VOAL

VOAL

Në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe – Nga Akademik Jani Thomai

September 27, 2022
blank

Komentet

blank

Intervista e Ismail Kadare: Mbi standardin e gjuhës shqipe ka zhurmë të pandershme

Kjo intervistë e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare është botuar për herë të parë në revistën Gjuha shqipe 2014, nr. 3 (Instituti Albanologjik, Prishtinë). Është fare pak e njohur për lexuesit tanë, prandaj ne po e risjellim të plotë, falë ndihmesës së Prof. Emil Lafes, në kuadrin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, ku Ismail Kadare ka qenë ndër firmëtarët.

Arbana Xharra

– Të flasim pak për debatin mbi standardin e gjuhës shqipe. A duhet rishikuar njëjësimi i 1972-shit?

– Është vështirë që brenda kushtëzimit të një interviste të flitet për ndoshta çështjen më të ndërlikuar të kohës. Gjuha është prodhimi më befasues i njeriut. Cilësorët: “e hyjnueshme, misterioze”, mund të duken të tepruar në fillim për të, më pas do të jenë të pamjaftueshëm. Gjuha është më tepër se kaq. Ajo është një pakt i vështirë. Më i vështiri pakt që njerëzit kanë lidhur mes tyre. Me anë të saj njeriu shpalos atë që duket e pamundur: të fshehtën e pafundme të vet. Si e tillë, ajo vetë, gjuha, çështja e saj, meritojnë të gjithë seriozitetin tonë.

Pikërisht ky seriozitet mungon në Shqipëri. Në asnjë vend të Europës nuk sulmohet aq mizorisht, aq shëmtueshëm gjuha, pakti themeltar i një kombi. Në kohën kur Shqipëria, e lodhur pas komunizmit, ka nevojë për të marrë veten, qindra mijëra fëmijëve shqiptarë u pështyhet mu në sy, mjeti kryesor me anë të të cilit ata zbulojnë botën, dijet, të vërtetën. Pas spekulimit me fjalën “standard”, fjalë që nuk është shqiptuar asnjëherë prej Kongresit të Drejtshkrimit, për gjuhën e sotme shqipe, përdoren cilësimet: bunker, burg, prangosëse trush, torturuese fëmijësh, shtypëse dialektesh etj., etj. Ju mund të pyesni, a ka ndonjë shkas për këtë ose së paku, a ka ndonjë vjegë (pretekst)? Mendoj se përgjigjja, në këtë rast, duhet të jetë e prerë: përveç çështjeve të zakonshme që herë pas here u dalin gjuhëve europiane, nga greqishtja e re te gjermanishtja, në gjuhën shqipe s’ka ndonjë gjë të veçantë që krijon alarm.

Zhurma e pandershme është bazuar në disa të pavërteta, ndër të cilat vendin e parë e mban mashtrimi se në komunizëm gegërishtja u ndalua. Komunizmi ka bërë aq mbrapështira, saqë nuk ka nevojë ť i shtojmë një krim të paqenë. Përndryshe ka gjasë që kjo grykësi të shkojë në favor të tij, duke bërë të pabesueshme të tjerat. Gegërishtja, pra, nuk u ndalua. Do të mjaftonte vetëm një shembull, ai i Migjenit, shkrimtarit më të botuar, më të popullarizuar dhe më të studiuarit në të gjitha nivelet e shkollave shqiptare, për të hedhur poshtë mashtrimin mbi të cilin është bazuar zhurma kryesore kundër standardit. (Pa përmendur Ndre Mjedën ose përkthimet monumentale të Dantes, Virgjilit, Homerit, tekste bazë për leximet universitare, shumica në gegërisht).

– Çfarë mund të jetë shkaku i zhurmës që bëhet?

– Shkaku i një marrëzie s’është gjë fort e lehtë për ťu gjetur. Së pari, nuk ka marrëveshje për termat. Kjo vjen kryesisht ngaqë një pjesë e polemizuesve, ata më të zellshmit, janë shpesh amatorë. Një amator kur flet për gjuhën është një gjë e bezdisshme. Por kur një amator bën për tre muaj kurs jashtë shtetit, ta zëmë në Kalabri, shumë-shumë në Napoli, atëherë ai, nga i bezdisshëm kthehet në të padurueshëm. Marrëveshja për termat është e domosdoshme për të shmangur zjarrminë e tepërt, për të mos thënë histerinë. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 ka qenë kongres i drejtshkrimit dhe jo i standardit. Për prirjen e njëjësimit të shqipes së sotme, rolin vendimtar e ka luajtur alfabeti i vitit 1908 dhe jo Kongresi i Drejtshkrimit. Dy ndër hartuesit kryesorë të alfabetit të 1908-s ishin Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi, të dy veriorë. Alfabeti i shqipes dallohet si ndër më të qëndrueshmit në Europë. Përveç alfabetit, dihet se nga dy të folmet kryesore të Shqipërisë, ka qenë toskërishtja ajo që ka mundur të krijojë më shpejt atë që quhet koiné (koinos, gjuhë e përbashkët ndërdialektore). Pavarësisht favorizimit emocional politik që, pa dyshim, ka pasur, ajo s’mund të vendosej në bazën e gjuhës letrare të njëjësuar pa faktorët që u përmendën më lart. Madje mund të thuhet se edhe në rast ngadhënjimi të antikomunizmit, vështirë se mungesa e përkrahjes politike do të pengonte toskërishten letrare të zinte, qoftë edhe me një farë vonese, të njëjtin vend. Gjuha letrare përkon në një pjesë të madhe me standardin, por ruan atë që quhet liri e krijimit të autorit. Nëpërmjet saj, krejt pasuria e dialekteve e ka rrugën e hapur drejt gjuhës letrare të njëjësuar. Asnjë gjuhë në Europë nuk ka një standard të përsosur. Ndërkaq, asnjë vend nuk lejon të ashtuquajturin “zhvillim të lirë të saj”, siç bëhet thirrje në Shqipëri, sepse nga një kinse liri e tillë, gjuha, nën trysninë e rrugës, mund të shkatërrohet për disa vjet. Mendja e kursantëve tremujorë, përpara se ť u hyjë çështjeve të gjuhës, duhet të mësohet me idenë se ligjet e gjuhës janë më të ndërlikuarat në botë dhe se duhen së paku njëzet vjet për ť i përvetësuar. Për të sjellë vetëm një shembull, sipas këtyre ligjeve, në gjuhë, ajo që në pamje të jashtme mund të duket si pasuri, qëllon të jetë e kundërta. (Për të vazhduar me shembuj, një gjuhë me fjalor njëzet mijë fjalësh, ngjan dhe është vërtet e varfër, por kjo s’do të thotë se një gjuhë që mëton të ketë gjysmë milioni fjalë është e pasur. Madje kjo e dyta, me mizërinë e fjalëve të saj, tregon se po bën prapa, po kthehet në një paragjuhë, pra pushon së qeni pakt, dhe si e tillë po ecën drejt shuarjes së saj). E solla rastin e mësipërm si shembull të paradoksit e të trilleve që janë të natyrshme për gjuhën, qoftë edhe kur bien në kundërshtim të plotë me ligjet e shoqërisë. Për një mendësi normale, vendosja e standardit gjuhësor prej shumicës së popullsisë, ngjan si e vetmja zgjidhje e logjikshme. Për habi, zakonisht ndodh e kundërta. Një zonë e ngushtë, një krahinë, qytet, madje një njeri i vetëm, si i famshmi rast i Dante Aligerit, mund të jenë vendimtarë.

blank

– Ju thatë se standardi nuk është pa probleme. A janë të riparueshme mungesat?

– Natyrisht. Standardi, duke pasur në thelbin e tij mospërkryerjen, nënkupton dozën e detyrimit, të flijimit, pse jo, të trishtimit. Në këtë kah, ai mund të përcaktohet si një fitore jo e gëzueshme. E megjithatë, ai s’mund të ekzistojë veçse si i tillë. Ngadhënjimi i fshehur i tij do të shpalosej vetëm në rast humbjeje të tij. Në Europë nuk njihet asnjë rast që një standard, pas vendosjes, të jetë thyer. Është pikërisht rrënimi i standardit që po i propozohet sot Shqipërisë, pa kurrfarë përgjegjësie. Kjo është njësoj si të gërmosh një gropë të madhe, pa propozuar asgjë në vend të saj. Për t’u kthyer te mungesat, ato janë të gjitha të riparueshme. Varfëria e fjalorëve të gjuhës, mungesa e fjalorëve me një minimum doze etimologjie, si gjithkund në Europë, përparësia e parimit fonetik mbi atë morfologjik, që, për mendimin tim, duhej të ishte e kundërta. Për këto nuk ka ndonjë faj standardi, por mendja e ngushtë e padijësve tanë. Ashtu siç ka ndodhur në rastin e ftohtësisë me zanafillë politike ndaj autorëve katolikë të Veriut, e shtrirë pa kurrfarë logjike në sferën e gjuhës. E vetmja çështje dramatike që do ta vinte në faj të pandreqshëm standardin, do të ishte ajo e thesarit gjuhësor. Me fjalë të tjera, e lejon apo e pengon ky standard futjen e krejt thesarit në shqipen e sotme? Më lejoni që për këtë pyetje themelore t’ju përgjigjem me të vetmin tagër që mund të ketë një shkrimtar: atë të përdoruesit (makinistit) të gjuhës. Dhe përgjigjja do të ishte e prerë: me gjithë përgjegjësinë publike që vetvetiu mbart standardi i shqipes së sotme, ai s’përbën asnjë pengesë që thesari i dialekteve, në radhë të parë ai i së folmes veriore, të jetë pjesë e plotë, harmonike e krejt gjuhës. Sipas studimeve të gjuhëtarëve të njohur, duke përfshirë në radhë të parë veriorët, në shqipen e sotme letrare, që është motra e standardit, kanë hyrë e janë duke hyrë harmonikisht jo qindra, por mijëra fjalë dhe lokucione veriore. Ju mund të pyesni: po paskajorja? Dhe unë pikërisht për një rast të tillë do t’ju kujtoja shprehjen “fitore jo e gëzueshme”, që u përmend më lart.

E megjithatë, pa mohuar keqardhjen për flijimin e tij të detyrueshëm sipas ekspertëve, duke sjellë në kujtesë fillimin e më të famshmit monolog të letërsisë botërore “To be or not to be” të Hamletit, i cili në dy versionet e shqipes do të jepej ose me paskajoren gegë “me qenë a mos me qenë”, ose me lidhoren e standardit “të jesh a të mos jesh”, nuk do të besoja se do të gjendeshim përpara një drame gjuhësore. Sa për sofizmin e fundit të ndonjë filozofi, se gjuha e njëjësuar e sotme mund të krijojë një farë torture për fëmijët shqiptarë, mendim i njëzëshëm i specialistëve është se, ashtu si kalimi nga një gjuhë te tjetra, kalimi nga dialekti te gjuha letrare dhe nga kjo te standardi, jo vetëm nuk e dëmton inteligjencën e fëmijëve, por e ngre atë në një nivel më të lartë, çka do të ishte një dhuratë për të gjithë jetën e tyre të mëvonshme. Kam dëgjuar se fëmijët e Kosovës e përdorin me dëshirë dhe me shumë lehtësi shqipen e njëjësuar. Në qoftë se është kështu, ky do të ishte pa dyshim një lajm i mrekullueshëm dhe me një ngarkesë simbolike, madje profetike, jo vetëm për gjuhën, por për krejt kombin shqiptar.

– Për gjuhën shqipe ka mendime të ndryshme, nga lavdet më të mëdha tek e kundërta.

– Nuk ndodh vetëm me shqipen. Shqipja ka nxitur lavde të mëdha, shpesh mallëngjyese edhe për arsye se ka qenë një kohë e ndaluar. E kanë quajtur me fjalët më përkëdhelëse të botës, natyrisht naive, krejt të pavërteta e fëminore, si p.sh. nëna e të gjitha gjuhëve. Ndërkaq, kjo s’është ndonjë arsye që ne, për një farë drejtpeshimi, nga qumështi i nënës ť i kthehemi krahasimit me zinxhirë apo gijotina, siç u tha më lart. Gjuha shqipe, në hartën e idiomave botërore, ka një status shumë më të nderuar se ç’ kujtojnë përgjithësisht shqiptarët. Në trungun gjenealogjik të gjuhëve, në çdo botim serioz ajo hyn ndër dhjetë ose dymbëdhjetë gjuhët themeltare të Europës (brenda kufijve të saj), sikurse greqishtja e re, të dyja pa familje.

– Mos po fryn erë e përçarjes në mes dialekteve, tentimi për gjuhën kosovare, ndarja kombëtare?

– Natyrisht prirja për përçarje bëhet e dukshme, por kjo s’duhet as të na habisë e as të na ligështojë shpirtërisht. Duke qenë në natyrën njerëzore, ajo kalon te shoqëria, kombet, shtetet. Ka raste kur përçarja shfaqet me maskën e demokracisë, ashtu si tirania me maskën e unitetit. Përçarja bëhet veçanërisht shqetësuese kur kërkohet me ngulm, siç ndodh shpesh te ne. Në fazë pasdiktatoriale etja për të është njëfarësoj e kuptueshme, siç u tha më lart. Në të vërtetë koha është për të kundërtën.

Kombi shqiptar ndodhet sot në një kohë ndërtimi. Kjo s’është një metaforë. Është thelbi i kësaj kohe. Duke përdorur fjalën “ndërtim”, e kuptoj se ajo është problematike. “Ndërtimi i socializmit” është leksema më e shpërdoruar e kohës me të cilën jemi ndarë përgjithmonë. Ndërkaq, ne e dimë, dhe ju matanë kufirit e dini, se ajo që bënim ne ishte diçka që veç ndërtim s’mund të quhej. Mjaftonte zbërthimi i parullës kryesore të ditës: sa më shumë përparon socializmi, aq më e fortë bëhet lufta e klasave, për të kuptuar se ajo që ndërtohej s’ishte gjë tjetër veçse përçarje, trysni dhe terror. S’po zgjatem me shpalljet e tjera të kohës, si armiqësinë për vdekje me Europën, me Shqipërinë fener ndriçues, dhe vallen në gojën e ujkut, deri te ngrënia e barit si dëshmi besnikërie ndaj doktrinës. Ne i kemi lënë pas marrëzitë, por një pjesë e tyre kërkojnë të rikthehen. Dhe midis tyre është, padyshim, përçarja.

Botuar në rev. Gjuha shqipe 2014, nr. 3 (Instituti Albanologjik, Prishtinë)

blank

Prof. Kostaq Cipo, vizionar i procesit të formimit të shqipes letrare të përbashkët- Nga Prof. Emil LAFE

 

Në korrik 1949, kur kishte dorëzuar në Institut dorëshkrimin e veprës “Gramatika”, K. Cipoja botoi në shtyp skicën “Gjuhë dhe gramatikë”[i], në të cilën njofton lexuesit paraprakisht për përmbajtjen e veprës dhe shpreh idetë e tij për gjuhën letrare dhe për atë që quhet sot planifikim gjuhësor. Këto ide është mirë të dihen e të mbahen parasysh jo vetëm për hir të historisë së mendimit tonë gjuhësor, por edhe për të gjykuar më kthjellët edhe në diskutimet e sotme, pasi janë mendime e ide që i ka bluar e përbluar në mendje një gjuhëtar si K. Cipoja, i cili ndërtoi veprat themelore normative (ose preceptive[ii], siç e përdor ai) të gjuhës sonë në mesin e shekullit të kaluar dhe i dha një drejtim të mbarë në përgjithësi punës në këtë fushë. Le ta dëgjojmë:

“Kur thomi “gjuhë letrare” kuptojmë me këto dy fjalë gjuhën e literatyrës dhe të kulturës, një tip gjuhe që ka qenë dialekt në krye, po erth e u bë me kohë kombëtar për hir të proçesit të çkrahinarizimit dhe të përgjithësimit. Pa një proçes të tillë s’ka të folur që t’arrinjë tipin e një idiome letrare. Po a kemi ne sot një kësi dialekti të xhveshur nga krahinarizmat dhe të pajisur me tiparet fonetike dhe morfologjike të përbashkëta me tërë krahinat e mëmëdheut? …. Në valë të këtyre mendimeve isha, kur u ftuash nga Instituti i Shkencave të punoja një gramatikë (fonetik’ e morfologji)[iii] që t’ish e përshtatur për arsimtarin, për studentin e Institutit Pedagogjik, për studjozin e gjuhës … Me të pranuar ftesën, pyetjen e parë që i bëra vetes sime ka qënë kjo: “e në ç’dialekt do ta punoj unë gramatikën?” Duke shkuar në rivistë dialektet e ndryshme dhe prodhimet e tyre, m’u duk se e gjeta një, që ka qenë, në mos u gabofsha, idioma e traditës sonë kombëtare, gjuha e rilindjes sonë letrare dhe që premton të bëhet edhe e kulturës sonë popullore[iv].

S’ka kush të mohojë sot që Frashëri, i marrë me kuptim shumë të gjerë të kësaj fjale, ka qenë djep i shkrimevet letrare. Lënda e punuar n’atë dialekt sjell mblatën e një këngëtari të dashur, lëftimet e një zemre së madhe që rrahu për një Shqipëri të lirë, për një popull të xmbryer nga zgjedha, të veshur me mësime dhe të lumtur – Naimi. Po ka edhe më: librat shkollore, gazetat e revistat, botimet e Instituteve, këngët e rilindjes sonë, këngët revolucionare të luftës së popullit, fjalimet e ndezura të udhëheqësve të Luftës Nacional Çlirimtare, të gjitha këto janë shkruar toskërisht. Ahere edhe shkronjësi i këtyre radhëve vendosi ta punojë brumin në bazë t’atij dialekti që e ka sot qendrën më të madhe të zhvillimit në Tiranë, ku është udha-kryq e dialekteve të shqipes. Edhe nga pikëpamja gjuhësore po të vështrohet, toskërishtja që po zhvillohet në kryeqytet, do të fitojë tërë ç’i duhet për të çkrirë në njësi harmonike divergjencat që lindin nga zhvillimet gjuhësore, ajo do të bëhet instrumenti politik, shoqëror dhe artistik i mëmëdheut.”

