VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Në fillim të korrikut mbi 30 mijë pasagjerë shfrytëzuan Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

By | July 10, 2020

Komentet

Albin Kurti: 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Washington D.C.

Rreth 80 ditë kanë ngelur deri te zgjedhjet e reja në ShBA ku Presidenti Donald Trump përballet me kandidatin demokrat Joe Biden. Fushata atje po intensifikohet ende pa filluar zyrtarisht.

Në këtë kontekst duhet të shihet edhe 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Washington D.C. Ish ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme. Ai pardje kritikoi z. Biden që “premton se problemet e botës do t’i bëjë përgjegjësi të ShBA-ve”, kurse sot vetë ai bëri thirrje për negociata midis Kosovës e Serbisë.

Grenell është i njëjti diplomat që thoshte se nuk ka parë e as diskutuar ndonjëherë për ‘shkëmbim territorial’. Pastaj akuzonte ish Këshilltarin e Sigurisë Nacionale, John Bolton, se ai paska qenë prapa këtij plani, ndërkaq ky i fundit u përgjigj duke thënë se atë e ka dëgjuar nga dy presidentët, të Kosovës e të Serbisë.

Në janar të këtij viti Grenell ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën. Grenell ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një cowboy i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës.

Në njoftimin e tij, Grenell tanimë nuk flet për dialog por për negociata. E, negociatat kanë për destinim kompromisin. Kushtetuta e Kosovës e ka përbrenda kompromisin e dhimbshëm të pakos së Ahtisaarit, ndërkaq Kushtetuta e Serbisë vazhdon synimet e Milosheviqit, duke theksuar qysh në fjalinë e dytë të saj se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Nuk mund të ketë as drejtësi e as dobi nga një qasje e tillë.

Prioritete të Kosovës duhet të jenë luftimi i pandemisë COVID-19, pra, dalja nga kriza shëndetësore; luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit të lartë, pra drejtësia shtetërore; dhe, zhvillimi ekonomik e shoqëror, pra punësimi, sidomos i rinisë dhe grave. Qeveria aktuale e Kosovës po dështon në secilin rrafsh.

Sa i përket Serbisë, ne mund të dialogojmë si shtete fqinje, bazuar në parimin e reciprocitetit, dhe pas përgatitjeve të duhura e me transparencë të plotë.

Ata që nga Kosova po duan të shkojnë në këto negociata të thirrura për 2 shtator nuk kanë legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as kompetencë. Rrjedhimisht, marrëveshjet e tyre janë të pazbatueshme, dhe, nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen.

AAK dhe LDK me qëndrime të kundërta për zgjedhjen e presidentit

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, dje ka bërë publike synimet e tij për t’u zgjedhur president i vendit. Megjithatë për atë se kur dhe si duhet të zgjidhet presidenti ka mospajtime mes AAK’së dhe LDK’së.

Deputetja e LDK’së, Valentina Bunjaku, në një intervistë për FRONTAL ka thënë se për partinë e saj nuk është prioritet puna e zgjedhjes së presidentit, ndërkohë Rasim Selmanaj i AAK’së thotë se do të ishte mirë që diskutimet të fillojnë sa më shpejt që është e mundur.

Deputetja Bunjaku ka lënë të kuptohet që edhe partia të cilës i takon do të synojë që të marrë pozitën e presidentit, duke thënë se kanë kuadro të kualifikuar për atë pozitë. Megjithatë, ajo thotë se për momentin s’ka diskutime të tilla brenda strukturave të partisë.

“Për LDK’në nuk është prioritet çështja e zgjedhjes së presidentit. Deri tani nuk është diskutuar për emrin e presidentit. Pa u diskutuar në struktura, nuk do të ketë ndonjë emër. LDK ka shumë emra që mund të jenë kandidat për president, por po iu them që nuk e kemi prioritet për momentin”, ka thënë Bunjaku.

Ajo ka shtuar se janë legjitime ambiciet e secilit që dëshiron të zgjedhet president, por thekson se për një punë të tillë duhet të diskutojnë liderët e partive.

“S’kemi problem në koalicion. Ambiciet janë legjitime të secilit, por kur vije puna e zgjedhjes së presidentit, atëherë liderët duhet të ulen dhe të diskutojnë”, ka përfunduar deputetja nga Gjilani.

Ndryshe nga deputetja e LDK’së, Rasim Selmanaj i AAK’së thotë se është shumë e rëndësishme që të fillohen diskutimet për punën e presidentit, pasi që ka rrezik të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit.

Ai thotë se është momenti që të fillojnë bisedimet për pozitën e të parit të shtetit.

“Është domosdoshmëri që të gjitha subjektet që jemi pjesë e koalicionit ta diskutojmë për punën e presidentit. Sepse nëse ne nuk mbërrijmë t’i sigurojmë votat, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por bazuar në situatën, pres që të negociohet. Por mendoj që është momenti t’i nisim bisedimet, për të parë se kur do ta kemi presidentin”, ka thënë Rasim Selmanaj.

