topalli e Donika Kadaj-Bujupi që përdoren gazin lotsjellës në Kuvend. E fundit veprim e përsëriti edhe më 23 tetor, sikurse edhe Albin Kurti, i cili sipas prokurorit atë ditë edhe ka gjuajtur me shishe uji. Në të njëjtën ditë, prokurori Gashi në leximin e aktakuzës tha se Faton Topalli pasi ka refuzuar të kontrollohet nga sigurimi në Kuvend, bombolën me gaz e ka lënë në tualet të Kuvendit në katin e tretë, e cila u gjet me të dalë ai nga aty, nga pjesëtarët e Policisë.
Ndërsa, gati një muaj pas, më 17 nëntor 2015 prokuroria pretendon se Albin Kurti hodhi gazin lotsjellës në drejtim të ish-kryeministrit Isa Mustafa, Donika Kadaj-Bujupi sulmoi policinë më të, ndërsa Albulena Haxhiu përdori sprej.
Të katër deputetët e akuzuar janë mbrojtur nga avokatë të caktuar sipas detyrës zyrtare nga Gjykata, derisa në një moment i akuzuari Albin Kurti ka bërë të qartë se avokatja e caktuar të mbrojë atë nuk përfaqëson atë. /M.Gj./GazetaExpress/.
Sistemi i artilerisë së lëvizshme, HUMVEE Hawkeye 105mm, gjatë një ushtrimi.
Radio Evropa e Lirë
Kosova ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake, AM General, për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme, HUMVEE Hawkeye 105mm, njoftoi të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Në një shkrim në Facebook, Maqedonci theksoi se “me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta”.
Ai e vlerësoi marrëveshjen si hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe për ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe ndërvepruese me aleatët strategjikë të vendit.
Prodhuesi amerikan tha në një njoftim në uebsajtin e vet se Kosova pritet t’i pranojë sistemet e para brenda dy vjetëve të ardhshme.
Përveç sistemeve së artilerisë lëvizëse HUMAVEE Hawkeye, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të pajiset gjithashtu me ambulanca, kamionë komandimi dhe kontrolli, si dhe kamionë të tjerë mbështetës, të cilët mundësojnë funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe vendosjen e kapaciteteve të qitjes indirekte, sipas kontratës trivjeçare.
“Jemi krenarë të njoftojmë shitjen e suksesshme të HUMVEE Hawkeye Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një dëshmi e përkushtimit tonë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake”, tha John Chadbourne, zëvendëspresident ekzekutiv për Zhvillim Biznesi në AM General.
HUMVEE Hawkeye është i pajisur me teknologjinë Soft Recoil, e cila mundëson integrimin e një topi 105 mm mbi platformën e fortë dhe të dëshmuar në fushëbetejë HUMVEE. Kjo lejon vendosjen, qitjen dhe zhvendosjen e sistemit në më pak se 90 sekonda, duke rritur mbijetesën ndaj zjarrit kundërbaterik krahasuar me sistemet e tërhequra tradicionale.
Vitet e fundit Kosova e ka përshpejtuar armatosjen, duke blerë armë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara edhe nga Turqia, përfshirë raketa dhe dronë.
Kjo nuk është hera e parë që ajo nënshkruan kontratë me AM General, pasi më 2018, në Kosovë mbërritën 51 automjete ushtarake amerikane, të tipit Humvee.
Kosova është në proces të shndërrimit të FSK-së në ushtri. Përpjekja nisi më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile
Kosova po ashtu synon që së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë të bëjnë blerje të përbashkëta të armëve amerikane.
Viteve të fundit, Qeveria ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe këtë vit buxheti për këtë sektor është 207.8 milionë euro.
Korrupsioni renditet në krye të fjalëve më të përdorshme çdo vit për shqiptarët. Ndërsa Retorizmi Politik i Ramës është po ai mjet që nga viti në vit po tregon dëgjuesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë se fjalët e tij të “përzgjedhura” nuk kanë mundur të dalin nga kreu sepse përmbajtja e tyre jo vetëm që ngre korrupsionin si fjalë, por atij i ka dhënë përmbajtjen numerike dhe kuptimin në shifrën 83.
83 kartonë (deputetë), në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të mjaftueshme që Shqipëria të humbasë pluralizmin dhe demokracinë.
Pra 83 kartonë aq sa i duhen për t’i mbushur mendjen vetes dhe të tjerëve, ky vullnet ka dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, 2025.