Pra toskërishtja letrare e asaj kohe në sytë e K. Cipos i kishte të gjitha të dhënat për t’u zhvilluar më tej nëpërmjet çkrahinarizimit dhe përgjithësimit, duke arritur të fitojë cilësitë e gjuhës letrare kombëtare (atëherë termi gjuhë standarde nuk kishte dalë ende).[v] Por që kjo lëndë gjuhësore të arrinte shkallën e gjuhës letrare kombëtare nuk mjaftonin cilësitë e saj në vetvete. Toskërishtja letrare u bë baza e shqipes standarde të sotme, sepse “pushtoi” Tiranën, kryeqytetin, ku ishte dhe është qendra politike e administrative e vendit dhe qendra kryesore arsimore e kulturore. Në Tiranë kishte nisur çkrahinarizimi dhe përgjithësimi i domosdoshëm për të kaluar nga një dialekt letrar në një gjuhë letrare të përgjithshme. Për të kuptuar si ndodhi kjo le të hedhim një vështrim të shkurtër mbi Tiranën që kur u caktua kryeqytet në Kongresin e Lushnjës në janar 1920. Sipas regjistrimit të administratës austriake, më 1918 ajo kishte 10.200 banorë; sipas regjistrimit të vitit 1923 popullsia e qytetit të Tiranës kishte mbetur thuajse po aq: 10.845 banorë; më 1938 Tirana kishte 25.097 banorë, më 1945 – 59.950 banorë, më 1955 – 108.083 banorë, më 1960 – 137.664 banorë, më 1965 – 161.300 banorë, më 1970 – 171.000 banorë, më 1975 – 189.000 banorë, më 1980 – 194.000 banorë, më 1985 – 215.000 banorë, më 1990 – 243.000 banorë dhe më 2003 – 518.000 banorë. Shtimi mekanik i popullsisë së Tiranës për periudhën 1923–1938 ka qenë rreth 65%, për periudhën 1938–1945 mbi 75%, për periudhën 1945–1960 rreth 52%. Popullsia e vendosur në Tiranë deri më 1990 ka qenë përgjithësisht me prejardhje qytetare dhe e shkolluar, në pjesën më të madhe nga krahinat e jugut (në periudhën 1950–1990 u lejohej pasaportizimi në Tiranë kryesisht specialistëve dhe punëtorëve të kualifikuar); popullsia e ardhur në vitet 1992–2003 (në një masë të madhe nga krahina fshatare të pjesës verilindore të Shqipërisë) përbën rreth 47% të popullsisë së sotme të kryeqytetit.[vi] Nga këto të dhëna kuptohet se popullsia rrënjëse e Tiranës mbeti ndjeshëm në pakicë dhe e folmja vendore e Tiranës (gegërishte jugore), për më tepër duke mos pasur ndonjë traditë letrare, nuk mund të kishte ndonjë rol të dukshëm në procesin e mbrujtjes së gjuhës letrare në kryeqytet.

Në të vërtetë ndodhi ajo që kishte parashikuar Sami Frashëri më 1899, d.m.th. gjuha letrare e përgjithshme e shqiptarëve nuk do të ishte ndonjëri prej dialekteve letrare të kohës, por do të formohej në kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, ku banorët “do të jenë të mbledhurë nga gjithë anët’ e Shqipërisë, edhe gjuha që të flitetë atje, do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhetë gjuh’ e përgjithçime e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë.”[vii] Unë nuk besoj se me gjuhë të përzjerë Samiu ka parasysh një përzierje mekanike, sepse as atëherë, as tani nuk dihet ndonjë rast që një gjuhë letrare të jetë formuar në mënyrë të tillë. Përcaktori e përzjerë në formulimin e Samiut për mua ka pa dyshim kuptimin ‘jo e pastër’, d.m.th. një gjuhë që do të ketë përthithur elemente prej burimesh të ndryshme dialektore. Por këto elemente do t’i bashkohen një forme të caktuar ligjërimore që është mbizotëruese në përdorimin letrar (si e shkruar dhe e folur). Dhe kjo ishte, ta themi me fjalët e K. Cipos, ”toskërishtja që po zhvillohet në kryeqytet”. Këtë K. Cipoja e ndjeu me shqisën e tij të pagabuar të vrojtuesit të gjuhës, që më 1948, kur u ul të hartonte “Gramatikën” e tij, e cila shërbeu gjatë si gramatikë normative.

Le të përpiqemi të kuptojmë më shkoqur procesin e çkrahinarizimit e të përgjithësimit që përmend K. Cipoja. Çkrahinarizim ad litteram do të ishte “humbja e veçorive të ngushta dalluese krahinore, duke përgjithësuar format gjuhësore më të përbashkëta”, ose, po ta themi me një terminologji tjetër, krijimi i një forme gjuhësore mbidialektore, e cila me kohë merr shtrirje kombëtare, bëhet formë e përbashkët, në fillim e gjuhës së shkruar e më pas edhe të folur të një vendi. Ndërsa me përgjithësim unë besoj se duhet kuptuar përhapja shkallë-shkallë e kësaj forme gjuhësore si te folësit e vetë kryeqytetit, ashtu edhe në qytetet e krahinat e tjera. Të dyja këto procese ndodhën këtu në Tiranë dhe unë i kam jetuar si banor i Tiranës që nga viti 1955[viii]. Këtu eci përpara ai procesi i “çkrahinarizimit” dhe i përgjithësimit të toskërishtes, që e vuri atë në themel të gjuhës standarde shqipe.[ix]

Me këto arsyetime K. Cipoja përzgjodhi toskërishten si bazë dialektore për gramatikën e tij[x]. Intuita nuk e gaboi dhe me të vërtetë sot pranohet se dhe vatra ku u farkua dhe kudhra ku u rrah standardi i sotëm ka qenë dhe mbetet Tirana. Në këtë kuptim K. Cipoja është pa dyshim një vizionar i procesit të formimit të shqipes letrare të përbashkët dhe me veprat e tij “Gramatika” dhe “Sintaksa”, si edhe me “Fjalorin e gjuhës shqipe” (si kryetar i komisionit hartues) vuri bazat e punës së mëtejshme për kodifikimin e normës gramatikore të gjuhës shqipe, e cila rrodhi natyrshëm dhe mori një përcaktim më të përpiktë me “Gramatikën e gjuhës shqipe” të hartuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

Pas kësaj që u parashtrua, dua të shtoj pak fjalë edhe për çështjen aq shumë të diskutuar a është shqipja e sotme standarde e imponuar nga regjimi komunist. Gjuhëtarja amerikane Janet Byron në studimin e saj të njohur për formimin e shqipes standarde[xi] ka vënë në dukje se pjesa më e madhe e klasës politike shqiptare pas luftës vinte nga krahinat e jugut dhe kjo pati rolin e vetë përcaktues në ecurinë e procesit gjuhësor. Natyrisht kjo është e vërtetë, por jo krejt e vërteta. Le të kihet parasysh se edhe në organizatën politike të Ballit Kombëtar shumica dërrmuese, madje figurat më të shquara ishin nga krahinat e jugut (Mithat Frashëri, Abaz Ermenji, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, Koço Muka, Nuredin Vlora, Safet Butka, Skënder Muço, Thoma Orollogaj, ndërsa nga krahinat e veriut: Faik Quku, Fuat Dibra, Vasil Andoni, Xhafer Deva, Zef Pali)[xii]. Dhe kjo nuk ka qenë e rastit, por lidhet me shpërpjesëtimin e madh ndërmjet Jugut dhe Veriut të vendit në pikëpamje të gjendjes kulturore e arsimore. Më 1927 popullsia e Shqipërisë numëronte gjithsej 828.593 banorë. nga këta vetëm 62.889 ishin të shkolluar (me shkollë fillore 59.882, me shkollë të mesme 1773, me universitet 447 dhe 785 ishin për studime jashtë). Prej kësaj shume të përgjithshme 49.350 ose 78% ishin nga prefekturat e Jugut (Vlorë, Gjirokastër, Berat, Korçë) dhe vetëm 13.539 nga prefekturat e Veriut. Nga kjo statistikë kuptohet vetiu se udhëheqja komuniste e kohës nuk kishte nevojë të ndërhynte në ecurinë e formimit të gjuhës letrare. Edhe në rast se do të vinte në pushtet Balli Kombëtar, nuk ka dyshim se do të kishte ndodhur ndryshe. Të dyja këto forca politike përdorën gjatë viteve të luftës kryesisht toskërishten letrare dhe e shpërfillën dialektin zyrtar të shtetit. E reja që solli periudha e pasluftës në fushë të gjuhës, ishte mënjanimi i vetvetishëm i gegërishtes nga veprimtaria e shtetit. Gegërishtja letrare e shkruar u përdor në letërsi e në përkthime letrare, në publicistikë dhe në botime shkencore.

[i] Zëri i popullit, 20 korrik 1949 (ribotuar në revistën “Gjuha jonë” 2000, nr. 1–2).

[ii] Ital. precettivo – “që përmban një udhëzim, një normë, një rregull”.

[iii] K. Cipoja e nënshkroi kontratën për hartimin e “Gramatikës” më 23 mars 1948 (shih Robert Cipo, vep. cit., f. 237) dhe, me sa duket, pas kësaj date ka filluar nga puna. Në shkrimin ”Gjuhë dhe gramatikë” K. Cipoja e paraqit të kryer punën e tij dhe shton se sintaksa do të punohet më vonë. Në një njoftim të botuar te “Buletin i Institutit të Shkencavet”, 1949, nr. 3, f. 112, “Gramatika” e K. Cipos renditet ndër veprat që “janë gati dhe do të jepen së shpejti në shtyp” (është fjala për muajt nëntor-dhjetor 1949); te po ky “Buletin” (1950, nr. 1-2, f. 192) njoftohet se doli në qarkullim edhe “Gramatika shqipe” e K. Cipos”. Kontratën për “Sintaksën” K. Cipoja e ka nënshkruar më 1 shtator 1949 (Robert Cipo, vep. cit., f. 236) dhe sipas saj duhet ta ketë dorëzuar dorëshkrimin pas 12 muajsh. Në këtë periudhë K. Cipoja ka pasur një ngarkesë të madhe pune për “Fjalorin e gjuhës shqipe”. Nga dy faqe ndreqje gabimesh që ka “Sintaksa”, mund të gjykojmë se nga fundi i vitit 1951 libri ishte shtypur dhe autori arriti të bënte ndreqjen e gabimeve (vdiq më 6 janar 1952).

[iv] K. Cipoja me këtë arsyetim largohet nga ideja e krijimit të një shqipeje letrare mbi bazën e gegërishtes jugore a të elbasanishtes, që të ishte e pranueshme si për gegët ashtu edhe për toskët. Ai përpiqet ta zgjidhë problemin duke vlerësuar çka ishte arritur ndërkaq në zhvillimin e shqipes letrare në tërësi. Pas veprave të K. Cipos ideja e një kompromisi për një gjuhë letrare mbi bazën e elbasanishtes nuk u rimor.

[v] Lidhur me këtë përparësi të toskërishtes letrare edhe Idriz Ajeti më 1996 ka shkruar: “Kongresi i Drejtshkrimit veproi mirë e drejt kur sanksionoi njëzëri mendimin e pjesëmarrësve, duke gjykuar kësisoj: Nga gjysma e dytë e shek. XIX gjuha e shkruar shqipe kishte arritur një shkallë të mirë bashkafrimi në ndërtimin e godinës së madhe gjuhësore nëpërmjet elementeve të ndërsjella gege-toske, por rezultantja e tyre nuk ishte e barabartë: toskërishtja e shkruar me një strukturë të qëndrueshme trajtash, pse ruante një stad më të vjetër e më të drejtë formash, kishte arritur në një shkallë të atillë zhvillimi me shfaqje shkrimi sui generis toske; gegërishtet e shkruara nuk kishin mbërritur në shfaqjen e tyre të shkrimit një afrim që do t’i bashkonte të gjitha të folmet gege. … Gjuha e përbashkët shqipe, e sanksionuar në Kongresin e Drejtshkrimit, duke pasur në bazë të saj toskërishten, brenda një kohe tepër të shkurtër arriti në një shkallë stabiliteti të kënaqshëm.” (“Formimi i popullit shqiptar dhe i gjuhës së tij në rrjedhë të kohës” – në: Shekulli 21 Mendime dhe opinione. Gjonlekaj Publishing Company. New York USA, 1996, f. 116–117).

[vi] Të dhënat e mësipërme më janë kumtuar nga prof. Arqile Bërxholi.

[vii] Shqipërija ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë? Krye e tretë. VIII. Të ndarët’ e Shqipërisë. Bukuresht, 1899, f. 69-70.

[viii] Nuk duhet kuptuar sikur këto dy procese që përmend K. Cipoja nisën e u zhvilluan në Tiranën kryeqytet. Po përmend një pjesë nga paradhënia “Ortografisë” së vitit 1951, e hartuar nga A. Xhuvani, K. Cipoja dhe E. Çabej: “… që prej Rilindjes e tëhu, duke u shkruar gjuha e duke u përdorur si mjet kulture e marrëdhëniesh shoqërore, ka marrë një rrugë të mbarë në punën e zhvillimit e të unifikimit të saj, janë kristalizuar, thuajse pakuptueshëm, disa rregulla të gjuhës dhe është bërë njëfarë afrimi në mes të toskërishtes e të gegërishtes, duke e influencuar e para të dytën në punë të morfologjisë dhe e dyta të parën në punë të leksikut…. Si bazë për caktimin e rregullave drejtshkrimore është marrë fonetika e gjuhës, rryma e zhvillimit të saj në këto kohë të fundit dhe tendenca për t’i afruar sa është e mundur më shumë të dy dialektet, toskërishten e gegërishten… Është marrë parasysh edhe rryma e zhvillimit të gjuhës, e cila lëkundet ende në shumë fluktuacione … këto rregulla janë hartuar si të ngulitura për ato pika, që gjuha, duke u shkruar, i ka kristalizuar vetë në këtë gjeneratë të fundit.”

[ix] Rolin e kryeqytetit do ta shtjellonte më gjerë A. Kostallari në studimin “Mbi disa veçori strukturore e funksionale të gjuhës letrare shqipe të kohës sonë” (Studime filologjike 1970, nr. 2, f. 21–22) dhe më tej në referatin “Gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj”, ku shprehet se Tirana, “duke lidhur e bashkërenduar në një tërësi të vetme veprimtarinë e të gjitha qendrave shoqërore e kulturore të vendit, ka kryer e po kryen rolin e përpunuesit e të rrezatuesit kryesor të normës letrare të shqipes, duke ndikuar fuqimisht si rregullues i normalizimit të gjuhës së shkruar e të folur në shkallë kombëtare”. (Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20-25 nëntor 1972. I. Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Tiranë, 1973, f. 76–77). Por në të dyja këto punime nuk përmendet ideja e S. Frashërit, as parashikimi i K. Cipos.

[x] Të njëjtën zgjedhje kishte bërë edhe K. Kristoforidhi më 1882, kur e hartoi gramatikën e gjuhës shqipe mbi bazën e dialektit toskë. Por në atë kohë lëvizja kulturore e Rilindjes Kombëtare sapo kishte nisur, lëvrimi i toskërishtes ende nuk kishte marrë hov, dhe K. Kristoforidhi për këtë zgjedhje duket se u mbështet kryesisht te “relievi dialektor” më i butë i toskërishtes në krahasim me gegërishten, çka e lehtësonte dukshëm detyrën e tij.

[xi] Byron, Janet: Përzgjedhje midis alternativash në standardizimin e gjuhës. Rasti i shqipes. Dhe shkrime të tjera. Shtëpia botuese “Dituria”. Tiranë, 2012, f. 92–94.

[xii] Frashëri, Kristo: Mbi historinë e Ballit Kombëtar (Vështrim kritik). Botimet Dudaj. Tiranë, 2012, 155 f. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste (Labinot, 1943) përbëhej nga: Ramadan Çitaku, Naxhije Dume, Liri Gega, Tuk Jakova, Pjetër Kosta, Ymer Dishnica, Enver Hoxha, Kadri Hoxha, Hysni Kapo, Gjin Marku, Dali Ndreu, Gogo Nushi, Petro Papi, Bedri Spahiu, Vasil Shanto, Kristo Themelko, Koçi Xoxe (17 anëtarë, 10 nga Jugu, 7 nga Veriu).

blank

Dhimitër Kamarda, “Për një shqipe ‘të gjithakushme edhe të gjithakundme’ & të tjera vepërza”- Nga Anila Omari

Vepra e vëllimshme e përgatitur nga Dhori Qirjazi, tashmë e botuar nën logon e QSPA-së, u kushtohet disa kontributeve minore të Kamardës, që kanë mbetur në hijen e veprave të tij madhore “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese” (Livorno, 1864) dhe “Appendice al saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese” (Prato, 1866), por që kanë rëndësi për t’i vendosur në një kontekst më të plotë idetë e tij për gjuhën letrare shqipe dhe alfabetin e përgjithshëm të saj.

Qëllimi parësor i punimit ka qenë ndriçimi më i plotë i figurës së intelektualit të shquar arbëresh, Dhimitër Kamardës, në 200 vjetorin e lindjes së tij (tetor 2021), ku së pari vëmendja përqendrohet në përkthimin e studimit të Dora D’Istrias mbi kombin shqiptar sipas këngëve popullore, me titullin shqip “Fyletia e arbënore prej kënëkatë laoshima”. Për të arritur në përkthimin e Kamardës dhe ndriçimin e problematikës që lidhet me të, autori e ka parë me vend të paraqesë në libër materialet që çuan deri te ideja e Kamardës për përkthimin në shqip të këtij studimi dhe pastaj edhe gjuhës që përdori ai në këtë përkthim. Kështu në vëllim janë përfshirë origjinali frëngjisht i studimit të Dora D’Istrias, përkthimi shqip i tij prej Drita Siliqit si dhe përkthimi në italisht prej E. Artomit në 1867, i cili, siç vëren autori, duhet t’i ketë shërbyer si nxitës dhe model Kamardës për përkthimin e tij në gjuhën shqipe. Vijon ribotimi i përkthimit të Kamardës, i paraprirë nga parathënia e tij si shkrim origjinal prej 20 faqesh, në dy mënyra: faksimile e origjinalit dhe transkriptim në alfabetin e sotëm. Transkriptimi shoqërohet me shpjegime të natyrës leksikore që ndahen në dy pjesë: “e para shpjegon fjalë të tekstit të panjohura për lexuesin e sotëm, kryesisht neologjizma të Kamardës, duke iu referuar zakonisht origjinalit frëngjisht apo burimesh të tjera, ndërsa e dyta përqendrohet te greqizmat e shumtë të Kamardës”. Duhet theksuar se Kamarda është shumë e vështirë, madje e pamundur të lexohet e të kuptohet pa njohur greqishten. Sipas parimeve që ai vetë kishte përvijuar në parathënien e përkthimit të tij të punimit të Dora D’Istrias, Prekallëzimë, për fjalët abstrakte e diturore që nuk gjendeshin në shqipe, ai përdori së pari fjalëformimin me brumin e shqipes, dhe së dyti huazimin. Këtu u mbështet kryesisht në gjuhën greke, sipas idesë së tij të afërisë së shqipes me greqishten në kuadrin e teorisë “pellazgjike” të prejardhjes së të dy gjuhëve, dhe duke zgjedhur këtu ato fjalë që mendonte se kanë rrënjë të përbashkët me shqipen, pra që nuk ishin krejt të huaja. Siç konstaton autori, “greqizmat që përdor Kamarda nuk u përkasin përgjithësisht greqizmave specifikë të të folmeve arbëreshe”, pra janë greqizma që përdoren në greqishten e re. Së dyti, siç pohon me të drejtë autori: “përkthimi i Kamardës përfaqëson pas shumë gjasash ndërmarrjen më të thellë e më të gjerë neologjike që njohu shqipja e shkruar e shek. XIX dhe një nga pikat kulmore të neologjisë në mbarë historinë e shqipes”, gjithsesi neologjizma “të pafanë”, pasi nuk patën jehonë në lëvrimin e mëtejshëm të shqipes. Por ai shumë nga neologjizmat e formuara me brumin e shqipes, i krijoi sipas modelit semantik të greqishtes, pra në formë kalkesh kuptimore nga fjalët gjegjëse të greqishtes. Për këtë arsye, Dhori Qiriazi ka qenë studiuesi i duhur dhe ndoshta i vetmi ndër albanologët që mund të merrte përsipër të realizonte një ribotim të përkthimit të Kamardës në alfabetin e sotëm, duke shtuar dhe shënimet e nevojshme për fjalë të caktuara, pa të cilat leximi i veprës në kohën e sotme do të ishte i pamundur.