Lajmin se Haradinaj dëshiron të bëhet president nuk e kanë pritur mirë nga Partia Demokratike e Kosovës. Sipas tyre nuk është etike që të flitet për një pozitë të tillë derisa Kosova ka presidentin e saj./GazetaExpress/

KFOR-i dhe Policia po planifikojnë patrullime në zonën kufitare pas rastit të Karaçevës

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka filluar një plan të përbashkët për organizimin e aktiviteteve operacionale të përbashkëta me Policinë Kufitare të Kosovës në rajonin e Kamenicës.

Takimi i sotëm është paraprirë nga një takim i mbajtur dje në zyrat e Policisë së Kosovës në mes të shefit të Operativës së KFOR-it dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, bashkë me disa zyrtarë të tjerë.

Pas takimeve palët janë ndarë të kënaqura me nivelin e bashkëpunimit të zhvilluar deri tani, dhe kanë premtuar se do të angazhohen për forcimin e një bashkëpunimi të tillë, përmes krijimit të një mekanizmi javor që do të lejojë rritjen e numrit të patrullimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në zonën e Kamenicës.

Në fund të njoftimit thuhet se “KFOR mbetet i përkushtuar të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë të paanshme për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe organizatat e sigurisë dhe Komunitetin Ndërkombëtar, sipas mandatit të tij nën Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999”.

Kjo iniciativë e KFOR-it vjen pas ngjarjes së para pak ditëve ku disa forca të ushtrisë serbe kishin hyrë thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Një veprim i tillë i ushtrisë serbe kishte shqetësuar banorët e Kamenicës të cilët jetojnë afër vijës kufitare në Karaçevë. /Express/

Si e ndalën ambasadat Ligjin për vlerat e UÇK-së që cenon lirinë e shprehjes

Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së nuk ka kaluar në lexim të parë. LDK-ja e Vetëvendosja nuk e votuan projektligjin e kritikuar shumë nga ambasada amerikane dhe BE-ja. Isa Mustafa një natë më parë kërkoi të tërhiqet projektligji, ndërsa Rexhep Selimi i VV’së e ka kritikuar ligjin për mangësi.

Ambasada amerikane ka dalë eksplicit kundër ligjit për mbrojtjen e vlerave të UÇK’së. Ambasadori Philip Kosnett, u kërkoi nëpërmjet një shkrimi autorial deputetëve të Kosovës të mos e votojnë atë.

Më parë, ai konsideronte se ky  ligj e kriminalizon fjalën e lirë.

“Ligji i propozuar për vlerat e UÇK-së është mënyrë e gabuar për ta respektuar UÇK-në. Ai e kriminalizon fjalën e lirë, i frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ai devijon nga përpjekjet praktike për të kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës” ,kishte shkruar Kosnett.

Mendimin me ambasadorin amerikan e ka ndarë ambasadori i ri gjerman, Jorn Rohde, e edhe Zyra e BE’së në Kosovë, e cila në disa përgjigje dhënë Gazetës Express ka kërkuar të mos votohet ai projektligj.

“Ne u bëjmë thirrje ligjvënësve të Kosovës që të rishqyrtojnë dispozitat e tilla. Nëse miratohet në formatin e tashëm, ky ligj do të minojë përpjekjet vendore dhe ndërkombëtare për të forcuar më tej respektimin e të drejtave themelore në Kosovë” thuhej në përgjigjen e Zyrës së BE’së, duke shtuar se UÇK’ja është vlerë integrale e historisë së Kosovës, por ligji ngrit shqetësime për të drejtat e njeriut.

Ambasadorëve të huaj u ka dhënë të drejtë kreu i LDK’së, Isa Mustafa, i cili i ka kërkuar PDK’së ta tërheqë propozimin.

“Ai ligj është më mirë të tërhiqet prej procedurës. Do të bënte mirë PDK-ja që ta tërhiqte. Ka mjaft shumë vërejtje e shumë pasaktësi”, është shprehur ndër tjerash ai”, ka thënë Mustafa.

“Ka shumë vend që u jep të drejtë ambasadorëve… Mendoj se ligji duhet të tërhiqet, duhet të bisedohet edhe me ndërkombëtarët për të parë vërejtjet esenciale të tyre, ndërkaq a ka nevojë që ne tash të sjellim ligj të veçantë për UÇK-në apo jo është tjetër”.

Ndërkaq Shefi i Grupit Parlamentar, Rexhep Selimi, që është një nga komandantët e UÇK’së, e ka kundërshtuar këtë ligj, duke e konsideruar të mangët dhe ligj që e shtrembëron luftën e UÇK’së.

Pse u kundërshtua kaq shumë ligji?

Projekligji për Mbrojtjen e Vlerave ka 12 nene, disa prej të cilave janë kontestuar e janë konsideruar

Neni 5 i këtij projektligji thotë se “Çdo zyrtar publik dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe t’i mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe rrethanë brenda dhe jashtë vendit”.