Në qoftë se duam të kuptojmë pasojat e sotme se kryeministri Rama gjatë tre mandateve ka shpenzuar gjithshka për të shkatërruar e shuar zërin e opozitës dhe për të zëvendësuar konceptin e korrupsionit me mirëqeverisje dhe pushtet personal të pakufishëm, këtë ne na e tregon Retorizmi Politik i tij. Ai shpreh sot thellësisht thelbin e përmbajtjes së vërtetë të elitës së rilindësve socialistë që përpara se të jenë një parti politike (PS) dalin nga gara me votën e zgjedhësve për të qeverisur vendin, ata janë shndërruar në një organizatë përfituese e mirëstrukturuar që përmes parave të shtetit, taksave dhe përdorimit të çdo burimi të pasurive kombëtare (natyrore, demografike, kulturore dhe të traditës).
Por nuk do të duhej më shumë se sa ballafaqimi sot me atë të vetëm 20 muajve më parë, më 27 Maj, 2024. Retorizmi i Ramës.
Ajo që i ka humbur shqiptarëve nga fushëpamja janë zgjedhjet e 11 Majit. Janë rezultati i saj ku dështimi spektakolar i farsës zgjedhore dhe ndotja e votës së lirë të diasporës në rastin më të parë sollën pikërisht një kulm që korrupsioni i kthyer në sistem do të mund të kriminalizojë shoqërinë, në qoftë se nuk ndalet.
Vetëm sikur të krahasoni retorizmin e Ramës se me mirëqeverisje, me sundim të ligjit dhe me masat antikorrupsionin se Partia Socialiste ka përpara dhe “e vetme” sfidën e BE-së 2030 duke plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë prej saj, kjo REZOLUTË tregoi se kurrë nuk veproi.
Sa qendron ky retorizëm sot në realitetin shqiptar kur motivimi dhe shprehja e harruar e kryeministrit ka nevojë të dalë në sipërfaqe:- “SPAK është ilaçi i hidhur që o e pi, o vdes dhe që kush e pi një herë po njëherë jo, jo që nuk ka shans të vetëpastrohet dhe të vazhdojë para, por vetëm zgjat agoninë e vetë dhe tretet siç po treteni ju te rrugica e shpresës”.*
A e mban mend se çfarë ka thënë Zoti Rama?
Me fjalët e tija ai si “reformator i vetëm” i duhet t’i mbushë mendjen të vetëve ta marRin kurën.
Në retorikën e përpunuar mediatike sidomos (pra jo në retorizmin e Ramës), korrupsioni është barazuar dhe krahasuar për dëmet dhe rrezikshmërinë në institucione, politikë, shoqëri si një kancer. Një sëmundje që duhet kapur në kohë. Nuk shërohet një korrupsion kancerogjen tashmë me presion ndaj drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese. Emergjenca për ta luftuar korrupsionin si kancerin nuk mund të presë as edhe 22 Janarin, pa iu nënshtruar kurës. Është e rëndësishme të ndalemi dhe të ndajmë një të vërtetë të madhe se çfarë përmbajnë pikat 5 dhe 6 të Rezolutës nga Kuvendi i mëparshëm.
Në një shënim të tij UGSHPD me titull: “Rezoluta antikorrupsion, realiteti i votimit në bllok si e vërteta e frikës prej drejtësisë”, vlerësoi se me 76 vota pro, 0 abstenime (kur janë 61 të pranishëm që nuk kanë votuar) dhe 2 kundër, ky qëndrim jo pluralist i vazhdueshëm i jetës parlamentare duhet të jetë një kambanë e fortë alarmi për popullsinë shqiptare, diasporën shqiptare dhe BE-në se në çfarë rruge po rrëshqet vendi.*
Pra ja arritëm kësaj dite falë Retorizmit, Arrogancës dhe Pasurimit të një elite në kurriz të shqiptarëve, që tundin datat e dhe pasaportat e BE-së, pa respektuar ato çfarë kanë shkruar e aprovuar.