Parathënien e Kamardës, që është krijim origjinal i tij dhe me shumë vlerë për të njohur e kuptuar metodën që përdori Kamarda në krijimin e “idiolektit” të tij letrar, autori e ka përkthyer në shqipen e sotme, duke i qëndruar sa më pranë gjuhës dhe stilit të origjinalit autorial. Për sa i përket gjuhës letrare që krijoi Kamarda në këtë përpjekje të tij përkthimore, autori i vëllimit e ka parë me vend të botojë dy artikuj të studiuesve Gëzim Gurga dhe Anila Omari për këtë çështje, të cilët plotësojnë nga ana studimore parashtresën e Kamardës duke analizuar parimet dhe metodën e tij eklektike të krijimit të një gjuhe letrare të përbashkët për shqiptarët.

Në vijim autori i vëllimit, duke dashur të përcjellë jehonën që pati përkthimi i Kamardës ndër bashkëkohësit e tij dhe ndikimin që pati në kohë, sjell katër variante të përkthimit të parathënies së Kamardës nga Thimi Mitko të përshtatura në shqipen “ballkanike” të kohës së tij, të kryera në kohë të ndryshme që përfshijnë periudhën para vitit 1875 e deri në kohën pas vitit 1878. Vetë ky mbledhës e hulumtues i pasionuar i folklorit dhe i shkrimeve shqipe saktëson se e ka ripërshtatur punën e Kamardës në të folmen dangëllishte-toskërishte. Autori i ka ndjekur gjurmët e këtyre përshtatjeve dhe i ka mbledhur qoftë nga “Bleta shqiptare” qoftë në dorëshkrim nga Arkivi i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë. Një hipotezë e goditur e autorit është se studimi i Dora D’Istrias ka qenë për Mitkon “hyrja ideale për “Bletën shqiptare” që ai po përgatiste, madje “Bleta” do të mund të konsiderohej si një vazhdim i natyrshëm, me lëndë folklorike, i sprovës së njohur të Helenës së Gjikajve”. Mitkoja, siç ka vënë në dukje autori, ishte një urë lidhëse mes kolonive të reja të shqiptarëve, themeluar në shek. XIX, me atdheun mëmë, dhe, në anën tjetër, me arbëreshët e Italisë dhe arvanitët e Greqisë. Këto variante apo motërzime të Mitkos autori i sjell në alfabetin e sotëm të shqipes, të transliteruara nga alfabeti grek i origjinalit, dhe në një kapitull të veçantë që mbyll pjesën e parë të librit, i bën objekt të një studimi krahasues me përkthimin e Kamardës, duke vënë në çdo rast për ballafaqim edhe tekstin përkatës të origjinalit të Dora D’Istrias. Në këtë studim ai ndalet sidomos në përpjekjet e Thimi Mitkos për ta kthyer gjuhën eksperimentale “in vitro” të Kamardës në një shqipe të kuptueshme nga shqiptarët e Shqipërisë, një shqipe të gjallë, “in vivo”. Autori vë në dukje këtu një aspekt të pavënë re të punës së Mitkos me përkthimin e Kamardës dhe të autorëve të tjerë arbëreshe, faktin se ai ka përfshirë në veprën e vet leksikografike prurjet leksikore të tyre. Nga krahasimi me fjalorin e Mitkos që autori e ka përgatitur  e botuar më parë, atij i rezulton se Mitko është ndoshta “i vetmi që regjistroi sistematikisht fjalë të arbërishtes, dhe madje nuk la jashtë fjalorëve të vet edhe neologjizmat e “pafanë” të Kamardës, marrë kryesisht nga “Fyletia…”, në mënyrë selektive”. Që këtej del dhe një perspektivë studimi që shtron autori për sa i përket hartimit të një fjalori të neologjizmave të shqipes të periudhës së Rilindjes, në të cilin kjo vepër e Kamardës ka për të qenë burim i pasur, dhe, nga ana tjetër, vetë Fjalëtorja shqip-greqisht e Mitkos do të konsiderohet ndër veprat e para që i pasqyron neologjizmat në këtë masë.

Në pjesën e dytë të veprës paraqiten tri vepërza pak të njohura të Kamardës.

E para është një letër e gjatë në greqisht e Kamardës, botuar në gazetën greke Elpis në vitin 1861, pra më herët nga kontributet e tjera më të mëdha të tij. Kjo letër na bën të njohur me idetë dhe pikëpamjet e studiuesit arbëresh si dhe me faktin se ndërkohë ai e kishte gati veprën e tij të gjuhësisë historike-krahasuese në fushë të shqipes dhe pret mundësinë e botimit të saj.  Që këtej mësojmë se Kamarda e kishte përfunduar që në vitin 1861veprën madhore të tij “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese” e cila u botua në vitin 1864.

Përmes kësaj letre mësojmë evoluimin e ideve të Kamardës në çështjen e gjuhës së përbashkët letrare shqipe. Në këtë letër, në përputhje me idenë e tij për rrënjët e përbashkëta pellazgjike të shqipes dhe greqishtes, ai shkruante:

“Gjuha e shqiptarëve, duke qenë dialekt i kryehershëm i greqishtes së qëmoçme, mund të selitet dhe të drejtshkruhet më tej; sigurisht, jo për t’u bërë gjuhë letrare, çka është e pamundur dhe e padobishme për shqiptarët, por për t’u ruajtur, sa i lejohet, e gjallë dhe e pacenuar, si një jehonë e moteve pellazgjikë, dhe për t’u përdorur si mjet përvetësimi të kulturës greke, në dobi të atyre që e flasin.”. Me kalimin e kohës, siç vë re dhe autori, “Kamarda do t’i rimarrë këto ide dhe më 1869 do të botojë një broshurë të shkurtër, me të cilën propozon që shqipja të shkruhet, sipas rastit, me dy lloj alfabetesh, mbështetur gjegjësisht në alfabetin grek dhe latin”.

Këtë lloj evolucioni kanë përjetuar edhe përfaqësues të tjerë të Rilindjes kombëtare, si Thimi Mitko apo Jani Vreto. Nga adhurues të gjuhës dhe kulturës greke në fillimet e veprimtarisë së tyre kulturore-letrare, me përparimin e Rilindjes dhe rritjen e ndërgjegjes kombëtare ata u shndërruan në patriotë të flaktë shqiptarë e madje kundërshtarë të helenizmit.

Një vepërz tjetër e Kamardës që është përfshirë në vëllim është ajo mbi Alfabetin e përgjithshëm të shqipes (Alfabeto generale albano-epirotico) i vitit 1869, i riprodhuar në mënyrë anastatike.

Vepërza e tretë është një përmbledhje e tri këngëve popullore shqipe të Epirit (Shqipërisë së Jugut) që i kushtohen kryengritjes greke të vitit 1821-27, botuar në Livorno në 1875. Edhe kjo vepër është riprodhuar si faksimile e origjinalit. Vjershat, dy nga të cilat i kushtohen vdekjes së Marko Boçarit dhe njëra kryengritjes greke, janë përshtatur në italisht në prozë dhe janë pajisur me shënime shpjeguese nga Kamarda. Kjo vepërz është përkthyer në italisht nga Vilma Proko.

Autori i vëllimit që kemi në dorë i ka kushtuar një paragraf problemit të kërkimit të vjershave origjinale shqip dhe, në bazë të një njoftimi të Vilma Prokos, ka rënë në gjurmë të këtyre vjershave të botuara nga Thimi Mitko në Bletën shqiptare të botuar në Aleksandri. Vjershat riprodhohen si faksimile të origjinalit dhe të transkriptuara.

Më në fund, në vëllim është përfshirë edhe një broshurë e Kamardës me titull “Pochi versi in greco”, botuar në Livorno në vitin 1874, edhe kjo riprodhuar si faksimile e origjinalit dhe e përkthyer në shqip prej Anna Shkrelit.

Autori vë në dukje në një paragraf më vete edhe një kontribut gjuhësor të Kamardës për një përkim të tipologjisë “ballkanike” mes greqishtes dhe shqipes, po edhe gjuhëve të tjera si bullgarisht e arumanisht, për sa i përket formimit të së ardhmes me do, duke riprodhuar edhe dy faqet origjinale të Kamardës nga vepra “Saggio di grammatologia comparata…” ku trajtohet kjo çështje.

Vepra e përgatitur nga Dhori Qiriazi hedh një dritë më të qartë e më të plotë në figurën e Dhimitër Kamardës, i cili me veprën e tij albanologjike dhe me idetë e përpjekjet e veta për një gjuhë të përbashkët të letërsisë shqipe, në funksion të bashkimit të shqiptarëve për pavarësim nga sundimi turk, mund të renditet me plot të drejtë ndër pararendësit e veprimtarëve të Rilindjes kombëtare shqiptare. Paraqitja e plotë e përkthimit të tij të studimit të Dora D’Istrias në alfabetin e sotëm dhe me shpjegimet e neologjizmave dhe huazimeve të tij të shumta, sidomos nga greqishtja, si dhe kthimi në gjuhën e sotme i parathënies së tij origjinale, për herë të parë këto në studimet tona filologjike, i japin lexuesit dhe studiuesve të ardhshëm një lëndë të gatshme për studime të mëtejshme mbi gjuhën e tij letrare. Në këtë drejtim kontribuojnë edhe shkrimet e tjera minore të Kamardës të paraqitura në këtë vëllim.

Marrë nga ExLibris

blank

Porosia e madhe e Ismail Qemalit për gjuhën shqipe- Akademik Gjovalin Shkurtaj

 

Me rastin e 110-vjetorittë Pavarësisë së Shqipërisë (1912-2022), me dëshirën e mirëqë ta shtojmë kujdesin për kulturën e gjuhës shqipe në të gjitha botimet me karakter zyrtar e publik dhe në praktikën shkrimore e kumtuese të administratës shtetërore, po ritheksoj një porosi të vyer e të rëndësishme të themeluesit të shtetit shqiptar,Ismail  Qemalit.

Qoftë e bekuar kjo festë e madhe e Kombit tonë, qofshin të paharrueshëm Ismail Qemali dhe të gjithë ata që përkrah Tij bënë të mundur të ngrihej flatrakuq e mirësindjellës Flamuri i Shqipërisë!

Me këtë rast, bashkë me urimet e mia më të mira për të gjithë juve dhe për të gjithë dashamirët e shqipes,shqiptarisë e Shqipërisë, po lejohem t’ju përcjell dhe një vlerësim për gjuhën e shtetit dhe të administratës shtetërore e të mediave shqiptare,që buron pikërisht nga një ide e madhërishme dhe e pavdirë e Isamil Bej Vlorës, themeluesit të shtetit të parë shqiptar:

Shteti dhe krejt shoqëria shqiptare duhet të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është sot shenjë e tregues kulture. Gjuha letrare është një synim i përhershëm i njeriut tonë, sidomos i të rinjve të shkolluar e të profilizuar thellë e ethshëm në shkencën, artin e dijet bashkëkohore, prandaj edhe përbën një dukuri reale e që nuk është as thjesht punë gjuhësie, as thjesht objekt kundrimi vetëm për gjuhëtarët.

Mbi të gjitha, kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kujdesi dhe kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që shtrohet për herë të parë sot, por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend edhe një herë se, këtu e 110vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë:

“Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit.Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provimnë gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”26

Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit’ (Gazeta “Sot”, 20 nëntor,2013, f.17) dhe në librin “Kultura e gjuhës sot”(Botime Pegi,2022).

Mendova t’i ritheksoj këto vlerësime për gjuhën shqipe në administratën publike dhe, enkas, për kujdesin që duhet të tregojë ndaj saj shteti (në rastin tonë: shtetet) dhe institucionet në krejt hapësirat shqiptare ballkanike, pikërisht se shqipja e njësuar dhe e përbashkët (standardi) është përkrahur me entuziazëm edhe në Republikën e Kosovës, i cili, ndërkaq, ndonëse është ”shteti më i ri i Evropës”, për fatin e bardhë të popullit shqiptar, qysh nga viti 1968 me Konsultën e Prishtinës, pastaj me pjesëmarrjen e gjerë e të shënueshme të përfaqësuesve të intelektualëve të Kosovës në Kongresin e Drejtshkrmit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe në të gjitha konferencat shkencore madhore në përkujtim të atyre dy ngjarjeve të rëndësishme shkencore e kombëtare, zbatimi i shqipes së njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese edhe në Kosovën e kohës e të kushteve të atëhershme, ka qenë si të thuash “autostrada” e përbashkësisë shprehëse të dyja pjesëve të kombit shqiptar dhe, sivjet në muajin nëntor, me rastin e përkujtimit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, do të përmendet me gjithë poninë dhe nderimin që i takon togfjalëshi gordian “Një komb-një gjuhë letrare”, të formuluar nga akademiku kosovar, i ndjeri dhe i shquari, akademik Ali Hadri, në artikullin e tij programatik të prillit 1968. Ai artikull dhe sidomos ajo ide e madhe e përbashkimit shpirtëror, kulturor e gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dorëmbarë e frymëgjatë, prandaj edhe në mjediset e botimet shkencore të gjuhëtarëve është pohuar se “pa Konsultën e Prishtinës (prill 1968) nuk do ta kishim pasur Kongresin e Drejtshkrimit”. (Shih edhe Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike (1966-1974) Ditar, I, Botimet Toena, Tiranë, 2014, f.96-98)

E kalofshi sa më bukur këtë ditë të madhërishme të Kombit tonë!

blank

Orioni hyn në orbitën hënore

VOAL- Anija kozmike Orion e NASA-s hyri në orbitën hënore të premten, në ditën e dhjetë të misionit Artemis 1. Kështu tha agjencia hapësinore amerikane. “Gjatë kësaj orbite hënore, kontrollet e fluturimit do të monitorojnë sistemet kritike të Orionit dhe do të kryejnë kontrolle në lidhje me mjedisin e thellë të hapësirës,” tha agjencia në një postim në blog.

Kapsula e re Orion, e cila pritet të sjellë astronautët në Hënë në vitet e ardhshme – e para që ka shkelur atje që nga misioni i fundit Apollo në 1972 – aktualisht është më shumë se 64,000 kilometra larg hënës. Në këtë distancë, do të duhen jo më pak se gjashtë ditë për të mbuluar gjysmën e orbitës së Hënës përpara se të fillojë udhëtimi i kthimit në Tokë. Ky fluturim i parë provë pa pilot duhet të shërbejë për të garantuar sigurinë e mjetit.

Zbarkimi në Oqeanin Paqësor është planifikuar për 11 dhjetor 2022, pak më shumë se 25 ditë pas nisjes. Suksesi i këtij misioni do të përcaktojë të ardhmen e Artemis 2, e cila do të sjellë astronautët në hënë pa u ulur, dhe të Artemis 3, e cila do të shënojë përfundimisht kthimin e njeriut në sipërfaqen hënore. Këto dy misione janë planifikuar zyrtarisht për 2024 dhe 2025 respektivisht. RSI-EB

blank

Biografia e fshehur e delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 nga Kastriot Myftaraj

Kongresi i Drejtshkrimit - Tiranë 20-25 Nëntor-1972

Kongresi i Drejtshkrimit – Tiranë 20-25 Nëntor-1972

Biografia e fshehur e delegatëve

të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972

nga Kastriot Myftaraj

Krijimi i gjuhës letrare të njësuar shqipe me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, ishte natyrisht më e mira që mund të pritej nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili përgjithësisht kishte prirjen t’i bënte keq, duke qenë se gjithçka e shikonte nën prizmin e tij të shtrembër stalinist. Stalini, ati ideologjik i Enver Hoxhës, para vdekjes e shpalli veten edhe gjuhëtar dhe botoi një libër në këtë fushë. Kjo është gjithçka që mund të thuhet për arritjen e Kongresit të Drejtshkrimit, nëse ke prirjen të thuash diçka të mirë për të. Por është absolutisht e papranueshme që arritja e këtij kongresi të shihet si një dogmë, si një kulm i shkencës gjuhësore shqiptare, së cilës nuk mund t’i preket asgjë. Kjo ide e ka prejardhjen te logjika e Leninit që thoshte se filozofia marksiste është derdhur si një trup çeliku, të cilit nuk mund t’i heqësh asnjë copëz. Do të thotë se meqënëse çdo produkt i kësaj filozofie, pra edhe gjuha e njësuar shqipe e vitit 1972, është një trup çeliku i tillë, i paprekshëm.
Ky nuk është qëndrim prej shkencëtarësh, por prej sharlatanësh. Produkti i Kongresit të vitit 1972, duhet rishikuar edhe për shkakun se ata që e morën vendimin nuk e kishin nivelin shkencor për të marrë vendime të tilla.
Është krijuar miti intelektual sikur delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 që vendosi për standardin e gjuhës shqipe, që është në fuqi edhe sot, qenë specialistë të gjuhësisë. Kritikët e tyre shpesh shpërfillen si joekspertë. Në të vërtetë, mjaft që të kqyrësh biografinë intelektuale dhe më gjerë se aq, të delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit, që të bindesh se ata nuk kishin formimin e duhur akademik dhe intelektual, për të marrë një vendim afatgjatë mbi standardin e gjuhës shqipe.