Propozuesi i këtij ligji, deputeti i PDK’së, Gazmend Bytyci, një ditë para se të dilte projektligji në votim, ka thënë në Frontal të T7, se janë të vetëdijshëm që ligji ka hapësirë për përmirësime dhe se i lejojnë ato.

Sipas tij, askush nuk duhet të frikësohet nga ky ligj.  Deputeti, i pyetur se si mund të pritet një ligj i tillë nga qytetarët serbë në Kosovë, ka thënë se ““Ne e kuptojmë realitetin politik,  e kuptojmë se si është formuar shteti i Kosovës, me cilët aleatë është formuar, e kuptojmë edhe Kushtetutën, por ne duhet t’i mësojmë edhe shtetasit serbë se UÇK’ja ka luftuar edhe për lirinë e tyre”.

Ndryshe, ky projektligj parasheh si vlera të luftës: lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK’ja me qëllim të çlirimit të Kosovës; UÇK’në si formacion ushtarak të armatosur, veteranin e UÇK’së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike, shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset e tjera.

Gjatë votimit të sotme, në sallë ishin 68 deputetë, por vetëm 36 morën pjesë. 35 votuan për dhe një kundër. Abstenime nuk pati. Projektligji kthehet prapë për votim në ndonjë rast tjetër. /Express/

Arrestohet ish-ministri, ngacmoi seksualisht pacienten në Spitalin e Pejës

Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, është përfshirë përsëri në një skandal seksual. Kësaj radhe, derisa ishte në vendin e tij të punës në Spitalin e Pejës, ai po dyshohet se ka ngacmuar një 23-vjeçare, e cila ishte duke qëndruar në spital me vajzën e saj. Express sjell detaje nga ky rast

Një nënë 23-vjeçare, e cila ishte duke qëndruar në repartin e Ortopedisë në Spitalin e Pejës, është ankuar se është sulmuar seksualisht nga mjeku i këtij spitali, Numan Baliq.

Këtë e kanë konfirmuar burime të Express brenda Policisë së Kosovës.

“Ka hyrë në repart, gruaja e ka pasur vajzën që 16 ditë. Mjeku i ka thënë duhet të vish në zyrë për një aparat, pastaj ka filluar ta ngacmojë me fjalë dhe ka filluar ta prek në trup. Ajo e ka thirrur sigurimin dhe policinë”, kanë thënë këto burime.

Këtë rast për Express e ka konfirmuar edhe Prokuroria e Pejës.

“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48-orësh, gjithashtu prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Lidhur me rastin ka njoftuar edhe policia në raportin 24-orësh.

“SULM SEKSUAL-Rr. Nëna Terezë, Pejë 12.08.2020-22:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull nën dyshimin se i njëjti e ka sulmuar seksualisht viktimën femër. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë”, thuhet në raportin e policisë.

Në muajin shkurt të vitit të kaluar, Baliq ishte suspenduar nga puna, për shkak se ndaj tij është ngritur aktakuzë për ngacmimi seksual. /GazetaExppress/

Kuvendi nuk voton për Projektligjin për vlerat e UÇK-së

Shkëlqim Hysenaj

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk i dhanë mbështetje në leximin e parë Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për Projektligjin për vlerat e UÇK-së votuan 35 deputetë, një votë ishte kundër dhe asnjë abstenim.

“Kjo do të thotë që 36 deputetë kanë marrë pjesë në votim”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e këtij projektligji, i njëjti mund të hidhet në votim në një rast tjetër.

Ky projektligj, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ka nxitur reagime të shumta për shkak se po vlerësohet se mund të cenojë lirinë e shprehjes si dhe krijon mundësi për të frikësuar dëshmitarë potencialë të proceseve gjyqësore ku përfshihen ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Projektligji ka disa nene të cilat po i kontestohen.

I pari është neni 3 që definon atë se çka është vlerë e luftës, pastaj neni 5 që flet për respektimin e vlerave të luftës si dhe neni 9 që flet për dispozitat ndëshkuese.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se kjo iniciativë ligjore ka më shumë qëllime politike sesa të mbrojë vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nëse lexohet ky ligj me kujdes shihet se është i hartuar jashtëzakonisht dobët. Ky ligj në njërën anë synon t’i mbrojë vlerat e UÇK-së e në anën tjetër ky ligj nuk ka dispozita ndëshkuese, do të thotë nuk dihet cilat janë masat qoftë në aspektin civil, qoftë në aspektin penal. Ky ligj do të jetë i pazbatueshëm”, thotë Miftaraj.

Neni 5 i këtij projektligji që flet për respektimin e vlerave të luftës thotë se: “Çdo zyrtarë publikë dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe në çdo rrethanë brenda dhe jashtë vendit”.