Ndokush që ka nevojë për t’i freskuar pikat 5 dhe 6 të asaj rezolute le t’i lexojë:
5. Të konsiderojë domosdoshmëri jetike për të ardhmen e vendit thellimin e luftës ndaj korrupsionit e fenomenit të pandëshkueshmërisë në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet, duke e vendosur në fokus të shoqërisë shqiptare dhe të të gjitha institucioneve të shtetit, përmes një përpjekje të bashkërenduar nga Kuvendi, zbatimit të objektivave të Strategjisë kombëtare antikorrupsion dhe të shoqëruar me rekomandime masash konkrete ligjore, institucionale dhe administrative veçanërisht për sektorët më vulnerabël ndaj korrupsionit (kadastra dhe të drejtat pronësore, taksat, doganat, arsimi, shëndetësia, përdorimi i fondeve publike, prokurimet publike, infrastruktura publike, etj.), në të gjithë territorin e vendit;
6. Të thellojë më tej përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit duke mundësuar një proces analitik vlerësimi dhe rekomandimesh me masa konkrete ligjore dhe institucionale që synojnë ndër të tjera edhe reformimin, me të njëjtën ambicie dhe thellësi siç vepruam me reformën në drejtësi edhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit që kanë në përgjegjësi luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve dhe konfliktit të interesit, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo të mbikqyrjes së tregut, të rregjistrimit e administrimit të pronës etj. duke synuar motivimin, integritetin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe efikasitetin më të mirë të këtyre strukturave në respektim dhe zbatim të ligjit në të gjitha nivelet e qeverisjes;
Dhe që t’i respektosh të gjitha këto, pa retorikë, more edhe pa opozitë fare po të duash, qoftë edhe vetëm me inteligjencën artificiale dhe me ndihmën e BE-ë do të duhej të paktën që çdo pushtetar, ministër apo zyrtar, punonjës i institucioneve shtetërore që të qëndronte qoftë edhe njëherë të vetme me integritet dhe profesionalizëm, me ndërgjegje dhe qytetari për t’u dorëhequr dhe për ta lënë drejtësinë në rrugën e saj. Ka ardhur koha që këtë rezolutë sidomos duhet ta lexojnë, ndjejnë dhe zbatojnë 83 përfaqësuesit e mazhorancës socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, drejt të cilëve peshorja e ligjshmërisë do të tregojë shumë. ____________ ATSH 27 Maj, 2024 – “Pr/rezoluta antikorrupsion, Rama: Thellim i luftës për t’iu përgjigjur sfidës së integrimit në BE. UGSHPD- 28 Maj, 2024 link https://www.voal.ch/ugshpd-rezoluta-antikorrupsion-realiteti-i-votimit-ne-bllok-si-e-verteta-e-frikes-prej-drejtesise/aktuale/fokus/
16 Dhjetor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Më 2025 Shqipëria paraqitet si vendi me nivelin më të lartë të dëshirës për emigrim në Rajon, sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit.
Plot 44% e të anketuarve deklaruan se do të donin të shkonin të jetonin ose të punonin jashtë vendit, një përqindje që e vendos vendin tonë mbi mesataren rajonale dhe mbi të gjitha ekonomitë e tjera të përfshira në sondazh dhe në nivel të njëjtë me Maqedoninë e Veriut.
Kosova dhe Bosnja në anën tjetër kanë nivele disi më të ulëta të dëshirës për emigrim me 35 dhe 34 për qind secila, por sërish në nivele të larta në krahasim me shtetet e tjera të Europës.
Shqipëria dallon nga Rajoni, jo vetëm për intensitetin e prirjes drejt emigrimit, por edhe për natyrën e thellë dhe afatgjatë të fenomenit.
Situata është edhe më shqetësuese pasi Shqipëria bashkë me Serbinë paraqiten me përqindje të larta të popullatës që do të ikë nga vendi përgjithmonë pa plane kthimi pas. Në Shqipëri, kjo përqindje është ndër më të lartat në Rajon me 18 %, çka tregon se për shumë qytetarë emigrimi vlerësohet si zgjidhje përfundimtare për jetën.
Arsyet pse Shqipëria kryeson rajonin lidhen ngushtë me faktorë ekonomikë dhe socialë. Diferencat e mëdha në paga dhe standard jetese me vendet e Bashkimit Europian mbeten një shtysë e fortë, veçanërisht për të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar. Këto diferenca kombinohen me mundësitë e kufizuara brenda vendit për punë të mira dhe zhvillim profesional, duke krijuar bindjen se zhvillimi personal dhe ekonomik është më i arritshëm jashtë vendit.
Emigrimi i fortë në të shkuarën po bëhet një bazë e fortë për rritjen e largimeve në të ardhmen. Rrjetet e konsoliduara të emigracionit shqiptar, të ndërtuara ndër vite po luajnë një rol të fortë dhe po e bëjnë më të lehtë tërheqjen e familjarëve.
Për shkak të emigracionit të lartë popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme shumë më të larta gati dy deri tre herë më shumë se në vendet e tjera të Rajonit sipas të dhënave të azhurnuara nga Eurostat për popullsinë e vendeve kandidate.