Delegatët e Kongresit në polifoto

Delegatët e Kongresit në polifoto

I pari në listën e 87 nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është Thoma Deliana, ministër i Arsimit dhe i Kulturës i Shqipërisë së kohës. Thoma Deliana kishte ndërprerë shkollën e mesme në Elbasan, në vitin 1943 (ai ishte nxënës i Shkollës Normale), për të dalë partizan. Pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, Thoma Deliana u dërgua në Moskë për të kryer një shkollë të Komsomolit (Rinisë Komuniste), e cila përgatiste burokratë të kësaj organizate. Ndonëse Thoma Deliana kishte këtë arsimim, Enver Hoxha, në 1965 e bëri atë Ministër të Arsimit dhe të Kulturës, post të cilin Deliana e mbajti për 11 vjet, deri në 1976. Thoma Deliana është emblematik për shkallën intelektuale të regjimit të Enver Hoxhës, që 28 vjet pas ardhjes në fuqi kërkonte të vendoste standardin e gjuhës shqipe. Gjithashtu, Thoma Deliana është emblematik edhe për diçka tjetër. Gjuha e huaj e vetme që njihnin pjesa më e madhe e delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit ishte rusishtja, për ata nga Republika e Shqipërisë dhe serbokroatishtja për ata nga trojet shqiptare në Jugosllavi. Këtu e kam fjalën për gjuhën e huaj që dinin në atë kohë, se pas vitit 1972 dhe deri më sot, mund të kenë mësuar të tjera. Por, kur vendoset standardi i një gjuhe si shqipja, vendimtare është çështja se cila gjuhë e huaj ndërkombëtare do të shërbejë si pikë referimi për huazimet. Natyrisht se në vitin 1972, nuk duhet të kishte dilema, si e tillë duhet të shërbente anglishtja, kjo dhe për faktin se gjeneratat e shqiptarëve të diasporës, të cilët në pjesën më të madhe janë njohës të anglishtes, do ta kenë më të lehtë që ta mësojnë shqipen. Por shqipja standarde mbeti e mbushur me huazime nga gjuhët sllave, greqishtja, të cilat ishte dashur të zëvendësoheshin me huazime nga anglishtja. Por, pothuajse asnjë prej delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit nuk e njihte anglishten. Natyrisht se anglishtja si gjuhë referimi ishte një anatemë për regjimin e Enver Hoxhës, por as delegatët nuk qenë në gjendje të gjykonin mbi këtë çështje.

Numri 2 në listën e nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit është Prof. Androkli Kostallari. Androkli Kostallari, si drejtor i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë prej vitit 1958 dhe në vazhdim i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë (më pas Instituti i Gjuhësisë) deri në vitin 1990, ishte “eksperti” kryesor i gjuhësisë në Kongresin e Drejtshkrimit. Nuk mund të thuhet se i tillë ishte gjuhëtari më i njohur shqiptar i kohës, Eqrem Çabej, se atë regjimi i Enver Hoxhës nuk e bëri drejtor, siç e meritonte. Androkli Kostallari kishte kryer studimet universitare në Moskë, për gjuhë dhe letërsi ruse, me specialitet për gazetari. Shumëkush mund të thotë se në atë kohë nuk kishte se ku të studionte tjetër, por faji ishte i regjimit të Enver Hoxhës që nuk dërgonte më studentë në universitetet perëndimore, ku kishte katedra albanologjie serioze. Në çdo rast, Kostallari nuk kishte profilin e nevojshëm akademik për të patur në Kongresin e Drejtshkrimit atë rol që pati. Androkli Kostallari, përveçse drejtor ishte dhe përgjegjës i sektorit të leksikologjisë dhe leksikografisë në Institut, që prej vitit 1955 dhe deri në 1990. Mbi Kostallarin bie përgjegjësia e madhe që leksiku i gjuhës shqipe standarde është i mbushur me sllavizma dhe greqizma.

I treti në listën e nënshkruesve të Rezolutës është Prof. Mahir Domi. Ai kishte ishte diplomuar në Universitetin e Grenoble, në Francë, në 1941, për gjuhësi klasike (latinisht, greqishte e vjetër dhe frëngjishte klasike). Por në Universitetin e Grenoble nuk kishte një katedër albanologjie. Prandaj Mahir Domi nuk studioi pranë asnjë albanologu qoftë edhe pak të njohur. Mahir Domi kur u kthye në Shqipëri punoi si mësues i latinishtes në Shkollën Normale të Elbasanit (shkollë e mesme). Ai u arrestua nga italianët në maj 1943, si një nga nxitësit e arratisjes masive të nxënësve të Shkollës Normale, të cilët shkuan në mal me partizanët. Por Domi nuk u internua në ishujt e Italisë; ai u lirua pas tre muajsh, para kapitullimit të Italisë. Merret vesh, ai firmosi për policinë sekrete fashiste, OVRA. Regjimi i Enver Hoxhës i pëlqente shumë këta njerëz për t’i keqpërdorur. Mahir Domi drejtoi sektorin e gramatikës dhe të dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë nga viti 1957 në 1991. Domi nuk i kishte aspak atributet akademike për të qenë eksperti kryesor i ndërtimit të standardit gjuhësor në këto çështje kaq themelore të tij, që kishin të bënin me gramatikën dhe pikëpamjen për dialektet.

Profesor Eqerem Çabej

Profesor Eqerem Çabej

I katërti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Prof. Eqrem Çabej. Prof. Çabej ishte i vetmi ndër delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit që kishte atributet akademike për t’u quajtur ekspert. Ai kishte diplomuar në Austri për gjuhësi krahasuese indoeuropiane dhe për albanologji në Graz dhe në Vienë të Austrisë, dy universitete me traditë në studimet albanologjike. Por Eqrem Çabej u privua që prej vitit 1944, pra që prej moshës 36 vjeç, nga mundësia për të thelluar studimet në katedrat e albanologjisë të Universiteteve perëndimore. Gjithashtu, Prof. Çabejit nuk iu dha vendi meritor në hierarkinë zyrtare të gjuhësisë shqiptare, ku postet që duhet të mbante ai i kishin zënë uzurpatorët sharlatanë. Një provë për këtë është dhe fakti se seria veprave të prof. Çabejit kishte filluar të botohej në Kosovë, para se kjo gjë të niste të bëhej në Shqipëri. Në fakt Vepra e Çabejit nuk u botua në Shqipëri sa kohë ishte në fuqi regjimi komunist. Emri i prof. Çabejit është keqpërdorur nga ata që duan të legjitimojnë Kongresin e Drejtshkrimit, por fakti është se Prof. Çabejit nuk iu dha mundësia që të shprehet si ekspert në Kongresin e Drejtshkrimit. Deri më sot ata që pretendojnë të kundërtën nuk kanë mundur të sjellin asnjë dokument.

I pesti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Prof. Idriz Ajeti, atëherë dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Idriz Ajeti, i cili ka lindur në Tupallë të Medvegjës, e ka kryer në turqisht arsimimin e tij që prej klasës së parë të shkollës fillore dhe deri në përfundim të shkollës së mesme. Idriz Ajeti u lind në 1917, dhe u shkollua në kohën e Jugosllavisë monarkiste, ku arsimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar. Shqiptarët muslimanë si Ajeti mund të shkolloheshin vetëm në turqisht, përveç serbishtes. Idriz Ajeti kreu Medresenë Mbretërore të Shkupit, një shkollë me bazë teologjike islame, ku mësimet bëheshin në turqisht dhe arabisht. Në 1938, ai filloi studimet për gjuhë dhe letërsi serbokroate në Universitetin e Zagrebit, të cilat nuk i përfundoi. Ajeti do t’i përfundonte studimet universitare vetëm në 1949, në Universitetin e Beogradit ku diplomoi për Romanistikë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur një pjesë e trojeve shqiptare në Jugosllavi iu bashkuan Shqipërisë shtetërore, Ajeti shkoi për të kryer një kurs pranë albanologut italian Tagliavini, në Padova. Por, në periudhën e shkurtër që Ajeti qëndroi në Itali, thjesht u konstatua mangësia kryesore që e pengonte të bëhej albanolog, fakti se Ajeti asnjë cikël të shkollimit të tij nuk e kishte bërë në gjuhën shqipe. Natyrisht se në rrethanat në të cilat gjendeshin shqiptarët në Jugosllavi, Ajeti ishte i vlefshëm për të ndërtuar shkollën shqiptare atje, por ai nuk kishte profilin e duhur akademik për të marrë vendimin afatgjatë për gjuhën standarde shqipe.

I gjashti në listën e nënshkruesve të Rezolutës është Prof. Dhimitër Shuteriqi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Sigurisht që në një kongres ku do të vendosej për standardin e shqipes duhet të merrnin pjesë edhe shkrimtarë, por problemi me Prof. Shuteriqin ishte se ai pati vetëpohuar dështimin e tij si shkrimtar, kur në vitet pesëdhjetë nisi të shkruajë me bujë të madhe një roman epope, siç quhej në gjuhën e realizimit socialist një roman shumëvëllimësh. Por Shuteriqi e ndërpreu botimin e këtij romani me temë nga lufta partizane, pasi botoi vëllimin e dytë, se e kuptoi dhe vetë se ishte krejt i paaftë për këtë punë. Që prej vitit 1955, nuk botoi më asnjë roman deri në 1998! Prof. Shuteriqi nuk kishte as shkollim gjuhësor, se ai pati studiuar në Grenoble të Francës për filozofi.

I shtati në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Prof. Aleks Buda, i prezantuar si “historian në Institutin e Historisë”, i cili dy muaj më pas do të emërohej kryetar i Akademisë së Shkencave. Aleks Buda, ndonëse kishte nisur studimet universitare në Vienë për filozofi dhe letërsi, ai nuk mundi që të diplomohet dhe u kthye në Shqipëri pa diplomë universitare. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Aleks Buda nuk ka dorëzuar asnjë diplomë universitare në të gjitha institucionet shkencore ku ka punuar dhe ku është paguar. Që Aleks Buda nuk arriti të diplomohet kjo gjë del tërthorazi dhe nga kujtimet e tij, të botuara nga vajza e tij, ku nuk thotë se u diplomua. Aleks Buda ishte i vetmi historian që mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit dhe kjo ndodhi se ai ishte përzgjedhur për t’u bërë kryetar i Akademisë së Shkencave dhe emri i tij duhej të figuronte në Rezolutë. Është absurde që në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të figurojnë edhe njerëz pa diplomë universitare. Kur ky është kryetari i ardhshëm i Akademisë së Shkencave, kjo tregon joseriozitetin total të atyre që organizuan këto farsa shkencore.

I teti në listën e firmëtarëve është Dr. Rexhep Qosja, i prezantuar si drejtor i Institutit Albanologjik, Prishtinë. Në 1972, Rexhep Qosja nuk e kishte nivelin e duhur akademik për të qenë vendimmarrës për një çështje kaq madhore sa standardi i shqipes. Ai ishte emëruar drejtor i Institutit Albanologjik vetëm pak muaj më parë. Rexhep Qosja firmosi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit vetëm pesë vjet pasiqë kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës! Ai diplomoi në 1967, në moshën 31 vjeç. Sesi një njeri mund të bëhet ekspert për të marrë vendime kaq të rëndësishme si ai i Kongresit të Drejtshkrimit, vetëm pesë vjet pas përfundimit të gradës së parë të studimeve universitare, dhe pa kryer asnjë gradë tjetër të studimeve pasdiplomike, kjo është një gjë të cilën Rexhep Qosja nuk parapëlqen ta shpjegojë. Por kjo tregon joseriozitetin e tij si shkencëtar, të organizatorëve të Kongresit të vitit 1972, dhe të vetë Kongresit. Rexhep Qosja erdhi në Kongres me gradën shkencore doktor dhe me hijen e drejtorit të Institutit Albanologjik, pra si koka më e madhe e madhe e Albanologjisë në trojet shqiptare në Jugosllavi pas Idriz Ajetit. Në fakt Rexhep Qosja nuk kishte as njohuritë që normalisht duhet t’ i kishte një student mesatar i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për arsye që dihen, niveli i mësimdhënies universitare në Prishtinë atëherë ishte i ulët. Rexhep Qosja doktoroi me ngut me një temë mbi Asdrenin, para se të kryente studime pasdiplomike, në mënyrë që të vinte në Kongres me një gradë shkencore. Por Rexhep Qosja, në 1972, kur firmoi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, në moshën 36 vjeçare nuk pati botuar asnjë libër si gjuhëtar. Një të tillë madje ai nuk e ka botuar as sot e kësaj dite pas 40 vitesh. Më pas, Qosja u dëshmua të jetë një sharlatan i çuditshëm, ashtu që ai befas pretendoi të jetë politolog, historian dhe shkruajti libra të vëllimshëm në këto fusha dhe për të cilat vetëm qeveria e kryesuar nga një katundar i një katundi të pazhvilluar si Hashim Thaçi, mund të kishte idenë e çuditshme për t’i përmbledhur në një korpus shumëvëllimësh me shpenzimet e shtetit.

I nënti në radhë, ndër nënshkruesit e Rezolutës është Prof. Shaban Demiraj. Ky ishte edhe anëtar i komisionit organizator të Kongresit të Drejtshkrimit dhe një njeri me peshë në të, se ishte përgjegjës i katedrës së gjuhësisë në Universitetin e Tiranës nga viti 1962 në 1989. Shaban Demiraj nuk e kishte shkollimin e duhur për të kryer asnjë nga këto detyra. I lindur në 1920, në Vlorë, ai kishte kryer medresenë e Tiranës, një shkollë e mesme teologjike islamike, nga ku doli imam. Më pas ai shkoi me studime në Egjipt, në Universitetin e Kajros, të cilin nuk e përfundoi. Ai kishte kryer Institutin Pedagogjik në Shqipëri, që ishte një shkollë e lartë dyvjeçare që përgatiste mësues për shkollat shtatëvjeçare dhe ato të mesme. Me këtë shkollim krejt të mangët për një shkencëtar, Demiraj u bë një nga kokat e mëdha të gjuhësisë shqiptare. Me rastin e Kongresit të Drejtshkrimit, ai në 1972 botoi me ngut librin e tij të parë, “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”.

I dhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës është Lirak Dodbiba, i cili prezantohet si Bashkëpunëtor i vjetër shkencor. Sipas sistemit të kualifikimit shkencor të kohës, ky ishte një titull shkencor dhe jo një gradë shkencore. Titujt shkencorë, “bashkëpunëtor shkencor”, dhe “bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, përgjithësisht u jepeshin atyre që regjimi nuk donte t’ju jepte mundësi të bënin karrierë shkencore. Karriera shkencore përgjithësisht që fillonte me gradën “kandidat i shkencave”, për të vazhduar me gradën “doktor”. Në vitin 1972, Lirak Dodbiba kishte mbetur ende “bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, në moshën 60 vjeçare, dhe i tillë mbeti deri kur vdiq në 1982. Lirak Dodbiba kishte diplomuar në Universitetin e Lionit për pedagogji. Si të gjithë ata me shkollim perëndimor, ai nuk pëlqehej nga regjimi komunist. Fakti që ai kishte mbetur jashtë karrierës shkencore, të jep të kuptosh se në Kongresin e Drejtshkrimit ishte thirrur me funksion thjesht dekorativ.

I njëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Kolë Koci, i prezantuar si Mësues i Popullit. Kolë Koci, i lindur në Pogradec, i cili në atë kohë ishte 70 vjeç, ishte një nga veteranët e pedagogjisë shqiptare. Ai kishte diplomuar në Lion të Francës për pedagogji. Megjithatë regjimi komunist nuk e gjeti të përshtatshëm për karrierë shkencore, dhe ai nuk mori asnjë gradë apo titull shkencor deri në vdekje, në 1989. Shaban Demiraj, hoxha me diplomë të Institutit Pedagogjik merrte titujt shkencorë njëri pas tjetrit dhe Lirak Dodbiba e Kolë Koci me diploma universitare franceze, nuk merrnin asnjë gradë shkencore. Kolë Koci e meritonte të ishte delegate në çdo kongres për standardin e gjuhës shqipe, por në Kongresin e vitit 1972, ai ishte thjesht me funksion dekorativ.

I dymbëdhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte magjistër Remzi Nesimi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Akademinë Pedagogjike, Shkup. 39 vjeçari Remzi Nesimi nga fshati Odri i Tetovës, në jetëshkrimin e vet zyrtar, të publikuar edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, pretendon se ka diplomuar në Beograd për Albanologji, në 1960. Ky është një pretendim sharlatanor se Albanologjia është një term shumëpërfshirës shkencor, që përfshin shumë degë të shkencës, që prej gjuhësisë, letërsisë, historisë, etnografisë etj. Në të vërtetë në Universitetin e Beogradit në atë kohë kishte tashmë një katedër të Albanologjisë, ku studioheshin disiplina të ndryshme të albanologjisë, dhe ku mund të bënin studime të thelluara studentët që kishin kryer shkallën e parë të studimeve universitare. Ata si Remzi Nesimi që pretendojnë se kanë studiuar dhe diplomuar për Albanologji në shkallën e parë të studimeve, në të vërtetë kanë studiuar dhe diplomuar për gjuhë dhe letërsi serbokroate, duke pasur dhe gjuhën shqipe si drejtim të dytë. Grada shkencore “magjistër”, që mbante Remzi Nesimi, ishte baras me atë të kandidatit të shkencave në Shqipëri. Një fakt domethënës: Remzi Nesimi do të doktoronte në Prishtinë, vetëm 17 vjet pasiqë firmosi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit.

I trembëdhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Jorgji Gjinari, i prezantuar si bashkëpunëtor i vjetër shkencor dhe gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë. Jorgji Gjinari, në atë kohë 41 vjeç, kishte diplomuar në Institutin Pedagogjik dyvjeçar, në 1955, dhe nuk kishte asnjë gradë shkencore posë këtij titulli më tepër honorifik. Ai nuk kishte botuar asnjë libër në atë kohë. Megjithatë ai ishte titullar i kursit të dialektologjisë në Universitetin e Tiranës, nga viti 1958, deri në vitin 1989.

I katërmbëdhjeti në listën e atyre që nënshkruan Rezolutën ishte docent Anastas Dodi, zëvendësdekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Anastas Dodi, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç, pati diplomuar në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Tiranës. Ai pati kryer një specializim njëvjeçar në Universitetin e Leningradit në Bashkimin Sovjetik, në 1960-61. Një tjetër njeri me shkollim rus. Dodi nuk kishte sigurisht nivelin arsimor dhe akademik që kërkonte një vendim-marrje e tillë si ajo për standardin e gjuhës shqipe. Dodi nuk kishte asnjë gradë shkencore në atë kohë dhe mbante vetëm titullin shkencor të docentit.

Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe

Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe

I pesëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Emil Lafe, i prezantuar si gjuhëtar, por që në atë kohë nuk kishte marrë ende asnjë gradë apo titull shkencor. (Në botimet e kohës mbi Kongresin e Drejtshkrimit, para emrit të delegatit të Kongresit të Drejtshkrimit janë të shënuara gradat ose titujt shkencorë kur ai ka të tilla.) Emil Lafe, në atë kohë 34 vjeç, pati diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe në 1959, dhe më pas filloi punë në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë (më pas Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë). Emil Lafe, në 1972, nuk e kishte as nivelin arsimor dhe as atë akademik për të qenë anëtar i komisionit organizator të Kongresit të Drejtshkrimit dhe delegat i tij, si dhe firmëtar i Rezolutës për standardin e gjuhës shqipe.

I gjashtëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte docent Jup Kastrati, pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Jup Kastrati, i cili në atë kohë ishte 48 vjeç, pati diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Në moshën 48 vjeç ai nuk kishte ende një gradë shkencore dhe mbante vetëm titullin shkencor të docentit. Gjuha e huaj e vetme që ai njihte relativisht mirë në 1972, ishte rusishtja. Ai edhe sot nuk mund të quhet një gjuhëtar i mirëfilltë dhe është biograf po aq sa gjuhëtar. Një projekt i tij si ai i Historisë së Albanologjisë në tre vëllime, i ndërmarrë në vitet e fundit, e kompromenton si sharlatan, se vepra të tilla nuk shkruhen nga një njeri i vetëm.

I shtatëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Engjëll Angoni, i prezantuar si specialist për gjuhën shqipe në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, në Tiranë. Për të nuk thuhej që të kishte ndonjë gradë apo titull shkencor, dhe ai gjendej në Kongresin e Drejtshkrimit vetëm se ishte kushëriri i Enver Hoxhës, nga Gjirokastra. Engjëll Angoni është ndër nënshkruesit e Rezolutës së vitit 1972, që mungojnë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar në 2008-2009, dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, se ai ishte “specialist” pa asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Ali Abdihoxha, shkrimtar dhe drejtor i Shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë. Ali Abdihoxha, i cili në atë kohë ishte 43 vjeç, kishte diplomuar në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore, “Maksim Gorki”. Niveli i tij si shkrimtar nuk ishte i tillë që të kishte të drejtë të ishte delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, por ai u përzgjodh se ishte i pëlqyer nga regjimi si autor romanesh me temë nga lufta partizane.

I nëntëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Luigj Franja, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Shkodër. Është tregues i joseriozitetit të plotë të shkencës së kohës së regjimit komunist në Shqipëri, që në një forum shkencor të ngushtë, siç ishte Kongresi i Drejtshkrimit, të merrnin pjesë edhe mësues të shkollës tetëvjeçare dhe të mesme. Këta njerëz mund të qenë pyetur për të dhënë mendime në tubimet përgatitore, po jo të ftoheshin në kongres. Ata qenë të ftuar sipas logjikës me të cilën në mbledhjet shkencore për naftën dhe metalurgjinë, krahas njerëzve me tituj shkencorë ftoheshin dhe punëtorë, të cilët qenë “novatorë” dhe “shpikës”. Luigj Franja, natyrisht, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar në 2008-2009.

I njëzeti në listën e nënshkruesve ishte Prof. Josif Ferrari, i cili prezantohet si studiues arbëresh dhe profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Barit. Ky në fakt është Giuseppe Ferrari, një prift arbëresh i ritit të krishterë ortodoks, të cilit organizatorët e Kongresit të Drejtshkrimit, ia ndryshuan dhe emrin. Ai nuk ishte gjuhëtar profesionist. Ndryshe nga ç’u prezantua prej organizatorëve të Kongresit të Drejtshkrimit, Ferrari nuk ishte profesor i gjuhës shqipe. Ai nuk ishte “profesor” në gjuhësi, por në teologji. Ai ishte shkolluar për teologji. I njohur ndër arbëreshët si “prifti i kuq”, ai ishte i pëlqyeri i regjimit komunist shqiptar, deri kur vdiq, pikërisht në 1990, ndoshta prej pezmit që regjimi komunist në Shqipëri ishte duke rënë. Ferrari ishte mësimdhënës në katedrën modeste të gjuhës shqipe, në Universitetin e Barit, por nuk ishte një gjuhëtar serioz, i cili mund të merrte një vendim kaq të rëndësishëm sa ai për standardin e gjuhës shqipe.

I njëzetenjëti në listën e nënshkruesve ishte Magjistër Ahmet Kelmendi, pedagog i gjuhës shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ky nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar në 2008-2009.

I njëzetedyti në listën e nënshkruesve ishte Ahmet Limani, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Mamurras, të rrethit të Krujës. Nëse Kongresi do të kishte qenë një forum shkencor serioz, ky njeri nuk duhet të ishte atje. Ai nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor, dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të botuar në 2008-2009.

I njëzetetreti në listën e nënshkruesve ishte Ajet Bytyçi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe, në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren. Pavarësisht nga emri, kjo ishte një shkollë që përgatiste mësues për ciklin e ulët dhe të mesëm shkollor. Në 1972, Ajet Bytyçi nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor, madje nuk ishte as magjistër. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I njëzetekatërti në listë ishte Ali Dhrimo, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ky ishte 34 vjeç në atë kohë. Ali Dhrimo, i lindur në fshatin Çorraj të Sarandës, ishte dërguar për të kryer studimet universitare në Gjermaninë Lindore, por nuk i përfundoi dhe më pas studioi për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, ku diplomoi në 1963. Tetë vjet pas diplomimit, ai firmoste Rezolutën për gjuhën standarde, pa pasur ende asnjë gradë apo titull shkencor, madje as atë të kandidatit të shkencave!

I njëzetepesti në listën e firmëtarëve ishte Bahri Beci, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Tiranë, por që në vitin 1972, në moshën 36 vjeç, nuk kishte ende asnjë gradë apo titull shkencor.

I njëzetegjashti në listën e firmëtarëve ishte Bajram Hajrullai, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës, në Vlorë. “Filialet” qenë degë të Universitetit të Tiranës, të cilat qenë hapur përkohësisht në qytetet kryesore të vendit, në mënyrë që të kryenin studimet e larta me korrespondencë mësuesit të cilët patën kryer vetëm institutet pedagogjike dyvjeçare, ose ata të cilët patën fituar të drejtën për të vazhduar me korrespondencë studimet universitare. Mësimdhënësit e filialeve qenë përzgjedhur ndër mësuesit e shkollave të mesme të qytetit, të cilët qenë diplomuar në Universitetin e Tiranës. Kuptohet se një mësimdhënës filiali nuk kishte atributet e duhura akademike për të qenë delegat në kongresin ku do të vendosej për standardin gjuhësor. Në rastin e dhënë, Bajram Hajrullai nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I njëzeteshtati në listë ishte Prof. Bedri Dedja, i prezantuar si zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës. Bedri Dedja, i lindur në Korçë, i cili në atë kohë ishte 42 vjeç, kishte diplomuar në Leningrad të Bashkimit Sovjetik për pedagogji.

I njëzeteteti në listë ishte Besim Bokshi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Pavarësisht nga emri kjo ishte një shkollë që përgatiste mësues për ciklin e ulët dhe të mesëm shkollor. Edhe Besim Bokshi, në jetëshkrimin e vet zyrtar ka pretendimin sharlatanor se ka diplomuar për Albanologji në Beograd, si gradë e parë e studimeve universitare. Gjithsesi, Besim Bokshi në kohën që firmoi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit ishte një 42 vjeçar pa asnjë gradë ose titull shkencor, madje nuk ishte ende as magjistër.

I njëzetenënti në listë ishte docent Dalan Shapllo, i prezantuar si pedagog i letërsisë shqiptare në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Dalan Shapllo, i lindur në 1928 në Gjirokastër, kishte diplomuar në Moskë për gjuhë dhe letërsi ruse në vitet pesëdhjetë. Në kohën e Kongresit të Drejtshkrimit, ai ishte përgjegjës i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës. Por ai nuk kishte asnjë gradë shkencore.

E tridhjeta në listë ishte Drita Garuci, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkodër, çka do të thotë se ishte mësuese në ndonjë shkollë tetëvjeçare ose të mesme. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëenjëti në listë ishte Dritero Agolli, i prezantuar si: shkrimtar, Tiranë. Dritëro Agolli, në atë kohë 41 vjeçar, pati diplomuar në Leningrad të Bashkimit Sovjetik, për gjuhë dhe letërsi ruse.

I tridhjetëedyti në listë ishte Dhimitër (Miço) Samara, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Ai pati diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe, në 1960. Në vitin 1972, në moshën 35 vjeçare nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëetreti në listë ishte Dhori Qiriazi, i prezantuar si “shkrimtar, Ersekë”. Dhori Qiriazi në atë kohë ishte një mësues letërsie 39 vjeçar, në Kolonjë, i cili shkruante poezi. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Në Kongresin e Drejtshkrimit u thirr për shkak të mbiemrit të tij, që ishte i njëjtë më atë të disa rilindasve të mëdhenj.

E tridhjetëekatërta në listë ishte Elsa Vakëfliu, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Berat. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tridhjetëepesti në listë ishte Fadil Podgorica, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër. Nga mbiemri kuptohet se ishte një prej podgoriçanëve, ndryshe sllavë muslimanë të ardhur në Shkodër. Në 1972, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tridhjetëegjashti në listë ishte Fatmir Agalliu, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Fatmir Agalliu, i cili kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në kohën që firmosi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, në moshën 39 vjeçare, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëeshtati në listë ishte Fatmir Gjata, i prezantuar si “shkrimtar, Tiranë”. Ai kishte kryer studimet e larta në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë, në vitet 1946-51.

I tridhjetëeteti në listë ishte Ferdinand Leka, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi ruse në Universitetin e Tiranës, në 1960. Në 1972, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëenënti në listë ishte Gaqo Peci, i prezantuar si “Mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Korçë”. Ky gjendej në Kongres se ishte djali i Sotir Pecit, një rilindas dhe pjesëmarrës i atij që regjimi komunist e quante “Revolucioni i Qershorit” (vetë atyre që e bënë nuk u shkoi mendja ta quanin kështu!) Disa vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit, Gaqo Peci do të dënohej me burg si kundërshtar politik, i akuzuar për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit komunist. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzeti në listë ishte Hasan Sazani, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Gjirokastër. Këtij të shkretit i patën “drejtshkruar” dhe mbiemrin, që të ishte politikisht korrekt, se në fakt e kishte “Zazani”, por meqënëse Enver Zazani qe pushkatuar nga regjimi komunist, Hasanit ia bënë mbiemrin “Sazani” në Rezolutën e Kongresit. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetenjëti në listë ishte Henrik Lacaj, i prezantuar si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Henrik Lacaj studioi në Universitetin e Padovës në Itali për filologji klasike (latinisht) por nuk arriti të diplomojë. Në kohën e Kongresit të Drejtshkrimit ishte pedagog i latinishtes, dhe në moshën 62 vjeç nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor. Duke qenë shkodran katolik, një specie kjo shumë e dyshimtë për regjimin komunist, ai as që do të guxonte të shprehte ndonjë mendim të vlefshëm në Kongres, ndonëse ishte ndër njerëzit e paktë që mund të thoshte diçka sadopak të vlefshme.

I dyzetedyti në listën e firmëtarëve ishte Hysen Qosja, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik në Elbasan. Instituti i Lartë Pedagogjik në Elbasan ishte një shkollë dyvjeçare që nxirrte mësues dhe jo një institucion arsimor ku mund të bëhej shkencë e mirëfilltë gjuhësore. Hysen Qosja nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetetreti në listë ishte Isa Bajçinca, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin Filozofik, Prishtinë. Në vitin 1972 ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetekatërti në listë ishte Ismail Bajra, drejtor i NGBG (shtëpia botuese) “Rilindja”, Prishtinë. Ismail Bajra nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetepesti në listë ishte Ismail Doda, i prezantuar si drejtor i Shkollës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Ostros (Krajë). Ismail Doda ishte nga shqiptarët e Malit të Zi, drejtor i një shkolle fshati dhe nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetegjashti në listë ishte Ismail Kadare, shkrimtar. Kadare kishte diplomuar për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe më pas kishte studiuar në Moskë për letërsi.

I dyzeteshtati në listë ishte Jakov Xoxa, i prezantuar si shkrimtar, Tiranë. Jakov Xoxa kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi frënge në Universitetin e Sofjes në Bullgari, në vitet pesëdhjetë, çka do të thotë se mësoi bullgarishten para frëngjishtes.

I dyzeteteti në listë ishte Jani Thomai, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë. Jani Thomai, i lindur në Seman të Fierit, dhe i diplomuar për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në 1972, në moshën 38 vjeçare nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I dyzetenënti në listë ishte Jorgo Bulo, i prezantuar si historian i letërsisë shqiptare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit të Tiranës. Jorgo Bulo, nga Sheperi i Gjirokastrës, në atë kohë 33 vjeçar, kishte diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor. Në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë ai gjendej prej vetëm gjashtë vitesh.

I pesëdhjeti në listë ishte Jorgji Çerepi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës, në Durrës. Edhe ky nuk kishte asnjë titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I pesëdhjetëenjëti në listë ishte Koço Bihiku, zëvendësdrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë. Koço Bihiku kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi ruse në në Bashkimin Sovjetik, në vitet 1949-54. Në vitin 1972, në moshën 46 vjeçare ai mbante vetëm titullin “bashkëpunëtor i vjetër shkencor” dhe ende nuk kishte marrë asnjë gradë shkencore.

I pesëdhjetëedyti në listë ishte Kolë Ashta, pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër. Kolë Ashta, i lindur në Shkodër në 1918, kishte diplomuar në Romë për filozofi. Meqënëse njihte latinishten, u mor me gjuhësi. Në vitin 1972, nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor, dhe nuk pati asnjë të tillë deri kur vdiq në 1998.

I pesëdhjetëetreti në listë ishte Kristaq Shtëmbari, përgjegjës i kabinetit pedagogjik, Fier. Edhe ky natyrisht nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Liriku i Madh Lasgush Poradeci

Liriku i Madh Lasgush Poradeci

I pesëdhjetëekatërti në listë ishte Lasgush Poradeci, i cili ishte marrë në Kongres me funksion dekorativ. Lasgush Poradeci në atë kohë as që botonte më. Pasi doli nga kongresi, në stilin e tij, tha fjalët e famshme: Ky emri letrar paska pasur një të mirë që nuk e dija. Të shërben në raste të tilla. Në këtë kartë palaçosh hodhi firmën Lasgush Poradeci, por jo Llazar Gusho! (Ky ishte emri i tij i vërtetë.)

I pesëdhjetëepesti në listë ishte Luan Dino, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Përmet. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E pesëdhjetëegjashta në listë ishte Lumnie Shehetila, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Elbasan, e cila nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I pesëdhjetëeshtati në listë ishte Llazar Siliqi, shkrimtar. Siliqi, një minoritar serb në Shqipëri, kishte diplomuar në Institutin e Letërsisë Botërore, “Gorki” në Moskë, në vitin 1951.

I pesëdhjetëeteti në listë ishte Mehmet Çeliku, i prezantuar gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Mehmet Çeliku, i diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor në vitin 1972.

I pesëdhjetëenënti në listë ishte Menella Totoni, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Menella Totoni, i lindur në Përmet, në moshën 37 vjeç nuk kishte ende asnjë gradë shkencore dhe kishte vetëm titullin e bashkëpunëtorit shkencor. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës.

I gjashtëdhjeti në listë ishte Mërkur Alimerko, drejtor i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor në Tiranë. Ai kishte diplomuar për rusisht në Tiranë. Nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëenjëti në listë ishte Mikel Zavalani, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Korçë. Edhe ky u zgjodh për shkak të mbiemrit të tij që ishte ai i rilindasve të njohur. Por ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëedyti në listë ishte Myfit Trepça, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Peshkopi. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëetreti në listë ishte docent Munir Reso, i prezantuar si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. I lindur në Gjirokastër ai gjendej në Kongres vetëm se Enver Hoxha donte që atje të kishte sa më shumë gjirokastritë. Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore dhe as nuk mori më vonë. Munir Reso nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëekatërti në listë ishte Naim Bardhi, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Kavajë. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëepesti në listë ishte Nesti Bellovoda, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës, në Korçë. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E gjashtëdhjetëegjashta në listë ishte Nikoleta Cikuli, e prezantuar si gjuhëtare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Tiranë. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëeshtati në listë ishte Niko Tanini, i prezantuar si redaktor letrar në gazetën “Zëri Popullit” (organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë). Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Pamje e Shqipërisë Komuniste

Pamje e Shqipërisë Komuniste

I gjashtëdhjetëeteti në listë ishte Osman Myderrizi, i prezantuar si gjuhëtar dhe mësues veteran. Osman Myderrizi, i lindur në 1891 ishte një njeri i paarsimuar (Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 2009 për të thuhet se “Lindi në Tiranë ku kreu mësime pedagogjike”?!) Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore. Por e patën bërë “Bashkëpunëtor të vjetër shkencor” me rastin që do të merrte pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit.

I gjashtëdhjetëenënti në listë ishte Pashko Geci, i prezantuar si gjuhëtar, mësues veteran, Tiranë. Ky ishte në fakt Pashko Gjeçi, të cilit ia patën ndryshuar mbiemrin, për shkak se pati qenë i burgosur politik, pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi. Pashko Gjeçi pati diplomuar për gjuhësi në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ai ishte thirrur në Kongres me funksione dekorative, ashtu që regjimi komunist të pretendonte se standardin gjuhësor e patën miratuar dhe intelektualët katolikë, të cilët nuk njiheshin si njerëz pro regjimit. Me këtë rast, Pashko Gjeçit iu dha edhe titulli honorifik “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”. Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore. Natyrisht se Pashko Gjeçi nuk do të guxonte të shfaqte asnjë mendim kundër asaj që ishte linja zyrtare në Kongres.

I shtatëdhjeti në listë ishte Dr. Petro Janura, i prezantuar si drejtor i Degës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shkupit. Ky ishte një person shumë interesant, një aventurier kërshëror. I lindur në 1911 në Fier, ai e bëri shkollën e mesme në Rumani. Në 1940, diplomoi si jurist në Universitetin e Pizës në Itali. Kur në 1941, në trojet shqiptare që deri më atëherë patën qenë në Jugosllavi dhe që iu bashkuan shtetit shqiptar, u çuan mësues dhe zyrtarë të ndryshëm nga Shqipëria e vjetër, siç quhej, shkoi edhe Petro Janura, si gjykatës në Gostivar. Në 1944 e kapën rob partizanët jugosllavë dhe ia dorëzuan OZNA-s (shërbimit të fshehtë, paraardhësit të UDB). Janura u mor vesh me OZNA-n aq sa qëndroi në Jugosllavi dhe nuk u kthye në Shqipëri, ku me siguri do të kishte përfunduar në burg. Në 1945, gjykatësi fashist Petro Janura u emërua kryeredaktor i parë i gazetës “Flaka e vëllazërimit”, dhe më pas i gazetës “Jehona”. Ai nuk ishte arsimuar për gjuhësi, nuk ishte gjuhëtar profesionist dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I shtatëdhjetëenjëti në listë ishte Pjetër Fusha, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Rubik të Mirditës. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I shtatëdhjetëedyti në listë ishte Qemal Haxhihasani, i prezantuar si folklorist në Institutin e Folklorit në Tiranë. Qemal Haxhihasani kishte kryer dy vjet me korrespondencë në Universitetin e Firenze në Itali, për pedagogji (1940-42). Atij iu dha titulli honorifik Bashkëpunëtor i vjetër shkencor, me rastin e Kongresit të Drejtshkrimit. Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore.