Ky nen sipas Ehat Miftarajt, mund të keqpërdoret në të ardhmen për të heshtur çdo kritikë si dhe për të frikësuar ata që mund të ketë mendim të kundërt.

“Mbrojtja më e mirë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të ishte nëse do të zbuloheshin rreth 40 mijë veteranë të rrejshëm, e të cilët nesër mund të përdorin mu këtë nen, nenin 5, ndaj çdo zyrtari publik apo qytetari të Kosovës, vetëm pse ata mendojnë se përmes një shkrimi në Facebook apo një kritike, i kanë cenuar vlerat e tyre”, thotë Miftaraj në një bisedë për Radio Evropa e Lirë.

Ligj që frikëson dëshmitarët

Por, qëllimet që mund të fshihen pas këtij projektligji mund të jenë më të mëdha sipas drejtorit të organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj.

Ai beson se miratimi i këtij projektligji mund të shërbejë si mjet për frikësimin e dëshmitarëve potencialë në rastet gjyqësore në të cilat të akuzuar janë ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Kjo sipas tij përfshin dëshmitarët potencialë në proceset eventuale në kuadër të Gjykatës Speciale si dhe procesin tjetër gjyqësor që lidhet me ish-pjesëtarët e UÇK-së, atë për veteranët e rrejshëm.

“Nëse ky ligj futet në fuqi, askush nuk do të guxojë të shkojë për të dëshmuar as në Gjykatë Speciale, e as në procesin gjyqësor ndaj veteranëve të rrejshëm sepse menjëherë mund të iniciohen procedura ndaj tij sepse i ka shkelur vlerat e luftës, sepse në kuadër të nenit për vlerat e luftës është edhe veterani”, thotë Demhasaj.

Në proces gjyqësor të akuzuar janë ish-eprorë të rëndësishëm të luftës së UÇK-së si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari.

Se çka futet në kuadër të vlerave të luftës është e përcaktuar në nenin 3 të Projektligjit për vlerat e luftës.

Në kuadër të këtij projektligji, mes tjerash, si vlerë e luftës është futur edhe “veterani”.

Të rënët për liri, flamuri i UÇK-së, stema e UÇK-së, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike e UÇK-së, shtabet dhe zonat operative, arkiva e UÇK-së si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari”, janë futur si vlera të luftës për t’u mbrojtur me ligj.

Në rast se Projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë eurosh, pa i llogaritur edhe investimet.

Mendime të kundërta për ligjin

Kuvendi i Kosovës dështoi që ta votonte këtë projektligj në seancën e 7 gushtit për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjatë diskutimeve në kuvend pati kundërshtime të shumta.

Propozuesi i këtij projektligji, deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyçi, gjatë seancës së kaluar tha se ky ligj mund të mos ideal, porse qëllimi është i mirë.

Më kritiku ishte shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi i cili tha se projektligji ka të meta, mangësi dhe shtrembërim të historisë së luftës së UÇK-së.

Kundërshtimi ndërkombëtar

Me përmbajtjen e projektligjit nuk është pajtuar ambasada amerikanë në Prishtinë. Përmes një reagimi të datës 7 gusht, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka alarmuar për rrezikun që prodhon ligji sa i takon cenimit të lirisë së shprehjes.

“Penalizimi i kritikës ndaj çfarëdo grupi apo individi është hap i rrezikshëm, edhe nëse nuk është me atë qëllim, drejt autoritarizmit”, ka thënë Kosnett përmes një deklarate.

Kosnett po ashtu ka thënë se në rast të futjes në fuqi të këtij ligji, do të minohej përpjekja për të siguruar drejtësi.

“Dëshmitarët, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, do të pyesnin se a do të mund të dënoheshin për shkak të dëshmisë për krimet e supozuara të individëve të asociuar me UÇK-në, madje edhe nëse ata individë janë akuzuar se kanë vepruar të vetëm, e jo në emër të grupit”, kishte shkruar Kosnett në reagimin e tij.

Mendim të njëjtë me Kosnett ndau edhe ambasadori i ri i gjerman, Jorn Rohde si dhe ambasada e Zvicrës në Kosovë, e cila përmes një reagimi tha se “ligji i propozuar mund të shkaktojë frikësim në mesin e disa qytetarëve të Kosovës dhe të pengojë proceset e tjera që synojnë trajtimin e së kaluarës”.

Incidenti në Karaçevë, Kurti me Sveçlën i shkojnë komandantit të KFOR-it në zyrë

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se kreu i partisë, Albin Kurti, bashkë me Xhelal Sveçlën dhe Enver Dugollin, kanë realizuar një vizitë në selinë e KFOR-it ku dhe kanë takuar gjeneralin Michele Risi, raporton Express.