Në vitin 2025 popullsia zyrtare Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti, ndërsa në terma relativë rënia ishte –1.2%, norma më e lartë në rajon.
Tkurrja e fortë në grup-moshën deri 30 vjeç po vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë që vazhdon të jetë ndër më të lartët në Europë.
Të dhënat e brendshme tregojnë se popullsia nga 15-29 vjeç që përfaqëson grupin e të rinj aktiv në emigrim u tkurr me 45 për qind ndërmjet 2011 dhe 2025.
Gjithashtu Shqipëria ka nivelin më të ulët të lindjeve në historinë e saj të tranzicionit me një normë fertiliteti rreth 1.2 fëmijë për grua në moshë lindje, shumë poshtë nivelit e zëvendësimit dhe nga më të ulëtat në Europë. /Monitor
Deputeti demokrat Tomor Alizoti ka reaguar lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit ndaj Belinda Ballukut.
Alizoti shprehet ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se është i zhytur në korrupsion dhe krim dhe se nuk qeveris më, por fshihet nga drejtësia. Sipas Alizotit, kërcënimet ndaj drejtësisë me shumicën parlamentare janë shenjë paniku.
Në reagimin e tij, ai i bën thirrje Ramës të japë dorëheqjen e menjëhershme, për të shmangur, sipas tij, turpin historik të arrestimit të një kryeministri në detyrë.
Postimi i Tomor Alizoti:
Edi Rama, sot nuk ka më asnjë. Asnjë alibi. Nuk ka njeri, as në zyrën tënde, as në oborrin e partisë, as në rrethin tënd familjar e politik – që të mos e dijë: je i zhytur deri në palcë në llumin më të errët të korrupsionit dhe krimit. Çdo gjë që të rrethon mban erën e kalbëzimit të pushtetit të vjedhur.
Oborri i servilëve – një zinxhir i vetëm interesash të pista, i lidhur fort rreth emrit tënd. Ti nuk qeveris më. Ti fshihesh. Nuk udhëheq më. Ti mbrohesh.
Kërcënimi që i bën drejtësisë me 83 mandate deputetësh nuk është forcë. Është panik. Është britma e një njeriu të rrethuar, që tund numra sepse i ka mbaruar e vërteta. Sot nuk frikëson askënd. Sot je i zhveshur. I ekspozuar. I kapur në kurthin e llumit që e gatove vetë me duart e tua.
Fjalët nuk të shpëtojnë më. As propaganda. As pikturat. As shfaqjet. Maskat ranë dhe pushteti yt tani duket siç është: një strehë për frikën tënde personale.
Ke vetëm një zgjedhje të fundit përpara historisë: të shpëtosh Shqipërinë nga poshtërimi.
Mos e ngarkoni këtë vend me turpin e pashlyeshëm të arrestimit të një kryeministri në detyrë. Nëse në fund të kësaj rruge të errët të ka mbetur qoftë edhe një fijë dinjiteti njerëzor, edhe pse është luks t’ia kërkosh një njeriu të tillë – jep dorëheqjen.
Sot. Pa teatër. Pa vonesa.
Mos prit fundin e “nënës” së “djellës”, të izoluar pa pranga, si simbol i një sistemi që po shtrëngon lakun. Ajo i shpëtoi burgut si grua. Ti, bëhu burrë dhe përballu.
Shqipëria nuk ta ka borxh këtë turp. Historia nuk i fal hajdutët në detyrë. Panorama
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X pasi SPAK i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Rama u shpreh se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ballukut nga detyra, prokurori i çështjes i ka kërkar Kuvendit autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.
“Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, u shpreh Rama.
Reagimi i Ramës:
Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.
Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.
Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi. gsh
SPAK ka njoftuar se i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit për zv/kryeministren Belinda Balluku.
Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK javë më parë, ndërsa kjo lëvizje pritet t’i hapë rrugë arrestimit të saj.
Njoftimi i SPAK:
SPAK i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministrit
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:
Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.
Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor. bw
Emigracioni vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore që formëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Sipas Anketës së Migracionit të Familjeve 2024, realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, rreth 37% e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një anëtar që aktualisht jeton jashtë vendit ose ka migruar dhe është kthyer, duke konfirmuar përmasat masive dhe afatgjata të emigracionit shqiptar. Anketa vlerëson se rreth 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ndërsa mbi 108 mijë persona janë kthyer në Shqipëri gjatë 12 viteve të fundit, duke e bërë migracionin një cikël të vazhdueshëm dhe jo një fenomen të përkohshëm.