I shtatëdhjetëetreti në listë ishte Remzi Pernaska, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Remzi Përnaska i lindur në Korçë në 1934, kishte diplomuar për gjuhën ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë. Në 1960-61, studioi në Moskë për gjuhën turke. Në 1972, në moshën 38 vjeç, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I shtatëdhjetëekatërti në listë ishte Sefedin Sulejmani, i prezantuar si drejtor i Njësisë së bashkuar të punës botuese (shtëpi botuese) “Flaka e vëllazërimit” në Shkup. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E shtatëdhjetëepesta në listë ishte Sofika Adhami, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Vlorë. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E shtatëdhjetëegjashta në listë ishte Sofika Morcka, e prezantuar si gjuhëtare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I shtatëdhjetëeshtati në listë ishte Spiro Floqi, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Spiro Floqi, i lindur në 1920 në Korçë, kishte diplomuar në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, për gjuhësi. Në 1972, në moshën 52 vjeçare, ai nuk kishte asnjë gradë shkencore, dhe mbante vetëm titullin shkencor të Bashkëpunëtorit të vjetër shkencor. As më pas ai nuk mori ndonjë gradë shkencore. E megjithatë ishte përgjegjës i sektorit të dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

I shtatëdhjetëeteti në listë ishte Stefan Prifti, i prezantuar si gjuhëtar. I lindur në Arrëz të Kolonjës, ai pati diplomuar për filologji në Universitetin e Athinës në 1938. Në vitin 1972, në moshën 62 vjeç, ai nuk kishte asnjë gradë shkencore, por mbante vetëm titulli shkencor “docent”. As më pas nuk mori ndonjë gradë shkencore.

I shtatëdhjetëenënti në listë ishte Sterjo Spasse, shkrimtar, minoritar maqedon në Shqipëri. Ai kishte studiuar në Institutin e Letërsisë Botërore “Gorki në Moskë”.

I tetëdhjeti në listë ishte Shefqet Hoxha, pedagog i gjuhës shqipe në filialen e Universitetit të Tiranës, në Kukës. Ai nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tetëdhjetëenjëti në listë ishte Shevqet Musaraj, shkrimtar. I lindur në 1914, në Vajzë të Vlorës, ai kishte kryer vetëm shkollën e mesme tregtare në Vlorë. Nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëdhjetëedyti në listë ishte Tomor Osmani, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1972, në moshën 37 vjeçare, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëdhjetëetreti në listë ishte Xhevat Lloshi, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. I lindur në Fier, ai diplomoi për gjuhë dhe letërsi ruse në Universitetin e Tiranës. Në 1972, në moshën 34 vjeçare, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëdhjetëekatërti në listë ishte Ylli Ruli, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës. Ylli Ruli, nga Libohova, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E tetëdhjetëepesta në listë ishte Zana Daci, e prezantuar si pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk mori as më vonë. Ajo nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tetëdhjetëegjashti në listë ishte Prof. Zihni Sako, drejtor i Institutit të Folklorit në Tiranë. Zihni Sako, i lindur në 1912 në Gjirokastër, e pati kryer arsimin e mesëm dhe atë të lartë në Greqi, në Janinë dhe në Athinë. Në Universitetin e Athinës studioi dy vite për filologji klasike.

E tetëdhjetëeshtata në listë ishte Zhaneta Nova, mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Gjirokastër. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Pamje nga salla ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit

Pamje nga salla ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit

Nga 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit që nënshkruan Rezolutën për standardin e gjuhës shqipe, 72 nuk kishin asnjë gradë shkencore!!! Nga 15 nënshkruesit me grada shkencore, pesë prej tyre nuk i kishin ato në gjuhësi. Këta qenë: Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Bedri Dedja, Josif Ferrari, Zihni Sako. Nga pesë gjuhëtarët me titull “profesor”, njëri, Androkli Kostallari kishte diplomuar për rusisht. Ndër delegatët me tituj shkencorë, kishte pesë docentë dhe shtatë bashkëpunëtorë të vjetër shkencorë. Ndër bashkëpunëtorët e vjetër shkencorë, njëri Osman Myderrizi, nuk kishte as diplomë të shkollës së mesme. Pjesa më e madhe e delegatëve qenë shkolluar në Bashkimin Sovjetik dhe gjuha e huaj e vetme që njihnin mirë ishte rusishtja. Në fakt, për shkak të pranisë së delegatëve nga trojet shqiptare në Jugosllavi, të shkolluar në Beograd dhe në shkolla ku gjuha e parë pas shqipes ishte serbokroatishtja, mund të thuhet se 80% e delegatëve nuk zotëronin mirë asnjë gjuhë të huaj përveç këtyre dy gjuhëve sllave. Madje edhe në vitin 2008, pra 36 vjet pas Kongresit, nga 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit, 37 prej tyre, nuk përmbushin kriteret e vëna për të hyrë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, do të thotë nuk kanë marrë grada shkencore! Kjo shifër do të dilte edhe më e lartë nëse llogaritet se disa delegatë të Kongresit të vitit 1972, kanë hyrë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar thjesht si shkrimtarë mediokër të realizmit socialist si Ali Abdihoxha, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Shevqet Musaraj, Sterjo Spasse, Dhori Qiriazi. Nëse Fjalori Enciklopedik Shqiptar i viteve 2008-2009 do të ishte bërë në 1972, atëherë 55 delegatë të Kongresit, nga 87, nuk do të mund të përmbushnin kriteret për të hyrë në Fjalorin Enciklopedik!
Merret vesh, firmëtarët e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit nuk përbënin një forum serioz shkencor. Apologjia e tyre do të kishte qenë nëse ata, pas rënies së regjimit komunist do të kishin thënë se vepruan në rrethana emergjente dhe të kërkonin që të mbahej një kongres i mirëfilltë shkencor për të vendosur standardin e gjuhës shqipe. Disa prej tyre në fakt e kanë thënë këtë gjë. Por pjesa më e madhe qenë përzgjedhur nga regjimi komunist të tillë që nuk kanë as minimumin e deontologjisë profesionale, dhe nuk mund të pritej tjetër gjë prej tyre, se profesioni bazë i tyre është ai i sharlatanit. Në vend që të mbanin qëndrimin e thënë më lart, ata pas vitit 1972 dhe madje pas vitit 1990 vazhduan që të shpërblejnë njëri-tjetrin me grada dhe tituj shkencorë që në thelb nuk qenë gjë tjetër veçse një ritual i zbatimit të “religjionit” të krijuar në 1972, në trajtën e standardit të gjuhës shqipe. Nëse sot, në vitin 2012 do të mblidhej një forum prej 87 vetësh me një përbërje të ngjashme me atë të vitit 1972, nga pikëpamja e kualifikimit shkencor, dhe do të diskutonte për standardin e gjuhës shqipe, ai do të kritikohej si joserioz, joprofesional, qesharak, madje edhe nga ata firmëtarët e mbetur gjallë të Rezolutës të vitit 1972.

.

Ps. Me blu janë paraqitur firmatarët e Republikës së Shqipërisë, dhe me violë ata të territoreve jashtëshqiptare.

blank

Si e përshëndeti EnverHoxha Kongresin e Drejtshkrimit 1972 dhe një shkrim i atëhershëm nga EMIL LAFE

TIRANE– Faqe të tëra, në revistën “Nëntori”, kushtuar ngjarjes më të bujshme rreth gjuhës shqipe në kohën e diktaturës, Kongresit të Drejtshkrimit… Shpresat për të gjetur aty debatet e diskutimet që e shoqëruan këtë ngjarje, shuhen, ndërsa lexon rresht pas rreshti “Nëntorin”. Asnjë diskutim. Asnjë përmendje. Një prezantim i kësaj ngjarje nga gjuhëtari Emil Lafe prezanton hap pas hapi përpjekjet dhe etapat që çuan tek mbajtja e këtij Kongresi. Lafe përmend vetëm referatin e drejtorit të Institutit të Historisë e Gjuhësisë Androkli Kostallarit me temën “Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme të drejtshkrimit të saj”.

Më tej ai njofton se janë mbajtur edhe “180 kumtesa e diskutime”, ku sipas tij  “u bë një rrahje e gjerë krijuese e pikëpamjeve shkencore për të gjithë çështjet e drejtshkrimit të shqipes”. Në fund të shkrimit Lafe kujton përshëndetjen e Enver Hoxhës duke uruar për këtë fitore të pallogaritshme…
Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe botohet e plotë në vijim të faqeve të “Nëntorit” dhe me kaq ngjarja e bujshme mbyllet.
A u njoh ndonjëherë publiku i gjerë me diskutimet e atij Kongresi? Kush ishte pro e kush kundër, çfarë idesh u përkrahën e çfarë u kundërshtua? Zbulimi i kësaj tabloje do t’i mbetet hapjes së dosjeve arkivore. Sot po i sjellim lexuesit anën e thatë e zyrtare që i paraqiti publikut regjimi i kohës mbi këtë çështje që ngjall debate sa herë hidhet në diskutime publike.


KONGRESI I DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE

Nga EMIL LAFE
Në prag të festave tona të mëdha kombëtare, zhvilloi punimet në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i thirrur me iniciativën e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Çështja e formimit të një gjuhe letrare kombëtare të njësuar ka qenë pjesë e pandarë e jetës politike, shoqërore e kulturore të popullit tonë që nga Rilindja e këtej. Në këtë çështje të madhe caktimi i alfabetit të sotëm nga Kongresi i Manastirit më 1908 dhe vendosja e rregullave përfundimtare të drejtshkrimit nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe përbëjnë dy momente shumë të rëndësishme, dy ngjarje historike. Të dyja këto ngjarje janë kurorëzimi i përpjekjeve të pareshtura të shumë brezave që punuan e luftuan me besim të plotë se gjuha jonë e ëmbël dhe e gjerë, e lehtë dhe e lirë, e bukur dhe e mirë do të kishte një të ardhme të madhe, të ndritur.

Duke qenë se drejtshkrimi përbën tiparin dallues themelor të një gjuhe letrare të përpunuar, diskutimet rreth tij, përpjekjet për hartimin e një drejtshkrimi sa më të njësuar, kanë zënë një vend qendror në diskutimet dhe debatet rreth çështjes së gjuhës letrare në përgjithësi. Që më 1905 Luigj Gurakuqi thoshte se drejtshkrimi “ka një rëndësi të madhe fort për themelim të një gjuhe letrare shqipe, sa mund të themi se nuk do të arrijmë kurrë këtu po të mos zgjedhim e po të mos caktojmë një mënyrë të posaçme e të veçantë për të shkruar një fjalë si toskërisht, si gegërisht”. Pikërisht duke u nisur nga kjo e vërtetë e padiskutueshme, Komisia Letrare e Shkodrës, në të cilën bashkë me L. Gurakuqin bënin pjesë edhe S. Peci, N. Mjeda, Gj. Pekmezi, M. Logoreci, A. Xhuvani etj., me rregullat ortografike që botoi më 1917 bëri me sukses një afrim të mëtejshëm të gegërishtes së shkruar me toskërishten.

Ato rregulla patën një rëndësi historike për konvergjencën e mëvonshme të dy varianteve, verior e jugor, të shqipes letrare, megjithëse për gati tridhjetë vjet rresht puna e Komisisë Letrare jo vetëm nuk u çua përpara në një mënyrë më të organizuar e më të studiuar, por edhe u kundërshtua ose u la në harresë të plotë nga klasat sunduese e nga kleri katolik. Kjo solli që para çlirimit të mbretëronte një kaos ortografik. “Të gjithë e dimë, – shkruante A. Xhuvani, duke karakterizuar atë gjendje, – se ortografia e shqipes nuk është e ngulme saqë të quhet e unifikuar dhe të përdoret po në atë mënyrë prej të gjithë atyre që marrin pendën e shkruajnë ose shkarravisin gjësendi; por lëkundet kjo ortografi jona në mes shumë fluktuacionesh, saqë çdo shkrimtar a auktor ka një mënyrë më vete ortografie, ashtu si ia ka rrokur mendja e tij, ose shkon mbas ortografisë së njërit a tjetrit shkrimtar të mëparshëm. Veç kësaj, edhe çdo shkrimtar ose auktor tjetër që thuhet se ka formuar një farë mënyre shkrimi, nuk është konsekuent në punë të ortografisë së vet, por ka një fluktuacion në shkrimet e veta, duke përdorur trajta të ndryshme fjalësh”.

Në Shqipërinë e re demokratike dhe popullore çështjes së gjuhës letrare iu kushtua menjëherë kujdesi i duhur. Një nga punët e para që kreu Instituti i Shkencave, i themeluar më 1947, ishte hartimi i një ortografie të re, që të merrte parasysh zhvillimin e gjuhës letrare shqipe gjatë tridhjetë vjetëve që kishin kaluar që nga koha e Komisisë Letrare të Shkodrës. Kjo ortografi u botua në Buletinin e vitit 1948 të atij Instituti dhe pastaj, e ripunuar, doli si libër i veçantë më 1951. Pas një konference shkencore të posaçme që u thirr për të diskutuar rreth ortografisë, më 1956 u hartuan dhe u botuan rregulla të reja ortografike, më të plota dhe më të njësuara se të mëparshmet.

Zhvillimi i vrullshëm i kulturës, i arsimit, i veprimtarisë së institucioneve shkencore, i letërsisë, i artit, i publicistikës në periudhën pas vitit 1956 shtroi si një nevojë praktike të ngutshme njësimin e gjuhës letrare dhe e shpejtoi në mënyrë të dukshme procesin e konvergjencës gjuhësore. Gjuha letrare shqipe, në të gjitha fushat e zbatimit të saj, filloi kështu të funksionojë në një trajtë të vetme, të formuar si rezultat i një procesi të gjatë afrimi të dy varianteve letrare kryesore të saj. Gjuhësia shqiptare, me sukseset e rëndësishme që arriti pas çlirimit, dha një ndihmë të madhe për drejtimin dhe shpejtimin e këtij procesi objektiv dhe për përcaktimin e zgjedhjen e trajtave gjuhësore të drejta, ose, siç thuhet, për kodifikimin e normës së gjuhës letrare.

Në këtë mes një vend qendror zë puna me drejtshkrimin, pasi, ndryshe nga disa gjuhë, në drejtshkrimin e të cilave vendin kryesor e zënë rregullat që tregojnë se me ç’shkronja ose me ç’kombinime shkronjash shënohen këta ose ata tinguj, drejtshkrimi i shqipes, përkundrazi, lidhet ngushtë me tërë strukturën gramatikore e leksikore të gjuhës. Për t’iu përgjigjur kësaj gjendjeje të re cilësore të gjuhës letrare në shkurt 1967 u  botuan “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”, hartuar si projekt për diskutim nga një komision i posaçëm i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, me synimin që në të ardhmen, në bazë të tyre të hartohej drejtshkrimi i shqipes në trajtë përfundimtare.
Projekti i vitit 1967 iu shtrua menjëherë një diskutimi të gjerë si në shtypin shkencor e periodik, ashtu edhe në mbledhje e konsulta të posaçme që u organizuan në njëzet e një rrethe të vendit e në disa institucione kulturore-shkencore të kryeqytetit.

Parimet e hartimit të këtij projekti dhe rregullat kryesore të tij gjetën një miratim të përgjithshëm në opinionin shkencor-arsimor të vendit. Zbatimi i këtij projekti solli një përmirësim të dukshëm të gjuhës së të gjitha botimeve tona. Që nga prilli i vitit 1968, me vendim të Konsultës Gjuhësore të përfaqësuesve të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, ky projekt po zbatohet me sukses në të gjitha botimet e atjeshme. Përpjekje të ngjashme janë bërë edhe nga arbëreshët e Italisë.

Pas një periudhe prej pesë vjetësh, gjatë së cilës projekti u diskutua e u zbatua gjerësisht, Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë i USHT mori iniciativën për të mbledhur një Kongres të Drejtshkrimit, si forumin më të lartë shkencor kombëtar, që do të diskutonte përfundimisht çështjet teorike e praktike, të përgjithshme e të veçanta, të drejtshkrimit të shqipes dhe do të përcaktonte parimet dhe vijat themelore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe në trajtë përfundimtare.
Kongresi u mblodh në Tiranë nga 20 deri më 25 nëntor 1972. Në Kongres morën pjesë si delegatë e si të ftuar përfaqësues të dalluar të gjuhësisë shqiptare, të shkollës shqipe e të kulturës sonë kombëtare. Ndër ta ishin edhe studiues të shqipes e punonjës të arsimit e të kulturës nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga arbëreshët e Italisë.
Në Kongres Androkli Kostallari, drejtor i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, mbajti një referat kryesor me temë: “Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme të drejtshkrimit të saj” dhe rreth 180 kumtesa e diskutime, në të cilat u bë një rrahje e gjerë krijuese e pikëpamjeve shkencore për të gjitha çështjet e drejtshkrimit të shqipes. Kongresi i zhvilloi punimet mbi baza të shëndosha shkencore dhe në përputhje me fazën e sotme të zhvillimit të gjuhës letrare. Ai tregoi jo vetëm përparimet e arritura nga gjuhësia jonë në fushën e studimit të gjuhës letrare, por edhe karakterin e saj masiv, interesimin e vazhdueshëm për gjuhën të arsimtarëve, letrarëve, punonjësve të shtypit, të artit, të kulturës etj. Një kontribut të rëndësishëm dhanë në punimet e Kongresit edhe delegatët e të ftuarit nga shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe nga arbëreshët e Italisë.

Në përfundim të punimeve Kongresi diskutoi dhe aprovoi njëzëri një rezolutë, e cila u nënshkrua nga tetëdhjetë e shtatë delegatët e Kongresit, dhe përbën kështu një dokument kombëtar historik. Në këtë rezolutë bëhet vlerësimi i gjendjes së sotme të gjuhës letrare shqipe, duke u theksuar se ajo sot funksionon si gjuha letrare e njësuar e gjithë popullit shqiptar, vihet në dukje se kjo arritje e madhe u detyrohet përpjekjeve të pareshtura të popullit tonë arsimdashës që nga Rilindja e këtej, e sidomos kushteve të reja shoqërore-historike që u krijuan pas çlirimit; më tej në rezolutë parashtrohen një varg kërkesash të Kongresit, në bazë të të cilave do të bëhet hartimi përfundimtar i “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” dhe u bëhet thirrje shkollës shqiptare, shkrimtarëve, institucioneve botuese, shtypit, enteve shtetërore, radio-televizionit, teatrit, kinematografisë etj., që ta përvetësojnë dhe ta zbatojnë me këmbëngulje drejtshkrimin e ri që do të hartohet në bazë të kësaj rezolute brenda vitit 1973.

Ky drejtshkrim do të jetë pa dyshim më konsekuent, më objektiv, më sistematik dhe më i thjeshtë se projekti i 1967-ës. Por nuk duhet të kemi iluzione se ai do të jetë fare i lehtë dhe se do të mësohet pa mundim. Drejtshkrimi është i lidhur me gjuhën dhe nuk mund të mësohet mirë po të mos mësohet mirë vetë gjuha. Prandaj sistemi i rregullave drejtshkrimore në tërësinë e tij nuk mund të përvetësohet plotësisht pa zotëruar mirë gramatikën. Shkrimi i drejtë i qindra dhe mijëra fjalëve varet nga njohja e mirë e funksioneve të tyre gramatikore. Kultura drejtshkrimore lidhet ngushtë me kulturën gjuhës dhe nuk mund të ndahet nga ajo. Kështu që njëkohësisht me zgjidhjen përfundimtare të çështjes së drejtshkrimit ne duhet të marrim të gjitha masat për ngritjen e përgjithshme të kulturës gjuhësore, duke u udhëhequr nga roli dhe rëndësia e gjuhës letrare për zhvillimin e jetës mendore dhe për forcimin e ndërgjegjes kombëtare.