Në këtë takim ata kanë diskutuar për situatën pandemike në vend si dhe për ndodhinë e fundit në Karaqevë ku forca të ushtrisë serbe ishte parë duke lëvizur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

“Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, bashkë me ish ministrin në detyrë të punëve të brendshme dhe anëtarin e kryesisë, z. Xhelal Sveçla, dhe ish zëvendës ministrin e mbrojtjes, z. Enver Dugolli, u pritën në selinë e KFOR-it në Film City nga Komandanti, Gjenerali Risi, dhe ekipi i tij.Gjatë takimit, dy palët diskutuan për gjendjen e rëndë të krijuar në vend për shkak të pandemisë COVID-19 dhe menaxhimin e kësaj krize nga institucionet e Kosovës, si dhe për incidentin e fundit në Karaçevë, e për situatën e përgjithshme të sigurisë. Ata u pajtuan që të mirëmbajnë kontaktet e rregullta dhe të vazhdojnë komunikimin e ndërsjelltë”, thuhet në njoftim.

Banorët: “Xhandarmeria serbe hyn qe 19 vite në Karaçevë”

Banorët e fshatit Karaçevë sot kanë protestuar kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe në këtë fshat. Kryetari i Këshillit Lokal të fshatit Karaçevë, Selver Lenjani tha se që nga vitit 2001 e deri më sot në territorin e Kosovës vazhdimisht kanë hyrë pjesëtarë të xhandarmërisë serbe dhe patrullimi i fundit nuk ka ndodhur për herë të parë.

Kritika për mospjesëmarrje në këtë protesta Lenjani ka adresuar edhe për kryetarin e komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Ai i bëri thirrje institucioneve serbe që t’i ndalin provokimet në këtë pjesë të Kosovës.

“Të nderuara institucione po ua bëj me dije që 19 vjet, as presidenti i Kosovës, as kryeministri, as kryeparlamentarja, as deputetët e Republikës se Kosovës nuk jeni marrë me Karaçevën , mirëpo megjithatë banorët stoikisht kanë qenë. Vallë i nderuar ku gjendesh Qëndron Kastrati”, tha ai.

Lenjani tha se pas reagimet të fundit për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë janë shtuar patrullimet e Policisë së Kosovës në këtë anë.

“Tash janë shtuar patrullat e Policisë së Kosovës mirëpo kërkoj që patrullat e policisë të jenë tek Ura e Mohovcit, atje të stacionohen, dhe kërkoj nga kryetari i komunës (së Kamenicës, Qëndron Kastrati) që ekskavatori tua hap rrugën policisë për kodër atje”, tha ai.

Banori më i vjetër i fshatit Karaçevë, Ismajl Kastrati tha se armiku serb po tenton ta marrë këtë pjesë të tokës së Kosovës.

Ai tha se provokimet e xhandarmërisë serbe bëhen me qëllimn e vetëm që këta banorë të shpërngulen nga ky fshat.

“Këtë uzurpim që e ka bërë këtu Serbia e ka bërë me plan të planifikuar me qëllim që edhe këto dy bashkësi lokale çka janë këtu ta lëshojnë vendlindjen, të largohen dhe të jetë kufiri administrativ i zbrazur dhe mos të ketë popullatë shqiptare.. nuk është hera e parë që kanë ardhur këtu e dinë edhe KFOR-i vetë pasi si plak kam bashkëpunuar me KFOR-in 10 vite, sa herë që i kam thirrur kanë ardhur, edhe dy ushtarë nëse kanë hyrë brenda kufirit administrativ 10 metra i kanë zënë”, u shpreh ky banor.

Ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, i cili është edhe banor i kësaj ane, kërkoi të ofrohet siguri nga institucionet e Kosovës për të gjithë këta banorë të kësaj zone kufitare.

“Institucionet e Kosovës deri tani kanë bërë shumë pak për këtë problem, me siguri kanë pasur probleme më të mëdha, por edhe ky është ndër problemet që kërkon të merret më shumë, si parlamenti, presidenca, qeveria e Kosovës… këta qytetarë, duke përfshirë vetën dhe familjen time, duam të kemi siguri dhe mos të kemi frikë, nga frika ka raste që edhe janë shpërngulur njerëzit”, tha Surdulli.

Në mbështetje protestuesve u doli edhe ish-deputeti i Kosovës, Gani Geci i cili tha se është koha që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësinë për këtë pjesë.

Sipas tij, duhet të ngrihen kapacitetet për mbrojtjen e brezit kufitar me Serbinë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës në vend që të merret me ngritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e brezit kufitar, në ngritje të kapaciteteve të FSK dhe Policisë së Kosovës ata merren me mbrojtjen e individëve. Janë ndarë miliona euro për të mbrojtur disa individë që do i përgjigjen Gjykatës Speciale, ndërsa nuk është ndarë asnjë mjet për mbrojtjen e brezit kufitar. Ka kaluar koha e luftërave, tash kemi institucione, ato duhet ta marrin situatën nën kontroll prej presidentit, kryeministrit, Kuvendit të Kosovës duhet marr përgjegjësinë për këtë”, tha ai.