Sipas anketës Rreth 22 për qind e familjeve kanë anëtarë aktualisht jashtë Shqipërisë, ndërsa 20 për qind kanë të paktën një migrant të kthyer.
Të dhënat tregojnë se emigracioni është kryesisht një fenomen i të rinjve në moshë pune, veçanërisht meshkuj. Gati tre të katërtat e emigrantëve aktualë janë meshkuj dhe shumica i përkasin grup-moshës 25–44 vjeç, pikërisht bërthama më produktive e tregut të punës.
Në aspektin arsimor, emigrantët janë më të arsimuar se popullsia që mbetet në vend: mbi dy të tretat kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe rreth 18% kanë arsim të lartë, me diferenca të theksuara sipas vendit pritës. SHBA-ja dhe Gjermania tërheqin emigrantët më të arsimuar, ndërsa Greqia mbetet destinacioni kryesor për emigrantët me arsim më të ulët.
Para largimit, shumica e emigrantëve janë të punësuar në Shqipëri, por kryesisht në profesione me aftësi të ulëta ose të mesme dhe me paga më të ulëta se mesatarja.
Në të njëjtën kohë, pritshmëritë për jetën jashtë rezultojnë të fryra, emigrantët presin të fitojnë mesatarisht rreth 3,900 dollarë në muaj, por të ardhurat reale janë rreth 2,200 dollarë, ndërsa kursimet reale janë pothuajse trefish më të ulëta se sa ishin parashikuar.
Megjithëse emigracioni rrit ndjeshëm të ardhurat, emigrantët fitojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë se sa në Shqipëri, përfitimet shoqërohen me pasiguri të konsiderueshme. Një në tre emigrantë punon pa kontratë të shkruar dhe mbi një e katërta nuk përfiton sigurime shoqërore apo pushime të paguara, duke e bërë punësimin më të pasigurt krahasuar me popullsinë vendase në vendet pritëse.
Një tjetër problem i theksuar është nënshfrytëzimi i kapitalit njerëzor, pasi rreth një e treta e emigrantëve aktualë dhe afro 80% e emigrantëve të kthyer me arsim të lartë punojnë në profesione që kërkojnë kualifikime më të ulëta se arsimi i tyre.
Remitancat mbeten një nga përfitimet më të drejtpërdrejta të emigracionit për ekonominë shqiptare. Rreth gjysma e familjeve me emigrantë kanë marrë remitanca gjatë vitit të fundit dhe për këto familje, dërgesat nga jashtë përbëjnë mesatarisht 41% të të ardhurave totale.
Megjithatë, anketa tregon se remitancat përdoren kryesisht për konsum bazë, si ushqimi, shpenzimet e përditshme dhe kujdesi shëndetësor, ndërsa investimet produktive në biznes apo bujqësi janë pothuajse të papërfillshme. Një tjetër problem është se vetëm rreth 30% e remitancave dërgohen përmes kanaleve formale, ndërsa pjesa më e madhe qarkullon përmes rrjeteve informale, duke kufizuar ndikimin e tyre në zhvillimin financiar dhe formalizimin e ekonomisë.
Anketa hedh dritë edhe mbi rikthimin e emigrantëve, një proces që është përshpejtuar vitet e fundit. Rreth 45% e emigrantëve të kthyer janë rikthyer pas vitit 2020, shpesh për arsye ekonomike ose për shkak të pasigurisë në vendet pritëse. Fillimisht, emigrantët e kthyer përballen me vështirësi në punësim, por me kalimin e kohës arrijnë norma punësimi më të larta se popullsia jo-emigrante. Vetëpunësimi shfaqet si një rrugë e rëndësishme riintegrimi, veçanërisht për gratë dhe për ata që kanë kaluar periudha të gjata jashtë vendit, duke treguar potencial për krijimin e vendeve të reja të punës.
