“Ky është stacioni i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Për shtetin, kjo është lupa kryesore që mat se çfarë ajri thithim. Edhe raporti i fundit zyrtar i këtij institucioni konfirmon se Tirana është e ndotur mbi normat e lejuara, por metodologjia e përdorur, e cila mbështetet në vetëm 2 pika monitorimi, duket sikur tenton ta zbusë pasqyrën e përgjithshme përmes shifrave të mesatareve vjetore”, raporton gazetarja Gerta Vasku.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka përdorur vetëm 2 pika monitorimi për Tiranën, ndonëse kryeqyteti shtrihet në një sipërfaqe prej 1 100 kilometrash katrorë dhe përbën zonën me dendësinë më të madhe urbane në Shqipëri. Ndryshe nga këto 2 stacione fikse të shtetit, një raport i qendrës Co-Plan tregon se për monitorimin e cilësisë së ajrit janë përdorur sensorë inteligjentë në dhjetëra pika.
Rezultatet tregojnë se në zona si Rruga e Durrësit apo 21 Dhjetori, ndotja është deri në 3 herë më e lartë se sa thotë mesatarja zyrtare. Edhe pse AKM pranon tejkalim të normave, shifrat e detajuara të sensorëve urbanë japin një alarm shumë më të madh.
“Kryeqyteti mbetet zona me ngarkesën më të lartë të ndotjes në vend, ku përqendrimet e grimcave PM10 dhe PM2.5 tejkalojnë vlerat udhëzuese të OBSH-së dhe në pika të veçanta edhe limitet vjetore të Bashkimit Europian, si pasojë e intensitetit të lartë të trafikut rrugor dhe aktiviteteve të ndërtimit”.
E pyetur nga Televizioni Klan, Ministria e Mjedisit mbron shifrat zyrtare. Sipas saj, monitorimi kryhet në përputhje të plotë me metodologjinë e Agjencisë Europiane të Mjedisit.
“Po punojmë për Direktivën e Shkarkimeve Industriale dhe një plan të ri veprimi për cilësinë e ajrit. Ky proces mbështetet nga Qeveria e Suedisë për të orientuar industrinë drejt teknologjive më të pastra”.
Por, ndërsa Ministria premton plane afatgjata dhe investime teknologjike, qytetarët e Tiranës përballen çdo ditë me këtë realitet shqetësues. Raporti i Co-Plan vërteton se në Tiranë ndotja vijon 24 orë, ku pluhuri i imët PM2.5 tejkalon normat e OBSH-së në 80% të rasteve të monitoruara.
“Standardet europiane janë ende larg rrugëve dhe lagjeve të Tiranës. Dhe, përveç shtimit të stacioneve monitorimi për të kuptuar se çfarë po ndodh me ajrin e tij, kryeqyteti ka nevojë për më shumë gjelbërim. Ne e pyetëm Bashkinë e Tiranës se sa sipërfaqe të gjelbëruar ka shtuar në vitin 2025, por nuk morëm asnjë përgjigje”, thotë gazetarja Vasku.
Tv Klan