Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se Andrew Mountbatten-Windsor duhet të dëshmojë para Kongresit të SHBA-së lidhur me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale ndaj të miturve.
Starmer, i cili ndodhet në Japoni për një takim me kryeministren Sanae Takaichi, u pyet nga gazetarët nëse ish-princi duhet t’u kërkojë ndjesë viktimave të Epstein dhe të japë dëshmi për atë që dinte mbi veprimtarinë kriminale të tij.
Mountbatten-Windsor, të cilit iu hoqën titujt vitin e kaluar për shkak të miqësisë me miliarderin, përmendet gjerësisht në dosjet më të fundit të Epstein, të publikuara të premten nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Në dokumente përfshihet edhe një fotografi ku vëllai i mbretit britanik shfaqet i përkulur pranë një gruaje që ndodhet shtrirë në dysheme. Dosja përmban gjithashtu email-e që sugjerojnë se Mountbatten-Windsor e kishte ftuar Epstein në Pallatin Buckingham në shtator të vitit 2010, dy vjet pasi Epstein ishte dënuar për shfrytëzim seksual të vajzave nën moshë.
Vitn e kaluar, Suhas Subramanyam, anëtar demokrat i komisionit të mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, i kërkoi Mountbatten-Windsor të paraqitej për dëshmi si pjesë e hetimit mbi mënyrën se si qeveria amerikane e trajtoi çështjen Epstein.
Subramanyam deklaroi se Mountbatten-Windsor “është fshehur prej nesh dhe mendoj se do të vazhdojë të përpiqet t’u shmanget hetimeve serioze për këtë çështje”.