Elsa Dhuli, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT, u shpreh: “Migracioni është një realitet strukturor për shoqërinë shqiptare dhe kjo pasqyrohet qartë edhe në shifrat e anketës. Mesazhi kryesor është i qartë: migracioni sjell njëkohësisht përfitime dhe kosto, dhe balanca mes tyre varet nga politikat që ndërmerren. Statistikat zyrtare të prodhuara nga INSTAT nuk janë thjesht një pasqyrim i realitetit, por një mjet konkret për vendimmarrësit. Ato duhet të shërbejnë për të identifikuar problematikat, për të orientuar ndërhyrjet publike dhe për të vlerësuar efektin e politikave, me qëllim që migracioni të kontribuojë më shumë në mirëqenien sociale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
” Ingrid Macdonald, Koordinatore Rezidente e OKB-së në Shqipëri, u shpreh: “Të kuptuarit se pse njerëzit lëvizin, ku lëvizin dhe si kontribuojnë është thelbësor, veçanërisht për një vend si Shqipëria, ku migracioni ka formësuar prej kohësh shoqërinë. Të dhënat e besueshme janë një domosdoshmëri që u mundësojnë politikëbërësve të kuptojnë ndryshimet në kohë reale, të parashikojnë nevojat e ardhshme dhe të hartojnë përgjigje gjithëpërfshirëse, të përqendruara te njerëzit dhe sa më efektive.”
Evis Sulko, Zëvendës Drejtuese e Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, u shpreh: Anketa e Migracionit pranë Familjes përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e ekosistemit të të dhënave mbi migracionin në Shqipëri. Përmirësimi i mënyrës se si migracioni matet dhe kuptohet mbështet vendimmarrje më të mira politike dhe ndihmon që migracioni të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.”
Sonja Kurz, Drejtore e GIZ Albania, tha: “Migracioni ka formësuar prej kohësh zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë dhe, ndonëse ofron mundësi të mëdha, ai paraqet edhe sfida komplekse. Pikërisht për këtë arsye, institucione të forta, politika të koordinuara dhe të dhëna të besueshme janë themelore. Për ne si partner zbatues, të dhënat solide janë thelbësore për të dizajnuar programe efektive dhe për të arritur ndikim real.” • Alma Jani, Drejtuese e Zyrës së IOM në Shqipëri, u shpreh: “Për herë të parë, Shqipëria përfiton nga një analizë e kombinuar sasiore dhe cilësore e migracionit. Kjo qasje na lejon të kuptojmë rrugët e migracionit në mënyrë më gjithëpërfshirëse, duke lidhur të dhënat me perspektivat e institucioneve, komuniteteve dhe diasporës, dhe duke mbështetur politika të orientuara drejt së ardhmes.”/ Monitor
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë audiencës private me Papa Leonin në Selinë e Shenjtë.
Radio Evropa e Lirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me Papa Leonin XVI në Vatikan kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, me shpresën që Selia e Shenjtë “do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”.
Takimi mes Osmani dhe Papës u zhvillua një ditë më parë. Gjatë qëndrimit në Vatikan e para e shtetit ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Selisë së Shenjtë.
“Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.
Ajo e ka ftuar Atin e Shenjtë për vizitë në Kosovë.
Pavarësisht se Vatikani nuk e njeh Kosovën, dy vendet mbajnë raporte mes vete. Në janar të vitit 2024, Kosova ka hapur Misionin e Posaçëm në Vatikan. Ndërkaq, në maj të këtij viti, raportet u thelluan edhe më shumë me emërimin e Luigji Biankos si nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën.
Nunc apostolik është përfaqësuesi diplomatik më i lartë i Vatikanit në një shtet të caktuar – ngjashëm me ambasadorët e shteteve të tjera, si dhe përfaqësues i Papës pranë kishës katolike lokale.
Ky vendim, që u mor vetëm 12 ditë pasi Papa Leoni mori drejtimin e Kishës Katolike, u mirëprit nga Ipeshkvia e Kosovës, që e ka si sinjal të mirë për vendin.
Për shkak të mosnjohjes së Kosovës, Vatikani nuk emëron nunc apostolik, por vetëm delegat dhe për herë të parë delegat apostolik Vatikani ka emëruar për Kosovën që nga viti 2011.
Vatikani ka sqaruar më herët misioni i një delegati apostolik “nuk është i një natyre diplomatike, por i përgjigjet kërkesës për të plotësuar në mënyrë adekuate nevojat baritore të besimtarëve katolikë”.
Pse nuk e njeh Vatikani Kosovën?
Sipas diplomatëve, ish-diplomatëve dhe përfaqësuesve kishtarë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë më herët gjatë këtij viti, çështja e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë është çështje e ndërlikuar.
Vehbi Miftari, shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka një sërë pengesash për njohjen formale.
“Duhet të kemi parasysh se, përtej raporteve politike, dialogu ekumenik, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe dialogu politik Kosovë-Serbi janë po aq të rëndësishëm për Selinë e Shenjtë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, vikari i Ipeshvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, ka deklaruar se Selia e Shenjtë e përcjellë me vëmendje dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Sa më parë që të shihet fundi i tij, aq më parë Selia e Shenjtë do ta njohë Kosovën. Ky është mendimi im personal”, ka thënë ai, duke shtuar se ky proces ka filluar për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj ndoshta për këtë arsye Vatikani heziton që ta njohë formalisht Kosovës “derisa të shihet qartë se do të arrihet një marrëveshje paqeje ndërmjet dy shteteve”.