Që nga paslufta banorët e Karaçevës kanë kërkuar që menaxhimi i kësaj zone të merret nën kompetenca të institucioneve të Kosovës, pasi kjo pjesë menaxhohet nga KFOR-i. Këta të fundit, u panë duke mbikëqyrur edhe protestën e sotme.

Në pikë kontrollën në këtë brez kufitar shfaqeshin herë pas here edhe xhandameria serbe.

Deri tek kjo protestë erdhi pasi që xhandarmeria serbe ditë më parë ka hyrë në fshatin Karaçevë. Ky veprim ka ngjallur reagime të mëdha nga institucionet vendore.

Vjosa Osmani pritet me lule nga Ministri i LDK-së Anton Quni, FSK çon zyrtar ndërlidhës në Kuvend

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka shkuar sot në Ministrinë e Mbrojtjes, ku është pritur nga Ministri i LDK’së Anton Quni. Bashkë me Qunin, Osmanin e ka pritur edhe Komandanti i FSK’së Rrahman Rama. Në njoftimin e FSK’së thuhet se është folur edhe “për incidentin e Karaqevës së Kamenicës dhe për veprimtarinë e xhandarmerisë serbe” në atë pjesë. Osmani ka marrë lule nga Quni, ndërsa me FSK është dakorduar që një zyrtar i kësaj force të dërgohet në Kuvend.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë njoftimin.

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni priti kryetaren e Parlamentit të Kosovës zonjën  Vjosa Osmani

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i Përgjithshëm i MM-së, Faruk Geci, pritën sot në një vizitë pune, kryetaren e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani të shoqëruar nga stafi i saj.

Ministri Quni pasi i uroi mirëseardhje kryeparlamentares Osmani, e njoftoi atë me aktivitetet që po zhvillohen në Ministri të Mbrojtjes, me procesin e transformimit të FSK-së, arritjet e deritashme si dhe me sfidat.

Ministri Quni, me këtë rast, foli për punën që është bërë, deri më tash, në hartimin e dokumenteve nënligjore, pas aprovimit të ligjeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, me mision të ri, për të gjitha fushat dhe nivelet që garantojnë funksionalizim institucional dhe ligjor të FSK-së.

Ministri Quni, gjithashtu e njoftoi kryeparlamentaren Osmani edhe me bashkëpunimin e mirë që ka Ministria dhe FSK-ja me partnerin strategjik SHBA-të, bashkëpunimet bilateral, bashkëpunimin me KFOR-in, bashkëpunimin e mirë me ekipin e NALT-it, që është prezentë në Ministri dhe Forcë, duke vlerësuar se është rritur besueshmëria me partnerët ndërkombëtar.

Ministri Quni, gjithashtu theksoi se në kuadër plotësimit të infrastrukturës ligjore dhe të  dokumenteve të rëndësishme të fushës së sigurisë, është prioritet  procedimi i Strategjisë së  Sigurisë së Kosovës e cila i hap rrugë  procedimit të Strategjisë së Mbrojthjes.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në fjalën e tij, foli për planin e transformimit të FSK-së, duke theksuar rezultatet e arritura deri më tash përballë gjendjes së rënduar nga pandemia, se ju kemi përshtatur kësaj gjendje, dhe nuk kemi ngecje në realizimin e detyrave të planifikuara.

Ai, po ashtu, foli edhe për rezultatet e mira që kanë arritur kadetët tanë, në Akademitë më të njohura në botë, si: në Ëest Poent-SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Kroaci, Turqi, Maqedoni, etj.

Gjeneral Rama, e njoftoi znj. Osmani, dhe për angazhimet dhe kontributin e FSK-së, në menaxhimin e situatës me pandeminë COVID 19, brenda për brenda FSK-së, duke mos dëmtuar operacionalitetin e saj, si dhe angazhimet për të mbështetur institucionet mjekësore në logjistikë, transport edhe me kapacitete tjera shtesë.

Nga ana e saj, kryeparlamentarja Osmani, duke e falënderuar për pritjen e ngrohtë, vlerësoi lartë arritjet e FSK-së, duke shtuar se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja janë dy institucionet që vlerësohen lartë në Parlamentin e Kosovës, për shkak të punës dhe së mirë dhe vlerësimit të lartë që kanë për Juve.

Ajo vlerësoi lartë angazhimin dhe kontributin e FSK-së, në menaxhimin e situatës së pandemisë në ndihmë të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

Zonja Osmani premtoi se aty ku ka nevojë FSK-ja, do ta ketë mbështetjen e përhershme dhe pa rezervë të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë takimit u bisedua edhe për incidentin e Karaqevës së Kamenicës, për veprimtarinë e xhandarmerisë serbe e cila i ka revoltuar banorët lokal, ku u vlerësua se në raste të tilla duhet të ketë informim më të shpejtë, transparencë dhe koordinim me të mirë në mes të institucioneve shtetërore dhe atyre të pranisë ndërkombëtare dhe detyrimet të institucioneve në situata të tilla.