Para gjuhësisë shqiptare hapet një fushë e gjerë pune me rëndësi dhe përgjegjësi historike. Në rezolutën e Kongresit thuhet se në vitet e ardhshme duhet të hartohet Fjalori drejtshkrimor, Rregullat e drejtshkrimit, Rregullat e pikësimit dhe një varg librash për të çuar në masat rezultatet e studimeve shkencore në fushën e normës së gjuhës letrare, të cilat do të zgjerohen e njëkohësisht do të thellohen gjithnjë e më shumë. një rëndësi të madhe shoqërore merr tani edhe puna për hartimin e “Gramatikës së gjuhës letrare shqipe”.

Vlerësimi i lartë që i bëri shoku Enver Kongresit të Drejtshkrimit si një fitore e pallogaritshme në mes të aq fitoreve që ka korrur populli ynë me luftë, me përpjekje e me zotësi është një frymëzim i madh për punonjësit e gjuhësisë, të shkollës, të letërsisë e të shtypit shqiptar. Veçanërisht shkrimtarët e poetët tanë duhet të luajnë një rol edhe më madh se gjer tani për ta bërë gjuhën shqipe më të pasur, më të bukur, më shprehëse, për t’i dhënë një shkëlqim të ri këtij thesari të madh që populli e ruajti në shekuj si pjesë të pandarë të qenies së tij kombëtare.

Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

blank

Pesëdhjetëvjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe – Nga Rexhep Qosja

 

Përvjetor madhështor

Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe, i mbajtur në vitin 1972, është ngjarja më e madhe në historinë e kulturës shqiptare.

Me rëndësinë e tij, me ndikimet e tij shumaspektore në jetën shoqërore, arsimore, kulturore, shpirtërore në përgjithësi të popullit shqiptar ai hyn në radhën e ngjarjeve politike, shoqërore, kombëtare, historike që qe 50 vjet e lëvizin, që e çojnë përpara në pikëpamje kulturore, që e shumëkuptimësojnë dhe e lartësojnë jetën e këtij populli.

Me njësimin e gjuhës letrare shqipe rregullat drejtshkrimore të së cilës janë paraqitur në Kongresin në fjalë, është përplotësuar, është pasuruar, është njësuar gjithëkombëtarisht identiteti i përtashëm dhe historik i shqiptarëve.

Emri i kongresit

Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe ka mundur të quhet edhe ndryshe, ndoshta më saktësisht, më përkatshëm për përmbajtjen dhe për qëllimin e tij: ka mundur të quhet Kongresi i Gjuhës së Njësuar Letrare Shqipe.

Po t’i shohim historitë e miratimit të gjuhëve të njësuara letrare të popujve të Ballkanit dhe të numrit më të madh të popujve të Evropës do të mësojmë se shumica e tyre i kanë quajtur gjuhë letrare, ose gjuhë të letërsisë, ose gjuhë të përbashkëta letrare, kurse ndonjëri prej këtyre popujve e ka quajtur edhe gjuha e njësuar shtetërore.

Pse organizuesit e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe e kanë quajtur kështu e nuk e kanë quajtur si shumica e popujve ballkanikë dhe evropianë: Kongres i Gjuhës Letrare?

Mund të supozohet, megjithëse një varg gjuhëtarësh dhe intelektualësh të tjerë ndoshta nuk do të pajtohen me këtë supozim, pse e kanë quajtur Kongres i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe e jo Kongres i Gjuhës Letrare të Njësuar sepse kanë shpresuar se kështu do të shmangnin mospajtimet eventuale me Kongresin e Gjuhës Letrare Kombëtare ose me Kongresin e Gjuhës Letrare të Njësuar ose me Kongresin e Gjuhës së Përbashkët Letrare, që mund të ishin shumë më të mëdha edhe gjatë mbajtjes së Kongresit e jo vetëm mbas përfundimit të tij.

Megjithëse Drejtshkrimi është mbështetja shkencore mbi të cilën ndërtohet, krijohet gjuha letrare e njësuar, në mendjen e të mospajtuarve me frytet e Kongresit ai i lejon mospajtimet, ndryshimet, plotësimet, që nuk do t’i lejonte Kongresi i Gjuhës Letrare të Njësuar.

May be an image of 13 people and people standing

Viti i mbajtjes së Kongresit

Viti 1972 është një vit si të ishte i paracaktuar për Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Ai është vit në të cilin sikur ishin përmbledhur dhe dukeshin më qartësisht disa të arritura të përgjithshme në trevat shqiptare e sidomos të arriturat në fushë të arsimit, të kulturës e të shkencës.

Të filluara në vitin 1967 ishin pasuruar dhe përforcuar marrëdhëniet arsimore, shkencore e kulturore mes Shqipërisë e Kosovës. Ndikimi i tyre në komunikimet mendore, shpirtërore mbarëkombëtare ishte i shumanshëm dhe shumë i rëndësishëm.

Shqipëria disa vite më parë ishte liruar prej marrëdhënieve frymëmarrëse me Bashkimin Sovjetik, madje edhe me vendet e tjera komuniste evropiane, kurse prej vitit 1972 po jepte shenja se do të lirohet edhe prej marrëdhënieve diplomatike e shtetërore me Kinën.

Në Shqipëri ishin krijuar një varg institucionesh shkencore e kulturore, kurse me 10 tetor të vitit 1972, ishte krijuar Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që i shtonte gjasat e gëzimet për mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Kosova, pas të ashtuquajturit Plenumit të Brioneve në të cilin ishin dënuar terrori e dhuna e Sigurimit të Brendshëm Shtetëror (UDB-së) ndaj shqiptarëve, ishte bërë autonomi me disa të drejta që s’i kishte pasur deri atëherë. Rrita e statusit të saj, megjithëse, siç do të bindemi shpejt, ishte vetëm e përkohshme, dëshmohej sidomos përmes institucionesh të larta arsimore, shkencore e kulturore që u krijuan. E u krijuan, pos Institutit Albanologjik dhe Institutit të Historisë, që ishin krijuar ndonjë vit më herët, Universiteti i Prishtinës dhe Shoqata e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 1975, në të vërtetë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Në qoftë se në vitin 1968, në Konsultën Shkencore të Prishtinës, pajtimet me reformën revolucionare gjuhësore që do të ndodhte në Tiranë në vitin 1972, mund të ishin kryesisht ndjenjore dhe retorike, tani, në vitin 1972, mund të ishin pajtime, gjykime, vlerësime mendimore. Intelektualët e Kosovës: albanologë, historianë, gjuhëtarë, etnografë, folkloristë, pedagogë në Universitet, në shkollat e mesme, në arsimin në përgjithësi, ishin të gatshëm të kuptojnë e të vlerësojnë drejt të sotmen e të ardhmen e fryteve gjithëkombëtare, rëndësinë historike të atij kongresi, që do të quhej Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe.

Me drejtshkrimin e ri, të miratuar në atë Kongres, idealit për të cilin një numër i tyre kishin vuajtur shumë vite burgje serbe e jugosllave i shtohej një përbërës madhor për bashkimin e ardhshëm të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë, me Nënën Shqipëri.

Përkrahja me mendje e me zemër që në vitin 1972, pesë ditë para ditës madhështore, 28 nëntorit kur u krijua Shqipëria, ishte përkrahje që i jepej Kongresit prej gjithë shqiptarëve që jetonin në ish Jugosllavi: në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në një varg qytetesh të republikave të tjera, si në Kroaci, Slloveni e Bosnjë e Hercegovinë.

No photo description available.

Organizuesit e Kongresit

Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe janë albanologët më të shquar, më të çmuar shqiptarë, para së gjithash gjuhëtarët, historianët, shkrimtarët, intelektualët. E të tjerë. Prej të gjithë albanologëve, që merreshin me dije të ndryshme, që e përbëjnë albanologjinë, si më të merituarit përmendeshin gjuhëtarët: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Jorgji Gjinari, Anastas Dodi, Lirak Dodbiba, Emil Lafe, Engjëll Angoni, Ferdinand Leka, Osman Myderrizi. E të tjerë. Babai i Kongresit, në të vërtetë ishte Androkli Kostallari.

Ata, gjuhëtarët, do ta bëjnë të mundshëm organizimin e atij Kongresi të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe para së gjithash me punën e tyre, me të arriturat në krijimtarinë e tyre në fushat e ndryshme të gjuhësisë, në sajë të të cilave do të bëhet drejtshkrimi i gjuhës letrare të njësuar që do të paraqitet në Kongres, që do të shqyrtohet e do të diskutohet në Kongres e që, më në fund, do të sjellë Projektrezolutën e pastaj Rezolutën e nënshkruar prej 87 delegatëve të Kongresit.

Për të gjitha këto arsye atyre prej opinionit kulturor, politik  e kombëtar shqiptar u janë dhuruar të gjitha meritat për krijimin e gjuhës letrare të njësuar.

Me gjithë meritat e tyre të jashtëzakonshme për krijimin e gjuhës së njësuar letrare, gjuhëtarët, albanologët e mëdhenj që e bënë të mundshëm dhe  e organizuan atë Kongres nuk janë ideologët e tij të parë. Siç theksohet edhe prej atyre në Projektrezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, themelet e gjuhës së njësuar letrare kombëtare janë hedhur që në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Domethënë: nismëtarët e themelimit të gjuhës letrare të njësuar janë Rilindësit.

Ata, rilindësit do të bëjnë çmos, do të bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme, për krijimin e kushteve politike, kulturore, shoqërore për krijimin e gjuhës letrare të njësuar.

Paraardhësit e Kongresit të Drejtshkrimit

Rilindësit pra do të krijojnë të parët idenë e madhe të gjuhës së njësuar letrare shqipe.

Ata, rilindësit, do të bëjnë përpjekje të pandërprera për ndërtimin e ndërgjegjes kombëtare të bashkatdhetarëve që do t’i bëjë ata përkrahës, kërkues, madje adhurues të gjuhës së njësuar letrare kombëtare.

Ata do të bëjnë përpjekje që t’i lirojnë bashkatdhetarët nga varësia shpirtërore, dhe politike prej dy qendrave ballkanike dhe një qendra evropiane që kishin ndikim shumë të madh e shumë të gjatë në mendjen e në zemrën e tyre: ndikim për interesat e veta e jo të shqiptarëve.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për t’i bindur bashkatdhetarët e tyre që në vend të gjuhëve të huaja, në vend të latinishtes, italishtes, greqishtes, turqishtes, arabishtes, persishtes, që ishin gjuhët që e ashtuquajtura elitë shoqërore, ekonomike e politike i përdorte në shkrime e në komunikim, të shkruanin e të flisnin në gjuhën kombëtare – në gjuhën shqipe.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta mbledhin, ta botojnë e ta popullarizojnë sasiorisht dhe cilësorisht letërsinë popullore dhe në përgjithësi thesarin folklorik. Dhe, këtë do ta arrijnë.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta zbulojnë, ta bëjnë të njohur e ta studiojnë traditën historike me figurat e saj të lavdishme duke filluar në radhë të parë prej Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dhe këtë qëllim do ta arrijnë suksesshëm.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të krijojnë letërsinë kombëtare, letërsinë shqipe, dhe këtë qëllim po ashtu do ta arrijnë me veprat e shkruara e të botuara në radhë të parë në kolonitë e tyre në Rumani, Egjipt, Bullgari, Turqi, Itali, Belgjikë, Amerikë e në Atdhe.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta arsimojnë popullin dhe që të krijojnë alfabetin e përbashkët kombëtar, pas një numri të dukshëm alfabetesh vetjake, që kishin krijuar disa nga rilindësit. Dhe këtë qëllim shumë të rëndësishëm do ta sendërtojnë me organizimin e Kongresit të Manastirit në vitin 1908.

Ata do të bëjnë përpjekje për krijimin e institucionit të parë politik, shoqëror, shtetëror dhe këtë qëllim do ta realizojnë me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e mandej edhe të Lidhjes Shqiptare të Pejës.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme të krijojnë shtetin kombëtar shqiptar. Dhe këtë ideal madhështor do ta realizojnë me 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Dhe, kështu, rilindësit i krijuan kushtet politike, shoqërore, kulturore, arsimore, ekonomike, kombëtare për predikimin dhe krijimin e gjuhës së njësuar letrare, që do të bëhet më 1972.

Jeronim de Rada krijoi një gjuhë letrare vetjake.

Dhimitër Kamarda propozoi krijimin e një gjuhe të përbashkët shkencore, pa lidhje me gjuhën popullore!

Konstantin Kristoforidhi disa shkrime të tij i botoi në toskërishte dhe në gegërishte, në elbasanishte.

Jani Vreto shkroi, siç e thotë ai, përzjeshëm”, por më shumë gegërisht, kurse fjalët e reja i shkroi në toskërishte e në gegërishte.

Naim Frashëri e Sami Frashëri, megjithëse kanë shkruar toskërisht, krijuan shumë fjalë të reja duke i bazuar në trajtën leksikore e fonetike të gegërishtes.

Në letrën që Jeronim De Radës ia çoi Sami Frashëri shkruan se “të shkruarit duhet t’i shërbejë të gjallurit të gjuhës shqipe dhe të bashkuarit të dialekteve” sepse, thotë, “shumë gjuhë e dialekte sjellin ndarje e mërgim”.

Luigj Gurakuqi shkroi: “e zgjidhëm çështjen e abesë kurse tani do të mundohemi me u marrë vesh edhe për çështje të ortografisë e cila ka rëndësi të madhe për themelimin e një gjuhe letrare shqipe”.

Faik Konica shkroi: “Vetëm shqiptarët s’e kanë një gjuhë të tillë prandaj kanë mbetur të ndarë njëri nga tjetri andaj kanë rrjedhur aq të këqija për neve të mjerët. Është nevoja të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte”.

Asdreni shkroi: “Kam uzdajë se pas të vendosurit e një abetari të përgjithshëm, mbetet edhe ndjehet nevojë t’i jepet një drejtim edhe gjuhës, duke i bashkuar që të dy dialektet Toskë e Gegë”.

Hilë Mosi shkroi: “Kështu po shkojmë edhe ne dalëngadalë, por me kohë, që gjuha jonë me mbërri me pasë një të folme të përmbarshme, të dlirë e të begatë, por edhe me pasë një letërsi kaq të bukur, që me kenë nji ndër më të mirat ndër gjuhët që po fliten në Ballkan”.

E të tjera e të tjera.

Mendimet e sotme për Kongresin e Drejtshkrimit

Është thënë që moti se jeta e çdo ngjarjeje të madhe dhe jeta e çdo ideje të madhe është njëkohësisht edhe dramë e tyre.

Këtë e dëshmon edhe jeta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Krahas përkrahjes së mirëditur që i jepet prej numrit më të madh të shqiptarëve – të intelektualëve, të studiuesve shkencorë të të gjitha fushave, Kongresi i Drejtshkrimit edhe sot, pesëdhjetë vjet pas mbajtjes së tij, kontestohet prej një numri individësh. Mospajtimet me frytet e këtij Kongresi janë mospajtime dialektore dhe mospajtime politike.

Disa nga mospajtuesit e parë thonë se ai do të duhej të bazohej në gegërishten sepse gegërishtja i ka disa përparësi historike, kurse disa të tjerë thonë se gegërishtja duhet të përfaqësohej më tepër se ç’është e përfaqësuar në Drejtshkrimin e miratuar në atë Kongres.

Mospajtuesit e dytë thonë se Kongresi i Drejtshkrimit ishte prodhim i politikës komuniste, domethënë i diktaturës komuniste, prandaj edhe nuk mund të pranohet.

Mospajtuesit e tretë thonë së Kosova është bërë shtet, se Kongresi i Drejtshkrimit i ka bërë ata qytetarë të rendit të dytë, se kosovarët do të bëhen komb, prandaj shteti i Kosovës dhe Kombi i Kosovës duhet të kenë gjuhën e vet letrare, gjuhën e vet standarde, gjuhën e vet shtetërore.

Le të thuhet se të gjitha këto mospajtime sot, 50 vjet mbasi është mbajtur Kongresi, jehojnë si mospajtime veçuese, separatiste, me të cilat cenohet roli i tij bashkues mbarëkombëtar.

E quaj fat për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve pse Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe është mbajtur në kohën në të cilën është mbajtur. Mos të ishte mbajtur atëherë natyrisht me pajtimin dhe madje përkrahjen e të parëve të institucioneve shtetërore kombëtare kundërshtarët e tij ndoshta nuk do të lejonin të mbahej kurrë!

Me të, me drejtshkrimin e tij, është krijuar gjuha standarde shqipe, gjuhë e njësuar, e përbashkët letrare shqipe.

Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë Gjuhë të Njësuar Letrare të gjithë krijuesve shqiptarë – shkrimtarë, studiues shkencorë, publicistë e të tjerë u dhurohet mundësia që shkrimet e tyre të lexohen e të kuptohen prej të gjithë bashkëkombësve, të gjithë bashkatdhetarëve pa pengesat më të vogla a më të mëdha që mund të kishin kur shkruanin në njërin prej dialekteve.

Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë Gjuhë Letrare të Njësuar të gjithë shqiptarëve, të gjithë bashkëkombësve, të gjithë nënshtetasve, pavarësisht të cilit dialekt i përkasin, u krijohet mundësia që të merren vesh më lehtë, pa kufizimet kur më të dukshme e kur më të padukshme që i kishin kur komunikonin në dialekte a në të folme vendore.

Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë më këtë Gjuhë Letrare të Njësuar kultura dhe qytetërimi shqiptar barazohen në të gjitha pikëpamjet me kulturat dhe qytetërimet e popujve të cilët që sa e sa kohë mburren me frytet mendore, artistike, shkencore e filozofike që ia kanë dhuruar njerëzimit në gjuhën letrare kombëtare, që ishte gjuhë e tyre shtetërore e diplomatike.

Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë Gjuhë Letrare të Njësuar në jetën shoqërore e kulturore kombëtare e ndërkombëtare të shqiptarëve sendërtohet shumë domethënshëm një vlerë madhore e të drejtave të njeriut: sendërtohet barazia e dinjiteteve.

Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë letrare të njësuar, varroset përgjithmonë përpjekja e Serbisë për t’i ndarë shqiptarët në dy kombe: në kombin e, si e thotë ajo, albancave që përbëjnë Shqipërinë dhe në kombin e shqiptarëve, në të vërtetë shiftarëve, si na quante përbuzshëm, që përbëjnë kombin kosovar, Kosovën!