Po ashtu, një ndër pengesat kryesore vlerësohet të jetë edhe ekumenizmi, apo dialogu ndërkishtar për pajtim ndërmjet kishave të krishtera: katolike, ortodokse dhe protestante.
Ish-ambasadori i Kosovës në Romë nga viti 2008 deri më 2012, Albert Prenkaj po ashtu ka thënë se dialogu ekumenik është një nga shkaqet që Vatikani nuk e njeh Kosovën. Ai ka treguar se në komunikimet e para mes Vatikanit dhe Kosovës, Selia e Shenjtë kishte deklaruar se njeh vetëm shtetet që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara.
“Kosova nuk është anëtare e OKB-së ende. Ndërkaq, Kisha Ortodokse Serbe apo Patrikana e Beogradit është gjithmonë një problem gjatë këtij rrugëtimi. Pra, ne e dimë se çfarë qëndrimi ka Patrikana e Beogradit, por edhe shteti i Serbisë karshi Kosovës”, ka thënë më herët Prenkaj për Radion Evropa e Lirë.
Kosova, që ka shpallur pavarësinë më 2008 nuk është anëtare e OKB-së, teksa Serbia që atëherë vazhdon të mos e njoh pavarësinë e Kosovës dhe sipas Kushtetutës serbe, vendi ende figuron si pjesë e Serbisë.
Kisha Ortodokse Ruse dhe Kisha Ortodokse Serbe kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, Don Shan Zefi shprehu mendimin se Selia e Shenjtë e ka parasysh gjithë politikën botërore dhe mund të ketë rezervat e veta për njohjen e Kosovës si shtet.
Pavarësisht se nuk ka një njohje formale, komunikimet dhe takimet me zyrtarët e lartë në Vatikan mes udhëheqësve të Kosovës dhe Selisë së Shenjtë kanë nisur mbi tre dekada më parë.
Takimin e parë me një papë e kishte zhvilluar udhëheqësi politik i asaj kohe, Ibrahim Rugova, kur u takua me Papa Gjon Palin II në Vatikan në mars të vitit 1993.
Kjo ishte audienca e dytë që Osmani ka zhvilluar me një udhëheqës të Kishës Katolike, pasi në janar të vitit 2023, ajo ishte pritur në audiencë private nga Papa Françesku. Po atë vit, edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte zhvilluar një takim me paraardhësin e Papa Leonit.
Që nga shpallja e pavarësisë, sipas të dhënave zyrtare, Kosova njihet nga 120 vende të botës. Shteti i fundit që njohu pavarësinë e Kosovës ishte Siria, njohje që u bë publike në fund të tetorit të këtij viti.
Ka reaguar ne rrjetin social LinkedIn gazetari Osman Stafa ndaj një publikimi të kryeministrit për transformimin e Onkologjikut.
Ja reagimi i gazetarit Osman Stafa që e ndjek me profesionalizëm shumë të lartë dhe humanizëm Onkologjikun dhe pacientët e tij:
“Propaganda!!!
Në Spitalin Onkologjik nuk ka transformim.
Ka vendosje në vend e dinjitetit të pacientëve me kancer dhe zbatim i protokollit (vendi ku bëhet kimio është poltron, jo karrige).Onkologjiku është pa medikamente.
Onkologjiku është pa brakiterapi.
Onkologjiku është pa analiza, pacientët para kimiove i bëjnë analizat në privat.
Onkologjiku është pa Pet-scan.
Onkologjiku është organizim i ç’organizuar.
Onkologjiku është me pak kirurgë.
Onkologjiku është pa personel infermieror të plotë.Kryeministri të rregullojë këto dhe atëherë Onkologjiku vijet në vijë. Sa kohë këto nuk janë rregulluar, çdo gjë nxjerr ai është propagandë, gënjeshtër, mashtrim.”
Adriatik Lapaj vijon protestën e tij në ditën e shtatë me ftesën tashmë të njohur ku ka ndryshuar vetëm orën : “Çdo ditë ju pres në orën 18.00 te sheshi Kryeministrisë.”
Ne faqen e tij në rrjetin social shkruan:
“Dita e 7 përballë Edi Ramës
Çdo ditë u pres në orën 18.00 te sheshi Kryeministrisë.