Me vlerësimin e dyanshëm në takim u vendos për dërgimin e një oficeri ndërlidhës në Kuvendin e Kosovës, me qëllim të lehtësimit të komunikimit në mes Ministrisë dhe FSK-së, me Parlamentin.

Në kuadër të vizitës, kryeparlamentarja Osmani, qëndroi edhe në Qendrën Operative të  Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, ku nga Shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, u njoftua me angazhimet operacionale të FSK-së.

Haradinaj: Kam marrë besimin nga AAK që të jem kandidat për President të Kosovës

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj thotë se ka marrë besimin nga AAK’ja që të jetë kandidat për President të Kosovës, ndërsa tregon se në mbledhjen e sotme të kryesisë është folur edhe për “rikonfigurim të Qeverisë”, derisa po spekulohet për përfshirjen e PDK’së në Qeveri.

“Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj, transmeton Gazeta Express.

Shkrimi i plotë i Haradinajt:

Sot në takimin me strukturat udhëheqëse të Aleancës, u diskutuam për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend, me theks të veçantë tek menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.

Aleanca qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor.

Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë eksitues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit.

Ne jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar.

Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë.

RH

Edhe 11 të vdekur dhe 205 të infektuar nga koronavirusi në Kosovë

Kosovës i janë shtuar edhe 11 raste të vdekjeve nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Trendi i shifrave të larta të vdekjeve, krahasuar me numrin e popullsisë, po vazhdon tash e disa javë, përkundër masave kundër pandemisë të ndërmarra nga institucionet e Kosovës, siç është ndalimi i tubimeve, mbajtja e maskës dhe distancës fizike si dhe një kufizim i lëvizjes në disa komuna.

Numri i përgjithshëm i viktimave që nga muaji mars ka arritur në 365.

Instituti Kombëtar i Shendetësisë Publike (IKSHPK ) ka njoftuar se gjatë 24 orëve ka testuar 521 mostra dhe si rezultat 205 persona kanë dalë të infektuar me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 10.795.

Gjatë 24 orëve, sipas IKSHPK-së janë shëruar 163 pacientë. Deri më tani, nga sëmundja janë shëruar 6.411 persona.

Raste aktive në Kosovë aktualisht janë: 4.019.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar të mërkurën se në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, aktualisht janë të shtrirë 610 pacientë, prej tyre 449 janë të prekur me koronavirus.

Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se 14 pacientë janë në respiratorë, 25 janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, CPAP, derisa 393 të tjerë janë në oksigjenoterapi.

Kosova ka gjithsej 700 shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale. rel

Futja e PDK-së në Qeveri nxit ambicjet e fshehura për pushtet

Isa Mustafa është i gatshëm për të qeverisur edhe një herë me PDK-në, “për çështje jetike të vendit”, e bashkë me të edhe Nisma e Fatmir Limajt. Por nga AAK-ja duket se nuk janë shumë komodë me këto qëndrime. Ata mbrëmë dhanë sinjale se e duan Ramush Haradinajn për president të vendit, e pikërisht kjo mund t’i bëjë edhe më shumë lëmsh punët. Xhavit Haliti i PDK-së mbrëmë tha se kjo parti duhet të bëhet pjesë e Qeverisë. Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj thotë për Gazetën Express se edhe ky subjekt synon ta marrë postin e presidentit nëse bëhet pjesë e koalicionit.

Lëvizja Vetëvendosje i ka lansuar akuzat e para se PDK-ja i ka nisur pazaret për poste ministrore në Qeverinë Hoti, tashmë kur kreu i LDK-së Isa Mustafa është deklaruar haptas pro përfshirjes së partisë që drejtohet nga Kadri Veseli.

Mustafa është i gatshëm që tripleta e PAN-it të bëhet bashkë përsëri në Qeveri, me LDK-në aty, sepse, sipas tij që nga koha e zgjedhjeve, kur ai u zotua se nuk bashkëpunon me PDK-në, kanë ndryshuar rrethanat dhe se vendit i duhet stabilitet për temat e mëdha.

Derisa përplasjet mes AAK-së dhe LDK-së u thelluan gjatë fundjavës, e kryeministri Avdullah Hoti e quajti “defilim” shkuarjen e Haradinajt në Karaçevë, Isa Mustafa një ditë pas i tha Gazetës Express se nuk e përjashton PDK-në si partnere të ardhshme.

“Në zgjedhjet e fundit jemi deklaruar se nuk bëjmë koalicion me PDK-në. Edhe PDK, pas zgjedhjeve është deklaruar se do të qëndrojë në opozitë. Mendoj se situata e pandemisë, paralajmërimi i aktakuzave për një numër të përfaqësuesve të lartë sikurse edhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, kërkon një qasje tjetër”, tha Mustafa duke shtuar: “Të mos jemi përjashtues ndaj njëri-tjetrit dhe të sigurojmë pajtim për çështje jetike për vendin”.