Mjerisht përpjekjet për krijimin e kombit kosovar, domethënë për ndarjen, ndarjen e shqiptarëve në dy kombe sot po i vazhdojnë disa nga bashkëkombësit, bashkatdhetarët tonë në Kosovë e në Shqipëri. Por është shumë e sigurt se ato përpjekje do të dështojnë plotësisht. Shqiptarët, kudo janë, ishin, janë e do të jenë përgjithmonë, përgjithmonë Një Komb, kurse Shqipëria e Kosova një Shtet.

E me të, me këtë Drejtshkrim, me këtë Gjuhë të njësuar letrare, që po ia kremtojmë 50-vjetorin, të përtashmes dhe të ardhmes së Kombit shqiptar i është dhuruar përbërësi më i rëndësishëm që e pasuron, e zgjeron, e përforcon, e lartëson, e bën të përjetshëm kohezionin shpirtëror, kulturor, politik, dhe etik të Kombit shqiptar.

Jetojmë në kohë të ngritjes historike të popullit shqiptar.

Ky privilegj që i është dhuruar brezit tonë na obligon të jemi të vetëdijshëm për të dhe të bëjmë krejt çka është e nevojshme dhe krejt çka mundemi me mendjen tonë, me dijen tonë, me fuqinë tonë, me përbashkësinë tonë, për ta sendërtuar në të gjitha pikëpamjet atë ngritje historike që do të dëshmohej posaçërisht me rritjen e me pasurimin e kulturës e të qytetërimit tonë.

Të mos harrojmë se të gjitha epokat e mëdha janë të mëdha në sajë të kulturës e të qytetërimit dhe të gjuhës së tyre të gjithëdomethënshme e të gjithënjëshme, siç është gjuha jonë letrare e njësuar vjetorin madhështor të së cilës po e shënojmë edhe me këtë konferencë shkencore.

blank

114 vjet alfabet – Nga Bledi Filipi

114 vjet më parë në Kongresin e Manastirit u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe.
Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 -22 .11.1908 , për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare në atë etapë, në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë problem i mprehtë politik , arsimor e kulturor dhe një kërkesë e ngutshme e lëvizjes kombëtare. (FESh II, 2008:1258)
Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” .
Në këtë kongres ishin të pranishëm të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerikë, etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mithat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria.
Pas shumë diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të cilit plotësoheshin me dyshkronjësha (dh,gj, ll, nj,rr,sh,th,xh,zh) dhe me dyshkronjësha me shenja diakritike (ç,ë).
Komisioni vendosi të përdoreshin të dy alfabetet, por brenda një kohe të shkurtër fitoi epërsi alfabeti i sotëm. (Demiraj, 1988:111)
Njësimi i alfabetit ishte një hap i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe.
Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e patriotëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin.
Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.
Gjithashtu delegatët organizuan takime me dyer të mbyllura, ku u rrahën probleme të mprehta politike.
Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet, për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare e për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre.
Ky kongres ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë.

blank

blank

Përvjetor- KONGRESI I MANASTIRIT NUK ISHTE NJË MBLEDHJE THJESHT GJUHËSORE

Megjithëse çështja e njësimit të alfabetit zuri vendin kryesor në punimet e Kongresit të Manastirit, vetë Kongresi nuk ishte një mbledhje thjesht gjuhësore, por edhe një manifestim politik. Krahas tubimeve të hapura, u organizuan edhe mbledhje të fshehta kushtuar çështjeve politike të ditës. Objekti kryesor i diskutimeve në këto mbledhje ishin marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit, lufta për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit, si edhe marrëdhëniet me shtetet evropiane. Përfundimet e këtyre diskutimeve dhe vendimet që u morën në këto mbledhje, u përfshinë në programin kombëtar prej 18 pikash që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në parlament në emër të shqiptarëve. Ky program është një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit, në të cilin u pasqyruan aspiratat e shqiptarëve për autonominë territoriale-administrative të Shqipërisë. Vendin kryesor në program e zinin kërkesat politike për “njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe”. Në lidhje të ngushtë me këtë kërkohej emërimi i nëpunësve shqiptarë në të katër vilajetet, zgjedhja e të gjitha organeve lokale, zgjerimi i kompetencave të tyre dhe kryerja e shërbimit ushtarak nga dy deri në dy vjet e gjysmë në Shqipëri, nën drejtimin e oficerëve shqiptarë të dalë nga shkollat ushtarake që do të ngriheshin në vend. Pjesë përbërëse e kërkesës për njohjen e kombësisë shqiptare dhe e të drejtave të saj, ishte edhe themelimi i shkollës së pavarur shqipe, që do të arrihej duke i kthyer të gjitha shkollat shtetërore turke në Shqipëri, ato fillore, 9 qytetëse e të mesme, në shkolla kombëtare dhe duke vendosur gjuhën amtare shqipe “si gjuhë mësimi në të gjitha këto shkolla shtetërore”, ndërsa turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë, duke filluar nga viti katërt i shkollës fillore. Të lidhura ngushtë me këtë ishin edhe masat që parashikohej të merreshin për kthimin e shkollave në gjuhën greke, që funksiononin për shqiptarët e krishterë, në shkolla kombëtare, me gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, duke i hequr ato nga administrimi i klerit dhe duke i shpallur shkolla shtetërore. Hejza
blank

”KRISJE” TË DUKSHME NË KULTURËN GJUHËSORE – Nga Gjoval Shkurtaj

Situata e sotme e kulturës gjuhësore në krejt bashkësinë shoqërore shqiptare nuk është ashtu si duhej të ishte dhe, në disa mjedise e raste, sidomos në ligjërimin e politikanëve dhe të mjaft gazetarëve është vërtet shqetësuese. Ka shumë vjet që është lënë pas dore kujdesi për shqipen e shkruar dhe të folur. Kultura dhe etika e të folurit publik kanë pësuar ”krisje” të dukshme e të rënda. Dhe, në fakt, ka jo pak politikanë e gazetarë, që flasin e shkruajnë si të krisur. Ka mjedise shoqërore dhe institucionale, ku shkruhet e flitet dosido, pa asnjë kujdes për etnografinë e ligjërimit, me shpërfillje të dukshme ndaj traditave dhe normave të etikës së kuvendit e të fjalës publike. Kjo “flamë” gjuhëprishëse prek shpesh si deputetë e zëdhënës të shtypit, politikanë e shtetarë të lartë, ashtu edhe gazetarë e sidomos artikullshkrues të organeve partiake, që ndjekin shembullin e tyre. Pakujdesia dhe papërgjegjshmëria për shqipen e shkruar e të folur shfaqet dukshëm edhe në rendjen e pamotivueshme e të papranueshme pas fjalëve të huaja dhe mënyrave të të thënit të “shartuara” sipas modeleve të anglishtes, por që nuk janë as të pranueshme dhe as të nevojshme. Gjithmonë shqiptarët kanë thënë, p.sh.: pi kafe, ha bukë, ha drekë, ha darkë etj. Tashti “modernët” po thonë gjithnjë e më shpesh: konsumoj një kafe, po konsumoj një drekë apo darkë etj. Dhe, populli i thjeshtë, që motejetë e ka dashur, po edhe e ka ruajtur gjuhën shqipe, pyet me të drejtë: Pse po e prishin etnografinë e të folurit shqip e shqiptarisht disa shtetarë e gazetarë? Pse po ia marrim frymën shqipes me reklamat e shkruara tmerrësisht keq e që po ia zvjerdhin shijen e të folurit shqip shikuesve e dëgjuesve të emisioneve?
E kemi shprehur edhe herë të tjera. Ka shpërthyer një vërshim i pafrenueshëm i fjalëve të huaja të panevojshme, shtimi i termave të huaj në vend të termave shqip që përdoreshin normalisht. Le ta fillojmë me një nga “prurjet” më të freskëta. Gjatëditëve të nxehta të verës, sa herë flitet për zjarret qëbien në Jug e në Veri, thuhet “Të gjithë jemi në alert”. Edhe një emision famëkeq në një nga televizionet ka titullin “Alert”.Gjatë ditëve të pandemisë, sikur të mos mjaftonin frika dhe shqetësimi e dhimbja për sasinë e madhe të njerëzve që ndahen nga jeta prej covid-19, na duhej të durojmë edhe plojën e fjalëve alert, alertohet (në vend të alarm, alarmohet); hospitalizohet (në vend të shtrohet në spital), si dhe i shumë foljeve të tjera të krijuara pa asnjë nevojë, si komisonohet (në vend del para komisionit mjeko-ligjor). Tmerri veshçjerrës i fjalëve fokus, fokusohem e fokusim, si dhe i reklamave ku nuk mungojnë limit, limtoj, i limituar na shoqëron çdo ditë, qëkur hapim televizorin për të dëgjuar lajmet e deri në emisionet e orëve të vona të mbrëmjes, ku “vringëllojnë shpatat” e analistëve dhe jo pak “analfabetëve me diplomë”, që për fjalët e ndyra dhe zotësinë e sharjeve, ua kalojnë edhe ngjelkave më gojështhurura të lagjeve anësore të qyteteve shqiptare. Gjithandej në rrethet e politikanëve, të analistave dhe të masës së gjerë të shkruesve ka një ”ethe” për të përdorur fjalë të huaja të reja, po edhe për t’u rikthyer në fjalë të huaja të vjetra, të cilat tashmë ishin zëvendësuar me mjaft sukses. Vijon edhe “fushata” e kthimit të fjalëve shqipe ekzistuese në fjalë të huaja, si p.sh. kryetari bëhet president, kryesia- presidencë, pushtuesi-okupator, shtypja-represion, bashkësia-komunitet, lidhja-ligë a legë, qëndresa-rezistencë, ndalimi- arrestim etj.
Madje, siç ka vënë në dukje edhe shkrimtari Ismail Kadare, disa politikanë dhe shtetarë, jo vetëm nuk ndreqen, nuk duan t’ ia dinë aspak për dëmin që po i sjellin shqipes, po edhe vazhdojnë të “kërkojnë” për të prurë sa më shumë fjalë të huaja, të reja. Mjaft politikanë, si dhe jo pak gazetarë, artistë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, kujtojnë se pa fjalë të huaja (të pakuptueshme e të panevojshme) nuk mund të quhen “të mençur” e të përgatitur. E kjo, sigurisht, shkon krahas me “garën” e pafrenueshme të fjalëve të huaja të hyra nga anglishtja, që përdoren dendur e pa nevojë në mediat e shkruara e të folura, në titujt e emisioneve radio- televizive dhe në reklamat.
Të gjitha kanalet televizive të reja, qysh nga Top-Channel e në vijimësi, emërtohen me formën angleze channel e jo me fjalën tashmë të hershme e të shqiptarizuar kanal.Pyesim me të drejtë e pa asnjë ironizim: Ҫ’e gjeti RAI-n që thotë “cinque canali della RAI?” Po ashtu, është bërë e pandalshme “flama” e shqiptimit të shkronjave të shkurtesave jo sipas shqiptimit shqiptarisht (ABëCë, FëBëI), po sipas anglishtes: ejBiSi, eFBiaI etj. Edhe rubrika a emisione, që kishin emra a togfjalësha shqip, si studio e hapur, u “modernizua” duke e anglishtizuar: OPEN. Sapo është krijuar edhe një emision i ri që titullohet “Wy not”. Pyesim me shumë dashamirësi e pa asnjë cinizëm: Çfarë të keqeje do të kishte po të thuhej shqip: “Pse jo?” Sa mirë është, p.sh. titulli i emisionit “Përputhen”. Çfarë ka më të mirë reklama që thotë nxitoni të bëni blerje në dyqanin x se”sasia është e limituar” në vend të “sasia është e kufizuar”?! Çfarë të mire ka reklama që thotë ejani se se ka “çmime të çmendura” (në vend që të thoshte shqip e qartë: çmime të mira, çmime shumë të lira apo shumë të mira”). Dhe,shikoni lexues të nderuar, sa me ëndje po përhapet gjithandej cilësimi me fjalën i çmendur, apo me foljen rrëmbej (rrëmbeu çmimin) në vend të fitoi, mori. Gjithmonë është thënë e shkruar nga shqiptarët: “merrem vesh, bëj marrëveshje”. Po shohim të shkruar në faqet zyrtare apo në postime on-line, si dhe në ligjërimet e fjalimet zyrtare, foljet dakordësoj, dakordësohem dhe emrat e formuar préj tyre si dakordësim, dakordësi, të cilave u janë qasur me dashuri të donkishoteske gati të gjithë shtetarët shqiptarë, si dhe përsëriten nga mediat e shkruara e të folura. E pse na u dashka që, pa asnjë arsye (as kuptimore, as stilistike) të lëmë pa përdorur fjalët shqipe merrem vesh, marrëveshje apo mosmarrëveshje. Për çfarë na duhet folja dakordësohem, kur dihet se shqiptarët që nga Vermoshi deri në Konispol thonë merrem vesh (apo nuk merrem vesh), si dhe emrat marrëveshje e mosmarrëveshje. Madje, shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadareja, i cili ka shkruar edhe një libër të tërë me titullin “Mosmarrëveshja”, as që e ka ndier nevojën t’i përdorë, qoftë edhe një herë të vetme, “mosdakordësinë” apo “dakordësinë”. (Shkëputur nga një shkrim më i gjatë i autorit) Hejza
blank

ALFABETI ËSHTË “FRYMA E SHENJTË” E ÇDO GJUHE

Ditët e Alfabetit Shqip që, mbi të gjitha, përkujtojnë ditët më të veçanta të intelektualëve të kombit, 14-22 nëntor të vitit 1908, të cilët, në Kongresin e Manastirit do të themelojnë Alfabetin e Gjuhës Shqipe! Kjo ngjarje si dhe Kryengritja e Kaçanikut (1910) janë dy prej ngjarjeve më vendimtare që do ta trasojnë rrugën drejt Pavarësimit dhe krijimit të Shtetit Shqiptar! Sa këtyre dy ngjarjeve shtetet dhe kombi shqiptar u japin rëndësinë e merituar? Pas plotë 114 viteve, përkatësisht, 110 viteve, çfarë po bëjnë Shtetet Shqiptare si dhe, përgjithësisht shqiptarët, për këto dy shtylla kryesore të shtetit dhe identitetit etnik e kulturor shqiptar? Asgjë, thjesht, asgjë! Eventualisht, ndonjë koncert me këngë e valle popullore, aty-këtu ndonjë orë mësimore, ndonjë tribunë shkencore, zakonisht ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe, kaq! Nga ana tjetër, shënim deri-diku më dinjitoz është organizuar për Kongresin e Drejtshkrimit, organizuar këtu e 50 vite më parë në Tiranë, me ç’rast u arrit standardizimi i Gjuhës Shqipe!
Këto ditë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Kosovës, u përkujdes për një shënim “më dinjitoz” të “Kongresit të Drejtshkrimit”, si dhe, margjinave të këtij eventi shkencor, ta zënë ngoje edhe “Kongresin e Manastirit”. Krejt mbrapsht, sido qoftë, në këtë organizim të akademive ishin ftuar edhe shtetarët dhe liderët politik të trevave etnike shqiptare! Dhe, çka u konstatua? Çka u tha për gjuhën shqipe! Ç’vendime të fundit qeveritare u shpalosën për nderë të Alfabetit dhe Gjuhës shqipe? A mos u vendos për një datë që do të jetë datë festive gjithëkombëtare për ditët e alfabetit. A mos u kumtua vendimi që tash e tutje edhe Shqipëria dhe Kosova, 22 Nëntorin, ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, do ta festojnë si ditë shtetërore e kombëtare, ashtu siç e festojnë vetëm shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Kush i frikëson, pse tremben Shqipëria e Kosova, pse shtetet shqiptare nuk iniciojnë festimin e përbashkët të kësaj date? Kjo është ajo ngjarje e cila kurrë nuk mund të përsëritet dhe as të “mbindërtohet”! Alfabeti është “fryma e shenjtë” e çdo gjuhe. Standardi, si normë gjuhësore, është relative, dhe në çdo kohë mund të organizohet ndonjë kongres tjetër i ngjashëm për ndryshime, plotësime, përmirësime? Sido qoftë, është mirë kur institucionet nacionale dhe faktorët e ndryshëm shoqëroro-politik organizohen për të përkujtuar një ngjarje që nderon kombin tonë!
Është lehtë të kritikohen gjuhëtarët, akademikët e fushës përkatëse, institutet albanologjike, profesorët, madje të kritikohen prej një kryeministri që e ka fuqinë ligjore, por edhe detyrën dhe obligimin kombëtar për t’i evidentuar dhe eliminuar të gjithë problemet, defektet dhe anomalitë që rrezikojnë gjuhën apo që pengojnë zhvillime dhe suksese në lëmin e gjuhësisë. Është shumë lehtë që mburravecët të trumbetojnë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, për shembull, në Republikën e Maqedonisë së Veriut! Nuk mund të ketë politikanë kombëtar seriozë por as “fqinjësi të lezetshme” nëse këmbëngulin që shqipja të flitet e të emërtohet si gjuhë e “20%”! Nuk ka zyrtarizim të gjuhës shqipe me do farë “agjencish” si mbikëqyrës se kush e flet e kush jo gjuhën shqipe; administratorët e “agjencisë” nuk mund të sanksionojnë asnjë subjekt që nuk do të flasë gjuhën. Nuk ka përkujdesje serioze shtetërore e kombëtare për gjuhën shqipe pa themelimin e Institucionit shtetëror “Provimi i lektorit” të udhëhequr nga akademikët e gjuhës shqipe, ku do të merrej licenca e lektorit. Lektorët e gjuhës shqipe do të duhej të ishin “zanatçinjtë” më të kërkuar dhe të punësuar në çdo zyre, në çdo redaksi, në çdo shtëpi botuese, në çdo produksion e në çdo vend ku palosen letrat me shkronja shqip. Janë të kota të gjitha ato “brenga” për gjuhën dhe “lëvdatat” për të arritura politike për pozitën e gjuhës shqipe, nëse nuk funksionon “institucioni i sanksionimit” të çdo personi, ndërmarrje shoqërore e politike, që, të paktën, në shkrime e devalvojnë dhe e përdhosin gjuhën shqipe! Inspektimi i deformimit të gjuhës shqipe në letër është ekskluzivisht në tagrin e lektorit. Lektori është profesion i shenjtëruar dhe me këtë punë nuk guxon të merret turlifarë diletanti.
Prandaj, politikanët shtetërorë para se të kritikojnë apo të vetëlavdërohen për gjuhën shqipe, nëse është e lashtë apo zyrtare, nëse është standarde apo e deformuar, nëse po kanoset nga neologjizmat apo nga barbarizmat, duhet të bëjnë shumëfish më tepër për gjuhën dhe gjithnjë të jenë të ndërgjegjshëm se në fakt nuk po bëjnë asgjë për gjuhën shqipe. Dikur patriotët sakrifikonin gjithçka, ishin në gjendje edhe të vdesin për gjuhën shqipe. Sot, “patriotët” tanë, ndonëse të lirë, nuk po bëjnë asgjë për gjuhën, kjo ngase mungon vullneti, dashuria dhe të kuptuarit e rolit jetik që ka gjuha për identitetin etnik e kulturor të kombit tonë. /HEJZA/

Send this to a friend