Vijon protesta e Adriatik Lapaj dhe mbështetësve të tij përpara Kryeministrisë.
Lapaj ka kërkuar që shqiptarët t’i bashkohen revoltës kundër qeverisë dhe atyre që vjedhin miliona euro me një firmë apo me një të rënë të lapsit.
“E patë çfarë ndodhi në Bullgari? Populli dorëzoi qeverinë të dorëhiqej. Nuk dolën brenda një jave por luftuan me muaj. Nga 5 u bënë 10, 10 mijë, e deri në dorëheqjen e qeverisë.
Nuk ngelen pas edhe fermerët grekë, që kanë një javë që janë çuar për gjëra që ne nuk I konsiderojmë fare, i subvencionet. Ka ardhur koha të shporrim autokratin Rama.
Kini besim se ne mund t’ia dalim, nuk ka fuqi më të madhe se protesta e njerëzve të lirë dhe njerëzit kur bashkohen përballë atyre që na vjedhin. Të bashkojmë arsimtarët, fermerët, prindërit, të rinjtë kundër atyre që na vjedhin.
Nuk ka katolik, ortodoks e mysliman në këtë histori, njerëz me ngjyrë e pa ngjyrë, të majtë e të djathtë. Ka vetëm 2 palë, ata që me një rënë të lapsit vjedhin miliona euro, dhe ne poshtë që punojmë për të na vjedhur ata. Duhet të bëhemi bashkë për t’I shembur e për t’i shporrur”, u shpreh ai. bw
Sonila Bejtja, gruaja e Andi Bejtjas, pronarit te Syri.TV ishte gjykatesja e Kushtetueses qe votoi pro Belinda Ballukut
Sonila Bejtja si anetare e 7-të e Gjykatës Kushtetuese eshte emeruar ne dhjetorin e 2020 nga Ilir Meta, Presidenti i asaj kohe.
Gjykata Kushtetuese vendosi “ngrirjen” e zbatimit të dy vendimeve të GJKKO-së që kishin pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Gjykata vendosi në favor të Kryeministrit dhe vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër, duke reflektuar një ndarje të qartë brenda trupës gjyqësore.
Në favor të qeverisë votuan Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, Genti Ibrahimi, Sandër Beci dhe Marjana Semini, ndërsa kundër votuan Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi, të cilët formalizuan një mendim pakice.
Gazetarja Klodiana Lala rreth ketij votimi tha në studion e News24 se deri në orët e fundit në Kushtetuese, gjyqtarët kanë qenë të ndarë 4 me 4. Vetëm në minutën e fundit njëri prej anëtarëve ka ndërruar mendim duke e çuar raportin në 5 me 3.
“Vendimi i Kushtetueses është marrë në një klimë të fortë tensioni mes kryeministrit dhe GJKKO. Zoti Rama menjëherë pas vendimit të GJKKO që e pezulloi Ballukun, vendosi t’i drejtohej Kushtetueses. Për Ballukun vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi masat ndaluese për mos daljen jashtë shtetit.
Deri në orët e fundit në Kushtetuese, gjyqtarët kanë qenë të ndarë 4 me 4 dhe deri në minutën e fundit ka votuar një tjetër duke e çuar raportin 5 me 3.
Kushtetuesja ka thënë qartë se Balluku rikthehet përkohësisht në detyrën që kishte deri në datën 22 janar kur do të mbahet seanca plenare publike. Por jo domosdoshmërisht kjo tregon se kryeministri e ka fituar betejën sepse në seancën plenare publike do të ketë përfaqësi ligjore të të gjithë institucioneve” – tha Lala.
Sipas gazetares, 3 gjyqtarët që votuan kundër kanë qenë të sulmuar në mënyrë brutale.
“Pashë mendimin e pakicës. Sulmi që iu bë Asim Vokshit nga të gjithë krahët e politikës, u provua se ishte sulm i koordinuar. Xhaferllari dhe Vokshi, pra nuk janë të kapur nga politika. Qeverisë dhe ndoshta segmente të caktuara të politikës, ju duhen gjyqtarë të kapur.
3 gjyqtarët thonë se ndërhyrja në gjykatë dëmton mirë-administrimin e drejtësisë. Pra Gjykata Kushtetuese ka thënë vërtet e kemi rikthyer në detyrë, por sipas pakicës ka cenuar drejtësinë, i ka dhënë mundësisë që nëse ka risk të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët ta bëjë menjëherë” – tha gazetarja.
Komentet