PDK-ja zyrtarisht nuk ka dhënë akoma asnjë qëndrim të sajin rreth mundësisë që të kalojë nga opozita në një qeveri, që do ta linte vetëm Lëvizjen Vetëvendosje jashtë.

Zyra për Media e PDK-së i ka thënë sot Gazetës Express se në asnjë moment nuk e kanë diskutuar kalimin nga opozita në Qeveri.

“As prej kryetarit të partisë, as në kryesi, e as në këshillin drejtues të partisë nuk është diskutuar kjo çështje”, ka thënë Zyra për media e PDK-së.

Por, zyrtarë të lartë e me ndikim në parti konsiderojnë se duhet të bëhen pjesë e qeverisë Hoti.

“Po, PDK-ja duhet t’i bashkohet Qeverisë Hoti”, ka thënë Xhavit Haliti në Tv Dukagjini i cili në PDK drejton departamentin për grupe të interesit.

AAK-ja akoma nuk ka dhënë qëndrim zyrtar rreth mundësisë që PDK-ja t’i bashkohet Qeverisë, veçse Haradinaj ka mbledhur kryesinë e partisë për sot (e mërkurë) në orën 16:00. Burimet brenda kryesisë i kanë thënë Expressit se do të diskutojnë edhe për koalicionin qeverisës, pjesë e të cilit janë.

Por, AAK ka dhënë sinjale se e duan Ramush Haradinaj president të vendit.

“Unë jam që Ramush Haradinaj të jetë president. Do ta udhëhiqte vendin me lidership. Me trimëri. Në situata në të cilat unë vetë jam dridhur, në situata të cilat nuk dua të flas se sa vështirësi kemi pasur. Ai ka qenë i palëkundur”, ka thënë mbrëmë në Pressing zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj – Halimi, që vjen nga Nisma, thotë se partia e saj është pro hyrjes së PDK-së.

“Ne e kemi qëndrimin se edhe PDK-ja duhet të jetë pjesë e kësaj qeverie. Për shkak se ne duam të jemi unik përballë Serbisë me dialog dhe secili subjekt politik që i bashkohet kësaj ideje që qëllimi kryesor të jetë njohja mes dy shteteve të jemi më të qëndrueshëm dhe bashkuar”, ka thënë ajo gjatë fundjavës në KosovaPress.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se Mustafa po e dëshiron përfshirjen e PDK-së në Qeveri për ta minuar rolin e AAK-së në koalicion.

“Mustafa po kërkon që PDK të përfshihet në koalicion sepse është e vështirë që Qeveria Hoti të mbijetojë pa PDK-në. Po ashtu, ai dëshiron përfshirjen e PDK-së në mënyrë që të zbehë rolin e AAK-së në koalicion”.

Kryetari i LDK-së, të dielën për Expressin ka thënë se përveç dorëzimi i aktakuzave për Thaçin e Veselin, edhe çështja e presidentit në fund të vitit kërkon një marrëveshje.

“Rrethanat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë pas paralajmërimit të aktakuzave nga Prokurori i specializuar. Edhe mos të ishte kjo, në fund të vitit do duhej të uleshim e të merremi vesh për zgjedhjen e presidentit. Në çdo variant mungesa e një dakordimi për zgjedhje të presidentit na çon në zgjedhje të reja”, tha ai.

Mushkolaj thotë se pikërisht çështja e presidentit është një prej arsyeve pse, sipas tij, Mustafa e do PDK-në.

“Me përfshirjen e PDK-së në koalicion, gjasat do të ishin që kësaj partie t’i takojë posti i presidentit, vitin e ardhshëm. Po ashtu, me PDK-në në qeveri, në njëfarë forme do të garantohej edhe vazhdimësia e dialogut me Serbinë, që po kërcënohet nga qëndrimet e AAK-së dhe të Ramush Haradinajt i cili, siç duket, qasjen e tillë karshi qeverisë më tepër e ka vënë në funksion të krijimit të rrethanave për zgjedhjen e tij president, sesa që ka të bëjë me parimet e funksionimit të koalicionit. Mustafa po e fton tash PDK-në të bëhet pjesë e qeverisë, pavarësisht qëndrimit “kurrë më me PDK-në”. I mbetet PDK-së nëse do të mbajë ose jo qëndrimin se do të qëndrojë në opozitë”, thotë Mushkolaj.

Qeveria e përbërë nga LDK-ja, AAK-ja, Nisma Socialdemokrate dhe minoritetet është votuar me 3 qershor, me 61 vota pro. Kjo është qeveria e dytë e zgjedhur nga legjislatura që doli prej zgjedhjeve të 6 tetorit. Qeveria e fundit e Kosovës, ajo e Kurtit, pati jetëgjatësi prej 4 muajve, pasi LDK-ja i ngriti mocion votëbesimi. /Express /